ATV

Category: Lajme

  • OFK: Vendimi për përcaktimin e çmimeve të barnave, çon në falimentim të bizneseve farmaceutike

    OFK: Vendimi për përcaktimin e çmimeve të barnave, çon në falimentim të bizneseve farmaceutike

    Oda e Farmacistëve të Kosovës ka paditur në Gjykatën Komerciale, Ministrinë e Shëndetësisë për vendimin për përcaktimin e çmimeve të barnave, me theks të veçante pikën gjashtë të këtij vendimi, që sipas Odës, rrezikon falimentimin e shumë farmacive në vend.

    Kryetari i Odës së Farmacistëve, Kadri Bytyçi, në një intervistë për Ekonomia Online ka deklaruar se ky vendim është në kundërshtim me ligjin, si dhe dëmton rëndë farmacistët në gjithë territorin e Kosovës.

    Sipas tij, ky vendim mund të krijojë humbje deri në 20 milion euro për farmacitë, për shkak të stokut ekzistuese të barnave, i cili mund të çojë në falimentim të bizneseve.

    “Është e vërtet që e kemi atakuar në Gjykatën Komerciale pranë Departamenti për çështje Administrative vendimin e ministrit në lidhje me çmimet, kryesisht pikën gjashtë, ajo pikë e cila i prek farmacistët tanë që punojnë dhe veprojnë në tërë territorin e Republikës. E them këtë sepse me anë të këtij vendimi në mënyrë anti-ligjore ministri është munduar që të vendos një pikë, e cila i obligon farmacistët që të vendosin çmime në barna, a dihet që me udhëzimin administrativ për banderola çmimi vendoset në banderola. Por edhe në ligjin për përcaktimin e çmimeve, gjithashtu potencohet se çmimi vendoset në banderola. Kjo shto edhe faktin sepse stoqet të cilat ata i kanë mund t’u krijohet një humbje aq e madh sa që mund të rrezikojnë edhe falimentimin e bizneseve të tyre e që me një përllogaritje tonë nëpërmjet diskutimit me kolegët tanë ka dal se ky dëm mund të jetë rreth 20 milion euro në gjitha barnatoret e Republikës”, ka thënë ai për Ekonomia Online.

    Bytyçi ka kritikuar Ministrinë e Shëndetësisë për mungesën e komunikimit dhe për injorimin e shqetësimeve të komunitetit të farmacistëve.

    Ai ka shtuar se pret që Gjykata Komerciale të merr vendimin për pezullimin e pikës gjashtë, duke kërkuar një zgjidhje që mbron interesat e farmacistëve dhe të sektorit farmaceutik në vend.

    “Jo që kemi kërkuar por ka emaile të pafundme që janë dërguar në adresë e Ministrisë së Shëndetësisë e janë hasur në vesh të shurdhër, nuk kemi pasur takime. Kemi paraqitur shqetësimet tona të komunitetit tonë që si derë të vetme e kanë Odën e Farmacistëve, por prapë se prapë ministri nuk u është përgjigjur kërkesave tona. Ka disa emaile të dërguara në adresë të tyre. Në qoftë se vendimi i përket drejtësisë dhe është meritokratik besoj që gjykata duhet të vendos në lidhje me pikën gjashtë të vendimit që të marr masa të sigurisë apo pezullim të saj sepse po dëmtohen kryekëput farmacistët nëpër barnatore”, ka thënë ai.

    Ai ka theksuar se MSH-ja nuk ka diskutuar fare me Odën para marrjes së këtij vendimi, duke shtuar se si Odë kanë insistuar vazhdimisht që kur të bëhet një ligj të bëhet, i aplikueshëm, i qëndrueshëm dhe i zbatueshëm për të gjithë.

    “Absolutisht jo, përkundrazi ne kemi insistuar vazhdimisht që kur të ndërtohet diçka, kur të behet një ligj të bëhet, i aplikueshëm, i qëndrueshëm dhe i zbatueshëm për komunitetin”, ka thënë ai.

    Konfirmimin e padisë e kanë konfirmuar edhe nga Gjykata Komerciale e Kosovës. “Gjykata Komerciale – përkatësisht Departamenti për Çështje Administrative, padinë në fjalë e ka pranuar më 21.01.2025”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës për EO.

