ATV

Category: Lajme

  • Fatmir Bytyqi, i vetmi kandidat i pavarur për deputet

    Fatmir Bytyqi, i vetmi kandidat i pavarur për deputet

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Garës për ta fituar një ulëse në kuvend, i hyri i vetëm.

    Fatmir Bytyqi është i vetmi kandidat i pavarur, që në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, synon ta marr postin e deputetit.

    58-vjeçari nga Prizreni, i cili aktualisht jeton në Gjermani, në një intervistë për ATV-në, tregon arsyet pse nuk iu bashkua asnjë subjekti politik.

    “Përpjekjet e mija për të ndikuar në përmirësimin e shoqërisë tonë kanë qenë te hershme, por nuk e kamë gjetur vetën në asnjë subjekt politik, për atë arsye kam vendor me kandidu vetëm”, tha Bytyqi.

    Bytyqi, ishte një nga themeluesit e Partisë Parlamentare të Kosovës, e së fundmi ishte edhe pjesë e LDK-së, por që thotë se e humbi statusin e anëtarit të partisë.

    “Tash jam i vetëdijshëm që e kamë humbur statusin e anëtarit të partisë sepse sipas statusit të LDK-së, nëse një anëtarë i saj kandidon si i pavarur e humb statusin e kandidatit. Nuk kam pasur as ofertë as nuk kam bërë përpjekje të jem pjesë e tyre”, tha Bytyqi.

    E në rast se arrin të marr besimin e qytetarëve, përfaqësimi i tyre në vendin ku miratohen ligjet, do jetë në disa fusha specifike.

    “Unë në programin zgjedhor i kam paraqitur 3 pikat kryesore, ato janë reformimi i sistemit arsimor, lufta kundër dhunës dhe reformimi i strukturave të subjekteve politike. Por kjo nuk do të thotë që unë aktivitetin tim do ta kufizoj vetëm në këto pika sepse besoj që kam ide dhe kapacitet të ndikoj edhe në çështje tjera”, shtoi Bytyqi.

    Bytyqi pret që nga e shtuna ta fillojë fushatën e tij zgjedhore, derisa në garë do të jetë me numrin 128.

  • Miratimi i ligjit për lirinë fetare kthehet në pikën zero

    Miratimi i ligjit për lirinë fetare kthehet në pikën zero

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Përpjekjet për miratimin e Projektligji për Lirinë Fetare janë kthyer në pikën zero, pasi projektligji i miratuar në qeveri fiks para dy viteve, nuk arriti të miratohet nga legjislativi.

    Kjo nismë ligjore, e cila parasheh që 7 bashkësitë fetare ligjërisht do të mund ta sigurojnë statusin e tyre juridik, duke përfshirë këtu edhe Kishën Ortodokse Serbe, nuk mund të miratohet në Kuvend pa votën e dy të tretave të deputetëve.

    “Lista serbe qëllimisht e ka bojkotuar… përkundër të metave sa I përket bashkësive fetare të reja themelimit me një numër shumë të ulët të anëtarëve, unë konsideroj që është një lloj politike për të parandaluar çdo lloj avancimi në republikën e Kosovës”, tha Asdren Bytyqi, jurist.

    Formalizimi i statusit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë theksohet edhe në nenin e 7 të marrëveshjes së Brukselit. Aty po ashtu kërkohet që palët të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe.

    Kryeministri Albin Kurti kishte thënë se një gjë të tillë tashmë e kishin sponsorizuar në projektligjin për lirinë fetare, duke garantuar se nuk bëhet fjalë për ekstraterritorialitet apo kompetenca speciale për kishat ortodokse.

    Megjithatë, të martën Blloku 27 anëtaresh insistoi në miratim sa më parë të Ligjit për liritë fetare.

    “Ky ligj është në interes të të gjitha komuniteteve dhe ftojmë deputetët e Kuvendit që të mbështesin miratimin e ligjit”, tha Anita Hipper, zëdhënësja e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri.

    Në Kosovë, bashkësitë fetare rregullohen me një ligj i cili ishte miratuar në vitin 2006. Edhe në legjislaturat e kaluara ishte tentuar të miratohej një ligj i ri, por që pa sukses për shkak i mungesës së votave.

