ATV

Category: Lajme

  • “U shemb pllaka e një shtëpie të pabanuar”, çka dihet për tragjedinë me tre viktima në Gjakovë?

    “U shemb pllaka e një shtëpie të pabanuar”, çka dihet për tragjedinë me tre viktima në Gjakovë?

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë në fshatin Jabllanicë të Gjakovëa. Atje tre fëmijë kanë vdekur si pasojë e shembjes së një shtëpie të pabanuar.

    Policia Rajonale e Gjakovës e konfirmoi se njëri nga viktimat është 16 vjec dhe tjetri 14 vjeç, ndërsa për të tretin ende nuk dihet mosha saktë.

    Zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj tha për media se vdekja e tre fëmijëve erdhi si pasojë e shembjes së pllakës se një shtëpie të pabanuar.

    Elezaj shtoi se personeli mjekësor ka konstatuar në vendngjarje vdekjen e viktimave

    “Më datë 1 shkurt 2025, rreth orës 22:50, jemi njoftuar se në fshatin Jabllanicë është rrëzuar pllaka e një shtëpie të pabanuar, duke zënë poshtë tre fëmijë. Në vendngjarje kanë dalë njësitë e nevojshme policore, si dhe ekipet e emergjencës, përfshirë ambulancën dhe zjarrfikësit. Personeli mjekësor ka konstatuar në vendngjarje vdekjen e viktimave. Lidhur me rastin, është njoftuar edhe prokurori i shtetit në koordinim me të cilin, aktualisht janë duke u ndërmarr veprimet e nevojshme hetimore”, tha ai.

  • Protestat në Serbi, studentët nisin bllokimin 24 orësh të 3 urave të Novi Sadit

    Protestat në Serbi, studentët nisin bllokimin 24 orësh të 3 urave të Novi Sadit

    Studentët serbë të Novi Sadit të përkrahur edhe nga qytetarë të tjerë nga Beogradi e qytete të tjera sot do të bllokojnë tre urat e qytetit të Novi Sadit në shenj proteste për tragjedinë e rëndë të ndodhur muaj më parë ku humbën jetën 15 persona nga shembja e një mbikalimi.

    Nga ora 15:00 ka nisur bllokada e urës “Varadinos”, “Urës së Lirisë” dhe “Urës Zezelj”.

    Këto ura do të mbahen të bllokuara për 24 orë, shkruan N1.

  • Vdes epidemiologu i parë shqiptar i Kosovës, Prof. Dr. Isuf Dedushaj

    Vdes epidemiologu i parë shqiptar i Kosovës, Prof. Dr. Isuf Dedushaj

    Epidemiologu i njohur, i pari nga shqiptarët e Kosovës, Isuf Dedushaj, ka vdekur në moshën 73 vjeçare.

    Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur familja e tij.

    Prof. Dr. Isuf Dedushaj ka qenë mjek, epidemiolog, profesor universitar dhe doktor i shkencave të mjekësisë nga Vuthaj, në Mal të Zi.

    Shkollën fillore e mbaroi në Vuthaj dhe Guci. Gjimnazin e kreu në Pejë, kurse Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë në mars të vitit 1976.

    Fillimisht punoi në Shtëpinë e Shëndetit në Drenas të Drenicës. Në vitin 1976 punësohet në Entin Krahinor për Mbrojtje Shëndetësore ku zgjidhet bashkëpunëtor për lëndën Mjekësi Sociale. Përfundon specializimin për epidemiologji më 20 maj të vitit 1980, duke u bërë kështu epidemiologu i parë shqiptar i Kosovës, sipas biografisë së publikuar nga Kolegji i Kirurgëve të Kosovës.

    Studimet pasuniversitare i mbaroi në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Sarajevës në Bosnje, ku edhe magjistroi në nëntor të vitit 1983.

    Dr. Isuf Dedushaj me 27 nëntor të vitit 1986 në Fakultetin e Mjekësisë mbrojti tezën e doktoratës. Gjatë vitit 1986/1987 përfundoi subspecializimin në imunologji pranë Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Zagrebit në Kroaci. Punoi në Entin për Mbrojtjen Shëndetësore të Kosovës prej vitit 1976 deri në vitin 1990.

    Në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, ka qenë edhe prodekan dhe dekan. Prof. Dedushaj ka qenë anëtar i Redaksisë së Revistës Shkencore “Praxis Medica” të Kosovës. Ka publikuar 112 punime shkencore në Kosovë dhe jashtë saj. Është autor i disa monografive shkencore dhe teksteve universitare.

  • Nora Gjakova ndalet në çerekfinale, mbetet të sigurojë medalje nga repesazhi

    Nora Gjakova ndalet në çerekfinale, mbetet të sigurojë medalje nga repesazhi

    Xhudistja kosovare Nora Gjakova është mposhtur në çerekfinale të Grand Slamit të Parisit.

    Gjakova pësoi humbje ndaj xhudistes japoneze Megu Danno në ‘Golden Score’ në kategorinë deri në 63 kilogramë teksa tani do të vazhdojë në repesazh.

    Në repesazh Gjakova do ta kërkojë fitoren ndaj xhudistes spanjolle Cristina Cabana Perez.

    Kujtojmë se Gjakova e kishte nisur mjaft mirë rrugëtimin në këtë turne, duke marrë fillimisht fitoren ndaj Rania Drid.

    Në raundin e ardhshëm ajo dominoi sërish, këtë herë ndaj kraotes Iva Oberan, por që u ndal në çerekfinale ndaj Dannos.

  • Anulohet masa e suspendimit për gjyqtarin që e la të lirë Enver Sekiraqën

    Anulohet masa e suspendimit për gjyqtarin që e la të lirë Enver Sekiraqën

    Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka revokuar vendimin me të cilin gjyqtari Agim Kuçi ishte suspenduar lidhur me vendimin për ndërprerjen e masës së arrestit shtëpiak ndaj Enver Sekiraqës, i cili ende gjendet në arrati.

    “Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), me datë 24 janar 2024 në rastin disiplinor me nr…, e ka revokuar vendimin KGJK-së të datës 21 maj 2024, për suspendimin e gjyqtarit – subjekt i hetimit, ndërsa lidhur me përgjegjësinë disiplinore vendimi nuk mund të bëhët publik në këtë fazë”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses Aishe Qorraj për “Betimi për Drejtësi”.

    Gjyqtari Kuçi ishte suspenduar pas shpalljes së aktgjykimit me 25 vjet burgim për Sekiraqën për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza, ku mori aktvendim që t’ia ndërpres masën e arrestit shtëpiak dhe të mbrohet në liri.

    Ndërsa, Gjykata e Apelit, më 17 maj 2024 pas ankesës së Prokurorisë Speciale mbi vendimin e Themelores, e cila më 3 maj 2024 ia kishte ndërprerë që masën e arrestit shtëpiak duke e lënë të mbrohej në liri, ka vendosur që Sekiraqa do të kthehet në paraburgim derisa aktgjykimi të marrë formë të prerë.

    Por, një ditë pas këtij vendimi, Policia ka njoftuar se nuk e ka gjetur Sekiraqën në shtëpi, për ta shoqëruar në paraburgim dhe deri tani i njëjti nuk është arrestuar.

    “Këshilli, pas shqyrtimit dhe analizimit të dy rasteve disiplinore ka themeluar panelet hetimore. Sa i përket rastit AD/KGJK/04/2024/GJTHPR-AD/GJTHPR/8/24, Këshilli bazuar në kërkesën e autoritetit kompetent me shumicë të votave vendosi për suspendimin e gjyqtarit që është subjekt i hetimit, deri në një vendim tjetër të Këshillit”, thuhej në njoftimin e KGJK-së kur ishte suspenduar gjykatësi.

    Aty thuhej se Këshilli vlerësoi se suspendimi i subjektit të hetimit, në këtë fazë të procedurës, do të krijojë parakushte që paneli hetimor të hetoj në tërësi çështjen në mënyrë të pavarur, objektive dhe të pa ndikuar. / BetimipërDrejtësi

  • Behrami i dërgon letër zyrës së kongresistit amerikan, Keith Self, kërkon hetim kundër Jack Smithit

    Behrami i dërgon letër zyrës së kongresistit amerikan, Keith Self, kërkon hetim kundër Jack Smithit

    Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Artan Behrami ia ka dërguar një letër zyrës së kongresistit Republikan, Keith Self, i cili është Kryetar i Nënkomitetit për Çështje të Jashtme të Dhomës për Evropë.

