ATV

Category: Lajme

  • Aksidenti në lumin Vardar: Vazhdon kërkimi për gjetjen e shoferit që po drejtonte veturën

    Aksidenti në lumin Vardar: Vazhdon kërkimi për gjetjen e shoferit që po drejtonte veturën

    Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë ka njoftuar se po vazhdojnë kërkimet për gjetjen e shoferit që po drejtonte veturën “Audi”, e cila dje ka rënë në ujërat e Vardarit pasi ka dalë nga rruga lokale për në fshatin Rashcë. Deri më tani, janë gjetur të vdekura tri gra që ishin në veturë, ndërsa një fëmijë rreth moshës 5-vjeçare ka shpëtuar i gjallë.

    Aksidenti i komunikacionit është raportuar se ka ndodhur dje rreth orës 16:00.

    Nga MPB theksojnë se në vendngjarje janë dërguar menjëherë zyrtarë policorë dhe shërbimi emergjent mjekësor si dhe prokurori publik.

    “Në orën 18:00 nga spitalin “Shën Naum i Ohrit” na njoftuan se nga kalimtarë i kanë sjellë një fëmijë katër vjeçar, i cili më pas është transferuar në Qendrën Klinike. Në orën 21:05, zyrtarët policorë të njësitit “Tigrat” kanë nxjerrë automjetin tip “Audi” nga ujërat e lumit Vardar, në të cilin janë gjetur tre persona të vdekur”, njoftojnë nga MPB.

    Siç informuan nga Qendra për Menaxhimin e Krizave, trupat e tre grave janë nxjerrë nga automjeti i cili është nxjerrë nga lumi Vardar.

  • Izraeli raporton për sulme me dronë dhe raketa nga Jemeni

    Izraeli raporton për sulme me dronë dhe raketa nga Jemeni

    Ushtria izraelite tha se ka rrëzuar një raketë dhe një dron të lëshuar nga Jemeni më 3 janar. Ky ishte sulmi i fundit në serinë e sulmeve nga Jemeni që kanë pasur për shënjestër Izraelin në javët e fundit.

    “Një raketë u lëshua nga Jemeni dhe kaloi në territorin izraelit. Raketa u rrëzua”, tha ushtria përmes një deklarate të publikuar në kanalin e saj në Telegram.

    “Kemi pranuar një raportim sa i përket rënies së copëzave të raketës së rrëzuar në zonën Modi në Izraelin qendror dhe jemi duke verifikuar detajet e këtij raportimi”, shtoi ushtria.

    Autoriteti i shërbimit të emergjencave në Izraeli tha se disa persona janë trajtuar për shkak të plagëve të marra apo për shkak se kanë përjetuar sulme paniku teksa kanë qenë duke shkuar nëpër strehimore pas aktivizimit të sirenave për sulme.

    Disa orë më pas, ushtria izraelite tha se ka rrëzuar një dron të lëshuar nga Jemeni.

    Sipas ushtrisë, droni u rrëzua para se të hynte në territorin izraelit.

    Të martën, Izraeli tha se kishte rrëzuar një raketë të lëshuar nga Jemeni.

    Shumica e Jemenit kontrollohet nga rebelët Huthi, të cilët mbështeten nga Irani. Rebelët vazhdimisht kanë gjuajtur raketa dhe dronë drejt Izraelit – por edhe ndaj anijeve në Detin e Kuq dhe në Gjirin e Adenit – në atë që ata e quajnë solidaritet me palestinezët në Gazë, në luftën mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, raporton REL.

    Rebelët Huthi po ashtu kanë intensifikuar sulmet e tyre që nga nëntori i vitit të kaluar, kur u arrit një armëpushim mes Izraelit dhe Hezbollahut – grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja – në Liban.

    Izraeli po ashtu ka sulmuar Jemenin në fund të dhjetorit, duke shënjestruar aeroportin ndërkombëtar në Sana.

  • Masakra e Cetinjes: Mësohet identiteti i të vrarëve, viktima më e re ishte një 10-vjeçar

    Masakra e Cetinjes: Mësohet identiteti i të vrarëve, viktima më e re ishte një 10-vjeçar

    Tashmë është mësuar identiteti i të vrarëve në masakrën e përgjakshme të Aco Martinoviqit në Cetinë. Viktima më e re ishte një fëmijë 10 vjeçar, ndërsa më e vjetra 70.

    Certifikatat e vdekjes së të vrarëve u postuan në Cetinje dhe Cafe del Montenegro (CdM) publikoi emrat e tyre.

    Martinoviq vrau dje dy djem, Jovan (10) dhe Vukan (14) Vuletić, dajën e tyre Mirko Vuletić (45), Dragana Drašković (53), Branislav Mudresha (60), Radivoj Marković (70), Još Otasheviq (55).

    Ai vrau gjithashtu motrën e tij Zorica Vuletiq, si dhe Radovan dhe Radmila Martinoviq dhe djemtë e tyre, binjakët Millosh dhe Marko Martinoviq.

    Dje MPB-ja e Malit të Zi ka konfirmuar se vrasjet janë kryer në katër lokacione. Në total deri më tani janë regjistruar 12 të vdekur.

    Mali i Zi ka shpallur tri ditë zie.

  • Sot i jepet lamtumira e fundit ish-ambasadorit Anton Berisha

    Sot i jepet lamtumira e fundit ish-ambasadorit Anton Berisha

    Sot i jepet lamtumira e fundit ish-ambasadorit kosovar dhe ish-zëvendësministrit të Jashtëm, Anton Berisha, i cili u nda nga jeta të enjten, raporton Gazeta Sinjali.

    Në njoftimin e lëshuar thuhet se ai do të varroset në varrezat katolike në Pejë, nga ora 13:00.

    “Homazhet do të mbahen nesër (3 Janar) nga ora 09:00 deri në orën 12:00, në Kishën Katolike “Shën Katarina” në Pejë.

    Varrimi i tij do të bëhet më datë 3 janar, në orën 13:00, në varrezat katolike në Pejë. Ndërsa e pamja do të mbahet më 4 janar në restorantin “Koha 3”, në qendër të qytetit, nga ora 09:00 deri në orën 14:00”.

  • Ngjarja e rëndë në Tetovë: Babai e pranon se e ka vrarë djalin e tij, thotë se e maltretonte

    Ngjarja e rëndë në Tetovë: Babai e pranon se e ka vrarë djalin e tij, thotë se e maltretonte

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Tetovë, ku babai ka vrarë djalin e tij duke e qëlluar me armë zjarri.

    Autori i ngjarjes, ndryshe babai i viktimës i cili ndodhet në spital, ka pranuar se e ka kryer vrasjen, raporton Alsat.mk.

    Ai ka thënë se shkak i vrasjes ishte maltretimi që sipas tij viktima kishte ushtruar, duke shtuar se i biri ka qenë konsumues i lëndëve narkotike.

    Nga SPB Tetovë rasti konsiderohet i mbyllur dhe autori do të dërgohet në paraburgim pas trajtimit në spital.

  • Aksidenti tragjik afër Shkupit: Tri gra të një familje u shuan, një burrë në kërkim – fëmija shpëtoi mrekullisht

    Aksidenti tragjik afër Shkupit: Tri gra të një familje u shuan, një burrë në kërkim – fëmija shpëtoi mrekullisht

    Tre persona janë nxjerrë pa shenja jete nga lumi Vardar afër Shkupit, pasi vetura e tyre doli nga rruga Rashçe-Saraj të enjten mbrëma. Ky aksident tronditi vendin atje, ndërsa raportohet se në veturë ka qenë edhe një person tjetër.

    Siç shkruajnë mediat në Maqedoni të Veriut, në veturë ka qenë një familje me pesë persona, tre prej të cilëve ishin gra dhe u gjetën të vdekura.

    Në veturë mësohet se ka qenë edhe një fëmijë, që gjatë rrokullisjes ka dalë nga vetura dhe është gjetur më pas nga disa kalimtarë që e kanë dërguar në spital.

    Siç u raportua, kërkimet për personin e katërt u ndalën mbrëmë për shkak të kushteve atmosferike dhe vështirësisë për të parë qartë, për të vazhduar me aksionin sot.

    Deri më tash nuk është bërë publik identiteti i viktimave që humbën jetën tragjikisht.

  • Rreth 50 fluturime të anuluara për shkak të mjegullës për dy ditë në Aeroportin e Prishtinës

    Rreth 50 fluturime të anuluara për shkak të mjegullës për dy ditë në Aeroportin e Prishtinës

    Për shkak të mjegullës së dendur, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” janë anuluar rreth 50 fluturime në dy ditët e fundit, kurse në disa raste të tjera ka pasur vonesa.

    Për pasojë numri i qytetarëve që detyrohen të presin gjatë nuk është i vogël.

    Nga Aeroporti kanë thënë se këto dy ditë janë anuluar dhjetëra fluturime.

    “38 fluturime janë anuluar ditën e djeshme. Nga to disa janë divertuar në aeroportet fqinje. Sot janë anuluar 4 fluturime deri më tani. Dukshmëria ka qenë nën 50 metra, prandaj është pamundësuar realizimi i fluturimeve”.

    Para dy javësh, Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu tregoi se Qeveria ka investuar në një sistem të avancuar, ku me këtë rast tha se anulimi i fluturimeve për shkak të mjegullës “mbetet histori”.

    Ndërsa këtë të enjte pas anulimit të dhjetëra fluturimeve, Aliu ka thënë se fluturimet me pilotë të certifikuar për përdorimin e këtij sistemi kanë ateruar me sukses, ndërsa ato fluturime pa certifikimin e nevojshëm janë anuluar ose devijuar.

  • Roth për protestat në Serbi: Të qëndrojmë për liri dhe demokraci

    Roth për protestat në Serbi: Të qëndrojmë për liri dhe demokraci

    Deputeti i Bundestagut gjerman, Michael Roth, ka shkruar rreth protestave në Serbi.

    “Të gjithë sytë nga Serbia!. Studentë të guximshëm dhe demokratë të përkushtuar po sfidojnë Presidentin Vuçiç. Në vendet që dëshirojnë të anëtarësohen në BE, nuk duhet të mbështesim regjime autoritare, por të qëndrojmë fort me shoqërinë civile që demonstron për liri dhe demokraci”, ka shkruar ai në ‘X’.

    Protesta e madhe e studentëve në Beograd ka treguar rritjen e pakënaqësisë tek qytetarët. Siç thonë studentet, protestat hapën pikëpyetje të shumta politike për përgjegjësinë e institucioneve përkatëse, veçanërisht të qeverisë aktuale.

  • Haradinaj për vdekjen e ambasadorit Berisha: Jam i prekur thellë, ai dha kontribut të çmuar në shtetndërtim dhe afirmim të Kosovës

    Haradinaj për vdekjen e ambasadorit Berisha: Jam i prekur thellë, ai dha kontribut të çmuar në shtetndërtim dhe afirmim të Kosovës

    Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se është i prekur thellë nga vdekja e ambasadorit dhe ish-zv.ministrit, Anton Berisha.

    Haradinaj në një postim në ‘facebook’, ka shkruar se Berisha ka dhënë kontribut të çmuar në proceset shtetndërtuese dhe në afirmimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

    “Thellësisht i prekur nga vdekja e papritur e ambasadorit dhe ish-zv. ministrit të Punëve të Jashtme, kolegut shumëvjeçar, Anton Berisha. Antoni dha kontribut të çmuar në proceset shtetndërtuese, veçanërisht në afirmimin e shtetit tonë në arenën ndërkombëtare. Ndaj dhimbjen me familjen Berisha, kolegët dhe miqtë!Antoni, u prehtë në paqe!”, ka shkruar Haradinaj.

  • 2024: Edhe një vit i përgjakshëm me vrasje të grave

    2024: Edhe një vit i përgjakshëm me vrasje të grave

    Tri vrasje. Dhjetëra raste të dhunës brenda secilit raport 24-orësh të Policisë së Kosovës. Sulme seksuale e dhunime. Edhe viti 2024 ka qenë i mbushur me lajme të kronikës së zezë, ku sërish,gratë kanë qenë viktima.

    Siguria e grave ka qenë, është dhe do të mbetet gjithmonë një çështje e pazgjidhur, pasi që secili vit që kalon, është më i trishtë se aj që ka qenë.

    Brenda pesë ditëve, në muajin prill të këtij viti që po lejmë pas, u vranë dy gra.

    Në Ferizaj u vra 21-vjeçarja, Erona Cokli nga i dyshuari ish-bashkëshorti i saj, Valon Aliu më 12 prill 2024, disa ditë më pas u vra edhe Gjyljeta Ukella nga i dyshuari bashkëshorti i saj, në banesën e tyre në Pejë, mëngjesin e datës 16 prill 2024, ku data 17 prill pas këtyre dy rasteve ishte shpallur ditë zie, nga Presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

    Për këto dy raste, veprimet e prokurorisë ishin të shpejta, ku edhe u ngritën aktakuzat ndaj dy të dyshuarve.

    21-vjeçarja, Erona Cakolli u vra në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj, sipas aktakuzës, vrasja e saj u bë nga bashkëshorti i saj me dashje.

    Sipas prokurorisë, i akuzuari pas një fjalosje të shkurtër, kishte nxjerr nga brezi armën dhe kishte shtënë në drejtim të viktimës duke e goditur në kraharor, pastaj derisa e ndjera Erona Cokli., fillon të largohet, e godet edhe njëherë në gjoks dhe në fund në anën e majtë të kokës, ku për pasojë e ndjera nga plagët e marra ndërron jetë në vendin e ngjarjes.

    Në këtë rast i akuzuari kishte qëlluar me armë edhe vëllain e të ndjerës, që po e shoqëronte.

    Disa ditë më pas, vendi u trondit edhe nga vrasja e Gjyljeta Ukellajt në Pejë, ku tetë muaj pas kësaj vrasje, prokuroria ka ngritur aktakuzë duke thënë se Edmond Lajqi ka privuar nga jeta me armë zjarri bashkëshorten e tij, për shkak të problemeve të vazhdueshme që i pandehuri kishte pasur me viktimën.

    Ndër të tjera në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, thuhet se ditën kritike i pandehuri Edmond Lajqi., me armë zjarri ka shtënë një herë në drejtim të viktimës, duke e qëlluar në pjesën ballore të kokës, si pasojë e kësaj të shtënë është shkaktuar vdekja e menjëhershme e viktimës.

    Lajqi u dënua me burg të përjetshëm pasi pranoi fajësinë.

    Kosova u trondit edhe në muajin gusht nga një vrasje e tjetër.

    Kësaj radhe një grua nga Graqanica mbeti e vrarë nga bashkëshorti i saj.

    E njëjta përderisa ishte duke marrë tretman në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës, nga plagët që dyshohet se i kishte marrë nga dhuna që ia kishte ushtruar bashkëshorti i saj, i cili thuhet se ishte në gjendje të dehur, ajo aty edhe ndërroi jetë.

    Pas që rasti fillimisht ishte duke u trajtuar nga Prokuroria në Prishtinë si dhunë në familje, pas vdekjes së saj, Prokuroria kishte kualifikuar rastin si vrasje e rëndë.

    Pamje brutale ishin shfaqur kudo në media edhe nga plagosja e një gruaje në Bresje të Fushë Kosovës.

    Kur për fat të keq edhe në këtë rast, i dyshuari kryesor është bashkëshorti i saj. Rasti kishte ndodhur rreth orës 7:30 të mëngjesit gjatë ditës së gjashtë gushtit 2024.

    Burri pasi që kishte plagosur gruan e tij, ai kishte filluar ta godet atë me armën që mbante në dorë, deri sa një qytetar kishte ndërhyrë.

    Kujtojmë se për dallim nga viti 2023, në vitin 2024 pati shtim të rasteve të dhunës në familje.