ATV

Category: Lajme

  • Shkojnë mërgimtarët, s’ka më pritje në pikat kufitare

    Shkojnë mërgimtarët, s’ka më pritje në pikat kufitare

    Mëngjesin e sotëm nuk ka pritje në pikëkalimet kufitare.

    Sipas përditësimit të fundit nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, pritjet për dalje nga Kosova nuk janë më shumë se 5 minuta.

    Gjatë ditëve të fundit udhëtarët u përballën me pritje deri në gjashtë orë në Merdar, e pritje të gjata kishte edhe në pikat e tjera kufitare, si Dheu i Bardhë e Jarinjë.

    Sa i përket gjendjes së rrugëve në pikëkalimet kufitare, nga QKMK-ja bëhet e ditur se të gjitha janë të kalueshme, nuk ka akull e as dëborë, por që rekomandohet bartja e pajisjeve dimërore për automjetet e rënda.

  • Lista Srpska: Kurti hodhi 80 punëtorë në rrugë për fushatë zgjedhore

    Lista Srpska: Kurti hodhi 80 punëtorë në rrugë për fushatë zgjedhore

    Policia e Kosovës sot mbylli një objekt të strukturave paralele serbe në veri të vendit, i cili shërbente si zyrë tatimore, degë e Ministrisë së Financave të Serbisë.

    Në një përgjigje për Gazetën Express, zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, më herët tha se njerëzit që kanë qenë aty janë larguar, por se nuk ka pasë arrestime.

    “Rreth orës 09:00 kemi hyrë në këtë ndërtesë, e cila sipas informacioneve tona, ka funksionuar si zyre tatimore (si degë e Ministrisë së Financave të Serbisë). Në këtë vend kemi hasur në prova që e vërtetojnë dyshimin tonë dhe pas konsultimit me Prokuror, njerëzit që janë has aty janë largu nga ai vend dhe ajo ndërtesë është mbyllë deri në verifikim të plotë të fakteve”, ka thënë ai.

    Për mbylljen e këtij objekti ka reaguar partia Lista Srpska, e cila pretendoi se Administrata Tatimore, siç iu referua, u mbyll “dhunshëm dhe ilegalisht”.

    Kjo parti ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se po e bën për fushatë zgjedhore.

    “Duke mbyllur ilegalisht dhe dhunshëm Administratën Tatimore në Mitrovicën e Kosovës dhe duke hedhur në rrugë 80 punëtorë serbë, Albin Kurti vazhdoi fushatën e tij zgjedhore, të cilën e zhvillon ekskluzivisht pas shpinës së popullit serb, sepse nuk ka çfarë t’u ofrojë votuesve të tij”.

    Gjithashtu, Lista Srpska pretendoi se “ka keqtrajtim të njerëzve që kanë kaluar gjithë jetën e tyre të punës në këtë godinë dhe i kanë shërbyer të gjitha komuniteteve pa përjashtim”.

    “Tashmë sot do të takohemi me punonjësit e prekur të Administratës Tatimore dhe do të diskutojmë me ta të gjitha llojet e ndihmës dhe mbështetjes dhe do t’u përcjellim mesazhin se asnjëri prej tyre nuk do të mbetet pa të ardhurat dhe se ekzistenca e tyre do të jetë e sigurt. Kurti, me njësitë e tij policore dhe ministrat e bindur si Nenad Rashiq, pushton dhe grabit ndërtesat dhe objektet serbe me dhunë, ai nuk mund ta detyrojë popullin serb të largohet nga vatrat e tij shekullore dhe as të pengojë ne dhe shtetin e Serbisë që të ndihmojmë popullin tonë”.

    Policia po e heton këtë rast si falsifikim i dokumenteve.

  • ​IPK-ja rekomandon masa ndaj një koloneli dhe një majori

    ​IPK-ja rekomandon masa ndaj një koloneli dhe një majori

    Inspektorati Policor i Kosovës njofton se ka rekomanduar suspendimin e një koloneli policor si dhe ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj një majori, nën dyshimin për pjesëmarrje në tubime të natyrës politike.

    Sipas njoftimit, veprimi është ndërmarrë pas publikimit të shkrimeve në media për pjesëmarrje të zyrtarëve policorë në tubime të natyrës politike.

