ATV

Category: Lajme

  • Fotografi satelitore të zjarreve në Los Angeles

    Fotografi satelitore të zjarreve në Los Angeles

    Fotografi dramatike të publikuara nga kompania amerikane e teknologjisë hapësinore “Maxar” kanë zbuluar shkallën e madhe të zjarreve në të gjithë Los Angeles.

    Një fotografi, e kapur duke përdorur teknologjinë infra të kuqe për të zbuluar shenjat e nxehtësisë, tregon një flakë të madhe menjëherë në veri-perëndim të lagjes bregdetare të Paqësorit Palisades.

    Zjarri i Palisades tani është rritur në më shumë se 17,200 hektarë.

    Një tjetër fotografi me rreze infra të kuqe i kapur rreth 40 kilometër në veri-lindje tregon zjarret që përfshijnë zonat e banuara të Altadenës, afër Pasadenës.

    Zjarri i Eaton, i dyti më i madhi, ka djegur të paktën 10,600 hektarë./BBC

  • Bojkoti dhe gjuha e rrezikshme ndaj mediave dhe gazetarëve, AGK-ja i reagon pushtetit të LV-së

    Bojkoti dhe gjuha e rrezikshme ndaj mediave dhe gazetarëve, AGK-ja i reagon pushtetit të LV-së

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka reaguar ndaj vendimit të Lëvizjes së Vetëvendosjes, parti kjo në pushtet, për të bojkotuar disa nga televizionet më të mëdha në vend.

    AGK në reagimin e saj, ka bërë të ditur se është e shqetësuar me zhvillimet që lidhen me nisjen e fushatës për zgjedhje, dhe ka ftuar VV-në që ta rishqyrtojë pozicionin e saj.

    Po ashtu, nga AGK është thënë se vendimi i VV-së për bojkot është kundër transparencës dhe përpjekjeve për të minuar rolin e gazetarëve dhe mediave për të mbajtur përgjegjëse partinë që ka udhëhequr Kosovën për 4 vjet për politikat e saj.

    ‘‘AGK-ja gjithashtu dënon targetimin e vazhdueshëm që zyrtarët e Vetëvendosjes bëjnë ndaj gazetarëve dhe mediave, duke përfshirë postimin e sotëm të zëdhënësit Arlind Manxhuka, i cili, mes tjerash, cilëson mediat edhe si “institucione paralele.” Kjo gjuhë e rrezikshme është e papranueshme dhe vështirëson klimën për ushtrimin e gazetarisë në Kosovë’’, thuhet mes tjerash nga AGK.

    Postimi i plotë:

    AGK-ja kundër bojkotit të Vetëvendosjes ndaj mediave, e fton ta rishqyrtojë pozicionin e saj

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) është i shqetësuar me zhvillimet që lidhen me nisjen e fushatës për Zgjedhjet Parlamentare të 9 shkurtit.

    Paralajmërimi për bojkotin e disa prej televizioneve kryesore në vend, si Klan Kosova, TV Dukagjini dhe T7, nga ana e partisë në pushtet, Vetëvendosje, është një zhvillim që shkon kundër transparencës dhe përpjekjeve për të minuar rolin e gazetarëve dhe mediave për të mbajtur përgjegjëse partinë që ka udhëhequr Kosovën për 4 vjet për politikat e saj.

    E ftojmë Lëvizjen Vetëvendosje që ta rishqyrtojë pozicionin e saj dhe t’u ofrojë mediave qasje të barabartë në fushatë.

    Mediave duhet t’u mundësohet që në mënyrë të barabartë të paraqesin programet e të gjitha subjekteve politike që garojnë, pasi puna e tyre është në interes të publikut. Bojkoti i paralajmëruar paraqet goditje të qëllimshme ndaj pluralitetit medial që e shquan Kosovën dhe është vazhdimësi e një sërë veprimesh të kësaj qeverie dhe të Lëvizjes Vetëvendosje të drejtuara kundër gazetarëve dhe mediave në Kosovë.

