ATV

Category: Lajme

  • ​Aktakuzë për shitblerje të narkotikëve

    ​Aktakuzë për shitblerje të narkotikëve

    Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve S.F., K.B., dhe E.Sh., të cilët gjenden nën masën e paraburgimit, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

    Sipas aktakuzës, nga data e pavërtetuar e në vazhdimësi deri më datë 28 mars 2024 pas mesnatës, në Prizren, Xërxe dhe Gjakovë, të akuzuarit duke vepruar në grup, pa autorizim kanë blerë, shpërndarë dhe shitur në sasi të mëdha substanca narkotike të llojit “kokainë” të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë të ndaluar.

    “Në atë mënyrë që i akuzuari S.F., blenë substanca narkotike të llojit ‘kokainë’ nga persona të panjohur dhe në pajtim me të akuzuarin E.Sh., i lë në ruajtje në shtëpinë e E.Sh., në Gjakovë. Më pas i akuzuari S.F., me qëllim të barazimit të borxhit, me kërkesë të akuzuarit K.B., ofron ‘kokainë’ për shitje në sasi prej 50.35 gram, ku i akuzuari K.B., me datë 02.10.2023 pas mesnate pas pranimit të kokainës në fshatin Xërxe, me automjetin e tij, kthehet në lokalin i tij ‘S…’ rreth orës 01:14 min., dhe sasinë e pranuar të kokainës nga i akuzuari S.F., ia shet personit tjetër në shumë prej 2000€ (dy mijë euro) , i cili ia ka bërë pagesën K.B., 1900 € (një mijë e nëntëqind euro) derisa pagesa prej 100€ (njëqind euro) është dashtë të bëhet në takimin e radhës për porosinë për 1 kg ‘kokainë’”.

    Lidhur me këtë rast, me datë 28 mars 2024, është kryer bastisje në shtëpinë e të akuzuarit E.Sh., në Gjakovë, me ç’rast janë gjetur dhe konfiskuar:

    Dy qese plastike me substancë të llojit kokainë me peshë 147.78 gram, dy qese plastike me substancë të llojit kokainë me peshë 52.01 gram, një qese plastike me substancë të llojit kokainë me peshë 5.71 gram, një qese plastike me substancë të llojit kokainë me peshë 2.82, një qese plastike me substancë të dyshuar narkotike të llojit “mariuhanë” në peshë prej 0.95 gram, një peshore digjitale ngjyrë e bardhë, një peshore digjitale ngjyrë e zezë, tri foli plastike, një rrollne alumini, dy shirita ngjitës.

    Në komunikatë thuhet se për pasuritë që nuk iu dihet prejardhja do të ndiqen rrugët ligjore të përcaktuara në LKZK.

    “Paralel me hetimet penale prokurori i shtetit ka zhvilluar edhe hetime financiare sipas Ligjit për Kompetencat e Zgjeruara të Konfiskimit të Pasurisë, ashtu që për pasuritë të cilave nuk u dihet prejardhja, që janë një shtëpi me sipërfaqe 250m2 dhe trualli në sipërfaqe 421m2 e cila gjendet në Prizren, dhe një automjet i markës ‘Mercedes’, pronë e të pandehurit K.B., në mungesë të procedurave të detajuara dhe të pamjaftueshme në Kodin e Procedurës Penale, për këto pasuri do të ndiqen rrugët ligjore të përcaktuara në LKZK”, thuhet tutje.

    Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit.

  • Hovenier: Duam ta shohim Kosovën të ketë sukses dhe të përparojë, jemi të përkushtuar për partneritet

    Hovenier: Duam ta shohim Kosovën të ketë sukses dhe të përparojë, jemi të përkushtuar për partneritet

    Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka përfunduar sot zyrtarisht mandatin e tij trevjeçar, duke mbajtur takimin e fundit lamtumirës me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.

