ATV

Category: Lajme

  • ​Qytetarët në disa vende të Ballkanit Perëndimor ftohen t’i bojkotojnë supermarketet

    ​Qytetarët në disa vende të Ballkanit Perëndimor ftohen t’i bojkotojnë supermarketet

    Të zemëruar nga rritja e vazhdueshme e çmimeve, qytetarë të disa vendeve të Ballkanit Perëndimor u ftuan t’i bojkotojnë më 31 janar blerjet në disa dyqane të mëdha ushqimore.

    Nisma u ndërmor fillimisht në Kroaci, më 24 janar, dhe rezultoi me rënie prej më shumë se 50% të shitjeve në të gjithë vendin.

    Pas thirrjes së përfaqësuesve të konsumatorëve, kroatët nisën më 30 janar edhe një aksion të ngjashëm, por që do të zgjasë një javë, trasnsmeton REL.

    Në shënjestër të bojkotimit janë disa zinxhirë të mëdhenj tregtarë, për shkak të dyshimeve se çmimet e tyre nuk përputhen me ato në vendet e tjera të BE-së.

    Thirrje për bojkotime të ngjashme – kryesisht nëpër mediat sociale – u bënë edhe në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor.

    Përgjigje pozitive ato morën në Serbi, Maqedoni të Veriut, në Mal të Zi, në Bosnje e Hercegovinë dhe në Slloveni.

    Kjo, edhe përkundër faktit se çmimet e ushqimeve në Kosovë kanë shkuar duke u rritur, viteve të fundit.

    Maqedoni e Veriut: “Çmimet janë shumë të larta”

    Në Maqedoninë e Veriut, Sasho Ristoski thotë se rritja e çmimeve po rëndon jetesën, veçanërisht për pensionistët dhe familjet me të ardhura të ulëta.

    “Po, po, kam dëgjuar për bojkotimin dhe do ta mbështes, sepse çmimet janë shumë të larta. Me këto çmime që kanë vënë marketet, nuk mund të mbijetosh”, thotë ky banor i Shkupit për REL.

    Sipas tij, produktet bazë, të cilat kërkohen më shumë, janë ndër më të shtrenjtat.

    “Thuajse të gjitha produktet e mishit, qumështi, vaji, sheqeri… Ne me të ardhura më të ulëta, mezi arrijmë ta përballojmë muajin”, shton pensionisti.

    “Do t’i bojkotoj marketet nëse nuk kam para, por nëse më duhet bukë, do të shkoj ta blej”, thotë Lile Silanovska, po ashtu nga Shkupi.

    Sipas analizave të Rrjetit të Biznesit, shtatë zinxhirët më të mëdhenj të tregut në Maqedoninë e Veriut gjeneruan të ardhura prej 930 milionë eurosh gjatë vitit 2023.

    Në krye të listës është Vero, i cili regjistroi fitime mbi 10 milionë euro – një rritje prej gati 13% krahasuar me vitin paraprak. Në vend të dytë u rendit Kam Market me fitime neto prej 7.3 milionë eurosh. Në mesin e kompanive më fitimprurëse është edhe Kipper, me 5.5 milionë euro fitim, i ndjekur nga Stokomak me një fitim prej 4 milionë eurosh.

    Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, paralajmëroi më 29 janar kontrolle të rrepta dhe sanksione për supermarketet që shkelin Ligjin për çmimet e produkteve.

    “Gjatë konferencës për shtyp u përmendën dy zinxhirë marketesh, që mund të luajnë lojëra me ligjet dhe procedurat. Ata do t’i nënshtrohen një kontrolli rigoroz”, tha Mickoski.

    Autoritetet, gjithashtu, shprehën mbështetje për bojkotimin e dyqaneve të mëdha, duke e cilësuar atë si një sinjal të qartë të pakënaqësisë së qytetarëve me situatën ekonomike në vend.

    “Ne i mbështesim qytetarët në bojkotim, mbi të gjitha të tregjeve që, viteve të fundit, kanë rritur jashtëzakonisht çmimet e produkteve pa asnjë logjikë ekonomike”, tha ministri i Ekonomisë dhe Punës i Maqedonisë së Veriut, Besar Durmishi.

    “Ne, si Ministri e Ekonomisë dhe Punës, kemi miratuar masa për të mbrojtur standardin e jetesës së qytetarëve, duke ngrirë marzhën e produkteve ushqimore bazë, në mënyrë që të mos çojë në rritje enorme të çmimeve”, shtoi ai.

    Shumë qytetarë, organizata joqeveritare dhe të punës edhe në Mal të Zi bënë thirrje për bojkotimin e rrjeteve të mëdha tregtare, më 31 janar, për shkak të, siç thanë, çmimeve jashtëzakonisht të larta të ushqimeve bazë.

  • Normalizimi i raporteve Kosovë – Serbi: Komiteti i PE-së kërkon t’i jepet një vrull i ri dialogut

    Normalizimi i raporteve Kosovë – Serbi: Komiteti i PE-së kërkon t’i jepet një vrull i ri dialogut

    Komisioni për Punët e Jashtme i Parlamentit Evropian miratoi Draft Rezolutën e PE-së për Zbatimin e Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, ku u bë thirrje për përafrimin e kandidatëve për anëtarësim me këtë politikë dhe u theksua se zgjerimi i BE-së është një investimi gjeostrategjik.

    Në draft-raportin e autorizuar nga kryetari i këtij Komisioni, David McAllister, për të cilin parlamenti ende nuk ka shprehur mendimin e tij, ai mirëpret “vazhdimin e suksesshëm të dialogut” për CSDP midis BE-së dhe partnerëve të saj në Ballkanin Perëndimor.

    Po ashtu theksohet rëndësia e partneriteteve për paqen dhe sigurinë, si dhe nevoja për reforma në aspektin e shtetit të së drejtës, të drejtave themelore dhe administratës publike, si dhe përafrimi me Kodin Civil, duke përfshirë sanksionet.

    Ndërkaq, kur është fjala për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, progresi në atë proces është i mirëpritur, veçanërisht në fushën e lirisë së lëvizjes dhe energjisë, por shprehet keqardhje për mungesën e progresit në zbatimin e rrugës për normalizimin e marrëdhënieve dhe bëhet thirrje për investimin e përpjekjeve dhe kapaciteteve në normalizimin e marrëdhënieve.

    Në amendamentet e miratuara, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë i kërkohet të kapërcejë ngërçin dhe t’i japë një vrull të ri dialogut, si dhe të hartojë një qasje të re, novatore dhe të balancuar në ndërmjetësimin mes dy palëve.

    Kosova dhe Serbia janë të ftuar të angazhohen në dialog për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve, “të bazuar në njohjen reciproke, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe pa vonesa të mëtejshme”, ndërsa PE merr përsipër të punojë ngushtë me të dërguarin special të BE-së në largim dhe atë në ardhje për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Amendamentet dënojnë sulmet në infrastrukturën kritike pranë Zubin Potokut dhe sulmin në Banjskë në vitin 2023 dhe bëjnë thirrje që autorët e këtyre sulmeve të dalin para drejtësisë.

  • Qeveria e Kosovës ndan 500 mijë euro për Gazën

    Qeveria e Kosovës ndan 500 mijë euro për Gazën

    Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, është miratuar ndarja e 500 mijë eurove për Gazën.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se populli palestinez ka nevojë për mbështetje humanitare si pasojë e luftës që është zhvilluar nga tetori i vitit 2023.

    Tutje, gjatë mbledhjes së Qeverisë, ai ka bërë thirrje që armëpushimi aktual atje të shfrytëzohet për arritje të paqes së qëndrueshme.

    “Konflikti në Gaza ka shkaktuar humbje të mëdha për popullin palestinez. Që të rindërtojmë vendin e tyre ata kanë nevojë për ndihmën e shteteve të tjera. Për këtë arsye MPJ ka kërkuar nga MF ndarjen e gjysmë milioni euro mbështetje për popullin palestinez. Qeveria bën thirrje që armëpushimi të shfrytëzohet për arritjen e paqes së qëndrueshme”.

  • Andi Pajaziti lirohet nga akuza për vrasje, dënohet më 2 vjet burgim për armëmbajtje pa leje

    Andi Pajaziti lirohet nga akuza për vrasje, dënohet më 2 vjet burgim për armëmbajtje pa leje

    Andi Pajaziti i akuzuar për vrasjen e Kastriot Ramadanit në “Bon Vivant”,  është liruar nga akuza për “vrasje të kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore”.

    Gjyqtari Eroll Gashi, ka konstatuar se ai ka bërë mbrojtje të nevojshme.

    Pajaziti është dënuar me 2 vjet burgim për armëmbajtje pa leje.

    Gjykata gjithashtu ka vendosur që atij t’i ndërpritet masa e paraburgimit

    Lajmi në përditësim…

  • Rasti i vrasjes së Liridona Ademajt, sot mbahet seanca fillestare ndaj Naim Murselit dhe të tjerëve

    Rasti i vrasjes së Liridona Ademajt, sot mbahet seanca fillestare ndaj Naim Murselit dhe të tjerëve

    Seanca fillestare në çështjen penale ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tomë Dodajt, të cilët ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, do të mbahet sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

    Kjo seancë mbahet pasi e kaluara ishte shtyrë me kërkesën e mbrojtëseve, me arsyetimin se ata nuk kanë pranuar shkresat e lëndës dhe nuk kishte kushte për mbajtjen e seancës.
    Në seancën që është paralajmëruar të fillojë në ora 11:00, katër të akuzuarve do t’u lexohet aktakuza dhe do të japin deklarata e tyre.

    Prokuroria Themelore e Prishtinës ngriti aktakuzë me 15 janar lidhur me rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, ndaj ish-bashkëshortit të saj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës dhe Tomë Dedajt.

    Prokurorja e rastit, Javorka Perlinçeviq, përmendi si një nga motivet për këtë vrasje marrëdhëniet jo të mira në çift mes Liridonës dhe ish-bashkëshortit të saj, Naim Murselit, gjatë kohës që jetonin në Suedi, që tha se kanë shkuar deri tek problemet pasurore.

  • Studentët protestues serbë vazhdojnë marshin drejt Novi Sadit

    Studentët protestues serbë vazhdojnë marshin drejt Novi Sadit

    Studentët serbë të nisur nga Beogradi, që kaluan natën në Ingjije, rreth 40 kilometra nga kryeqyteti serb, po vazhdojnë marshin e tyre protestues drejt Novi Sadit, ku do t’iu bashkohen kolegëve të tyre nga ky qytet për të bllokuar urat më 1 shkurt.

    Kështu, ata do të shënojnë tremujorin e vdekjes së 15 personave pas shembjes së një strehe betoni në stacionin e trenave në Novi Sad.

    Pritet që studentët, të cilët u nisën nga Beogradi më 30 janar, të arrijnë në stacionin e trenave të Novi Sadit rreth orës 19:00.

    Studentët nisën marshin e tyre afër 80-kilometërsh të enjten, rreth orës 10:30 nga Fakulteti i Arteve Dramatike të Beogradit.

    Ata u ndalën për pushim në Batajnicë, Bova dhe Stara Pazova, ku u pritën nga qytetarët dhe shkuan në Ingjije rreth orës 22:00 dhe kaluan natën në tenda në një fushë sporti.

    Studentët e Beogradit planifikojnë të mbështesin kolegët e tyre në Novi Sad të cilët kanë njoftuar se do të bllokojnë urat në gjithë qytetin më 1 shkurt, kur bëhen tre muaj që nga tragjedia në stacionin e trenave të këtij qyteti.

    Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha të martën se pjesëtarë të kësaj ministrie do të ofrojë siguri për marshin e studentëve, duke i përcjell edhe me autoambulanca dhe kamionë me ujë të pijshëm.

    Tragjedia në Novi Sad nxiti një valë të protestave masive në mbarë Serbinë, duke nxjerr në rrugë dhjetëra mijëra njerëz.

    Në dy muajt e fundit, protestat janë udhëhequr nga studentët, të cilët kanë bllokuar dhjetëra universitete shtetërore. Kërkesa kryesore e tyre është që të ketë përgjegjësi penale dhe politike të autoriteteve për aksidentin në Novi Sad.

    Qeveria dhe presidenti Aleksandar Vuçiq, pretendojnë se kërkesat e studentëve janë plotësuar.

    Studentët protestues kanë thënë se Vuçiqi nuk është përgjegjës për përmbushjen e kërkesave të tyre, duke shtuar se kërkesat nuk janë plotësuar dhe ata do të vazhdojnë protestat.REL

  • OKB bën thirrje për evakuimin e 2500 fëmijëve nga Gaza: Janë në rrezik vdekjeje

    OKB bën thirrje për evakuimin e 2500 fëmijëve nga Gaza: Janë në rrezik vdekjeje

    Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres ka bërë thirrje që 2500 fëmijë të evakuohen menjëherë nga Gaza për trajtim mjekësor pas takimit me mjekët amerikanë, të cilët thanë se ishin në rrezik të menjëhershëm për vdekje në javët e ardhshme.

    Të katër mjekët kishin dalë vullnetarë në Gaza gjatë luftës 15-mujore midis Izraelit dhe militantëve palestinezë të Hamasit, që ka shkatërruar territorin e më shumë se 2 milionë njerëzve dhe sistemin e tij të kujdesit shëndetësor.