    AGK-ja gjithashtu dënon targetimin e vazhdueshëm që zyrtarët e Vetëvendosjes bëjnë ndaj gazetarëve dhe mediave, duke përfshirë postimin e sotëm të zëdhënësit Arlind Manxhuka, i cili, mes tjerash, cilëson mediat edhe si “institucione paralele.” Kjo gjuhë e rrezikshme është e papranueshme dhe vështirëson klimën për ushtrimin e gazetarisë në Kosovë.

  • 23 aksidente me të lënduar gjatë 24 orëve të fundit, Policia shqipton mbi 2 mijë gjoba

    23 aksidente me të lënduar gjatë 24 orëve të fundit, Policia shqipton mbi 2 mijë gjoba

    Policia e Kosovës, përmes raportit të saj 24-orësh ka njoftuar se gjatë kësaj kohe kanë ndodhur 44 aksidente me dëme materiale dhe 23 të tilla me të lënduar.

    Nga PK-ja është njoftuar edhe se gjatë 24 orëve, janë arrestuar 20 persona nga të cilët 7 janë dërguar në mbajtje.

    Po ashtu policia ka bërë të ditur se janë shqiptuar 2051 gjoba.

  • Vrasja në Shkodër, babai i autorit: Djali im të marrë dënimin e merituar

    Vrasja në Shkodër, babai i autorit: Djali im të marrë dënimin e merituar

    Rrustem Hasaj, babai i Arjon Hasaj, që dyshohet se vrau të dielën e 5 janarit, Ramazan Matajn në Shkodër, ka kërkuar falje për ngjarjen në emër të të birit.

    Hasaj kërkoi që drejtësia të vazhdojë hetimin dhe djali i tij të marrë dënimin e merituar.

    Ai u shpreh se nuk kishte asnjë informacionin për konfliktin mes djalit dhe viktimës.

    “Unë kam qenë në Tiranë, e mora vesh më vonë, s’kam pasur asnjë informatë kanë apo jo armë. I kërkoj falje fisit, të atit të tij”, tha ai.

    Hasaj pohoi se ishte në dijeni të faktit se viktima kishte ngacmuar vajzat e tij.

  • Digjet një veturë në Aktash të Prishtinës, një lokalit i krisen xhamat si shkak i temperaturës së madhe

    Digjet një veturë në Aktash të Prishtinës, një lokalit i krisen xhamat si shkak i temperaturës së madhe

    Një veturë është përfshirë nga zjarri mesnatën e së mërkurës në Prishtinë.

    Ngjarja ka ndodhur konkretisht në lagjen Aktash, në lokacionin e njohur si rruga e Dubrovnikut.

    I menjëhershëm ka qenë reagimi i ekipit të zjarrfikësve të cilët i shuan flakët, por lidhur me rastin, detaje ka dhënë komandanti i Brigadës, Malë Gashi.

    Ai ka theksuar se ende nuk dihet se cila është arsyeja e zjarrit, ndërsa vendi i ngjarjes do të inspektohet sot për ta hetuar rastin dhe pastaj do të kuptohen shkaqet se si ka ndodhur.

    Tutje, Gashi bëri të ditur se si pasojë e temperaturave të larta, një lokalit i janë thyer xhamat.

  • Arrestohen pronarët e një kompanie të autobusëve, rrahën dhe kërcënuan një të mitur brenda stacionit në Ferizaj

    Arrestohen pronarët e një kompanie të autobusëve, rrahën dhe kërcënuan një të mitur brenda stacionit në Ferizaj

    Pronarët e një kompanie të autobusëve e kanë rrahur dhe kërcënuar një të mitur në ambientet e Stacionit të Autobusëve, në Ferizaj.

    Konflikti ka ndodhur të mërkurën rreth orës 11:30 në rrugën “Ahmet Kaçiku”, ka konfirmuar Kanun Veseli nga Policia e Kosovës.

    Veseli tha viktima ka deklaruar se derisa ishte duke udhëtuar me autobusin e linjes Morosalë-Ferizaj, me të arritur në stacionin e autobusit, konduktori i ka kërkuar që të shkoj pas tij në mënyrë që ai t’ia jap mujoren për të cilën ankuesi kishte paguar.