    Prej sot në Kosovë do të hyjë në fuqi dhe do të nisë së zbatuari Lista e Çmimeve të Barnave në vend.

    Ministria e Shëndetësisë, më 23.12.2024, kishte publikuar Listën e Çmimeve të Barnave me detyrim të zbatimit në tregun e Kosovës, nga data 01.02.2025.

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se pret një “tronditje të lehtë” të tregut, por që tha se janë të vendosur në zbatimin e Ligjit.

    Vitia përmendi se është një pjesë e kompanive, distributorëve dhe bartësve të Autorizim Marketingut të cilët nuk kanë paraqitur çmimet e barnave të tyre, për të cilët Ministri tha se do të ketë sanksione.

    “E kuptoj që është sfidë dhe se në fillim do të ketë tronditje të lehtë të tregut, por ne jemi të vendosur që të zbatojmë këtë Ligj, muajt e parë pres tronditje të lehtë deri në stabilizimin e plotë”, tha ai në konferencë për media të premten, pas mbledhjes së Qeverisë.

  • Sot nis zbatimi i Listës Zyrtare të Çmimeve të Barnave

    Sot nis zbatimi i Listës Zyrtare të Çmimeve të Barnave

    Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se që nga sot (1 shkurt) do të fillojë së zbatuari vendimi për listën zyrtare të çmimeve të barnave.

    Në njoftimin e bërë për media nga Ministria e Shëndetësisë thuhet se nga ky vendim, përfituesit më të mëdhenj do të jenë qytetarët.

    “Ministria e Shëndetësisë ju njofton se po shënohet një hap i rëndësishëm në reformimin e sektorit farmaceutik, fillimin e zbatimit të listës zyrtare të çmimeve të barnave, nga data 1 shkurt 2025.

    Me këtë po garantojmë rregull dhe transparencë në tregun farmaceutik, në të cilin përfitues më të mëdhenj do të jenë qytetarët e Republikës së Kosovës. Jemi të vetëdijshëm se fillimi nuk do të jetë i lehtë, do të ketë sfida, por jemi të përkushtuar që ky ndryshim të sjellë përfitime afatgjata për të gjithë, me theks të veçantë për qytetarët tanë”, thuhet në njoftim.

    MSH po ashtu, ka deklaruar se për të siguruar respektimin e ligjit, si dhe mbrojtjen e interesave të pacientëve, por edhe palëve tjera të përfshira, Inspektorati Farmaceutik do të jetë plotësisht i angazhuar, për të monitoruar dhe zbatuar këtë reformë legjislative.

    “Nga java tjetër do fillojnë afatet për deklarim të çmimeve të produkteve medicinale, përfshirë edhe produktet medicinale që janë regjistruar për herë të parë. Andaj, ftojmë të gjitha palët e interesuara të bashkëpunojnë në këtë proces, për një treg farmaceutik më të drejtë dhe më të qëndrueshëm për të gjithë. Ministria e Shëndetësisë, do të jetë e angazhuar maksimalisht që zbatimi i këtij ndryshimi legjislativ të jetë më i lehtë dhe të tejkalohen sfidat eventuale që mund t’i hasim gjatë zbatimit”, thuhet mes tjerash në komunikatë.

    Pakënaqësi ndaj vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë kanë shprehur Oda e Farmacistëve të Kosovës dhe po ashtu Shoqata e Distributorëve të Produkteve Farmaceutike dhe Medicinale të Kosovës.

    Për shkak të pakënaqësive ndaj këtij vendimi, Oda e Farmacistëve ka dorëzuar këtë ligj në Gjykatën Komerciale, por që këta të fundit ende nuk kanë marrë ndonjë vendim lidhur me këtë çështje.

    Kadri Bytyçi, kryetar i Odës së Farmacistëve, ka konfirmuar se janë në pritje të vendimit të Gjykatës Komerciale, për të vendosur më tutje se si do të veprojnë.

    Gjithashtu, Bytyçi tha për Telegrafin se kanë realizuar edhe një pyetësor për vendimin e ministrit.

