ATV

Category: Lajme

  • Parashikimi i motit për sot

    Parashikimi i motit për sot

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës njofton se të mërkurën moti do të jetë me diell dhe vranësira të shpërndara.

    Sipas Institutit temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -2 deri 2°C, ndërsa maksimalet 7-12°C. Sot do të ketë erë nga juglindja me shpejtësi 1-3 m/s.

  • Regjistrohet rasti i parë me virusin HMPV në Greqi

    Regjistrohet rasti i parë me virusin HMPV në Greqi

    Rasti i parë i konfirmuar i me virusin e ri HMPV është zbuluar nga autoritetet shëndetësore në Selanik.

    Bëhet fjalë për një 71-vjeçar, i cili aktualisht është i shtruar në spitalin Papanikolaou. Lajmin e ka publikuar stacioni televiziv privat Open, ndërkohë që priten deklaratat zyrtare nga autoritetet.

    Metapneumovirusi, i njohur për mjekët, ka shkaktuar një pandemi në Kinë prej disa javësh. Rasti në fjalë u identifikua tek 71-vjeçari, i cili ka pasur një lidhje me vajzën e tij, e cila udhëtoi drejt Kinës gjatë festave të fundvitit.

    Pas kthimit, babai i saj filloi të shfaqë simptomat e para të sëmundjes. Ai e vizitoi fillimisht një klinikë private dhe më pas, më 3 janar, u shtrua në spitalin Papanikolaou, që ka një nga klinikat më të avancuara të mushkërive.

    Pas një testi PCR të kryer të shtunën, të hënën u konfirmua se ai ishte pozitiv ndaj virusit HMPV.

  • Dialogu, zyrtari i lartë amerikan viziton Kosovën dhe Serbinë

    Dialogu, zyrtari i lartë amerikan viziton Kosovën dhe Serbinë

    Zëvendës Sekretari amerikan i Shtetit për Menaxhim dhe Burime, Richard R. Verma, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi nga data 7 deri më 11 janar.

    Sipas një njoftimi nga Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH), Verma do të trajtojë çështje të rëndësishme në secilin prej vendeve që do të vizitojë.

    Në Kosovë, ai do të diskutojë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

    Po ashtu, forcimin e qeverisjes dhe sundimin e ligjit, dhe nxitjen e rritjes ekonomike dhe sigurisë energjetike për qytetarët kosovarë.

    Gjithashtu, Verma do të falënderojë Qeverinë e Kosovës për mbështetjen e saj të fuqishme ndaj Ukrainës dhe për ndihmën e ofruar afganëve në nevojë.

    Gjatë vizitës në Tiranë, Verma do të diskutojë përparimin demokratik të Shqipërisë, aftësitë mbrojtëse të vendit, si dhe thellimin e lidhjeve ekonomike me Shtetet e Bashkuara.

    Në Serbi, Verma pritet të diskutojë për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

    Kjo vizitë reflekton angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të promovuar stabilitetin, demokracinë dhe bashkëpunimin ekonomik në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

  • KQZ-ja sot miraton fletëvotimin, nesër nis votimi jashtë Kosovës

    KQZ-ja sot miraton fletëvotimin, nesër nis votimi jashtë Kosovës

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet sot ku do ta miratojë edhe fletën e votimit për zgjedhjet e 9 shkurtit.

    Kështu ka bërë të ditur për zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili tha se ky komision do të shqyrtojë dhe miratojë dizajnin dhe përmbajtjen e fletëvotimit për këto zgjedhje.

    Tutje ai tha se më 9 janar pritet të fillojë votimi për votuesit e regjistruar jashtë Kosovës.

    “Mund t’iu konfirmoj se pas tërheqjes së shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim, më 8 janar, KQZ do të shqyrtojë dhe miratojë dizajnin dhe përmbajtjen e fletëvotimit për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025″.

    “Pasi KQZ të miratojë fletëvotimin e zgjedhjeve, më 9 janar do të fillojë procesi i votimit jashtë Kosovës për votuesit e regjistruar për të votuar përmes postës. Gjithashtu, miratimi i fletëvotimit mund t’iu shërbejë edhe subjekteve politike gjatë fushatës zgjedhore, e cila fillon zyrtarisht më 11 janar”, ka deklaruar ai.

