ATV

Category: Lajme

  • ​Tentim vrasje në kryeqytet, plagoset në shpinë një person

    ​Tentim vrasje në kryeqytet, plagoset në shpinë një person

    Një person ka pësuar lëndime në shpinë nga arma e zjarrit, pasi në drejtim të tij ka shtënë me armë zjarri një i dyshuar, i cili është në kërkim nga Policia.

    Ngjarja ka ndodhur mbrëmë në rrugën “Mine Peza”, në Prishtinë, ku janë gjetur dhe sekuestruar 5 gëzhoja.

    Viktima është dërguar për trajtim mjekësor.

    I dyshuari është në kërkim nga policia. Rasti në hetime.

  • Mot i ftohtë sot, por pa reshje

    Mot i ftohtë sot, por pa reshje

    Sot në Kosovë na pret mot i ftohtë dimëror, me vranësira e intervale kohore me diell. Reshje bore lokalisht mund të ketë ende vetëm orëve të hershme të mëngjesit. Gjatë ditës pritet mot i ftohtë, por pa reshje.

    Temperaturat do të pësojnë ulje të ndjeshme dhe ajo maksimale parashihet deri në 1 gradë Celsius. Minimalja deri në -8 gradë Celsius.

    Në Shqipëri gjatë natës priten reshje e rrebeshe shiu, ndërsa në veri dhe lindje si dhe në viset malore priten reshje bore. E shtuna në Shqipëri pritet të jetë kryesisht e vranët dhe e ftohtë, ndërsa reshjet do të pushojnë.

    Reshje bore priten sonte përpos Kosovës edhe në veri të Malit të Zi, pastaj edhe në shumë zona në Maqedoninë Veriore, por nesër reshjet pushojnë dhe priten vranësira e në disa zona intervale kohore me diell. Temperaturat shënojnë ulje të ndjeshme. Reshje bore sonte priten edhe në Luginë të Preshevës, ndërsa nesër pa reshje.

    E diela me acar të fuqishëm në mëngjes, por edhe dita do të jetë e ftohtë. Vende-vende mund të kemi rikthimin e mjegullës.

    Nga e hëna zbutje e acarit polar, përpos rajoneve ku eventualisht mund të kemi përqendrim më të madh të mjegullës./MeteoBallkan

  • Mike Johnson rizgjidhet kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve

    Mike Johnson rizgjidhet kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve

    Republikani Mike Johnson u rizgjodh si kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve pasi siguroi votat e mjaftueshme. Ai mori 218 votat që i nevojiteshin për të mbajtur këtë rol. Republikanët e kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve me një shumicë të ngushtë 219 – 215.

    Zgjedhja e kryetarit është një nga aktet e para të Kongresit të ri, pasi pa zgjedhjen e tij, Kongresi nuk mund të kryejë asnjë funksion.

    Kongresi pritet të mblidhet në 6 janar për të certifikuar fitoren e zgjedhjeve presidenciale të zotit Donald Trump.

    Me betimin e zotit Trump në 20 janar, republikanët do kenë kontrollin e të tre degëve të qeverisjes në 2 dhomat e Kongresit dhe në Shtëpinë e Bardhë.

  • Plagosje me armë zjarri në Dragodan të Prishtinës

    Plagosje me armë zjarri në Dragodan të Prishtinës

    Dragodani u trazua mbrëmjen e sotme nga të shtënat me armë zjarri që u dëgjuan në rrugën “Ferid Curri”. Personi që dyshohet se ishte cak i të dyshuarit u qëllua dhe për pasojë mbeti i plagosur.

    Siç mësohet viktima u qëllua me dy plumba në pjesën e shpinës dhe se u gjet i shtrirë në rrugë nga Policia – pak metra më larg një veture të braktisur.

    Motivet dhe rrethanat në të cilat ndodhi ky incident i rëndë në kryeqytet janë akoma të paqarta, teksa tashmë vendi i ngjarjes po ekzaminohet nga njësitë përkatëse policore.

    Policia në koordinim me Prokurorin e Shtetit do të ndërmarrë veprimet e nevojshme lidhur me rastin.

  • Malazezët protestojnë para Qeverisë duke kërkuar përgjegjësi për tragjedinë në Cetinje

    Malazezët protestojnë para Qeverisë duke kërkuar përgjegjësi për tragjedinë në Cetinje

    Disa qindra malazezë kanë protestuar të premten pranë ndërtesës së Qeverisë së Malit të Zi në Podgoricë, duke kërkuar përgjegjësi nga udhëheqësia politike e sistemit të sigurisë, pas vrasjes së 12 njerëzve më 1 janar në Cetinje.

