ATV

Category: Lajme

  • Maqedonci: Grupi i Radoiçiqit vazhdon të jetë rrezik për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor

    Maqedonci: Grupi i Radoiçiqit vazhdon të jetë rrezik për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka theksuar rrezikun që paraqet grupi i Milan Radoiçiqit për territorin e Kosovës, përderisa është ende i lirë dhe operon brenda territorit të Republikës së Serbisë.

    Në një intervistë për Ekonomia Online, Maqedonci ka thënë se vazhdimi i organizimit të tyre tregon rrezikun që ky grup paraqet jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

    “Është theksuar edhe më herët jo vetëm nga kryeministri Kurti, por edhe nga unë, gjithashtu edhe nga drejtuesit e tjerë të dikastereve të sigurisë nga ministri i Punëve të Brendshme, Drejtori i Policisë, rreziku që paraqet fakti që grupi i Radoiçiqit dhe elementët ekstremist dhe terrorist përreth tij mbeten të lirë brenda territorit të Republikës së Serbisë, edhe më keq mbështeten nga strukturat e Republikës së Serbisë për të operuar dhe për të funksionuar pikërisht brenda territorit të Serbisë”, ka potencuar ministri.

    Sipas ministrit Maqedonci ky grup paraqet rrezik dhe për Ballkanin Perëndimor.

    “Fakti që ky grup vazhdon të mbetet i organizuar po dëshmon në vazhdimësi që paraqet rrezik për vendin tonë dhe jo vetëm, po për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, ka deklaruar Maqedonci.

    Maqedonci tha se pas sulmit të 24 shtatorit – 2023 në Banjskë, grupi i Radoiçiqit ka vazhduar me sulmin e 29 nëntorit 2024 në kanalin e Ibër-Lepencit.

    Sipas tij, këto sulme kanë shkaktuar pengesa për qytetarët që të kenë akses në shërbime esenciale, me qëllim destabilizimin e vendit.

    “Kjo është parë qartazi edhe pas tentimit për aneksim të territorit tonë me 24 shtator të vitit 2023, ky grup ka vazhduar të funksionoi dhe të inkurajojë elementët e tij brenda territorit të Kosovës me sulm të tjera, normalisht që ka ndryshuar natyra e sulmit nga një tentativë për aneksim e është shndërruar në një format të veprimeve terroriste, siç ishte rasti i fundit, elemente të lidhur me këtë grup tentuan që të dëmtojnë shumë infrastrukturën kritike të vendit tonë duke u mohuar qytetarëve qasjen në shërbimet esenciale, duke shkaktuar krizë energjetike me qëllim të destabilizimit të vendit”, ka thënë ai.

  • Hovenier dje u përshëndet me kosovarët pas 3 viteve si ambasador, mesazhet që la në paraqitjet e fundit

    Hovenier dje u përshëndet me kosovarët pas 3 viteve si ambasador, mesazhet që la në paraqitjet e fundit

    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, këtë muaj po e përmbyll mandatin e tij në vend. Ditëve të fundit, ai ka zhvilluar takimet lamtumirëse e aktivitetet e fundit zyrtare në këtë post. Hovenier në këto angazhime la porosinë se SHBA do të jetë e përkushtuar ndaj partneritetit me Kosovën dhe se dëshiron që Kosovën ta shohë të përparuar.

    “Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj partneritetit tonë. Duam ta shohim Kosovën të ketë sukses dhe të përparojë. Kur mendoj se si ishte ky vend kur fillova të punoja për të në fund të viteve ’90, kur mendoj se si ishte në kohën e pavarësisë dhe kur mendoj se si është tani, nuk ka asnjë dyshim për përparimin dhe për kapacitetin e njerëzve të Kosovës, për qëndrueshmërinë e tyre për të realizuar vizionin e tyre për një shtet sovran, të pavarur, demokratik, shumetnik, të begatë dhe të suksesshëm”, tha të premten Hovenier pasi bëri homazhe te shtatorja e ish-presidentit Ibrahim Rugova.