  • Buxhovi: Problemi i Kishës Ortodokse Serbe, është problem politik që ndërlidhet edhe me pakon e Ahtisarit

    Buxhovi: Problemi i Kishës Ortodokse Serbe, është problem politik që ndërlidhet edhe me pakon e Ahtisarit

    Historiani Jusuf Buxhovi, në emisionin COMPASS në ATV, tha se çështja e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë është një problem politik i vazhdueshëm, i cili ndërlidhet me pakon e Ahtisarit dhe përpjekjet e Serbisë për të mbështetur agjendën e saj hegjemoniste.

    Buxhovi tha se Kisha Ortodokse Serbe ka luajtur rol destabilizues në rajon dhe ka qenë e përfshirë në projekte hegjemoniste që nga kriza lindore.

    “Kisha Ortodokse Serbe ka qenë pjesëmarrëse në të gjitha projektet hegjemoniste dhe gjenocidet, jo vetëm kundër shqiptarëve, por edhe kundër boshnjakëve dhe komuniteteve të tjera”, tha Buxhovi.

    Ai përmendi se problemi aktual i Kishës ndërlidhet me mungesën e një platforme të qëndrueshme nga koha e pakos së Ahtisarit.

    “Presidenti Rugova, ka pasë një sugjerim që kjo çështje të zhvillohet në përputhje me konceptet evropiane, por ai vdiq, nuk mund ta përcillte, po e la një sugjerim. Unë e kam përfshi edhe në librin tim “Vitet e Gjermanisë” që ka dalë. Është një platformë që, po të ndjekej ajo platformë, ne nuk do ta kishim sot. Ai e thotë në mënyrë decidive, ‘Komisioni jonë pra të më Vjenë, duhet ta mbështetë një nen prej neneve të Kushtetutës së Jugosllavisë të 74-tës, kur thotë në mënyrë decidive për objektet e kultit janë ‘pronë, pasuri e kombeve dhe kombësive. Ato duhet të trajtohen si të tilla’. Po qe se do të ruhej ai nen, pra kërkesa të ishte para atij komisioni të Ahtisarit, ne nuk do ta kishim këtë problem”, shtoi ai.

    Intervistën e plotë me Jusuf Buxhovit në COMPASS e gjeni në videon më poshtë:

  • Digjet lokali në Suharekë, lëndohet një person

    Digjet lokali në Suharekë, lëndohet një person

    Ndërsa zjarri po merrte përmasa më të mëdha, ata që ishin brenda, po dilnin me vrap nga ky lokal në qendër të Suharekës.

    Por një prej tyre u lëndua duke tentuar t’i shuajë flakët. I njëjti më pas u trajtua në Qendrën e Mjekësisë Familjare të qytetit.

    Zjarrfikësit më pas e shuan zjarrin, që duket ta ketë përfshirë edhe pjesën e jashtme të kafenesë “Simple”. Sipas zëdhënësit të policisë për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi, në vend të ngjarjes kanë dalë edhe inspektori i punës dhe eksperti i zjarreve.

    Dyshohet se gjithçka nisi nga një bombolë gazi.

    Ndërsa kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, se rinovimi i lokalit do të fillojë të mërkurën.

    Në konsultim me prokurorin, rasti është iniciuar si rast zjarri.

    Më shumë detaje i gjeni në emisionin COMPASS, në videon më poshtë:

  • Dy të vdekur nga një sulm me armë zjarri brenda një kompanie në Gjermani

    Dy të vdekur nga një sulm me armë zjarri brenda një kompanie në Gjermani

    Dy burra janë vrarë dhe një tjetër është plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri të martën në mbrëmje, në ambientet e një kompanie në Gjermaninë jugperëndimore, ka bërë të ditur policia.

    Personi i plagosur është në rrezik për jetën, raporton AP.

    Të shtënat kanë ndodhur pasi një person i maskuar ka hyrë në një kompani në Bad Friedrichshall, një qytet në veri të Shtutgartit, rreth orës 17:45, ka thënë policia në një deklaratë.

    Policia është në kërkim të autorit. Ata kanë thënë se një dislokim i madh, duke përfshirë një helikopter, është duke u zhvilluar, teksa besojnë se nuk ka ndonjë rrezik për publikun.

