ATV

Category: Lajme

  • Tentim vrasje në Gjilan, në vendngjarje gjendet pistoleta e papërdorur

    Tentim vrasje në Gjilan, në vendngjarje gjendet pistoleta e papërdorur

    Një person është sulmuar fizikisht nga disa të tjerë në Gjilan. Ai u dërgua fillimisht në emergjencë në Gjilan dhe më pas është dërguar në QKUK Prishtinë.

    Policia e ka cilësuar veprën si tentim vrasje dhe tha se në vendngjarje është gjetur dhe sekuestruar një armë pistoletë me gjashtë fishekë e cila nuk është përdorur, si dhe një shkop i drurit i thyer me të cilën dyshohet se është goditur viktima.

    “Gjilan 20.12.2024, 22:40. Është raportuar se është sulmuar fizikisht nga disa persona të dyshuar viktima mashkull kosovar. Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një armë pistoletë me gjashtë fishekë e cila nuk është përdorur, si dhe një shkop i drurit i thyer me të cilën dyshohet se është goditur viktima. Viktima është dërguar për tretman mjekësor në emergjencë Gjilan dhe më pas është dërguar në QKUK Prishtinë. Rasti nën hetime”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

  • Pritjet deri në një orë për të hyrë në Kosovë nga Merdarja

    Pritjet deri në një orë për të hyrë në Kosovë nga Merdarja

    Pritjet e mërgimtarëve për të hyrë në Kosovë në pikat kufitare të vendit vetëm se kanë filluar.

    Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhimin Kufitar, kolona mëngjesin e sotëm ka në Merdarë deri në 1 orë, ndërsa tek Dheu i Bardhë deri në 25 minuta.

    Në pikat e tjera kufitare, pritjet për të hyrë dhe për të dalë në Kosovë nuk zgjasin më shumë se pesë minuta.

  • Shtohet numri i qendrave për kurse në gjuhën gjermane, shkak kërkesat e mjekëve për ikje nga vendi

    Shtohet numri i qendrave për kurse në gjuhën gjermane, shkak kërkesat e mjekëve për ikje nga vendi

    110 mjekë kanë kërkuar certifikatë të kaluarës etike nga Oda e Mjekëve të Kosovës për largim jashtë vendit. Ndonëse ky numër është në rënie, nga Oda e Mjekëve kanë thënë për Ekonomia Online se numri mund të rritet vitin e ardhshëm.

    E si shkak i kërkesës së madhe të tregut gjerman, janë rritur edhe kërkesat për numër më të madh të instituteve që ofrojnë kurse dhe provime për gjuhën gjermane në Kosovë.

    Nënkryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Naser Gjonbalaj, ka thënë për Ekonomia Online se si shkak i rënies së këtij numri është edhe liberalizimi i vizave. Andaj, thekson se numri mund të rritet në vitin e ardhshëm.

    “Këtë vit, numri i mjekëve të cilët kanë kërkuar certifikatë të kaluarës etike deri më tani është 110 mjekë, të cilët kanë kërkuar që pre supozohet që kanë lidhur kontratë pune në Gjermani, por trendi me vitet tjera ka një rënie, por këtu kemi të bëjmë edhe me liberalizimin e vizave dhe ndryshimin e politikave kryesisht në Gjermani që është bërë vitin e fundit. Është edhe trendi i liberalizimit dhe nuk është një numër i saktë dhe vitin e ardhshëm mundet me qenë një kërkesë më e madhe për arsye se kanë ndryshuar politikat kryesisht në Gjermani”, ka thënë Gjonbalaj.

    “Më herët ka qenë që mjekët me marr vizë pune, vizë turistike e me shku me qëndrua dy javë, tani e kanë më të liberalizuar këtë pjesën për të shkuar për ta gjetur një vend ose një punë provuese. Gjermania e ka ulë kriterin e ka bërë një kriter tjetër, megjithatë shpresoj që trendi të jetë në rënie, por këto janë rrethanat”, u shpreh Gjonbalaj.

    Ai shton se kërkesë për certifikatë të kaluarës etike kanë kërkuar mjekë të punësuar dhe të papunë.

