ATV

Category: Lajme

  • Shërbimet serbe dyshohet se përdorin inteligjencën artificiale për komprometimin e rivalëve politikë në Kosovë

    Shërbimet serbe dyshohet se përdorin inteligjencën artificiale për komprometimin e rivalëve politikë në Kosovë

    Sipas të dhënave të institucioneve të sigurisë, aparati shtetëror i Serbisë po intensifikon përpjekjet për ndërhyrje në procesin zgjedhor në Kosovë, duke përdorur teknologjitë më të avancuara të inteligjencës artificiale (AI).

    Burime të KosovaPress-it konfirmojnë se shërbimet serbe të inteligjencës po planifikojnë të komprometojnë rivalët politikë të Listës Serbe përmes manipulimeve të sofistikuara teknologjike.

    KosovaPress mëson se në qendër të këtyre përpjekjeve janë liderët e partive rivale të Listës Serbe, përfshirë Branimir Stojanovic, Nenad Rasic, Aleksandar Arsenijevic dhe Radojica Radomirovic.

    Burimi tregon se këto ndërhyrje përfshijnë keqpërdorimin e imazheve dhe modifikimin e përmbajtjeve vizuale për të shtrembëruar realitetin dhe për të ndikuar opinionin.

    Dihet se Serbia ka një bashkëpunim të ngushtë me Kinën, e cila njihet për hovin e saj në fushën e inteligjencës artificiale, ndërsa është kritikuar për blerjen e kamerave kineze, të cilat janë të pajisura me sisteme të sofistikuara të njohjes së njerëzve përmes fotografisë.

    Para tri vitesh, Serbia, përmes institucioneve paralele në Kosovë pati blerë sistemin e video-mbikëqyrjes së kompanisë kineze që është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), të dedikuara për shkollat me nxënës të komunitetit serbë.

  • Presidentja Osmani takoi Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, Louis Bono

    Presidentja Osmani takoi Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, Louis Bono

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Washington D.C., takoi Ndihmës Sekretartin Amerikan të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin e Shtetit, Louis Bono.

    Sipas njoftimit të Presidencës, takimi u fokusua në forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në përputhje me objektivat e Administratës së Presidentit Trump, si dhe në avancimin e bashkëpunimit në fusha kyçe si mbrojtja dhe ekonomia.

    Gjatë takimit, Presidentja Osmani riafirmoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për të bashkëpunuar ngushtë me Shtetet e Bashkuara, duke thelluar marrëdhëniet bilaterale.

    Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e forcimit të sigurisë rajonale dhe nevojën për një qëndrim të fuqishëm parandalues përballë kërcënimeve të vazhdueshme nga Rusia, Serbia dhe aktorë të tjerë keqdashës. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani nënvizoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit të ngushtë për të ruajtur stabilitetin dhe paqen në rajon.

    “Në mes tjerash, Presidentja Osmani foli për rëndësinë e integrimit të Kosovës në NATO, gjë që përveç se do të fuqizonte sigurinë në Kosovë e rajon, është përfundimisht edhe në harmoni me objektivat strategjike amerikane për paqen dhe sigurinë globale. Ajo konfirmoi se Kosova ka rritur tashmë buxhetin për mbrojtje në 2% të Bruto Produktit Vendor dhe është në proces të rritjes së këtij buxheti për të përmbushur objektivin strategjik të anëtarësimit në NATO”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

    Tutje, Presidentja Osmani konfirmoi gatishmërinë e Kosovës për angazhim aktiv në drejtim të realizimit të Dialogut Strategjik, i cili iu ofrua Kosovës në fillim të këtij viti, për të adresuar sfidat dhe përparësitë e përbashkëta në fusha të ndryshme.

    Louis Bono është emëruar nga Administrata e Presidentit Trump si ushtrues detyre në pozitën e Ndihmës Sekretarit të Shtetit me datë 20 janar 2025.

