ATV

Category: Lajme

  • Musmurati: Librat shkollorë duhet t’i blejë Ministria, jo të subvencionohen

    Musmurati: Librat shkollorë duhet t’i blejë Ministria, jo të subvencionohen

    Kandidatja për deputete nga PDK, Besiane Musmurati, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Ministria e Arsimit duhet t’i blejë drejtpërdrejt tekstet shkollore për nxënësit dhe jo të subvencionojë prindërit, pasi kjo praktikë krijon mundësi për abuzime me çmimet.

    Sipas Musmuratit, ligji e obligon Ministrinë e Arsimit që të blejë librat shkollorë, ndërsa subvencionimi i tyre ka sjellë keqpërdorime financiare dhe çmime abuzive.

    “Ministria duhet t’i blejë librat shkollorë, ashtu siç e përcakton ligji. Në vend që t’i luftojë oligarkët, qeveria aktuale po i blen librat me çmime abuzive. Është sikur Ministria e Shëndetësisë të subvenciononte barnat për pacientët në vend që t’i siguronte vetë me çmime të arsyeshme”, tha Musmurati.

    Ajo kritikoi qasjen e qeverisë për subvencionimin e librave, duke thënë se kjo metodë nuk garanton transparencë dhe po dëmton familjet kosovare.

    “Librat duhet t’i blejë ministria, jo të subvencionohen. Kjo praktikë po i dëmton prindërit dhe po krijon hapësirë për keqpërdorime të fondeve publike,” u shpreh Musmurati.

    Deklaratën e plotë të Besiane Musmuratit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Gruda: Programi i PDK-së synon ta lartësojë figurën e gjyqtarit dhe prokurorit

    Gruda: Programi i PDK-së synon ta lartësojë figurën e gjyqtarit dhe prokurorit

    Kandidati për deputet nga PDK, Përparim Gruda, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se programi i partisë së tij ka për synim ta forcojë dhe ta lartësojë figurën e gjyqtarëve dhe prokurorëve në vend, duke e bërë drejtësinë shtyllë të një shoqërie të zhvilluar.

    Sipas Grudës, një shoqëri nuk mund të zhvillohet nëse gjyqtarët dhe prokurorët sulmohen e fyhen nga politikanët në baza të përditshme.

    “Ky program ka për synim ta lartësojë figurën e gjyqtarit dhe prokurorit në këtë vend. Nuk mund të vazhdojmë të jetojmë në një shoqëri ku politikanët i fyejnë dhe i sulmojnë përditë gjyqtarët dhe prokurorët. Drejtësia është themeli i një shoqërie të zhvilluar”, tha Gruda.

    Ai tha se pa një sistem të drejtësisë efikas dhe të paanshëm, nuk mund të ketë as ekonomi të fortë dhe as garantim të të drejtave dhe lirive të qytetarëve.

    “Nuk mund të ketë realizim të të drejtave dhe lirive të qytetarëve të Kosovës pa një sistem të drejtësisë që funksionon në mënyrë efikase dhe të drejtë” u shpreh Gruda.

    Deklaratën e plotë të Përparim Grudës në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Mustafa: Me PDK-në në pushtet do të ketë më pak taksa për bizneset dhe rritje të pagave me 50%

    Mustafa: Me PDK-në në pushtet do të ketë më pak taksa për bizneset dhe rritje të pagave me 50%

    Kandidati për deputet nga PDK, Arben Mustafa, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se një nga prioritetet e tij është reforma fiskale me më pak taksa për bizneset dhe rritje të pagave dhe pensioneve.

    Sipas Mustafës, qeveria duhet të fokusohet në stimulimin e investimeve private, modernizimin e teknologjisë dhe përmirësimin e infrastrukturës, duke përfshirë hekurudhat dhe projektet e mëdha të transportit.

    “Do të kemi më pak taksa për bizneset, grante për financim dhe mbështetje për investimet private në modernizimin e teknologjisë, që të jenë konkurruese. Politikat fiskale do të sjellin më pak tatime dhe më shumë kushte për zhvillim”, tha Mustafa.