    “Duke u bazuar në rëndësinë e jashtëzakonshme të një institucioni policor të pavarur dhe të pandikuar politikisht, IPK bën thirrje publike për të gjithë zyrtarët policorë që të qëndrojnë të paanshëm dhe larg aktiviteteve politike apo tubimeve parazgjedhore”, thuhet në njoftim.

    IPK-ja thotë se çdo përfshirje “apo perceptim i përfshirjes së zyrtarëve policorë në aktivitete politike mund të dëmtojë besimin e publikut në këtë institucion jetik”./kp

  • Punësimet në KEK, Bajrami: Kurti po keqpërdor ndërmarrjet publike për blerje votash

    Punësimet në KEK, Bajrami: Kurti po keqpërdor ndërmarrjet publike për blerje votash

    Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se Kryeministri Albin Kurti po keqpërdor ndërmarrjet publike për blerje votash.

    Bajrami ka thënë se shpërndarja e kartelave nga Kurti për 220 punëtorët që u punësuan në KEK këtë javë, është përpjekje e pastër për të fituar mbështetje elektorale, siç ka thënë, me metoda të paligjshme.

    Bajrami ka përmendur edhe paralajmërimin e Drejtorit të SHSKUK-së për hapjen e një konkursi për 370 pozita, që janë me ushtrues detyre qe 10 vjet. Ajo ka ngritur dyshime se pse këto pozita po shpallen në prag të zgjedhjeve.

    “Gjithashtu, është e kuptueshme që edhe sikur konkursi të hapet sot, si proces nuk do të përfundojë para datës 9 shkurt. Pra, është manipulim dhe maltretim i qytetarëve për të ju marrë votën”, ka shkruar mes tjerash Bajrami.

  • Policia kryen bastisje në veri, mbyllë një zyre tatimore që operonte ilegalisht

    Policia kryen bastisje në veri, mbyllë një zyre tatimore që operonte ilegalisht

    Policia e Kosovës në rajonin e veriut është duke realizuar një aksion në objektin e strukturave paralele serbe.

    Sipas mediave lokale mësohet se aksioni po realizohet në objektin që operon si Administratë Tatimore e të ardhurave të Serbisë.

    Këtë e ka konfirmuar edhe zëvendësdrejtori i Policisë për Rajonin e Veriut, Veton Elshani.

    Ai ka thënë se kanë gjetur prova që vërtetojnë dyshimet e tyre për operim ilegal të kësaj zyre dhe se e kanë mbyllur.

    Elshani ka bërë me dije se nuk ka ndonjë person të arrestuar.

    “Rreth orës 09:00 kemi hy në këtë ndërtesë e cila sipas informacioneve tona ka funksioni si zyrë tatimore, si degë e Ministrisë së Financave të Serbisë. Në këtë vend kemi hasë në prova që e vërtetojnë dyshimin tonë dhe pas konsultimit me Prokuror, njerëzit që janë hasë aty janë larguar dhe ajo ndërtesë është mbyllë deri në verifikim të plotë të fakteve”, ka thanë Elshani.

  • Linjat e autobusëve privat të Fushë Kosovës nuk e respektojnë marrëveshjen me Komunën e Prishtinës

    Linjat e autobusëve privat të Fushë Kosovës nuk e respektojnë marrëveshjen me Komunën e Prishtinës

    Si në autobusët e Trafikut Urban, si në ata të operatorëve privatë, nga e mërkura, sistemi i pagesës është bërë njësoj. Udhëtarëve që shfrytëzojnë linjat nga Fushë Kosova për në Prishtinë, apo edhe brenda kryeqytetit, do t’u vlejnë edhe biletat ditore, javore e mujore.

    Mirëpo, pavarësisht marrëveshjes me Komunën e Prishtinës që të gjithë operatorët privatë të operojnë sipas të njëjtave kushte si Trafiku Urban, disa operatorë privatë nuk po e respektojnë marrëveshjen.