    Kështu që ankuesi kishte shkuar pas tij në depon e stacionit te autobusëve, ku dy persona të dyshuar të një kompanie të autobusëve, e kishin sulmuar fizikisht viktimën.

    Policia ka njoftuar se të dyshuarit janë dërguar në mbajtje dhe me urdhër të prokurorit njëri i dyshuari dërgohet në mbajtje për 48 orë.

  • Perëndimi kërkon të hetohen shkeljet lidhur me shënimin e ditës jokushtetuese të Republikës Sërpska

    Perëndimi kërkon të hetohen shkeljet lidhur me shënimin e ditës jokushtetuese të Republikës Sërpska

    Komuniteti ndërkombëtar ka bërë thirrje për hetim të çdo shkeljeje të ligjit lidhur me shënimin e ditës jokushtetuese të Republikës Sërpska më 9 janar.

    Ceremonia për shënimin e kësaj dite jokushtetuese nis në orën 17:00 në Banjallukë.

    Autoritetet e entitetit të Republikës Sërpska festojnë 9 janarin, datën kur, në vitin 1992, në Sarajevë, Kuvendi i atëhershëm i popullit Serb së Bosnjës dhe Hercegovinës miratoi Deklaratën për shpalljen e Republikës së Popullit Serb të Bosnjës dhe Hercegovinës si një entitet i pavarur brenda Bosnjës dhe Hercegovinës.

    Megjithatë, Gjykata Kushtetuese e Bosnjës dhe Hercegovinës ka vendosur tri herë që kremtimi i 9 janarit si Dita e Republikës Sërpska është antikushtetues, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Qëllimi i asaj kohe ishte që ky territor i Bosnjës dhe Hercegovinës të bashkohej me Jugosllavinë, e cila po shpërbëhej. Në krye të republikës së vetëshpallur ishin Radovan Karaxhiq, Bilana Pllavshiq dhe Momçilo Krajishnik, të cilët janë dënuar për krime lufte nga Tribunali i Hagës. Në miratimin e deklaratës nuk kishin marrë pjesë përfaqësuesit e boshnjakëve dhe kroatëve.

    Këta dy popuj e shohin 9 janarin si fillimin e luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, si dhe si fillimin e pastrimit etnik, krimeve të luftës dhe gjenocidit ndaj popullsisë joserbe në territorin e Republikës Sërpska.

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin që organet e zbatimit të ligjit dhe ato gjyqësore në Bosnje dhe Hercegovinë të ndërmarrin hapa të shpejtë dhe vendimtarë për të hetuar çdo shkelje ligjore në lidhje me kremtimin e ditës antikushtetuese të Republikës Sërpska më 9 janar, njoftoi Ambasada amerikane përmes një postimi në X.

    Nga Ambasada amerikane kanë thënë gjithashtu se vendimet e Gjykatës Kushtetuese bazohen në ligj, jo në opinion.

    “Të gjitha entitetet janë të detyruara t’i përmbahen plotësisht vendimeve të institucioneve të Bosnjës dhe Hercegovinës, përfshirë vendimet përfundimtare dhe detyruese të Gjykatës Kushtetuese. Mosrespektimi i këtyre vendimeve përbën vepër penale sipas Kodit Penal të Bosnjës dhe Hercegovinës”, u tha në reagim.

    Delegacioni i Bashkimit Evropian në Bosnje dhe Hercegovinë, të mërkurën, me rastin e kremtimit të ditës antikushtetuese të Republikës Sërpska, i bëri thirrje liderëve politikë të këtij entiteti të refuzojnë retorikën provokuese, përfshirë sfidimin e sovranitetit, integritetit territorial dhe tërësisë së vendit.

    “BE thekson detyrimin për të respektuar sovranitetin, integritetin territorial, rendin kushtetues, përfshirë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, si dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Bosnjës dhe Hercegovinës”, u tha në deklaratën e delegacionit të BE-së në Bosnje e Hercegovinë.

    Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë, Christian Schmidt, kujtoi se kremtimi i 9 janarit si Dita e Republikës Sërpska është një shkelje e qartë dhe e drejtpërdrejtë e zbatimit të vendimeve përfundimtare dhe detyruese të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës, si dhe vendimeve të përfaqësuesit të lartë të 1 korrikut të vitit 2023. Ai paralajmëroi se mosrespektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese mund të përbëjë vepër penale, sipas Kodit Penal të Bosnjës dhe Hercegovinës.

    Schmidt shtoi se është përgjegjësi e organeve të zbatimit të ligjit, Prokurorisë së Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Policisë që të ndërmarrin masat e përcaktuara me ligj, veçanërisht në rastet që lidhen me zyrtarët publikë dhe nëpunësit civilë dhe pjesëmarrjen e tyre në përgatitjen apo organizimin e kremtimit të 9 janarit.

    Gjykata Kushtetuese e Bosnje e Hercegovinës nuk ka kundërshtuar të drejtën që Republika Sërpska të ketë një ditë të saj, por ka konstatuar se “Dita e Republikës Sërpska” nuk mund të jetë 9 janari, datë që përkon me ngjarjet e ndodhura në Sarajevë më 1992.

    Ndërkohë, Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Serbisë që të jetë njësoj e përkushtuar ndaj perspektivës evropiane të Bosnjës dhe Hercegovinës, si një vend i unifikuar, i bashkuar dhe sovran, ashtu si të gjithë partnerët e tjerë ndërkombëtarë.

    Me rastin e pjesëmarrjes së përfaqësuesve të institucioneve shtetërore të Republikës së Serbisë në kremtimin e ditës antikushtetuese të Republikës Sërpska, nga Brukseli u tha se bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore janë një pjesë thelbësore e përparimit drejt integrimeve evropiane.

    “Duhet të shmangen veprimet dhe deklaratat që ndikojnë negativisht në marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe kontribuojnë në ndarjet politike”, i tha në përgjigjen me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë nga zyra për media e BE-së.

    Përfaqësuesit nga Serbia marrin pjesë rregullisht në kremtimin e kësaj dite në Republikën Sërpska./REL

  • Emisari i zgjedhur për Ukrainën thotë se Trumpi dëshiron një përfundim të drejtë të luftës

    Emisari i zgjedhur për Ukrainën thotë se Trumpi dëshiron një përfundim të drejtë të luftës

    I zgjedhuri nga Donald Trump për postin e të dërguarit për Ukrainën dhe Rusinë, tha se presidenti i zgjedhur amerikan do të ketë parasysh interesat e Kievit kur ai të nisë punën për arritjen e një marrëveshjeje për dhënien fund të luftës dhe do të synojë që zgjidhja të jetë e drejtë.

    “Njerëzit kanë nevojë ta kuptojë se ai nuk po tenton t’i japë diçka [presidentit rus, Vladimir] Putin apo rusëve”, tha Keith Kellogg, gjenerallejtënant në pension, të cilin Trumpi e ka zgjedhur në postin e të dërguarit të tij për Ukrainën dhe Rusinë dhe e ka ngarkuar me udhëheqjen e negociatave për t’i dhënë fund luftës.

    “Ai po tenton të shpëtojë Ukrainën dhe të shpëtojë sovranitetin e saj”, tha Kellogg gjatë një interviste për Fox News më 8 janar. “Ai do të sigurohet që të jetë i drejtë dhe këtë e ka thënë vazhdimisht”, përfshirë edhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

    Trump gjatë fushatës presidenciale vitin e kaluar tha se ai do t’i jepte fund konfliktit në Ukrainë brenda 24 orësh pasi të merrte detyrën e presidentit. Tani ai shpreson që t’u japë fund luftimeve brenda gjashtë muajve.

    “Shpresoj që të ndodhë para se të kalojnë gjashtë muaj”, tha Trump gjatë një konference për media më 7 janar kur u pyet nëse do të mund të zgjidhte konfliktin për gjysmë viti.

    Kellogg tha se ai preferon një periudhë më të shkurtër kohore, në një periudhë prej 100 ditësh nga inaugurimi i Trumpit si presidenti më 20 janar. Sipas emisarit, ai dhe Trumpi dëshirojnë që t’i japin fund luftës sa më shpejt të jetë e mundur.

    Kellogg nuk pranoi të zbulonte përmbajtjen e ndonjë nga bisedat e tij me Trumpin mbi luftën, duke thënë se Trump “flet vetë” dhe më shumë informacione për këtë temë do të bëhen publike pas inaugurimit.

    Ai la të kuptohet se po punohet që Trump dhe Putin të bisedojnë.

    “Ne do të vendosim kushtet… dhe ai më pas do të jetë në pozitë që të bisedojë me Putinin dhe po ashtu me presidentin Zelensky dhe mendoj se do të arrijmë deri te një zgjidhje në një periudhë të shkurtër kohore”, tha Kellogg.

    Megjithatë, ai nuk u pyet lidhur me shtyrjen e një vizite që ai pritej të zhvillonte gjatë këtij muaji në Kiev dhe në kryeqytete të tjera evropiane. Ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sybiha, njoftoi më 7 janar se kjo vizitë do të riplanifikohet.

    Gjatë intervistës, Kellogg kritikoi presidentin amerikan, Joe Biden, për moskomunikim me Putinin, duke thënë se kanë kaluar më shumë se dy vjet që kur ata kanë biseduar. Trump, në anën tjetër, flet si me kundërshtarët ashtu edhe me aleatët, tha ai.

    “Ai e di se duhet të flitet me njerëz për të arritur te një zgjidhje përfundimtare dhe kjo është ajo çfarë ne do të bëjmë”, tha Kellogg./REL

  • Apeli konfirmon aktakuzën ndaj ministrit Sveçla dhe tre deputetëve për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend

    Apeli konfirmon aktakuzën ndaj ministrit Sveçla dhe tre deputetëve për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend

    Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës e cila kishte konfirmuar aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë ndaj ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dy deputetëve të Vetëvendosjes, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli-Dalipi, si dhe deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Drita Millaku, të cilët akuzohen për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në mars të 2018-ës.

    “Refuzohen si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të pandehurve Xh.S, avokat Laur Prenaj, F.P, avokat Lavdrim Salihu, D.M, avokat Labinot Buzuku dhe S.Z, avokat Laura Pnishi, ndërsa aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, …, i datës 06.06.2024,vërtetohet”, thuhet në vendimin e Apelit, të përpiluar më 13 dhjetor 2024, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Ndaj vendimit të Themelores, ankesë kishin ushtruar mbrojtësit e të akuzuarve të lartcekur.

    Mbrojtësi i Sveçlës, avokati Prenaj i ka propozuar Gjykatës së Apelit që ankesa të aprovohet dhe akuza të hudhet poshtë, me arsyetimin se vepra për të cilën akuzohet Sveçla nuk përbën vepër penale dhe nuk ka prova të mjaftueshme që mbështesin arsyetimin e bazuar mirë.

    Gjithashtu, mbrojtësi i të akuzuarës Pacolli-Dalipi, avokati i Salihu i ka propozuar Apelit që ankesa e tij të aprovohet dhe aktakuza të hudhet poshtë ndaj të mbrojturës të tij, me arsyetimin se është e pabazuar në ligj e prova.

    Edhe mbrojtësi i Millakut, avokati Buzuku ka propozuar që ankesa të aprovohet dhe aktakuza të hudhet poshtë si të pabazuar.

    Dhe krejt në fund, mbrojtësja e Zybës, avokatja Pnishi i ka propozuar Apelit që ta aprovojë ankesën dhe aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë ta anulojë.

    Mbi këto pretendime të avokatëve, Prokuroria e Apelit ka dorëzuar parashtresë përmes të cilës i ka propozuar Gjykatës së Apelit që të gjitha ankesat e avokatëve të refuzohen ndërsa vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë të vërtetohet.

    Mirëpo, sipas Apelit, vendimi i Themelores përmes të cilit është konfirmuar aktakuza e Prokurorisë është i qartë dhe konkret.

    Sipas Apelit, në këtë fazë të procedurës aktakuza e ngritur përmban të gjitha elementet e kërkuara sipas ligjit dhe se nuk ka vend për hudhje të aktakuzës, si dhe nuk përjashtohet përgjegjësia penale e të akuzuarve.

