ATV

Category: Lajme

  • KQZ-ja jep detaje për votimin me postë, 31 ditë afat

    KQZ-ja jep detaje për votimin me postë, 31 ditë afat

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se më 9 janar ka filluar votimi jashtë Kosovës për votuesit e regjistruar për votim përmes postës, ndërkaq votuesit e regjistruar për të votuar në përfaqësi diplomatike, duhet të presin datën 8 shkurt 2025.

    Sipas KQZ-së, kjo periudhë do të vlejë për 84,525 shtetasit që janë regjistruar suksesshëm si votues jashtë Kosovës të cilët gjatë regjistrimit janë përcaktuar individualisht për të votuar përmes postës.

    Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

    “Ka filluar periudha e votimit përmes postës për të gjithë shtetasit e Kosovës të cilët janë regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës dhe që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi. Kjo periudhë do të përfundojë më 8 shkurt 2025. Kjo periudhë 31 ditore (9 janar – 8 shkurt 2025) do të vlejë vetëm për shtetasit që kanë arritur të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës dhe që gjatë regjistrimit janë përcaktuar individualisht për mënyrën e votimit “duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës” apo “duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë”, tha Elezi.

    “Ndërkaq, shtetasit e Kosovës të cilët janë regjistruar për të votuar fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës, njoftohen se procesi i votimit do të mbahet më 8 shkurt 2025”, ka thënë më tej Elezi.

    Sipas të dhënave të KQZ-së, numri më i madh i votuesve të regjistruar jashtë Kosovës kanë përzgjedhur votimin përmes postës.

    “Nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar jashtë Kosovës është 104,924, prej të cilëve 20,399 janë regjistruar për të votuar fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës, ndërkaq 17,104 shtetas të tjerë janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë dhe 67,421 për të dërguar pakon me fletëvotim në një nga kutitë postare të KQZ-së të hapura jashtë Kosovës”, tha Elezi.

    Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, votimi fizik në përfaqësi diplomatike zhvillohet një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë, pra më 8 shkurt 2025.

    Votimi fizik në përfaqësi diplomatike do të zhvillohet në 17 Ambasada dhe 15 Konsullata të Republikës së Kosovës të cilat janë të vendosura në 19 shtete të ndryshme, si: Gjermani, Zvicër, Mbretëri e Bashkuar, Belgjikë, ShBA, Francë, Itali, Kanadë, Turqi, Norvegji, Slloveni, Suedi, Danimarkë, Kroaci, Holandë, Çeki, Hungari, Maqedoni e Veriut, dhe Australi.

    Udhëzuesi i KQZ-së se si duhet të votohet përmes postës:

    Të gjithë shtetasit e Kosovës që janë regjistruar për të votuar përmes postës, për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë ose në ndonjërën nga kutitë postare të KQZ-së jashtë Kosovës, duhet të ndjekin udhëzimet e KQZ-së për votimin përmes postës.

    Hapi 1: Plotësoni fletëvotimin

    1. Shkarkoni dhe printoni fletëvotimin.

    2. Në anën e majtë të fletëvotimit janë të renditura subjektet politike. Zgjidhni vetëm një subjekt politik.

    3. Në anën e djathtë, mund të votoni deri në dhjetë kandidatë.

    4. Pasi të plotësoni fletëvotimin:

    • Paloseni fletëvotimin, vendoseni brenda zarfit dhe mbylleni zarfin.

    • Mos shkruani asgjë mbi zarf!

    Hapi 2: Dërgoni fletëvotimin

    1. Printoni dëftesën e regjistrimit që e keni pranuar përmes email-it gjatë periudhës së regjistrimit.

    2. Brenda zarfit të dytë, vendosni:

    • Zarfin e mbyllur me fletëvotimin e plotësuar.

    • Dëftesën e regjistrimit.

    3. Mbi zarfin e dytë:

    • Shënoni adresën e kutisë postare të KQZ-së (bashkangjitur në këtë email gjeni adresat e kutive postare të KQZ-së).

    • Vendosni një pullë postare.

    4. Dërgojeni zarfin në postën më të afërt të shtetit ku jetoni.

    Kujdes! Që fletëvotimi juaj të jetë i vlefshëm:

    • Dërgesa duhet të jetë individuale (nuk mund të përfshini fletëvotime për anëtarët e familjes apo persona të tjerë).