    “Kërkesë për hetim mbi rolin e z. Jack Smith në shpërbërjen e procesit të paqes – 2020”, mban titullin letra e Behramit!

    Behrami në këtë letër të gjatë shpjegon të gjitha arsyet që çuan në dështimin e samitit të paqes, i organizuar nga Presidenti Trump më 2020, pasi Gjykata Speciale kundërligjshëm kishte publikuar një njoftimin që ndaj Presidentit Thaçi është ngritur një aktakuzë.

    “Në dritën e këtyre shqetësimeve, me respekt kërkoj nga i nderuari Keith Self të nisë një hetim mbi rolin e z. Jack Smith në parandalimin e samitit në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2020, dhe mbi shpërbërjen e procesit të paqes. Një hetim i tillë është thelbësor për të kuptuar motivet pas veprimeve të z. Smith, dhe për të siguruar llogaridhënie për vendimet që kanë pasur pasoja të gjera për politikën e Jashtme të SHBA-së dhe stabilitetin rajonal”, thuhet më tej në këtë letër.

    Letra e Behramit vjen vetëm pak kohë, pasi Administrata Trump ka shkarkuar Bruce Swartz, derisa i Dërguari për Misioni Speciale, Richard Grenell deklaroi sot se ka dhënë tashmë një dëshmi kundër Jack Smith!

    Kjo është letra e plotë e Behramit në gjuhën angleze dhe shqipe:

    E nderuara znj. Parkinson,

    Quhem Artan Behrami, jam gazetar nga Kosova, aktualisht kandidat në zgjedhjet nacionale për deputet në Parlamentin e Kosovës. Po ju shkruaj për të tërhequr vëmendjen e të Nderuarit Keith Self, Kryetar i Nënkomitetit të Çështjeve të Jashtme të Dhomës për Evropë, mbi veprimet e z. Jack Smith, Ish-Këshilltarit të Posaçëm të Departamentit të Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara, në shpërbërjen e proceseve të paqes në Ballkanin Perëndimor. Konkretisht, vendimi i z. Smith, në qershor 2020 , për të bërë publike një aktakuzë kundër Presidentit të atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi, duket se ka qenë i qëllimshëm për të penguar samitin e paqes të udhëhequr nga SHBA-ja, i cili do të zhvillohej më 27 qershor 2020 në Shtëpinë e Bardhë.

    Ky samit, nën udhëheqjen e Presidentit Donald Trump, paraqiste një mundësi kritike për të adresuar një nga mosmarrëveshjet më të qëndrueshme të Evropës. Pritjet për këtë samit ishin të mëdha, me shpresa se një marrëveshje historike mund të sillte stabilitet dhe prosperitet në rajon. Megjithatë, vetëm tri ditë para samitit, më 24 qershor 2020, z. Jack Smith, si kryetar i Zyrës së Prokurorit të Posaçëm (SPO), njoftoi se një aktakuzë dhjetëpikëshe kundër Presidentit Thaçi ishte paraqitur dy muaj më parë, më 24 prill 2020.

    Ky njoftim u bë publik ndërkohë që Presidenti Thaçi ishte në rrugë për në Washington D.C. për të marrë pjesë në samit, ku unë isha pjesë e këtij delegacioni. Ndërsa avioni i jonë ateroi në Vjenë për të fluturuar pastaj për në SHBA, Presidenti Thaçi mori vesh për aktakuzën, duke u detyruar ta anulonte udhëtimin dhe të kthehej në Kosovë. Ky zhvillim i ngjarjeve anuloi papritur samitin dhe dështoi procesin e paqes, duke minuar udhëheqjen e SHBA-së në ndërmjetësimin për një zgjidhje.

    Si e penguan veprimet e z. Smith procesin e paqes

    Koha e njoftimit të aktakuzës:
    Koha e njoftimit të aktakuzës ngre pyetje serioze mbi motivet e z. Smith. Aktakuzat ishin paraqitur dy muaj më herët, më 24 prill 2020, megjithatë ato u bënë publike vetëm disa ditë para samitit në Shtëpinë e Bardhë. Kjo kohë e qëllimshme e njoftimit turpëroi dhe delegjitimoi Presidentin Thaçi, ndërkohë që pengoi përpjekjet e Administratës amerikane për të mundësuar një marrëveshje paqeje. Ky veprim duket se ishte i qëllimshëm për të penguar samitin dhe për të parandaluar që Presidenti Trump të arrinte një arritje diplomatike.

    Ndikimi mbi përpjekjet e SHBA-së si ndërmjetësuese:
    Duke anuluar samitin, veprimet e z. Smith minuan besueshmërinë e SHBA-së si ndërmjetësuese dhe dobësuan ndikimin e saj në rajon. Iniciativa, e udhëhequr nga Shtëpia e Bardhë, ishte një mundësi unike për të avancuar paqen, por ajo u pengua nga një vendim që duket të ketë qenë i motivuar politikisht. Ky dështim ka pasur pasoja afatgjata, duke çuar në rritjen e tensioneve mes Kosovës e Serbisë, dhe duke kufizuar mundësitë për bisedime të ardhshme të udhëhequra nga SHBA-ja.

    Motivimi politik:
    Vendimi i z. Smith është e vështirë të shihet si diçka tjetër përveçse i motivuar politikisht. Duke targetuar Presidentin Thaçi, një figurë kyçe në procesin e paqes, z. Smith jo vetëm që e hoqi atë nga pushteti, por gjithashtu krijoi një boshllëk që më pas u mbush nga një udhëheqje populiste. Kjo udhëheqje ka kontribuuar në pasiguri në Kosovë, ka tensionuar marrëdhëniet SHBA-Kosovë dhe ka minuar përpjekjet më të gjera për promovimin e stabilitetit rajonal.

    Përmbysja e procesit të paqes:
    Anulimi i samitit në Shtëpinë e Bardhë ndaloi momentumin drejt një marrëveshjeje paqeje dhe përkeqësoi ndarjet në rajon. U humb edhe mundësia për të zgjidhur një nga konfliktet më të vështira në Evropë, derisa boshllëku politik që u krijua fuqizoi retorikën populiste nga të dyja palët, duke e bërë më të komplikuar rrugën drejt normalizimit.

    Përtej shpërbërjes së procesit të paqes, veprimet e z. Smith kanë pasur pasoja të gjera për sistemin gjyqësor dhe politik të Kosovës. Aktakuzat kanë shndërruar Dhomat e Specializuara të Kosovës (KSC) në një gjykatë monoetnike që përqendrohet në shqiptarët e Kosovës. Ky zhvillim dëmton qëllimin origjinal të gjykatës, e cila u krijua për të adresuar akuza të përfshira në një raport të Këshillit të Evropës të vitit 2010 nga Dick Marty. Përkundrazi, gjykata tani po kriminalizon luftën për çlirimin e Kosovës dhe përpjekjet për ndërtimin e shtetit, duke njollosur imazhin e Shteteve të Bashkuara si mbështetës i pavarësisë dhe demokracisë së Kosovës.

    Më 8 janar 2025, Presidenti Biden shpalli një Dekret Ekzekutiv që thekson angazhimin e SHBA-së për paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor. Dekreti përmend nevojën për të mbajtur individët përgjegjës për veprimet që kërcënojnë paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon. Nëse ky parim vlen për individët jashtë SHBA-së, ai duhet të zbatohet edhe për ata, veprimet e të cilëve minojnë përpjekjet për paqe të udhëhequra nga SHBA-ja. Duke bërë publike aktakuzën në një moment kyç, z. Smith ka kërcënuar drejtpërdrejt paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, duke shkelur në mënyrë të qartë parimet e përshkruara në Dekretin Ekzekutiv.

    Në dritën e këtyre shqetësimeve, me respekt kërkoj nga i nderuari Keith Self të nisë një hetim mbi rolin e z. Jack Smith në parandalimin e samitit në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2020, dhe mbi shpërbërjen e procesit të paqes. Një hetim i tillë është thelbësor për të kuptuar motivet pas veprimeve të z. Smith, dhe për të siguruar llogaridhënie për vendimet që kanë pasur pasoja të gjera për politikën e Jashtme të SHBA-së dhe stabilitetin rajonal.

    Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje të rëndësishme. Jam i sigurt se udhëheqja dhe angazhimi juaj për drejtësi do ta çojnë këtë përpjekje drejt mbrojtjes së rolit të Shteteve të Bashkuara si promovuese e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

  • Walker: Askush nga anëtarët e OSBE-së nuk më pyeti për misionin tim në Kosovë

    Walker: Askush nga anëtarët e OSBE-së nuk më pyeti për misionin tim në Kosovë

    Të shtunën, në ambientet e “Reporting House”, u zhvillua një diskutim publik me ish-ambasadorin e OSBE-së, William Walker. Ai ndau përvojat e tij nga misioni verifikues në Kosovë, duke vënë në pah momentet kyçe të punës së tij dhe reagimet e institucioneve ndërkombëtare pas përfundimit të mandatit të tij, raporton Ekonomia Online.

    Walker tha se detyra e misionit të OSBE-së ishte përcaktuar qartë, të punohej me ndershmëri dhe sinqeritet. Ai kujtoi një bisedë me ish-sekretaren amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, e cila e kishte vlerësuar lart punën e tij.

    Sipas Walker-it, asnjëherë pas përfundimit të misionit nuk iu kërkua ndonjë raport apo opinion mbi atë që kishte ndodhur në Kosovë.

    “Sa i përket detyrës të misionit verifikues të Kosovës detyra na ishte dhënë qartë që ta bëjmë punën me ndershmëri dhe sinqeritet. Ajo (Madeline Albright) me tha “Zotëri Walker mendojmë që në Kroaci keni bërë punë të mirë, personalisht mendoj që ke bëre punë të shkëlqyeshme në Kosovë dhe mos të kesh merak do të kesh detyra të tjera jo në Amerikë Qendrore, jo në Afrikë Jugore, por do të kesh misione të tjera”. Por, kjo nuk ndodhi. Gjashtë muaj më vonë mua më erdhi koha e pensionimit dhe u pensioneve”.

    “Kur përfundova misionin në Kosovë shkova në Vjen, shkova në zyrat e OSBE-së, shkova në Uashington dhe asnjëherë, asnjë anëtarë i OSBE-së, i selisë kryesore, asnjëherë të vetme, askush në Departamentin e Shtetit Amerikan, në asnjë nivel nuk më pyeti asgjë lidhur me misionin tim në Kosovë. Nëse unë ndihesha se kisha bërë punë të mirë apo jo. Ishte shumë e çuditshme”, tregoi ai.

    Duke folur për masakrën e Reçakut, Walker tha se mbërriti në vendngjarje vetëm pak orë pas krimit dhe e pa situatën me sytë e tij.

    “Ngjarja sa po kishte ndodhur, pak orë më parë dhe nuk pasur kohë që as një ra palë të bënte ndryshime në vendin e ngjarjes. Në skenën e krimit në atë çka pash dukej si masakër, verifikuesit e mi ata po mbledhin gëzhoja plumbash, po i shikonin kufomat, shihej e qartë se të shtënat kishin ardhur nga sipër luginës. Ishte e qartë ajo që kishte ndodhur, pse e deklarova atë që deklarova, është sepse unë erdha nga shërbimi i jashtëm amerikane nga 35 vite përvojë në Amerikën Latine. Në Evrope diplomacia menagjohet disi me ndryshe prej asaj se si behet në Amerikën Latine”, ” tha ai, duke shtuar se përvoja e tij e gjatë në shërbimin diplomatik amerikan e ndihmoi të kuptonte situatën dhe të deklaronte atë që kishte parë.

    Walker foli edhe për mënyrën se si diplomacia amerikane ndryshon nga ajo evropiane.