    Gjithashtu, në vendim thuhet se nuk ekzistojnë rrethana të tjera që pengojnë ndjekjen penale dhe se ka prova të bazuara mirë se të akuzuarit kanë kryer veprën penale për çka edhe po akuzohen.

    “…nuk ka vend për hedhje të aktakuzës, ngase vepra penale për të cilën po akuzohen të pandehurit paraqet vepër penale, nuk ekzistojnë rrethana që përjashtojnë përgjegjësinë penale, nuk ka arrit afati i parashkrimit, nuk ka rrethana të tjera që pengojnë ndjekjen penale dhe ka prova të mjaftueshme për një dyshim të bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen…”, thuhet në vendimin e Apelit.

    Pretendimet e mbrojtësve të të akuzuarve se nuk ka prova të mjaftueshme që mbështesin dyshimin e bazuar mirë, sipas Apelit, nuk qëndrojnë pasi që këto pretendime do të vlerësohen dhe vërtetohen gjatë shqyrtimit gjyqësor.

    Gjithashtu, lidhur me pretendimet që provat materiale që gjenden në aktakuzë nuk kanë lidhshmëri me mes veprimeve të të akuzuarve, sipas Apelit, në këtë fazë nuk do të shqyrtohen pasi që tash në këtë fazë shqyrtohet vetëm ligjshmëria e nxjerrjes së provave dhe ngritjes së aktakuzës.

    Pas konfirmimit të aktakuzës, Gjykata Themelore në Prishtinë pritet të caktojë seancën e shqyrtimit gjyqësor.

    Ndryshe në seancën fillestare të mbajtur më 26 mars 2024, ministri Sveçla dhe tre deputetët Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi ishin deklaruar të pafajshëm për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.

    Ministri Sveçla dhe tre deputetët Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi akuzoheshin edhe për veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, por për këtë vepër në seancën fillestare gjykatësi i rastit Sabit Sadikaj, kishte njoftuar se ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

    “Betimi për Drejtësi”, në tetor të vitit 2021 kishte raportuar ekskluzivisht për aktakuzën e ngritur ndaj ministrit Sveçla dhe deputetëve Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi.

    Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e cila rezulton të jetë ngritur më 29 korrik 2019, Sveçla, Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi po akuzohen se më 21 mars 2018, rreth orës 12:10 e deri në orën 15:40, kanë ndezur disa bombola të gazit lotsjellës, të cilat i kishin hedhur brenda sallës së Kuvendit të Kosovës, ku po mbahej seanca plenare.

    Aty thuhet se si rrjedhojë e kësaj, të gjithë deputetët ishin detyruar ta lironin sallën e Kuvendit, me ç’rast kanë pamundësuar vazhdimin e seancës.

    Me këtë, secili veç e veç akuzohen se kanë kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, kryerësi i së cilës dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.

    Kurse, sipas dispozitivit të dytë, thuhet se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, pasi kanë penguar deputetët e Kuvendit të Kosovës ne kryerjen e detyrave zyrtare. Kryerësi i kësaj vepre dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet.

  • Vdekja e ish-presidentit James Carter, ulet në gjysmështizë flamuri i SHBA-së në ambasadën në Prishtinë

    Vdekja e ish-presidentit James Carter, ulet në gjysmështizë flamuri i SHBA-së në ambasadën në Prishtinë

    Flamuri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës u ul në gjysmështizë sot për Ditën e Zisë Kombëtare për ta nderuar Presidentin e 39-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, James Earl Carter Jr.

    Carter vdiq më 29 dhjetor në moshën 100-vjeçare, pas gati dy vitesh nën vëzhgim mjekësor në shtetin e Georgias.

    Arkivoli i tij kaloi nëpër rrugët e vendlindjes së tij në qytezën Plains, nëpër bulevardet e Atlantas, kryeqytetetin e shtetit.

    Mijëra njerëz bënë homazhe në Kapitol të Shteteve të Bashkuara për ta nderuar atë të mërkurën.