ATV

Category: Lajme

  • Shkon në 126 numri i viktimave të tërmetit në Tibet

    Shkon në 126 numri i viktimave të tërmetit në Tibet

    Ka shkuar në 126 numri i viktimave të tërmetit në Tibet, derisa sipas mediave kineze nga ky tërmet janë lënduar 188 persona.

    Punonjësit e shpëtimit po vazhdojnë të kërkojnë për të mbijetuar, pas këtij tërmeti nga i cili u dëmtuar më shumë se 1 mijë ndërtesa.

    Tërmetet janë të zakonshëm në këtë pjesë, por ky i sotmi ishte një nga më vdekjeprurësit në vitet e fundit, raporton BBC.

    Tërmeti me magnitudë 7.1 ballësh i cili goditi në një thellësi prej 10 kilometrash, sipas të dhënave nga Shërbimi Gjeologjik i ShBA-së, u ndje edhe në Nepal dhe në disa pjesë të Indisë.

    Fillimisht mediat kineze raportuan se tërmeti kishte një magnitudë pak më të vogël prej 6.8 ballësh dhe sipas këtyre raportimeve, lëkundjet kishin shkaktuar dëme në më shumë se 1 mijë shtëpi.

  • Kurti uron Krishtlindjen ortodokse: Është kohë e shpresës, mirënjohjes dhe mirësisë

    Kurti uron Krishtlindjen ortodokse: Është kohë e shpresës, mirënjohjes dhe mirësisë

    Kryeministri Albin Kurti ka uruar besimtarët ortodoksë për Krishtlindje në gjuhën shqipe dhe atë serbe.

    Kurti në urim tha se kjo festë është kohë e shpresës dhe e mirësisë.

    Besimtarët ortodoksë më herët i ka uruar edhe Presidentja Vjosa Osmani.

    Postimi i plotë i Kurtit: Krishtlindja është kohë e shpresës, mirënjohjes dhe mirësisë. Në këtë ditë të veçantë i dërgoj urimet më të mira për të gjithë bashkëqytetarët tanë nga komuniteti serb të besimit ortodoks që festojnë sot.

    Gëzuar Krishtlindjen! Ju dëshiroj paqe dhe gëzim.

  • Sorensen dhe Haavisto, kandidatët e vetëm për pasardhës të Lajçakut për dialogun

    Sorensen dhe Haavisto, kandidatët e vetëm për pasardhës të Lajçakut për dialogun

    Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian (BE) për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, do të duhet të vendosë këto ditë në mes të dy kandidatëve për pasardhësin e Miroslav Lajçakut në postin të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

    Radio Evropa e Lirë mëson se diplomati nga Danimarka, Peter Sorensen, dhe ish-ministri i Jashtëm i Finlandës, Pekka Haavisto, janë të vetmit kandidatë të cilët janë paraqitur për këtë rol deri të premten e kaluar, kur edhe skadoi afati për dorëzimin e aplikimeve.

    Ndërkohë, në BE nuk japin ndonjë hollësi për këtë dhe vetëm konfirmojnë se “procesi i zgjedhjes është në vazhdim e sipër”.

    “Mandate i përfaqësuesit të lartë Miroslav Lajçak mbetet në fuqi deri në fund të janarit. Zgjedhja e pasardhësit të tij është momentalisht në vazhdim e sipër dhe në do të japim njoftime të reja me kohë”, ka thënë Annita Hipper, zëdhënëse e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri.

    Fotografi në një nga takimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.

    Nëse BE-ja dëshiron të sigurojë që të mos ketë vakum, atëherë procedura e caktimit të dërguarit të ri të posaçëm për dialogun, do të duhej të përmbyllej para fundit të këtij muaji, kur Lajçakut do t’i përfundojë mandati zyrtarisht.

    Por, përveç vendimit të përfaqësueses së lartë Kallas për emërimin e pasardhësit të Lajçakut, duhet të pajtohen edhe vendet anëtare të BE-së. Grupet punuese në Këshillin e BE-së janë duke u marr me këtë çështje tani.

    Burimet diplomatike në Bruksel i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se, që të dy kandidatët, do të konsideroheshin si një zgjedhje e duhur, por mes tyre ka disa dallime.