    “Janë një miks, nuk janë vetëm ata të cilët janë të papunë. Ata të cilët janë të papunë, kanë gjetur forma edhe të tjera deri në momentet që bëjnë kontrata por është një miks i tyre. Edhe Kosova nuk i ka shpëtuar trendit të gjithë Ballkanit që ka ndodh me liberalizimin e vizave ose me kërkesën e madhe, sidomos në Gjermani. Po flasim për Gjermani, kërkesa është jashtëzakonisht e madhe që ne jemi të preferuar, nuk është që jemi mbrapa në cilësi, megjithatë është shqetësuese për vendin sepse ne akoma në Kosovë kemi mungesë të mjekëve, nuk bëhet fjalë për mungesë të mjekëve vetëm QKUK-ja sepse QKUK-ja nuk është Kosovë, por po flasim për gjithë Kosovën, ka mungesë të mjekëve, mungesë sipas standardëve tona e lëre më sipas standardeve të Bashkimit Evropian”, u shpreh ai.

    Në lidhje me këtë dukuri, Ilir Lenjani, mësimdhënës i gjuhës gjermane dhe themelues i Institutit “Deutschzentrum Kosovo”, ka thënë për Ekonomia Online se për të mësuar gjuhën kanë nga profile të ndryshme, por që mbizotëron ai i mjekësisë.

    “Në kurs vijnë të profileve të ndryshme, duke filluar prej nivelit A1 ku kryesisht dominon bashkimi familjar, pra qëllimi i tyre është që të bëjnë bashkim familjar në vendet gjermano-folëse. Pastaj në nivelet e larta kemi kandidatë të ndryshëm. Në kohën e fundit është një trend ku kemi kursantë të cilët e mësojnë gjuhën për t’u punësuar në Kosovë, qofshin ato ‘call center’ apo ndoshta edhe në ndonjë biznes që është gjermano-folës këtu në Kosovë”.

    “Tjetri profil i cili tanimë është shumë i kërkuar në Gjermani ka të bëjë me mjekësi. Aty kemi shumë mjekë e infermierë të cilët pastaj e ndjekin tutje kursin deri në nivelet B2 ose C1. Varësisht prej regjionit ku ata mendojnë të shkojnë duhet edhe niveli”, ka thënë Lenjani, teksa ka treguar edhe për numrin e mjekëve e infermierëve që aktualisht janë në proces të të mësuarit të gjuhës gjermane.

    “Nga tri qendrat që i kemi, nëse e marrin një numër janë afër 150 kandidatë të cilët janë duke e ndjekur kursin dhe që e kanë synim Gjermaninë apo Austrinë, ku për qëllim e kanë punësimin atje si mjekë ose infermierë”, u shpreh Lenjani.

    E njëra prej kandidatëve që mendon punësimin jashtë vendit është Erona Haxholli. Ajo shprehet e zhgënjyer me mungesën e perspektivës së ofruar nga shteti i Kosovës.

    “Kam ardh kurs të gjuhës gjermane për ta perfeksionuar si gjuhë. Arsyeja kam për të bërë bashkim familjar edhe jam duke e mësuar jo veç për bashkim familjar, mirëpo kam synime edhe me vazhdua studimet atje dhe me punu ndonjë punë çfarëdo qoftë ajo. Ende nuk e kam përcaktuar se çka dua, jam në kërkim të asaj mirëpo deri sa ta gjej vetën në njërën prej atyre profesioneve. Besoj se një përqindje e madhe e kanë të njëjtën mendim sikurse unë, për atë arsye edhe shumë studentë e gjenerata të reja janë duke ikur nga Kosova, për shkak të pagave”, ka thënë Haxholli.

  • Borë sot në Kosovë, reshjet pritet të ndalen pasdite

    Borë sot në Kosovë, reshjet pritet të ndalen pasdite

    Temperatura të ulëta javën vijuese, kohë pas kohe me reshje të dobëta dëbore. Viti i ri pa të reshura por i ftohtë.

    Të shtunën priten reshje lokale bore në mëngjes dhe paradite, ndërsa pasdite reshjet do të pushojnë në tërë Kosovën dhe në mbrëmje vonë pritet kthjellim i motit. Mbrëmja dhe nata e ardhshme e kthjellët dhe me acar.

    Javët në vijim, sipas trendeve më të fundit po duket se do të përshkohen me temperatura më të ulëta nga vlerat mesatare, më tipike dimërore.

    Të reshurat e dëborës ka gjasa të paraqiten kohë pas kohe gjatë javës së ardhshme dhe në pjesën e dytë. Temperaturat maksimale shkojnë deri në 2C e 3C, derisa minimalet me gjasë mbesin të ulëta deri në -3C e -4C. Në ditët e fundit të vitit, me kalimin në vitin 2025, po paraqiten kushte anticiklonike.

    Parashihet mot më i thatë, por se ultësirave me siguri që do të ketë më shumë vranësira të ulëta e më pak intervale me diell.