  • PDK-ja hap fushatën zgjedhore me 11 janar në Prishtinë

    PDK-ja hap fushatën zgjedhore me 11 janar në Prishtinë

    Përgatiti: Tringa Ismajli

    Mbi 1700 tubime elektorale, Partia Demokratike e Kosovës, ka planifikuar t’i mbajë gjatë fushatës zgjedhore.

    Këtë e bëri të ditur, Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Citaku, e cila mes tjerash edhe njëherë potencoi vizionin e partisë për zgjedhjet e shkurtit.

    Derisa tha se zyrtarisht fushata për PDK-në, fillon më 11 janar, Citaku tha se Blerand Stavileci është caktuar si zëdhënës zyrtar i fushatës, i mbështetur nga nënkryetarja Besianë Musmurati.
    Me këtë rast, Stavileci premtoi korrektësi për mediat.

    “Angazhimi ynë për transparencë dhe bashkëpunim me mediat do të jetë prioritet. Vlerësojmë lart rolin e gazetarëve në demokracinë tonë dhe premtojmë bashkëpunim të plotë gjatë gjithë fushatës”, tha zëdhënësi zyrtar i fushatës”, tha Stavileci.

    Partia Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e 9 shkurtit, garon me numrin 131, me kandidat për kryeministër, Bedri Hamza.

  • Qytetarët e painformuar për mënyrën e votimit me 9 shkurt

    Qytetarët e painformuar për mënyrën e votimit me 9 shkurt

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Data e zgjedhjeve po afrohet, por shumë qytetarë nuk e kanë ende të qartë mënyrën se si do të votojnë në këto zgjedhje.

    Madje edhe për mundësin e votimit të më shumë se 5 deputetëve, që është risi e këtyre zgjedhjeve thonë se nuk kanë njohuri.

    Megjithatë presin që informatat e tilla t’i marrin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

    Të paqartë mënyrën e votimit e kanë edhe qytetarët nga diaspora.

    Për shkak të ndryshimeve në ligjin për zgjedhje, kampanja informuese do të ishte dashur të niste që moti sipas ish-kryetari të KQZ-së, Mazllum Baraliu.

    Nga Komisioni Qendrore i Zgjedhjeve nuk treguan se kur pritet të nisin kampanjat informuese për mënyrën e votimit për zgjedhjet e rregullta paralamentare dhe as se sa buxhet është ndarë për to.

    Në zgjedhjet lokale të vitit 2021 afër 70 mijë fletëvotimeve ishin të pavlefshme dhe të zbrazëta.

  • Vetëm edhe një ish-ushtar i UÇK-së i ndaluar në Serbi

    Vetëm edhe një ish-ushtar i UÇK-së i ndaluar në Serbi

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Në mungesë të dëshmive, Gjykata e Lartë e Beogradit nuk arriti të ngre aktakuzë ndaj, Hasan Dakajt dhe Sadik Durakut, të cilët u liruan përfundimisht.

    Por, fatin e tyre, mund të mos e ketë edhe ish-ushtari tjetër i UÇK-së, Tefik Mustafa i cili është arrestuar në qershor të vitit 2024.

    Kjo pasi që, Gjykata e Lartë në Serbi, ka avancuar në procedurën ndaj tij.

    “Në portalin e Gjykatës, është dhënë njoftimi për ngritjen e aktakuzës ndaj Tefik mustafës. Është në fazën e konfirmimit. Mustafa akuzohet për krime lufte. Por, ndaj tij nuk ka filluar gjykimi”, tha Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

    Me ngritjen e kësaj aktakuzë, Tefik Mustafa, tani mbetet i vetmi ish-ushtar i-UÇK-së, i ndaluar në Serbi, përveç Nezir Mehmetajt ndaj të cilit ka vendim dënues.

    Për këto raste, njohës të çështjeve juridike, vlerësojnë se institucionet e vendit nuk po bëjnë mjaftueshëm.

    “Qeveria e Kosovës në rastin konkret të Hasan Dakajt u tregua neglizhente dhe passive”, tha Xhevdet Smakiqi, avokat.

    Në këtë drejtim, vlerësohet se të arrestuarit penalizohen nga një fakt.

    “Mungesa e bashkëpunimit juridik në mes Kosovës e Serbisë po vazhdon të krijojë probleme në trajtimin e këtyre rasteve”, tha Alija.

    Që nga viti 2019, Serbia i ka arrestuar 4 ish-ushtarë të UÇK-së.