    “Pyetësorin e kemi bërë, dhe kemi atakuar vendimin e ministrit si odë. Kërkesa e komunitetit tonë ka qenë se është vendim jo në përputhje me ligjin, ku neni gjashtë i obligon farmacitë me qit çmime për barna, e që është në kundërshtim me udhëzimin administrative për banderola, sepse vetëm në banderola del çmimi. Njëkohësisht ne kemi ataku edhe në aspektin juridik, në Gjykatën Komerciale në departamentin për çështje administrative vendimin e ministrit. E kemi atakuar ku kemi kërkuar masë sigurie apo pezullim, por kryesisht ka të bëjë me pikën e gjashtë, ku i dëmton shumë kolegët tanë farmacistë”, ka theksuar ai.

  • Deficiti tregtar rritet me 17 për qind, OEK kërkon masa urgjente për mbështetje të prodhimit dhe eksportit

    Deficiti tregtar rritet me 17 për qind, OEK kërkon masa urgjente për mbështetje të prodhimit dhe eksportit

    Deficiti tregtar i Kosovës është rritur me 17.5% në dhjetor 2024, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, duke arritur në 561,5 milionë euro, sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), raporton EO.

    Në lidhje me këtë çështje, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, në një intervistë për Ekonomia Online ka ngritur shqetësime për bilancin negativ tregtar dhe ka bërë thirrje për ndërhyrje urgjente nga Qeveria e re, e cila do të dal nga zgjedhjet e 9 shkurtit, për të mbështetur prodhuesit vendor dhe për të rritur eksportet.

    Sipas Rafunës, të dhënat e ASK-së konfirmojnë atë që OEK ka paralajmëruar prej kohësh, që eksportet mbulojnë vetëm 17% të deficitit tregtar, ndërsa importet janë në rritje.

    “Kemi kërkuar nga ana e qeverisë që të merren masa konkrete që të ndihmohet prodhimi që ta rrisim eksportin dhe ta ulim këtë deficitin tregtar. Këto të dhëna të ASK-së që përputhen plotësisht edhe me të dhënat që i ka OEK-u është që ne e mbulojmë vetëm 17 për qind deficitin tregtar me eksport, që nënkupton që importi është duke u rritur dhe është rritur në vlerë. Kurse, eksporti madje këtë vitin e fundit, sipas të dhënave preliminare, kemi një rënie të lehtë të eksportit kundrejt viti paraprak. Kjo është shqetësuese dhe ne e përsërisim kërkesat tona edhe qeveria e re që do të formohet pas zgjedhjeve të reja, pavarësisht cila parti politike do të jetë në qeveri ose pjesë e saj, kërkojmë që me urgjencë të merren masa konkrete që të ndihmohet prodhimi vendor, ta rrisim prodhimin vendor”, ka thënë ai.

    Një tjetër faktor shqetësues, sipas Rafunës, është mungesa e investimeve të huaja cilësore në sektorin e prodhimit dhe ulja e shpenzimeve kapitale nga ana e Qeverisë. Për më tepër, ai tha se masat ndëshkuese të BE-së, të cilat kanë bllokuar projekte me vlerë mbi 300 milionë euro, kanë përkeqësuar edhe më shumë situatën ekonomike.

    “Shto kësaj që ne jemi edhe duke vuajtur edhe për investime të huaja kualitative në kuptimin e hapjes së fabrikave ose sjelljen e brendeve të njohura botërore për të punësuar rininë tonë. Si dhe mos shpenzimin nga qeveria e Kosovës edhe të shpenzimeve kapitale si mjeteve në buxhetin e shtetit të paraparë për shpenzime kapitale. Po ashtu që jemi nën masa ndëshkuese të BE-së që janë projekt që nuk kanë mundur të implementohen që tejkalon vlera e tyre mbi 300 milion euro dhe gjitha këto kur akumulohen ta jepni këtë shifër që ky eksport, jo që është rritur por ka filluar që të ketë një rënie kundrejt vitit paraprak dhe importi po të rritet si rezultat i uljes së prodhimit vendor, kjo është shumë e keqe për ekonominë tonë, për standardit jetësor qytetareve të Kosovës është shumë e keqe dh duhet me urgjencë të merren veprime konkrete, masa konkrete, duke filluar nga politikat fiskale, duke filluar nga veprimet administrative, duke filluar te çështja e interesave të kredive për prodhuesit për eksportuesit. Por, edhe veprime të sundimi i ligjit edhe veprime të reforma e arsimit”, ka thënë Rafuna për Ekonomia Online.

    Rafuna tha se përderisa sektori i shërbimeve ka treguar suficit fal politikave të kaluara që kanë ndihmuar të rinjtë të punojnë për tregun ndërkombëtar pa lëvizur jashtë vendit, sektori i prodhimit ende mbetet i pazhvilluar dhe pa mbështetje të mjaftueshme.

    Ai për këtë theksoi se duhet që me urgjencë të shihet se në cilët sektor, si vend jemi konkurrues dhe në ata sektor të përqendrohen subvencionet në mënyrë që të shtohet prodhimi vendor.

    “Meqenëse vlera ju ka ofruar 6 miliard kjo tregon, ndërsa ne tani për herë të parë sillemi rreth 900 e pak milionë në eksport dhe kjo e tregon çfarë diference kemi mes importit dhe eksportit. Shikoje tani te shërbimet ne kemi suficit, pse, fal masave që janë marrë më herët nga qeveritë në të kaluarën që e kanë ndihmuar të rinjtë dhe të rejat që të ofrojnë shërbime pa qenë nevoja që të jenë fizikisht jashtë. E njëjta situatë duhet me ndodh edhe te prodhimi, te produktet e konsumit. Duhet me urgjencë të ndihmojmë prodhimin tonë dhe ta shohim cilët sektor jemi konkurrues, në ata sektor t’i përqendrojmë subvencionet dhe ta ndihmojmë që të shtohen prodhimi vendor, të ulet papunësia dhe ta ndryshojmë bilancin tregtar ku menjëherë do të vërehet edhe një rritje e zhvillimit ekonomik të vendit dhe ngritje të mirëqenies sociale për qytetarët tanë”, ka thënë ai.

    Rafuna, gjithashtu ka bërë thirrje që edhe politikat fiskale të rishikohen, pasi ka gjashtë vite që nuk janë ndryshuar, duke eliminuar barrierat administrative dhe duke krijuar më shumë lehtësi për prodhuesit.

    “Nuk janë të mjaftueshme, ka nevojë ende për mbështetje nëpërmjet politikave fiskale, ky është viti i gjashtë që nuk është bërë freskimi i politikave fiskale. Ka hapësirë dhe mundësi shumë më shumë për të eliminuar shumë barriera që ekzistojnë sot, qoftë administrative ose jo administrative. Që ndoshta në një periudhë të caktuar kanë qenë të mira e efektive, mirëpo koha tani ka ardhur që ato duhet që të eliminohen sepse janë bërë pengesë për prodhuesit tanë. Më pas duhet të ndihmohet nëpërmjet subvencioneve të ndryshëm, prodhuesi jonë, ta zgjeroj veprimtarin e vetë, por edhe sipas mundësisë, ose t’i gjejmë hapësirë se shumë kërkesa ka nga bizneset që të ofrohet hapësire në prona publike të merren me qira ose t’u mundësohet që të merren në shfrytëzim për të arritur veprimtarinë. Qoftë se nuk ka hapësirë, nuk ka mundësi të dhënies në shfrytëzim të ndonjë prone që është publike, atëherë të shihet mundësia sidomos për start-up që të subvencionohet një pjesë e qirasë për një periudhë të caktuara deri sa ai star-up të bëhet i vet qëndrueshëm”, ka thënë ai.

  • Aksident mes tri veturave në rrugën Prishtinë – Fushë Kosovë

    Aksident mes tri veturave në rrugën Prishtinë – Fushë Kosovë

    Një aksident i rëndë ka ndodhur sot te Zona Industriale, ku të përfshira kanë qenë të përfshira tri vetura.

    Në vendin e ngjarjes shihet të kenë mbërritur policia që po merren me rastin.

    Në pamjet e ka siguruar nga ATV-ja shihet se në vendin e ngjarjes kanë mbërritur edhe dy autoambulanca që po i japin ndihmën e parë të lënduarve.

  • FSK-ja realizon ushtrimin fushor “Shqiponja 1”

    FSK-ja realizon ushtrimin fushor “Shqiponja 1”

    Në kuadër të ngritjes dhe forcimit të kapaciteteve operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Kompania B e Regjimentit të dytë të Forcave Tokësore ka realizuar me sukses ushtrimin fushor “Shqiponja 1”.