    Aco Martinoviq vrau dymbëdhjetë njerëz, përfshirë dy fëmijë, dhe plagosi katër të tjerë më 1 janar në Cetinje. Disa orë më vonë, ai kreu vetëvrasje.

    I dyshuari për vrasje të shumëfishtë dhe plagosje, Aco Martinoviq, ka tentuar të bëjë vetëvrasje dhe ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spital.

    Dy djem të moshës 8 dhe 13-vjeçare ishin në mesin e të vrarëve.

    Demonstruesit fillimisht qëndruan të heshtur për t’i nderuar të vrarët dhe të plagosurit. Ata i varën 12 trëndafila në gardhin mbrojtës metalik përreth oborrit të selisë së Qeverisë në Podgoricë, duke simbolizuar numrin e të vrarëve.

    Më vonë, duke shprehur pakënaqësinë e tyre për veprimet e autoriteteve atë mbrëmje, ata brohoritën “Ku ishut më 1 janar?”, “Ku është Daniku Danillo Sharanoviq [ministri i Brendshëm] që nuk shfaqet?”, “A e kanë fajin qytetarët?” dhe ” Vrasës”.

    “Duhet të ishit në Cetinje, jo të na ruani neve këtu”, brohoritën qytetarët, duke aluduar se Martinoviqi nuk ishte kapur as gjashtë orë pas kryerjes së vrasjeve.

    Ata kanë brohoritur edhe emrat e djemve të vrarë “Jovan” dhe “Vukan”.

    Një pjesë e turmës u përpoq ta thyente gardhin mbrojtëse në disa raste.

    “Ne kemi fëmijë dhe kemi frikë se dikush do të përsërisë diçka të ngjashme. Kë po mbroni ju, ne nuk jemi të armatosur dhe nuk kemi armë ilegale”, tha Dushan Drakiq nga Podgorica duke iu drejtuar policëve që ruanin ndërtesën e Qeverisë.

    Drakiq në këtë mënyrë iu referua pretendimeve të policisë, e cila më 1 janar njoftoi se arma me të cilën Martinoviqi kreu vrasjet ishte “pa leje”.

    Drakiq kërkoi nga autoritetet të verpojë, duke theksuar se “përndryshe kjo tragjedi do të na trokasë në derën e të gjithëve”.

    Të enjten, qytetarët në disa qytete të Malit të Zi bënë nderimet e tyre për viktimat e Cetinjës duke ndezur qirinj.

    Vrasja në Cetinje ishte e dyta e shumëfishtë në këtë qytet në dy vjetët e fundit. Në gusht të vitit 2022, Vuk Boriloviq vrau 10 njerëz dhe plagosi 6 të tjerë, para se të kryente vetëvrasje.

    Për shkak të vrasjes në Cetinje, për të dielën më 5 janar janë paralajmëruar dy protesta – në Cetinje dhe në Podgoricë, para Ministrisë së Punëve të Brendshme. /REL

  • Aksidenti në Maqedoninë e Veriut, gjendet trupi i pajetë i pasagjerit të katërt

    Aksidenti në Maqedoninë e Veriut, gjendet trupi i pajetë i pasagjerit të katërt

    Tragjedia e mbrëmshme te lumi Vardar, afër Shkupit ka tronditur vendin. Trupat e tri grave janë nxjerrë pa shenja jete nga lumi, pasi u aksidentuan dhe vetura e tyre doli nga rruga. Në veturë ka qenë edhe një person tjetër, familjar i viktimave – teksa fëmija që ndodhej po ashtu në veturë shpëtoi.

    Pas një kërkimi disa orësh, diku rreth orës 15:00 është gjetur sot edhe trupi i pajetë i pasagjerit të katërt që ndodhej në veturën që mbrëmë doli nga rruga dhe ra në lumin Vardar.

    Nga aksidenti tragjik që ndodhi dje pasdite në Maqedoninë e Veriut mbetën të vdekura edhe tri gra, ndërsa një fëmijë katërvjeçar shpëtoi dhe po trajtohet në spital.

    Sipas raportimeve të fundit, thuhet se fëmija është jashtë rrezikut për jetën.