    Ai tha se mungesa e investimeve kapitale në këtë mandat ka ndikuar jo vetëm në infrastrukturën rrugore, por edhe në shëndetësinë dhe arsimin.

    “Mungesa e investimeve kapitale në këtë mandat nuk është reflektuar vetëm në rrugë, është reflektuar edhe në spitale, edhe në shkolla. Shihni kushtet si janë atje, inflacioni, çmimet janë rritur. Rritja e çmimeve duhet të shoqërohet me rritje të të hyrave për familjet kosovare,” u shpreh Mustafa.

    Mustafa, po ashtu tha se PDK e ka në program rritjen e pagave me 50% dhe të pensioneve me 70%, duke premtuar se këto janë ndryshime që do të zbatohen menjëherë.

    “Këtë do ta bëjmë: rritje të pagave pesëdhjetë për qind, rritje të pensioneve shtatëdhjetë për qind. Bedri Hamza këtë e bën, e bën dhe e ka bërë më herët, do ta bëjë,” tha Mustafa.

    Deklaratën e plotë të Arben Mustafës në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Hashani tregon sa ka humbur Kosova për shkak të mungesës së investimeve kapitale

    Hashani tregon sa ka humbur Kosova për shkak të mungesës së investimeve kapitale

    Profesori i ekonomisë në Kolegjin AAB, Medain Hashani, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se qeveria e kaluar ka shkaktuar humbje ekonomike mbi një miliard euro për Kosovën, për shkak të mungesës së investimeve kapitale.

    Sipas Hashanit, në qeveritë e mëparshme ka pasur rritje ekonomike, por jo zhvillim ekonomik, ndërsa në qeverinë e tanishme edhe rritja ekonomike është eliminuar për shkak të mungesës së investimeve.

    “Në qeveritë e mëhershme kemi pasur vetëm rritje ekonomike, por nuk kemi pasë zhvillim ekonomik. Në qeverisjen e tanishme, që është, edhe rritja ekonomike është eliminuar për arsye të mungesës së investimeve kapitale. Kemi një bilanc tregtar 6 miliardë negativë, kemi një politika fiskale, të cilat fare s’janë ndryshuar”, tha Hashani.

    Ai tha se, për katër vite nuk janë shfrytëzuar katër miliardë euro, me një humbje vjetore prej një miliardi euro.

    “Për katër vite nuk i ka shfrytëzuar katër miliardë euro kjo qeveri, çdo vit nga një miliard i ka ndepruar. Nëse e matim në aspektin e multiplikimit dhe mosinvestimit, marrë për bazë edhe punën e inflacionit, dëmi që e ka shkaktuar kjo qeveri është mbi një miliard euro, pa e vënë në funksion multiplikimin,” u shpreh Hashani.

    Deklaratën e plotë të Medain Hashanit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Musmurati: PDK e ka në program ndërtimin e 25 çerdheve në vit

    Musmurati: PDK e ka në program ndërtimin e 25 çerdheve në vit

    Kandidatja për deputete nga radhët e PDK-së, Besiane Musmurati, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se partia e saj ka plan të qartë për ndërtimin e 25 çerdheve në vit, si një hap të domosdoshëm për përmirësimin e sistemit të kujdesit për fëmijët.

    Sipas Musmuratit, aktualisht, numri i fëmijëve të regjistruar në çerdhe është shumë i ulët krahasuar me nevojat dhe standardet e vendeve të tjera.

    “Ne e kemi paraparë ndërtimin e 25 çerdheve në vit. Ky është një plan ambicioz, por i domosdoshëm. Në Kosovë ka rreth 132 mijë fëmijë nga mosha zero deri në gjashtë vjet, ndërsa vetëm rreth 31 mijë janë të regjistruar në çerdhe. Pra, flasim për një mesatare jashtëzakonisht të ulët në krahasim me çdo vend tjetër”, tha Musmurati.

    Ajo tha se vetëm 23 për qind e fëmijëve ndjekin çerdhet publike ose private, prandaj investimi në këtë sektor është i domosdoshëm për zhvillimin e fëmijërisë së hershme.

    “Vetëm 23 për qind e fëmijëve janë të regjistruar në çerdhe, qoftë publike apo private. Prandaj, mendoj se ky është investimi i duhur për fëmijërinë e hershme”, u shpreh Musmurati.

