ATV

Category: Lajme

  • Haradinaj: Draftin e Asociacionit do ta dërgojmë në Kushtetuese, s’ka më përkëdhelje nga SHBA-ja

    Haradinaj: Draftin e Asociacionit do ta dërgojmë në Kushtetuese, s’ka më përkëdhelje nga SHBA-ja

    Në planet kryesore të Ramush Haradinajt nëse bëhet kryeministër pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, është që qysh në takimin e parë që do ta mbante në Qeveri do të vendoste për ta dorëzuar draft-statutin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.

    “Menjëherë në takimin e parë të Qeverisë”- tha ai në “Debat Përnime”, kur u pyet se si do të veprojë në lidhje me asociacionin.

    Përveç kësaj, Haradinaj mëton që nën mandatin e tij të mundshëm, Kosova mos të vazhdojë më Dialogun me Serbinë, por ky shtet të trajtohet si një vend jonjohës, me të cilin ndahen interesat e përbashkëta.

    Ai beson që Kosova është diskualifikuar nga partneriteti që ka pasur me fuqinë botërore dhe se tani duhet të bëj gjithçka për t’u rreshtuar në krahët e Amerikës.

    Pak ditë para zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, ai tha se Kosova duhet t’i përfundojë të gjitha obligimet që i ka marr me partnerët ndërkombëtarë.

    “As kurrkush mos me mujt me na ba me gisht që nuk jem serioz. Dua me ia kthy nderin e shtetit, të Republikës, Kosovës, për të gjithë. Çdo obligim që është diskutuar ndonjëherë me Amerikën, mendoj me kry menjeherë. Shpejtë, saktë, menjëherë”- u shpreh Haradinaj.

    Këto veprime, ai premton që do t’i ndërmarr në mënyrë që Kosova të kualifikohet si palë serioze.

    “Mendoj që me mujt me bind presidentin Trump, Serbia na njeh. Nëse i thotë për 24 orë, Serbia na njeh për 23 orë. Pra qëllimi im, strategjia ime është që me mujt sa ma shpejt me hy në tavolinë te presidenti Trump duke ditë që është krejt ndryshe, është ndryshim tektonik që ka ndodhë në botë”- ka theksuar Haradinaj, duke shtuar e epoka e Trumpit është e paparë më herët dhe se Kosova duhet ta zë hapin në mënyrë që mos të ketë pasoja të mëdha.

    Për Dialogun Kosovë- Serbi që ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian (BE) që nga viti 2013, ai thotë se mos të vazhdohet më me arsyetimin se ka një “inflacion të kontratave” prej nisjes së tij.

    Haradinaj thotë se administratat e mëhershme të SHBA-së e kanë toleruar, duruar, mbrojtur dhe përkedhelur Kosovën, por një gjë e tillë nuk do të ndodh nga administrata Trump.

    “Nuk i intereson kësaj [administrate] a je mirënjohës a mosmirënjohës. Nuk e kanë më atë problem. Zgjidhja e jote është: na kushton pare, nuk je në linjë me ne, nuk je partner i besueshëm- vazhdo. Unë mendoj me ndërru këtë. Na duhet me u rikualifiku. Kjo ka me qenë bukur e zorshme se është një administratë vërtetë shumë interesant, ndryshe se çfarë ka parë bota më parë”- shprehet Haradinaj.

    Megjithatë, ai thotë se SHBA mund t’i rikthej investimet, veçse me kritere.

    “Je me ta, ta gjejnë një mënyrë. Nuk je me ta nuk mundesh me shpresu me pas investime ma… Kurrkush nuk ka me mujt me marr asnjë cent të Amerikës pa kanë në linjë me ta, i besueshëm për ta. Nuk kanë ma bamirësi globale, e këso konceptesh”- tha ai.

    USAID-i është i pranishëm në Kosovë prej vitit 1999 dhe prej atëherë ka investuar më shumë se 1 miliard dollarë në zhvillimin e Kosovës. Përgjatë 25 vjetëve USAID-i ka zhvilluar programe për luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë, fuqizimin ekonomike të grave, luftën kundër dezinformimit dhe avokimin e mediave të pavarura.

    Për anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe në UNESCO, ai tha se për këtë të parën e kanë prioritet sepse ju duhet për t’u anëtarësuar në NATO, ndërsa për UNESCO-n i qëndroi pas veprimeve të Trumpit i cili ka vendosur ta tërheq SHBA-në nga kjo organizatë ndërkombëtare.