    Temperaturat përreth mesatareve, -3C deri në +3C e +4C.

  • Raportohet se një nga viktimat në Gjermani është fëmijë

    Raportohet se një nga viktimat në Gjermani është fëmijë

    Anëtari i Këshillit Federal Gjerman, Reiner Haseloff ka reaguar pas sulmit që ndodhi në tregun e Krishtlindjeve në Gjermani.

    Duke dhënë detaje, Haseloff ka njoftuar  njëri prej të vdekurve është një fëmijë i vogël.

    Sipas Haseloff, autori i dyshuar është një mjek nga Arabia Saudite që punon në Bernburg.

    Sipas Haseloff, autori futi një makinë me qira në turmë në tregun e Krishtlindjeve, raporton gazeta gjermane MDR.

    Ai është në Gjermani që nga viti 2006.

    LEXONI EDHE:

    Makina hyn në një treg në tregun e Krishtlindjeve në Gjermani, raportohet për të paktën 11 të vdekur e dhjetëra të plagosur

  • Publikohen pamjet nga sulmi në Magdeburg të Gjermanisë, të paktën 11 të vdekur dhe 80 të plagosur

    Publikohen pamjet nga sulmi në Magdeburg të Gjermanisë, të paktën 11 të vdekur dhe 80 të plagosur

    Të paktën 11 persona kanë humbur jetën dhe rreth 80 të tjerë janë plagosur, pasi një automjet, ka marrë përpara një turmë njerëzish në një treg Krishtlindjen në Magdeburg në Gjermani.

    Bëhet e ditur edhe se shoferi tashmë është arrestuar dhe se shumë oficerë policie dhe shërbime emergjente kanë dalë në vendngjarje.

    Siç ka mësuar Welt nga qarqet e sigurisë, i dyshuari për sulmin është një burrë nga Arabia Saudite i lindur në vitin 1974.

    Ai dyshohet se e kishte marrë me qira automjetin e përdorur në sulm.

    Magdeburg, në perëndim të Berlinit, është kryeqyteti i provincës së Saksisë-Anhalt dhe ka 240,000 banorë.

     

  • Makina u fut mes turmës, viktima dhe dhjetëra të plagosur në Gjermani, reagon Scholz

    Makina u fut mes turmës, viktima dhe dhjetëra të plagosur në Gjermani, reagon Scholz

    Të paktën 11 persona kanë humbur jetën dhe rreth 80 të tjerë janë plagosur, pasi një automjet, ka marrë përpara një turmë njerëzish në një treg Krishtlindjen në Magdeburg në Gjermani.

    Lidhur me këtë ngjarje të rëndë ka reaguar edhe kancelari gjerman Olaf Scholz i cili ka shprehur mbështetjen për të plagosurit dhe të familjet e tyre.

    Mendimet e mia janë me viktimat dhe familjet e tyre. Ne qëndrojmë në krah të tyre dhe në krah të njerëzve të Magdeburgut”, thotë ai.

    Lidhur me këtë ngjarje është arrestuar një person.

  • Osmani reagon pas sulmit në Magdeburg: Populli i Kosovës qëndron përkrah popullit të Gjermanisë

    Osmani reagon pas sulmit në Magdeburg: Populli i Kosovës qëndron përkrah popullit të Gjermanisë

    Një sulm ka ndodhur sonte në Magdeburg të Gjermanisë, ku një qytetar hyri me makinë në tregun e Krishtlindjeve.

    Sipas shërbimit të shpëtimit, janë 60 deri në 80 të lënduar, shkruan ZDF.

    Drejtuesi i makinës është arrestuar, teksa dyshohet se një person ka humbur jetën si pasojë e përplasjes.

    Dëshmitarët raportojnë se automjeti ka hyrë direkt në turmë dhe ka shpërthyer paniku.

    Lidhur me incidentin tragjik ka reaguar presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila deklaroi se përballë tragjedive të tilla duhet të qëndrojmë të bashkuar dhe të riafirmojmë humanizmin tonë të përbashkët.

    “Sulmi shkatërrues në Magdeburg është një kujtesë e ashpër e kërcënimeve me të cilat përballemi dhe e forcës që duhet të tregojmë në kohë tragjedie. Zemrat tona dhembin për viktimat, familjet e tyre dhe të gjithë ata që janë prekur. Përballë tragjedive të tilla, ne duhet të qëndrojmë të bashkuar dhe të riafirmojmë humanizmin tonë të përbashkët. Populli i Kosovës qëndron përkrah popullit të Gjermanisë!”, shkroi Osmani.

