ATV

Category: Lajme

  • ​Parisi do të bëhet me statujën e Skënderbeut

    ​Parisi do të bëhet me statujën e Skënderbeut

    Bashkia e Tiranës ka nisur zbatimin e nismës për vendosjen e statujës së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në sheshin që mban të njëjtin emër në lagjen 19 në Paris.

    Ky projekt, falë bashkëpunimit të frytshëm me kryetaren e Bashkisë së Parisit, Anne Hidalgo, ka për qëllim forcimin e lidhjeve kulturore ndërmjet dy vendeve dhe promovimin e vlerave historike të kombit shqiptar në arenën ndërkombëtare.

    Statuja do të jetë një riprodhim i veprës ikonike të skulptorit të njohur shqiptar, Odhise Paskali, e cila u përurua për herë të parë në janar të vitit 1968, për të shënuar 500-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut, raporton Tch.

    Bashkia Tiranë nëpërmjet ekipit të Qendrës së Realizimit të Veprave të Artit është duke punuar për ta sjellë këtë kryevepër në formën më të përsosur, duke ruajtur autenticitetin dhe fuqinë artistike që ajo përfaqëson.

    Ky projekt është pjesë e një strategjie afatgjatë për të promovuar artin dhe historinë shqiptare në botë.

    Në vitet e fundit, Bashkia e Tiranës ka realizuar projekte të ngjashme, si vendosja e statujës së Skënderbeut në Budapest, Hungari, ku ajo qëndron përballë statujës së heroit hungarez, Janosh Huniadi.

    Ceremonia e përurimit të statujës pritet të zhvillohet së shpejti, me pjesëmarrjen e personaliteteve të njohura nga Shqipëria dhe Franca, si dhe përfaqësuesve të diasporës shqiptare në Evropë.

  • Presion politik në rrjetet sociale, një qytetar thotë se i është targetuar prindi për shkak të shkrimeve të tij kundër LDK-së

    Presion politik në rrjetet sociale, një qytetar thotë se i është targetuar prindi për shkak të shkrimeve të tij kundër LDK-së

    Një qytetar, i cili është mjaft aktiv në rrjetet sociale për kritika ndaj opozitës, Dimal Stublla, përmes një postimi në facebook, ka thënë se po përballet me presione ndaj familjes së tij, për shkak të qëndrimeve të tij në rrjetet sociale.

    Ai tha se individë të caktuar nga LDK e kanë targetuar prindin e tij dhe po i bëjnë presion në lidhje me shkrimet e tij ën facebook.

    “Individa nga LDK-ja e kane targetu prindin tim dhe po i bejne presion ne lidhje me shkrimet e mija, dhe une i lus keta persona qe te ndalen sepse keto presione te ulta nuk kane me pi uje. Heren tjeter do ti publkoj emrat e tyre”, ka shruar Stublla.

  • Putin thotë se është i gatshëm për bisedime të paqes, por jo me Zelenskyn

    Putin thotë se është i gatshëm për bisedime të paqes, por jo me Zelenskyn

    Presidenti rus, Vladimir Putin, edhe një herë ka përjashtuar mundësinë e bisedimeve të drejtpërdrejta të paqes me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, të cilin e quajti “jolegjitim”. Kjo deklaratë nxiti udhëheqësin ukrainas që ta akuzjë Putinin se ka “frikë” që të negociojë një zgjidhje për luftën pothuajse 3-vjeçare.

    “Mund të negocioni me këdo, por për shkak të jolegjitimitetit të tij, ai [Zelensky] nuk ka të drejtë që të nënshkruajë asgjë”, tha Putin për televizionin shtetëror rus, Rossiya 1TV, mbrëmjen e 28 janarit.

    Ai shtoi se do të “caktojë njerëz që të marrin pjesë” në negociata nëse Zelensky do të ishte prezent, në vend të mbajtjes së bisedimeve kokë më kokë.

    Putin disa herë ka deklaruar se ai nuk e konsideron Zelenskyn si udhëheqës legjitim, pasi që mandati pesëvjeçar presidencial i tij është dashur të përfundojë më 20 maj të vitit 2024.

    Zgjedhjet do të duhej të mbaheshin më 31 mars të vitit të kaluar, por u shtynë pasi shteti ende ka në fuqi gjendjen e luftës, për shkak të pushtimit të nisur nga Moska.

    Zelensky, i cili sipas Kushtetutës duhet të vazhdojë të shërbejë derisa të zgjidhet një president i ri, iu përgjigj pretendimit të Putinit, duke thënë se udhëheqësi rus është pengesa për bisedimet për dhënien fund të luftimeve.

    “Sot, Putini edhe një herë e konfirmoi se ai ka frikë nga negociatat, frikë nga udhëheqësit e fuqishëm dhe bën gjithçka që mundet për ta prolonguar luftën”, shkroi Zelensky në rrjetet sociale.

    “Tani, ne shohim se ka mundësi për arritjen e një paqeje të vërtetë, por Putini po bën gjithçka që të vazhdojë vrasjen në shkallë të plotë në vend të paqes, apo për një pauzë që të përgatitet për një pushtim të ri në shkallë të gjerë, duke kryer sulme hibride”.

    Ukraina ka shpallur gjendje lufte që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë në shkurt të vitit 2022 dhe i duhet që të ndryshojë ligjin në mënyrë që t’i mbajë zgjedhje në kohën kur gjendja e luftës është në fuqi.

    Zelensky po kërkon nga Shtetet e Bashkuara që t’i bëjnë presion Moskës për t’i dhënë fund luftës, në mes të intensifikimit të raportimeve për negociata në prapaskenë për zgjidhjen e konfliktit, pasi Donald Trump mori detyrën e presidentit.

    Që kur u inaugurua më 20 janar, Trump ka kërcënuar me vendosjen e taksave dhe sanksioneve ndaj mallrave që shkojnë nga Rusia në SHBA dhe në shtete të tjera, nëse Moska nuk ulet në tavolinën e negociatave.

    “Nëse nuk arrini marrëveshje shpejt, nuk do të kem zgjidhje tjetër përpos që të vendos tarifa të larta dhe sanksione ndaj çdo gjëje që Rusia shet në SHBA dhe në disa shtete të tjera”, shkroi Trump më 22 janar në Truth Social.

    Këto kërcënime si duket bien ndesh me lëvdatat që Trumpi i ka bërë në të kaluarën Putinit, me kritikat e ndihmës së SHBA-së për Ukrainën dhe dëshirës së tij për një përfundim të shpejtë të luftimeve, që nxiti shqetësime në mesin e mbështetësve të Ukrainës se ai do të mund të sakrifikonte interesat e Kievit në emër të një marrëveshjeje dhe kështu të forconte Rusinë.

    Kremlini u është përgjigjur deklaratave të ashpra të Trumpit, duke thënë se në to “nuk ka ndonjë element të ri”.

    Ukraina është duke humbur terren në fushëbetejë tash e pothuajse një vit, teksa ushtria më e madhe dhe e armatosur më mirë e Rusisë po vazhdon të thyejë mbrojtjet ukrainase dhe të shkaktojë viktima.

    Një nga problemet më të mëdha të Kievit është sfida për të rekrutuar ushtarë të mjaftueshëm për t’i mbushur radhët. Zelensky i ka rezistuar thirrjes për uljen e moshës së rekrutimit, në 18 vjeç, duke thënë se një gjë e tillë do ta shkatërronte demografinë e shtetit./rel

  • Walker jep dëshmi në Gjykatën Themelore

    Walker jep dëshmi në Gjykatën Themelore

    Ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë, William Walker, është paraqitur sot para Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    Lajmin për KosovaPress e konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinës, Mirlinda Gashi e cila bëri të ditur se dëshmia e Walker bëhet pas kërkesës së Prokurorisë Speciale për mundësi hetuese të veçantë për marrjen e deklaratës së tij.

    “Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për mundësi hetuese të veçantë për marrjen e deklaratës së dëshmitarit W.W, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special është duke mbajtur seancën për mundësi hetuese të veçantë për marrjen e deklaratës së dëshmtarit W.W, i cili ka të bëjë me krime lufte. Rasti është i mbyllur për publikun”, thotë Gashi në një përgjigje me shkrim për KosovaPress.

  • ​Akullthyesja bërthamore ruse dhe një anije mallrash përplasen në Arktik

    ​Akullthyesja bërthamore ruse dhe një anije mallrash përplasen në Arktik

    Një akullthyese bërthamore ruse është dëmtuar në një përplasje me një anije mallrash në Arktik, sipas mediave ruse.

    Akullthyesja 50 Let Pobedy (50 vjet fitore) po përpiqej të çlironte anijen e mallrave Yamal Krechet nga akulli i cili po e pengonte atë të arrinte në portin e Sabetta në Detin Kara, raporton Newsweek.

    50 Let Pobedy është një nga vetëm dy anijet e mbetura në gjeneratën e parë të klasës Arktik ende në shërbim, sipas Ekzekutivit Detar. Dëmi i pësuar mund të pengojë shërbimin e saj të vazhdueshëm dhe të prishë punën e Rusisë në Arktik.

    Kompania mëmë e akullthyesit bërthamor, Atomflot tha se 50 Let Pobedy po vazhdon operacionet e saj në rrugën e Detit të Veriut. Atomflot, pjesë e grupit Rosatom, mban flotën e vetme në botë të akullthyesve me energji bërthamore.

    Një video e përplasjes së anijeve është bërë virale në mediat sociale dhe tregon se akullthyesi bërthamor i afrohet harkut të anijes së mallrave përpara se të godasë anën e portit të Yamal Krechet. Akullthyesi bërthamor u dëmtua në harkun e portit mbi vijën ujore.

    Anija Yamal Krechet po lundron nën flamurin rus dhe kishte si destinacion Sabetta, një nga portet më të mëdha të Arktikut të Rusisë, kur ndodhi përplasja.

    Në një postim në X, i njohur më parë si Twitter, Anton Gerashchenko, ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Ukrainës, shkroi: “akullthyesja ruse është përplasur me një anije mallrash më 26 janar. “Akullthyesja pësoi dëmtime në pjesën e majtë të trupit”.

    Deti Kara është një det margjinal, i ndarë nga deti Barents në perëndim nga ngushtica Kara dhe Novaya Zemlya, dhe nga deti Laptev në lindje nga arkipelagu Severnaya Zemlya. Në fund të fundit, detet Kara, Barents dhe Laptev janë të gjitha shtrirje të Oqeanit Arktik në veri të Siberisë.

  • Pas 27 vitesh zbardhet vrasja e dy shqiptarëve në Beograd!

    Pas 27 vitesh zbardhet vrasja e dy shqiptarëve në Beograd!

    Shkruan: Demir Reshiti

    Para dy ditësh, derisa po shfletoja arkivin e gazetave, hasa në një shkrim me titull: “Në Beograd u vranë dy shqiptarë”. Bëhej fjalë për shkrimin e botuar në gazetën “Bujku” të datës 27 janar 1998 me autor A.B.Cani, në të cilin flitej për vrasjen makabre të dy shqiptarëve nga e njëjta familje, Haki (42) dhe Jakup (37) Avduti nga fshati Blaç i Opojës me vendbanim në Prizren.

    Vrasja kishte ndodhur në katin e katërt të një objekti banesor në rrugën “Zmaj Jovina” të kryeqytetit serb dhe autoritetet policore kishin njoftuar se bëhet fjalë për dy vrasës të maskuar të cilët pas kryerjes së krimit ishin larguar në drejtim të pa njohur. Në këtë shkrim theksohej gjithashtu se policia kishte gjetur tek të vrarët “një shumë të madhe devizash”…

    Meqë i njihja te dy të ndjerët (me Hakiun kisha një afërsi më të madhe shoqërore), kureshtja më shtyri që të hulumtojë se a është bërë ndonjë përpjekje për zbardhjen e këtij rasti, qoftë nga organet e drejtësisë, qoftë nga familjarët.

    Vrasja kishte ndodhur në Beograd dhe në një kohë kur Kosova ishte në gjendje lufte me Serbinë, andaj nuk kishte ndonjë shpresë se do të zbulohej vrasësi, aq më tepër kur viktimat ishin shqiptarë…

    Në përpjekje e sipër për të hulumtuar rastin, e vërejta një postim përkujtimor të mbesës së viktimave, Sara Salihu, e cila kishte postuar fotografitë e dajave të saj të ndjerë me rastin e 27 vjetorit të vrasjes. Sarës ia kërkova të mi dërgojë fotografitë dhe e pyeta nëse kanë ndonjë informacion se a e dinë familjarët se kush është vrasësi, a është mbajtur ndonjë seancë gjyqësore dhe a është dënuar dikush për këtë vrasje? Ajo më tha se familja nuk ka informacione të tilla përveçse këto ditë është kapur vrasësi, dhe ma dërgoi vegëzën e një videoje të publikuar në youtube në kanalin e mediumit “Ditari Rajonit”, video që mbante titullin “Zbardhet pas 27 vitesh vrasja e vëllezërve shqiptarë në Beograd”…
    Në këtë video prej 1:16 sekondash, mediumi në fjalë kishte shfrytëzuar pamjet e medias beogradase “Blic” e cila tregonte për arrestimin Zoran V. (48), të dyshuar për vrasjen e Haki dhe Jakup Avdutit.

    Gazeta “Blic” shkruante ndër të tjera se dhe deri më tani i dyshuari për vrasje Zoran V., ka jetuar dhe punuar në Novi Sad ku është arrestuar për drogë dhe armë, ndërkohë që gjatë analizës së ADN-së së tij, u zbulua se i njëjti është i dyshuar për vrasjen e dy shqiptarëve të ndodhur 27 vite më parë në rrugën “Zmaj Jovina” në Beograd.

    Në shkrimin e saj të botuar pikërisht në ditën kur po bëheshin 27 vjet nga vrasja, ndër të tjera theksohet: “Aktakuza, e cila i është dorëzuar Gjykatës së Lartë në Beograd për vendim pas konfirmimit, e ngarkon Zoran V. për veprën penale Vrasje e rëndë. Prokuroria i propozoi gjykatës zgjatjen e masës së paraburgimit për të pandehurin për shkak të rrezikut të arratisjes. Ekziston dyshimi i arsyeshëm se Zoran V. ka vrarë me të shtëna me armë zjarri Hakiun dhe Jakupin më 26 janar 1998, në katin e katërt të një pallati në rrugën “Zmaj Jovina” në Beograd. Ai ka ngjitur shkallët për në katin e katërt, ku ka vendosur një kapele të zezë të thurur me të çara për sytë dhe dorashka të thurura dhe kur të dëmtuarit kanë mbërritur në derën e banesës numër 14, ka qëlluar me pistoletë me 5 të shtëna në drejtim të tyre. Ai ka qëlluar Hakiun me tre të shtëna dhe Jakupin me dy të shtëna, duke iu shkaktuar lëndime të rënda, të rrezikshme për jetën, dhe për pasojë të dy kanë ndërruar jetë.
    Zoran V. më pas ka ngjitur shkallët në drejtim të daljes së ndërtesës, duke hequr kapelën dhe dorezat gjatë rrugës, të cilat i ka hedhur brenda në ndërtesë, pas së cilës është larguar nga ndërtesa dhe është larguar me një automjet të panjohur”.

    Duke qenë se bëhej fjalë për dy familjarë të moshës 42 dhe 37 vjeçare, vrasja e tyre ishte përjetuar tepër rëndë nga familjarët dhe të afërmit duke e tronditur mbarë opinionin shqiptarë në Opojë, Prizren, Kosovë dhe më gjerë.
    Fakti se ndjeri Hakiu ishte baba i katër fëmijëve (3 djem e një vajzë) ndërsa Jakupi kishte lënë dy fëmijë jetimë (një djalë dhe një vajzë) të cilët tashmë gati kanë arritur moshën e baballarëve të tyre të vrarë, zbulimi dhe arrestimi i njërit nga vrasësit është mirëpritur nga familjarët të cilët shpresojnë se dorasi do ta merr dënimin e merituar.

     

     

     

  • FMN i sugjeron qeverisë shqiptare reformë pensionesh: Popullsia po plaket

    FMN i sugjeron qeverisë shqiptare reformë pensionesh: Popullsia po plaket

    Fondi Monetar Ndërkombëtar sugjeron qeverisë shqiptare që të ndërmarrë një reformë të mirëfilltë në skemën e pensioneve.

    Në raportin e fundit thuhet se rishikimi mbetet prioritet kryesor, edhe pse deficiti i skemës së pensioneve është aktualisht në një nivel historikisht të ulët.

    FMN vlerëson se, me detyrimet e pensioneve që tejkalojnë kontributet, sistemi i pensioneve në Shqipëri tashmë po përballet me një deficit, dhe presionet mbi shpenzimet pritet të rriten me shtimin e të moshuarve në vend.

    “Raporti i varësisë së moshës së të moshuarve në Shqipëri sot është 26 për qind, por pritet të trefishohet deri në vitin 2070, duke arritur në nivelin 83 për qind, një nivel shumë më i lartë se në vendet fqinje. Rritja e kostove të pensioneve mbështetet nga projeksionet e Kombeve të Bashkuara mbi ecurinë demografike që pritet të ketë vendi në afatgjatë dhe peshën që zë popullsia e moshuar”, thuhet në raport, raporton euronews.al

    Megjithatë, FMN projekton edhe rritje të kontributeve shoqërore, së bashku me Prodhimin e Brendshëm Bruto për punëtor.