    • Zarfi duhet të ketë pullën postare dhe të dërgohet nga shteti ku jeni regjistruar.

  • Biden firmos shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për zjarret në Kaliforni

    Biden firmos shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për zjarret në Kaliforni

    Presidenti Joe Biden miratoi të mërkurën një deklaratë federale të emergjencës për zjarret e Kalifornisë, që do të mundësojë fonde dhe burime për të luftuar flakët. Presidenti paralajmëroi se rimëkëmbja e zonës do të marrë kohë.

    Departamenti i Zjarrfikësve të Qarkut të Los Anxhelosit u përball me katër zjarre me rrezikshmëri për jetën, që kanë vrarë të paktën dy persona, kanë djegur mbi 1000 ndërtesa dhe kanë detyruar dhjetëra mijëra njerëz të evakuohen.

    “Departamenti i Zjarrfikësve të Qarkut Los Anxhelos ishte përgatitur për një ose dy zjarre të mëdha pyjesh, por jo katër, veçanërisht duke patur parasysh këto erëra të qëndrueshme dhe lagështinë e ulët”, tha të mërkurën shefi i zjarrfikësve të qarkut Los Anxhelos, Anthony C. Marrone.

    Ai tha se mbi 2000 hektarë janë djegur dhe zjarri po vazhdon të përhapet.

    “Nuk kemi asnjë përqindje kontrolli”, tha zoti Marrone.

    Zyrtarët kanë paralajmëruar banorët që t’i kushtojnë vëmendje urdhrave të evakuimit dhe të largohen kur të udhëzohen.

    Dy mijë anëtarë të Gardës Kombëtare janë dislokuar për të ndihmuar zjarrfikësit vendas.

    Në Palisadet e Paqësorit, zjarri kalonte nga një shtëpi në tjetrën, i shtyrë nga erërat e forta me fuqi uragani. Në të njëjtën zonë, zjarrfikësit thanë se uji pati shteruar.

    “Patëm një kërkesë të jashtëzakonshme për sistemin tonë në Palisades”, tha të mërkurën Janisse Quiñones, drejtuese dhe inxhiniere kryesore në Departamentin e Ujit dhe Energjisë në Los Anxhelos. “E çuam sistemin deri në ekstrem”. Kërkesa për ujë ishte “katër herë mbi nivelin… për 15 orë rresht”, shtoi ajo.

    Më vonë të mërkurën, aeroplanët mbështetës që ishin ndalur nga erërat e forta, u ngritën sërish në ajër, duke hedhur ujë dhe lëndë anti-zjarr.

    Mbi 400,000 shtëpi dhe biznese janë pa energji në të gjithë Los Anxhelosin, sipas faqes në internet poweroutage.us.

    Uashingtoni po mbështet përpjekjet për shuarjen e zjarrit të Kalifornisë me katër avionë të mëdhenj cisternë të Shërbimit Pyjor të Shteteve të Bashkuara dhe u njoftua se është nisur edhe një i pestë shtesë. Qeveria federale po ndihmon edhe me 10 helikopterë përpjekjet për shuarjen e zjarrit. Ndërkohë, dhjetëra zjarrfikëse të Shërbimit Pyjor u vendosën në gatishmëri për t’u dislokuar./VOA/

  • Jasharaj paralajmëron greva edhe me ardhjen e qeverisë së re: Patëm katër vite të vështira me Kurtin

    Jasharaj paralajmëron greva edhe me ardhjen e qeverisë së re: Patëm katër vite të vështira me Kurtin

    Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj ka paralajmëruar se kjo sindikatë do të kërkojë të drejtat e mësimdhënësve nga çdo qeveri, madje theksoi se nëse kërkesat nuk përfillen, do të pasojnë greva dhe protesta në arsim.

    Jasharaj ka thënë se cilindo subjekt politik që vjen në pushtet, sindikata do ta konsideroj që është vullnet i popullit dhe do të tentoj që të komunikoj dhe të ketë dialog me të.

    “Ne do t’i kërkojmë të drejtat tona dhe nëse nuk i realizojnë le ta dijnë se prapë do të ketë greva e protesta nga SBAShK-u, nëse kërkesat tona nuk përfillen nga qeveria që do të vijë nga zgjedhjet e 9 shkurtit”, paralajmëroi ai për EO.

