ATV

Category: Lajme

  • ​Arrestohet kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj

    ​Arrestohet kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj

    Mesditën e sotme, është arrestuar kryetari i Tiranës Erion Veliaj nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).

    Pas një periudhe hetimi mbi katër vepra penale, forcat e BKH-së kanë ndërhyrë në ambientet e Bashkisë, raportojnë mediat në Shqipëri duke ekzekutuar urdhrin e arrestit ndaj tij.

    Sipas raportimeve pritet një njoftim zyrtar nga SPAK mbi akuzat dhe hapat e mëtejshëm të hetimit.

  • Abdixhiku: Pas numërimit përfundimtar, LDK do të ofrojë qëndrimet e veta politike

    Abdixhiku: Pas numërimit përfundimtar, LDK do të ofrojë qëndrimet e veta politike

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar për herë të parë në rrjetin social Facebook, pas rezultateve në zgjedhjet e 9 shkurtit për kryeministër të Kosovës.

    Ai thotë se rritja e kësaj partie i jep mundësi e qetësi organizimit më të mirë të brendshëm partiak, dhe për këtë është shprehur krenar, megjithatë shton se kjo rritje është e pamjaftueshme për ndryshimin e Republikës në këtë fazë.

    Për këtë, kreu i LDK-së ndjen keqardhje.

    “Të gjithë votuesve tanë, ju faleminderit që mbështetët Lidhjen tonë. Të gjithë qytetarëve të Kosovës, ju faleminderit që nderuat demokracinë e atdheut tonë. Të gjithë veprimtarëve tanë ju faleminderit që punuat me kaq vullnet e me kaq emocion në këto zgjedhje. Asgjë mangut! Punuam mbarë. Ecëm drejtë. Ecëm si qytetarë me ëndrra të mëdha për këtë Republikë. Shpresoj të ju kem prirë mbarë; shpresoj të ju kem përfaqësuar siç keni merituar gjithnjë! E shoh me plot krenari rrugëtimin e bërë deri më tani. Nuk dijmë ndryshe, nuk duam ndryshe, nuk duhet ndryshe. Rritja jonë i jep mundësi e qetësi organizimit më të mirë të brendshëm partiak – dhe për këtë do të qëndroj gjithmonë krenar; por kjo rritje është e pamjaftueshme për ndryshimin e Republikës në këtë fazë – dhe për këtë ndjejë keqardhje”, shkruan ai.

    Më tej, Abdixhiku thotë se pas numërimit përfundimtar të votave, LDK do të ofrojë qëndrimet e veta politike.

    “Pavarësisht të gjithave, Do të ketë dritë! Në këtë fazë, vazhdojmë me numërimin e votave të mbetura; sidomos ato në mërgatë. Pas numërimit përfundimtar, LDK do të ofrojë qëndrimet e veta politike”, shton ai.

  • Numërohen mbi 93% të votave: VV kalon mbi 41%, PDK mbetet në 22%, LDK 17%

    Numërohen mbi 93% të votave: VV kalon mbi 41%, PDK mbetet në 22%, LDK 17%

    KQZ ka bërë një përditësim të ri së fundmi nga të dhënat e procesuara nga ora 13:09.

    Me 93.25% të votave të numëruara, LVV është ngritur pak, ku ka 41.01% të votave, e ndjekur nga PDK me 22.46%.

    LDK renditet e treta me 17.66%, kurse AAK e katërta me 7.51%.

  • BE-ja mirëpret mbarëvajtjen e zgjedhjeve në Kosovë

    BE-ja mirëpret mbarëvajtjen e zgjedhjeve në Kosovë

    Bashkimi Evropian ka përshëndetur faktin që zgjedhjet parlamentare në Kosovë u zhvilluan në një atmosferë të qetë, në të cilën qytetarët kanë pasur mundësi të shprehin vullnetin e tyre.

    Kështu tha zëdhënësja e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Anitta Hipper, kur u përgjigj në pyetjet lidhur me reagimin e bllokut për zgjedhjet në Kosovë dhe pritjet pas mbajtjes së tyre.

    Hipper tha se në Kosovë është vendosur misioni vëzhgues i BE-së për zgjedhjet që është formuar me vendimin e shefes së diplomacisë, Kaja Kallas, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    Vendimi për dërgimin e këtij misioni për të vëzhguar zgjedhjet në Kosovë nga Hipper u përmend si dëshmi se BE-ja i sheh raportet me Kosovën si shumë të rëndësishme.

    Përveç vëzhguesve nga BE-ja, zgjedhjet u monitoruan edhe nga vëzhguesit vendorë, që thanë se ato kaluan pa incidente serioze, por me disa parregullsi.

    Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit po prin me 40.96 për qind apo 316.016 vota të fituara në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

    Partia e dytë është Partia Demokratike e Kosovës me 22.42 për qind apo 172.953 vota, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.62 për qind apo 135.976 vota të fituara.

    Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma, Konservatorët dhe Intelektualët kanë fituar 7.56 për qind apo 58.307 vota.

    Ndërkaq, Lista Serbe – partia kryesore e serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – ka fituar 3.95 për qind apo 30.440 vota.

    Zgjedhjet e 9 shkurtit ishin zgjedhjet e para të rregullta që Kosova ka mbajtur që nga shpallja e pavarësisë.

    Dalja ishte 40.59 për qind e mbi 1.9 milion votuesve me të drejtë vote në Kosovë. Paraprakisht, për këto zgjedhje kanë votuar edhe diaspora, përmes postës, por edhe fizikisht në disa përfaqësi diplomatike të Kosovës në botë.

    Në garë ishin 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur për përbërjen e re prej 120 ulësesh të Kuvendit të Kosovës, institucion që më pas do të zgjedhë ekzekutivin e ri./REL

  • Numërohen mbi 92% e votave, ky është rezultati zyrtar

    Numërohen mbi 92% e votave, ky është rezultati zyrtar

    Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka dalë forcë e parë politike në zgjedhjet e fundit në Kosovë, sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Me 92.18% të vendvotimeve të numëruara, LVV ka siguruar 318,286 vota ose 40.94% të totalit.

    Pas saj renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 174,639 vota (22.46%), e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 137,302 vota (17.66%). Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma Socialdemokrate kanë arritur të grumbullojnë 58,470 vota (7.52%).

    Lista Serbe ka siguruar 30,477 vota (3.92%), ndërsa Koalicioni për Familje ka marrë 17,833 vota (2.29%).

    Këto rezultate ende nuk përfshijnë votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe ato të diasporës, të cilat mund të ndikojnë në përbërjen përfundimtare të Kuvendit.

    Procesi zgjedhor është vlerësuar kryesisht i qetë dhe demokratik, ndërsa partitë politike janë në pritje të rezultateve përfundimtare për të formuar koalicionet e mundshme për qeverisjen e ardhshme të vendit.

  • Sylejman Selimi nis dëshminë në Hagë, i jepen garanci se nuk do të ndiqet penalisht për dëshminë e tij

    Sylejman Selimi nis dëshminë në Hagë, i jepen garanci se nuk do të ndiqet penalisht për dëshminë e tij

    Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit 120-të me kodin W00542, në Hagë ka filluar dëshminë Sylejman Selimi i cili mban kodin 04290 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqt.

    Ky dëshmitar pohoi se është djali i axhës së Rexhep Selimit dhe sot në Hagë është duke u përfaqësuar nga avokati Artan Qerkini  i cili kërkoi garanci për klientin e tij sipas Rregullës 151 të procedurës dhe provaveraporton “Betimi për Drejtësi”. 

    “Keni garancitë që parashikohen. Do të thotë që nuk do te ndiqeni penalisht. Në qoftë se do të jepni dëshmi, këtë dëshmi do ta keni rastin siç e kemi tani që dëshminë do ta jepni në publik në kuptimin që ju mund të ndiqeni përtej gjykate. Megjithatë, ju e keni të drejtën që dëshminë tuaj ta jepni me dyer të mbyllura që do me thënë do të ulën perdet dhe që askush të mos iu dëgjojë”, tha kryegjyqtari.

    Prokurori Matt Halling nuk pati kundërshtime sa i takon garancive që iu ofruan dëshmitarit.

    “Mbrojtja që iu jepet përmes garancive është që kjo gjykatë nuk do të iu ndjekë penalisht apo nuk do të nxjerrë asnjë informacion që na e jepni ne për palë të tjera. Megjithatë kur jepni dëshmi në publik, ky informacion që do jepni i takon që i dëgjon i gjithë publiku”, tha kryegjyqtari.

    I pyetur se në çfarë forme do të dëshmojë, dëshmitari tha se dëshiron që të dëshmojë në seancë publike.

    Më pas, kryegjyqtari e njoftoi atë se pasi iu janë dhënë garancitë dhe në rast që dëshmitari refuzon të dëshmojë kjo do të sanksionohet me vendosjen e një gjobe. Si rrjedhojë, garancitë u miratuan për dëshmitarin.

    Sipas kryegjyqtarit, dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë rreth katër ditë. Prokuroria ka vlerësuar se i duhen pesë orë për pyetje. Ndërsa, ekipet e mbrojtjes i duhen 14 deri në 16 orë për kundërpyetje.

  • Dy raste të cenimit të fshehtësisë së votimit gjatë ditës së zgjedhjeve

    Dy raste të cenimit të fshehtësisë së votimit gjatë ditës së zgjedhjeve

    Dy raste të veprës penale cenim i fshehtësisë së votimit janë raportuar në ditën e zgjedhjeve më 9 shkurt.

    Një rast është raportuar në Gjilan dhe një rast në Vushtrri.

    Raporti i plotë:

    CENIM I FSHEHTËSISË SË VOTIMIT

    Gjilan 09.02.2025-07:35. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që kishte kryer veprën e lartcekur. Me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.

