Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, në emisionin CONTEXT në ATV, deklaroi se kandidimi i tij në zgjedhjet parlamentare është një përpjekje për të rritur votën e AAK-së dhe nuk synon të mashtrojë qytetarët, pasi ai do të vazhdojë të ushtrojë detyrën e kryetarit të komunës.
Muharremaj ththa se angazhimi i tij në fushatë është për të mbështetur partinë dhe bashkëpunëtorët, ndërsa qytetarët janë të informuar për qëllimin e tij.
“Unë veç e kam njoftuar qytetarët se kam hyrë për të rritur votën. Nuk jam duke i gënjyer. Do të vazhdoj me punën si kryetar i komunës”, tha Muharremaj.
Ai shtoi se gara politike është një mundësi për të vlerësuar punën e tij dhe angazhimin në mandatin e dytë si kryetar komune.
“Nëse shpërblehet puna që kam bërë, do të kemi rezultate të mira. Kjo varet nga qytetarët që vendosin për këto zgjedhje”, u shpreh ai.
Intervistën e plotë me Bali Muharremajn në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:
Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se zjarri që përfshiu një lokal në qendër të qytetit është lokalizuar dhe situata është nën kontroll.
Ai konfirmoi se zjarri është shkaktuar nga një problem me gazin, por për fat të mirë nuk ka pasur të lënduar.
“Problemi ka ardhur prej gazit, që ka shkaktuar shpërthimin e zjarrit, por për fat të mirë nuk ka pasur të lënduar. Dëmet janë vetëm materiale”, tha Muharremaj.
Kryetari shtoi se pronari i lokalit është duke bërë përgatitje për të nisur renovimin e objektit.
“Besoj që nesër fillon renovimi i lokalit dhe gjithçka do të rikthehet në funksion,” u shpreh ai.
Intervistën e plotë me Bali Muharremajt në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:
Avokati Taulant Hodaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se ftesa e Prokurorisë për intervistimin e kryeministrit Albin Kurti është brenda kuadrit ligjor, por ngriti dyshime mbi kohën e përshtatshme të këtij veprimi gjatë parafushatës.
Hodaj tha se intervistimi për një rast të ndodhur një vit më parë nuk ka urgjencë.
“Proceduralisht, Prokuroria ka vepruar në kuadër të rregullave dhe Kodit Penal të Kosovës, por nuk e shoh si të domosdoshme që kryeministri të ftohet gjatë parafushatës politike për një rast kaq të vjetër”, tha Hodaj.
Ai shtoi se një veprim i tillë i jep mundësi partive politike për të shfrytëzuar situatën në favor të tyre.
“Në këtë mënyrë, hapet hapësirë për kryeministrin dhe aktorët tjerë politikë që ta maksimizojnë këtë situatë për qëllime politike”, shtoi ai.
Deklaratën e tij të plotë në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:
Profesori i sigurisë, Fatmir Çollaku, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se situata në veri të Kosovës është më stabile krahasuar me frikësimet e ngritura, por ende nuk mund të flitet për siguri absolute.
Ai vlerësoi se pavarësisht stabilitetit aktual, strukturat kriminale dhe aktivitetet ilegale vazhdojnë të jenë kërcënim për sigurinë në veri.
“Situata është shumë më stabile sesa frikësimet e stërfryra, por nuk mund të konsiderohet e sigurt në mënyrë absolute, për shkak të historisë së pasigurisë në këtë rajon”, tha Çollaku.
Ai përmendi angazhimin e institucioneve të sigurisë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar si faktorë kyç për përmirësimin e gjendjes.
“Policia e Kosovës dhe bashkëpunimi me KFOR-in dhe EULEX-in kanë forcuar ndjeshëm masat e sigurisë dhe kanë përmirësuar situatën në veri”, shtoi ai.
Deklaratën e tij të plotë në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:
Gazetari i ATV-së, Fatlum Jashari, në emisionin CONTEXT, tha se sulmet dhe ashpërsimi i gjuhës së politikanëve ndaj gazetarëve janë rritur, duke i cilësuar si sfida kryesore me të cilat po përballen mediat gjatë parafushatës zgjedhore.
Jashari tha se shpallja e hershme e datës së zgjedhjeve ka ndikuar në nisjen e hershme të parafushatës dhe në intensifikimin e sulmeve ndaj gazetarëve.
“Që para se të shpallej zyrtarisht data e zgjedhjeve, kemi parë sulme të kohëpaskohshme ndaj mediave dhe gazetarëve dhe një ashpërsim të gjuhës së politikanëve ndaj tyre”, tha Jashari.
Ai shtoi se gazetarët shpesh cilësohen si pengesë për agjendat politike, sepse detyra e tyre është të tregojnë të vërtetën.
“Shumëkush ka cilësuar se gazetarët, me raportimet e tyre, i kanë penguar agjendat politike. Normalisht që kjo është detyra jonë, të pengojmë agjendat duke treguar të vërtetën”, u shpreh ai.
Deklaratën e tij të plotë në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:
Gazetari dhe analisti Lavdim Hamidi, në emisionin CONTEXT në ATV, kritikoi ashpër ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çekun dhe kryetarin e Prishtinës, Përparim Ramën, për performancën e dobët në realizimin e projekteve kapitale, duke i quajtur “dështakë”.
Hamidi tha se raporti nëntëmujor i Ministrisë së Financave tregon përqindje të ulët të shpenzimeve për investime kapitale nga MKRS dhe komuna e Prishtinës.
“Raporti nëntëmujor i Ministrisë së Financave tregon se Hajrulla Çeku e ka shpenzuar vetëm 23 për qind të buxhetit për investime kapitale, ndërsa Përparim Ramën, pavarësisht buxhetit më të
madh, ka shpenzuar vetëm 25 për qind”, tha Hamidi.
Ai tha se, në vend që të realizojnë projektet, ata janë përfshirë në debate të panevojshme për lokacione.
“Në vend se të realizojnë këto projekte, këta shtyhen për çdo projekt, ndonëse paratë janë të gatshme, por nuk kanë mundur t’i realizojnë”, tha ai.
Deklaratën e tij të plotë në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:
Vila e sekuestruar e Milan Radojicicit buzë liqenit të Ujmanit, vazhdon të ruhet nga Policia e Kosovës.
Por, më shumë se gjashtë muaj pas hyrjes në fuqi të Udhëzimit administrativ që i hapi rrugë Ministrisë së Punëve të Brendshme për përdorim, objekti milionësh nuk është duke u shfrytëzuar.
Ministri Xhelal Sveçla pati thënë se do të shndërrohet në stacion policor.
Megjithatë për sigurinë e vilës, po kujdeset një numër i vogël i zyrtarëve policorë, derisa burimet i thanë ATV-së se edhe kamerat e sigurisë kohët e fundit nuk kanë funksionuar.
Por, në Drejtorinë e Policisë në veri, thonë se numri i pjesëtarëve të Policisë aty është i mjaftueshëm.
Elshani nuk i përjashtoi telashet me kamerat e sigurisë, por theksoi se objekti është i sigurt.
Numri i vogël i policëve në vilë, sipas profesorit Avni Islami nuk paraqet asnjë shqetësim.
Kjo sepse sipas Islamit, Policia gjithnjë vepron në bazë të një plani operativ.
Në maj të vitit të kaluar, Gjykata e Prishtinës dha pëlqimin për dhënien me qira të pasurisë së sekuestruar të të akuzuarit kryesor për sulmin në Banjskë Milan Radojicic, pas plotfuqishmërisë së urdhrit ndalues përfundimtar.
Agjencia për menaxhimin e pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar, dhënien me qira e kishte vlerësuar si një ndër format më të duhura për administrimin e tyre deri në përfundim të procesit gjyqësor.
