ATV

Category: Lajme

  • Përfaqësuesi i KOSTT-it: Nuk bëhet fjalë për mungesë energjie, vetëm për ngarkesë

    Përfaqësuesi i KOSTT-it: Nuk bëhet fjalë për mungesë energjie, vetëm për ngarkesë

    Përfaqësuesi i KOSTT-it, Evetar Zeqiri, pas takimit me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar para mediave se aktualisht nuk ka mungesë të energjisë elektrike në vend. Sipas tij, rrjeti është duke përballuar një ngarkesë të madhe, e cila ka çuar kapacitetet në limitet maksimale, raporton Ekonomia Online.

    Ai ka theksuar se KESCO, si institucion përgjegjës për furnizimin e energjisë së munguar, është duke importuar energjinë e nevojshme, ndërsa KOSTT-i po shfrytëzon të gjitha kapacitetet balancuese në bashkëpunim me Shqipërinë.

    “Ndërtimi i nënstacionit në Fushë Kosovë tashmë është finalizuar, duke zgjidhur problemet e furnizimit në zonat e Fushë Kosovës dhe Obiliqit. Për nënstacionin në Ferizaj, projekti është në fazën e fundit të punimeve dhe shpresohet të përfundojë deri në fund të këtij viti”.

    “Nuk ka mungesë të energjisë elektrike në kuptimin që prodhimi është maksimum, ne po operojmë me katër blloqe, përveç një blloku që nuk është në funksion. Po ashtu KESCO-ja si përgjegjës për furnizim të mungesës, është duke importuar energjinë e munguar, dhe KOSTT-i është duke i shfrytëzuar të gjitha kapacitetet e tij balancuese me Shqipërinë që i kemi në dispozicion”.

    “Pra nuk bëhet fjalë për mungesë të energjisë, por ngarkesë e cila ka prekur cepin maksimal të rrjetit. Problemi është i përkohshëm dhe pritet që deri javën tjetër, me uljen e ngarkesës, të mos ketë më vështirësi në furnizim. Çdo prishje, sado e vogël, mund të ketë ndikim, por nuk bëhet fjalë për mungesë energjie, por vetëm për ngarkesë”, ka thënë ai.

  • Osmani përshëndetet me Hovenierin: Një diplomat, karriera e të cilit është lidhur ngushtë me Kosovën

    Osmani përshëndetet me Hovenierin: Një diplomat, karriera e të cilit është lidhur ngushtë me Kosovën

    Presidentja Vjosa Osmani, në takimin lamtumirës me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Jeffrey Hovenier, ka vlerësuar kontributin e tij për Kosovën, karriera e të cilit, siç tha ajo, është e lidhur ngushtë me historinë e vendit, raporton EO.

    Presdientja ka theksuar rëndësinë e angazhimit të ambasadorit në fazat më të rëndësishme të vendit, “angazhim i pandalshëm që 25 vjet për lirinë dhe pavarësinë tonë”.

    “Një diplomat, karriera e të cilit është lidhur ngushtë me Republikën e Kosovës në shumë momente historike. Angazhimi i tij për lirinë dhe pavarësinë tonë ka qenë i pandalshëm që 25 vjet, duke vepruar si një diplomat i përkushtuar në mbrojtjen e së vërtetës. Fillimisht, si pjesë e ekipit të presidentit Ahtisaari, ai luajti një rol të rëndësishëm në procesin që çoi në propozimin e pavarësisë për Republikën tonë. Më pas, ai vazhdoi kontributin e tij gjatë gjithë procesit të shtet-ndërtimit deri te misioni i tij si ambasador. Ka qenë kënaqësi e veçantë që kemi bashkëpunuar gjatë këtyre tre viteve dhe kemi punuar në interes të qytetarëve tanë”, ka thënë presidentja.

    Ajo kujtoi se si veprimi i tyre i parë së bashku me ambasadorin ishte vendosja e luleve te shtatorja e Ibrahim Rugovës dhe se sot po e përmbyllin këtë bashkëpunim në të njëjtën mënyrë.

  • Tri kërkesat e Rizvanollit karshi KOSTT-it dhe KEDS-it

    Tri kërkesat e Rizvanollit karshi KOSTT-it dhe KEDS-it

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka treguar tri kërkesat e saj karshi operatorëvë energjetik, gjegjësisht Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) dhe Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), raporton EO.