    “Privat jemi na, jemi Komunë tjetër. Ata nuk na kanë inkuadrua neve në këtë marrëveshje, nëse keni ankesa mundeni me u anku te Trafiku Urban”, ishte përgjigja e një punonjësi si kondukter në një autobus që operon privat.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • ​“Platformë e re në dialog”, Hoxhaj: Në vitin 2026 mund të arrihet marrëveshja me njohjen reciproke

    ​“Platformë e re në dialog”, Hoxhaj: Në vitin 2026 mund të arrihet marrëveshja me njohjen reciproke

    Partia Demokratike e Kosovës do të ketë një platformë të re në dialog me Serbinë, thotë nënkryetari Enver Hoxhaj. Sipas tij, nëse PDK vjen në qeveri pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, do të rikthejë nevojën për marrëveshje finale Kosovë-Serbi me njohjen reciproke në qendër. Madje, ai thekson se një gjë e tillë mund të arrihet në vitin 2026.

    Hoxhaj në një intervistë për KosovaPress, thotë PDK do të hartojë platformën e re në dialog me një strukturë gjithëpërfshirëse të të gjitha partive politike dhe shoqërinë civile.

    “Me marrjen e pushtetit nga ana e PDK-së ne do të bëjmë disa hapa konkret në dialog. Hapi i parë do të jetë që pas tre muajve pasi të merr PDK-ja pushtetin, ne do të kemi një platformë të re në dialog e cila përfshinë një strukturë gjithëpërfshirëse të të gjitha partive politike. Kjo përfshinë edhe shoqërinë civile dhe ky dialog do të ndjek një qëllim dhe ide të vetme që është njohja e ndërsjellë. Ne mendojmë se gjatë vitit 2026 mund të krijohet një situatë e favorshme për të arritur një marrëveshje për njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë. Ne nuk shohim që të zbatojmë diçka pa e pasur njohjen e ndërsjellë në tavolinë. Presim nga partnerët tanë që të ndëshkojnë Serbinë, pasi politika e mosndëshkimit të Perëndimit ka sjell sulmin në Banjskë dhe Ibër-Lepenc. Sikurse edhe që një qeveri jokredibile në Kosovë që t’i bind partnerët tanë se burim i së keqes është Serbia, duke mosditur të sillet ndërkombëtarisht”, thekson ai.

    Hoxhaj thotë se Marrëveshja Bazë e Brukselit dhe aneksi i Ohrit, të arritur në vitin 2023 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, i ka sjell “dëme kolosale vendit, duke hequr njohjen e ndërsjellët nga tavolina”.

    “Kjo marrëveshje e Brukselit i ka ofruar një fitore diplomatike kolosale Serbisë dhe një dëm po aq të madh kolosal Kosovës duke hequr njohjen e ndërsjellë nga tavolina. E ka bërë marrëveshjen finale si një marrëveshje të ndërmjetme, të përkohshme. Në fakt është ngrirë e ardhmja e Kosovës në strukturat euro-atlantike”, shton Hoxhaj.

    Përkitazi me këtë, ish-ministri i Jashtëm kritikon qeverinë Kurti e cila sipas tij e ka dështuar në politikën e jashtme.

    Ai thotë se Kosova është e izoluar në raport me aleatët.

    “S’ka asnjë njohje ndërkombëtare dhe s’ka asnjë anëtarësim në asnjë organizatë të mundshme ndërkombëtare. Se kemi marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, ka dy vjet që kur kemi aplikuar. Dështimi në Këshill të Evropës dhe një shoqëri brenda e përçarë dhe polarizuar…Zero marrëdhënie me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me BE-në nën sanksione dhe të izoluar. Jemi në një situatë që do të ishte jashtë çdo imagjinate”, deklaron Hoxhaj.

    Krahas kësaj, ai rendit edhe dështimet që sipas tij kanë ndodhur nën qeverinë Kurti.

    Sipas Hoxhajt, Kurti s’ka qenë në gjendje të përfundojë asnjë punë të vetme, por vetëm ka administruar me vendin.

    “Nuk ka qenë në gjendje të përfundojë asnjë punë të vetme. S’ka asnjë projekt ku është vendosur gurthemeli dhe është prerë shiriti dhe është përuruar. S’ka ndonjë reformë që ka nisur me ndonjë koncept-dokument dhe është përmbyllur gjatë këtij katër viteve…Gjatë këtyre katër viteve nuk ka pasur qeverisje por administrim. Administrim i bie vendime që duhet të merr qeveria, shpërndarje dhe rishpërndarje të buxhetit por qeverisja nënkupton prioritet të qarta, reforma dhe vendosmëri”, thotë ai.