    “Këshilli i Evropës është shpejtë, ndërsa sa i përket UNESCO-s nuk e di si do të shkojë”- përfundoi ai.

  • Thellohen hetimet mbi një vdekje misterioze në fshatin Gllamnik të Podujevës

    Thellohen hetimet mbi një vdekje misterioze në fshatin Gllamnik të Podujevës

    Policia e Kosovës ka nisur hetim lidhur me një rast të dyshimtë vdekje në fshatin Gllamnik të Podujevës.

    Sipas raportit të sotëm të policisë, njësitet përkatëse kanë dalë në vendngjarje për të kryer ekzaminimet e nevojshme nën mbikëqyrjen e prokurorit të shtetit.

    “Lidhur me rastin njësitë policore kanë dal në vendngjarje për të kryer të gjitha veprimet hetimore dhe ekzaminimet e nevojshme për të zbardhur rastin. Hetimet janë duke u kryer nën mbikëqyrjen e prokurorit të Shtetit”.

    Ngjarja ka ndodhur pasditen e së dielës, më 2 shkurt 2025, kur një veturë e tipit Golf 7 është gjetur e djegur në këtë zonë. Gjatë ekzaminimit të mjetit, hetuesit kanë zbuluar mbetje kockore, të cilat më vonë u konfirmuan nga ekspertiza mjekoligjore se i përkisnin një njeriu.

    Prokuroria e shtetit ka angazhuar menjëherë një ekspert antropolog mjekoligjor për të verifikuar identitetin e mbetjeve, ndërsa hetimet po vazhdojnë me intensitet të lartë. Prokurori i rastit ka autorizuar hetime të thelluara në bashkëpunim me njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës për të zbardhur rrethanat e plota të këtij rasti.

    Në këtë fazë të hetimeve, autoritetet nuk kanë dhënë më shumë detaje, por kanë siguruar se janë të angazhuara maksimalisht për të zbuluar të vërtetën dhe për të siguruar drejtësi. Hetimet po zhvillohen në disa pista dhe informacione të tjera priten në ditët në vijim.

  • Si po përgatitet BE për një konflikt tregtar me SHBA?

    Si po përgatitet BE për një konflikt tregtar me SHBA?

    Donald Trump ende nuk e ka jetësuar kërcënimin për të vendosur tarifa të reja doganore ndaj BE. Presidenti amerikan fillimisht sulmoi fqinjët e tij.

    Para disa ditësh, ai njoftoi tarifat e importit prej 25 për qind për mallrat nga Kanadaja dhe Meksika dhe fillimisht vonoi zbatimin e tyre. Por nëse ato hyjnë në fuqi, edhe industria evropiane do të ndjejë pasojat, thotë Bernd Lange, kryetar i komitetit të tregtisë në Parlamentin Evropian.

    Në fakt, prodhuesit dhe nënkontraktorët gjermanë të automjeteve prodhojnë në Meksikë dhe Kanada për tregun amerikan. Kjo është arsyeja pse investimi i VW në një fabrikë baterish në Ontario, Kanada, nuk do të ishte më fitimprurës, nëse tarifat e SHBA do të rriteshin me 25 për qind, shpjegon Lange.

    Gjermania është veçanërisht e ndjeshme

    SHBA është partneri më i rëndësishëm tregtar për industrinë gjermane të automobilave. Prodhuesit dhe furnizuesit gjermanë krijojnë 140.000 vende pune në SHBA. Prodhimi atje po shkon në një nivel rekord – tani për tani. Sepse Trump i ka vënë kompanitë gjermane veçanërisht në shënjestër. Në mandatin e tij të parë ai kërcënoi se do të vendoste tarifa doganore për automjetet, por nuk i vuri.

    Presidenti amerikan është i indinjuar nga deficiti i madh tregtar me Evropën: BE importon mallra nga SHBA me vlerë rreth 160 miliardë euro më shumë se sa merr prej saj. Trump e quan këtë një “turp”.

    “Përgjigje ndaj politikave doganore me politika doganore.”

    Sipas Institutit të Kielit për Ekonominë Botërore, një konflikt tregtar transatlantik do ta godiste BE shumë më rëndë se SHBA. Kjo është arsyeja pse BE po reziston me oferta dhe kërcënime.

    BE përsëriti ofertën e tij për të qëmtuar fushat e bashkëpunimit me qeverinë e SHBA. Kjo mund të përfshijë blerjen e më shumë gazi natyror të lëngshëm (LNG) ose uljen e tarifave për importet e automjeteve nga SHBA. BE aktualisht zbaton një tarifë prej 10 për qind, ndërsa tarifa për automjetet e importuara në SHBA është vetëm 2.5 për qind.

    Veç kësaj, BE ripohon unitetin e supozuar ndaj Uashingtonit. BE tha se në rast konflikti, Komisioni Evropian, i cili është përgjegjës për çështjet e tregtisë së jashtme, mund të përgjigjet shpejt dhe në mënyrë të shënjestruar. Këtë e theksuan edhe disa krerë shtetesh dhe qeverish në samitin jozyrtar të së hënës në Bruksel. Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se BE, si një zonë e fortë ekonomike, mund t’i përgjigjet politikave doganore edhe me politika doganore. Kjo është ajo që duhet të bëjmë dhe këtë do të bëjmë.

    Tarifat doganore si mjet presioni politik

    Trumpi i justifikoi tarifat doganore të shpallura kundër Meksikës, Kanadasë dhe Kinës me faktin se shtetet në fjalë nuk po bëjnë sa duhet për të luftuar migrimin e paligjshëm dhe trafikun e drogës. Në një memorandum të 20 janarit drejtuar departamenteve përkatëse të SHBA, Trump tha se politika tregtare ishte një element i rëndësishëm i sigurisë kombëtare.

    BE është përgatitur që presidenti amerikan mund të përdorë masat ekonomike si levë për të arritur qëllimet politike. Por Brukseli e konsideron veten këtë herë më të pajisur se sa gjatë mandatit të parë të Trumpit, për t’u përballur me një konflikt të mundshëm tregtar me Uashingtonin.

    Eksperti i tregtisë Lange i referohet një Task Force të Komisionit Evropian dhe një ligji të ri kundër masave shtrënguese ekonomike. Kjo rregullore i lejon BE të vendosë shpejt kundër-taksa, të pezullojë patenta dhe të përjashtojë vendet e treta nga prokurimet publike.

    Ora po troket

    Është e paqartë se kur Trumpi do të vendosë me të vërtetë tarifa doganore ndaj Evropës. Por kjo mund të ndodhë shpejt. Tarifat ndëshkuese që ai vendosi shtatë vjet më parë për importet e çelikut dhe aluminit, midis të tjerash nga BE, nuk janë hequr.

    Paraardhësi i Trumpit, Joe Biden, i pezulloi ato deri në fund të vitit. Aktualisht, disa kuota të çelikut dhe aluminit janë të përjashtuara nga taksat shtesë doganore. Trump aktualisht po shqyrton pezullimin e tyre më së voni deri në fillim të prillit./DW/

  • Shpenzimi i parave publike në Kosovë: Çka tregojnë të dhënat?

    Shpenzimi i parave publike në Kosovë: Çka tregojnë të dhënat?

    Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, buxheti vjetor i vendit ka ndjekur trendin konstant të rritjes. Ndër vite, qeveritë e ndryshme kanë pasur prioritete të ndryshme gjatë menaxhimit të buxhetit vjetor.

    Kur Qeveria e Kosovës ka marrë për herë të parë përgjegjësinë e menaxhimit me buxhetin vjetor nga Misioni i Kombeve të Bashkuara – UNMIK, në vitin 2008, buxheti ka qenë pak mbi një miliard euro.

    Që nga ajo kohë, buxheti është më shumë se dyfishuar.

    Me ndryshimin e qeverive, ndarja e buxhetit nëpër ministri të ndryshme ka nxjerrë në pah edhe ku janë fokusuar ato qeveri.

    Por, ndryshimi i shpeshtë i tyre ka bërë që edhe fokusi të ndryshonte shpesh.

    Të dhënat tregojnë se, më parë, një pjesë e madhe e buxhetit është shpenzuar për infrastrukturë dhe planifikim hapësinor, por ky buxhet tani është më i vogël seç ka qenë në vitin 2010, shkruan REL.

    Për shëndetësi, ndërkaq, buxheti ka mbetur pothuajse i njëjtë ndër vite, pavarësisht rritjes së buxhetit të përgjithshëm.

    Qeveria aktuale – e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje – është qeveria e parë që arrin ta përfundojë mandatin e plotë katërvjeçar.

    Që nga viti 2015, me buxhetin kanë udhëhequr Isa Mustafa i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Albin Kurti i Vetëvendosjes në qeverisjen e parë më 2020, para se të zëvendësohej pastaj nga Avdullah Hoti i LDK-së për më pak se një vit.

    Por, përderisa buxheti tregon planin e qeverisë për ndarjen e parave publike, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) tregon edhe shpenzimet që qeveria ka bërë përmes raporteve që publikohen çdo tre muaj.

    Gjatë viteve të fundit, më së shumti para janë shpenzuar për mbrojtje sociale, duke e zëvendësuar kështu prioritetin e mëparshëm për çështje ekonomike.

  • AIP kërkon nga partitë politike mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve gjatë fushatës

    AIP kërkon nga partitë politike mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve gjatë fushatës

    Agjencia për Informim dhe Privatësi përsërit kërkesën për partitë politike për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve në komunikimet nëpërmjet postës elektronike (e-mail), mesazhet (SMS) dhe thirrjeve telefonike, pa pëlqim paraprak.

    Sipas Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP), në përmbushje të mandatit të saj ligjor për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës, përsërit kërkesën drejtuar Partive Politike në Kosovë për mbrojtjen e të dhënave personale gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e datës 9 shkurt 2025.

    Në njoftim thuhet se për të siguruar zbatimin e ligjit, Agjencia kërkon nga Partitë Politike zbatimin e detyrimeve ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve duke mos përdorur dhe ekspozuar të dhënat personale në komunikimet nëpërmjet postës elektronike (e-mail), mesazhet (SMS) dhe thirrjeve telefonike, pa pëlqim paraprak.

    “Agjencia ofron bashkëpunim me të gjitha subjektet politike për të siguruar respektimin e së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe bën thirrje që çdo informacion personal i mbledhur gjatë procesit të regjistrimit të votuesve, për realizimin e komunikimit me qytetarët gjatë aktiviteteve të fushatës zgjedhore të përdoret në përputhje me kërkesat ligjore”, thuhet në njoftim.

    Zgjedhjet parlamentare në Kosovë mbahen këtë të diel, më 9 shkurt.

  • Vdekja e 13-vjeçares shqiptare që tronditi Italinë, rezultatet e autopsisë përjashtojnë hipotezën e vetëvrasjes: “Me siguri është shtyrë”

    Vdekja e 13-vjeçares shqiptare që tronditi Italinë, rezultatet e autopsisë përjashtojnë hipotezën e vetëvrasjes: “Me siguri është shtyrë”

    Vdekja e 13-vjeçares shqiptare, Aurora Tila, e cila tronditi opinionin publik në Itali, ka marrë fund me zbardhjen e të vërtetës pas autopsisë që ka zbuluar rrethana tronditëse.

    Në fillim, u raportua se vajza kishte rënë nga tarraca e një pallati, por pas hetimeve të mjekëve të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Universitetit të Pavia, është vërtetuar se Aurora nuk ishte vetëhedhur, por ishte shtyrë nga dikush.

    Dëmtimet fatale të kokës, që shkaktuan vdekjen e menjëhershme, u konfirmuan nga autopsia, e cila zbuloi se ajo kishte pësuar fraktura të shumta edhe në vende të tjera.

    Hetimet e kryera nga karabinierët e Piacenzës kanë zbuluar dëshmi të tjera të rëndësishme. Tre persona kanë dhënë informacione të ndryshme, ku dy prej tyre pretendojnë se kanë parë skenën e ngjarjes, ndërsa një i treti ka dëgjuar britmat e vajzës gjatë incidentit.

    Dëshmitarët kanë pohuar se kanë parë Aurorën duke u mbajtur pas parmakut, ndërsa ish-dashuri i saj, 15-vjeçar, e godiste atë me grushte për ta shtyrë të binte.

    Përveç dëshmive të mbledhura, hetuesit kanë identifikuar dëmtime të dukshme në duar, veçanërisht në kyçet e gishtave, që mund të tregojnë përpjekje për të mbajtur ekuilibrin dhe për të mbrojtur veten.

    Ish-i dashuri i Aurorës është arrestuar dhe akuzohet për vrasje me dashje, duke shkaktuar tragjedinë që mori jetën e vajzës në 25 tetor 2024, teksa ai vetë i mohon këto akuza.

  • Protestat në Serbi, “SNS është në problemin më të madh që nga themelimi”

    Protestat në Serbi, “SNS është në problemin më të madh që nga themelimi”

    “Partia Përparimtare Serbe definitivisht është tronditur nga ajo që po ndodh në Serbi në muajt e fundit dhe kjo tashmë është e dukshme nga takimet e Aleksandër Vuçiqit me qytetarët në terren”. Vizitat e tij nëpër këshilla sigurisht që shërbejnë për të ruajtur moralin, por edhe për të shqyrtuar situatën në nivel lokal, si disponimin e qytetarëve, aktivitetet e opozitës, por edhe për të shqyrtuar mosmarrëveshjet e brendshme në këshilla lokale që janë problem kronik për SNS-në”, vlerëson për Danas politologu Mlladen Mrdalj.

    Megjithatë, bashkëbiseduesit e Danas besojnë se dominimi i Aleksandër Vuçiqit në Partinë Progresive Serbe është tronditur, por jo i kërcënuar.

    Përveç qëllimit të parë të ngritjes së moralit mjaft të lëkundur te SNS-i, qëllimi i dytë i turneut të Vuçiqit në Serbi është të vërtetojë gjendjen faktike se cilat parti në koalicionin qeverisës kanë mbetur me SNS-në, pra të cilat janë të gatshme t’i bashkohen lëvizjes së re të Vuçiqit.

    “Ka të ngjarë që marrëdhënia me SPS gjithashtu po shqyrtohet, nëse ka anëtarë lokalë të SPS që do të ishin të gatshëm të bashkohen në lëvizjen e re rreth Vuçiqit dhe nëse ka pjesë të SPS, besnikëria e të cilave mund të vihet në dyshim,” shpjegon Mrdalj.

    Vuçiq nuk dëshiron që SPS të jetë sërish pikë kthese

    Sipas tij, pozita e SPS-së në qeveri lidhet kryesisht me bashkëpunimin e saj në formimin e lëvizjes së Vuçiqit, sepse Vuçiq do të dëshironte t’i mirëpresë zgjedhjet e ardhshme si kryetar i së paku të gjithë atyre që aktualisht nuk janë në opozitë.

    “Dhe kjo do të thotë që SPS nuk duhet të jetë në një pozicion dhe as të jetë përsëri një peshë në peshore.” Është e mundur që kjo të çojë në një ndarje në SPS. “Mund ta imagjinoj edhe një situatë në të cilën Vuçiq i premton Daçiqit postin e Presidentit të Serbisë, pasi të ndryshohet Kushtetuta dhe zgjedhja e presidentit të reduktohet në votim parlamentar”, vëren Mrdalj.

    Dushan Milenkoviq, një konsulent politik, gjithashtu thekson se “SNS është në problemin më të madh që nga themelimi i saj.”

    “Dhe jo vetëm sepse figura politike mbi të cilën mbështetet popullariteti i tyre synon t’i zëvendësojë ato me një lëvizje të re, por sepse spiralja e përgjegjësisë për korrupsionin dhe dhuna për të cilën jemi dëshmitar që po ndodh në rrugë çon thellë në radhët e tyre,” vëren Milenkoviç.

    Kjo është ndoshta arsyeja, theksojnë bashkëbiseduesit e Danasit, që një numër i madh i progresistësh kanë hyrë mes qytetarëve në protesta dhe bllokada të organizuara nga studentët dhe qytetarët. Ata janë përfshirë në masën e qytetarëve të pakënaqur dhe presin që puna e tyre e kaluar të harrohet.

    Protestat tronditin tezën e progresistëve se ata do të sundojnë përgjithmonë

    “Nga njëra anë, protestat masive kanë sfiduar nocionin e përhapur të progresistëve se ata do të sundojnë ‘përgjithmonë’, gjë që ka filluar të fusë dyshime dhe nervozizëm në radhët e tyre.” Nga ana tjetër, këto dorëheqje dhe shkarkime të detyruara, që kulmuan me dorëheqjen e kryeministrit, presidenti nominal i SNS-së, Millosh Vuçeviq, kanë ripërtërirë dhe ndezur luftën e të gjithëve kundër të gjithëve në krye të partisë”, thekson Vukadinoviq.

    Ai shton se pikërisht për të eliminuar mosmarrëveshjet dhe dilemat, ose së paku për t’i zbutur ato, Vuçiq po organizon këtë turne nëpër këshilla partiake dhe qytete anembanë Serbisë. Edhe pse, siç thotë Vukadinoviq, dominimi i tij personal në SNS nuk është lëkundur, të paktën tani për tani.

    Partia Progresive Serbe është e tronditur nga jashtë, por, siç thotë analisti politik Dragoljub Andjelkoviq, ajo ende funksionon relativisht “rregullisht” nga brenda.

    Elita progresive po paketon valixhet dhe po kërkon të braktisë anijen.

    “Ajo parti është një aleancë e batllerve dhe shërbëtorëve të zotërisë me interesa të vogla, të kontrolluara nga kryesia e partisë me interesa të mëdha. Bëhet fjalë për një komunitet interesash asimetrike që demoralizohet në nivelet e mesme dhe të ulëta, por kur zotëria lëkund kamxhikun, ai ende ecën përpara. Gjërat janë të ndryshme në pjesën e sipërme të saj. Minjtë e majmë atje po shikojnë tashmë se si të braktisin anijen, e cila duket qartë se do të fundoset herët a vonë, por në kohën e duhur”, vëren bashkëbiseduesi ynë.

    Andjelković shton se rrënimi i levave të pushtetit të Vuçiqit është i pranishëm, dhe atë në një masë të madhe, në kartelet e ndryshme të biznesit-mafias që përbëjnë rrethin e jashtëm të sistemit të tij autokratik. Shumë, siç thotë ai, tashmë po kërkojnë të bëjnë kombinime të reja me disa kundërshtarë të tij dhe faktorë të ndryshëm të jashtëm, që të, shpresojnë, një urë për tu shpëtuar, të gjitha me ngarkesa thesare të vjedhura, kur vlerësojnë se kjo është zgjidhja e vetme për ta.

    ,,Duke shkuar tani nëpër zonën lokale dhe duke gjallëruar dhe mobilizuar masat partiake, me fjalë të tjera, të ashtuquajturin fundin e madh të piramidës së interesit SNS, Vuçiq nuk po punon aq shumë për të forcuar pozitën e tij mes atyre që përfaqësojnë tullat e ndërtuara në të. Shumica prej tyre mendojnë se nuk ka ku të shkojnë, atyre u është larë truri plotësisht, edhe nëse pa dëshirë e ndjekin liderin e tyre të madh. ,,Monumentet” e tij do t’i shembin kur të bjerë nga pushteti, por derisa të ndodhë kjo, do të jenë të fundit që do t’i qëndrojnë pranë tij. Por elita e rreme progresive dhe mafioze, shpesh progresive mafioze, nuk do ta bëjë këtë,” thekson Angjelkoviq.

    Sipas tij, kjo elitë e rrejshme progresive tashmë po lëkundet në mënyrë aktive dhe në këtë mënyrë rrezikon mbijetesën e sistemit. Është pikërisht asaj që Vuçiq tani dëshiron t’i tregojë, duke zgjuar përkrahësit e tij “të vegjël” në të gjithë Serbinë, se ai ka ende popullaritet dhe se nuk ka ndërmend të heqë dorë.

    Ai shton se, natyrisht, pyetja është nëse do t’ia dalin ta bëjnë këtë qoftë edhe përkohësisht. Sepse, një gjë është ushtria partiake, e tjetër janë qytetarët që nuk janë pjesë e komunitetit të interesit, dhe të dehur nga propaganda e regjimit, deri vonë kanë besuar në Vuçiq në një numër të konsiderueshëm.

    “Protestat e studenteve po i zgjojnë disa nga këta njerëz nga makthi i tyre dhe brenda natës po kuptojnë realitetin e tmerrshëm në të cilin ndodhet Serbia. Prandaj tubimet dhe bisedat e Vuçiqit me qytetarët duken mjaft patetike. Ato janë reduktuar në takime të zgjeruara partiake dhe kjo vështirë se do të forcojë pozicionin e tij në krye të komunitetit të interesit në të cilin ai mbështetet dhe që më parë shihte tek ai një bazë për pasurim dhe për të fituar pushtet. Mbështetja e karrieristëve të vegjël nga këshillat lokale të SNS-së, të cilën Vuçiq e ka ende, përfaqëson sfondin e kalbur të pafuqisë së tij në rritje. “Perandori është pothuajse lakuriq dhe mashtruesit me përvojë nga rrethina e tij e afërt dhe e largët e shohin këtë,” përfundon burimi i Danas.

  • ​Rrëzohet një helikopter në Itali

    ​Rrëzohet një helikopter në Itali

    Një përplasje e helikopterit pranë Parmës në veri të Italisë sonte ka lënë të vdekur tre persona, përfshirë drejtorin e kompanisë së prodhimit të sallamit Rovagnati.

    Rrethanat e aksidentit aktualisht janë të paqarta, por bëhet e ditur se mjegulla e dendur ka mbuluar zonën në momentin që helikopteri është rrëzuar në tokën pronë e familjes Rovagnati.

    Sipas agjencisë Ansa dhe gazetës së përditshme La Stampa, një nga tri viktimat është 41-vjeçari Lorenzo Rovagnati, i cili drejtonte kompaninë me vëllain e tij Ferrucci.

    Kompania punëson, sipas faqes së tyre të internetit, më shumë se një mijë njerëz në mbarë botën dhe ka degë në Belgjikë, Francë, Gjermani dhe Shtetet e Bashkuara.

  • Pezullimi nga puna i punonjsëve në mbarë botën, reagojnë ashpër ish-udhëheqësit e USAID

    Pezullimi nga puna i punonjsëve në mbarë botën, reagojnë ashpër ish-udhëheqësit e USAID

    Një grup ish-udhëheqësish të Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) u bashkuan të mërkurën për të lëshuar një reagim të ashpër ndaj përpjekjeve të administratës Trump për zhbërjen e agjencisë.

    Në një deklaratë të përbashkët, pesë ish-administratorë të cilët “u kanë shërbyer presidentëve të ndryshëm” theksuan rëndësinë globale të agjencisë dhe thanë se shkatërrimi i saj do të dëmtojë vetëm amerikanët.

    “Megjithëse nuk biem dakord për të gjitha çështjet, ne pajtohemi me gjithë zemër se programet e USAID-it dhe të ndihmave ndërkombëtare amerikane janë jetike për interesat tona, se burrat dhe gratë e karrierës së USAID-it i kanë shërbyer mirë secilit prej nesh dhe se është detyrë e Administratës dhe Kongresit që të mbrojnë rolin statutor të Agjencisë”, shkruan ata në deklaratë.

    “Dështimi për të ruajtur angazhimin global që mundëson ndihma ndërkombëtare, për të nderuar burrat dhe gratë e shërbimit tonë civil siç bëjmë ne me ata në shërbim ushtarak, ose dobësimi dhe madje zhbërja e Agjencisë nuk është në dobi të asnjë partie politike dhe në dëm të të gjithë amerikanëve,” vazhduan ata.

    Deklarata u nënshkrua nga ish-administratorët e USAID-it, J. Brian Atwood, Peter McPherson, Andrew Natsios, Gayle Smith dhe Samantha Power.

    Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, njoftoi këtë javë se do t’i pezullojë nga puna të gjithë punonjësit me kontratë të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në mbarë botën dhe se do t’i tërheqë mijëra pjesëtarë të stafit që punojnë jashtë vendit.

    “Të premten, më 7 shkurt, të gjithë punonjësit me kontratë të USAID-it do të pezullohen në gjithë botën”, thuhet në një njoftim në uebsajtin e USAID-it, i cili ka qenë jashtë funksionit prej fundjavës së kaluar.

    Forca punëtore e USAID numëron më shumë se 10.000 persona. Rreth dy e treta e stafit shërben jashtë vendit, sipas Shërbimit Kërkimor të Kongresit (CRS). Agjencia ka më shumë se 60 misione kombëtare dhe rajonale.

    USAID-i është i pranishëm në Kosovë prej vitit 1999, dhe prej atëherë ka investuar më shumë se 1 miliard dollarë në zhvillimin e Kosovës.

  • Aksidentohet autobusi i kompanisë kosovare në Kroaci

    Aksidentohet autobusi i kompanisë kosovare në Kroaci

    Një autobus i një kompanie kosovare ka dalë jashtë rrugës në autostradën afër Donja Zdençinës në Kroaci të mërkurën në mbrëmje, por për fat të mirë, pa lëndime të rënda në njerëz, raporton “24sata.hr”.

    Autobusi doli jashtë rrugës pasi shoferi humbi kontrollin e timonit.

    Në autobus ishin 26 pasagjerë dhe dy shoferë. Dy prej tyre pësuan lëndime të lehta.

    Siç ka thënë policia e Zagrebit, të gjithë pasagjerët shpëtuan pasi dolën nga dera e shoferit.