ATV

Category: Lajme

  • Përurohen renovimet e sporteleve në Klinikën e Kirurgjisë, rreth 400 mijë euro investim

    Përurohen renovimet e sporteleve në Klinikën e Kirurgjisë, rreth 400 mijë euro investim

    Rreth 400 mijë euro është kostoja e renovimit të sporteleve në Klinikën e Kirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, raporton EO.

    Kryeministri Kurti tha se shëndetësia ka qenë prioritet i kësaj qeverie që të ofrohen kushte më të mira për pacientet.

    “Ne kemi qenë gjithmonë prioritet te shëndetësia që t’i bëjmë kushtet më të mira për kujdesin shëndetësor, por gjithashtu edhe kushte më të dinjitetshme për punëtorët shëndetësor, meqenëse shërimi i pacientit varet edhe nga doktorët e infermierët. Me këtë rast, pas përfundimit dhe inaugurimit të sporteleve në Radiologji e Biokimi, sot siç kishit mundur të shihni tek këto pesë etazhe kishim sportelin në Kirurgji plastike, pastaj në Torakale, Kirurgjinë Abdominale dhe këtu ku jemi në Kirurgjinë Vaskulare dhe Neurokirurgji”. Një hapësirë me rreth 1000 metra katror me rreth 400 mijë euro gjithsej”, tha ai.

    Sipas tij për herë të parë është krijuar infrastrukturë moderne me standarde ndërkombëtare për pacientët me aftësi të kufizuara.

    “Tash është bërë lehtësimi i qasjes dhe orientimit i gjithë pacientët, sportelet janë të digjitalizuar dhe për herë të parë kemi krijuar infrastrukturë moderne me standarde ndërkombëtare për pacientët me aftësi të kufizuara”, tha Kurti.

    E ministri i Shëndetësisë, tregoi arsyen e investimeve në klinikat kirurgjike.

    “Kemi filluar me renovimin dhe transformimin e blloqeve operative në shumicën Kirurgjike në QKUK, kemi filluar me digjitalizim të klinikave këtu dhe kjo që po shohim sot, është hapësira jashtë klinikave për familjarë, për pacientë që të kenë një qasje më të mirë”, u shpreh Vitia.

  • Nga janari deri në dhjetor, ATK-ja mblodhi rreth 950 milionë euro në tatime

    Nga janari deri në dhjetor, ATK-ja mblodhi rreth 950 milionë euro në tatime

    Agjencia Tatimore e Kosovës (ATK) ka mbledhur rreth 950 milion euro në tatime, nga janari deri në dhjetor të këtij viti, raporton EO.

    Këtë e bëri të ditur Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Ilir Murtezaj, në një konferencën përmbyllëse të vitit, duke theksuar se në krahasim me periudhën e njëjtë të viti të kaluar ka rritje për 100 milion euro apo rreth 12 %, në raport me vitin paraprak.

    Ai ka thënë se për 25 vite ATK ka mbledhur 8.3 miliard euro.

    “Për gjatë vitit që po e lëmë pas Administrata Tatimore e Kosovës vazhdoi me ngritje të performancës pothuajse në të gjithë indikatorët matës. Në vitin 2024 kemi inkasim të të hyrave tatimore mbi 950 milion euro, që do të thotë se kemi rritur të hyrat mbi 100 mil euro apo rreth 12 %, në raport me vitin paraprak. Krahas rritjes së të hyrave ne vazhduam me reformim institucional, si dhe ngritje të llogaridhënies dhe përgjegjësisë në nivel individual dhe institucional”, ka thënë ai.

    Ai ka thënë se këtë vit është rritur edhe pagesa e tatimeve nga ana e këngëtarëve e cila ka arritur në vlerën e mbi 3.2 milion euro.

    Po ashtu, sa i përket sektorit të gastronomisë, ai ka thënë se tatimet e mbledhura për këtë vit nga ta është mbi 30 milion euro.

    “Këtu mund të shini një dallim të konsiderueshëm të rritjeve tatimore. Në vitin 2023 kishim vetëm 2.7 milion euro, këtë vit kemi 3.2 milion euro. Po ashtu edhe te gastronomia ka një rritje prej 27 milion që ishte në vitin 2023, mbi 30 milion euro”, ka thënë ai.