    Deklaratën e plotë të Besiane Musmuratit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Nesër mbahet seanca gjyqësore ndaj Tefik Mustafës

    Nesër mbahet seanca gjyqësore ndaj Tefik Mustafës

    Nesër, më 30 janar 2025, në ora 11:30, në Gjykatën e Lartë në Beograd do të mbahet seanca gjyqësore ndaj shtetasit të Kosovës, Tefik Mustafa, i cili akuzohet për rrëmbimin dhe vrasjen e tre policëve serbë më 19 qershor 1999, gjatë periudhës së luftës në Kosovë, raporton ATV.

    Mustafa u arrestua nga autoritetet serbe më 1 qershor 2024 dhe iu caktua masa e paraburgimit për 30 ditë, me arsyetimin se ekziston rreziku i arratisjes.

    Ai akuzohet për “krime lufte kundër popullatës civile”, si bashkëkryes, bazuar në deklaratat e dëshmitarëve që e lidhin atë me zhdukjen e tre zyrtarëve policorë serbë pranë Llabjanit, në magjistralen Prishtinë-Gjilan.

    Arrestimi i tij është kundërshtuar nga autoritetet e Kosovës, të cilat e kanë cilësuar atë si arbitrar dhe kanë kërkuar ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar për lirimin e tij.
    Ky nuk është rasti i parë i arrestimeve të shtetasve të Kosovës nga Serbia nën dyshimet për krime lufte.

    Në vitet e fundit, disa persona janë ndaluar dhe akuzuar për ngjarje që datojnë nga lufta e viteve 1998-99, ndërsa autoritetet kosovare i kanë konsideruar këto veprime si të motivuara politikisht. /atvlive.tv

  • Ka vazhduar gjykimi për krime lufte në Vushtrri, ndaj Zoran Vukotiqit

    Ka vazhduar gjykimi për krime lufte në Vushtrri, ndaj Zoran Vukotiqit

    Përgatiti: Nora Luta

    Në kërkim të drejtësisë për vrasjen e djalit të tij gjatë luftës, Ismet Muli të mërkurën dha dëshminë në Gjykatën e Prishtinës. Aty, për vrasjen e Burim Mulit, është duke u zhvilluar gjykimi ndaj Zoran Vukoticit.

    Ndonëse tha se nuk ishte në vendin e ngjarjes në ditën kritike, për Vukoticin shprehi bindjen se mori pjesë në vrasjen e Burimit.

    Muli gjatë dëshmisë përmendi dy policë serbë me emrin e Zoranit.

    Më 18 prill të 1999-s, rrugëve të lagjes ku u vra Burimi, e kishte parë Vukoticin me dy policë të tjerë, Muharrem Kaçandolli, ndaj të cilit kishin drejtuar armën.

    Dëshmitarët me pyetje u ballafaquan edhe nga Vukotic, i cili deshi të dijë kryesisht se si u identifikua bazuar në gjatësinë e tij. Ndërkohë, gjatë kësaj seance u dëgjua edhe Shpresa Rama.

    Vukotic, për vrasjen e 13-vjeçarit Burim Muli nga Vushtrria, në këtë rast akuzohet edhe për dhunë seksuale, dhe për sulm e vrasje të civilëve në Studime, dhe fshatra përreth të Vushtrrisë gjatë 2 dhe 3 majit të vitit 1999.

  • Në fshatin Mihaliq të Vushtrrisë u përurua rezervuari i ujit, pjesë e kanalit të Iber Lepencit

    Në fshatin Mihaliq të Vushtrrisë u përurua rezervuari i ujit, pjesë e kanalit të Iber Lepencit

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Ndërmarrja Ibër-Lepenci përuroi rezervuarin në fshatin Mihaliq të Vushtrrisë, që është një segment i projektit, në zhvillim, në vlerë të përgjithshme prej 15 milionë euro për sigurinë e ujit, mbrojtjen dhe rehabilitimin e kanalit.