Vila milionëshe e Milan Radojicic po ruhet nga një numër i vogël i pjesëtarëve të Policisë, derisa pati telashe edhe me kamera të sigurisë. Megjithatë për Zëvendës drejtorin e policisë për rajonin e veriut, objekti është i sigurt
Tre javë para fundit të mandatit zgjatur të Miroslav Lajcak si Përfaqësues i Posaçëm për Dialogun Kosovë-Serbi, Bashkimi Evropian nuk dha detaje të bollshme lidhur me pasuesin eventual në këtë detyrë.
Megjithatë, zëdhënësja për Punë të Jashtme dhe Siguri, Anitta Hipper, la të kuptohet se mund të ketë lajme së shpejti.
“Mandati i Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së, Miroslav Lajcak, mbetet në fuqi deri në fund të Janarit, dhe procesi i zgjedhjes së pasuesit të tij është në zhvillim. Kështu që, do të ketë më shumë detaje për të përcjellë”, tha Hipper.
Javën e kaluar, pati raportime se diplomatët Peter Sorensen nga Danimarka dhe Pekka Haavisto nga Finlanda, janë kandidatët e interesuar për t’u bërë pjesë e lehtësimit të dialogut Kosovë-Serbi.
Krahas miratimit nga Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, kusht për emërimin eventual të Përfaqësuesit të ri të Posaçëm është pajtimi ndërmjet 27-shteteve anëtare.
Një tjetër mundësi do të ishte emërimi i një këshilltari për dialog nga Kaja Kallas, për çka nuk do tw ishte i domosdoshëm konsensusi brenda BE-së.
Por, me nisjen e procesit për zgjedhjen e emisarit të ri ky version mbetet më pak real.
Edhe pse vlerësoi se më mirë do të ishte sikur Kallas të merrte personalisht në përsipër procesin, opinionisti Bekim Kabashi tha se megjithatë emisari nuk ka rol përcaktues.
“Angazhimi dhe përgjegjësia do të ishte më e madhe. Pra, për bindjen time, do të kishte rol më të madh direkt BE-ja. Por, edhe në këtë formë, siç ka qenë me z. Lajcak, mendoj se z. Lajcak ka
qenë më shumë një përfaqësues teknik sesa vendimmarrës, shto këtu faktin se kanë qenë të përfshira Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët mendoj se kanë pasur rol më të madh sesa vet i BE-së”, tha Kabashi.
Ndërlidhur me këtë ai mori shembull rolin që patën nga jashtë, veçmas këshilltarët e Kancelarit të Gjermanisë dhe Presidentit të Francës.
“Në momente vendimtare ata kanë marrë vendime dhe kanë ardhë me vendime dhe kanë dalë propozime konkrete, siç ka qenë draft-statuti. Për bindjen time Lajcak ka qenë veç postier aty, jo ai që ka përcaktuar formën e atij dokumenti të rëndësishëm që është akoma në tavolinë”, tha Kabashi.
Miroslav Lajcak, të cilit më 31 Janar i përfundon mandati i zgjatur, nisi punën si Përfaqësues i Posaçëm për Dialogun Kosovë-Serbi më 2 Prill 2020.
Në të kaluarën, ish-zëvendës presidentja e Komisionit Evropian, Federica Mogherini e kishte udhëhequr vetë procesin e dialogut, pa emisar.
Formën e komunikimit e zgjodhën nëpërmjet rrjeteve sociale.
Ministri i kulturës, Hajrulla Çeku, dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, fajësuan njëri-tjetrin për mosrealizimin e palestrës Multisportive.
Reagimeve të njëpasnjëshme, fillimisht I priu ministri Çeku, I cili akuzoi Komunën e Prishtinës se ka një vit që ka neglizhuar ndarjen e lokacionit për projektin e Palestrës Multisportive, për ndërtimin e së cilës thotë se është ndarë një buxhet prej 3.5 milionë euro.