  • Presidenti gjerman shpërndan Parlamentin, cakton zgjedhjet për 23 shkurt

    Presidenti gjerman shpërndan Parlamentin, cakton zgjedhjet për 23 shkurt

    Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, ka urdhëruar shpërndarjen e Parlamentit dhe ka caktuar zgjedhjet e reja për 23 shkurt.

    Zgjedhjet e reja do të mbahen pas rënies së koalicionit qeverisës të kancelarit, Olaf Scholz.

    Scholz nuk e mori votëbesimin më 16 dhjetor dhe aktualisht po udhëheq një Qeveri të pakicës, pasi koalicioni trepartiak i tij kolapsoi më 6 nëntor. Kjo ndodhi për shkak se Scholz shkarkoi ministrin e tij të Financave lidhur me mospajtimet se si të revitalizohet ekonomia e Gjermanisë.

    Steinmeier tha se e mori vendimin për zgjedhjet e reja për shkak se pas konsultimeve me udhëheqësit partiakë u bë e qartë se nuk ka marrëveshje mes partive politike të Gjermanisë për një Qeveri të re me përbërjen aktuale të Parlamentit.

    “Pikërisht në momente të vështira kërkohet stabilitet dhe një Qeveri e aftë që të marrë veprime dhe një shumicë e besueshme në Parlament”, tha ai.

    “Prandaj, jam i bindur se për të mirën e shtetit tonë, zgjedhjet e reja janë rruga e duhur”, shtoi presidenti gjerman.

    Pasi që Kushtetuta gjermane, e miratuar pas Luftës së Dytë Botërore, nuk lejon që Bundestagu të shpërndajë veten, ishte në dorën e Steinmeierit që të vendoste për një gjë të tillë dhe të shpallte zgjedhje të reja.

    Ai kishte 21 ditë afat për këtë vendim, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    Pas shpërndarjes së Parlamentit, sipas ligjeve gjermane, zgjedhjet duhet të mbahen brenda 60 ditësh.

    Paraprakisht, udhëheqësit e partive kryesore në Gjermani ishin pajtuar për datën 23 shkurt.

    Zgjedhjet në Gjermani do të mbahen shtatë muaj më herët seç ishin planifikuar fillimisht.

    Steinmeier paralajmëroi për ndërhyrje nga jashtë në votime, duke thënë se është “një rrezik për demokracinë, qoftë nëse është i fshehtë, siç ishte në rastin për zgjedhjet e fundit në Rumani, apo i hapur, ashtu siç po ndodh gjithnjë e më shumë në platformën X”.

    Gjykata Kushtetuese ka anuluar rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Rumani, pasi u publikuan pretendime se Rusia kishte koordinuar një fushatë online për të promovuar një kandidat të krahut të djathtë, që fitoi rundin e parë.

    Fushata në Gjermani veçse ka nisur. Sipas sondazheve, partia e Scholzit është në garë të ngushtë me bllokun opozitar të udhëhequr Friedrich Merz. Ndërkaq, të Gjelbërit – partnerët aktualë qeverisës të Schozlit – po ashtu vlerësohen se do të jenë në garë për të marrë poste kyçe. Megjithatë, sondazhet sugjerojnë se Qeveria e re me gjasë do të udhëhiqet nga Merz si kancelar, në një koalicion me të paktën një parti tjetër./REL

  • Presidentja Osmani dekreton 24 prokurorë të rinj, gjysma prej tyre gra

    Presidentja Osmani dekreton 24 prokurorë të rinj, gjysma prej tyre gra

    Presidentja Vjosa Osmani me propozim të Këshillit Prokurorial të Kosovës, dekreton njëzet e katër prokurorë të rinj.

    Prej njëzet e katër prokurorëve të dekretuar nga Osmani, pothuajse gjysma prej tyre gra.

    “Në ceremoninë e betimit para Presidentes së Republikës, prokurorët e rinj janë betuar se: “do t’i qëndrojnë besnik Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe do të respektojnë rregullat e etikës profesionale. Presidentja Osmani ndër të tjera ka theksuar rëndësinë e integritetit, pavarësisë, paanshmërisë dhe profesionalizmit të prokurorëve, si elemente thelbësore për një sistem që garanton drejtësi për të gjithë qytetarët e Kosovës, dhe njëkohësisht u ka bërë thirrje prokurorëve të rinj që të mos kenë kompromis ndaj krimit dhe korrupsionit”, thuhet në njoftim.