    Për këtë të fundit, ai tha se ishte i nderuar që “aktin final” të tij si ambasador në Kosovë ta bëjë duke e nderuar figurën dhe këmbënguljen e tij për të drejtat e njeriut.

    “E bëj këtë në kujtim të Presidentit Rugova dhe asaj për çka ai qëndronte, këmbënguljes së tij për të drejtat e të gjithë njerëzve të Kosovës, këmbënguljes së tij për një shtet sovran, demokratik, shumetnik dhe të begatë, këmbënguljes së tij për të ndjekur këto qëllime në përputhje me vlerat më të larta të komunitetit ndërkombëtar”.

    Ai tha se gjatë mandatit të tij “së bashku kemi forcuar partneritetin e qëndrueshëm mes popullit të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës”.

    “Ky dhjetor shënon edhe fundin e shërbimit tim si ambasador i SHBA-së në Kosovë. Dëshiroj të falënderoj popullin e Kosovës për miqësinë dhe mikpritjen. Ka qenë nder që të shërbej në këtë rol dhe të kontribuoj në përpjekjen e përbashkët mes SHBA-së dhe Kosovës për të avancuar dhe konsoliduar një Kosovë sovrane, demokratike, multietnike dhe të begatshme. Jam krenar që e kemi arritur bashkë”.

    Në planin personal, ai tha se gjithmonë do ta kujtonte kremtimin e 4 Korrikut të 2024-ës në Kosovë “kur të gjithë ne refuzuam të lejonim shiun e rrëmbyeshëm të na pamundësonte të festonim dhe të vallëzonim bashkë”.

    Hovenier, duke thënë se përparimi i Kosovës ishte i padiskutueshëm që nga pavarësia, ai u shpreh optimist edhe për të ardhmen.

    “E le këtë detyrë duke e ditur se e ardhmja e Kosovës është e ndritshme dhe mezi pres të shoh se çfarë ju populli i Kosovës do të arrini në vitin 2025 dhe më tej”.

  • E shtuna e kthjellët, por mëngjesi me ngrica

    E shtuna e kthjellët, por mëngjesi me ngrica

    Mot kryesisht me kthjellime parashihet të mbretërojë ditën e shtunë, megjithëse në pjesë lindore të vendit vranësira mund të mbeten deri orëve të pasdites. Erërat veriore fillojnë të qetësohen e frynë me intensitet të lehtë dhe mesatarë, 2-6m/s. Temperaturat minimale zbresin në -2C e -4C, e ato maksimale gjatë ditës shkojnë deri në 3C e 5C.

    Ditëve të fundit të vitit 2024 parashihet mot stabil kryesisht me kthjellime e diell. Orëve të mëngjesit do të ketë ngrica, me temperatura minimale që zbresin në -2C e -5C. Temperaturat maksimale në rritje deri në 6C e 7C. Luginave të lumenjve, mëngjeseve mund të shfaqen kushte për mjegull apo mjegullinë. Dominojnë qetësitë, e vetëm pasdite mund të fryjë erë e lehtë drejtimesh të ndryshme.

  • Vrasja e Gjylijeta Ukelles, dënohet me burgim të përjetshëm Edmond Lajçi

    Vrasja e Gjylijeta Ukelles, dënohet me burgim të përjetshëm Edmond Lajçi

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    9 muaj pasi ia shkrepi armën në kokë bashkëshortes së tij, Edmond Lajçit iu shqiptua dënimi.

    Gjykata Themelore në Pejë e dënoi atë më burgim të përjetshëm, për dy vepra penale vrasje dhe armëmbajtje pa leje.

    Ndërsa trupi gjykues pranoi kërkesën e avokates mbrojtëse për të marrë si rrethanë lehtësuese pranimin e fajësisë.

    Në ditën kur ju shqiptua dënimi, Lajçi më kërkesë të tij nuk ishte i pranishëm në sallë. Por vendimi ia lehtësoi dhimbjen familjes së të ndjerës.

