ATV

Category: Lajme

  • Kabashi-Ramaj: Bedri Hamza i ka realizuar të gjitha premtimet edhe në të kaluarën

    Kabashi-Ramaj: Bedri Hamza i ka realizuar të gjitha premtimet edhe në të kaluarën

    Kandidatja për deputete nga PDK, Besa Kabashi-Ramaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka një performancë të dëshmuar prej 25 vitesh dhe gjithmonë i ka mbajtur premtimet e tij.

    Sipas saj, Hamza ka administruar buxhetin e shtetit edhe në kohë shumë më të vështira ekonomike dhe ka arritur të përmbushë zotimet e tij.

    “Kandidati ynë për kryeministër ka një performancë të dëshmuar për 25 vite, duke administruar buxhetin e shtetit dhe duke i mbajtur të gjitha premtimet e dhëna. Edhe në situatat më të rënda ekonomike për Kosovën, në fazat fillestare të krijimit të shtetit dhe institucioneve, ai ka treguar stabilitet dhe përgjegjësi”, tha Kabashi-Ramaj.

    Deklaratën e plotë të Besa Kabashi-Ramajt në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Gjoshi: PDK do t’i realizojë të gjitha premtimet

    Gjoshi: PDK do t’i realizojë të gjitha premtimet

    Kandidati për deputet nga PDK, Betim Gjoshi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se të gjitha premtimet e dhëna nga Partia Demokratike e Kosovës janë të kalkuluara dhe të realizueshme brenda një mandati qeverisës.

    Sipas tij, kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, nuk ka përfshirë në program asnjë premtim që nuk ka një kosto të parashikuar dhe një burim të qartë financimi.

    “Bedri Hamza nuk ka futur në program asgjë që nuk është e kalkuluar. Ai e ka të qartë koston dhe mënyrën se si do të sigurohen të hyrat për çdo premtim. Nuk është hera e parë që ne e bëjmë këtë punë dhe, pavarësisht skepticizmit, ne do t’i realizojmë këto premtime,” tha Gjoshi.

    Ai tha se Hamza është i përkushtuar ndaj programit, saqë nëse nuk arrin të realizojë premtimet kryesore brenda vitit të parë, është i gatshëm të japë dorëheqje.

    “Zoti Hamza ka bërë një premtim publik se, nëse brenda vitit të parë nuk arrijmë të rrisim pensionet me 70%, pagat me 50%, të sigurojmë një fond bursash prej 25 milionë eurosh dhe të përmbushim premtime të tjera kyçe, ai do të japë dorëheqje. Por kjo nuk do të ndodhë, sepse ne bashkë do të punojmë për ta realizuar këtë program dhe për t’iu përgjigjur nevojave të domosdoshme të qytetarëve të Kosovës”, deklaroi Gjoshi.

    Deklaratën e plotë të Betim Gjoshit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Memli Krasniqi: Drenasi – bastioni i pathyeshëm i PDK-së, gati për fitore

    Memli Krasniqi: Drenasi – bastioni i pathyeshëm i PDK-së, gati për fitore

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi pas tubimit madhështor të kësaj partie në Drenas ka falënderuar pjesëmarrësit për mobilizimin.

    Krasniqi është shprehur se ky bastion i pathyeshëm i PDK-së dëshmoi se është gati për fitore.

    “Drenasi, bastioni i pathyeshëm i PDK-së, edhe një herë e dëshmoi veten: Fuqishëm! Të bashkuar! Të gatshëm për fitore! Faleminderit nga zemra. Me Bedri Hamzën Kryeministër pas 9 shkurtit, #MaMirë do të jetë për të gjithë!”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

  • Gjoshi: PDK nuk ka pasur mbështetje më të madhe që nga 2014-ta

    Gjoshi: PDK nuk ka pasur mbështetje më të madhe që nga 2014-ta

    Kandidati për deputet nga PDK, Betim Gjoshi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Partia Demokratike e Kosovës nuk ka pasur një mobilizim më të madh të qytetarëve që nga viti 2014.

    Sipas tij, afërsia e qytetarëve me kandidatin për kryeministër, Bedri Hamzën, dëshmon për një besim të madh tek PDK-ja dhe programi i saj politik.