  • ​SPAK me njoftim zyrtar për kryebashkiakun Erion Veliaj, i përgjigjet për kallëzuesin anonim

    ​SPAK me njoftim zyrtar për kryebashkiakun Erion Veliaj, i përgjigjet për kallëzuesin anonim

    Një ditë pasi Erion Veliaj u mor në pyetje për 5 orë nga Prokurorët e Posaçëm, SPAK ka reaguar me një njoftim zyrtar për kryetarin e bashkisë së Tiranës.

    Mbi bazën e informacionit për referimin e veprës penale i datës 08.02.2024 i përpiluar nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar Procedimin Penal nr.27/2024, i cili fillimisht bën fjalë për veprën penale: “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” i parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.

    Informacioni për referimin e veprës penale mori shkas nga një kallëzim i bërë nga shtetasi i vetëidentifikuar si N.A. Hetuesit e BKH-së, pas verifikimit të të dhënave dhe administrimit të provave dokumentare, referuan informacionin përkatës për veprën penale, mbi bazën e të cilit u regjistrua procedimi penal i mësipërm.

    Deri në këtë fazë të hetimit paraprak, nga provat e grumbulluara, është arritur në konkluzionin se ekzistojnë të dhëna konkrete, të cilat lidhen jo vetëm me veprën penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal, por edhe me veprat penale: “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” i parashikuar nga neni 245, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim” parashikuar nga neni 257/a, pgf 2 i Kodit Penal.

    Këto vepra janë pasqyruar tashmë edhe në Regjistrin e Njoftimeve të Veprave Penale pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar./TopChannel/

  • Kryediplomati shqiptar: Sovranitetit e integriteti territorial i Kosovës, prioritet kombëtar i Shqipërisë

    Kryediplomati shqiptar: Sovranitetit e integriteti territorial i Kosovës, prioritet kombëtar i Shqipërisë

    Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, tha se marrëdhëniet me fqinjët dhe siguria rajonale janë në fokusin e diplomacisë shqiptare, ndërsa sovranitetit dhe integriteti territorial i Kosovës, sipas tij, janë prioritet kombëtar.

    Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, teksa ka bërë një rezyme të diplomacisë shqiptare përgjatë vitit 2024 që po lëmë pas, ka parashtruar edhe objektivat për vitin 2025.

    Ai tha se Ministri i Jashtëm theksoi gjithashtu se marrëdhëniet me fqinjët dhe siguria rajonale janë në fokusin e diplomacisë shqiptare, ndërsa sovranitetit dhe integriteti territorial i Kosovës, sipas tij, janë prioritet kombëtar.

    “Shqipëria ka dhënë mbështetje të vazhdueshme për ruajtjen e stabilitetit dhe integritetit të Kosovës në një periudhë të ngarkuar me sfida të brendshme dhe të jashtme.

    Kemi mbështetur gjithmonë dialogun e lehtësuar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve dhe arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme paqësore.

    Ky proces është i domosdoshëm për stabilitetin afatgjatë të rajonit dhe për integrimin e të dyja shteteve në strukturat evropiane. Shqipëria ka luajtur një rol konstruktiv në këtë dialog, duke inkurajuar palët për të shprehur fleksibilitet dhe angazhim të vërtetë për arritjen e një marrëveshjeje që do të respektojë të drejtat e të gjithë qytetarëve dhe do të sigurojë një paqe të qëndrueshme.

    Kemi ofruar, gjithashtu, mbështetje të vazhdueshme për Kosovën në këtë proces, duke lobuar për mundësitë që ky dialog të përfshijë përfitime të prekshme për të dyja vendet dhe për integrimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare”, theksoi Hasani.

    Ai shtoi se Shqipëria ka dënuar me forcë çdo formë të dhunës dhe terrorizmit të manifestuar në territorin e Kosovës, duke përfshirë këtu çdo akt të dhunshëm që ka synuar drejtpërsëdrejti destabilizimin e saj dhe më gjerë të Ballkanit Perëndimor.

    Hasani ka bërë të ditur gjithashtu, se ka nisur “bashkëpunimi konkret me NATO-n për organizimin e Samitit të Aleancës në Tiranë në vitin 2027, ku Shqipëria do të jetë vendi i parë që do të presë një ngjarje kaq të rëndësishme në rajon”.