    Këto burime thonë se, nëse Kallas do të vendose të ketë në atë postë një person me një peshë më të madhe politike, atëherë përparësi do të kishte ish-ministri i Jashtëm i Finlandës, Pekka Haavisto. Edhe në rastin kur Lajçak kur ishte zgjedhur në këtë postë para pesë vjetësh, si përparësi ishte përmendur fakti se ai kishte qenë ministër i Jashtëm i një vendi anëtar të bllokut.

    Por, në anën tjetër, thonë këto burime, nëse Kallas dëshiron që vetë të merret më shumë më procesin e dialogut në aspektin politikë, atëherë Sorensen konsiderohet si kandidat më i përshtatshëm, sepse ka shumë vite që punon në strukturat e Shërbimit të Vlerësimi të Jashtëm të BE-së (EEAS) dhe mbi vete do të merrte më shumë ndërmjetësimin në çështjet teknike në dialog.

    Kaja Kallas gjatë takimeve të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Burimet diplomatike nga vendet anëtare të BE-së vlerësojnë se Sorensen ka pak më shumë gjasa sesa Haavisto.

    Kush janë Peter Sorensen dhe Pekka Haavisto?
    Si Sorensen, ashtu edhe Haavisto kanë përvojë dhe njohuri rreth Ballkanit Perëndimor.

    Peter Sorensen nga Danimarka, ka më shumë përvojë diplomatike në strukturat e Bashkimit Evropian sesa karrierë politike në vendin e tij.

    Në Kosovë, Haavisto ka qenë nënkryetar i “Shtyllës IV” (Rindërtimi dhe Zhvillimi Ekonomik) të Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), nga viti 2002 deri në vitin 2006, si dhe këshilltar i lartë i përfaqësuesit të Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë nga viti 2001 deri më 2002.

    Ai ka mbi 15 vjet përvojë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

    Gjatë karrierës së tij diplomatike në BE, Sorensen ka shërbyer si përfaqësues i posaçëm i BE-së për Bosnje e Hercegovinë dhe shef i zyrës së BE-së në Sarajevë, ndërsa ka qenë edhe përfaqësues special i përfaqësuesit të lartë të BE-së në Serbi. Në rajonin e Ballkanit ka punuar edhe në misionin e OSBE-së në Kroaci.

    Po ashtu ka qenë edhe shef i delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup.

    Ai aktualisht është këshilltar në EEAS për diplomaci digjitale.

    Në anën tjetër, Pekka Haavisto ka qenë ministër i jashtëm i Finlandës. Në atë cilësi ai e kishte vizituar edhe Kosovën edhe Serbinë.

    Haavisto ka mbështetur fuqishëm procesin e dialogut dhe ka kritikuar Serbinë për lobimin kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës, ndërsa Kosovën e ka kritikuar kur kishte vendosur tarifa ndaj importit të mallrave nga Serbia vite më parë.

    Si ministër i Jashtëm i Finlandës, Haavisto ka qenë mbështetës i madh i procesit të zgjerimit të BE-së dhe avancimit të raporteve me vendet e Ballkanit Perëndimor.

    Haavisto, në kohën e pas luftës në Kosovë, ka punuar edhe në strukturat a Administratës së UNMIKU-ut, që janë marrë me pasojat ekologjike pas luftës. Ai ka garuar tri herë në zgjedhjet për president të Finlandës. Gjithmonë ka përfunduar në pozitën e dytë. Haavisto në karrierën e tij politike ka qenë edhe ministër i Mjedisit i Finlandës.

    Roli i të dërguarit të posaçëm
    Burimet diplomatike të BE-së thonë se pritet që pasardhësi i Lajçakut të jetë vetëm i dërguar i posaçëm për dialog mes Kosovës dhe Serbisë dhe të mos ketë detyrime tjera lidhur me rajonin e Ballkanit Perëndimor.

    Lajçak në titullin e tij ka edhe detyrat për “çështje tjera rajonale” përveç angazhimit si lehtësues në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

    Për këtë rol më herët është përmendur edhe emri i ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Sllovenisë, Borut Pahor.

    Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell (majtas), dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para takimit në Bruksel, më 26 qershor 2024.

    Pahor gjatë verës vet e kishte konfirmuar se ishte i interesuar për këtë postë dhe e kishte edhe mbështetjen e Qeverisë së vendimit të tij. Por, ai njoftoi të premten se ai nuk do të garonte për të dërguar të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, pasi ka kuptuar se kërkohet më shumë një nivel diplomatikë sesa politikë.

    Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është duke u zhvilluar me lehtësimin e Bashkimit Evropian për më shumë se 13 vjet.

    BE-ja vazhdon të ngul këmbë se zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura deri tani është detyrim për Kosovën dhe Serbinë, dhe se ky mbetet edhe kusht për avancimin e tyre në procesin e integrimeve evropian.

    Burimet diplomatike në BE thonë se ky qëndrim i BE-së nuk do të ndryshojë as në të ardhmen, pa marrë parasysh se kush do të jetë lehtësues në dialog./rel

  • Komanda Evropiane e ushtrisë amerikane publikon pamjet: ShBA-ja e zdrit qiellin mbi Bondsteel

    Komanda Evropiane e ushtrisë amerikane publikon pamjet: ShBA-ja e zdrit qiellin mbi Bondsteel

    Komanda Evropiane e ushtrisë amerikane ka publikuar pamje nga një trajnim i realizuar në kampin Bondsteel në Kosovë.

    Në fotografinë e publikuar në llogarinë zyrtare të komandës në rrjetin social X, thuhet:

    “Drita të ndritshme dhe gjëra që bëjnë BOOM. Garda Kombëtare e Idahos mbi Kampin Bondsteel, Kosovë”.

    Ndryshe, misioni i NATO-s në Kosovë dha detaje para pak ditësh mbi këtë ushtrim.

    “Ushtarët e Ushtrisë Amerikane të caktuar në Komandën Rajonale të Task Forcës Lindore të Aviacionit të misionit KFOR të udhëhequr nga NATO kryen trajnime për të marrë përvojë në gjuajtjet me flakë nga një avion në Kampin Bondsteel, Kosovë” – thuhej në një njoftim.

  • ​Hashim Thaçi deklarohet i pafajshëm për akuzat që lidhen me pengim të drejtësisë

    ​Hashim Thaçi deklarohet i pafajshëm për akuzat që lidhen me pengim të drejtësisë

    Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzat kundër administrimit të drejtësisë, njoftoi më 7 janar Gjykata Speciale në Hagë.

    Deklarimin, Thaçi e ka bërë në formë të shkruar të hënën, më 6 janar.

    “Pas ftesës së gjykatëses së procedurës paraprake në konferencën për ecurinë e çështjes më 17 dhjetor, Hashim Thaçi u deklarua lidhur me fajësinë në formë të shkruar më 6 janar 2025. Ai u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, të njohura si Gjykatë Speciale.

    Thaçi po akuzohet për herë të dytë nga Prokuroria e Specializuar në Hagë. ZPS-ja e ngarkon atë me vepra që lidhen me ndikimin në dëshmitarë – derisa ai ndodhet në një proces të tejzgjatur gjyqësor për krime të pretenduara të luftës.

    Më 6 dhjetor 2024, Specialja konfirmoi aktakuzë të re kundër Thaçit, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe ish-pjesëtarit të UÇK-së Fadil Fazliut.

    Bëhet fjalë për vepra penale që lidhen me pretendime për “të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve” në rastin gjyqësor “Thaçi dhe të tjerët”.

    Dy javë më parë, derisa ka folur në gjykatoren e Hagës, Thaçi ka kërkuar respektim të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

    “Dëshiroj të ritheksoj dhe nënvizoj domosdoshmërinë e respektimit të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës në këtë sallë. Mosrespektimi i ligjeve të Kosovës dhe normave të tjera ligjore nga palët, në këtë sallë të shenjtë për drejtësinë, paraqet rrezik për minimin e demokracisë në Kosovë, paraqet rrezik për cenimin e besimit qytetar, prandaj ftoj që të ruhet vetëpërmbajtja institucionale nga të gjithë edhe në këtë sallë”, tha Thaci në konferencën mbi ecurinë e çështjes më 18 dhjetor.

    Thaçi tha se ai nuk paraqet rrezik në kuptimin politik e as “për ndonjë projekt qeveritar”.

    “Ju e dini para katër vitesh, në nëntor 2020 u ngrit aktakuzë kundër meje vetëm tre muaj para se të rizgjedhësha president i vendit. Tash, para dhjetë ditësh, nxitimthi, Zyra e Prokurorit prezantoi aktakuzë shtesë vetëm dy muaj para zgjedhjeve parlamentare në Kosovë. Dua të sqaroj edhe njëherë, nuk jam pjesë e garës politike e as nuk kam ndonjë ambicie politike as për president as për kryeministër e as për deputet, e as ndonjë ambicie tjetër për pozitë publike. E ritheksoj se nuk jam pengesë e as nuk paraqes rrezik për askënd në kuptimin politik e as për ndonjë projekt qeverisës”, tha Thaçi.

    Aktakuza e re vjen ndërkohë që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi kanë hyrë në vitin e pestë që ndodhen në paraburgim nën pretendimet për krime lufte.

    Ndaj tyre po zhvillohet një proces gjyqësor që aktualisht ndodhet në fazën e paraqitjes së provave nga ana e ZPS-së. Çështja e prokurorisë pritet të mbyllet në pranverën e këtij viti, për t’i hapur rrugë çështjes së mbrojtjes.

  • ShBA-ja raporton rastin e parë të vdekjes nga gripi i shpezëve

    ShBA-ja raporton rastin e parë të vdekjes nga gripi i shpezëve

    Një person në Luiziana, i cili ishte shtruar në spital me simptoma të rënda respiratore, ka vdekur të hënën, duke u bërë personi i parë që vdes nga gripi i shpezëve në Shtetet e Bashkuara.

    Zyrtarët shëndetësorë në këtë shtet njoftuan për vdekjen e këtij personi të hënën, ndërsa Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve konfirmoi se ky është rasti i parë i vdekjes nga gripi i shpezëve.

    Zyrtarët shëndetësorë kanë thënë se personi ishte mbi 65-vjeçar, kishte probleme të mëparshme shëndetësore dhe kishte qenë në kontakt me shpezë të sëmurë dhe të vdekur në një tufë shpendësh në oborrin e tij. Ata gjithashtu thanë se analiza gjenetike tregoi se virusi i gripit të shpezëve kishte pësuar mutacion brenda pacientit, çka mund të ketë çuar në një sëmundje më të rëndë.

    Ata nuk kanë dhënë hollësi të tjerë rreth këtij personi.

    Që nga muaji mars, janë raportuar 66 infeksione të konfirmuara me gripin e shpezëve në SHBA, por sëmundjet e mëparshme kanë qenë të lehta dhe shumica e rasteve janë zbuluar mes punonjësve të fermave të ekspozuar ndaj shpezëve të sëmura ose lopëve të qumështit.

    Një vdekje nga gripi i shpezëve nuk ishte e papritur, thanë ekspertët e virusit. Ka pasur më shumë se 950 infeksione të konfirmuara me gripin e shpezëve në mbarë botën që nga viti 2003, dhe më shumë se 460 nga këta njerëz kanë vdekur, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

    Virusi i gripit të shpezëve “është një kërcënim serioz dhe historikisht ka qenë një virus vdekjeprurës”, tha Jennifer Nuzzo, drejtoreshë e Qendrës për Pandemitë në Shkollën e Shëndetit Publik në Universitetin Broën.

    Në një komunikatë, zyrtarët e përshkruan vdekjen në Luiziana si tragjike, por gjithashtu thanë se “nuk ka ndryshime virologjike shqetësuese që po përhapen aktivisht te shpezët e egra, shpezët e fermave ose lopët që do të rrisnin rrezikun për shëndetin e njeriut”.

    Në dy nga rastet e fundit në SHBA – një i rritur në Misuri dhe një fëmijë në Kaliforni – zyrtarët shëndetësorë nuk kanë arritur të përcaktojnë se si ata e morën virusin. Origjina e infeksionit të personit në Luiziana nuk është konsideruar mister. Por, ky ishte rasti i parë i infektimit të njeriut në SHBA që lidhet me ekspozimin ndaj shpezëve në oborr, sipas tyre.

    Gripi i shpezëve H5N1 përhapet gjerësisht te shpezët e egra, shpezët e fermave, lopët dhe kafshë të tjera. Prania e tij e madhe në mjedis rrit mundësinë që njerëzit të ekspozohen dhe potencialisht të infektohen, kanë thënë zyrtarët.