  • Vuçiq s’arrin të gjejë gjuhë të përbashkët me studentët

    Vuçiq s’arrin të gjejë gjuhë të përbashkët me studentët

    Rënia e Qeverisë së Serbisë nën presionin e protestave – përmasat e të cilave Serbia nuk i ka parë që nga koha e regjimit të Sllobodan Millosheviqit – mund të jetë humbja e parë politike për presidentin e këtij vendi, Aleksandar Vuçiq, prej se ka marrë pushtetin në vitin 2012.

    Protestat udhëhiqen nga studentët. Ata nuk kërkojnë ndryshimin e Qeverisë, por përgjegjësi për vdekjen e 15 personave nga shembja e një strehe në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor të vitit të kaluar.

    Në qendër të protestave janë dyshimet se aksidenti mund të jetë shkaktuar nga neglizhenca dhe korrupsioni i përhapur.

    Ato janë bërë tashmë simbol i pakënaqësisë më të madhe me sundimin e ligjit në Serbi.

    “Kjo nuk është vetëm kriza më e rëndë politike e pushtetit, por edhe një krizë e thellë sociale. Studentët nuk kërkojnë ndërrimin e Qeverisë, por korrigjimin e sistemit. Dhe, Vuçiq nuk është në gjendje ta gjejë çelësin e bravës që kanë vendosur”, thotë për Radion Evropa e Lirë analisti serb i politikës së jashtme, Boshko Jakshiq.

    Kur Vuçiq i fton në bisedime, studentët thonë se ai nuk është kompetent.

    Kërkesave të tyre u janë bashkuar edhe profesorë universitetesh, pedagogë, juristë e fermerë.

    Disa mësimdhënës kanë pezulluar mësimet në shkolla, Oda e Avokatëve e Serbisë ka hyrë në grevë njëmujore, fermerët janë duke “ruajtur” me traktorë bllokadat që studentët u kanë bërë mbi 60 fakulteteve…

    Studentëve u janë bashkuar edhe dhjetëra mijëra qytetarë të tjerë në protesta, përfshirë gjimnazistë, punonjës të shëndetësisë, inxhinierë, aktorë, muzikantë dhe personalitete të shumta publike.

    Ndryshime në raportimin e transmetuesit publik

    Radio-Televizioni i Serbisë (RTS), i cili i ka injoruar kryesisht protestat, ka hapur programin e lajmeve fundjavën e kaluar me protestat në Novi Sad.

    Raportimi i transmetuesit publik, i cili është nën kontroll të rreptë të pushtetit, është përcjellë me pamje me dronë, të cilat kanë treguar dhjetëra mijëra njerëz duke protestuar dhe duke bllokuar tri ura mbi lumin Danub.

    Partia Përparimtare Serbe e Vuçiqit ka reaguar me një deklaratë, ku ka akuzuar RTS-në për “shpërdorim të rëndë të profesionit të gazetarit” dhe për “anim nga politikanët që duan ta shkatërrojnë rendin kushtetues të Serbisë”.

    Partia në pushtet ka thënë, gjithashtu, se do të kërkojë reagim nga institucionet që janë përgjegjëse për mbikëqyrjen financiare dhe programore të RTS-së.

    Kjo nuk është hera e parë që presidenti i Serbisë e kritikon RTS-në, por transmetuesi publik, deri më tani, ka ndjekur narrativin e autoriteteve, që protestuesit i quajnë “mercenarë të huaj”, “tradhtarë” ose “kukulla të opozitës”.

    “Qartazi, RTS-ja ka reaguar ndaj presionit të studentëve dhe publikut të gjerë dhe ndoshta kjo është pasojë e një atmosfere tjetër në të gjithë shoqërinë. Përgjigjja e autoriteteve ishte e tillë që RTS-ja të mos shkonte më larg. Diçka e ngjashme ka ndodhur edhe në disa protesta të mëparshme”, thotë për Radion Evropa e Lirë Nikolla Burazer nga Qendra joqeveritare për Politikë Bashkëkohore në Serbi.

    Kërkesat për ndryshim të udhëheqjes

    Pas disa protestave masive para ndërtesës së RTS-së, për shkak të mënyrës së raportimit, atyre u janë bashkuar edhe disa punonjës të transmetuesit publik, duke kërkuar ndryshimin e udhëheqjes.

    Protesta me kërkesa të ngjashme janë duke organizuar edhe disa punonjës të Radio-Televizionit të Vojvodinës (RTV).

    “Në programin e parë të televizionit nuk kemi mundur t’i dëgjojmë studentët, kërkesat e tyre, qytetarët, rrëfimet analitike…”, tha për Radion Evropa e Lirë Tamara Srijemac, gazetare në Radion Novi Sad, e cila vepron në kuadër të RTV-së.

    Më 3 shkurt, derisa transmetohej edicioni qendror i lajmeve, disa punonjës të RTV-së organizuan një performancë jashtë ndërtesës, duke lexuar “ditarin e lirë”.

    “Kemi dashur të tregojmë se disa punonjës distancohen nga politikat e tilla editoriale”, tha Srijemac.

    Drejtuesit e RTS-së dhe të RTV-së nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me këtë temë.

    Një skenar i ngjashëm i ka përcjellë edhe protestat e viteve 1990, kur transmetuesi publik i Serbisë ka qenë në shërbim të propagandës së regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

    Në prag të rënies së tij, që ka pasuar luftën në Kosovë dhe ndërhyrjen e NATO-s, presidenti aktual i Serbisë, Vuçiq, ka qenë ministër i Informacionit.

    Vuçiq ka zbatuar një ligj famëkeq që është përdorur nga pushteti i atëhershëm për të goditur mediat e pavarura dhe gazetarët.

    Ai ka vënë kontroll mbi mediat edhe pasi është kthyer në pushtet në vitin 2012.

    Komisioni Evropian dhe organizata të tjera ndërkombëtare e përmendin këtë gjë në të gjitha raportet e përvitshme për Serbinë.

    Mossukses në diskreditimin e protestave

    Përveç transmetuesve publikë, pushteti në Serbi kontrollon edhe stacionet televizive private me mbulim kombëtar.

    Tabloidët proqeveritarë janë, gjithashtu, një armë e fuqishme mediatike në përpjekjet për diskreditimin e protestave aktuale dhe të mëparshme.

    “… por, pushteti, deri më tani, ka dështuar t’i arrijë efektet që mund t’i kishte arritur më herët. Vuçiq, shumë më lehtë, ka mundur t’i diskreditojë liderët e opozitës ose disa liderë të tjerë të protestave. Tani nuk mund ta bëjë”, thotë Burazer.

    Gjatë fjalimeve të tij, Vuçiq i përshkruan protestat si “përpjekje nga jashtë dhe nga brenda për të përmbysur shtetin”.

    “Regjimi i Vuçiqit korrespondon me atë që disa autorë e quajnë ‘spin diktaturë’, e cila, ndryshe nga diktatura e frikës, nuk bazohet në dhunë, arrestime masive, mbyllje mediash, por në manipulimin e opinionit publik, përdorimin e presionit ekonomik etj.”, thotë Burazer.

    Edhe pse protestat kanë çuar në dorëheqjen e kryeministrit serb – njërit prej bashkëpunëtorëve më të afërt të Vuçiqit – ky i fundit nuk është duke sinjalizuar ndonjë tërheqje të mundshme.

    Partia e tij dhe aleatët e saj kanë shumicë bindëse në Kuvendin e Serbisë.

    Ai është i bindur, sikurse edhe më herët, se mund të sigurojë sërish fitore në zgjedhje.

    “Dorëheqja [e kryeministrit] është pjesë e një strategjie të llogaritur për ta zhvendosur gjithë këtë krizë në planin politik dhe, nëse është e mundur, për të dalë nga kjo krizë përmes zgjedhjeve. Studentët i kanë vazhduar protestat e tyre pavarësisht dorëheqjes. Ndaj, aktualisht, duket se kjo manovër nuk ka funksionuar”, vlerëson Burazer.