    Pasi e cilësuan investim në sigurinë kombëtare, Ministrja e Ekonomisë dhe kryeshefit të ndërmarrjes, thanë se rëndësia e tij vërehet më shumë pas sulmit terrorist të 29 Nëntorit në Varagë të Zubin Potokut.

    “Ofron rezerva për 24 orë termocentralin e KEK-ut ose furnizim me ujë për KRU Prishtina, në rast të ndonjë aksidenti apo incidenti tjetër që shpresoj që mos e kemi kurrë. Sido që të jetë, falë punës suaj tani falë punës tuaj mund të qëndrojmë më të qetë me këtë rezervuar të ri”, tha ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

    “Ky rezervuar ka kapacitet prej 30 mijë metra kub ujë, i njëjti shtrihet në gjatësi prej 800 metra, me gjerësi 12 dhe thellësi 4 metra”, tha Faruk Mujka, kryeshef Ekzekutiv i Ndërmarrjes “Ibër Lepenci”.

    Megjithatë, një projekt shumë më i madh në një pjesë tjetër të fshatit Mihaliq ishte refuzuar vite më parë nga ndërmarrja.

    Projekti që përmendet në një studim fizibiliteti nga Banka Botërore, dhe që nuk u çua përpara, parashihte ndërtimin e një rezervuari të ujit me kapacitet prej 3.7 milionë metrash kub.

    Për mundësinë e jetësimit të këtij projekti s’pati përgjigje të prerë.

    “Rezervuari që e përmendet ju, nuk ka qenë në projektet që cilat i kam gjetë në sirtarë dhe është projekt që i tejkalon mundësitë e Ibër Lepencit. Vendimi për rezervuarin që e përmendët ju është i niveleve të tjera”, tha Mujka.

    “Qeveria e Republikës së Kosovës do të mbështetë çdo zgjidhje, e cila është fizibile, financiarisht dhe teknikisht, dhe që përkrahet nga ekspertët e fushës. Në kohën kur është marrë ai vendim ka pasur mendime të ndryshme edhe sa i përket fizibilitetit teknik edhe atij financiar”, tha Rizvanolli.

    Projekti i plotë për Sigurinë e Ujit dhe Mbrojtjen e Kanalit, një segment i të cilit u përurua të mërkurën, planifikohet të përfundojë më vonë këtë vit.

  • SHBA-ja ndalon ndihmat, preket edhe ekonomia kosovare

    SHBA-ja ndalon ndihmat, preket edhe ekonomia kosovare

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Miliona euro investime në vit përfitonte Kosova nga Agjencia për zhvillim ndërkombëtar, USAID.

    Por projektet që qenë financuar nga kjo agjenci do të ndërpriten përkohësisht, pas vendimit të presidentit amerikan që t’i ndalojë të gjitha ndihmat për 90 ditë, deri në një rivlerësim të projekteve.

    Sipas ekonomistëve, vendimi të lë pasoja tek organizatat që financoheshin nga kjo agjenci, por edhe në ekonominë e vendit.

    “Ndihma e USAID-it në mënyrë direkt apo indirekte brenda një viti ka qenë nga 40-50 milionë euro dhe besoj që do të jetë dëm që do të ketë efekte negative në Kosovë. Çka është esenciale të zbërthehet është se orientimi kryesor i partneritetit përmes USAID-it ka qenë sundimi i rendit dhe ligjit, dhe mbështetja e administratës, dhe në këtë drejtim ka qenë edhe sektori privat, në veçanti dikasteret e prodhimit duke filluar nga mobilieria, ndërtimi e prodhimet e ndryshme”, tha Safet Gërxhaliu, ekspert i ekonomisë.

    Disa nga projektet që aktualisht financohen nga USAID-i janë, ndihma për mbështetjen e reformave legjislative, përmirësimi i gjithpërfshirjes dhe llogaridhënies, sfidat e korrupsionit, kapacitetet industriale për zhvillim të tregut të energjisë, e shumë të tjera.

    Megjithatë pavarësish dëmeve, një ri-planifikim i mjeteve thuhet se mund të ketë edhe dobi, pasi jo të gjitha mjetet janë destinuar aty ku duhet.