  • Zgjedhjet, votimi me kusht do të bëhet vetëm në qendra të caktuara

    Zgjedhjet, votimi me kusht do të bëhet vetëm në qendra të caktuara

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Vetëm nga një qendër e votimit në secilin prej komunave, do të jetë në dispozicion për qytetarët që votojnë me kusht, në zgjedhjet e 9 shkurtit.

    Për dallim nga zgjedhjet e kaluara ku në secilin vendvotim u bë votimi i dyfishtë kësaj radhe me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme u ndryshua kjo procedurë.

    “Ky proces u mundësua në secilën qendër votimi në procese të kaluara zgjedhore, më çdo ka ekzistuar një vendvotim i dyfishtë ku qytetarët kanë votuar me kusht. Kështu nuk do të jetë më 9 shkurt ngase votimi do të jetë I mundur vetëm në qendra të caktuar të votimti. KQZ e ka miratuar nga një qendër enkas për votim me kusht”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

    Ndryshimi i kësaj procedure është mirëpritur nga shoqëria civile. Madje, sipas Eugen Cakollit nga KDI, ndryshimet e tilla duhet të shihen si tranzicion për ta larguar tërsisht votimin me kusht.

    “Votimi me kusht I ideuar si I tillë për shkak të zhvendosjes së qytetarëve, nuk ka qenë I nevojshëm tash e sa kohë, kemi vlerësuar pozitivisht ndryshimin, që të mos kemi afërsisht 1000 vendvotime sepse ka pasur vonesa në certifikimin e rezultateve por ka rritur edhe mundësinë e manipulimit nga komisioner të pa përgjegjshëm. Duhet të shihet si tranzicion drejt largimit të përgjithshëm të votimit me kusht”, tha Cakolli.

    Në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit të 2021-ës, ishin 18,571 vota me kusht.

    Ndërkaq, sipas KQZ-së janë mbi 2 milionë qytetarë me të drejtë vote për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, mirëpo lista finale e votuesve megjithatë nuk është pastruar.

  • Ndryshime nga Facebook, “Meta” i jep fund programit për kontrollimin e fakteve

    Ndryshime nga Facebook, “Meta” i jep fund programit për kontrollimin e fakteve

    Mark Zuckerberg ka njoftuar se Facebook do të tërheqë një numër të politikave të tij të censurës për t’u bërë një platformë e lirë së fjalës.

    Drejtori i Përgjithshëm i Meta-s tha se do të largojë kontrolluesit e fakteve të platformës së mediave sociale dhe do t’i zëvendësonte ato me një sistem shënimesh në komunitet të ngjashëm me atë të përdorur nga X, dikur Twitter.

    Duke filluar nga SHBA, Meta do të përfundojë programin e saj të kontrollit të fakteve me palë të treta të pavarura, raporton Associated Press.

    “Pra, ne do të kthehemi në rrënjët tona dhe do të fokusohemi në reduktimin e gabimeve, thjeshtimin e politikave tona dhe rivendosjen e shprehjes së lirë në platformat tona” u tha në njoftim.

    Meta tha se qasja e saj për ndërtimin e sistemeve komplekse për të menaxhuar përmbajtjen në platformat e saj ka “shkuar shumë larg” dhe ka bërë “shumë gabime” dhe ka censuruar shumë përmbajtje.

    Zuckerberg pranoi se ndryshimet janë shkaktuar pjesërisht nga fitorja e zgjedhjeve presidenciale të Donald Trump.

    Zuckerberg shtoi se kontrolluesit e fakteve “thjesht kanë qenë shumë të njëanshëm politikisht dhe kanë shkatërruar më shumë besim sesa kanë krijuar, veçanërisht në SHBA”.

  • Tre serbë dënohen me burgim të përjetshëm për vrasjen e veprimtarit Enver Hadri në Bruksel më 1990-ën

    Tre serbë dënohen me burgim të përjetshëm për vrasjen e veprimtarit Enver Hadri në Bruksel më 1990-ën

    Gjykata e Assizes e Brukselit dënoi me burgim të përjetshëm të mërkurën në mbrëmje tre autorët e vrasjes së veprimtarit të shquar shqiptar, Enver Hadrit.

    Të martën, Veselin Vukotic dhe Andrija Draskovic u shpallën fajtorë për ekzekutimin e krimit dhe Bozhidar Spacic u shpall fajtor për urdhërimin e tij, raporton The Brussels Times, përcjell Insajderi.

