ATV

Category: Lajme

  • Bajrami tregon se si do ta realizojnë projektin e ndërtimit të termocentralit me gaz

    Bajrami tregon se si do ta realizojnë projektin e ndërtimit të termocentralit me gaz

    Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se në planin energjetik të partisë së saj është i përfshirë ndërtimi i një centrali me gaz, si përgjigje ndaj krizës me reduktime dhe çmime të larta të rrymës.

    Sipas saj, ky projekt përfshin gazifikimin fillestar me kosto 120 milionë euro dhe vendosjen e centralit në Ferizaj, me qëllim të rritjes së kapaciteteve prodhuese të energjisë.

    “Duke u nisur nga kjo situatë, domethënë edhe me reduktimet edhe me çmimet e larta të energjisë elektrike që jemi përballë, na një ndër projektet kryesore e kemi pikërisht këtë termocentral, centralin me gaz, ku fillimisht domethënë është projekti i gazifikimit të Kosovës, që është linja vertikale e gazit Shkup – Elez Han – Kaçanik, Ferizaj – Prishtina, Obiliq – Mitrovicë, kushton 120 milionë euro”, tha Bajrami.

    Ajo shtoi se financimi mund të vijë si nga Buxheti i Republikës së Kosovës apo kreditë ndërkombëtare, ashtu edhe nga Fondi i Trustit Pensional, me 500 milionë euro.

    “Ne kemi planifikuar që me një normë dy-trefish të kthimit, se sa janë ato të investume, domethënë gjithandej që me të merren, po të merren dhe të ndërtohet central me gaz”, tha Bajrami.

    Deklaratën e plotë të Hykmete Bajramit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • “Kandidatja s’e dinte se postimi ishte i dënueshëm”, Bajrami flet për dënimi që prej 20 mijë eurove LDK mori nga PZAP

    “Kandidatja s’e dinte se postimi ishte i dënueshëm”, Bajrami flet për dënimi që prej 20 mijë eurove LDK mori nga PZAP

    Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, në emisionin CONTEXT në ATV, sqaroi se gjoba prej 20 mijë eurove nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa erdhi për shkak të një postimi të shpërndarë nga një kandidate në listën e partisë.

    Ajo THA se kjo kandidate, nuk e kishte ditur se shpërndarja e atij postimi mund të sanksionohej.

    “Në listën e deputetëve janë 110 kandidatë. Është ba kandidatja për deputete të cilës ju po i referoheni, e ka ba një ndarje të një postimi, të cilin e ka ba dikush tjetër dhe është e vërtetë që e ka marrë atë dënim, por ajo ka qenë sigurisht që zonja nuk e ka ditur që diçka e tillë edhe dënohet, në fakt, sepse në ambientin ku ushtrohet politikë pikërisht nga partia në pushtet, disa herë partitë opozitare, mediat dhe gjithë të tjerët do të thotë fyen dhe quhen pikërisht me gjuhë të tillë”, tha Bajrami.

    Sipas saj, LDK nuk është dënuar asnjëherë për gjuhë të ashpër, por ka marrë gjoba për shkelje të tjera procedurale apo vendosje posterësh në zona të ndaluara.

    “Për ndryshe, nuk kemi asnjë dënim për shkak të gjuhës ose për shkak të fjalimeve që i kemi nëpër tubimet tona, sepse e kemi një përmbledhje, do të thotë jemi ndër partitë që prijnë me dënime, por kryesisht dënimet janë për shkak të mungesës së informatave ose disiplinës që mund të kenë disa kandidatë që vendosin poster në vende publike ose vende ku nuk duhet,” deklaroi Bajrami.

    Deklaratën e plotë të Hykmete Bajramit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Bajrami: Ata që përdorin gjuhë të ashpër në fushatë, nuk kanë program fare

    Bajrami: Ata që përdorin gjuhë të ashpër në fushatë, nuk kanë program fare

    Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, në emisionin CONTEXT në ATV, deklaroi se synimi kryesor i partisë së saj është prezantimi i programit qeverisës, ndërsa shtoi se ata që flasin me tone të ashpra nuk kanë fare plan konkret.

    Sipas saj, LDK po komunikon si më parë, pa sulme ndaj kundërshtarëve, sepse fokusi kryesor është ofrimi i ideve dhe projekteve të detajuara.

    “Nuk është që e kemi ndonjë plan kështu për ta ndryshuar komunikimin dhe mënyrën e komunikimit të cilën ne jemi duke e bërë me elektoratin. Gjuha jonë nuk ka qenë asnjëherë e ashpër. Absolutisht do të thotë, në qoftë se i dëgjoni fjalimet në tubimet të cilat i kemi, nuk po merremi fare, me pushtetin, nuk po merremi me asnjë parti politike. Kemi një qëllim dhe ai është prezantimi i programit tonë qeverisës, ndërkohë që ata që e kanë gjuhën e ashpër, ju e dini që nuk kanë program fare,” tha Bajrami.

    Ajo potencoi se megjithëse qeverisë aktuale iu dhanë burime të mëdha financiare, ajo nuk prezantoi asnjë listë konkrete me projekte.

    “Nuk nuk kanë program, kanë pasë 51 për qind të votave, kanë pasë 12 miliardë buxhet, nuk e ka as edhe një listë të projekteve, të rezultateve, të cilat mund sot të dalin dhe t’ju tregojnë qytetarëve dhe në vend të saj dalin me deklarata skandaloze,” shtoi Bajrami.

    Deklaratën e plotë të Hykmete Bajramit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Bie nga ndërtesa një femër në kryeqytet

    ​Bie nga ndërtesa një femër në kryeqytet

    Një person ka humbur jetën pasi nën rrethana ende të pasqaruara ka rënë nga një ndërtesë në rrugën “Jakov Xoxa” në Prishtinë.

    Zëdhënësja e policisë rajonale për Prishtinë Flora Ahmeti ka thënë për KosovaPress se rasti ka ndodhur rreth 19:00.

    “Në rrugën “Jakov Xoxa” në Prishtinë, një person ka rënë nga një ndërtesë. Viktimë në këtë rast është një person (femër), vdekjen e së cilës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje”, ka thënë ajo.

    Aktualisht hetuesit policorë në koordinim me prokurorinë përkatëse, janë duke punuar për të sqaruar të gjitha rrethanat që lidhen me rastin.

  • Gjykimi për sulmin ndaj zyres se KKZ-së në veri

    Gjykimi për sulmin ndaj zyres se KKZ-së në veri

    Përgatiti: Nora Luta

    Në gjykimin për sulmin terrorist ndaj zyrës së Komisionit Zgjedhor në veri, në dhjetor të 2022-ës, të enjten dëshmoi ish zyrtari i lartë i saj, Slobodan Dimitrijeviq.

    Dimitrijeviq, u propozua për tu dëgjuar në këtë proces, që filloi janarin e vitit të kaluar nga mbrojtja e Aleksandar Vlajiq.

    Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Milosh Delevic, tha se Vlajiq ia ka dërguar vetëm një fotografi të xhamit të KKZ-së së goditur me gur.

    Sipas Dimitrijeviq, i cili pohoi se kishte dhënë dorëheqje në nëntor të vitit 2022, për rastin i cili kishte ndodhur sa punonte aty, e kishte njoftuar Policinë.

    “Në fotografi është vërejtur se është shkoqur najloni dhe është vërejtur një vrimë e xhamit të thyer. I jam përgjigjur dhe i kam thënë se e kam lajmëruar më herët. gjatë kohës sa kam qenë në punë e kam riparuar me najlon”, deklaroi Dimitrijeviq.

    E kur u pyet për arsyen e dorëheqjes, tha se e bëri për arsye personale.

    Prokuroria Speciale pati vërejtje në dëshminë e dëshmitarit, duke e ndërlidhur me dëshminë e atij paraprak.

    Dorëheqja e Dimitrijevicit, kishte ndodhur në kohën kur zyrtarët e lartë të Komisioneve Komunale Zgjedhore në katër komunat veriore, dhe policët, gjyqtarët, e prokurorët serbë dhanë dorëheqje nga institucionet.

    Millun Milenkoviq, Dejan Pantiq, Aleksandar Vllajiq dhe Miomir Vakiq, sipas PSRK- më 6 dhjetor të 2022-s, kanë kryer sulm terrorist duke hedhur granata dore dhe shok bomba në zyrën e KKZ-së, duke rrezikuar kështu jetën e zyrtarëve shtetërorë.

  • Mungesë kuadrosh, Zubin Potoku në nevojë për zyrtar komunal

    Mungesë kuadrosh, Zubin Potoku në nevojë për zyrtar komunal

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Rreth 120 është numri i përgjithshëm i punonjësve në listën e pagave në komunën e Zubin Potokut, por ende nuk janë mbushur zbrazëtitë e lëna nga dorëheqja e pothuajse të gjithë ish-zyrtarëve nga komuniteti serb më 2023.

    Pasi tregoi se nga ky total, 60-70 prej tyre i përkasin komunitetit shumicë në këtë komunë, kryetari Izmir Zeqiri tha, edhe pse jo në kapacitet të plotë, se të gjitha shërbimet dhe zyrat janë funksionalizuar.