    “Na që jemi çdo ditë në terren, e shohim që nga viti 2014 nuk ka pasur mobilizim të tillë, as bashkim të njerëzve rreth një kandidati për kryeministër. Zoti Hamza është një person me integritet dhe bashkë me kryetarin Memli Krasniqi, ka ndërtuar një ekip, ku secili është më i mirë se tjetri, si dhe një program që është i pranueshëm dhe i kapshëm nga qytetarët”, tha Gjoshi.

    Ai shtoi se programi i PDK-së synon të ofrojë zgjidhje konkrete për problemet e qytetarëve, përfshirë zhvillimin ekonomik dhe ndaljen e emigrimit të të rinjve.

    Deklaratën e plotë të Betim Gjoshit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Osmani në Uashington thekson rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes amerikane për Kosovën

    ​Osmani në Uashington thekson rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes amerikane për Kosovën

    Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka folur në një Forum për çështjet e sigurisë që mbahet çdo vit në Kongresin amerikan në Uashington.

    Ajo me këtë rast theksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për Kosovën dhe rajonin në përgjithësi, për të cilin tha se është në një gjendje të brishtë.

    “Tani që presidenti Trump është kthyer në Shtëpinë e Bardhë, përmes formulës së tij paqe përmes forcës, është e rëndësishme që Amerika të tregojë udhëheqje të vërtetë jo vetëm ndaj miqve të vërtetë por edhe atyre që po sjellin pranë rajonit tonë Rusinë, Kinën dhe Iranin”, tha Osmani duke iu referuar Serbisë.

    Në forum morën pjesë anëtarë të Kongresit amerikan, si edhe anëtarë parlamentesh të vendeve evropiane dhe Ballkanit Perëndimor. Aty u shpreh nevoja për solidaritetin e demokracive përballë regjimeve që minojnë rendin global si Rusia, Kina dhe Irani, si dhe shprehën nevojën e bashkëpunimit me administratën e re të presidentit Donald Trump mes sfidave madhore globale.

    Anëtari republikan i Kongresit, Pete Sessions, një nga organizatorët e diskutimit i tha Zërit të Amerikës se është në interesin e Shteteve të Bashkuara që vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë të suksesshme dhe të pavarura, sidomos nga ndikimi i Rusisë.

    “Mendojmë se është e rëndësishme që miqtë tanë, miqtë e Amerikës të jenë së bashku. Anëtarët e Kongresit janë një pjesë e rëndësishme për të dërguar sinjalin e rëndësisë që ka rajoni për stabilitetin e kontinentit të Evropës, por edhe për interesat e Shteteve të Bashkuara”, tha Sessions.

    Sessions tha se ligjvënësit si ai vetë, do t’ia përcjellin këtë mesazh administratës së re dhe Sekretarit të ri të Shtetit, Marco Rubio, ashtu si edhe atë të rrezikut të dezinformimit nga Moska dhe Pekini.

    “Sekretari duhet të sigurohet që kjo të jetë një përparësi e administratën së re. Synimi i Donald Trumpit është që të gjithë të kenë një të ardhme më të mirë jo vetëm nga pikëpamja ekonomike, por ta shohin Amerikën si mikun e tyre”, tha ai.

    Ish-ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Fatmir Mediu i cili organizoi takimin së bashku me anëtarin e Kongresit Sessions dhe kolegun e tij republikan Robert B. Aderholt, tha për Zërin e Amerikës se dezinformimi është vetëm një elementi rrezikut.

    “Kemi një grup aktorësh që duan të bëjnë një zhvendosje të gjeopolitikës, në mënyrë të veçantë Kina, Rusia dhe Irani, por edhe vende të tjera dhe përballë kësaj unë mendoj se duhen ndërtuar rrugë komunikimi ndërmjet Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, shtoi ai.

    Deputeti i shumicës së Parlamentit të Shqipërisë Damian Gjiknuri shprehu gadishmërinë e vendit të tij për bashkëpunim me administratën e re amerikane dhe nevojën e forcimit të demokracisë.