    Zyrtarët vazhdojnë të këshillojnë ata që kanë kontakt me shpezë të sëmura ose të vdekura, të marrin masa paraprake, përfshirë përdorimin e mbrojtjes respiratore dhe syze mbrojtëse dhe doreza kur trajtojnë shpezët./REL

  • Meta deklarohet publikisht pas intervistimit në SPAK: Ishte një seancë me pyetje reciproke

    Meta deklarohet publikisht pas intervistimit në SPAK: Ishte një seancë me pyetje reciproke

    Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka dhënë detaje nga intervistimi i tij i sotëm nga SPAK.

    Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ai ka falënderuar mediat që e njoftuan për zhvillimin e paraparë të sotëm, ndërsa shton se SPAK ishin të interesuar për çështjen e lobimeve.

    “Dua t’ju siguroj se kam dhënë sqarime shumë të qarta, me sjelljen time tepër transparente, për të gjitha pyetjet që m’u drejtuan, duke sqaruar edhe njëherë në respektin tim të plotë ndaj të gjitha ligjeve shqiptare dhe amerikane për çështjen e lobimit”, shkruhet në postim.

    Postimi i plotë:

    Falenderoj mediat që më njoftuan dje se do të thirresha sot në SPAK, pasi ende nuk kam një dokument zyrtar njoftimi për t’u paraqitur.

    Megjithatë, unë isha sot i gatshëm të shkoja në seancë, që në ora 10:00, siç u bë njoftimi vetëm nga mediat dhe vonesa ndodhi vetëm për shkak të SPAK.

    U kërkoj ndjesë gazetarëve që nuk m’u dha leja që kërkova, që edhe me pranga dhe i shoqëruar, t’u përgjigjesha çdo pyetje të tyre.

    Dua t’ju siguroj se kam dhënë sqarime shumë të qarta, me sjelljen time tepër transparente, për të gjitha pyetjet që m’u drejtuan, duke sqaruar edhe njëherë në respektin tim të plotë ndaj të gjitha ligjeve shqiptare dhe amerikane për çështjen e lobimit.

    Por më lejoni t’ju sqaroj se ishte një seancë me pyetje reciproke, ne ju përgjigjëm të gjitha pyetjeve të tyre, ata ju shmangën “për moskompetencë” pyetjeve tona.

    Pyetja jonë e parë ishte se çfarë bëhet me kallëzimin tonë të dorëzuar më 6 dhjetor në SPAK lidhur me rrëmbimin kriminal dhe banditesk.

    Meqënëse ata ishin të interesuar për çështjen e lobimeve, pasi ju përgjigja të gjitha pyetjeve të tyre, si President i Partisë së Lirisë, forcës së dytë opozitare në vend, u bëra unë dy pyetje që kanë të bëjnë me interesin e lartë publik, konkretisht me çështjen e lobimeve të paligjshme.

    Së pari, çfarë bëhet me hetimin e çështjes McGonigal, kryeagjentit të FBI të dënuar me burg për shkak të korruptimit nga kryekorruptuesi i ndërkombëtarëve, aktualisht Kryeministër?

    Së dyti, çfarë bëhet me hetimin për fotografinë e paligjshme me Presidentin Obama të “Gruas së Bilalit” për të cilën një shtetas shqiptaro-amerikan ka bërë burg në Shtetet e Bashkuara të Amerikës?

  • BE-ja i bën thirrje Kuvendit të Kosovës për miratimin e Projektligjit përmes së cilit rregullohet statusi i Kishës Ortodokse Serbe

    BE-ja i bën thirrje Kuvendit të Kosovës për miratimin e Projektligjit përmes së cilit rregullohet statusi i Kishës Ortodokse Serbe

    Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Kosovës për miratimin e Projektligjit për Lirinë fetare përmes së cilit pritet të definohet statusi për Kishën Ortodokse Serbe.

    Zëdhënësja e BE-së, Anitta Hipper, në konferencën e sotme për media tha se miratimi i këtij ligji në Kuvendin e Kosovës është në interes të të gjitha komuniteteve në Kosovë kur u pyet mbi statusin e Kishës Serbe.

    “Dhe për projektligjin e Kishës Ortodokse Serbe, ne bëjmë thirrje për miratimin e Ligjit për Lirinë Fetare. Ky ligj është në interes të të gjitha komuniteteve dhe ftojmë deputetët e Kuvendit që të mbështesin miratimin e ligjit”, tha ajo.