    Opozita i refuzon zgjedhjet, për shkak të, siç thotë, kushteve të pabarabarta, të cilat i ka vënë në dukje edhe Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

    Sipas tyre, bëhet fjalë për presion ndaj votuesve, blerje të votave, raportim të njëanshëm të mediave në favor të pushtetit dhe keqpërdorim të burimeve publike.

    Si reagon bashkësia ndërkombëtare?

    Edhe pse i akuzon “shërbimet e Perëndimit” për ndërhyrje, Vuçiq nuk është duke u përballur me ndonjë reagim të qartë nga bashkësia ndërkombëtare për ngjarjet në Serbi.

    Bashkimi Evropian nuk ka sqaruar ende nëse i mbështet kërkesat e protestuesve.

    Më 4 shkurt, Zyra e Vuçiqit ka njoftuar se ai ka folur në telefon me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

    Në deklaratë nuk janë përmendur protestat, por është thënë se është biseduar për “rrugën evropiane dhe proceset reformuese që po i zbaton Serbia”.

    Nga Brukseli, deri më tani, nuk ka pasur ndonjë deklaratë për detajet e bisedimeve.

    Shkak për heshtjen e Bashkimit Evropian, sipas analistit të politikës së jashtme, Boshko Jakshiq, është pritja që presidenti serb ta zgjidhë çështjen e marrëdhënieve me Kosovën.

    “Por, nëse një politikë e tillë e tolerancës vazhdon, Bashkimi Evropian do të jetë i vetmi fajtor për rënien e popullaritetit të idesë dhe vlerave të BE-së në publikun serb”, thekson Jakshiq.

    Rusia, në anën tjetër, i ka dhënë mbështetje të plotë Vuçiqit, duke i miratuar edhe mesazhet e tij se Serbia është viktimë e një komploti perëndimor dhe se shërbimet e huaja të inteligjencës janë duke i financuar protestat.

    Reagimi i parë nga administrata e re amerikane ka ardhur nga i dërguari i presidentit Donald Trump për misione speciale, Richard Grenell, të cilit Vuçiq i ka dhënë medalje në vitin 2023 për “merita të shquara në zhvillimin e marrëdhënieve miqësore”.

    Grenell ka shpërndarë një video të protestave të studentëve në rrjetin X më 26 janar dhe ka shkruar, mes tjerash, se “nuk ka mbështetje për ata që minojnë shtetin ligjor dhe pushtojnë me forcë institucionet shtetërore”.

    Në protestat masive të organizuara nga studentët në Serbi nuk ka pasur incidente apo dhunë. Për sigurinë, në vend të policisë, kujdesen rojet studentore.

    Mediat botërore, si The New York Times, i përshkruajnë ato si “shpërthimi më i madh i pakënaqësisë që nga demonstratat kundër regjimit të Millosheviqit në vitet 1990”. /Radio Evropa e Lirë

  • ​KQZ akreditoi 60 media për zgjedhjet e 9 shkurtit

    ​KQZ akreditoi 60 media për zgjedhjet e 9 shkurtit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akredituar 60 media vendore dhe ndërkombëtare, me më shumë se 600 përfaqësues, për të përcjellur nga afër procesin e votimit në zgjedhjet e 9 shkurtit.

    Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Partive Politike, Besnik Buzhala ka bërë të ditur se vetëm këto media kanë plotësuar kriteret për tu akredituar.

    “59 organizata të mediave vendore dhe ndërkombëtare kanë plotësuar kriteret për tu akredituar”, tha Buzhala.

    Ndërsa anëtari i KQZ-së nga radhët e LVV-së, Alban Krasniqi, ka kërkuar nga çdo qytetarë, nëse dëgjojnë ndonjë raportim me terme të papërshtatshme, ta raportojnë dhe të tërhiqet menjëherë nga akreditimi.

    Sipas tij, Serbia është e mobilizuar të ndërhynë gjatë procesit zgjedhorë

    “Po shoh listën e shteteve që nuk na njohin. Mundemi me pa media, vështirë me e kuptu se çka po raportohet, mundet me pas raportime në mënyrë të tillë që nuk e njeh republikën e Kosovës. Unë kërkoj prej sekretariat dhe çdo qytetarit për ndonjë media ndonjë term që të lajmërojnë KQZ dhe të tërhiqet menjëherë akreditimi. Duhet të respektojnë kushtetutën e Kosovës. Sidomos Serbia është e mobilizuar që të ndërhyjë ne procesin zgjedhor”, u shpreh Krasniqi.

    Në këtë mbledhje, KQZ akreditoi edhe një numër shtesë të vëzhguesve të subjekteve politike, nga LDK-ja 171 vëzhgues, PDK-ja 55, LVV-ja 43 dhe AAK-ja 172 vëzhgues. /kp

  • ​Trump gazetares afgane: Nuk kuptoj asnjë fjalë që thua

    ​Trump gazetares afgane: Nuk kuptoj asnjë fjalë që thua

    Presidenti i SHBA-së Donald Trump i tha një gazetareje afgane se ai nuk e kuptonte pyetjen e saj.

    Gazetarja Nazira Karimi e pyeti Trump gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu nëse kishte ndonjë plan për afganët.

    “Kam pak vështirësi të të kuptoj. Nga je?” ia ktheu Trump, ndërsa Karimi tha se ishte nga Afganistani.

    “Paç fat. Jetoni në paqe. Në fakt, është një zë i bukur dhe një theks i bukur. Problemi i vetëm është se nuk kuptoj asnjë fjalë të vetme që po thoni. Por unë do të them vetëm këtë: Fat i mirë, jetoni në paqe”, ia ktheu Trump.

    Gjatë së njëjtës konferencë, Trump deklaroi se SHBA do të merr përsipër Rripin e Gazës së shkatërruar nga lufta dhe do ta zhvillojnë ekonomikisht pasi palestinezët të zhvendoseshin diku tjetër.

  • Prokuroria lëshon komunikatë për veturën që u djeg dje në Podujevë: Në të kishte mbetje kockore të njeriut

    Prokuroria lëshon komunikatë për veturën që u djeg dje në Podujevë: Në të kishte mbetje kockore të njeriut

    Prokuroria Themelore në Prishtinë ka lëshuar një komunikatë për rastin në Gllamnik të Podujevës, ku një veturë është djegur dhe brenda të cilës ka vdekur një person.

    Në komunikatë thuhet janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e rastit.

    “Me datë 04.02.2025 prokurori kujdestar është informuar nga Stacioni Policor në Podujevë për gjetjen e një veture të djegur dhe me rastin e ekzaminimit ka rezultuar se brenda saj ka prezencë të mbetjeve kockore, me ç’rast prokurori i shtetit ka angazhuar ekspertin antropolog mjeko-ligjor, i cili ka konstatuar se këto mbetje janë të njeriut. Më pas, prokurori i shtetit ka autorizuar dhe në koordinim me njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës, janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të zbardhjes në tërësi të rastit. Duke pasur parasysh që jemi në fazën fillestare të rastit, për momentin nuk mund të jepen të dhëna të detajuara lidhur me këtë rast, mirëpo prokurori i shtetit është i përkushtuar që në bashkëpunim dhe koordinim me organet e rendit të zbardh në tërësi rastin.”

  • Mediumi amerikan publikon një listë të personave me urdhër largimi nga SHBA’ja, 118 kosovarë pjesë e saj

    Mediumi amerikan publikon një listë të personave me urdhër largimi nga SHBA’ja, 118 kosovarë pjesë e saj

    Mediumi amerikan publikon një listë të personave me urdhër largimi nga SHBA’ja, 118 kosovarë pjesë e saj

    Në bazë të raportimit të mediumit, gjithsej janë 1,445,549 persona që s’kanë nënshtetësi amerikane.

    Në mesin e tyre janë edhe 118 kosovarë, që kanë urdhër largimi nga autoritetet amerikane.

    Një numër më të madh ka Shqipëria- gjithsej 1,847 persona me urdhër largimi nga toka amerikane.

    Listën mund ta gjeni KËTU.

  • Grenell: Miliarda dollarë shkuan për OJQ-të që shtyjnë politika radikale

    Grenell: Miliarda dollarë shkuan për OJQ-të që shtyjnë politika radikale

    Emisari për misione të posaçme i presidentit amerikan Donald Trump, Richard Grenell, ka theksuar se miliarda dollarë të taksapaguesve amerikanë kanë shkuar për organizata joqeveritare që shtyjnë politika radikale në Ballkanin Perëndimor.

    Grenell ka shpërndarë një postim të “Kos_data” në platformën ‘X’, e në të cilin Kosova prinë në një listë për nga milionat e përfituar prej USAID-it në Ballkanin Perëndimor në periudhën 2020-2024 me 537 milionë dollarë. Ai ka thënë se milionat janë ndarë nga politikanët amerikanë në mënyrë të pamatur.

    “Amerikanët punëtorë paguajnë taksa, politikanët në Washington DC, i shpenzojnë ato para në mënyrë të pamatur. Miliarda u jepen OJQ-ve të krahut të majtë për të shtyrë politika radikale në shtete të tjera”, ka shkruar Grenell.

    Presidenca amerikane ka vendosur t’i ndalë ndihmat amerikane për botën. Trump ka vendosur t’i ngrijë të gjitha për 90 ditë, përveç ndihmës urgjente ushqimore dhe ndihmës ushtarake për Izraelin dhe Egjiptin.

  • 100 prokurorë do të angazhohen në ditën e zgjedhjeve

    100 prokurorë do të angazhohen në ditën e zgjedhjeve

    Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës ka bërë të ditur se 100 prokurorë do të jenë të angazhuar për ditën e zgjedhjeve nacionale në Kosovë.

    Gjithashtu, ai tha se të angazhuar janë edhe 30 persona nga stafi administrativ.

    Në mbledhjen e Këshillit, u diskutua kërkesa e Koordinatores Nacionale për Zgjedhje, Laura Pula, e cila ka kërkuar pagesë për prokurorët e angazhuar në ditën e zgjedhjeve. Ndërsa, shuma ka kërkuar që të caktohen nga Këshilli.

    Kelmendi tha se janë angazhuar që në secilën komunë të ketë prokurorë kujdestarë që mbarëvajtja e zgjedhjeve të shkojë sa më mirë, ku do të ketë kujdestari edhe pas orës së votimit.

  • Digjet një veturë në Podujevë, gjenden mbetje kockore të njeriut

    Digjet një veturë në Podujevë, gjenden mbetje kockore të njeriut

    Një veturë është djegur të martën në fshatin Gllamnik të Podujevës, e në të dyshohet se ka qenë edhe një person.

    Lajmi u bë i ditur nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, ku ndër të tjera thuhet se prokurori i shtetit ka angazhuar ekspertin antropolog mjeko-ligjor, i cili ka konstatuar se këto mbetje janë të njeriut.

    “Më datë 04.02.2025 prokurori kujdestar është informuar nga Stacioni Policor në Podujevë për gjetjen e një veture të djegur dhe me rastin e ekzaminimit ka rezultuar se brenda saj ka prezencë të mbetjeve kockore, me ç’rast prokurori i shtetit ka angazhuar ekspertin antropolog mjeko-ligjor, i cili ka konstatuar se këto mbetje janë të njeriut”, thuhet në njoftim.

    Tutje në njoftim thuhet se prokurori i shtetit ka autorizuar dhe në koordinim me njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës, janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të zbardhjes në tërësi të rastit.

    “Duke pasur parasysh që jemi në fazën fillestare të rastit, për momentin nuk mund të jepen të dhëna të detajuara lidhur me këtë rast, mirëpo prokurori i shtetit është i përkushtuar që në bashkëpunim dhe koordinim me organet e rendit të zbardh në tërësi rastin”, thuhet ndër të tjera në njoftim.