    Kreu i diplomacisë shqiptare shpjegoi se mbetet prioritet forcimi i lidhjeve me diasporën, ndërsa vuri në dukje se Ministria e Jashtme po eksploron “mundësitë për të rinjtë shqiptarë që të kthehen në atdhe dhe të kontribuojnë në zhvillimin e vendit, duke krijuar mundësi për “brain gain” përmes kthimit të njohurive dhe eksperiencave nga jashtë”.

  • Shoqata e Distributorëve të barnave për vendimin e Vitisë: Rrezikon ekzistencën e farmacive, koha më e rëndë që nga paslufta

    Shoqata e Distributorëve të barnave për vendimin e Vitisë: Rrezikon ekzistencën e farmacive, koha më e rëndë që nga paslufta

    Shoqata e Distributorëve të Produkteve Farmaceutike dhe Medicinale të Kosovës – SHDPFMK kanë reaguar pasi Qeveria e Kosovës ka vendosur të bëjë nivelizimin e çmimeve të produkteve farmaceutike. Kjo Shoqatë kanë thënë se në vazhdimësi kanë përkrahur procesin, por gjithmonë duke kërkuar zbatimin e Nenit 8 të Ligjit për çmimet e vendeve referente.

    Shoqata e Distributorëve të Produkteve Farmaceutike konsiderojnë se nivelizimi është në kundërshtim me vetë Ligjin për Çmimet e barnave, meqë anashkalon procedurat për llogaritjen e çmimeve nga Neni 8 dhe 9 dhe se metodologjinë që ka zgjedhur s’mbështetet në kornizat e ligjit, meqë fillimisht s’janë marrë fare për bazë çmimet referente në vendet e rajonit si Shqipëria, Maqednoia, Mali i Zi dhe Kroacia.

    Tutje thonë se nivelizimi është bërë duke u bazuar në krahasime të paqëndrueshme duke mos konsideruar karakteristikat e tregut të Kosovës si vend pa sigurime shëndetësore dhe pa sistem të rimbursimit të barnave

    “Ka marr për bazë të llogaritjes çmimet CIP (cmimin e importit) të barnave në vitin 2022 e më heret duke anashkaluar rritjet e shumta të çmimeve që kanë ndodhur jo vetëm për barna por të gjitha produktet e konsumimit dhe inflacionin e lartë. Ky modalitet i llogaritjes së çmimeve nuk specifikohet në Ligjin përkatës dhe në asnjë nen nuk specifikohet se viti 2022 merret si vit referent. Nuk merret në konsideratë pagesa e shërbimit profesional të farmacistit duke konsideruar tregtimin e barnave jo si shërbim profesional por si treg i konsumimit të përgjithshëm”, thuhet në reagim.

    “Ka përcaktuar marzhën prej 7.5% për distributorë sqaruar asnjëherë se cila është referenca për këtë nivel marzhe, përderisa në vendet në regjion (qe ka qenë dashur të merren si referncë sipas Nenit 8 të ligjit) sillet prej 11-13%”, nënvizohet tutje në reagim.

    Nga kjo Shoqatë thonë se ky proces është zhvilluar pa i marrë parasysh asnjëherë kërkesat dhe ankesat e farmacistëve dhe shoqatave të tyre dhe duke mos aprovuar shumicën e ankesave që janë deponuar në MSH.

    “Fakti se procesi i propozimit dhe aprovimit të Ligjit për çmime të barnave është zhvilluar pa u konsideruar asnjëherë kërkesat dhe ankesat e farmacistëve dhe shoqatave të tyre dhe duke mos aprovuar shumicën e ankesave që kanë deponuar shumica e kompanive farmaceutike në MSH, tregon më së miri se Ligji në fjale i zbatuar në këtë formë të pjesërishme dhe tekanjoze është në kundërshtim të plotë me interesat e pëergjithshme të sektorit farmaceutik në Kosovë”, thuhet në reagim.