    Hoxhaj: I takon opozitës të udhëheq rotacionin politik, pa LVV-në

    Hoxhaj thotë se PDK-ja “do të fitojë në zgjedhjet e 9 shkurtit”, ndërkaq, e përjashton mundësinë e koalicionit me partinë aktuale në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje.

    “Njerëzit janë të gatshëm dhe të vendosur që të ndryshojnë qëndrimin që kanë pasur në shkurtin e vitit 2021 dhe vitit 2019, meqë deri në atë kohë ka qenë e pamatshme të krahasohet një qeverisje e Kurtit me qeverisjen e PDK-së apo partive të tjera politike. Duke parë që puna më e mirë që mundet të bëjë LVV-ja është propaganda, ndërsa ne bëjmë punë konkrete. Po shihet çdo ditë se ka mbështetje të madhe PDK-ja dhe zotëri Hamza [kandidati për kryeministër] dhe një listë e cila përfaqëson shoqërinë sesi e sheh Kosova… S’ka dyshim se do të ndodh ndryshimi politik dhe ndryshimit politik do t’i prijë PDK-ja. Temat që i kemi në tavolinë nuk mund t’i mbyllë vetëm një subjekt politik prandaj mendojmë se i takon opozitës të udhëheqë rotacionin politik, pa LVV-në. Nëse ne kemi kritikë për LVV-në do të ishte e pakuptimtë që ne të jemi të hapur për një bashkëpunim të tillë”, përfundon Hoxhaj./kp

  • Djali i Trumpit trazoi rrjetin duke e vizituar territorin të cilin mund ta aneksojë Amerika

    Djali i Trumpit trazoi rrjetin duke e vizituar territorin të cilin mund ta aneksojë Amerika

    Djali i presidentit të sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, përfundoi vizitën e tij njëditore në Grenlandë mes marrëdhënieve të trazuara dhe tensioneve mbi synimet e Trump për të aneksuar territorin, i cili i përket Danimarkës.

    Një avion në pronësi të familjes Trump aderoi në Grenlandë mëngjesin e së martës dhe postoi një seri videosh nga ishulli.

    Gjithashtu, Trump Jr. së bashku me kolegët e tij, drekuan në një nga restorantet e kryeqytetit të Grenlandës, Nuuk, së bashku me anëtarë të komunitetit lokal.

    “Grenlanda e do Amerikën dhe Trumpin! Njerëz të mahnitshëm me një mikpritje po aq të madhe. Ata thjesht duan të kenë rastin të përdorin disa nga burimet e mahnitshme që kanë dhe t’ia lejojnë vetes, vendit dhe fëmijëve të tyre të lulëzojnë”, tha Trump Jr.

    Në fund të vizitës, Trump Jr. ai publikoi gjithashtu një video të ngritjes nga Grenlandës dhe tha se kjo ishte një ditë e mrekullueshme.

    Vizita e tij u komentua edhe nga Elon Musk, i cili foli edhe për aneksimin e Grenlandës.

    “Nëse populli i Grenlandës dëshiron të bëhet pjesë e Amerikës, gjë që shpresoj të jetë kështu, ata do të mirëpriteshin ngrohtësisht”, tha Musk.

  • ​Naftëtarët dhe ndërtimtaria nën llupën e MINT-it, Hajdari flet për eksportet dhe investimet e huaja

    ​Naftëtarët dhe ndërtimtaria nën llupën e MINT-it, Hajdari flet për eksportet dhe investimet e huaja

    Nën llupën e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë janë naftëtarët, prodhuesit e produkteve të ndërtimit dhe disa sektorë të tjerë në vend.

    Rozeta Hajdari, ministre e MINT-it, thotë se një nga detyrat kryesore të kësaj ministrie është mbrojtja e konsumatorëve nga abuzimet me çmimet dhe cilësinë e produkteve, duke siguruar një mbikëqyrje strikte, si dhe duke ndërmarrë masa për të parandaluar manipulimin e çmimeve që mund të shkaktojnë dëm për qytetarët.

    Në një intervistë për KosovaPress, Rozeta Hajdari flet edhe për raportet tregtare në vendin tonë, si dhe për investimet e huaja direkte gjatë vitit 2024.

    Ajo madje thotë se ka përmirësim të bilancit tregtar eksport-import.

    “Kemi dyfshim të eksportit dhe përmirësim të bilancit tregtar nga raporti eksport-import nga një me nëntë – një me gjashtë. Kemi dyfishim të investimeve të huaja direkte gjatë këtij mandati”, thotë Hajdari.