    Jasharaj, ka deklaruar se sindikata po ndjek me vëmendje fushatën e zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, duke shtuar se është i gatshëm të bashkëbisedoj me të gjitha partitë garuese.

    Ai ka potencuar se ka premtime për rritje pagash dhe një qasje më pozitive ndaj sindikatave.

    Sipas tij, vitet e fundit nën qeverisjen e Kurtit kanë qenë të vështira për sindikatat, pasi ka munguar dialogu dhe bashkëpunimi.

    “Ne jemi duke përcjellë me vëmendje para fushatën dhe do ta përcjellim edhe fushatën për të parë se çfarë po thonë, sidomos kandidatët për kryeministër, deklarimet e para të kandidatit të LDK-së, PDK-së dhe AAK-së, premtimet janë të mëdha urojmë të jenë ashtu. E kam fjalën edhe te vlera e koeficientit 150 që do të ndikojë në rritjen e pagave. Ata kanë premtuar që do të kenë qasje ndryshe ndaj sindikatave dhe besoj që deklarimet e tyre do t’i mbajnë dhe do të kemi një frymë tjetër karshi situatës që kemi. Këto katër vitet e qeverisë Kurti i kemi pasur vite të vështira sepse ka ndikuar dialogu. Ai bashkë me kabinetin e tij ka pasur një qasje tejet të gabuar ndaj sindikatave duke mos përfillë as kërkesën për takime as dialogun. Jemi ndër shtetet e rralla që Këshilli Ekonomik Social është barakaduar dhe bllokuar me fajin e ministrit Murati. Mbrapa kësaj nuk ka mbetur as ministrja Nagavci që nga greva e vitit 2022 nuk ka gjetur asnjë ditë kohë të ulemi dhe të bisedojmë jo vetëm me ne, por edhe me Këshillin e Prindërve”, ka thënë Jasharaj.

    Jasharaj thekson se të gjithë mësimdhënësit nuk janë të përgatitur për t’u avancuar, por sipas tij janë të përgatitur që ta mbajnë orën ashtu siç është.

     “Ne gjërat që ndodhin në arsim i mësojmë nga mediat, por nuk jemi të kyçur në asnjë aktivitet që zhvillon MAShTI dhe në rastin e fundit është edhe procesi i avancimit, i cili është mbajtur jashtë çdo transparence dhe mësimdhënësit nuk e ka ditur se çka po i pret. Nuk është mirë që t’i jepet kahja tjetër. Është normale që të gjithë mësimdhënësit nuk janë të përgatitur për tu avancuar, por janë të përgatitur ta mbajnë orën ashtu siç është”, ka deklaruar Jasharaj.

    Ai beson se opozita ka mësuar nga gabimet e kaluara dhe do të ketë një qasje ndryshe nëse vjen në pushtet.

    “Presim që do të jetë një fushatë tepër e ngjeshur, presim se çka po na thonë të gjitha palët, nëse na thërrasin për t’u takuar ne do të takohemi dhe do të bisedojmë me ta. Besoj që opozita ka mësuar nga e kaluara dhe nëse vjen në pushtet nuk do t’i bëjë gabimet që i ka bërë dikur, besoj që kjo Qeveri që është tani do ta ndryshoj qasjen jo vetëm ndaj nesh, por edhe ndaj gjykatave, mediave. Ngase qëndrimi i Kurtit ka qenë armiqësor ndaj sindikatave e veçmas ndaj neve që së bashku me Muratin kanë dashur ta shuajnë në tërësi duke e shpikur EKosova”, ka theksuar ai.

    Sa i përket Qeverisë aktuale, Jasharaj ka kritikuar qëndrimin armiqësor të Kurtit dhe Muratit ndaj sindikatave, duke pohuar se ata kanë tentuar t’i shuhen ato dhe të kontrollojnë punëtorët.