    Sipas tyre “Kjo këmbëngulsi e strukturave të MSH për zbatimin e këtij Ligji me përmabjtje kontradiktore do të rrezikojë të ardhmen e gjithë komunitetit farmaceutik në Kosovë, do të rrezikojë furnizimin e rregullt, të mjaftueshëm dhe cilësor të barnave për popullatën e Kosovës.Me listën e çmimeve të publikuara nga MSH do goditet aspekti profesional i farmacistit dhe do t’u shkatohen humbje të mëdha financiare të gjitha instutucioneve farmaceutike që nga importuesit dhe distributorët e barnave e deri të farmacitë komunitare pa përjashtuar edhe furnizimet në sektorin publik me produkte cilësore”.

    Shoqata e Distributorëve thonë se gjitha këto veprime do të rrezikojnë ekzistencën e këtyre institucioneve farmaceutike veprimtaria e të cilave është edhe ashtu e vështirësuar për shkak të rritjes globale të çmimeve furnizuese sidomos pas krizave të pandemisë dhe luftërave.

    “Mungesa e barnave do te vjen pasi që shumica e kompanive nuk mund të operojnë me këto çmime sepse do të punojnë me HUMBJE të mëdha, ndërsa tregu do të lirohet për barna te cilat do të jenë më të shtrenjta dhe do të mbesin monopol në treg, duke mos përjashtuar produktet me origjinë të dyshuar. Andaj kushdo që është pro implementimit të këtillë të Ligjit në fakt është i interesuar që në emër të uljes së çmimeve të barnave të mbyll shumë kompani farmaceutike e barnatore, të largoj zyrat e kompanive të huaja farmacutike, të dëmtoj furnizimin e rregullt me barna dhe të hap rrugë për monopolizim të tregut dhe ngritje të çmimit të barnave”, thuhet tutje.

    Pjesë nga reagimi për media:

    Poashtu është me rëndësi të sqarohet se me Ligjin e çmimeve nuk janë specifikuar shumë aspekte:

    a. Si do të jetë e mundur që brenda 1 muaji secila barnatore komunitare të obligohet të vendos çmimet e miratuara (pavarërisht që sipsa Ligjit për çmimin e barnave, barnat duhet të jenë të pajisura me banderola me çmim nga AKPPM) përtë gjitha produktet që ka brenda në gjendjen e barnatores?

    b. Sa do të jenë humbjet financiare nga ulja e vlerës financiare të produkteve/stokut që janë të bler paraprakisht dhe të regjistruara në kontabilitetin e barnatoreve?

    c. A do të gjenerojnë barnatoret komunitare profit të mjaftueshëm për pagat e stafit profesional sipas standardeve të kërkuara për liçencim të barnatorës komunitare?

    d. Marzha prej 7.5% e distrubutorëve a do të mbulojë kostot e operimit duke përfshirë deponimin e barnave sipas standardeve, distribuimin e tyre në kushte specifike, transportin, kostot e importit, pagat e stafit, shpenzimet për mirëmbajtejn e regjistrimit të barnave si dhe shpenzimet tjera?

    e. Si do të mbijetojnë depot sekondare të cilat nuk janë paraparë në Ligjin aktual dhe si të tilla duke qenë hallkë erëndësishme e sektorit të furnizimit farmaceutik do të pushojnë së ekzistuari duke ulur ndjeshëm dinamiken e distribuimit të barnave në territorin e Kosovës?

    f. A do të ndikojë që zbatimi i këtij ligji të favorizojë tregun jo të rregulltë të barnave për të mbuluar mungesat sidomos të barnave që janë me marzhë negative (shumica e çmimeve të caktuara janë më të ulta se çmimet blerëse si rezultat i marrjes për bazë të çmimit CIP nga importet e viteve paraprake)?

    Eshtë rasti unik në Republikën e Kosovës ku një ministri e caktuar ndërhyn në formë kaq flagrante në të drejtën elementare të bizneseve për të realizuar operacionet ekonomike të diktuara sipas rregullave të një tregu të lirë dhe përcakton një marzhë bruto të fitimit për produkte farmaceutike duke detyruar pa kompromis kompanitë që të operojnë me humbje ose rrjedhimisht të mbyllen dhe të ketë largime masive nga puna dhe monopolizim të tregut.

    Ftojmë Minisitrine e Shëndetësisë dhe Kryeministrin që të vlerësojnë me kujdes dëmet që shkakton implementimi I pjesërishëm dhe selektiv i Ligjit në fjalë dhe të marrin kurajon të pezullojnë implementimin e të njejtit për të evituar shumë shkelje ligjore dhe për të punuar bashkarisht që unifikimi i çmimeve të barnave të realizohet në përputhje me karakteristikat e vendit tonë.

