ATV

Category: Lajme

  • Policia publikon fotografitë e dy të dyshuarve për tentim vrasje, kërkon ndihmë për arrestimin e tyre

    Policia publikon fotografitë e dy të dyshuarve për tentim vrasje, kërkon ndihmë për arrestimin e tyre

    Policia në Gjakovë ka publikuar fotografitë e dy personave të dyshuar për një rast tentim vrasje.

    Në njoftim thuhet se të dyshuarit janë:

    · Simon (Mark) Tahiri, i lindur më 01.11.1999, banues në fshatin Dol – Gjakovë dhe

    · Enrik (Kristë) Berisha, i lindur më 20.06.1998, banues në fshatin Jahoc – Gjakovë.

    “Policia e Kosovës fton qytetarët që, nëse kanë ndonjë informacion mbi vendndodhjen e personave të kërkuar, të njoftojnë menjëherë policinë përmes stacionit më të afërt policor ose duke kontaktuar në numrat 192 (pa pagesë) dhe 0390310482 (Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë). Çdo informacion do të trajtohet në mënyrë konfidenciale.”

  • KRM ‘Pastrimi’ kërkon nga qytetarët të paguajnë faturat e mbeturinave në pikat zyrtare

    KRM ‘Pastrimi’ kërkon nga qytetarët të paguajnë faturat e mbeturinave në pikat zyrtare

    KRM “Pastrimi” sh.a. ka reaguar sërish duke bërë thirrje qytetarëve që të paguajnë faturat e mbeturinave në pikat zyrtare të kësaj kompanie

    Në reagimin e tyre thuhet se pezullimi i ndryshimit të rregullores për mbeturinat, i miratuar nga Kuvendi Komunal, nuk mund të bëhet me vendim personal të kryetarit të Komunës, Përparim Rama.

    “Dëshirojmë të theksojmë se pezullimi i ndryshimit të rregullores për mbeturinat, i miratuar nga Kuvendi Komunal, nuk mund të bëhet me vendim personal të kryetarit të Komunës, Përparim Rama. Një rekomandim i Zyrës Ligjore të Komunës nuk ka kompetencë ekzekutive mbi vendimet e Kuvendit Komunal, prandaj çdo veprim në kundërshtim me këtë rregullore është i paligjshëm”, thuhet në reagim.

    Komunikata e plotë pa ndërhyrje:

    KRM “Pastrimi” sh.a. u bën thirrje qytetarëve të paguajnë faturat e mbeturinave në pikat e saj zyrtare

    KRM “Pastrimi” sh.a. rikujton të gjithë qytetarët e Prishtinës se, në bazë të vendimit të miratuar nga Kuvendi Komunal, faturimi dhe pagesa për shërbimet e menaxhimit të mbeturinave duhet të kryhet drejtpërdrejt në pikat zyrtare të “Pastrimit”. Ky vendim është në fuqi dhe mbetet plotësisht i zbatueshëm.

    Dëshirojmë të theksojmë se pezullimi i ndryshimit të rregullores për mbeturinat, i miratuar nga Kuvendi Komunal, nuk mund të bëhet me vendim personal të kryetarit të Komunës, Përparim Rama.

    Një rekomandim i Zyrës Ligjore të Komunës nuk ka kompetencë ekzekutive mbi vendimet e Kuvendit Komunal, prandaj çdo veprim në kundërshtim me këtë rregullore është i paligjshëm.

    Apelojmë te qytetarët të mos bien pre e keqinformimit dhe të kryejnë pagesat e tyre vetëm në “Pastrimi” sh.a.. Pagesa e faturave është thelbësore për përmirësimin e shërbimit, garantimin e pagave të punëtorëve dhe krijimin e një mjedisi më të pastër për të gjithë.

    Mos lejoni që keqmenaxhimi dhe interesat financiare të cenojnë cilësinë e shërbimit publik! Paguani faturën tuaj në “Pastrimi” dhe kontribuoni në një Prishtinë më të pastër dhe më të rregulluar!

  • I shkrepi “Zolla” aksidentalisht, lëndohet rëndë 20 vjeçari në Gjakovë

    I shkrepi “Zolla” aksidentalisht, lëndohet rëndë 20 vjeçari në Gjakovë

    Një person në Gjakovë i moshës 20 vjeçare, ka pësuar lëndime të rënda trupore, pasi dyshohet se u ja shpërthyer aksidentalisht një zollë në shtëpinë e tij.

    Drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla, ka konfirmuar se të lënduarit për shkak të plagëve të rënda i është nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjike.

    Tutje ai bëri të ditur se pas operimit, ai është transferuar në mjekim intensiv qëndror.

    Siç tha Syla, rasti i rëndë i 20 vjeçarit për trajtim, u pranua rreth orës 03.00 i mëngjesit.

  • Prishtinë, një person i shkakton dhunë psikike një femre

    Prishtinë, një person i shkakton dhunë psikike një femre

    Një person në Prishtinë ka përfunduar në prangat e policisë, pasi që i njëjti ka fyer dhe i ka shkaktuar dhunë psikike një femre.

    “Kjo është bërë e ditur përmes raportit të policisë së Kosovës. ‘‘Prishtinë 05.02.2025-20:45. Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar e ka fyer dhe i ka shkaktuar dhunë psiqike ankueses femër kosovare. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, rasti në procedurë hetimore’’, ka njoftuar PK-ja.

  • Kontigjenti i FSK-së e përfundon me sukses ushtrimin ndërkombëtar “Winter EX 2025”

    Kontigjenti i FSK-së e përfundon me sukses ushtrimin ndërkombëtar “Winter EX 2025”

    Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka njoftuar se përfunduar me sukses ushtrimin ndërkombëtar “Winter EX 2025” i organizuar nga Komanda e Forcave Tokësore të Turqisë, raporton Ekonomia Online.

    Ushtrimi u realizua në kushte të vështira dimërore, teksa u tha se kontingjenti i FSK-së ka treguar aftësi të larta dhe profesionalizëm në zhvillimin e operacioneve.

    “Gjatë këtij ushtrimi, pjesëtarët e FSK-së bashkëvepruan me partnerët ndërkombëtarë në skenarë të ndryshëm operativë, duke dëshmuar përgatitjen dhe kapacitetet e tyre ushtarake”, thuhet në njoftimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

  • ​Katër shtetas të Turqisë arrestohen nën dyshimin për falsifikim të leje qëndrimit

    ​Katër shtetas të Turqisë arrestohen nën dyshimin për falsifikim të leje qëndrimit

    Në katër raste të ndara më 5 shkurt në Aeroportin e Prishtinës, janë arrestuar katër të dyshuar meshkuj shtetas të Turqisë pasi që në kontroll të dokumenteve kanë prezantuar leje qëndrimi që dyshohet të jenë të falsifikuara.

    Policia ka bërë me dije se dokumentet janë konfiskuar derisa të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

    “Lidhur me rastet dokumentet e dyshuara janë konfiskuar ndërsa me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet tutje në njoftim.

  • Fushata sekrete e Listës Serbe për sigurimin e votave – Nis shpërndarjen e parave që erdhën nga Serbia për serbët e papunë në Kosovë

    Fushata sekrete e Listës Serbe për sigurimin e votave – Nis shpërndarjen e parave që erdhën nga Serbia për serbët e papunë në Kosovë

    Kanë mbetur veç edhe pak ditë nga data e zgjedhjeve në Kosovë. Natyrisht, Lista Serbe po i hedh shqelmat e fundit dhe po bën atë që di më së miri. Krijimin e varësisë së serbëve tek kjo parti që dirigjohet drejtpërdrejt nga Beogradi.

    Dje rreth orës 17:00, ka ndodhur diçka e pazakontë në veri. Para amfiteatrit të shkollës teknike në Mitrovicën veriore, disa grupe serbësh ishin mbledhur pas një ftese që iu bë po atë ditë në mëngjes.

    Atyre iu tha se ftesa ka të bëjë me një intervistë informative për marrjen e ndihmës financiare që presidenti serb i kishte paralajmëruar në shtator të vitit të kaluar.

    Portali serb që vepron në Kosovë, Kossev raporton se këta serbë ishin të ndarë në disa grupe.

    Disa prej tyre dyshohet se janë thirrur nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit, e disa nga Qendra për Punë Sociale.

    Sipas mediumit, qytetarët u thirrën përpara dhe hynë në amfiteatër grupe të vogla.

    “Ata rrinin brenda për pak kohë dhe më pas hynte një grup tjetër”.

    Ata me të cilët foli mediumi, por që preferuan të mbesin anonim për shkaqe sigurie e të cilët tashmë e kishin mbaruar bisedën brenda, pohojnë se qëllimi ishte që t’i informonin për kushtet dhe kriteret për këtë lloj ndihme, si dhe të përcaktonin nëse ata ende jetojnë në Kosovë.

    Por gjithçka pas kësaj thurjes mbeti në mjegull.

    Kossev ka kërkuar informacion zyrtar nga përfaqësuesit e komisionit që po bisedonin me qytetarët, por diçka u mbajt sekret.

    “Një nga anëtarët e komisionit na kërkoi që të mos bënim foto apo video dhe të largoheshim sepse, siç tha ajo, kjo nuk ishte një ngjarje për të cilën ishin ftuar mediat. Nga ana tjetër, nuk mundëm të merrnim informacione dhe detaje zyrtare prej saj se përse ishin ftuar qytetarët. Në të njëjtën kohë, nuk morëm përgjigje për këmbënguljen tonë që të na drejtonin në adresën zyrtare që të merrnim më shumë informacion”, raporton Kossev, sipas të cilit atyre që morën pjesë në këtë takim i është kërkuar me këmbëngulje që pjesëmarrja të konfirmohet.

    Raportohet se serbëve që janë thirrur për këtë takim, u është thënë se do të jetë një intervistë informative lidhur me marrjen e ndihmës financiare nga shteti i Serbisë në shumë prej 20 mijë dinarë dhe se i pranishëm aty do të jetë edhe kryetari serb i komunës Ivan Zaporozac.

    Ky i fundit ishte komplet i rezervuar në përgjigjet e tij kur u pyet për këtë ftesë të befasishme e të shpejtë të qytetarëve serbë në atë pjesë të Kosovës.

    “Nuk di asgjë”, tha ai.

    Edhe më i çuditshëm është fakti se kjo thirrje, u bë veç pak orë pas tubimit që pati Lista Serbe në po të njëjtin qytet. Kjo e fundit ka provuar ta mohojë lidhjen mes tubimit dhe ftesës që iu shkoi banorëve të emër të ‘ndihmave’.

    “Nuk kam asnjë informacion, nuk kam ftuar njeri”, tha kryetari i Listës Serbe Zlatan Elek.

    Për këto ndihma nga Serbia e që po vijnë për serbët e Kosovës u mor vendim në shtatorin e vitit të kaluar. Tash kur zgjedhjet janë afër, u vendos që sto të nisin e të shpërndahet tek të papunët.

    Ky është një grant njëmujor në shumë prej 20 mijë dinarë. Pagesat do të fillojnë, sipas informacioneve të fundit, nga mesi i këtij muaji.

    Fillimisht do ta marrin 5000 personat më të cenueshëm dhe më pas do të mblidhet dokumentacioni për një numër të ri të papunësh.

  • Dy vjet nga vërshimet që dëmtuan bizneset dhe tokat bujqësore, ende pa kompensim nga qeveria

    Dy vjet nga vërshimet që dëmtuan bizneset dhe tokat bujqësore, ende pa kompensim nga qeveria

    Dy vjet më parë, Latif Musaj – pronar i furrës “Evropa” në Mitrovicë, pësoi humbje të madhe në biznesin e tij. Si pasojë e vërshimeve të shkaktuara nga reshjet, atij iu dëmtuan të gjitha pajisjet dhe u detyrua t’i blejë të tjera, gjysmë të përdorura, për ta vazhduar punën.

    Sipas tij, vlera e dëmit që është konstatuar nga ana e komisionit vlerësues, është rreth 13 mijë euro.

    Për asgjë nga këto, thotë ai, ende nuk është kompensuar nga qeveria.

    “Na janë shkaktuar dëme aq shumë sa vlera e cila është konstatuar nga ekspertët që kanë qenë këtu është diku rreth 13 mijë euro…Nuk jemi kompensuar asnjëherë prej qeverisë…Dokumentacionin e kemi dërguar, e kanë verifikuar, kanë ardhur në vendngjarje, makinat janë mbushur me ujë krejt dhe na janë prishur. Jemi detyruar me i marrë disa të tjera gjysmë të përdorura…Neve me shpresë na shkoj jeta duke pritur”, thotë Musaj.

    Në janar të vitit 2023 komuna e Mitrovicës, si dhe disa komuna të tjera të Kosovës, u përfshinë nga vërshimet si pasojë e reshjeve të shiut.

    Ato shkaktuan dëme milionëshe tek ekonomitë familjare, bizneset dhe tokat bujqësore.

    Komuna e Mitrovicës ishte më e goditura, pas asaj të Skenderajt.

    Që nga ajo kohë tashmë kur kanë kaluar dy vjet e Qeveria e Kosovës ende nuk i ka kompensuar financiarisht bizneset dhe tokat bujqësore për dëmet, ndonëse premtohej një gjë e tillë.

    Elvis Feka, drejtor për Ekonomi, Zhvillim dhe Turizëm në Komunën e Mitrovicës thotë për KosovaPress, se janë gjithsej 95 biznese në këtë komunë që kanë pësuar dëme nga vërshimet, të cilat sipas tij, përkundër plotësimit të dokumentacionit të nevojshëm, ende nuk janë kompensuar nga niveli qendror.

    Sipas tij, vlera e dëmeve të këtyre bizneseve kap shumën rreth 3.8 milion euro.

    “Kemi 95 biznese që janë dëmtuar…Nga shtabi emergjent kemi themeluar ekipet të cilat kanë dalur në terren, kanë bërë vlerësimet e të gjitha bizneseve dhe kanë përgatitur raport të veçantë për secilin biznes dhe të njëjtat janë përgatitur me të gjitha dokumentet e nevojshme, si dhe janë përcjellur në nivelin qendror për kompensim. Fatkeqësisht deri në këtë kohë, nuk kemi ndonjë informatë që këto biznese janë kompensuar nga niveli qendror dhe kjo ka pasoja të mëdha në zhvillimin ekonomik të qytetit të Mitrovicës për shkak se shumë biznese janë kthyer në pikën zero të cilat potencialisht kanë pasur numër të madh të punëtorëve të cilët kanë mbetur pa vende të punës…Në bazë të raportit të komisionit që është themeluar nga Komuna e Mitrovicës vlera e dëmeve në pjesën e bizneseve është rreth 3.8 milion euro”, ka thënë Feka.

    Ferdi Kadriu, drejtor i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Mitrovicë, thekson se janë 56 fermerë të evidentuar nga kjo komunë të cilët kanë pësuar dëme nga vërshimet, ndërsa vlera e këtyre dëmeve është rreth 100 mijë euro.

    Ai tha se komuna i është përgjigjur disa herë kërkesës së Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave rreth disa paqartësive, në mënyrë që fermerët të kompensohen sa më parë, mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.

    “I kemi 56 fermerë të evidentuar të cilët i kanë ndjekur të gjitha procedurat dhe të cilat janë përcjellur nga komisioni për vlerësimin e dëmeve…I kemi shpërndarë 56 vauqera [kuponë] me vlerë nga 300 euro. Ky ka qenë kapaciteti ynë si komunë në bashkëpunim me donatorin tonë me i mbështetë. Vlera e dëmeve është rreth 100 mijë euro…Jemi përgjigjur disa herë për disa paqartësi që i ka pasur Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave (AME), dhe ende nuk kemi informacion zyrtar nëse janë kompensuar ose jo”, thotë Kadriu.

    Edhe në veri të Mitrovicës janë gjashtë biznese – me pronarë shqiptarë – të prekura nga vërshimet e janarit të vitit 2023, të cilat poashtu nuk janë kompensuar deri tani nga qeveria.

    Vlera e dëmit tek këto biznese është llogaritur të jetë deri në 100 mijë euro.

    Në anën tjetër, KosovaPress-i nuk ka arritur tash e disa herë të marr përgjigje rreth kësaj çështje nga qeveria.

  • ​Ferizaj, gjendet trupi i pajetë i personit që u raportua i zhdukur, arrestohet një i dyshuar

    ​Ferizaj, gjendet trupi i pajetë i personit që u raportua i zhdukur, arrestohet një i dyshuar

    Policia e Kosovës ka njoftuar pas raportimit për një person të zhdukur në Ferizaj, është gjendur trupi i pajetë i tij. Policia ka bërë me dije se në vendin e ngjarjes kanë dal policia, IML dhe njësia K-9.

    “Lidhur me rastin person i zhdukur, me 05.02.2025 është raportuar se është gjetur trupi i pajetë i viktimës mashkull kosovar. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësit relevante policore, hetuesit e IML-s si dhe njësia e K9”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Sipas raportit të policisë, me vendim të prokurorit është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar dhe i njëjti është dërguar në mbajtje.

  • SHBA mund të zbulojë planin e Trump për paqe në Ukrainë javën e ardhshme

    SHBA mund të zbulojë planin e Trump për paqe në Ukrainë javën e ardhshme

    I dërguari i presidentit amerikan, Donald Trump, për Ukrainë dhe Rusi Keith Kellogg, ka konfirmuar se ai do të marrë pjesë në Konferencën për Siguri në Munih, që mbahet javën e ardhshme, ku do të flasë për qëllimin e Trumpit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

    Kellogg tha se mezi pres të flasë në konferencën vjetore të sigurisë dhe të diskutojë për “qëllimin e Trumpit për t’i dhënë fund luftës së përgjakshme dhe të kushtueshme në Ukrainë”.

    Ai shkroi në X se planifikon të takohet me “aleatët e Amerikës të cilët janë të gatshëm të punojnë me ne”.

    Që kur Kellogg njoftoi se do të flasë në këtë konferencë, e cila do të mbahet nga 14 deri më 16 shkurt, ka pasur spekulime se ai do të zbulojë planin e Trumpit për përfundimin e luftës.

    Agjencia e lajmeve, Bloomberg, më 5 shkurt citoi burime të paidentifikuara që thanë se Kellogg do të paraqesë planin gjatë konferencës.

    Burimet nuk ofruan informacione të mëtejme për planin, se sa do të jetë i detajuar apo në çfarë formati do të paraqitet.