    “Është e rrugës të dihet ku shkojnë këto mjete, në çfarë forma po shfrytëzohen dhe ndoshta do të jetë një vetëdijesim i shteteve tjera që këto mjete të kanalizohen aty ku gjenerojnë efekte”, tha Gërxhaliu.

    “Më ndërrimin e administratës ndërrojnë edhe qëllimet dhe për këtë shkak besoj që do të dëshirojnë të riorientojnë ndaj qëllimeve që kanë, d.t.th të verifikohen për qëllimet të cilat janë në interes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Fidan Qerimi, profesor i ekonomisë.

    Në fakt ky qe edhe qëllimi i vetë administratës së Trumpit, pasi siç thuhet edhe në vendim, Shtetet e Bashkuara kërkojnë që të sigurohen që çdo dollar që shpenzohet për ndihma të shkojë në projekte që përputhen me politiken e jashtme të SHBA-së.

    Lidhur me këtë vendim është deklaruar edhe Ambasada amerikane në Kosovë.

    “SHBA mbetet e përkushtuar për të mbështetur vendet e Ballkanit në rrugën e tyre drejt zhvillimit dhe stabilitetit, por gjithashtu presim angazhim të qartë për vlerat demokratike dhe sundimin e ligjit”, thuhet në përgjigjen nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë.

    Ndryshe, vlerësohet se USAID-i ka investuar më shumë se 1 miliard dollarë në zhvillimin e Kosovës që nga viti 1999.

  • Rrugë të ndryshme në Komunën e Fushë Kosovës janë në gjendje të dobët infrastrukturore

    Rrugë të ndryshme në Komunën e Fushë Kosovës janë në gjendje të dobët infrastrukturore

    Përgatiti: Besmire Kluna

    Në rrugën ‘’Hajrullah Zajmi’’, në Komunën e Fushë Kosovës, e cila u asfaltua së fundi, kjo pesetë e ujërave të zeza po qëndron e hapur tash e dy javë.

    Kështu ajo po përbërë rrezik për banorët këndej pari.

    ‘’Katastrofë. Së pari për sigurinë e fëmijëve, këtu mundet me ardhë ndonjë fëmijë, s’e sheh, bie në gropë’’, thotë një qytetar.

    ‘’Fillimisht kur është shtru rruga janë vonu shumë, ka shumë rrezik, tepër ka rrezik, as minimalja nuk është prej sigurisë, këtu po e shihni edhe vetë se si e kanë shtru rrugën e kanë marrë shaktin, unë vajzat i kam në shkollë po nuk guxojnë me dal vet shkaku i rrugës’’, thotë një qytetare.

    Në anën tjetër, opozita konsideron se probleme të ngjashme në këtë komunë janë në numër të madh.

    “Është e vërtetë se problematika në rrugën ‘’Hajrullah Zajmi’’, nuk janë të kohës se fundit por që një kohë të gjatë, problemet që i kanë lënë pas këtij projekti asfaltimit janë të shumta një prej tyre është edhe çështja e pusetave ose e shakteve të kanalizimit që kanë mbetur të hapura, problematikë është edhe ngushtimi të hapësirave për qytetarët është normë edhe logjikë që me shumë të i jepet përparësi kalimtarëve se sa veturave e këtë rast ka ndodh e kundërta”, tha Durim Hajra, asamblist i Vetëvendosjes.

    As rrugët tjera në këtë komunë nuk janë në gjendje të mirë.

    Rruga ‘’Knjaz Milloshi’’, është mjaftë e dëmtuar dhe me gropa të shumta. Ngjashëm është edhe rruga e ‘’Pejës’’ dhe rruga ‘’Nënë Tereza’’.

    Nga Komuna e Fushë Kosovës, nuk treguan se kur pritet të bëhet riparimi i këtyre rrugëve, por thanë se do të përkujdesën që puseta të mbyllet sa më shpejt.

    ‘’Tash e thërras menagjeren e kontratës dhe Kompania do të dalë, deri nesër pritet të rregullohet’’, tha Bardhyl Koiqiqi nga Drejtoria e Infrastrukturës.

    Komuna e Fushë Kosovës ka miratuar buxhetin për vitin e 2025 në vlerë prej 16,747,833.00 euro.