    Enver Hadri, kryetar i Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë, u vra në veturën e tij ndërsa ishte ndalur në semaforin e kuq në Saint-Gilles më 25 shkurt 1990.

    Veprimtari Enver Hadri

    Gjyqtarët profesionistë dhe të dymbëdhjetë juristët nuk kanë dhënë asnjë rrethanë lehtësuese për tre të dënuarit, duke i dënuar të gjithë me burgim të përjetshëm, dënimin maksimal.

    Më 25 shkurt 1990, rreth orës 16:00, Enver Hadri ishte në veturën e tij, ndaloi në semafor të kuq, kur pranë tij u ndal një automjet tjetër.

    Dritarja e pasagjerit të këtij automjeti ishte qëlluar, sipas disa dëshmitarëve. Enver Hadri, 49 vjeç atëbotë, u godit nga një plumb në kokë dhe vdiq.

    Hetimi, i cili zgjati disa vite, arriti në përfundimin se ishte një atentat politik, i urdhëruar nga shërbimet inteligjente të ish-Jugosllavisë, me ndihmën logjistike të botës së krimit të Beogradit.

  • Shiu ekstrem përmbyt Mekën

    Shiu ekstrem përmbyt Mekën

    Meka, qyteti më i shenjtë i Islamit, është goditur nga kushte ekstreme të motit.

    Pamjet që qarkullojnë në mediat sociale tregojnë lagje të tëra të përmbytura nga shiu i rëndë.

    Si pasojë raportohet se janë formuar zinxhirë njerëzorë për të shpëtuar fëmijët që ishin bllokuar nga përmbytjet në lagjen Al-Awali, në juglindje të Mekës.

    Në një tjetër video, një burrë është parë duke shkuar në ndihmë të një shoferi dorëzuesi, i cili ishte përmbysur nga uji i përmbytjeve dhe po luftonte të ngrihej.

  • Presidentja maqedonase përdorë veton ndaj Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve

    Presidentja maqedonase përdorë veton ndaj Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve

    Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Silanovska-Davkova, e ka ushtruar veton e saj të parë prej se u zgjodh në maj të vitit të kaluar, duke mos e dekretuar Ligjin për mbrojtjen e fëmijëve, i cili, ndër të tjera, parashikonte që licencat për kujdestarët e çerdheve të jenë edhe në gjuhën shqipe, përveç gjuhës maqedonase.

    Në një deklaratë për media të martën, ajo theksoi se vendimi për veton nuk synon “të fyejë asnjë gjuhë, apo të ndjekë këshilla partiake”, por, siç tha, të inkurajojë rishikimin e disa dispozitave të ligjit të lartpërmendur, veçanërisht të neneve 9 dhe 10.

    Me këto dy nene, ligji parashikon që përveç gjuhës maqedonase, në licenca të përfshihet edhe gjuha që flasin 20 për qind e qytetarëve.

    Silanovska në sqarimin e saj thotë se nenet e kontestuara 9 dhe 10 të këtij ligji duhet të rishqyrtohen në prizmin e amendamentit pesë të Kushtetutës dhe Ligjit ekzistues për përdorimin e gjuhëve, i cili aktualisht është i kontestuar në Gjykatën Kushtetuese.

    “Vetëm bëra thirrje që nenet 9 dhe 10 të rishqyrtohen edhe një herë dhe të rishikohet nëse kjo mënyrë e marrjes dhe pajisjes me licencë nuk do të sjellë hapësirë për autorizim diskrecional. Unë nuk jam e njëanshme, por partitë që kërkojnë kualifikime janë”, tha Siljanovska-Davkova.

    Kryeministri, Hristijan Mickoski, në anën tjetër, siguroi se dispozitat e kontestuara nga presidentja do të korrigjohen, dhe të njëjtat do të rikthehen për procedurë në Kuvend.

    “Mendoj se është rutinë dhe formalitet. Do të korrigjohen dhe do të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për Gjuhët, do të kthehen përsëri në procedurë parlamentare dhe pres miratimin e suksesshëm të këtij ligji”, tha Mickoski të martën.

    Mickoski rikujtoi se gjuha zyrtare në të gjithë territorin e shtetit është gjuha maqedonase, duke shtuar se ata që dëshirojnë që formularët për provimin dhe licencën të lëshohen edhe në gjuhën shqipe, do të kenë këtë të drejtë.