    CENIM I FSHEHTËSISË SË VOTIMIT

    Vushtrri 09.02.2025-09:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që kishte kryer veprën e lartcekur. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • Ramush Haradinaj thotë se do ta përkrahë një qeveri të opozitës

    Ramush Haradinaj thotë se do ta përkrahë një qeveri të opozitës

    Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kritikuar gjuhën e përdorur nga kryeministri Albin Kurti, i cili i quajti “hajvana” partitë opozitare, në festën e fitores.

    Ai tha se Kurti është më “hajvan” pasi për katër vite nuk ka arritur asgjë.

    “Ai ma hajvan si një kryeministër që mbas katër vite qeverisje ka treguar vica gjithë fushatën, nuk ka pasur një program konkret, nuk ka të arritura. Fatkeqësisht ky është realiteti ynë, qytetarët edhe dje kanë mundur ta shohin se kush ishte ai. Një kryeministër që nuk ka arritur ta ketë një rezultat të pritur. Edhe si opozitë e kemi ruajtur dinjitetin tonë, procesin zgjedhor nuk kemi bërë ndërhyrje që dëmton demokracinë. Ai me dal ashtu me fye e më bërtit, ai është realiteti ynë, ai është hajvan. Po i hyjmë në hak hajvanëve duke i thënë atij”, ka thënë ai në një konferencë për media.

  • Numërohet votat deri në 91.47%, këto janë rezultatet

    Numërohet votat deri në 91.47%, këto janë rezultatet

    Të dhënat për rezultatet preliminare të zgjedhjeve janë përditësuar sërish në webfaqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), pasi janë numëruar 91.47% e fletëvotimeve.

    Lëvizja Vetëvendosje ka 316,016 vota apo 40.96%, nga 91.47% të vendvotimeve të procesuara, sipas të dhënave të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të përditësuara në orën 12:11.

    Partia Demokratike e Kosovës është në vend të dytë me 172,953 vota apo 22.42%.

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka 135,976 vota apo 17.62%.

    Ndërsa koalicioni i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës Socialdemokrate dhe të tjerëve ka 58,307 vota apo 7.56%.

  • ​Prokuroria e Shtetit nuk ka nisur hetime ndaj KQZ-së

    ​Prokuroria e Shtetit nuk ka nisur hetime ndaj KQZ-së

    Prokuroria e Shtetit nuk ka dhënë urdhër për nisjen e hetimeve kundër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve si pasojë e problemeve nga ky institucion që u paraqitën gjatë publikimit të të dhënave nga numërimi i votave për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

    Kështu ka konfirmuar për KosovaPress, Liridonë Kozmaqi Hajdaraj, udhëheqëse e Zyrës për Komunikim në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit e cila mohoi raportime se Prokuroria ka nisur hetimet për organin kompetentë për organizimin e zgjedhjeve.

    “Ju informoj se Prokurori i Shtetit, duke e përfshirë edhe Prokurorinë Speciale, nuk ka dhënë urdhër për nisjen e hetimeve kundër KQZ-së”, ka thënë ajo.

    Tutje lidhur me procesin e djeshëm zgjedhor Kozmaqi-Hajdari tha se Prokuroria e Shtetit ka hapur katër raste, kundër tetë personave.

    “Ndërkaq, gjatë ditës së djeshme Prokurori i Shtetit ka pranuar disa informata dhe pas verifikimit të tyre deri në mbyllje të procesit të votimit, janë hapur katër raste, kundër tetë personave, kurse informatat tjera janë duke u trajtuar”, thuhej në përgjigjen e zëdhënëses së Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, raporton KP.

    Udhëheqësja e Zyrës për Komunikim në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Liridonë Kozmaqi Hajdaraj dha detaje për secilin rast të iniciuar.

    “Prokuroria Themelore në Mitrovicë pas informatave të pranuara nga qytetarët, ka iniciuar dy raste të ndryshme që ndërlidhen me veprat penale kundër të drejtave të votimit. Në rastin e parë ka ndaluar katër persona, për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit me veprimet e tyre kanë kryer veprën penale: ‘Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve’, nga neni 210 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Ndërkaq, në rastin e dytë ka ndaluar një person, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti me veprimet e tij ka kryer veprën penale: ‘Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve’, nga neni 210 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka iniciuar dy raste të ndryshme që ndërlidhen me veprat penale kundër të drejtave të votimit. Në rastin e parë ka ndaluar një person, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti me veprimet e tij ka kryer veprën penale: ‘Sulm ndaj personit zyrtar’, nga neni 402 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Ndërkaq, në rastin e dytë ka ndaluar dy persona, për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit me veprimet e tyre kanë kryer veprën penale: ‘Parandalimi i ushtrimit të së drejtës për të votuar’, nga neni 209 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, kanë deklaruar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.

    Pas mbylljes së qendrave të votimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pasur telashe me platformën e saj online.