  • KFOR-i e përfundon me sukses një maratonë vrapimi në Bondsteel

    KFOR-i e përfundon me sukses një maratonë vrapimi në Bondsteel

    KFOR bën me dije se ushtarët e Komandës Rajonale në Lindje e kanë përfunduar një maratonë vrapimi.

    Në një postim në Facebook, KFOR thotë se ngjarja ndodhi në fundjavë në Kampin Bondsteel.

    “Ngjarja u drejtua nga Ekipi Ballkanik i Qëndrueshmërisë i Ushtrisë së SHBA-së”.

    “Qëndrimi fizikisht i aftë dhe i fortë mendërisht janë kritike për suksesin e përgjithshëm të trupave tona të KFOR-it”, thuhet në njoftim.

  • Haradinaj për betejën e Rogovës së Hasit: Rrugëtim i përgjakshëm i trimave të UÇK-së gjithmonë në kujtesën tonë

    Haradinaj për betejën e Rogovës së Hasit: Rrugëtim i përgjakshëm i trimave të UÇK-së gjithmonë në kujtesën tonë

    Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka kujtuar heronjtë e betejës së Rogovës së Hasit në përvjetorin e saj.

    Daut Haradinaj ka thënë se ky rrugëtim i përgjakshëm i trimave të UÇK-së mbetet gjithmonë në kujtesën tonë.

    “Sot, me krenari kujtojmë heronjtë e betejës së Rogovës së Hasit. Ky rrugëtim i përgjakshëm i trimave të UÇK-së mbetet gjithmonë në kujtesën tonë. Burrat elitarë, të prirë nga vëllezërit Lleshi, Komandant Agim Zeneli, Agron dhe Sejdi Rama, Luan Smajli, Agush Gjocaj, Valon Gashi, Bahtijar Morina, Daut Kelmendi, Emrush Çetaj, Kasim Shala, Hamdi Berisha, Gëzim Ademaj, Haxhi Kleqka, Gaspër Karaqi, Ilir Merturi, Naim Gashi, Naim Dreshaj, Sahit Krasniqi, Vesel Avdyli, Rrustem Morina, Selman Morina, Muhamet Morina, Nusret Morina, Ibrahim Kryeziu, Xhevdet Berisha, Zyber Shala, Adem Shala, Rifat Shala, gjithçka për lirinë”, ka kujtuar Haradinaj.

    Ai ka thënë se djemtë elitarë të Dugagjinit kishin marrë “një mision të pamundur: të shpëtonin bashkëluftëtarët e plagosur dhe t’u siguronin shokëve municion”.

    “Në këto përpjekje titanike, djemtë elitarë të Dugagjinit kishin marrë një mision të pamundur: të shpëtonin bashkëluftëtarët e plagosur dhe t’u siguronin shokëve municion. Shumë prej këtyre heronjve ishin të plagosur e të rraskapitur nga betejat e njëpasnjëshme, deri në ditën e rënies. Ne morëm goditjen më të madhe në historinë e luftës, por nuk u thyem. Përkundrazi, u zotuam ta jetësojmë amanetin e këtyre viganëve, të cilët sot prehen në paqe në Kosovën e lirë. Kushdo që dëshiron të shohë çmimin e sakrificës, duhet të vijë në Rogovë të Hasit”, është shprehur Haradinaj.

  • IPK pranon donacion një furgon nga EULEX

    IPK pranon donacion një furgon nga EULEX

    Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se ka pranuar donacion një furgon nga misioni i EULEX’it.

    Gjatë ceremonisë së pranim-dorëzimit, Kryeshefi Hodaj dhe Shefi i Shtyllës së Monitorimit Galzignato, zhvilluan një bashkëbisedim të frytshëm duke theksuar bashkëpunimin e rëndësishëm në mes IPK-së dhe EULEX-it.

    “Inspektorati Policor i Kosovës sot pranoi si donacion një automjet (furgon) nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX). Ceremonia e dorëzimit u mbajt në objektin e IPK-së në Hajvali, ku Kryeshefi Ekzekutiv i IPK-së z. Kushtrim Hodaj pranoi çelësat e automjetit nga z. Giovanni Galzignato – Shefi i Shtyllës së Monitorimit të Misionit EULEX. Inspektorati Policor i Kosovës shpreh mirënjohjen për këtë donacion dhe falënderon Misionin e EULEX-it për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme në përmbushjen e mandatit ligjor për një polici më të përgjegjshme dhe efikase.”