    “Theksuam që një Amerikë e fortë, siç ka thënë presidenti Trump ‘Amerika e Para’, mendoj që do të jetë edhe një aleancë e fortë, sepse ne ngjarjet nuk mund t’i kontrollojmë, por reagimin mbi ngjarjet aleanca do të mund ta bëjë shumë më mirë. Patjetër që Shqipëria është një anëtare i denjë aktive e NATO-s, do të bëjë pjesën e saj për paqen dhe sigurinë. Por dhe mesazhi që dhashë dhe që doli qartë nga kjo tryezë është dhe forcimi i demokracive. Nëse do të kemi demokraci dhe institucione të forta, do të kemi edhe një familje më të shëndoshë demokratike”, tha Gjiknuri për Zërin e Amerikës.

    Përfaqësuesi i Serbisë, Vladimir Marinkoviq, ish-kryeparlamentar i vendit, hodhi poshtë akuzat ndaj vendit të tij dhe tha se Beogradi është i gatshëm për bashkëpunim me administratën Trump.

    Në kushtet e sfidave madhore globale në botë, pjesëmarrësit në Forum e vunë theksin te nevoja e koordinimit në të gjitha nivelet mes vendeve të tyres, si edhe forcimit të aleancave madhore perëndimore.

  • Lufta Rusi- Ukrainë/ Trump “hedh në tavolinë” planin e paqes në Mynih javën e ardhshme

    Lufta Rusi- Ukrainë/ Trump “hedh në tavolinë” planin e paqes në Mynih javën e ardhshme

    Aleatët e SHBA presin që administrata e Presidentit Donald Trump të paraqesë një plan për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë në Konferencën e Sigurisë së Mynihut në Gjermani javën e ardhshme.

    Plani thuhet se do t’u paraqitet aleatëve amerikanë nga përfaqësuesi special i Trump për çështjen e Ukrainës, Keith Kellogg.

    Deri më tani nuk janë dhënë detaje se çfarë do të përfshijë saktësisht ky propozim i Trump për paqe.

    Por siç vërejnë analistët, raportet dhe komentet e Kellogg dhe të tjerëve në javët e fundit kanë dhënë të dhëna për një plan për të ndjekur atë që aleatët e Trump e kanë quajtur “paqe përmes forcës”.

    Masat e mundshme përfshijnë një pezullim të konfliktit dhe praninë e trupave ruse në territorin e pushtuar, ndërkohë që Ukrainës i jepet garanci për të siguruar që Moska të mos sulmojë përsëri.

    Kellogg ka thënë se SHBA-të do të donin që zgjedhjet në Ukrainë të mbaheshin pas një armëpushimi, ndërsa Trump ka sugjeruar që aksesi në mineralet e rralla në këmbim të mbështetjes së SHBA-së mund të jetë pjesë e një zgjidhjeje.

    Gjenerali konfirmoi se do marrë pjesë në takimin e Mynihut. “Unë do të takohem me aleatët e Amerikës që janë të gatshëm të punojnë me ne”, shkroi Kellogg në një postim në X.

    Megjithatë, vetë Donald Trump nuk do të jetë i pranishëm në Konferencën e Mynihut, pasi u njoftua se do të zëvendësohet nga J.D.Vance, zëvendëspresidenti amerikan.

    “Pritet zëvëndëspresidenti i SHBA-së në Mynih”, tha zëdhënësi i qeverisë Stephen Hebestreit i cili shtoi se mund të ketë një takim mes Vance dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz nëse përputhen oraret.

    Prezenca e J.D.Vance pritet me interes të veçantë duke pasur parasysh qëndrimet e deritanishme të administratës së re amerikane për çështjet e sigurisë dhe NATO-s. Nënpresidenti mori pjesë edhe në Konferencën e Mynihut vitin e kaluar, si senator republikan. /tch

  • Lagjet e Prishtinës mbulohen nga mbeturinat

    Lagjet e Prishtinës mbulohen nga mbeturinat

    Përgatiti: Ardiana Jashari

    Shumë lagje të Prishtinës janë mbuluar nga mbeturinat pasi të hënën Komuna shpalli gjendje të jashtëzakonshme.