    “Kemi ofiqari që lëshojnë certifikata, kurorëzime, etj., natyrisht është zyra e stafit të regjistrimit civil, edhe zyra e tatimit ka filluar të regjistrojë pronat, inspeksioni gjithashtu, mirëpo jo me kapacitet të plota, ka nevojë ende të plotësohet staf, ka nevojë të trajnohen akoma zyrtarët”, tha Zeqiri.

    Derisa si problem ai përmendi edhe nivelin e përgatitjes së zyrtarëve aktualë, ai shtoi se komuna që udhëheq ka hapësirë për një total deri në 200 punëtorë.

    “Kemi bërë përpjekje, kemi pranuar kuadër. Mirëpo, sidoqoftë po shkon me njëfarë ngadalësie prej njëfarë presioni, dihet aty i takon shumicës serbe të jetë e punësuar në të gjitha dikasteret, mirëpo kemi arritur deri diku”, tha Zeqiri.

    Për normalizim të shërbimeve kryetari tha se po përgatiten konkurse, teksa veçoi nevojën për së paku edhe pesë zyrtarë të gjendjes civile, meqë shërbimet tashmë janë të kufizuar në një nga zyrat komunale.

    Në kuadër të punonjësve aktualë komunalë janë disa të arsimit dhe shëndetësisë, që punojnë sipas sistemit të Kosovës.

    Zeqiri fitoi mandatin në zgjedhjet e parakohshme komunale, që u bojkotuan nga Lista Serbe – parti që vetë i kishte shkaktuar ato me dorëheqjet e kryetarëve nga radhët e saj.

    Për disa muaj, Zeqiri ushtroi detyrën nga zyra në Çabër – para se të vendosej në objektin kryesor komunal në Zubin Potok.

  • Fabrika e tekstilit në Stanofc të Vushtrrisë, jashtë funksionit

    Fabrika e tekstilit në Stanofc të Vushtrrisë, jashtë funksionit

    Përgatiti: Egzona Mema

    Kështu duket sot objekti i Fabrikës së Tekstilit të hapur në vitin 2021 në Stanoc të Epërm të Vushtrrisë.

    Megjithëse kjo fabrikë operoi vetëm një vit meqë pas skadimit të kontratës, puna u ndal.

    “Vendi ku është i ndërtuar objekti nuk është pronë e Komunës, pra titullar juridik I kësaj parcele është kooperativa bujqësore që tani e ka AKP. E kemi kopjen e planit, fletën poseduese që e dëshmon”, tha kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi.

    Në një përgjigje që i kishte dhënë komunës në vitin 2022, AKP-ja kishte qartësuar si mund të shfrytëzohet parcela, thotë kryetari Ferit Idrizi.

    “Në mënyrë decidive na ka thanë që kjo pronë nuk preket se është e AKP ndërsa për nevojat e veta Komuna mundet me e shfrytëzu”, tha Idrizi.

    Ndërkaq, Fabrika e Tekstilit ishte jetësuar gjatë mandatit të ish-kryetarit të Vushtrrisë, Xhafer Tahirit. I njëjti asokohe, në bashkëpunim me një operator ekonomik kishin punësuar 30 gra në këtë fabrikë.

    Në një përgjigje për ATV-në, Tahiri akuzoi kryetarin aktual për mbylljen e fabrikës duke hedhur poshtë arsyet për mbylljen e saj.

    ‘Nuk kemi pasur asnjë mosmarrëveshje me AKP, sepse dihet botërisht se ky objekt ka qenë dhe është pronë e Komunës së Vushtrrisë .E kemi dhënë objektin vetëm pasi e kemi ndërtu objektin e ri të Shkollës”, tha Tahiri

    Ndërkaq në objektin e ish-shkollës Migjeni tani kryetari Ferit Idrizi, planifikon të hapë një çerdhe.

  • Renovimi i QKMF-së në Obiliq nuk ka përfunduar

    Renovimi i QKMF-së në Obiliq nuk ka përfunduar

    Përgatiti: Alma Hysenaj

    Renovimi filloi në maj të vitit të kaluar, por punimet në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Obiliq ende nuk kanë përfunduar.

    Zvarritjet i shkaktuan kushtet klimatike por edhe financat thonë zyrtarët përgjegjës. Në anën tjetër qytetarët janë të pakënaqur.

    “Shumë ngadalë. Afërsisht ka një vit që kanë filluar renovimet. Jo vetëm për mua, por për çdo qytetar ka pengesa. Lart është stomatologjia, stomatologjinë e kanë dërguar në Milloshevë. Jo të gjithë mund të shkojnë në Milloshevë… Prej që kanë filluar punimet sidomos prej se është ftohur koha punimet janë të zvarritura. S’ka punime”, tha Xhevahire Krasniqi, qytetare.