  • Shtohen kolonat tek Dheu i Bardhë e Merdarë, kaq janë pritjet

    Shtohen kolonat tek Dheu i Bardhë e Merdarë, kaq janë pritjet

    Kolona të shumta kanë filluar të jenë në dalje të pikave kufitare të Kosovës pas festave të fundvitit.

    Qendra për Menaxhimin Kufitar bën të ditur se në pikën kufitare të Dheut të Bardhë pritjet në dalje janë dy orë e 20 minuta.

    Ndërsa në Merdarë pritjet janë deri në 90 minuta, në Jarinjë gjysmë ore, e në Muçibabë 20 minuta.

  • Orav: Zotimi im për 2025, ta afroj Kosovën me BE-në

    Orav: Zotimi im për 2025, ta afroj Kosovën me BE-në

    Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav ka bërë një zotim për vitin në të cilin sapo hymë.

    Në një opinion të botuar në ueb-faqen zyrtare të Zyrës së BE-së në Kosovë, ai ka thënë se zotohet që do ta ndihmojë Kosovën të afrohet sa më shumë me BE-në.

    “Gjatë katër muajve të fundit, kam shërbyer si urë lidhëse ndërmjet BE-së dhe Kosovës, duke nxitur marrëdhënie më të thella diplomatike, ekonomike, zhvillimore dhe kulturore. Zotimi im për Vitin e Ri është ta njoh më mirë Kosovën dhe qytetarët e saj dhe të ndihmoj që Kosova të afrohet edhe më shumë me BE-në”, ka thënë mes tjerash ambasadori Orav.

    Ndër të tjera, ai ka thënë se vullneti i popullit të Kosovës është i qartë, siç është edhe vizioni i BE-së për Ballkanin Perëndimor: “E ardhmja e rajonit është në BE. Së bashku, duam të ecim përpara drejt këtij synimi të përbashkët”.

  • I jepet lamtumira e fundit ish-politikanit Anton Berisha

    I jepet lamtumira e fundit ish-politikanit Anton Berisha

    Sot i është dhënë lamtumira e fundit ish-ambasadorit kosovar dhe ish-zëvendësministrit të Jashtëm, Anton Berisha, i cili vdiq të enjten.

    Ai u varros në varrezat katolike të Pejës pas orës 13:00.

    Lajmin për vdekjen e ka bërë të ditur dje djali i tij, Genci, përmes një postimi në Facebook, duke thënë se vdekja erdhi për shkak të një sëmundje të shkurtër që ai kishte.

    “Të dashur familjarë dhe miq, Me pikëllim të thellë dhe zemër të rënduar ju njoftojmë se babai ynë i shtrenjtë, Anton Berisha, sot, më datë 2 janar, pas një sëmundjeje të shkurtër, u nda nga kjo jetë, duke lënë pas një boshllëk të paimagjinueshëm në zemrat tona”, shkruan ai në Facebook.

    Anton Berisha ka qenë anëtar i AAK-së, parti nga e cila rreth 5 vite më parë dha dorëheqje.

    I njëjti ka shërbyer si Zëvendësministër i Punëve të Jashtme gjatë qeverisjes së Ramush Haradinajt.

  • Haradinaj: Kosova patjetër duhet ta ketë një aeroport alternativ për fluturime emergjente

    Haradinaj: Kosova patjetër duhet ta ketë një aeroport alternativ për fluturime emergjente

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova patjetër duhet të ketë një aeroport alternativ për fluturime emergjente.

    Sipas Haradinajt, aeroporti duhet të jetë në mënyrë që udhëtarët e saj të mos vijnë në situatë – që në pamundësi për të ateruar në Aeroportin e Prishtinës – të aterojnë në Beograd dhe Shkup.

    “Kosova patjetër duhet ta ketë një aeroport alternativ për fluturime emergjente, në mënyrë që udhëtarët e saj të mos vijnë në situatë – që në pamundësi për të ateruar në Aeroportin e Prishtinës – të aterojnë në Beograd dhe Shkup. Për këtë qëllim, ne do ta aftësojmë Aeroportin e Gjakovës, për të shërbyer si pikë strategjike për funksionalitetin e trafikut ajror. Kjo përshtatje do të arrihet me një investim të përballueshëm për buxhetin”, ka shkruar Haradinaj.

    Tutje, ai pohon se “angazhimi ynë për ta shndërruar këtë aset në një pikë të rëndësishme të infrastrukturës së sigurisë kombëtare është pjesë e vizionit të Kosovës Fituese”. /Telegrafi/