    Komuna ndërkaq është në përpjekje për të gjetur zgjidhje për ta pastruar qytetin dhe sipas Bekim Brestovcit nga drejtoria për shërbime publike së shpejti do të shpërndahen 2500 kontejnerë.

    “Mbetet tani ne të gjejmë një alternativë tjetër në afat shumë të shkurtër të gjithë këta kontinier në të gjitha lokacionet që është paraparë”, tha Brestovci.

    Komuna po ashtu ka blerë edhe kamionë për grumbullimin e mbeturinave të cilët të enjten pritet t’i dorëzohen në formë fizike ndërmarrjes Pastrimi.

    “Shpresojmë që me këta kamionë të rinj së paku në një pjesë të operoj suksesshëm”, tha Brestovci.

    Derisa kryeqytetit po ngufatet nga mbeturinat aktivistët e shoqërisë civile e kritikojnë qasjen e komunës në ballafaqim me çështjen.

    “Pra të forcohen kapacitetet e kësaj ndërmarrje sepse resurset humane I ka. Mjafton që të përforcohen kapacitetet qoftë me infrastrukturë makineri dhe me pajisje të tjera e madje duke e bërë edhe rritjen e pagave të punëtorëve që janë aty”, tha Luan Hasanaj, nga organizata “Ta Pastrojmë Kosovën”.

    Tutje Komuna e Prishtinës ka njoftuar qytetarët se faturat për grumbullimin e mbeturinave të lëshuara nga ndërmarrja “Pastrimi” nga muaji janar nuk janë të obliguar t’i paguajnë. Pagesat do të realizohen përmes komunës deri në një vendim të ri.

  • Shembet një objekt në qendrën historike të Prizrenit

    Shembet një objekt në qendrën historike të Prizrenit

    Përgatiti: Sara Mulliqi

    Ende pa kaluar një javë pas tragjedisë që ndodhi në Jabllanicë të Gjakovës, një objekt tjetër është shembur në Qendrën Historike të Prizrenit.

    Lidhur me rastin ka reaguar organizata “Ec Ma Ndryshe”, sipas së cilës kërkohet më shumë përgjegjësi nga institucionet përkatëse.

    “Ky nuk është objekti i parë që rrëzohet. Kemi të bëjmë me një neglizhencë të institucioneve për të marrë veprimet me kohë. Komisioni për Vlerësim dhe Rrezikshmëri i Komunës qysh në vitin e kaluar ka potencuar që ky objekt paraqet rrezikshmëri, por Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca nuk ka ndërmarrë veprimet e duhura të cilat ndoshta edhe do ta parandalonin që të kemi një gjendje siç është tashmë ky objekt”, tha Eroll Shabani nga organizata “Ec Ma Ndryshe”.

    Në anën tjetër Qendra Rajonale Për Trashëgimi Kulturore në Prizren, së paku dy herë e ka adresuar çështjen tek Drejtoria e Emergjencave dhe Sigurisë.

    Njërën tetor të 2024-ës, për dëmtim të objektit prej punimeve nga një ekskavator dhe të fundit më 30 janar 2025 për marrjen e masave emergjente mbrojtëse për sigurimin e ndërtesës dhe të kalimtarëve përreth.

    Ndërkaq, Drejtoria Për Siguri dhe Emergjenca njoftoi se tashmë do të merren masa për përforcimin e objektit të rrënuar.

    “Gjatë takimit të përbashkët që kemi mbajtur në zyrat e QRTK-së kemi vendosur të bëjmë përforcimin e objektit në fjalë si dhe do të merren masa urgjente për të eliminuar rrezikun. Ekspertët nga QRTK-ja do të bëjnë planin e detajuar për përforcim të objektit së bashku me zyrtarët komunalë gjatë punimeve”, thuhet nw pwrgjigjen Ramuze Shalës nga Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca në Prizren

    Shembja e këtij objekti sërish ngjalli shqetësime për gjendjen aktuale të trashëgimisë kulturore në vend, ndërsa institucionet vazhdojnë që të premtojnë masa mbrojtëse për objektet që janë të regjistruara si të mbrojtura.