    Pas takimit të përbashkët, Rizvanolli ka thënë se ka kërkuar që ekipet në terren të sanojnë lokacionet ku ka probleme, puna në ndërtimin e nënstatcioneve të vazhdojë intensivisht, si dhe komunim sa më të mirë me qytetarët.

    “Për gjatë takimit, unë i përcolla të gjitha ankesat e qytetarëve që i kemi pasur për furnizimin me energji elektrike, vecanërisht në zonat më të ndikuara. Nga njëra anë, kërkova nga operatorët që të bëjnë maksimumin që ekipet në terren të sanojnë të gjitha lokacionet ku ka probleme, qoftë për shkak të prishjeve apo ngarkesës”.

    “Nga ana tjetër, është tepër me rëndësi që investimet në nivel të transmisionit që janë duke u bërë e që jane afër, si nënstatcioni i Ferizajit, që është rajoni që ka më së shumti problem, të vazhdojnë punimet me intensitet. Sic u informova, pritet që ky nënstatcion të përfundojë brenda disa ditësh ose javësh”.

    “Kisha edhe një kërkesë tjetër, që të kenë komunikim sa më të shpeshtë dhe të qartë me qytetarët”.

  • ​Hovenier: Duam ta shohim Kosovën të ketë sukses dhe të përparojë

    ​Hovenier: Duam ta shohim Kosovën të ketë sukses dhe të përparojë

    Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier tha se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj partneritetit me Kosovën.

    Pas takimit lamtumirës me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, tha se duan ta shohin Kosovën të përparojë.

    Bashkë me Osmanin, ata kanë bërë homazhe të shtatorja e ish-presidentit historik, Ibrahim Rugova.

    “Dua të falënderoj popullin e Kosovës. Ka qenë detyra e ëndrrave të mia të shërbej si Ambasador i SHBA-së këtu për këto tre vite dhe të kem këtë mundësi të punoj së bashku me popullin e Kosovës për të ndihmuar avancimin e vendit. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj partneritetit tonë. Duam ta shohim Kosovën të ketë sukses dhe të përparojë. Kur mendoj se si ishte ky vend kur fillova të punoja për të në fund të viteve ’90, kur mendoj se si ishte në kohën e pavarësisë dhe kur mendoj se si është tani, nuk ka asnjë dyshim për përparimin dhe për kapacitetin e njerëzve të Kosovës, për qëndrueshmërinë e tyre për të realizuar vizionin e tyre për një shtet sovran, të pavarur, demokratik, shumetnik, të begatë dhe të suksesshëm. Ka qenë kënaqësia dhe nderi im të luaj një rol të vogël në mbështetjen e këtij procesi. Së bashku me popullin amerikan, ju uroj të gjithëve çdo sukses. Do të largohem si një mik edhe më i fortë i Kosovës sesa isha kur mbërrita”, tha Hovenier.

    Hovenier pas homazheve pranë shtatores së presidentit Ibrahim Rugova, vlerësoi këmbënguljen e tij për një shtet sovran, demokratik dhe shumë etnik.

    “E bëj këtë në kujtim të Presidentit Rugova dhe asaj për çka ai qëndronte, këmbënguljes së tij për të drejtat e të gjithë njerëzve të Kosovës, këmbënguljes së tij për një shtet sovran, demokratik, shumetnik dhe të begatë, këmbënguljes së tij për të ndjekur këto qëllime në përputhje me vlerat më të larta të komunitetit ndërkombëtar”, u shpreh Hovenier.

    Ndërkaq, presidentja Vjosa Osmani tha se angazhimi i Hovenierit për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ka qenë i pandalshëm.

    Osmani theksoi se miqësia me SHBA-të bënë që shteti i Kosovës të ecën përpara në mbrojtjen e plotë të integritetit territorial.

    “Një diplomat karriera e të cilit është lidhur në jo vetëm një rast me Republikën e Kosovës. Angazhimi i tij për lirinë dhe pavarësinë tonë ka qenë i pa ndalshëm qysh para 25 vitesh si një diplomat që merrej me Kosovën dhe kontribuonte për lirinë tonë, për të vërtetën, në veçanti për mbrojtjen e së vërtetë. Pastaj si një diplomat i angazhuar në ekipen e presidentit Ahtisari kur edhe u propozua pavarësia për Republikën tonë dhe në gjithë procesin e shtetndërtimit deri tek misioni i tij këtu në Kosovë si ambasador. Ka qenë kënaqësi e veçantë që të bashkëpunojmë në këto tri vite. Që të punojmë shumë afër në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të SHBA-ve dhe mbi të gjitha në mbrojtjen e themeleve të kësaj aleance ekzistenciale për popullin tonë…Po e përfundojmë sot këtë takim lamtumirës me po të njëjtin veprim duke nderuar presidentin Rugova, atin themeltar të Republikës tonë. Dëshmoj se kur ke miq të fuqishëm pranë, kur ke miqësi që janë të bazuara në vlera, atëherë edhe populli i Kosovës edhe shteti i Kosovës, shteti sovran në mbrojtje të plotë të integritetit territorial ecën përpara”, tha Osmani. /kp

  • ​Qeveria merr vendim për ndarjen nga 100 euro për fëmijët dhe pensionmarrësit

    ​Qeveria merr vendim për ndarjen nga 100 euro për fëmijët dhe pensionmarrësit

    Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të premten ka miratuar Propozim-vendimin për ndarjen e shtesave të njëhershme në vlerë prej 100 euro për fëmijët 0-16 vjeç dhe pension marrësit.

    Ministri i Financave Hekuran Murati, ka thënë se mjetet tash janë ndarë dhe se bëhet fjalë për rreth 700 mijë përfitues që do të përfitojnë nga këto shtesa.

    “Më duhet të jap edhe një sqarim sepse ka pasur keqkuptime apo hamendje nëse janë të përfshirë edhe skemat e tjera përveç skemës së pensionit të moshës. Pra, të gjitha skemat janë të përfshira, edhe kategoritë e luftës edhe kategoritë e aftësive të kufizuara. I vetmi kusht është që nuk mund të përfitoj dikush nëse është përfitues i më shumë se njërës skemë, nuk mund të përfitoj dy herë, kriteri tjetër është se të ardhurat nga skemat shtetërore, të ardhurat e konsoliduara duhet të jenë nën 700 euro në muaj. Mjete tash janë ndarë, bëhet fjalë për rreth 700 mijë përfitues që do të përfitojnë nga këto shtesa”, tha ai.

  • ​Bastiset edhe Drejtoria paralele e Urbanizmit në veri të Mitrovicës

    ​Bastiset edhe Drejtoria paralele e Urbanizmit në veri të Mitrovicës

    Policia e Kosovës është duke bastisur objektin ku janë zhvilluar aktivitete të të ashtuquajturës Drejtori e Urbanizmit të Komunës paralele në veri të Mitrovicës.

    Lajmin e ka konfirmuar për KosovaPress, zëvendës drejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

    “Po, policia është duke bastisur këtë objekt. Është konfiskuar dokumentacioni dhe disa prej të punësuarve aty po intervistohen”, ka thënë mes tjerash Elshani./KP

  • Edmond Lajqi dënohet me burgim të përjetshëm për vrasjen e Gjyljeta Ukellës

    Edmond Lajqi dënohet me burgim të përjetshëm për vrasjen e Gjyljeta Ukellës

    Edmond Lajqi është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij, Gjyljeta Ukella.

    Sipas aktgjykimit, i akuzuari Lajqi dënohet me burgim të përjetshëm për kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë” , kurse për armëmbajtje pa leje gjyqtari Povataj tha se nuk ka dënim, ndërsa i është konfiskuar arma me të cilën e ka kryer krimin.

    Ai e ka pranuar fajësinë të martën, në seancën fillestare për rastin të mbajtur në Gjykatën Themelore në Pejë.

    Familjarët e Ukellës e kanë mirëpritur vendimin e gjykatës.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 19 nëntor nga Prokuroria Themelore në Pejë, Lajqi akuzohet se më 16 prill, rreth orës 8 të mëngjesit, me dashje dhe me pistoletë e ka vrarë bashkëshorten e tij në banesën e tyre në rrugën “Bill Klinton” në Pejë.

  • I prekuri nga Lia e Majmunëve në Kosovë sapo ishte kthyer nga Afrika

    I prekuri nga Lia e Majmunëve në Kosovë sapo ishte kthyer nga Afrika

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë të Publike të Kosovës ka bërë të ditur se gjatë ditës së djeshme në Laboratorin e Mikrobiologjisë përmes metodës RT-PCR është konfirmuar një rast i importuar të Mpox, i njohur më parë si Lia e Majmunëve.