    “Kërkojmë që sa më shpejtë të rinovohet kjo sepse nuk po kemi edhe ku t’i kryejmë shërbimet. Po shkojmë në Prishtinë…Po shohim që sa më shpejtë kjo të rregullohet mos të kemi punë atje, por t’i kryejmë këtu shërbimet”, tha Enver Gjukatani, qytetar.

    Për këto rinovime me 110 mijë euro kishte kontriobuuar Komuna e Obiliqit.

    Projekti i mbindërtimit të QKMF-së përfshinë hapësirën prej 1 mijë e 650 metra katrorë dhe mesatarisht rreth 500 pacientë marrin shërbime në këtë qendër brenda 24 orëve.

  • Shtrenjtohet çaji në Vushtrri

    Shtrenjtohet çaji në Vushtrri

    Pergatiti: Diellëza Krasniqi

    Zeqir Hyseni nga Vushtrria, mëngjeset e zakonshme i nis në çajtoret e lagjes. Krahas pijes tradicionale e të famshme të zonës, e shijon edhe muhabetin me shoqëri.

    Megjithatë, pak si më e hidhur thotë është koha kur duhet të paguajë, sepse nga java e kaluar, çaji është shtrenjtuar nga 20, në 30 centë. Pavarësisht çmimit, shton se nuk mund ta ndryshojë këtë rutinë.

    ‘’Deri 50 cent e kisha pagu nuk është shtrejt çmimi është i arsyeshëm’’, tha Zeqir Hyseni, qytetar.

    Në çajtoret të cilat kryesisht i frekuentojnë pensionistët, ankohen për këto ndryshime, për shkak të kushteve të kësaj kategorie.

    ‘’Është pak e shtrejt tu e marr parasysh t ardhurat e pensioneve te gjithë pensionistat thonë që 50% është shtrejt’’, tha Bedri Pllana, qytetar.

    Disa të tjerë kërkojnë që pronarët e çajtoreve t’i kthejnë çmimet e mëparshme.

    Vetë pronarët e pranojnë që për shkak të vendimit të fundit, ka rënë edhe puna.

    Vushtrria, sikur edhe disa qytete tjera të Kosovës, njihen për përdorim të çajit. Në këtë komunë madje organizohet edhe festivali i çajit.

  • ​Izraeli liron të burgosurit pas vonesës për shkak të dorëzimit kaotik të pengjeve

    ​Izraeli liron të burgosurit pas vonesës për shkak të dorëzimit kaotik të pengjeve

    Hamasi liroi tre pengje izraelitë dhe pesë tajlandezë në Gaza të enjten dhe Izraeli filloi të lironte 110 të burgosur palestinezë pasi vonoi procesin për shkak të skenave kaotike në një nga pikat e dorëzimit ku turmat e njerëzve u grumbulluan rreth pengjeve.

    Arbel Yehud (29), e rrëmbyer nga Kibbutz Nir Oz në një sulm të Hamasit në Izrael më 7 tetor 2023, dukej e frikësuar dhe përpiqej të kalonte nëpër një turmë ndërsa militantët e armatosur ia dorëzuan atë në Kryqin e Kuq në një skenë të tensionuar në qytetin jugor të Khan Yunis.

    Një tjetër peng izraelit, Gadi Moses (80), u lirua gjithashtu së bashku me pesë shtetas tajlandezë që po punonin në fermat izraelite pranë Gazës kur militantët depërtuan gardhin kufitar.

    Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se skenat e dorëzimit të tyre ishin tronditëse dhe kërcënoi me vdekje këdo që dëmtoi pengjet.

    Ai dhe ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, thanë se kishin urdhëruar shtyrjen e lirimit të të burgosurve “derisa të sigurohet dalja e sigurt e pengjeve në fazat e ardhshme”.

    Zyra e kryeministrit më vonë njoftoi se ndërmjetësit ishin zotuar të garantonin kalimin e sigurt të pengjeve në dorëzimet e ardhshme.

    Më vonë të enjten, autobusët mbërritën në qytetin Ramallah të Bregut Perëndimor që mbanin disa nga 110 të burgosurit palestinezë, të cilët do të lirohen si pjesë e një marrëveshjeje me faza që i dha fund më shumë se 15 muajve të luftës më 19 janar.

    Zakaria Zubaidi, një nga udhëheqësit e Brigadave Al-Aksa, krahu i armatosur i grupit Fatah, ishte i burgosuri palestinez më i shquar që u lirua. Ai u arratis nga burgu në vitin 2021 me tre të burgosur të tjerë, por më pas u arrestua.