    “Në shërbimin tim diplomatik, ka dallime prej atyre zyrtarëve që kanë shërbyer nëpër Londër, Paris e Tokio. Diplomacia është mjaftë formale, ka protokolle të cilat nuk mund të shkelën. Në Amerikën Latine unë isha i përfshire në shumë situata më shumë rrëmuja, ku ambasada amerikane shpesh ishte nënë sulem. Ngjarjet që edhe unë i kam përshkrua në libër, shpesh në një farë mënyre deklarata ndaj mediave janë më të hapura më të sinqerta. Sepse nëse kemi parë dhe dëgjuar diçka e ajo është thënë tekë mediat”, ka thënë ai.

  • Tërmet me magnitudë 2.5 rihter u shënua në Shkup

    Tërmet me magnitudë 2.5 rihter u shënua në Shkup

    Në mëngjesin e sotëm në Maqedoni të Veriut u shënua një tërmet me magnitudë 2.5 Rihter.

    Alsat M shkruan se kështu bëri të ditur në një njoftim Observatori sizmologjik pranë Fakultetit të shkencave Matematiko-Natyrore në Shkup.

    Ndër tjera, thuhet se tërmeti ka ndodhur rreth orës 01:00 pas mesnate.

    Sipas të dhënave të deritanishme që ka observatori, tërmeti është ndjerë në qytetin e Shkupit dhe rrethinë me intensitet prej tre gradësh sipas shkallës makrosizmike evropiane.

  • Shefi i Zyrës së BE-së takohet me emisarin e ri të dialogut: Përvoja e tij do të ndihmojë në avancimin e marrëdhënieve

    Shefi i Zyrës së BE-së takohet me emisarin e ri të dialogut: Përvoja e tij do të ndihmojë në avancimin e marrëdhënieve

    Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, është takuar me emisarin e ri të dialogut Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

    Orav tha se është i bindur që përvoja e tij do të ndihmojë në avancimin e procesit të dialogut, ndërsa tha se ai bashkë me ekipin do ta mbështesin në punën e tij.

    “Takim i parë i shkëlqyer me Peter Sorensen, të sapoemëruarin Përfaqësues Special të BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë. Jam i bindur se përvoja e tij e gjerë diplomatike do të ndihmojë në avancimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ekipi im dhe unë do ta mbështesim plotësisht!”, tha ai.

    Sorensen nga sot është zyrtarisht emisar për dialogun me një mandat fillestar prej prej 13 muajsh.

    Në njoftimin zyrtar të Këshillit të Bashkimit Europian për emërimin e tij u tha që detyra e tij do të jetë kontributi në normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve mes dy fqinjëve, por veçanërisht fokusin duhet ta ketë në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe aneksin e saj.

  • Nga sot diplomati danez Peter Sorensen është zyrtarisht emisar i dialogut Kosovë – Serbi

    Nga sot diplomati danez Peter Sorensen është zyrtarisht emisar i dialogut Kosovë – Serbi

    Nga sot zyrtarisht në krye të dialogut Kosovë – Serbi do të jetë diplomati nga Danimarka, Peter Sorensen.

    Sorensen ka shërbyer si shef i delegacionit të BE-së në Bosnjë e Hercegovinë dhe Maqedoninë e Veriut.

    Ndërsa në Kosovë ai mes viteve 2002 deri në vitin 2006, Sørensen shërbeu si Zëvendës Shef i Shtyllës IV të BE-së të UNMIK-ut si dhe drejtor i Zyrës Evropiane

    Ndryshe, Miroslav Lajçak, diplomati sllovak, ka dorëzuar të premten zyrtarisht detyrën e emisarit të dialogut Kosovë-Serbi te pasardhësi i tij, Peter Sorensen.

    Ai ka thënë se kjo ka qenë detyrë sfiduese, por pati mision shpërblyes me arritjen e marrëveshjes së Ohrit.

    “Dhe përfundon. Pas 4 viteve dhe 10 muajve si emisar i dialogut, po ia dorëzoj zyrtarisht detyrën pasardhësit tim, Peter Sorensen. Ka qenë sfiduese, megjithatë, një mision shpërblyes dhe Kosova e Serbia mund të jenë krenare që arritën Marrëveshjen e Ohrit” – ka shkruar ai në platformën “X”.