    “Ne kemi menduar që Vetëvendosja do të jetë ajo ngase programi i saj ka qenë shumë social, para zgjedhjeve dhe ardhjes në pushtet, Kurti na ka premtuar mrekullira dhe asnjë nga këto nuk e ka bërë, dhe zhgënjimi ynë nuk është vetëm pse nuk i kanë mbajtur premtimet, por zgjerimi ynë është pse kjo qasje tmerrësisht e gabuar ndaj nesh dhe mundohen të na nxjerrin te publiku si armiqtë e tyre. Gjegjësisht ata janë armiqtë e sindikatave, sepse kanë dashur t’i shuajnë sindikatat, dhe të bëjnë çfarë të duan me punëtorët”, potencoi ai.

    Ai gjithashtu ka shprehur zhgënjim për premtimet e pa përmbushura të Vetëvendosjes, veçanërisht për programin social dhe premtimet për sindikatat.

    “E keqja është sepse edhe të drejtat që i kemi pasur të fituara Qeveria Kurti gradualisht na ka mohuar, tri premtimeve që kanë qenë jashtëzakonisht të mëdha ka kaluar në ndëshkime të mëdha. Edhe nxitja e armatës së tyre në Facebook që të na shajnë dhe të na fyejnë, në tërë sistemin arsimor dhe të tjerët që kanë ngritur zërin. Qeveria Kurti uroi që mos të vijë më si e tillë në Kosovë, uroj që të vijë koalicion partisë sepse kur ka koalicion asnjëri nuk e ndjen që është më i madh i këtij vendi por bashkëpunojë”, shtoi Jasharaj.

  • Presidenti i zgjedhur Donald Trump shkon në Kongres

    Presidenti i zgjedhur Donald Trump shkon në Kongres

    Presidenti i zgjedhur Donald Trump mbërriti në Senatin amerikan të mërkurën me synimin për të bashkuar republikanët rreth një strategjie për uljen e taksave, për kontrollet kufitare dhe rritjen e prodhimit të karburanteve fosile, 12 ditë përpara se të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë.

    Trump hyri në Kapitolin e Shteteve të Bashkuara për herë të parë që kur mbështetësit e tij sulmuan ndërtesën më 6 janar 2021, bazuar në pretendimet për manipulimin e zgjedhjeve të vitit 2020.

    Ai bëri nderimet e tij me një vizitë tek arkivoli i ish-Presidentit Jimmy Carter në hollin e Kapitolit, përpara se të takohej me republikanët, që kanë një shumicë 53-47 në Senat. Presidenti i zgjedhur Trump do të marrë pjesë në funeralin e ish-Presidentit Carter të enjten në Uashington.

    Me një shumicë të ngushtë në Senat dhe Dhomën e Përfaqësuesve, republikanët ende nuk kanë rënë dakord nëse duhet të ndjekin një projektligj që përmban përparësitë e tij, ose dy projektligje, si dhe duket se kanë pikëpamje të ndryshme rreth asaj që legjislacioni duhet të përmbajë.

    Disa senatorë republikanë kanë argumentuar se duhet ta ndajnë axhendën e zotit Trump në dy projektligje, duke i lejuar ata të arrijnë një sukses të shpejtë për politikën kufitare dhe energjitike, përpara se të merren me çështjen më të mprehtë, atë të taksave. Disa republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve paralajmërojnë se, duke patur parasysh shumicën e tyre të ngushtë, përqasja me dy hapa rrezikon të dështojë në miratimin e projektligjit të dytë, që zgjat uljen e taksave të miratuara gjatë mandatit të parë të Presidentit Trump.

    “Po shqyrtojmë nëse do jetë një apo dy projektligje. Çfarëdo që të jetë, nuk ka rëndësi, ne do të marrim rezultatin”, u tha Presidenti i zgjedhur Trump gazetarëve, ndërsa po ecte në Kapitol.

    Ata gjithashtu do të duhet të merren me mënyrën se si të kompensojnë efektet e uljeve të reja të taksave tek borxhi në rritje i vendit prej 36 trilionë dollarësh.

    Në një shenjë të mundshme të zhvillimeve që do të vijojnë, zotit Trump iu desh të ndërhynte në Dhomën e Përfaqësuesve javën e kaluar, kur Kryetari Mike Johnson fillimisht nuk pati votat e nevojshme për rizgjedhjen në postin e tij të lartë. Pas gati dy orësh negociatash, një telefonatë nga Presidenti i zgjedhur Trump ndihmoi që dy kundërshtarë republikanë të linjës së ashpër, të ndryshojnë qëndrimet e tyre dhe të mbështesin zotin Johnson.