    Gjatë deklarimit të tij për media, Hovenier theksoi se misionin e tij e ka përmbyllur me të njëjtin akt që e nisi, duke vendosur një kurorë lulesh te statuja e ish-presidentit Ibrahim Rugova, duke nderuar figurën dhe vlerat për të cilat ai qëndronte.

    Ai po ashtu përsëriti përkushtimin e Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës dhe shprehu bindjen e tij për potencialin dhe të ardhmen e ndritur të vendit.

    “Dua të falënderoj popullin e Kosovës. Ka qenë detyra e ëndrrave të mia të shërbej si Ambasador i SHBA këtu për këto tre vite dhe të kem këtë mundësi të punoj së bashku me popullin e Kosovës për të ndihmuar avancimin e vendit. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj partneritetit tonë.

    Duam ta shohim Kosovën të ketë sukses dhe të përparojë. Kur mendoj se si ishte ky vend kur fillova të punoja për të në fund të viteve ’90, kur mendoj se si ishte në kohën e pavarësisë dhe kur mendoj se si është tani, nuk ka asnjë dyshim për përparimin dhe për kapacitetin e njerëzve të Kosovës, për qëndrueshmërinë e tyre për të realizuar vizionin e tyre për një shtet sovran, të pavarur, demokratik, shumetnik, të begatë dhe të suksesshëm.

    Ka qenë kënaqësia dhe nderi im të luaj një rol të vogël në mbështetjen e këtij procesi. Së bashku me popullin amerikan, ju uroj të gjithëve çdo sukses. Do të largohem si një mik edhe më i fortë i Kosovës sesa isha kur mbërrita”, ka potencuar Hovenier para mediave.

  • Murati tregon sa persona kanë hequr dorë nga shtesat prej 100 euro

    Murati tregon sa persona kanë hequr dorë nga shtesat prej 100 euro

    Ministri i Financave, Punëve dhe Transfereve, Hekuran Murati deklaroi se sot gjatë ditës do të bëhet ekzekutimi i shtesave prej 100 eurosh për fëmijët nga mosha 0 deri në 16 vjeç dhe të gjitha kategoritë e pensionistëve.

    Murati njoftoi po ashtu se gjatë ditës së premte do të ekzekutohen edhe pagat për punëtorët e sektorit publik.

    “Jemi duke bërë përgatitjet, listat janë përgatitur në mënyrë që të provojmë gjatë ditës sot të bëhet edhe ekzekutimi i këtyre shtesave. Pra, përveç se pagat të cilat gjithashtu sot priten të ekzekutohen për sektorin publik. Pritet që gjatë ditës të bëhet edhe ekzekutimi për fëmijët dhe pensionistë, pra shtesat e njëhershme”, thotë ai.

    Ministri i Financave, Punëve dhe Transfereve, Hekuran Murati njoftoi po ashtu se rreth 60 persona kanë hequr dorë nga shtesat e njëhershme në shumën prej 100 eurosh.

    “Ka qenë si rrjedhojë dhe nevojë e kërkesave apo edhe ankesave që kemi pas që disa kanë thënë pse t’i marr unë nëse nuk kanë nevojë. Gjithsesi listat janë automatike të gjithë ata që kanë përfituar nga shtesat e fëmijëve apo që përfitojnë nga shtesat pensionale pa pasur nevojë të aplikojnë në mënyrë automatike gjenerohen listat…..Përgjatë kohës sa ka qenë formulari i hapur me sa kam informacion kanë qenë gjithsej 60 aplikime të pranuara, por jo të gjitha janë përfitues ka edhe të tilla që nuk gjenden fare në listat e aplikimeve”, u shpreh Murati.

    Gjatë kësaj konference për medie, ministri Murati, tha se pas shumë raste që kanë rezultuar që nuk janë banorë rezident në Kosovë, por i kanë marr shtesat.

    Sipas tij llogaritë e këtyre rasteve janë suspenduar.

    “Nuk di që janë më tepër sesa që janë të regjistruar, gjithsesi ne çfarë kemi bërë kemi marrë disa hapa sa i përket verifikimit për verifikime shtesë për ato raste të cilat kemi pasur indikacione që mund të mos jeni duke jetuar si rezident në Kosovës dhe ka një numër sosh që iu shkua njoftua, disa mund të kenë qenë gabim që mund të jetojnë në Kosovë por indikaiconet kanë qenë të tilla… Ka edhe shumë raste të tjera që kanë rezultuar që kanë qenë duke jetuar dhe normalisht që ato llogari janë suspenduar”, thotë ai.

    Ministri i Financave, Hekuran Murati beson se shpejti do të ketë vendimmarrje edhe për emërimin e drejtorit të ri të Administratës Tatimore të Kosovës. /KP

  • ​Kurti numëron 10 sukseset e qeverisë gjatë 2024

    ​Kurti numëron 10 sukseset e qeverisë gjatë 2024

    Në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovë për vitin 2024, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka listuar 10 arritjet kryesore të ekzekutivit për këtë vit.

    Liberalizimi i vizave për Kosovën, njohja e pasaportës së Kosovës prej dy shteteve mosnjohëse si Spanja dhe Armenia, u konsideruan si sukseset e para të Qeverisë së Kosovës për vitin 2024.

    Kryeministri Albin Kurti tha se edhe regjistrimi dhe inkasimi i energjisë elektrike në katër komunat veriore të vendit ndodhi këtë vit për herë të parë që nga paslufta.

    “Së pari liberalizimi i vizave nga BE, Tajlanda, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Tajvani si dhe njohja e pasaportës nga dy shtete mos njohëse Spanja dhe Armenia. Viti 2024 ka qenë viti i pasaportës sonë. Ajo sot renditet më lartë se kurdoherë në indekset ndërkombëtare të pasaportave sivjet është në mesin e top 10 pasaportave të botës që kanë shënuar përmirësimin më të madh në dekadën e fundit. Dy këtë vit filloi regjistrimi dhe inkasimi i energjisë elektrike në 4 komunat tona në veri për herë të parë pas më shumë se 2 dekadave. Gjatë këtij viti gjithashtu ka përfunduar me sukses procesi i konvertimit të patentë shoferëve ilegal në ata të Kosovës, janë regjistruar mbi 6 mijë e 300 konvertime shumica prej tyre nga qytetarët në katër komuna në veri të vendit, duke dëshmuar vullnetin dhe gatishmërinë për integrim e cila nuk ka munguar asnjëherë nga qytetarët, por është penguar në vazhdimësi nga struktura ilegale dhe Beogradi zyrtar. Shumë prej këtyre strukturave ilegale janë mbyllur sepse janë të jashtëligjshme”, deklaroi kryeministri Kurti.

    Kryeministri Kurti tha se viti 2024 paraqet themelet e forta për siguri energjetike dhe të ndërtimit të kapaciteteve të reja.

    Inaugurimi i bursës ALPEX nga Kurti është konsideruar si një arritje tjetër e madhe për pavarësinë energjetike që ndodhi në Kosovë përgjatë këtij viti.

    “E kemi përmbyll me sukses ankandin e parë diellor në histori të Republikës me kapacitete të reja prej 100 MW, të cilin e fitoi konzorciumi nga mërgata jonë në Zvicër ‘Orrlati’ dhe këtë muaj kemi hapur ankandin e dytë për energji të ripërtritshme, të parin me energji të erës me kapacitet gjithashtu 100 MW. Sivjet gjithashtu ka hyrë në fuqi programi Kompakt i Sfidës së Mijëvjeçarit që përfshinë një investim prej 236, 7 milionë dollarësh për energji”, thotë ai.

    Si sukses të punës së tyre për vitin 2024, kryeministri, Albin Kurti e renditi edhe rritjen e pensioneve dhe shtesave të fëmijëve.

    Derisa u shpreh se për herë të parë pas 13 vitesh në vitin 2024 paga minimale është rritur dhe dyfishuar.

    “Pensionet janë rritur për 20%, pensionet e moshës përfituesit e skemave pensionale invalidore dhe të aftësive të kufizuara tashmë veçse i marrin pensionet me rritje, kurse nga muaji i ardhshëm fillon ekzekutimi i pensioneve me rritje të kategorive të dala nga lufta. Përveç rritjes së rregullt të gjithë pensionistët tanë sikurse vitin e kaluar e për të 54 herë me radhë gjatë mandatit tonë këtë muaj do ta marrin shtesën e njëhershme prej 100 euro. I kemi dyfishuar dhe trefishuar shtesat për fëmijë….Pas 13 viteve kemi pagë të re minimale e cila është më shumë se dy fish me lartë“. Fal performancës së mirë ekonomike këtë vit do të kemi përsëri rritje të pagave në sektorin publik, theksoi ai.

    Sukses për vitin 2024 nga shefi i qeverisë kosovare u konsideruar edhe nënshkrimi i kontratës për funksionalizimin e fabrikës së municioneve, e cila ndodhi gjatë këtij muaji.

    “Krahas rritjes së numrit të ushtarëve, fuqizimit të ushtrisë dhe blerjes së armatimeve, bëmë edhe një hap në vendosjen e themeleve të industrisë sonë të mbrojtjes duke nënshkruar kontratë me prodhuesin shtetëror turk MKE për funksionalizimin e fabrikës së municioneve”, tha ai.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e konsideroi sukses për vitin 2024 edhe krijimin e Institutit për dokumentimin e krimeve të luftës, si dhe regjistrimin e popullsisë, proces ky i ndodhur në përgjatë muajve prill-maj të po këtij viti.

    Sipas shefi të ekzekutivit kosovar edhe rinovimet dhe investimet e bëra në shëndetësi, shërbimet shëndetësore përgjatë këtij viti janë rritur por edhe janë bërë më të lira.

    Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar vendimin për ndarjen e shtesave për të gjithë fëmijët 0-16 vjeç dhe kategoritë e pensionistëve. /kp

  • Regjistrimi i popullsisë, në 20 komuna dominojnë meshkujt

    Regjistrimi i popullsisë, në 20 komuna dominojnë meshkujt

    Agjencia e Statistikave te Kosovës ka publikuar të dhënat më të reja, ku pas regjistrimit të fundit të popullesisë, ekonomive familjare dhe banesave, është bërë edhe publikimi i moshave dhe gjinive mesatare nëpër komunat të Kosovës.

    Kryeshefi i ASK-së, Avni Kastrati tregoi se si agjenci janë të parët në Evropë që publikojnë të dhënat në kohë rekorde.

    Janë komunat e Dragashit, Kamenicës, Obiliqit e Shtimes që kanë më shumë meshkuj sesa femra, kurse Gjakova, Peja bashkë me Prishtinën, janë të parat me numër më të madh të gjinisë femërore.

    “Ne i kemi nda në tri komponentë kryesorë, komunat me balancë të mirë gjinore, komunat ku dominojnë meshkujt dhe komunat në të cilat dominojnë femrat. Këtu po i paraqesim disa tabela ku shihet struktura në përqindje, raporti gjinor i meshkujve dhe femrave që është i barabartë ose afër i barabartë. I kemi këtu katër komunat Deçanin, Istogun, Rahovecin dhe Junikun me një përqindje dhe strukturë të përafërt mes meshkujve dhe femrave. Në këtë pjesë përqindja më e lartë e meshkujve, që dominojnë meshkujt nëpër komuna….Është Dragashi, Kamenica, Obiliqi, Shtime, Shtërpcë, Vushtrri, Zubin Potok, Zveçan, Lepo Saviq, Mamushë, Hani i Elezit dhe vazhdon diku rreth 20 komuna janë në të cilat dominojnë meshkujt në raport me femrat…Është përqindja më e lartë e femrave, është Gjakova, Klina, Fushë Kosova, Peja, Prishtina, Suhareka dhe Malisheva”, tha menaxheri i regjistrimit të popullsisë, Ylli Shala.

    Pos gjinisë mesatare nëpër komuna, sot u prezantua edhe mosha mesatare në të gjitha komunat e Kosovës.

    “I kemi renditur sipas komuniteteve, me moshë mesatare që konsiderohet si popullatë kryesisht e re, prin komuniteti ashkali me 26.5, pas tij vjen komuniteti rom me një moshë mesatare prej 27.7, pason me komunitetin egjiptian 29.5 që reflekton si një bazë rinore, pastaj vjen komuniteti shqiptar i cili përbën shumicën e popullatës dhe ka një moshë mesatare prej 34.6 duke treguar një përzierje mes të rinjve dhe të rriturve. Vjen komuniteti turk me një moshë mesatare 36.6 që ndodhet në pozicionin ndërmjet të rinjve dhe të moshuarve, ndërsa komunitetet tjera si ajo boshnjake, serbe dhe gorane, të cilët kanë një moshë mesatare 39.4 dhe 43.3, kjo tregon se këto grupe kanë një popullatë të stabilizuar dhe potencialisht një pjesë më të madhe të individëve të rritur dhe të moshuar, sepse e kalon moshën 40 vjeçare”

    Të gjitha këto të dhëna do publikohen gjatë mesditës së 27 dhjetorit në formë tabelore në faqen zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës./kp

  • Murati: Sot dalin pagat e sektorit publik dhe shtesat prej 100 eurosh

    Murati: Sot dalin pagat e sektorit publik dhe shtesat prej 100 eurosh

    Ministri i Financave, Hekuran Murati pas mbledhjes së qeverisë ka mbajtur një konferencë për media.

    Ai në fjalën e tij para mediave u shpreh se gjatë ditës së sotme pritet të bëhet shpërndarja e pagave për sektorin publik dhe shtesat prej 100 eurosh.

    “Tashmë është bërë e ditur se sot gjatë ditës do të bëhet procesimi i pagave për sektorin publik e po ashtu do të procesohen shtesat në vlerë prej 100 eurosh për të gjithë pensionistët dhe fëmijët deri në moshën 16-vjeçare”, ka thënë Murati.

    Ky vendim erdhi pasi në mbledhjen e fundit për vitin 2024 të qeverisë, është miratuar propozimvendimi për ndarjen e shtesave të njëhershme me vlerë prej 100 eurosh për fëmijët 0-16 vjeç dhe pensionmarrësit.

  • Familja e Gjyljeta Ukellës e kënaqur me vendimin e Gjykatës: Tani shpirti dhe trupi i pushojnë në paqe

    Familja e Gjyljeta Ukellës e kënaqur me vendimin e Gjykatës: Tani shpirti dhe trupi i pushojnë në paqe

    Edmond Lajqi është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij, Gjyljeta Ukella.

    E familjarët e Gjyljeta Ukellës kanë bërë të ditur se janë ndarë të kënaqur me vendimin e Gjykatës, duke theksuar se vetëm kështu shpirti i saj do të pushojë në paqe.

    Në një prononcim për Sinjalin, Shpat Ukella, vëllai i të ndjerës Gjyljeta Ukella, ka thënë se ajo është vrarë në formën më mizore, duke pirë kafenë e mëngjesit.

    “I falënderoj gjykatësit për vendimin e dhënë, si familje jemi shumë të lumtur dhe të kënaqur, e falënderoj prokuroren Valbona Disha Haxhosaj, falënderoj Policinë e Kosovës për punën e bërë deri më tani. Ne Gjyljetën nuk mundemi me e kthy por të paktën i pushon trupi dhe shpirti i saj në mënyrën më të mirë, se është vra në mënyrën më tinzare që mundet me u vra një person, duke e pirë kafenë e mëngjesit”, ka potencuar ai.

  • Problemet me rrymë, Kurti: Si çdo dimër, qytetarët i lusim të racionalizojnë konsumin e energjisë

    Problemet me rrymë, Kurti: Si çdo dimër, qytetarët i lusim të racionalizojnë konsumin e energjisë

    Kryeministri i vendit Albin Kurti, në mbledhjen e fundit të Qeverisë për këtë vit, ka folur edhe për problemin e furnizimit me rrymë në disa rajone të vendit, duke kërkuar nga qytetarët që racionalizojnë konsumin e energjisë elektrike.

    Kurti ka thënë se shqetësimet për gjendjen janë përcjellë tek operatorët KOSTT dhe KEDS dhe është kërkuar përkushtim për të sanuar prishjet.

    “Gjatë ditëve të fundit kemi pranuar shumë shqetësime në lidhje me furnizimin me enegji elektrike në disa komuna të Kosovës. Këto shqetësime i kemi përcjellë vazhdimisht tek operatorët e rrjetit, KOSTT dhe KEDS, dhe kemi kërkuar nga ta angazhim maksimal në disa drejtime.

    Përkushtim intensiv në terren për zgjidhjen teknike të rrjetit, si të prishjeve edhe të menaxhimit të mbingarkesave, komunikim të qartë dhe të shpeshtë me qytetarët dhe finalizim me urgjencë të punimeve në nënstacionin e ri të Ferizajt që do të zgjidh problemin për këtë qytet dhe do të zgjidh problemin e Ferizaj dhe do te ketë ndikim edhe në komunat përreth.

    Si çdo dimër, qytetarët i lusim që të racionalizojnë konsumin e energjisë elektrike, veçanërisht gjatë orëve gjatë orëve 18:00 deri në mesnatë, në të mirë të sigurisë të furnizimit për vete dhe të vendit tonë”, ka thënë Kurti, raporton Sinjali.

  • IKD: Probleme të theksuara në përzgjedhjen e kryeprokurorit të Apelit

    IKD: Probleme të theksuara në përzgjedhjen e kryeprokurorit të Apelit

    Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) me përkrahje të Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) – Departamentit të Shtetit Amerikan, si dhe National Endowment for Democracy (NED) ka publikuar raportin “Përzgjedhja e Kryeprokurorëve-Raport i monitorimit të procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorëve të Prokurorisë se Apelit dhe Kryeprokurorit të pesë (5) Prokurorive Themelore”.

    IKD njofton se ka monitoruar procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorëve të Prokurorisë së Apelit dhe pesë Prokurorive Themelore (Prizren, Pejë, Gjilan, Mitrovicë dhe Ferizaj). Bazuar në gjetjet e monitorimit të IKD, ky proces vlerësohet si proces kryesisht i drejtë dhe meritor, me përjashtim të procesit të Prokurorisë së Apelit ku u evidentuan një numër më i madh i problemeve.

    Raporti thekson se sa i përket proceseve të përzgjedhjes së kryeprokurorëve të Prokurorive Themelore, ky institut gjeti se procesi ishte përgjithësisht i drejtë, meritor dhe transparent. Panelet vlerësuese aplikuan një qasje të barabartë ndaj kandidatëve dhe dallimet në poentime ishin brenda kufijve të vlerësimit të lirë.

    Në lidhje me këto, gjetjet e raportit të IKD-së, vlerësojnë si problematike arsyetimin duke u referuar në performancën e kandidatëve. “Në disa raste, poentimi dhe arsyetimet e dhëna nga anëtarët e paneleve vlerësuese përfshinin vlerësimet e performancës së kaluar të kandidatëve, edhe pse këto janë kritere formale për t’u pranuar në garë dhe jo për të ndikuar në vlerësimin e kritereve për përzgjedhje të Kryeprokurorëve”, thekson raporti.

    Sipas gjetjeve të IKD-së, përdorimi i këtij kriteri paraqet vlerësim të dyfishtë derisa mos aplikimi i këtij arsyetimi tek të gjithë kandidatët paraqet një lloj pabarazie. Për këtë arsye, IKD në raport vlerëson se aplikimi i këtij kriteri duhet të shmanget në të ardhmen.

    “Sa i përket procesit për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Prokurorisë së Apelit, IKD ka evidentuar disa probleme. Fillimisht, IKD ka evidentuar diskrepancë të theksuar në vlerësimin e kandidatëve nga anëtarët e panelit vlerësues, ku për të njëjtin kandidat, pikët për të njëjtat kritere ndryshonin ndjeshëm. “Kjo krijoi perceptimin e preferencave personale të anëtarëve të panelit në raport me kandidatët për kryeprokurorë të Prokurorisë së Apelit. Tutje, sa i përket këtij procesi, IKD evidentoi se në një rast, njërit prej kandidatëve nuk iu parashtrua një pyetje e cila i ishte parashtruar të gjithë kandidatëve të tjerë. Derisa në një rast tjetër, në bazë të monitorimit, IKD vlerëson se një pyetje nuk ishte mjaftueshëm e qartë”, thuhet në raport.

    Sipas raportit, procesi ishte përgjithësisht transparent, me përfshirjen e monitoruesve të shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë. Megjithatë, panelet vlerësuese nuk siguruan qasje të plotë në arsyetimin e poentimit të dhënë, duke ofruar këto dokumente vetëm në shikim.

    “Raportin gjen se sa i përket barazisë gjinore, pjesëmarrja e grave ishte shumë e ulët, ku nga 15 kandidatë, 5 prej tyre ishin gra dhe 10 ishin burra. Nga gjithsej gjashtë (6) prokurori, vetëm në dy (2) prej tyre pati kandidate gra derisa në katër (4) prokurori të tjera gara zhvillohej në mes të burrave. IKD në raport rekomandon që në të ardhmen, KPK duhet ta adresojë këtë situatë në kuptim të nenit 4 të Ligjit për Barazi Gjinore”, njofton ky institut.

    Përfundimisht, raporti nga monitorimi i IKD-së gjen se procesi ka qenë kryesisht meritor dhe transparent për shumicën e pozitave, me disa probleme më të theksuara në procesin për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Prokurorisë së Apelit.

  • 40 aksidente e mbi 1000 gjoba për një javë në Gjilan

    40 aksidente e mbi 1000 gjoba për një javë në Gjilan

    Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan, Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor dhe Stacionet Policore gjatë periudhës kohore 20.12.2024 – 26.12.2024 në vazhdën e implementimit të planeve operative kanë shqiptuar njëmijë e shtatëdhjetë e shtatë (1077) gjoba.

    Përgjatë një jave në Gjilan, policia ka shqiptuar 1 mijë e 77 gjoba trafiku.

    Sipas të dhënave të policisë, në këtë vazhdë kohore u regjistruan 40 aksidente, ku 23 prej tyre ishin me dëme materiale e 17 me të lënduar.

    Janë shqiptuar edhe masa e ndalimit për mjete motorike për 15 ngasës.

    Me qëllim parandalimin e aksidenteve në trafik, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan apelon tek të gjithë ngasësit që të respektojnë dispozitat ligjore në trafik, bëni kujdes për të siguruar sigurinë tuaj dhe të tjerëve në rrugë:

    -Vendosja e rripit të sigurisë është një nga mënyrat më efektive për të mbrojtur veten në rrugë!

    -Vendosja e rripit të sigurisë zvogëlon rrezikun e lëndimit dhe vdekjes në rast aksidenti!

    Në rast përplasjeje, rripi i sigurisë ju pengon të hidheni nga automjeti, gjë që ulë rrezikun e lëndimeve të rënda ose vdekjes!

    -Ç’do herë sigurohuni që fëmijët të jenë sigurt të akomoduar në automjetin tuja!

    -Mos përdorimi i rripit të sigurisë sanksionohet me ligj!