  • Makina hyn në një treg në tregun e Krishtlindjeve në Gjermani, raportohet për të paktën 11 të vdekur e dhjetëra të plagosur

    Makina hyn në një treg në tregun e Krishtlindjeve në Gjermani, raportohet për të paktën 11 të vdekur e dhjetëra të plagosur

    Një makinë përplasi një grup njerëzish në një treg Krishtlindjesh në qytetin lindor të Gjermanisë Magdeburg të premten, duke lënë 11 të vrarë dhe mbi 60 të plagosur.

    Kjo është bërë me dije nga tabloidi gjerman Bild.

    Shoferi i makinës u arrestua, tha agjencia dpa, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar të qeverisë në shtetin e Saksoni-Anhalt.

    Policia po heton incidentin si një sulm terrorist.

    WeltN24 raporton se i dyshuari për sulmin në një treg Krishtlindjesh në qytetin gjerman të Magdeburgut, është një mashkull 50-vjeçar nga Arabia Saudite.

    Magdeburgu, i cili ndodhet në perëndim të Berlinit, është kryeqyteti shtetëror i Saksonisë-Anhalt dhe ka rreth 240 mijë banorë.

    Si masë paraprake, autoritetet po rrisin sigurinë në zonë dhe kryeministri i Saksonisë-Anhalt, Reiner Haseloff, thuhet se është rrugës për në vendngjarje.

    Ky incident ndjek një model të sulmeve që synojnë tregjet e Krishtlindjeve në të gjithë Evropën në vitet e fundit, me Gjermaninë dhe Francën duke rritur përpjekjet për sigurinë si përgjigje.

    Videot që qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë një skenë kaotike, me njerëz të plagosur në tokë dhe një prani të madhe policie që rrethon tregun.

    Autoritetet nuk e kanë konfirmuar ende motivin e sulmit, por incidenti ka ngritur shqetësime në lidhje me cenueshmërinë e hapësirave publike gjatë sezonit të festave.

  • Një shkollë e lashtë fillore në fshatin Polac u rrënua nga një kompani private

    Një shkollë e lashtë fillore në fshatin Polac u rrënua nga një kompani private

    PËRGATITI: ARTON HAMITI

    Abdullah Gashi thotë se këto gërmadha nuk janë vetëm pamje e rrënimit të një objekti, por edhe të një pjese të kujtimeve nga fëmijëria e tij.

    Shkolla e njohur dikur si “Drenica” në fshatin Polac, e vjetër 61 vjet, u rrënua mëngjesin e së enjtes.

    “Kjo shkollë u djeg nga forcat serbe, e kemi ngrit përsëri dhe sot të rrënohet, kjo është e turpshme. Beso kur e kam pa në këtë gjendje, jam kthyer në kohen e luftës”, deklaroi asamblisti Abdullah Gashi.

    Sipas një raporti të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore, në të cilin pati qasje ATV-ja, shkolla e ndërtuar më 1963 ishte në procedurë për t’u bërë pjesë e trashëgimisë së mbrojtur.

    Ky fakt, e bën edhe më të dhimbshme rrënimin e një prej institucioneve arsimore më të vjetra në rajonin e Skenderajt.

    “As Serbia nuk ka bërë më shumë se Qeverisja e PDK-së për ta rrënuar historinë e këtij vendi. Pa asnjë procedurë u vendos qe shkolla të rrënohet”, tha Hysni Mehani.

    Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore menjëherë i ka vendosur shiritat, por të premten tha se është ende fazë e hershme për t’u deklaruar për rastin.

    Në anën tjetër, nga komuna nuk treguan nëse kanë qenë në dijeni se ky objekt do të kalonte në përkujdesje të nivelit qendror, por thanë se prona nuk i takon më pushtetit lokal, ndërsa rrënimi u bë nga një kompani private.

    “Prona në fjalë i është dhënë në shfrytëzim afatgjatë për 99 vite përmes procedurave ligjore nga Kuvendi Komunal kompanisë “TehnoBurimi” D.D Sh.A, për ndërtimin e fabrikës së industrisë së drurit. Andaj, kompania në fjalë, është duke vepruar brenda hapësirës qe i është dhënë në shfrytëzim, në zonën e cila në bazë të Hartës Zonale të Komunës është pronë me destinim industrial”, njoftuan nga Komuna e Skenderajt.

    Sidoqoftë, fabrika në fjalë që filloi të ndërtohej para 3 vjetëve nuk është funksionalizuar akoma./atvlive.tv