    “Asgjë nga këto nuk ndodh pa udhëheqjen e Shtëpisë së Bardhë. Diferenca është thjesht shumë e vogël”, u tha gazetarëve senatori republikan Thom Tillis.

    “Presidenti Trump merr statusin e kapitenit për zgjidhjen e votimit për kryetarin. Dhe ne do të kemi nevojë që ai ta vazhdojë këtë rol, për t’i përfunduar këto projektligje. Është e logjikshme”.

    Të premten, presidenti i zgjedhur do të fillojë takime treditore me republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve në rezidencën e tij Mar-a-Lago, në Florida.

    “Ai duhet të dëgjojë se cilat janë përshtypjet tona për sa i përket mënyrës se si do të arrijmë atje ku të gjithë duam të shkojmë”, tha senatorja Shelley Moore Capito, që ishte organizatorja e takimit të së mërkurës.

    Republikanët synojnë të mbështesin axhendën e zotit Trump duke përdorur një manovër komplekse legjislative, që do t’i lejojë ata të anashkalojnë opozitën demokrate në Senat. Shumica republikane, 53-47 në Senat, është shumë e ngushtë për të kapërcyer pragun prej 60 votash që duhen në këtë dhomë për pjesën më të madhe të ligjeve.

    Në Dhomën e Përfaqësuesve, një shumicë prej 219 vendesh pritet të zvogëlohet në 217-215 pasi Presidenti i zgjedhur Trump të marrë detyrën në më pak se dy javë. Dy ligjvënës republikanë janë të gatshëm të largohen nga Kongresi dhe t’i bashkohen administratës së tij.

  • Sot fillon periudha e votimit jashtë Kosovës

    Sot fillon periudha e votimit jashtë Kosovës

    Sot nis votimi me postë për votuesit jashtë Kosovës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

    Lajmin e ka konfirmuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

    “Kjo periudhë (9 janar – 8 shkurt 2025) do të vlejë vetëm për shtetasit që kanë arritur të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës dhe që gjatë regjistrimit janë përcaktuar individualisht për mënyrën e votimit: duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës, apo duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë”.

  • Edhe nga dy muaj paraburgim ndaj të dyshuarve për sulmin terrorist në Ibër-Lepenc

    Edhe nga dy muaj paraburgim ndaj të dyshuarve për sulmin terrorist në Ibër-Lepenc

    Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për nga dy muaj, Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq, të dyshuar për sulmin e 29 nëntorit 2024 në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut.

    Këtë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    “Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës të datës 23.12.2014 për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve J.V. dhe D.V., Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special me datë 27.12.2024 ka marr Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e PSRK-së, ashtu që masa e paraburgimit të pandehurve J.V. dhe D.V., iu vazhdohet në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj, për secilin”, konfirmoi Gashi.

    Sipas Dosjes së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Jovan Viqentijeviq dyshohet se bashkë me vëllanë e tij, Dragisha Viqentijeviq me qëllim kanë dëmtuar pajisjen e ujësjellësit dhe kanë kryer veprën terroriste, duke përdorur eksploziv. Detajet nga Dosja e PSRK-së mund t’i gjeni duke klikuar: KËTU.

    Ndryshe, shpërthimin në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varagë të Zubin-Potokut, i cili dyshohet se u bë me rreth 20 kilogramë eksploziv, autoritetet e Kosovës e kanë cilësuar si sulm terrorist dhe se përgjegjëse thanë se është Serbia. Sulmin e kanë dënuar ashpër edhe ndërkombëtarët.

    Lidhur me këtë rast gjatë kontrolleve në veri, Policia ka sekuestruar armë, municion, e pajisje tjera.

  • Shefi i diplomacisë austriake Schallenberg emërohet kancelar federal i përkohshëm

    Shefi i diplomacisë austriake Schallenberg emërohet kancelar federal i përkohshëm

    Presidenti austriak, Alexander Van der Bellen, ka njoftuar se ministri i jashtëm Alexander Schallenberg nga radhët e Partisë Popullore Austriake (OVP) do të marrë përkohësisht udhëheqjen e qeverisë duke filluar nga e premtja, transmeton Anadolu.

    “Të premten, 10 janar 2025, në orën 11:00, presidenti federal Van der Bellen do t’i besojë ministrit federal Alexander Schallenberg vazhdimin e administrimit të Kancelarisë Federale dhe kryesimin e qeverisë së përkohshme federale në Kancelarinë e Presidentit”, thuhet në një njoftim nga zyra e presidentit.

    Kjo shënon mandatin e dytë të Schallenberg si kancelar federal i përkohshëm, pasi mandati i tij i parë, nga 11 tetori deri më 6 dhjetor të vitit 2021, pasoi dorëheqjen e kancelarit të atëhershëm, Sebastian Kurz.

    Emërimi i tij vjen pasi kancelari federal në largim, Karl Nehammer, të shtunën e kaluar njoftoi dorëheqjen e tij si kancelar dhe udhëheqës i partisë OVP. Vendimi për dorëheqjen e tij pasoi negociatat e pasuksesshme të koalicionit midis OVP-së, Partisë Social Demokrate (SPO) dhe Partisë Liberale (NEOS).

    “Kemi provuar gjithçka deri më tani. Një marrëveshje për çështjet kyçe nuk është e mundur, kështu që një e ardhme pozitive për Austrinë nuk mund të diskutohet”, tha Nehammer në një deklaratë me shkrim.

    Bisedimet e koalicionit kishin për qëllim parandalimin e një qeverie të udhëhequr nga Partia e Lirisë së Austrisë (FPO) e ekstremit të djathtë, e cila grumbulloi 28,85 për qind të votave në zgjedhjet parlamentare të 29 shtatorit, përqindja më e lartë midis të gjitha partive.

    Pavarësisht kësaj, presidenti Van der Bellen për të formuar qeverinë fillimisht zgjodhi Nehammer-in kundrejt udhëheqësit të FPO-së, Herbert Kickl.

    Të hënën, presidenti Van der Bellen ndryshoi kursin, duke e ngarkuar zyrtarisht Kickl-in për formimin e një qeverie.

    “Kam disa dëshira, por respekti për votuesit dikton që ta pranoj këtë shumicë. Unë do të vazhdoj të siguroj që parimet dhe rregullat e kushtetutës sonë të respektohen në mënyrë korrekte”, tha presidenti austriak.

    Kjo është hera e parë që nga viti 1945 që një përfaqësuesi të FPO-së i jepet mandati për të formuar një qeveri në Austri. Më herët, detyra u jepej ekskluzivisht anëtarëve të SPO-së ose OVP-së.

  • Pas Administratës Tatimore Serbe, mbyllet edhe një tjetër institucion serb në veri

    Pas Administratës Tatimore Serbe, mbyllet edhe një tjetër institucion serb në veri

    Policia e Kosovës sot ka mbyllur Administratën Tatimore në Mitrovicën e Veriut, e cila funksiononte në kuadër të sistemit të Serbisë, për shkak të “aktiviteteve të paligjshme”.

    Ndërkaq, tashmë është bërë e ditur se është mbyllur edhe kompania e sigurimeve nga Serbia – Dunav Osiguranje, për shkak të dyshimeve se punonte pa licencë.

    Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë për REL-in se policia në këtë aksion ka asistuar zyrtarët e Bankës Qendrore të Kosovës, dhe se prokurori e cilësoi rastin si “shpërdorim të veprimtarisë ekonomike”.

    Dunav Osiguranje është një shoqëri aksionare nga Serbia, e cila ofron mbi 100 shërbime në fushën e sigurimeve të jetës dhe të pasurisë.

    Në faqen e saj zyrtare, në listën e adresave të degëve përfshihet edhe ajo në Mitrovicën e Veriut, në veri të Kosovës.

    Mbyllja e këtyre institucioneve është vazhdim i aksioneve për mbylljen e institucioneve të Serbisë në Kosovë, të cilat autoritetet zyrtare të Prishtinës i konsiderojnë “të paligjshme”.

    Kosova filloi mbylljen e institucioneve serbe në janar të vitit 2024 dhe deri më tani janë mbyllur një numër komunash paralele serbe në Dragash, Suharekë, Prizren, Rahovec, Pejë, Istog, Klinë, Skenderaj, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

    Gjithashtu, janë mbyllur edhe Posta e Serbisë në veri të Kosovës, Thesari i Bankës Kombëtare të Serbisë në Leposaviq, Banka e Kursimeve Postare, Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, Drejtoria e Fondit të Sigurimeve Pensionale dhe Invalidore, Qarku Administrativ i Mitrovicës së Kosovës dhe Qendra për Punë Sociale në Vushtrri, Drejtoria e Urbanizmit, Drejtoria e Hapësirave të Banimit dhe Biznesit dhe Drejtoria për Tokën Ndërtimore në Mitrovicën e Veriut.

    LEXONI EDHE:

    Policia kryen bastisje në veri, mbyllë një zyre tatimore që operonte ilegalisht

  • Murati fajëson opozitën që s’i votuan marrëveshjet ndërkombëtare, miliona euro mbeten të bllokuara

    Murati fajëson opozitën që s’i votuan marrëveshjet ndërkombëtare, miliona euro mbeten të bllokuara

    Shumë marrëveshje ndërkombëtare, shumica prej tyre financiare kanë mbetur të bllokuara pasi nuk kanë arritur të ratifikohen në Kuvendin e Kosovës dhe për to duhen 80 vota të deputetëve.

    Si rrjedhojë vetëm nga një marrëveshje që Kosova kishte arritur me Bankën Botërore, do të humbin 90 milionë euro, ka thënë ministri i Financave Hekuran Murati.

    “Për kalim të marrëveshjeve ndërkombëtare nevojiten 80 vota, që nënkupton se përveç votave të pozitës, nevojiten edhe votat e opozitës në mënyrë që të mundësohet kalimi i tyre.

    Kësaj radhe, megjithëse mandati ishte i plotë, kjo legjislaturë e Kuvendit po e përmbyll mandatin pa i votuar marrëveshjet ndërkombëtare të mbetura.

    Njëra ndër marrëveshjet e mbetura pa votuar është edhe ajo me Bankën Botërore në vlerë prej 90 milionë euro, e që e veçanta e saj është kamata 0% për 12 vite, të cilën do ta lakmonte secili shtet i botës”, ka shkruar Murati.

    Ai tha se opozita i ka bërë opozitë shtetit, duke provuar të dëmtojë Qeverinë, transmeton Zeri.info.

    “Mirëpo opozita jonë ka vendosur të mos e votojë, e kësisoj t’i bëjë opozitë shtetit duke menduar që po e dëmton qeverinë. Por qytetarët nuk do ta harrojnë këtë sjellje të opozitës dhe do t’a thonë fjalën e tyre më 9 shkurt”, ka shkruar Murati.

  • Blindohet Rinasi, mbërrin nën masa të rrepta sigurie Dritan Rexhepi

    Blindohet Rinasi, mbërrin nën masa të rrepta sigurie Dritan Rexhepi

    Dritan Rexhepi, një nga emrat më të kërkuar të drejtësisë shqiptare, është ekstraduar këtë të mërkurë nga Turqia.

    Ai ka mbërritur në aeroportin e Rinasit me avion, ku më pas, nën masa të rrepta sigurie, është transportuar drejt burgut 313. Euronews Albania ka siguruar pamjet kur trafikanti i njohur si “mbreti i kokainës” është shoqëruar nga Drejtoria e Burgjeve, i shoqëruar me makina të shumta policie.

    Rexhepi është akuzuar nga Prokuroria e Posaçme për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës më 17 janar 2020. Dritan Rexhepi, dikur student për drejtësi, njihet tani si një nga narkotrafikantët më të fuqishëm të drogës nga Amerika e Jugut në Evropë.

    Ai është me 25 vite burgim për vrasjen e dy policëve, Arben Keqi dhe Durim Kasmi, në Fushë-Krujë në vitin 1998.

    Po ashtu, Rexhepi ka qenë i njohur për arratisjet spektakolare nga burgjet.

    Në vitin 2007, ai iu arratis policisë së Durrësit. Një vit më vonë, ai realizoi një arratisje tjetër nga burgu i Pavias në Itali dhe më pas një arratisje tjetër në Belgjikë. Rexhepi përdori pasaportë të falsifikuar me emrin Lulzim Murataj për të kaluar në Kakavijë, dhe nuk është kthyer më në Shqipëri pas datës 16 nëntor 2013.