    Çka është Ligji për mbrojtjen e fëmijëve?
    Me këtë ligj, i kaluar së voni në Kuvend, rregullohet sistemi dhe organizimi i mbrojtjes së fëmijëve, dhe realizohet përmes sigurimit të të drejtave të caktuara, mjeteve dhe formave për mbrojtjen e fëmijëve.

    Ndryshimet në Ligjin për mbrojtjen e fëmijëve u miratua më 24 dhjetor të vitit të kaluar, me shumicë të dyfishtë. Për votuan gjithsej 63 deputetë dhe kundër 14.

    Për veton e presidentes ndaj këtij ligji, opinioni e mësoi përmes reagimeve të opozitës, konkretisht LSDM-së dhe partisë shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI).

    Të parët e mirëpritën vendimin, ndërsa të dytët e vlerësuan si sulm të hapur ndaj gjuhës shqipe.

    “E mirëpresim mosnënshkrimin e dekretit nga presidentja e vendit, Gordana Siljanovska Davkova. Kërkojmë nga Qeveria të tërhiqet nga synimet e saj për shkak të dispozitave kontradiktore. Neni 9 dhe neni 10 i Projektligjit për ndryshime të propozuara nga Qeveria nënkuptojnë futjen e licencave dygjuhëshe në fushën e mbrojtjes së fëmijëve. Është e diskutueshme që ky segment rregullohet me një ligj tjetër që rregullon përdorimin e gjuhëve, si dhe me Kushtetutën e vendit”, thanë të dielën nëpërmjet një komunikate nga LSDM.

    Por, BDI-ja tha se dënon “ashpër veton skandaloze” të presidentes Gordana Silanovska-Davkova ndaj dygjuhësisë.

    “Ky nuk është një veprim i izoluar, por një strategji qartësisht e koordinuar. Fillimisht, lideri i VLEN-it, Afrim Gashi, doli me një deklaratë për të përgatitur opinionin kundër gjuhës shqipe dhe për të krijuar një alibi për këtë lëvizje, e menjëherë pas kësaj, nacionalizmi i tërbuar antishqiptar u aktivizuan për të mohuar dhe sulmuar gjithçka shqiptare”, thanë nga BDI.

    Presidentja Gordana Silanovska-Davkova më 31 dhjetor i kishte dërguar njoftim kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi se nuk do ta nënshkruajë dekretin për Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve, pasi sipas saj, amendamentet e votuara përmbajnë disa dispozita kontroverse.

    Kjo i referohet amendamenteve për licencat në dy gjuhë.

    Davkova kishte thënë se nenet e parashikuara të ligjit duhet të rishqyrtohen në prizmin e amendamentit 5 të Kushtetutës dhe ligjit ekzistues për përdorimin e gjuhëve.

    “Ju rikujtoj se mënyra e përdorimit të gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj cirilik, dhe gjuha që flasin së paku 20% e qytetarëve dhe shkrimi i saj tashmë janë të rregulluara me ligj”, thuhet në sqarimin e Silanovskës.

    Nga koalicioni i partive shqiptare, VLEN, pjesë e Qeverisë, nuk kanë dalë ende me një qëndrim të përbashkët për çështjen e ndryshimeve në Ligjin për mbrojtjen e fëmijëve.

    Megjithatë, zëvendëskryeministri Arben Fetai, përfaqësues i VLEN-it, në një deklaratë, të dhënë të hënën, siguroi se licencat “do të jenë edhe në gjuhën shqipe”.

    Sipas Ligjit, nëse presidentja vendos mos të nënshkruajë dekretin për shpalljen e ligjit, Kuvendi e rishqyrton ligjin në përputhje me Rregulloren e Punës, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të tij.

    Gjatë rishqyrtimit të ligjit, amendamentet mund të sillen vetëm në lidhje me nënshkrimin e presidentit të shtetit.

    Nëse gjatë rishqyrtimit Kuvendi e miraton ligjin me së paku 61 vota, kryetarja Silanovska-Davkova është e obliguar ta nënshkruajë dekretin për shpalljen e tij.

    Ligji për mbrojtjen e fëmijëve tani pritet të përpunohet dhe do t’i dorëzohet Kuvendit përsëri./REL