    Vëllai i viktimës u deklarua edhe rreth gjendjes së 3 fëmijëve të Edmondit dhe Gjylietës.

    Gjyljeta Ukella u vra më 16 prill të këtij viti, në banesën e saj në Pejë. Pas vrasjes, bashkëshorti i saj, Edmond Lajçi u vetëdorëzua në Polici.

  • Qeveria miratoi ndarjen e 100 eurove për fëmijë e pensionistë

    Qeveria miratoi ndarjen e 100 eurove për fëmijë e pensionistë

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Pesë ditë pas konferencës ku u dha njoftimi për shtesat e njëhershme në vlerë prej 100 eurosh për fëmijët deri në 16 vjeç dhe pensionistët, Qeveria miratoi ndarjen e tyre.

    Nga kjo masë, ministri i Financave Hekuran Murati tha se do të përfitojnë rreth 700 mijë persona.

    Ndërsa, për refuzimin e shtesës ai tha se kanë aplikuar 60 persona.

    Në mbledhjen e fundit fizike për këtë vit, Qeveria kërkoi nga Presidentja autorizimin për nënshkrimin e marrëveshjes me Islandën, Lihtenshtajnin, Norvegjinë dhe Zvicrën, për avancimin e marrëdhënieve tregtare me këto shtete anëtare të EFTA-s.

    Po ashtu, ekzekutivi miratoi vendimin për shpronësimin preliminar të pronave për nevoja të terminalit doganor në Merdare.

    Ndërkohë, në mbledhjen elektronike të mbajtur paraprakisht qeveria ndau rreth 9.4 milionë euro për blerjen e pajisjeve për Policinë.

  • Në Kosovë konfirmohet rasti i parë me linë e majmunit

    Në Kosovë konfirmohet rasti i parë me linë e majmunit

    Përgatiti: Besmire Kluna

    Është konfirmuar rasti i parë me linë e majmunit në Kosovë.
    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se më 26 dhjetor Laboratori i Mikrobiologjisë ka konfirmuar një rast të importuar të sëmundjes.

    Sipas IKSHPK-së i infektuar është një burrë rreth të 30-ave, i cili tashmë është i hospitaliazuar në Klinikën Infektive. Ai dyshohet se sëmundjen e mori gjatë qëndrimit në Afrikën Perëndimore.

    Drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj, tha se pacienti fillimisht ka manifestuar ndryshime në lëkurë.

    ‘’Po me datën 24 të këtij muaji ka ardh në ora 19:10 min një pacientë I cili është I moshës 30 vjeqare I gjinisë mashkull ka manifestuar ndryshime në lëkurë të cilat ato ndryshime fillimisht kanë ngjasu shumë linjë të cilën jemi mësuar të shofim por meqënse nga të dhënat animilistike pacienti thotë se ka qëndru 4 muaj e gjysmë në Afrikën Perëndimore ne menjëherë e kemi ndalur në repart me dyshimin e mundësisë së infeksionit në li të majmunit IMPOX qysh është tash terminologji e aprovuar’’, tha Vishaj.

    Megjithatë, gjendja e pacientit është stabile.

    ‘’Gjendja për momentin është shumë stabile është duke u trajtuar manifestimet janë elkurore në formë të ekzantemave të cilat janë në formë puçërra të mbushura me ujë, gjendja është stabile. Deri me tani asnjëri nga anëtarët e familjes është periudhë e shkurt nuk ka pasur simptoma të pranisë së infkesionit dhe se rasisht prej rekomandimeve të Institutit Kombëtar është duke u përcjellë gjendja e tij’’, tha Vishaj.

    Ndërsa sipas Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, Kosova i ka marrë të gjitha masat pas rastit të parë të konfirmuar me linë e majmunëve.

    “Aq kam informacion edhe unë. I kemi marrë të gjitha masat dhe për çdo informacion shtesë besoj se IKShPK-ja do të del me informacione shtesë”, tha Vishaj.

    Autoritetet përkatëse megjithatë u kanë bë thirrje qytetarëve të kenë kujdes pasi personat që preken nga lija e majmunit zakonisht përjetojnë simptoma të lehta apo mesatare që zgjasin dy deri në katër javë.

  • Ministrja e Ekonomisë dhe krerët e KOSTT-it dhe KEDS-it nuk ishin në gjendje të garantojnë përmirësi

    Ministrja e Ekonomisë dhe krerët e KOSTT-it dhe KEDS-it nuk ishin në gjendje të garantojnë përmirësi

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Derisa situata me furnizimin me energji elektrike është rënduar ditëve të fundit, institucionet nuk janë të gjendje të garantojnë zgjidhje të shpejtë.

    Pas takimeve që pati në KOSTT dhe në KEDS, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se u kërkoi dy operatorëve që të bëjnë maksimumin në kryerjen e sanimeve për shkak të prishjeve dhe mbingarkesës.

    Kërkesa tjetër, drejtuar qytetarëve, ishte: kursimi.

    Edhe pse ditë më parë Ministria bëri thirrje për përdorimin e druve dhe peletit, si alternativa për ngrohje, ministrja refuzoi të lidhë rritjen e konsumit me shtimin e përdorimit të klimave.

    “60 mijë amvisëri të reja janë kyçur në sistem gjatë tri viteve të fundit, dhe, 8 mijë e 500 biznese. Do të thotë diku 69 mijë konsumatorë të ri… Të lidhësh subvencionimin e pajisjeve me ngritjen e konsumit është thjeshtë e pasaktë”, tha Rizvanolli.

    Pasi tha që nuk ka mungesë të energjisë, por mbingarkesë, kreu i Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut, Evetar Zeqiri, pranoi se ka reduktime – përkundër që furnizimi i pandërprerë është obligim ligjor.

    “Këto janë raste të jashtëzakonshme të cilat nuk varet as nga KOSTT as nga KEDS, mirëpo për të ruajtur pajisjet tona, sepse një nënstacion e ka vlerën 10 milionë euro. Pra, nuk guxojmë me rreziku nënstacionin me operua mbi kapacitet… Prandaj, në raste të caktuara, në orë të caktuara, si rezultat i ngarkesës së madhe, kërkohet një reduktim i pjesshëm i ndonjë zone, për të cilën bashkë me KEDS-in e vendosim”, tha Zeqiri.

    Në KEDS, kompani që proklamon 260 milionë euro investime në rrjet, përkundër që listuan së paku shtatë komuna: Gjilan, Ferizaj, Fushë Kosovë, Prizren, Gjakovë, Malishevë dhe Rahovec, thanë se probleme kanë vetëm 5% e konsumatorëve.

    “Kërkojmë nga të gjithë konsumatorët, që mundësisht, të bëjnë kursime individuale, në mënyrë që të kalojmë këtë vit… KESCO posedon rreth 730 mijë konsumatorë, dhe bazuar në të dhënat në sistem mbi 95% furnizohen në të njëjtën kohë”, tha Bujar Jupaj, drejtor i Operimit të Sistemit në KEDS.

    Lidhur me investimet në nënstacionin në Ferizaj, një nga komunat me gjendjen më të rëndë, u tha se brenda ditësh ose javësh do të kryhen punët.

    Ndërsa, pa përmendur një afat konkret, edhe për nënstacionin në Malishevë u tha se punët janë në fazën finale.

  • LVV ankohet në Supreme ndaj urdhrit të PZAP it për certifikimin e Listës Serbe për zgjedhje

    LVV ankohet në Supreme ndaj urdhrit të PZAP it për certifikimin e Listës Serbe për zgjedhje

    Përgatiti: Armand Hoti

    Lëvizja Vetëvendosje, megjithatë nuk u pajtua me vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, që urdhëroi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ta certifikojë Listën Serbe, për zgjedhjet e 9 shkurtit.

    Kështu, partia në pushtet dorëzoi ankesë në Gjykatën Supreme, kundër vendimit të PZAP-së.

    Për ta bërë këtë, u angazhua hiç më pak se zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, i cili është edhe përfaqësues i zyrës ligjore të Vetëvendosjes.

    “Sapo e dorëzuam ankesën kundër vendimit të PZAP-së në Gjykatën Supreme për faktin se sjelljet dhe veprimet e Listës serbe janë kundërligjore, kundër-Kushtetuese dhe si e tillë ne si subjekt politik kemi bërë ankesë kundër vendimit të PZAP-së dhe presim që Supremja të merr vendim meritor në përputhje me legjislacionin në fuqi”, tha Sallahu.

    Sallahu thotë se Lista Serbe, është subjekt politik që përbën rrezik për sigurinë nacionale. Mbështetur në këtë, ai pret që Gjykata Supreme ta aprovoi ankesën e VV-së.

    “Veprimet që konsistojnë me mbështetje të terrorizmit në Banjskë dhe me veprime tjera që i përgjigjen komplet veprimeve terroriste të Beogradit zyrtar, kemi kërkuar nga Gjykata Supreme të jap qëndrimin e vet mbi këtë situatë dhe besoj se Supremja duke u bazuar në sigurinë nacionale, do të marrë vendim konform ruajtjes së sigurisë nacionale dhe kësisoj të mos e lejojë Listën serbe që të regjistrohet si subjekt zgjedhor për vitin 2025”, tha Sallahu.

    Vetëvendosje u ankua përkundër deklarimit të anëtarit të saj në KQZ, Sami Kurteshi, i cili kishte thënë të enjten se nuk do të parashtrojë ankesë në Gjykatën Supreme.

    E PZAP të mërkurën e kishte aprovuar ankesën e Listës Serbe, për certifikim.

  • Hovenier përfundon misionin në Kosovë me homazhe para shtatores së Ibrahim Rugovës

    Hovenier përfundon misionin në Kosovë me homazhe para shtatores së Ibrahim Rugovës

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Ashtu siç e nisi me të njëjtin veprim deshi edhe ta përmbyllë misionin e tij si Ambasador.

    Bashkë me presidenten Vjosa Osmani, pas takimit lamtumirës, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier bëri homazhe te shtatorja e ish-presidentit Ibrahim Rugova.

    “E bëj këtë në kujtim të Presidentit Rugova dhe asaj për çka ai qëndronte, këmbënguljes së tij për të drejtat e të gjithë njerëzve të Kosovës, këmbënguljes së tij për të ndjekur këto qëllime në përputhje me vlerat më të larta të komunitetit ndërkombëtar. Pata kënaqësinë ta njihja atë si një diplomat shumë i ri në atë kohë, dhe e respektoja jashtëzakonisht shumë”, Hovenier.

    Hovenier gjithashtu falënderoi popullin e Kosovës për bashkëpunimin dhe përparimin që ka arritur vendi gjatë këtyre viteve, duke përsëritur edhe njëherë përkushtimin e SHBA-ve ndaj Kosovës.

    “Duam ta shohim Kosovën të ketë sukses dhe të përparojë. Kur mendoj se si ishte ky vend kur fillova të punoja për të në fund të viteve ’90, kur mendoj se si ishte në kohën e pavarësisë dhe kur mendoj se si është tani, nuk ka asnjë dyshim për përparimin dhe për kapacitetin e njerëzve të Kosovës, për qëndrueshmërinë e tyre për të realizuar vizionin e tyre për një shtet sovran, të pavarur, demokratik, shumetnik, të begatë dhe të suksesshëm”, tha Hovenier.

    Derisa falënderoi Hovenierin, presidentja Osmani theksoi se miqësia me SHBA-të bënë që shteti i Kosovës të ecën përpara në mbrojtjen e plotë të integritetit territorial.