    Sa i përket monitorimit të tregut, ministrja Hajdari thotë se ndërhyrjet më të mëdha kanë qenë në tregun e naftës, për çka shton se afër 50 për qind e operatoreve ekonomik kanë qenë të palicencuar në tregun e naftës.

    “Për herë të parë në Republikën e Kosovës kemi filluar me mbikëqyrjen efektive të produkteve të ndërtimit me qëllim që të sigurojmë cilësinë e ndërtimeve të larta banesore, rregullimin, mbikëqyrjen e tregut, të produkteve të naftës, formalizmin e bizneseve në fushën e tregtisë në naftë, rritjen e kontrollimit të cilësisë së naftës dhe mbrojtjen e konsumatorëve nga abuzimet me çmimet me inflacion. Janë afër 12 mijë inspektime gjatë mandatit tonë qeverisës nga periudha mars 2021 – shtator 2024 në krahasim me periudhën paraprake që ishte në vitin 2017-2020. Kryesisht ndërhyrjet më të larta kanë qenë në tregun e naftës, ku kemi gjetur shumë operator ekonomik të pa licensuar, afër 50 për qind të operatoreve ekonomik kanë qenë të palicensuar në tregun e naftës”, shton Hajdari.

    Derisa përmend sektorët për të ndaluar keqpërdorimet në treg, ajo thotë se me politiken e re për investime synojnë që të sjellin një inkurajim të prodhueseve serioz.

    “Kemi ndaluar keqpërdorimet në sektorin e naftës, duhanit, pastaj trupat vlerësues të komfirmitetit që kanë qenë të jashtëligjshëm, tenderët e jashtëligjshëm, skemat e granteve të jashtëligjshme. Menjëherë filluam në plotësimin e zbrazëtirave, përmirësimin e ambientit për të bërit biznes të drejtë, të adaptueshëm dhe konkurrues, duke hartuar dhe miratuar në Qeveri dhe Kuvend 22 ligje që janë për mbrojtjen e investimeve për reformë në parqet industriale teknologjike…Me politikën e re për investime ne po synojmë që të sjellim një inkurajim të prodhueseve vendor, të qytetarëve që kanë kursime për të investuar në industrinë prodhuese, përpunuese, por edhe në sektorë tjerë strategjikë”, nënvizon Hajdari.

    Ministrja Hajdari thotë se do t’i zgjerojë skemat mbështetëse për bizneset gjatë vitit 2025.

    Derisa tregon për masat mbështetëse për bizneset, thotë se vetëm skema e granteve për këtë vit përfshin rreth 8 milionë euro.

    “Sa i përket masave mbështetëse për bizneset tona për vitin 2025, ne synim kemi që të zgjerojmë skemat mbështetëse…Presim me këto masat e reja që janë të planifikuara të përkrahim sa më shumë bizneset në zgjerim të kapaciteteve prodhuese, në lehtësim të eksportit qoftë edhe përmes masave, granteve, por edhe përmes marrëveshjeve të tregtisë. Pastaj, përmes lidhjes sa më shumë të ofrueseve të shërbimeve me prodhuesit vendor që të rrisin dhe përmirësojnë inovacionin në produktin me vlerë të lartë të shtuar për tregun vendor dhe ndërkombëtar, por edhe në lehtësimin e tregtisë…Vetëm skema e granteve për vitin 2025 përfshin rreth 8 milionë euro nga Agjencia KIESA, por janë edhe masat tjera qeveritare”, deklaron Hajdari.

    Përgjatë vitit 2024, KIESA ka mbështetur rreth 500 biznese në vlerë prej 7.3 milionë euro./kp

  • Brenda 24 orëve të fundit, dy raste të dhunës në familje

    Brenda 24 orëve të fundit, dy raste të dhunës në familje

    Dy raste të dhunës ndaj grave janë raportuar në 24 orët e fundit.

    Në Drenas, viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    “Është arrestuar i dyshuari kosovar pasi dyshohet se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës femër kosovare. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari pas inicimit të rastit në konsultim me prokurorin është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

    Në Fushë-Kosovë po ashtu është ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës femër kosovare.

    “Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar ka ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës femër kosovare. Viktimës i është ofruar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt”, njofton Policia.