    “2,500 fëmijë duhet të evakuohen menjëherë me garancinë se do të jenë në gjendje të kthehen në familjet dhe komunitetet e tyre”, postoi Guterres në mediat sociale pas takimit me mjekët.

    Vetëm disa ditë përpara fillimit të armëpushimit më 19 janar, Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se më shumë se 12,000 pacientë po prisnin për evakuime mjekësore dhe kishte shpresuar se ato mund të rriteshin gjatë armëpushimit.

    Midis atyre pacientëve që kanë nevojë urgjente për trajtim janë 2,500 fëmijë, tha Feroze Sidhwa, një kirurg traumatik nga Kalifornia që punoi në Gaza nga 25 marsi deri më 8 prill të vitit të kaluar.

    “Ka rreth 2,500 fëmijë që janë në rrezik të menjëhershëm të vdekjes në javët e ardhshme. Disa po vdesin tani. Disa do të vdesin nesër. Disa do të vdesin ditën tjetër”, u tha Sidhwa gazetarëve pas takimit me Guterres.

    “Nga ata 2,500 fëmijë, shumica dërrmuese kanë nevojë të bëhen gjëra shumë të thjeshta,” tha ai, duke përmendur rastin e një djali 3-vjeçar që pësoi djegie në krah. Djegiet ishin shëruar, por indi mbresë ngadalë po e ndërpret rrjedhjen e gjakut, duke e lënë atë në rrezik të amputimit.

  • Gjenden kutitë e zeza të avionit që u përplas me helikopterin në Uashington

    Gjenden kutitë e zeza të avionit që u përplas me helikopterin në Uashington

    Kutitë e zeza të gjetura një ditë më parë pritet të zbulojnë shkakun e aksidentit fatal mes një avioni dhe një helikopteri ushtarak në Uashington.

    Përplasja që vrau 67 persona në bordet e të dyja mjeteve konsiderohet për SHBA-në më katastrofikja  në gati një çerek shekulli për bilancin që shkaktoi.

    “Regjistruesi ndodhen në laboratorët e Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transportit (NTSB),” njoftuan autoritetet, ndërsa shefi i NTSB-së tha se nuk do të “lërë gurë pa lëvizur” në hetimet e veta.

    BBC raporton se zyrtarët kanë rikuperuar regjistruesin e të dhënave të fluturimit dhe regjistruesin e zërit në kabinë, të njohur si “kutitë e zeza”, nga avioni i American Airlines pas përplasjes së mërkurën në mbrëmje.

    Kutitë e zeza mund të ndihmojnë në ofrimin e të dhënave për atë që ndodhi gjatë fluturimit.

    Regjistruesi i zërit bën pikërisht atë që sugjeron emri i tij – kap bisedat e pilotëve, zhurmat e sfondit dhe ndërveprimet me kontrollin e trafikut ajror.

    Regjistruesi i të dhënave regjistron informacionet operacionale nga sistemet e avionit, duke përfshirë pozicionin e disa çelsave dhe levave, si dhe komandat e dhëna nga pilotët.

    Të paktën 28 trupa u gjetën të enjten në ujërat e ngrirë të lumit Potomak.

    Avioni i linjës “American Airlines”, me 60 pasagjerë dhe 4 pjesëtarë të ekuipazhit, po ulej në pistën e aeroportit kur helikopteri me tre ushtarakë hyri në vijën e tij të fluturimit. Aksidenti ndodhi më pak se 5 kilometra nga Shtëpia e Bardhë.

  • Reduktohet lista e dëshmitarëve në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, konfirmon ZPS-ja

    Reduktohet lista e dëshmitarëve në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, konfirmon ZPS-ja

    Zyra e Prokurorit të Specializuar ka reduktuar edhe me teje listën e saj të dëshmitarëve në gjykimin ndaj Hashim Thaçi, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Përmes një njoftimi të redaktuar për publikun ZPS me 30 janar ka treguar se nuk do të mbështetët në disa dëshmitë e dëshmitarëve si dhe disa të tjera do t’i dorëzojë në formë të shkruar.

    Sipas ZPS-së, pas këtyre ndryshimeve, kanë mbetur edhe gjashtë dëshmitarë për statusin e tyre do të vendoset sa më shpejt që të jetë e mundur, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • Qeveria mban mbledhje, 15 pika për shqyrtim

    Qeveria mban mbledhje, 15 pika për shqyrtim

    Qeveria e Kosovës do të mbajë sot mbledhjen e radhës, raporton Ekonomia Online.

    Në rend dite janë paraparë të shqyrtohen 15 pika.

    Mbledhja, sipas agjendës së paraparë do të fillojë prej orës 09:30.