  • KQZ pranon tre serverë për qendrën e numërimit të rezultateve

    KQZ pranon tre serverë për qendrën e numërimit të rezultateve

    Përgatiti: Egzona Mema

    Këta serverë dhe pajisje përcjellëse që Kosovës ia dha donacion shteti gjerman, për Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, po vlerësohet se do ndikojnë në përmirësimin e infrastrukturës zgjedhore në Kosovë.

    ‘’Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbetet i përkushtuar për të vazhduar me përmirësimet e nevojshme në funksion të një administrimi zgjedhor më të avancuar. Ky donacion është një investim në të ardhmen tonë demokratike dhe në besimin e qytetarëve ndaj procesit zgjedhor”, tha kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

    Në ceremoninë e mbajtur të mërkurën, Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde u shpreh se pas këtij avancimi teknologjik, procesi zgjedhor i së dielës do të shkoj pa vështirësi.

    Ky donacioni prej më shumë se 140 mijë eurove siguron që edhe këto zgjedhje aktuale dhe në të ardhmen të jenë të sigurta në Kosovë. Qëllimi jonë është që të fuqizojmë organet e administrimit të zgjedhjeve në Kosovë për të fuqizuar besimin e publikut në procese zgjedhore në Kosovë’’, tha Rohde.

    Edhe ushtruesja e detyrës së shefes së Misionit të OSBE-së në Kosovë, Cornelia Taylor tha se është përmbushur misioni për të digjitalizuar hapat kryesorë të procesit zgjedhor.

    “Një dhomë serveri që funksionon mirë është shtylla kurrizore e administrimit modern të zgjedhjeve, duke garantuar që operacionet të përmbushin standardet më të larta të saktësisë, sigurisë dhe transparencës”, tha Taylor.

    Zgjedhjet në Kosovë do të mbahen të dielën me 9 shkurt.

  • Shumë punëtorë vazhdojnë të paguhen më pak se 350 euro

    Shumë punëtorë vazhdojnë të paguhen më pak se 350 euro

    Përgatiti: Benita Zeneli

    As pagën e muajit janar ashtu sikurse pagat e 3 muajve paraprak shumë punëtorë nuk e morën aq sa parasheh paga minimale e miratuar nga qeveria, 350 euro.

    Për këtë ministri i Financave, Hekuran Murati pati thënë se punëtorët duhet të paraqesin ankesë në Inspektoratin e Punës apo Administratën Tatimore të Kosovës që më pas të merren masa.

    Kështu edhe kanë vepruar përfaqësuesit e këtyre punëtorëve.

    Megjithatë sipas kryetarit të Sindikatës të Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

    “Të gjitha kompanitë që financohen nga shteti nuk po e respektojnë sepse kur qeveria e ka marr këtë vendim është dashur të mendojnë që në kontrata e kanë të caktuar që nëse ka ndryshim në paga duhet MF me finance”, tha Azemi.

    Ndërkohë në një përgjigje për ATV-në, të pyetur se nëse janë ndërmarr masa Inspektorati Qendror i Punës tregoi vetëm punën e rutinë, pa detajet e kërkuara.

    “Inspektorati Qendror i Punës në vazhdimësi gjatë inspektimeve të rregullta dhe sipas ankesës së palëve bënë inspektime duke mbikëqyrur zbatimin e vendimit të qeverisë së Republikës së Kosovës në lidhje me pagën minimale, dhe në rastet kur konstatohet subjektet ekonomike nuk respektojnë vendimin për pagën minimale, IQP ndërmerr masa të parapara ligjore”, thuhet në përgjigjen nga Inspektorati Qendror i Punës.

    Rreth moszbatimit të vendimit të pagës minimale ATV ka kërkuar përgjigje edhe nga Administrata Tatimore.

    “Ka pasur ankesat të tilla por sipas opinionit të pranuar i kemi referuar t’i drejtohen fillimisht inspektoratit te punës. Çdo punëdhënës duhet respektojnë ligjin e punës përfshirë pagën minimale”, thuhet në përgjigjen e ATK-së.

    Ndërkohë Kosova ende vazhdon të jetë një ndër vendet me pagën më të ulët në Evropë dhe rajon.