    “Angazhimi i tij për lirinë dhe pavarësinë tonë ka qenë i pandalshëm që 25 vjet, duke vepruar si një diplomat i përkushtuar në mbrojtjen e së vërtetës. Fillimisht, si pjesë e ekipit të presidentit Ahtisaari, ai luajti një rol të rëndësishëm në procesin që çoi në propozimin e pavarësisë për Republikën tonë. Më pas, ai vazhdoi kontributin e tij gjatë gjithë procesit të shtet-ndërtimit deri te misioni i tij si ambasador. Ka qenë kënaqësi e veçantë që kemi bashkëpunuar gjatë këtyre tre viteve dhe kemi punuar në interes të qytetarëve tanë”, tha Osmani.

    Jeffrey Hovenier, ia dorëzoi kredencialet presidentes Vjosa Osmani Sadriu më 10 janar 2022 në Prishtinë, kështu duke shërbyer në Kosovë si ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për 3 vjet.

  • Faton Peci thotë se është i vetmi ministër që pronat e uzurpuara për vite me radhë ja ktheu Ministri

    Faton Peci thotë se është i vetmi ministër që pronat e uzurpuara për vite me radhë ja ktheu Ministri

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Rreth 500 milionë euro është vlera e pronave që ministri Faton Peci thotë se ja ktheu Ministrisë së Bujqësisë, meqë për vite ishin të uzurpuara.

    “Kemi alarmuar rastin e objektit prej rreth 1000 m2 të uzurpuara në Lagjen Ulpiana, një pjesë e së cilit me lokale të shtuara vazhdon që të qëndrojë i tillë, përkundër faktit se dëshmitë flasin qartë për titullarin, Gjykata ka vendosur masë të përkohshme. Në afërsi të objektit të Qeverisë, kemi rikthyer objektin me sipërfaqe prej 138 metra katrorë, pas 25 viteve. Vlera e dëmit të shkaktuar me keqpërdorimin e pronës shtetërore arrin një vlerë prej 500 milionë eurove”, tha Peci.

    Në konferencën përmbyllëse, ministri Faton Peci tha se ky dikaster për dekada kishte ngecur sa i përket agjendës legjislative.

    Gjeta një stagnim dekadash në agjendë legjislative e dokumente strategjike, ndërsa sot numërojmë mbi 30 ligje në fuqi, më shumë se 60 udhëzime administrative, koncept dokumente, Strategjinë për Zhvillimin e Bujqësisë dhe Planin përkatës të Veprimit, Strategjinë për Zhvillimin e Pylltarisë dhe Planin përkatës të Veprimit, Strategjinë për Komunikim në Bujqësi, Strategjinë për Komunikim në Pylltari, Planin e Veprimit për Bujqësi Organike të Republikës së Kosovës, Planin Strategjik të Sistemit Këshillues të Kosovës për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2023-2027 e të tjera”, tha Peci.

    Duke siguruar se asnjë fermeri nuk do t’i mbesin borxh, brenda këtij viti Peci theksoi se 89 milionë euro është vlera e grantëve e subvencioneve për bujqit.

    “Gjatë këtij mandati, ai theksoi se 120% është rritja mesatare e mbështetjes për kultura bujqësore, ndërsa deri në 275% kjo rritje arrin për kulturën e grurit ndërkaq 400% kemi rritje të mbështetjes për bujqësinë organike.“14.5 mil. € ka rënë importi i grurit në vlerë për 11 muaj të këtij viti krahasuar me vitin paraprak si rezultat i përkrahjes qeveritare! Në vitin 2023 importuam 121.5 milion kg grurë me një vlerë prej 30.4 mil. €; Në vitin 2024, ky tregues ra në 78.1 milionë kg grurë, me një vlerë prej 15.9 mil. €; Diferenca në sasi është 43.3 milionë kg më pak krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa vlerë është 14.5 mil. € më pak”, tha Peci.

    Sektori i pylltarisë, sipas ministrit Faton Peci, ka pësuar transformim përmes miratimit të Ligjit të ri për Pyjet dhe hartimit të dokumenteve strategjike si Strategjia për Zhvillimin e Pylltarisë 2022-2030 dhe Planin Kombëtar për Pyllëzimin dhe Ripyllëzimin.