    “Rasti i gjinisë mashkullore (30 vjeç), shtetas i Republikës së Kosovës, është spitalizuar në Klinikën Infektive/QKUK me datë 24.12.2024, pas kthimit nga një shtet i Afrikës Perëndimore, me simptoma si temperaturë, ethe, ndryshimet në lëkurë, në fytyrë, në duar dhe kruarje”, thuhet në njoftimin e IKShPK-së.

    Sipas IKShPK-së, pacienti është në gjendje stabile shëndetësore.

    “IKSHPK i ka gjurmuar të gjitha kontaktet e deklaruara të personit të infektuar dhe të familjarëve të tij, të cilëve u janë dhënë rekomandimet për masat e parandalimit dhe të kontrollit të infeksionit”.

    “IKSHPK tërheq vëmendjen për kujdes të qytetarëve, sepse personat që preken nga Mpox zakonisht përjetojnë simptoma të lehta apo mesatare që zgjasin dy deri në katër javë, dhe shërohen plotësisht. Edhe pse duhet vigjilencë, nuk ka vend për panik”.

  • ​Reali do ta ndryshojë emrin e stadiumit

    ​Reali do ta ndryshojë emrin e stadiumit

    Gjigantët evropianë, Real Madrid, do të ndryshojnë emrin e stadiumit të tyre ikonik “Santiago Bernabeu”. Madridi është një nga klubet më të mëdha në futbollin botëror, duke fituar 15 trofe të Ligës së Kampionëve dhe 36 tituj të La Ligës, ndër arritjet e tjera.

    Gjatë viteve, disa nga lojtarët më të mirë në mbarë botën kanë përfaqësuar Los Blancos, duke përfshirë Cristiano Ronaldo, Zinedine Zidane, Luis Figo dhe Kaka. Shumica e lojtarëve do të kishin ëndërruar të vishnin fanellën e bardhë të famshme të Madridit dhe të dilnin në terren në stadiumin “Santiago Bernabeu”.

    Megjithatë, tani po pretendohet se emri ikonë është vendosur të ndryshohet.

    Siç raportohet nga gazeta spanjolle “Marca”, terreni i Madridit tani thjesht do të njihet si “The Bernabeu”, duke hequr “Santiago”, përcjellë KosovaPress.

    Është sugjeruar se ndryshimi i emrit është bërë për arsye komerciale. Vitet e fundit, stadiumi i është nënshtruar një rinovimi mahnitës që e ka bërë më tej atë si një nga më të mirët në futbollin botëror.

    Që nga viti 1955, stadiumi i Madridit ka përdorur emrin Santiago Bernabeu. Në raport thuhet gjithashtu se nuk ka pasur asnjë konfirmim apo fjalë zyrtare nga klubi në lidhje me ndryshimin e emrit.

  • Konfirmohet rasti i parë i Lisë së majmunëve në Kosovë

    Konfirmohet rasti i parë i Lisë së majmunëve në Kosovë

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë të Publike të Kosovës ka njoftuar se të enjten në orët e pasdites, Laboratori i Mikrobiologjisë përmes metodës RT-PCR ka konfirmuar një rast të importuar të Mpox, i njohur më parë si Lia e majmunëve.

    Pacienti është një 30-vjeçar dhe i njëjti është shtrirë në Klinikën Infektive pasi është kthyer nga një shtet i Afrikës Perëndimore.

    Gjendja e tij është stabile, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

    “Rasti i gjinisë mashkullore (30 vjeç), shtetas i Republikës së Kosovës, është spitalizuar në Klinikën Infektive/QKUK me datë 24.12.2024, pas kthimit nga një shtet i Afrikës Perëndimore, me simptoma si temperaturë, ethe, ndryshimet në lëkurë, në fytyrë, në duar dhe kruarje.

    Pacienti është në gjendje stabile shëndetësore.

    IKSHPK i ka gjurmuar të gjitha kontaktet e deklaruara të personit të infektuar dhe të familjarëve të tij, të cilëve u janë dhënë rekomandimet për masat e parandalimit dhe të kontrollit të infeksionit.”

    IKSHPK ka kërkuar kujdes nga qytetarët, “sepse personat që preken nga Mpox zakonisht përjetojnë simptoma të lehta apo mesatare që zgjasin dy deri në katër javë, dhe shërohen plotësisht.”

    “Edhe pse duhet vigjilencë, nuk ka vend për panik.”