    Kolegë Farmacistë, kjo është koha më e rëndë e rrugëtimit tonë profesional që nga periudha e pasluftës dhe konsiderojmë se të drejtat tona do t’i kërkojmë me rrugë ligjore dhe nuk do të ndalemi në të drejtën tonë. Me shpresë që e drejta jonë profesionale do të mbrohet!

  • Reduktimet e energjisë, Bajrami: Rezultat i një qeverie të paaftë me ministra praktikantë

    Reduktimet e energjisë, Bajrami: Rezultat i një qeverie të paaftë me ministra praktikantë

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka reaguar pas deklarimeve të ministres së Ekonomisë Artane Rizvanolli për mungesë të energjisë elektrike.

    Bajrami ka thënë se situata me energjinë e elektrike në Kosovë është si rezultat i qeverisjes së paaftë, me ministra praktikantë, të cilët s’kanë vizion as plan.

    “Paradoksale. Qindra miliona euro të shpenzuara për efiçiencë të energjisë që rezultuan me rritje të konsumit të energjisë. Ky është rezultati i një qeverie të paaftë, me ministra praktikantë që s’kanë vizion as plan. Taksat e qytetarëve u shpenzuan pa dhënë ndonjë rezultat, faturat e tyre për energji u dyfishuan e zona të tëra kanë ngelë pa energji në këto ditë të ftohta dimri. Mjaft më me dështime! Koha për llogaridhënie dhe qeveri të aftë”, ka shkruar bajrami në Facebook.

  • ​Katër ambasada të reja shqiptare hapen në vitin 2025

    ​Katër ambasada të reja shqiptare hapen në vitin 2025

    Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, teksa ka bërë bilancin e kësaj ministrie për vitin 2024, ka zbuluar se vitin që vjen, Shqipëria hap 4 ambasada të reja.

    Në komunikimin e fundvitit me gazetarët, ministri Hasani tregoi se Shqipëria do të hapë ambasada në Bosnje-Hercegovinë, Indi, Indonezi dhe Kenia.

    “Në vitin 2025 hapim ambasada të reja në Bosnje-Hercegovinë, Indi, Indonezi dhe Kenia. Këto përfaqësi do të ndihmojnë në përfaqësimin e Shqipërisë në rajone strategjik e si edhe në forcimin e partneriteteve”, u shpreh Hasani./Tch/

  • Kurti ka një lutje për qytetarët për energjinë elektrike

    Kurti ka një lutje për qytetarët për energjinë elektrike

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka lutur qytetarët e Kosovës që nga ora 18:00 e deri në mesnatës të racionalizojnë konsumin e energjisë elektrike.

    Sipas tij, gjatë ditëve të fundit kanë pranuar shqetësime të shumta nga qytetarët në lidhje me reduktimet e rrymës, për të cilat shqetësime tha se i kanë adresuar tek operatorët KOST dhe KEDS.

    “Gjatë ditëve të fundit kemi pranuar shumë shqetësime në lidhje me furnizimin me energji elektronike në disa komunat të Kosovës. Këto shqetësime i kemi përcjell vazhdimisht tek operatorët e rrjetit transmetues dhe shpërndarës KOST dhe KEDS dhe kemi kërkuar nga ta angazhim maksimal në disa drejtime. Përkushtim intensiv në terren për zgjidhjen e problemeve teknike të rrjetit si të prishjeve edhe të menaxhimit të mbingarkesave, komunikim të qartë dhe të shpeshtë me qytetarët dhe finalizim me urgjencë të punimeve në nënstacionin e ri të Ferizajt, i cili do të zgjidh problemin e Ferizajt dhe do të ketë ndikim edhe në komunat tjera…Si çdo dimër paraprak qytetarët i lusim që të racionalizojnë konsumin e energjisë elektrike, veçanërisht gjatë orëve 18:00 deri në mesnatë në të mirë të sigurisë të furnizimit për vete dhe për gjithë vendin tonë“, thotë ai.

    Me ftohjen e motit është rritur nevoja edhe për konsum më të madh të energjisë elektrike, e cila në ditët e fundit ka sjell reduktime të energjisë elektrike në shumë pjesë të Kosovës./kp