    Sipas FSK-së, ky ushtrim ka pasur për qëllim vlerësimin dhe testimin e aftësive, me synimin që të sigurohet gatishmëria e lartë për përmbushjen e detyrave të planifikuara dhe arritjen e objektivave për vitin 2025.

    “Përmes skenarëve të ndryshëm taktikë, pjesëtarët e FSK-së kanë demonstruar aftësi të avancuara në menaxhimin e situatave sfiduese, duke dëshmuar profesionalizëm dhe përkushtim në realizimin e misionit të tyre”, ka shkruar ai.

  • Deklarata e Gërvallës për Haradinajn, ​Osmani: Nuk përcjelli deklarata të tilla

    Deklarata e Gërvallës për Haradinajn, ​Osmani: Nuk përcjelli deklarata të tilla

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nuk ka dashur të komentoj deklaratën “gjeneral i vetëshpallur” të ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla për kreun e Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës, Ramush Haradinaj.

    “Nuk përcjelli deklarata të tilla”, tha shkurt Osmani kur u pyet nga KosovaPress se si e vlerëson deklarimin e Gërvallës.

    Etiketimi i liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj si “gjeneral i vetëshpallur” të cilin ia bëri ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, Lëvizjes Vetëvendosje i kushtoi 10 mijë euro.

    Ajo gjatë fjalimit të saj tha se opozita “nuk dinë dhe nuk duan të qeverisin në Kosovë,” teksa kandidatin për kryeministër nga koalicioni për Kosovën Fituese Ramush Haradinaj e ka quajtur “hero të Çakorrit” dhe “gjeneral të vetëshpallur”.

  • Liridona u vra me armën e tij, Gjykata e dënon Tomë Dodajn me 5 vite burgim

    Liridona u vra me armën e tij, Gjykata e dënon Tomë Dodajn me 5 vite burgim

    Tomë Dodaj është dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës me 5 vite burg dhe 5 mijë euro gjobë.

    Dodaj është dënuar me pesë vjet burgim e 5 mijë euro gjobë, i cili akuzohet se ia kishte shitur Naim Murselit e Granit Plavës, armën me të cilën ishte kryer vrasja e Liridona Ademajt, në nëntor të vitit 2023.

    Gjatë shqyrtimit fillestar më 31 janar, Prokuroria ka lexuar aktakuzën që rëndon ndaj katër të akuzuarve.

    Aty thuhet se Naim Murseli kishte premtuar 30.000 kompensim për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridonës, dhe madje e kishte mbajtur me njërën dorë, që ajo të mos shmangte plumbin.

    Lexoni edhe:

    Naim Murseli deklarohet i pafajshëm për vrasjen e Liridona Ademajt

  • ​Vitia: Më 1 shkurt do të hyjë në fuqi lista zyrtare e çmimeve të produkteve medicinale

    ​Vitia: Më 1 shkurt do të hyjë në fuqi lista zyrtare e çmimeve të produkteve medicinale

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se më 1 shkurt do të hyjë në fuqi lista zyrtare e çmimeve të produkteve medicinale.

    Ai tha se përmes kësaj qytetarët do të kenë barna me çmime më të lira dhe çmime të njëjta.

    Megjithatë, Vitia në konferencën për media pas mbledhjes së qeverisë të premten, tha se pret që në muajt e parë të ketë një rezistencë dhe një tronditje të lehtë të tregut farmaceutik, mirëpo nënvizoi se janë të vendosur mos të tërhiqen nga zbatimi i Ligjit për unifikimin e çmimit të produkteve medicinale.

    “Më në fund i mundësohet qytetarëve të Kosovës që të kenë qasje të drejt dhe me çmime korrekte për barnat. Kanë qenë të njoftuar të gjithë akterët pa dallim dhe ligji do të fillojë të zbatohet. Të gjitha takimet që kemi pasur, jo vetëm me barnatore por edhe më herët gjatë përpilimit të ligjit dhe faza të tjera. Tani nga 1 shkurti kjo do të hyjë në fuqi ligji. Unë sot do të kem takim me Inspektoratin Farmaceutik dhe ftojë të gjitha subjektet që të zbatojnë ligjin, përkundër sfidave që mund t’i kenë në fillim. Ky është një ligj për qytetarët dhe është një ligj i drejt. Natyrisht ata që nuk e zbatojnë do të merren masat adekuate. Është një grup i kompanive të cilët s’kanë paraqitur barnat e caktuara për aplikim për çmimet e barnave të tyre sipas kërkesave ligjore. Ndaj tyre do të merren masat dhe sanksionet bazuar në ligjin aktual. Ky është një proces i pandalshëm dhe jemi të determinuar t’i shkojmë deri në fund”, theksoi Vitia.

    Në anën tjetër, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se nuk e di nëse është pezulluar ndonjë mbështetje me vlerë financiare të lartë nga vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të ndaluar implementimin e programeve të asistencës ndërkombëtare.

    Megjithatë, ai u shpreh optimist se pas rishqyrtimit apo rivlerësimeve të konstatohet se Kosova është një prej aleatëve më të mirë të ShBA-së.

    “Nuk e di që ka ndonjë mbështetje voluminoze apo me vlerë financiare të lartë që do të krijojë ndonjë hendek. Por, gjithsesi ne do të vazhdojmë bashkëpunimin siç kemi bërë deri tani dhe shpresojmë që pas rishqyrtimit dhe rivlerësimit të konstatohet ajo çka ka qenë çdo herë se Kosova është një prej aleatëve më të mirë të ShBA-së”, theksoi Murati.

  • Naim Murseli deklarohet i pafajshëm për vrasjen e Liridona Ademajt

    Naim Murseli deklarohet i pafajshëm për vrasjen e Liridona Ademajt

    I akuzuari Naim Murseli është deklaruar “plotësisht i pafajshëm” në rastin e vrasjes së bashkëshortes së tij, Liridona Ademajt.

    Kurse dy të akuzuarit e tjerë, pjesë e këtij grupi, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla janë mbrojtur në heshtje.

    Ndërkaq, Tomë Dodaj u deklarua fajtor lidhur me veprën me të cilën ngarkohet.

    Gjyqtarja e rastit tha se nëse gjenden fajtorë Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla mund të dënohen nga 10 vjet deri me burgim të përjetshëm.

    Kurse Dodaj mund të dënohet nga një deri me tetë vjet burgim.

    Gjykata tha se pas pranimit të fajësisë, aktgjykimi ndaj Dodajt do të shpallet në orën 12:40.

    Gjatë shqyrtimit fillestar më 31 janar, Prokuroria ka lexuar aktakuzën që rëndon ndaj katër të akuzuarve.

    Aty thuhet se Naim Murseli kishte premtuar 30.000 kompensim për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridonës, dhe madje e kishte mbajtur me njërën dorë, që ajo të mos shmangte plumbin.

  • ​Sorensen nga nesër emisar i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi

    ​Sorensen nga nesër emisar i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi

    Politikani nga Danimarka Peter Sorensen i cili u zgjodh nga përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, për ta zëvendësuar Mirosllav Lajçakun në këtë post nga nesër, më 1 shkurt do ta marr mandatin e tij.

    Sorensen është konfirmuar përfundimisht emisar për dialogun Kosovë-Serbi nga ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian.

    Deri më tani këtë post e ka ushtruar emisari Miroslav Lajçak, i cili ditë më parë gjatë qëndrimit në Davos e kishte konfirmuar se është java e fundit e tij.

    Lajçak po ashtu tha se dialogu është më vendimtar se kurrë në botën e sotme.

    “Dialogu është më vendimtar se kurrë në botën e sotme. U takova gjithashtu me liderë nga Ballkani dhe mora pjesë në Dialogun tradicional të Diplomacisë për rajonin. Në ndërhyrjen time, theksova se BE-ja është serioze për zgjerimin e Bashkimit, por kjo nuk do të ndodhë si parazgjedhje dhe i kërkova rajonit të qëndrojë në kurs. Ndërsa filloj javën e fundit të gati pesë viteve të mia në rolin tim aktual, ditët në vijim do të fokusohen në informimet përfundimtare dhe procedurat e dorëzimit”, kishte shkruar Lajçak.

    Lajçak do të pasohet nga diplomati Sorensen i cili ka përvojë të gjatë diplomatike në strukturat e BE-së.