  • Zyrtar i lartë amerikan këtë javë viziton Kosovën, Shqipërinë dhe Serbinë

    Zyrtar i lartë amerikan këtë javë viziton Kosovën, Shqipërinë dhe Serbinë

    Zëvendës Sekretari i Shtetit për Menaxhimin dhe Resurset, Richard R. Verma, do të udhëtojë në Kosovë, Shqipëri dhe Serbi nga 7-11 janar.

    Siç njoftoi Departamenti i Shtetit, në Kosovë, Verma do të diskutojë “për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, forcimin e qeverisjes dhe sundimit të ligjit, si dhe nxitjen e rritjes ekonomike dhe sigurisë energjetike për të mirën e të gjithë kosovarëve”.

    “Ai gjithashtu do të falënderojë Qeverinë e Kosovës për mbështetjen e fuqishme të Ukrainës dhe për ndihmën e saj për afganët në nevojë”, u tha në njoftim.

    Në Tiranë, sipas njoftimit, ai do të diskutojë përparimin demokratik të Shqipërisë, aftësitë mbrojtëse dhe thellimin e lidhjeve ekonomike me Shtetet e Bashkuara dhe do të falënderojë Qeverinë e Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj aleatëve tanë afganë.

    Edhe në Serbi, Zëvendës Sekretari i Shtetit amerikan për Menaxhimin dhe Resurset thuhet se do të ofrojë mbështetje për normalizimin e marrëdhënieve të këtij vendi me Kosovën.

    “Ai gjithashtu do të riafirmojë përkushtimin e Shteteve të Bashkuara ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa ato ndjekin integrimin euroatlantik dhe bashkëpunimin më të thellë rajonal”, u tha në njoftimin e DASh-it.

  • KQZ nesër miraton dizajnin dhe përmbajtjen e fletëvotimit për zgjedhjet

    KQZ nesër miraton dizajnin dhe përmbajtjen e fletëvotimit për zgjedhjet

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të zhvillojë një mbledhje të mërkurën, ku do të miratohet dizajni dhe përmbajtja e fletës së votimit për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të Kosovës, të planifikuara për datën 9 shkurt 2025. Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

    Pas hedhjes së shortit për renditjen e partive politike në fletëvotim, ky hap do të formalizojë dokumentin kyç që do të përdoret gjatë procesit zgjedhor.

    “Mund t’iu konfirmoj se pas tërheqjes së shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim, më 8 janar, KQZ do të shqyrtojë dhe miratojë dizajnin dhe përmbajtjen e fletëvotimit për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025”, tha ai.

    Kjo do të pasohet nga fillimi i procesit të votimit për qytetarët kosovarë që jetojnë jashtë vendit, i cili është parashikuar të nisë të enjten, më 9 janar.

    Shorti i hedhur të hënën përcaktoi renditjen e subjekteve politike në fletëvotim, ku ndër të tjera, Lëvizja Vetëvendosje u rendit me numrin 118, PDK-ja me numrin 131, LDK-ja me numrin 124 dhe koalicioni AAK-NISMA me numrin 137.

    Fushata zgjedhore do të hapet zyrtarisht më 11 janar dhe do të zgjasë për një periudhë prej gati katër javësh, duke u mbyllur më 7 shkurt, vetëm dy ditë përpara datës së zgjedhjeve.

  • Muharremaj thotë se në Suharekë ka ari të tokës që kushton 22 mijë euro

    Muharremaj thotë se në Suharekë ka ari të tokës që kushton 22 mijë euro

    Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se vlera e tokave në komunë ka shënuar rritje të jashtëzakonshme, me disa zona ku një ari tokë kushton deri në 22 mijë euro.

    Ai tha se rritja e vlerës së tokës ka ardhur si rezultat i projekteve zhvillimore dhe investimeve në infrastrukturë, përfshirë ndërtimin e dy unazave të reja.

    “Në Suharekë, ka toka ku një ari shkon deri në 22 mijë euro. Në zona të tjera, vlera mund të arrijë edhe në 200 mijë euro për ari, varësisht nga plani zhvillimor”, tha Muharremaj.

    Kryetari shtoi se për katër vitet e ardhshme, në Suharekë priten investime prej 1 miliard eurosh.

    “Tri vitet e fundit janë investuar 350 milionë euro. Presim që në katër vitet e ardhshme, vlera e investimeve të arrijë në 1 miliard euro”, theksoi ai.

    Intervistën e plotë me Bali Muharremajt në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë: