ATV

Category: Lajme

  • Tragjike në Gjermani, nëna vret dy djemtë e saj dhe më pas veten

    Tragjike në Gjermani, nëna vret dy djemtë e saj dhe më pas veten

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e 4 shkurtit në Gjermani, kur një burrë gjeti bashkëshorten dhe dy djemtë e tij pa shenja jete kur u kthye në shtëpi.

    Siç raportojnë mediat gjermane, gruaja 45-vjeçare ka vrarë dy djemtë e saj adoleshentë (14 dhe 16 vjeç) e më pas i ka dhënë fund dhe jetës së saj.

    Tragjedia familjare raportohet se ka ndodhur në banesën e tyre në Villingen-Schwenningen.

    Punonjësit e shpëtimit mundën vetëm të konfirmonin vdekjen e tyre. Oficerët gjetën një thikë, e cila dyshohet të jetë arma e vrasjes.

    Departamenti i Hetimeve Penale ka nisur hetimet e mëtejshme, duke marrë në pyetje fqinjët në lagje të martën në mbrëmje ndërkohë që ekipi i mjekësisë ligjore siguruan prova.

  • 26 vjet nga konferenca e Rambujesë

    26 vjet nga konferenca e Rambujesë

    Më 6 shkurt 1999 filloi punimet Konferenca e Rambujesë në afërsi të Parisit, e cila synoi zgjidhjen e krizës në Kosovë.

    Iniciues të konferencës, e cila zgjati deri më 23 shkurt, ishte Grupi i Kontaktit, ndërsa ndërmjetës ishin Christopher Hill nga SHBA, Boris Maiorsky – Rusi dhe Wolfgang Petritsch – BE.

    Delegacioni i Kosovës kishte pranuar parimisht propozim-marrëveshjen për zgjidhjen e krizës në Kosovë, të cilën e kishte propozuar Grupi i Kontaktit.

    Delegacioni serb, sado që parimisht pranoi këtë propozim-marrëveshje, mbrojti qëndrimin që trupave të NATO-s të mos u lejohet kalimi nëpër Serbi dhe forcat ndërkombëtare në Kosovë të jenë në kuadër të Kombeve të Bashkuara.

    Edhe rrethi i dytë i bisedime që filloi më 15 mars në Paris përfundoi pa sukses. Delegacioni kosovar dhe ai serb kishin nënshkruar më 18 mars marrëveshje të ndryshme. Delegacioni i Kosovës kishte nënshkruar marrëveshjen e ofruar nga bashkëbiseduesit ndërkombëtarë, ndërkohë që delegacioni serb kishte nënshkruar projektmarrëveshjen politike – marrëveshjen për vetëqeverisjen në Kosovë.

    As tentimi i fundit, më 22 mars 1999 i emisarit special të SHBA-së Richard Holbrooke nuk ishte i suksesshëm. Ai nuk ia doli ta bindë presidentin e atëhershëm të RSFJ-së, Sllobodan Millosheviq që të pranojë marrëveshjen për Kosovën dhe vendosjen e trupave ndërkombëtare.

    Më 24 mars 1999, NATO filloi bombardimin e trupave ushtarake dhe paramilitare të Serbisë. Bombardimet përfunduan më 6 qershor 1999 me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës që parashihte tërheqjen e trupave jugosllave nga Kosova dhe vendosjen e trupave paqësore ndërkombëtare.

    Më pas, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën 1244 me të cilën u vendos protektorati, prania ndërkombëtare në Kosovës, UNMIK-ut si mision civil dhe KFOR-it, mision ushtarak.

    Ndërkaq, më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë.

  • Mandl: Serbisë nuk i besohet, njohja e Kosovës është e vetmja marrëveshje përfundimtare

    Mandl: Serbisë nuk i besohet, njohja e Kosovës është e vetmja marrëveshje përfundimtare

    Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl, ka folur për sfidat e zbatimit të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, ndikimin e mundshëm të administratës Trump dhe situatën e sigurisë në veri të Kosovës.

    Sipas Mandl, marrëveshja e arritur më 27 shkurt në Bruksel dhe aneksi i saj i zbatimit më 18 mars në Ohër po përballen me pengesa për shkak të qasjes së Serbisë.

    Ai në një intervistë për Telegrafin, thekson se Serbia nuk ka qenë e besueshme as në çështje të vogla.

    “Nëse Serbia nuk sillet e besueshme në gjëra të vogla, si mund të pritet që pala tjetër të ndërmarrë hapa të mëdhenj?” pyet ai.