    Kosova dhe Serbia në Marrëveshjen e Ohrit janë dakorduar që të palët të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe.

    “Palët do të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese europiane”, thuhet ndër të tjera në Nenin 7 të marrëveshjes së 27 shkurtit 2023.

    Për këtë çështje në mars të 2023-ës kishte folur kryeparlamentari Glauk Konjufca ku kishte thënë se Kisha Ortodokse Serbe nuk mund të bëhet me status special.

    Ai kishte thënë se shteti sekular i Kosovës e ka “distancën e barabartë ndaj çdo bashkësie fetare në Kosovë”, përfshirë edhe atë ortodokse.

    “Është larg barabartë të gjithave njëjtë. Kisha ortodokse tash nuk mundet me kërku për një status special në shtetin e Kosovës, ku ne e nënshkruajmë atë”.

    Megjithatë, Konjufca kishte thënë se “statusin do ta definojmë se i mungon”.

  • Jasharaj: Kurti e Nagavci nuk e “çajnë kokën” për sistemin e arsimit

    Jasharaj: Kurti e Nagavci nuk e “çajnë kokën” për sistemin e arsimit

    Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit të Kosovës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka shprehur shqetësim për sektorin e arsimit, duke theksuar se sindikata po kalon në një situatë shumë të keqe.

    Jasharaj thotë se pas protestës së fundit, ata angazhuan një ndërmjetësues ligjor për të mundësuar një dialog me Ministrinë e Arsimit, me qëllim që të shqyrtohen kërkesat e SBASHK-ut lidhur me kontratën kolektive.

    “Jemi në një situatë shumë të keqe. Pas protestës së fundit e angazhuam ndërmjetësuesin ligjor që të vë komunikim të mundësoj dialog me ministrinë e Arsimit me kërkesa të thjeshta sipas Kontratës Kolektive, në mënyrë SBASHK-u të jetë i përfaqësuar edhe në këshillin shtetërorë licensor siç ka qenë gjithmonë se atje po ndodhin gjëra dhe ne s’kemi informatë”.

    Sipas Jasharajt, ndërmjetësuesi ligjor nuk ka marrë ende asnjë përgjigje nga Ministria.

    Ai akuzoi Ministrinë e Arsimit dhe Qeverinë për mungesë angazhimi dhe përkundër kërkesave të sindikatës, për të mos treguar interes për të zhvilluar dialog dhe për të përmirësuar sistemin arsimor.

    “Ndërmjetësuesi ka pritur afatin ligjor dhe nuk ka marrë asnjë përgjigje. Ministria bashkë me Qeverinë janë kundër dialogut dhe nuk çajnë kokën për sistemin arsimor”, u shpreh Jasharaj për “Front Online”.

  • Petkoviq e sulmon Bislimin: Vjen gjithmonë vetëm në Bruksel, në tavolinë bën sikur i di të gjitha

    Petkoviq e sulmon Bislimin: Vjen gjithmonë vetëm në Bruksel, në tavolinë bën sikur i di të gjitha

    Kreu i ekipit negociator të Serbisë, Petar Petkovic, në një intervistë për TV pink ka folur për negociatat e Brukselit.

    Ai ka thënë se kreu i ekipit negociator të Kosovës, Besnik Bislimi, gjithmonë paraqitet i vetëm në tryezën e bisedimeve në Bruksel dhe sipas Petkovic “ ai bën sikur i di të gjitha”.

    Petkovic ka thënë se Republika e Kosovës është e interesuar vetëm për njohjen nga ana e Serbisë, megjithatë sipas tij sa të është Vuçiq president, diçka e tillë s’do të ndodhë kurrë.

    “Negociatori i tyre vjen pothuajse gjithmonë i vetëm dhe paraqitet si një shumëfunksional që mendon se di gjithçka, por në të vërtetë e vetmja gjë që bën është sabotimi i dialogut. Prishtina nuk dëshiron asnjë lloj normalizimi të marrëdhënieve; e vetmja gjë që intereson regjimin e Kurtit është njohja nga ana e Beogradit, por kjo nuk do të ndodhë kurrë, për sa kohë që Serbinë e udhëheq presidenti Aleksandar Vuçiq”, ka thënë Petkoviq në një intervistë në TV PINK.