Ndërsa, kryetari Rama i është kundërpërgjigjur ministrit Çeku duke thënë se kanë qenë asamblistët e LV-së që katër herë e kanë refuzuar lokacionin dhe planin për Palestër.
Dy ditë më vonë, reagimet e Ramës, Çeku i quajti gënjeshtra.
Atë çka tha ministri Ceku, po e thotë edhe Asamblisti i Vetëvendosjes në Komunën e Prishtinës, Besart Krasniqi.
Sipas tij, gjatë vitit 2024, në asnjërën seancë komunale, nuk është prezantuar lokacioni se ku pritet të ndërtohet palestra. Por, Krasniqi zotohet se do të votojnë PRO, kurdo që kjo çështje të jetë në rend dite.
Lidhur me këtë, askush nga pushteti komunal e as nga përfaqësuesit e asamblesë komunale nga lidhja demokratike, nuk pranuan të deklarohen gjatë të martës.
Sidoqoftë, nga kjo situatë po konsiderohet se pasojat do t’i bartin qytetarët.
Lokacioni për realizimin e Palestrës Multisportive, për të cilin është dakorduar edhe Federata e Basketbollit gjendet në Hajvali, pranë Qendrës Nacionale të Futbollit.
Mirëpo, nuk dihet se kur do të dërgohet kjo pikë në kuvendin komunal për miratim.
Qendrën Klinike Univeristare përkatësisht në Klinikën Infektive, nga muaji Janar deri në muajin dhjetor të vitit të kaluar 31 raste kanë rezultuar pozitiv me HIV-AIDS.
Mosha e prekur është ndërmjet 20 deri në 30 vjeç.
Sipas Infektologut Murat Mehmeti, ka raste me shumë që I takojnë komunitetit MSM(burrat që bëjnë seks me burra).
‘’Saj përket rasteve të reja me hiv infeksion gjatë këtij viti kemi pas deri me tani që faktikisht po përfundon ky vit 31 raste të reja do me thanë që janë lajmëru në Klinikën tonë. Tani për tani nuk është që kemi asnjë rast që është I shtrirë në Klinikën Infektive por të gjithë do të thotë janë në gjendje stabile dhe nuk kanë ndonjë problem ose nevojë për tu shtruar në spital’’, tha Mehmeti.
Vetëdijesim me të madh ndaj sëmundjes HIV-AIDS ai e sheh të nevojshëm të ketë sidomos ndaj moshës se re.
‘’Kryesisht I takojnë moshës se re, nga 20-30 vjeq shumica, pritet rritje e numrit të rasteve të reja. Duhet rritur vetëdijesimi sidomos moshës se re, ka reagensa mjaftueshëm’’, tha Mehmeti.
Ndërsa nga Asociacioni Kosovar të personave me HIV-AIDS, thonë se nga ana e Klinikës Infektive dhe Ministria e Shëndetësisë duhet të bëhet me shumë lidhur me testimin e popullatës në mënyrë që të zvogëlohet numri ose të mbahet me këtë normë.
‘’Është shqetësuese mirëpo unë do të thoja se këto tre vitet e fundit është rritja e personave të infketuar por sivjet ka tejkaluar normën është dyfishuar gati numri i personave. Është shqetësuese jo për klinikën por për krejt popullatën e Kosovës dhe Kosovën në veçanti. Se rritja e numrit tregon që duhet të ndërmarrum disa masa që të arrijmë që se pakti të mbajmë në këtë nivel ose që të zvogëlohet numri ose personave të infektuar me HIV. Vitin 2021, 2022 dhe 2023 ka qenë 15 deri 21 sivjet është në rritje pra kryesisht popullata e re dhe të komunitetit MSM mirëpo numri është ka rritet në përgjithësi sivjet’’, tha Alban Gjonbalaj, udhëheqës i Asociacionit Kosovar të Personave me HIV.
Po ashtu Gjonbalaj thekson se edhe numri i qendrave të testimit në Kosovë nuk është i mjaftueshëm.