    I pyetur për mundësinë e një marrëveshjeje përfundimtare gjatë mandatit të administratës Trump, ai thotë se “një marrëveshje përfundimtare mund të nënkuptojë vetëm njohjen – përndryshe, nuk do të ishte përfundimtare”.

    Mandl konsideron se Bashkimi Evropian nuk duhet të pres vetëm nga SHBA-ja, por të angazhohet më shumë për stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

    Duke komentuar tensionet e fundit, përfshirë rastin “Banjska” dhe shpërthimin në lumin Ibër-Lepenc, Mandl thekson se status quo-ja nuk i shërben stabilitetit rajonal.

    “Çdo person i arsyeshëm dhe i ndërgjegjshëm duhet të punojë për të ndryshuar status quo-në për më mirë”, deklaron ai.

    Eurodeputeti austriak thotë se Kosova dhe Serbia nuk duhet të presin që BE-ja ose pala tjetër të ofrojë zgjidhje, por të kenë vetë-iniciativë dhe të paraqesin propozime të arsyeshme për dialogun.

    Sipas Mandl, e ardhmja e rajonit varet nga njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, besueshmëria në arenën ndërkombëtare dhe puna e vazhdueshme për forcimin e shtetit të së drejtës dhe arsimit.

    Në lidhje me faktin që Milan Radoiçiq vazhdon të lëvizë lirshëm në Serbi, pavarësisht përfshirjes së tij në incidentin e Banjskës, Mandl thekson se ky hezitim i Serbisë nuk është surprizues, duke shtuar se problemi qëndron tek presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

    “Por është e rëndësishme të theksohet se po flasim për autoritetet serbe dhe jo për popullin e Serbisë në tërësi”, u shpreh Mandl.

    Më 27 shkurt 2023 në Bruksel, Kosova dhe Serbia kishin arritur Marrëveshjen Bazë, ndërkaq më 18 mars në Ohër, u arrit pajtimi për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes.

    Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

    Brukseli ka akuzuar të dyja palët për moszbatim të marrëveshjes.

    Zyrtarë të lartë të Kosovës dhe Serbisë kanë shprehur vazhdimisht qëndrime që lënë të kuptohet se nuk janë të gatshëm t’i përmbahen marrëveshjes.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këmbëngul në nënshkrimin e marrëveshjes, pasi, siç konsideron ai, kjo do të ishte garanci që edhe Serbia do t’i përmbushte obligimet e saj.

    Në mes të janarit të 2024-ës ai tha po ashtu se Asociacioni i komunave me shumicë serbe “nuk është prioritet” për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe se nuk duhet veçuar.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte qenë i prerë se nuk do të nënshkruajë asnjë marrëveshje që do të nënkuptonte njohjen e Kosovës apo anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara.

  • Ky është parashikimi i motit për sot

    Ky është parashikimi i motit për sot

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se për sot parashikohet mot i vranët dhe me intervale kohore me diell.

    Sipas IHMK-së, temperaturat minimale do të lëvizin nga -6°C deri -3°C, ndërsa maksimalet do të arrijnë nga 4°C deri në 7°C.

    Era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi 1-4 m/s.

  • Neziri: Të rinjve më së paku u duhet politika, nuk ka ndonjë përfitim prej saj

    Neziri: Të rinjve më së paku u duhet politika, nuk ka ndonjë përfitim prej saj

    Kandidati për deputet nga koalicioni AAK-NISMA, Mensur Neziri, në emisionin COMPASS në ATV, tha se të rinjtë nuk duhet të përfshihen shumë në politikë, pasi kjo nuk u sjell asnjë përfitim real dhe mund t’ua mohojë vlerat dhe aftësitë e tyre profesionale.

    Sipas tij, të rinjtë duhet të fokusohen te puna dhe ndërtimi i një të ardhmeje të qëndrueshme, e jo te angazhimi në forume dhe organizata politike.

    “Të rinjve më së paku u kish dashtë politika, sepse ata duhet të orientohen në punë, në zhvillim të familjes dhe në një të ardhme të qëndrueshme. Nuk ka ndonjë përfitim nga angazhimi në politika dhe forume të ndryshme”, tha Neziri.

    Ai tha se punësimi përmes politikës është një praktikë e gabuar që dëmton zhvillimin e të rinjve dhe i bën ata të varur nga partitë politike.

    “Fatkeqësisht, kur të rinjtë e shohin veten që mund të depërtojnë te një vend pune përmes politikës, atëherë ata po ia mohojnë vetes vlerat dhe kapacitetin e tyre. Në shumicën e rasteve, kush punësohet? Janë gjithmonë aktivistët politikë. Kështu përkthehet shpeshherë politika”, u shpreh Neziri.

    Deklaratën e plotë të Mensur Nezirit në COMPASS, e gjeni në videon më poshtë:

  • Neziri: Synimi i AAK-së është që të rinjtë të gjejnë punë në Kosovë dhe të mos detyrohen të largohen

    Neziri: Synimi i AAK-së është që të rinjtë të gjejnë punë në Kosovë dhe të mos detyrohen të largohen

    Kandidati për deputet nga koalicioni AAK-NISMA, Mensur Neziri, në emisionin COMPASS në ATV, tha se një nga prioritetet kryesore të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës është që të rinjtë të gjejnë vendin e punës brenda vendit dhe të mos detyrohen të largohen jashtë.

    Sipas tij, nëse të rinjtë do të kenë mundësi punësimi në Kosovë, askush nuk do të lëshojë vendin.

    “Synimi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës është që të rinjtë të gjejnë vendin e punës këtu, sepse për këtë pjesë është punuar brez pas brezi. Është punuar që në Kosovë të rinjtë të punojnë për Kosovën, ta ndërtojnë atë, ta zhvillojnë atë. Sigurisht që, nëse të rinjtë do të kenë mundësi punësimi në Kosovë, askush nuk do të lëshojë vendin”, tha Neziri.

    Ai tha se për shkak të standardit ekonomik të ulët, madje edhe mësimdhënësit detyrohen të migrojnë për një jetë më të mirë jashtë vendit.

    “Ne sot, fatkeqësisht, mund të themi se edhe mësimdhënësit marrin një vit pa pagesë për të migruar dhe për të punuar jashtë vendit. Jo pse ata kanë dëshirë të bëjnë një gjë të tillë, por për shkak të standardit ekonomik që ia pamundëson një mësimdhënësi të jetojë dinjitetshëm. Aleanca, për pjesën e mësimdhënësve, ka planifikuar rikthimin e kontratës kolektive”, u shpreh Neziri.

    Deklaratën e plotë të Mensur Nezirit në COMPASS, e gjeni në videon më poshtë:

  • Neziri: AAK e ka me prioritet orientimin profesional të nxënësve

    Neziri: AAK e ka me prioritet orientimin profesional të nxënësve

    Kandidati për deputet nga koalicioni AAK-NISMA, Mensur Neziri, në emisionin COMPASS në ATV, tha se orientimi profesional i nxënësve do të jetë një nga prioritetet kryesore të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

    Sipas tij, do të krijohet një sistem i përcjelljes profesionale nga klasa e parë deri në përfundim të shkollës së mesme, i udhëhequr nga një ekip i posaçëm brenda shkollës.

    “Do të bëjmë përcjelljen profesionale të nxënësve nga klasa e parë deri në përfundim të shkollës së mesme, domethënë deri te klasa dymbëdhjetë. Kjo përcjellje profesionale do të bëhet nga një ekip përbrenda shkollës që ne e quajmë Këshillim Pedagogjik, ku është i përfshirë pedagogu, psikologu, mjeku, punëtori social, të cilët bashkë me mësimdhënësit do të identifikojnë prirjet e nxënësve dhe do të ndihmojnë në orientimin e tyre profesional”, tha Neziri.

    Ai tha se identifikimi i prirjeve të nxënësve do të bëhet përmes testeve dhe vëzhgimeve, në mënyrë që ata të orientohen drejt profesionit më të përshtatshëm.

    “Këshilli pedagogjik brenda shkollës do të bëjë vlerësimin e nxënësit përmes testeve, përmes vëzhgimeve dhe instrumenteve tjera, përmes të cilave do të orientohet në profesion. Nxënësve do t’u propozohen dy drejtime në një stad të caktuar, supozojmë në klasën e nëntë, dhe ata do të kenë mundësinë të zgjedhin se ku dëshirojnë të vazhdojnë”, u shpreh Neziri.

    Deklaratën e plotë të Mensur Nezirit në COMPASS, e gjeni në videon më poshtë:

  • Gjoshi: Gara për vendin e parë po zhvillohet mes PDK-së dhe VV-së

    Gjoshi: Gara për vendin e parë po zhvillohet mes PDK-së dhe VV-së

    Kandidati i PDK-së për deputet, Betim Gjoshi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Partia Demokratike është forca politike me rritjen më të madhe në Kosovë, ndërsa Vetëvendosja po përjeton rënie.

    “Partia Demokratike është partia me rritjen më të madhe në Kosovë edhe e ka rritjen çdo dy javë kur bëhen matje, e ka rritjen e jashtëzakonshme. E dyta, partia me rënien më të madhe është Vetëvendosja, që është edhe krejt normale. Edhe gara për vend të parë është mes Partisë Demokratike dhe Vetëvendosjes. Për kë ne jemi mobilizu në këto tri ditë që me shënu këtë rezultat, i cili lehtëson shumë gjëra në Kosovë, se e hjek Kosovën prej një bllokadë e prej një ngërçi”, tha Gjoshi.

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Përplasje mes Çollakut dhe Kabashi-Ramajt për transformimin e FSK-së në ushtri

    Përplasje mes Çollakut dhe Kabashi-Ramajt për transformimin e FSK-së në ushtri

    Një debat i ashpër u zhvillua në emisionin CONTEXT në ATV, ku profesor i sigurisë, Fatmir Çollaku, dhe kandidatja për deputete nga PDK, Besa Kabashi-Ramaj, u përplasën mbi procesin e transformimit të FSK-së në ushtri dhe përjashtimin e saj nga programet trajnuese ndërkombëtare.

    Çollaku argumentoi se përjashtimi i fundit i Kosovës nga trajnimet ushtarake nuk kishte ndikim operativ, por më shumë politik, pasi ky vendim u mor në një fazë të vonë të procesit.

    “Përjashtimi në aspektin ushtarak dhe operativ është bërë në ditët e fundit, kur nuk kishte më çfarë të konsumohej nga trajnimet. Efekti ka qenë më shumë politik se sa ushtarak, pasi vendimi është marrë në fazën finale”, tha Çollaku, duke insistuar se kjo nuk e dëmton kapacitetin e përgjithshëm të ushtrisë.

    Megjithatë, Kabashi-Ramaj nuk u pajtua me këtë vlerësim, duke thënë se transformimi i FSK-së në ushtri nuk ka ndodhur me përpikëri dhe se problemet e menaxhimit logjistik janë tregues të mangësive serioze në këtë proces.

    “Transformimi i FSK-së në ushtri kërkon menaxhim të mirëfilltë të sektorit të mbrojtjes. Në momentin që nuk je në gjendje të menaxhosh një kontratë të thjeshtë, siç është ajo e ushqimit apo veshmbathjes, atëherë ke probleme serioze në funksionimin e ushtrisë. Logjistika është elementi kyç i suksesit në çdo operacion ushtarak”, tha Kabashi-Ramaj.

    Debatin e plotë mes Fatmir Çollakut dhe Besa Kabashi-Ramajt në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Çollaku: Tema e sigurisë nuk është rezultat i mospunës së qeverisë

    Çollaku: Tema e sigurisë nuk është rezultat i mospunës së qeverisë

    Profesori i sigurisë në Kolegjin AAB, Fatmir Çollaku, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se rritja e shqetësimeve për sigurinë në vend nuk është thjesht pasojë e mospunës së qeverisë, por një reflektim i zhvillimeve rajonale dhe globale që ndikojnë drejtpërdrejt në Kosovë.

    Sipas tij, siguria nuk varet vetëm nga qeverisja e një vendi, pasi faktorët që e kërcënojnë atë, tejkalojnë kufijtë kombëtarë dhe administrativë.

    “Siguria ka qenë një nga temat kryesore të këtij procesi zgjedhor, më shumë se në zgjedhjet e kaluara. Nuk është kjo thjesht rezultat i mospunës së qeverisë, pasi jemi dëshmitarë të zhvillimeve rajonale dhe globale. Siguria nuk buron vetëm nga udhëheqja e një vendi, sepse ajo tejkalon kufijtë kombëtarë dhe gjeografikë. Sot, faktorët që kërcënojnë stabilitetin e një shteti mund të gjenerojnë pasiguri në gjithë rajonin,” tha Çollaku.

    Ai tha se, në rast të përhapjes së krizave, është dëtyre e çdo pushteti të ndërmarrë masa për të garantuar sovranitetin dhe sigurinë kombëtare.

    “Po i referohem ngjarjeve madhore, siç është lufta në Ukrainë dhe tendencat tjera për të përhapur vatra e krizës, për të gjeneruar kriza, e që natyrisht Qeverisë së Kosovës, s’është për randësi emri i kryeministrit, s’është për randësi për mua këtë rast partia që ka udhëheq, pushteti i Kosovës është dashë të përballet me këto kërcënime, është dashë të ndërmarr masa dhe veprime për të ruajtur sovranitetin, për të ruajtur qenësinë kombëtare dhe atë shtetërore”, deklaroi Çollaku.

    Deklaratën e plotë të Fatmir Çollakut në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: