ATV

Category: Lajme

  • Policia në kërkim të një personi, dyshohet për një incident të zjarrvënies

    Policia në kërkim të një personi, dyshohet për një incident të zjarrvënies

    Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim një person, i cili dyshohet se është përfshirë në një rast të zjarrvënies, që dyshohet se ka ndodhur në Fushë Kosovë.

    Njësiti i Hetimeve të Fushë Kosovës, me autorizim nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, po kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin e vendndodhjes së personit, i identifikuar si Florent Bunjaku.

    “Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin vendodhjes së tij kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192 ose [email protected].” – thuhet në njoftim.

  • Sylejman Selimi vazhdon dëshminë në Speciale

    Sylejman Selimi vazhdon dëshminë në Speciale

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sipas kalendarit po vazhdon edhe sot procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Edhe sot po vazhdon dëshminë ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi, i cili është dëshmitari i 121 i Prokurorisë speciale.

    Selimi është thirrur për të dëshmuar nga ZPS-ja, ndërsa është caktuar një avokat për të ndihmuar dëshmitarin, duke siguruar se ai mund të kërkojë udhëzime në lidhje me aspekte të vetinkriminimit të mundshëm.

    Në përgjigje ndaj kërkesës së dëshmitarit, Trupi Gjykues, në përputhje me rregullën 151, e siguroi dëshmitarin se dëshmia e tij nuk do të përdorej kundër tij në ndjekje penale të mëvonshme para Dhomave të Specializuara.

    I pyetur nga Trupi Gjykues, Selimi bëri të ditur se dëshiron që dëshmia të kryhet në seancë të hapur.

  • Osmani në Samitin për inteligjencë artificiale: Momente si këto forcojnë lidhjet diplomatike e ekonomike dhe hapin mundësi të reja për bashkëpunim

    Osmani në Samitin për inteligjencë artificiale: Momente si këto forcojnë lidhjet diplomatike e ekonomike dhe hapin mundësi të reja për bashkëpunim

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në Samitin ndërkombëtar për veprim mbi inteligjencën artificiale.

    Ajo ishte e ftuar në darkën e organizuar nga ana e presidentit të Francës, Emanuel Macron. Pos Osmanit në këtë evet kanë qenë edhe drejtues e liderë tjerë.

    Lidhur me këtë Osmani është shprehur se momente si këto forcojnë lidhjet diplomatike e ekonomike dhe hapin mundësi të reja për bashkëpunim.

    ‘’Momente si këto forcojnë lidhjet diplomatike e ekonomike dhe hapin mundësi të reja për bashkëpunim. Së bashku me Presidentin Macron, Zëvendëspresidentin amerikan JD Vance, Kryeministrin indian Narendra Modi, atë kanadez Justin Trudeau, e shumë liderë të tjerë botëror, si dhe liderë të disa prej kompanive më të mëdha botërore si Google, Open AI, Alibaba, etj, kishim mundësi të diskutojmë tema të rëndësishme në interes të qytetarëve që përfaqësojmë’’, është shprehur Osmani.

  • Osmani në Paris me ftesë të Macronit, merr pjesë në Samitin për Inteligjencën Artificiale

    Osmani në Paris me ftesë të Macronit, merr pjesë në Samitin për Inteligjencën Artificiale

    Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka udhëtuar dje drejt Parisit me ftesë të homologut të saj francez, Emmanuel Macron.

    Gjatë qëndrimit në Francë, Osmani do të marrë pjesë në Samitin për Inteligjencën Artificiale, përkrah Macronit, zëvendëspresidentit të ShBA-ve, JD Vance, kryeministrit të Indisë, Narendra Modi, si dhe liderëve të tjerë botërorë.

    Osmani poashtu do të jetë e pranishme në darkën zyrtare në Pallatin Élysée, në pritjen zyrtare të organizuar nga delegacioni amerikan, si dhe në seancën plenare të bashkëkryesuar nga presidenti Macron dhe kryeministri Modi.

  • ​Sot fillon numërimi i votave të kandidatëve për deputetë

    ​Sot fillon numërimi i votave të kandidatëve për deputetë

    Sot në Qendrat Komunale të Numërimit do të fillojë procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë.

    Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së tha se gjatë këtij procesi, ashtu siç parashihet edhe me rregulloren zgjedhore të KQZ-së do të bëhet verifikimi i rezultateve të subjekteve politike.

    “Pas përfundimit të këtyre procedurave, numërimit të votave jashtë Kosovës, votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe aspekteve tjera që parashihen me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, KQZ do të shpallë rezultatet përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët për deputetë”, tha Elezi.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka numëruar 99.17 qind për qind të votave nga 2,512 qendra votimi nga gjithsej 2.533, deri në orën 19:10, sipas të cilave vazhdon të prijë Lëvizja Vetëvendosje me 40.83 për qind ose 339 mijë 350 vota.

    Partia Demokratike e Kosovës (PDK) renditet e dyta me 22.15 për qind ose 184 mijë e 40 vota, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e treta me 17.59 për qind ose 146 mijë 241 vota.

    AAK-NISMA-Konservatorët-Intelektualët-Ideal renditet subjekti i katërt me 7.47 për qind ose 62 mijë e 66 vota.

  • PDK-ja e AAK-ja refuzojnë koalicionin me LVV-në, LDK-ja ende pa qëndrim: A po futet Kosova në pasiguri pasgjedhore?

    PDK-ja e AAK-ja refuzojnë koalicionin me LVV-në, LDK-ja ende pa qëndrim: A po futet Kosova në pasiguri pasgjedhore?

    Dy parti opozitare në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e hodhën poshtë mundësinë e lidhjes së ndonjë koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje, e cila i fitoi zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

    Bedri Hamza, i cili ishte kandidat i PDK-së për kryeministër, tha se kjo parti nuk do të hyjë në asnjë koalicion që përfshin partinë e kryeministrit Albin Kurti.

    “Kemi dallime të mëdha”, tha Hamza në një konferencë për gazetarët, të hënën në Prishtinë.

    “Ata [Vetëvendosje] duan pushtet absolut dhe nuk kanë program. Gjatë fushatës ikën nga ballafaqimi edhe në debate televizive. I ofenduan kundërshtarët politikë dhe qytetarët. Nxitën urrejtje, kurse ne bashkim dhe bashkëpunim”, shtoi Hamza.

    Me mbi 99 për qind të votave të numëruara, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se Lëvizja Vetëvendosje prin me rreth 41 për qind, PDK-ja me mbi 22%, LDK-ja me mbi  17% dhe AAK-Nisma me mbi 7.5 %.

    Por, për të pasur shumicën në Kuvend, një partie i duhen së paku 61 deputetë nga 120 sa ka ky institucion gjithsej.

    Dje, edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e përjashtoi mundësinë e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se preferon krijimin e një qeverie nga partitë opozitare.

    “Me kënaqësi do të kishim bashkëpunuar me subjektet politike opozitare shqiptare, për të krijuar shumicën që realisht është e mundur”, tha Haradinaj, kandidat i AAK-së për kryeministër, në një konferencë për gazetarë.

    “Është në nderin tim që ta ndihmoj një qeveri të opozitës – assesi me Vetëvendosjen”, theksoi ai.

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, shkroi në Facebook se LDK-ja pret numërimin e plotë të votave përpara se të dalë me qëndrimet e saj politike.

    “Në këtë fazë, vazhdojmë me numërimin e votave të mbetura, sidomos ato në mërgatë. Pas numërimit përfundimtar, LDK-ja do t’i ofrojë qëndrimet e veta politike”, tha Abdixhiku.

    Ai nuk e komentoi thirrjen e Haradinajt për një qeveri të opozitës. Ngjashëm edhe zyrtarë të PDK-së, që folën për REL-in, thanë se nuk e kanë komentuar idenë e tij në parti.

    Duke iu drejtuar mbështetësve një natë më herët, Kurti, i cili shërbeu si kryeministër nga viti 2021, tha se partia e tij do të qeverisë edhe në katër vjetët e ardhshëm, por pa dhënë detaje se si apo në aleancë me kë.

    Përkundër fitores në zgjedhjet e 9 shkurtit, Vetëvendosje pësoi humbje të mbështetjes për gati 10%, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021.

    Rrahman Paçarizi, profesor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se Kurti nuk është shumë i interesuar për ta bërë qeverinë e re.

    “Kurti ka qenë i interesuar për ta ruajtur rezultatin që ka pasur, por me më shumë se 100 mijë vota të humbura, vështirë se do t’i qaset bërjes së qeverisë. Unë mendoj se edhe opozita nuk ka unitet për ta bërë qeverinë”, thotë Paçarizi

    Ai shton se vendi, “fatkeqësisht, mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme, përmes disa akrobacioneve kushtetuese dhe ligjore, duke e vonuar deri në maksimum konstituimin e Kuvendit, pas certifikimit të rezultateve”.

    Zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë ishin të parat të rregullta që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008.

    Pjesëmarrja e qytetarëve në to ishte pak mbi 40 për qind.

    Bashkimi Evropian e mirëpriti organizimin e zgjedhjeve në, siç tha, atmosferë të qetë./Radion Evropa e Lirë

  • Misioni nga BE-ja sot me deklaratë rreth zgjedhjeve në Kosovë

    Misioni nga BE-ja sot me deklaratë rreth zgjedhjeve në Kosovë

    Shefja e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian (EOM), Nathalie Loiseau, njëherësh deputete e Parlamentit Evropian, sot do të prezantojë deklaratën preliminare të misionit rreth zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën të dielën në Kosovë.

    Ndryshe Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian që është përbërë mbi 100 persona kanë qenë në terren në mbarë Kosovën.

    Përfaqësuesja e Lartë e Komisionit Evropian, Kaja Kallas kishte vendosur të dërgojë në Kosovë këtë Mision të BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare.

    Sipas BE-së, prania e misionit në terren synon të kontribuojë në një proces zgjedhor gjithëpërfshirës, të besueshëm dhe transparent, duke i lejuar votuesit e Kosovës të shprehin qartë zgjedhjet e tyre.

  • Përfundon numërimi i votave në Prishtinë, LVV prin me 46.91%

    Përfundon numërimi i votave në Prishtinë, LVV prin me 46.91%

    Ka përfunduar numërimi i të gjitha votave në vendvotimet e kryeqytetit.

    Lëvizja Vetëvendosje ka fituar kryeqytetin, duke udhëhequr me 46.91% apo 54,696 vota.

    Lidhja Demokratike e Kosovës ndodhet e dyta me 25.63% apo 29,889 të votave si dhe Partia Demokratike e Kosovës në bazë të rezultateve radhitet e treta me 18.29% apo 21,326 vota.

    Vendin e katërt e zë Koalicioni për Familjen me 4.23% apo 4,935 vota, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është e pesta me 3.30% apo 3,848 vota.

    Kujtojmë që rezultatet preliminare nuk përfshijnë votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat jashtë Kosovës.

  • E paqartë nëse Lista Serbe i fitoi të dhjetë vendet në Kuvendin e Kosovës

    E paqartë nëse Lista Serbe i fitoi të dhjetë vendet në Kuvendin e Kosovës

    Për herë të parë që nga themelimi i saj në vitin 2013, Lista Serbe mund të mbetet pa të dhjetë vendet e rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës, pasi, sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, një vend parlamentar mund t’i takojë Nenad Rashiqit, udhëheqës i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

    Rashiq, në dy vjetët e fundit, ishte ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e kryeministrit Albin Kurti, i cili e emëroi pasi Lista Serbe doli nga institucionet e Kosovës.

    Me 93 për qind të votave të numëruara nga zgjedhjet e 9 shkurtit, Lista Serbe – partia më e madhe serbe në Kosovë, e cila gëzon mbështetje absolute nga Beogradi zyrtar – siguroi rreth 30.485 vota, ose 3.88 për qind të totalit, ndërsa Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë mori rreth 3.428 vota, ose 0.44 për qind.

    Sipas rezultateve aktuale, Lista Serbe e humbi mbështetjen e gati 15 mijë personave, krahasuar me zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

    Rashiq, në anën tjetër, e rriti mbështetjen për rreth 2.000 vota.

    Situata, megjithatë, mund të ndryshojë pas numërimit të votave me kusht, sepse në atë grup janë kryesisht votat e personave të zhvendosur, të cilët shkuan për të votuar në Kosovë nën organizimin e Komisariatit për Refugjatë të Republikës së Serbisë dhe Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

    Subjektet tjera politike nga komuniteti serb, që morën pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk do të hyjnë në Kuvendin e Kosovës.

    Demokracia Serbe e Aleksandar Arsenijeviqit mori rreth 1.700 vota, Lëvizja Popullore Serbe e Branimir Stojanoviqit mori rreth 1.405 vota, Nisma Qytetare Drejtësia Popullore mori rreth 597 vota dhe Partia e Serbëve të Kosovës mori 348 vota.

    Lista Serbe e falënderon posaçërisht “një person”

    Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, shpalli “fitore absolute dhe bindëse” të partisë së tij më 9 shkurt, duke theksuar se ajo ka fituar 10 nga 10 vendet parlamentare, të rezervuara për komunitetin serb.

    Lista Serbe, sipas tij, mori mbi 40 mijë vota.

    Ai e falënderoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për mbështetjen, si dhe të zhvendosurit që erdhën nga Serbia për të votuar, por, në fund, meritën për “fitoren madhështore” ia atribuoi në veçanti një njeriu.

    “Kjo është gjithashtu fitore për të gjithë ata serbë, vëllezër e motra tona që nuk janë sot në Kosovë dhe Metohi, e që kontribuuan në këtë fitore madhështore – veçanërisht njëri prej tyre”, tha Ellek.

    Kjo deklaratë në publik u kuptua si aludim në Millan Radoiçiqin, i cili besohet se është i lirë në Serbi që nga sulmi i vitit 2023 në Banjskë.

    vra një polic kosovar, dhe më pas dha dorëheqje nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe.

    Kosova e konsideron këtë sulm si terrorist dhe beson se pas tij qëndron shteti i Serbisë – gjë të cilën Beogradi zyrtar e mohon.

    Rashiq: Beogradi ishte gjithmonë “agresiv” ndaj serbëve në Kosovë

    Kryetari i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq, tha më 9 shkurt se, sipas të dhënave të tij, ky opsion politik ka marrë mbi 3.500 vota dhe se pas numërimit të të gjitha votave, pret të sigurojë një deri në dy mandate parlamentare në Kuvendin e Kosovës.

    “Në secilin rast, ne e kaluam atë pragun prej 10% të përcaktuar me ligjin e ri dhe mendoj se KQZ-ja nuk ka sesi të mos e vërejë këtë. Do të presim deri nesër, atëherë do të jetë e qartë se partia jonë do të ketë jo vetëm një, por ndoshta më shumë vende në Kuvend”, tha Rashiq në një konferencë për gazetarët.

    Ai tha se “nga anë të ndryshme, vijnë dezinformata të ndryshme” dhe se nuk është e mundur që Lista Serbe t’i ketë fituar mbi 40 mijë vota.

    Pak orë pas mbylljes së vendvotimeve në Kosovë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Lista Serbe, duke mos i llogaritur votat e personave të zhvendosur – pra votat me kusht – ka fituar rreth 33.000 vota.

    “Është plotësisht e qartë se Lista Serbe i fiton të dhjetë mandatet, se do të jetë mbrojtje ndaj sulmeve të mëtejshme të [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurti”, shkroi Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram.

    Në fjalimin e tij pas mbylljes së vendvotimeve, Rashiq tha se Beogradi “ka qenë gjithmonë agresiv ndaj serbëve të Kosovës dhe nuk i ka lejuar ata t’i zhvillojnë kapacitetet e tyre politike”.

    “Duke i përdorur [serbët në Kosovë], ai u përpoq të ndrydhte çdo mendim autentik, çdo iniciativë që mund të ishte në dobi të të gjithëve”, tha Rashiq.

    Mesazhet e përfaqësuesve të tjerë politikë të serbëve në Kosovë

    Lideri i Demokracisë Serbe, Aleksandar Arsenijeviq, tha se do t’i komentojë rezultatet e zgjedhjeve kur të ketë më shumë informacion.

    Branimir Stojanoviq nga Lëvizja Popullore Serbe tha se “nuk do të dorëzohen, edhe pse rezultatet janë dëshpëruese”.

    “Populli që ka zgjedhur, do të ketë pushtetin që ka zgjedhur”, tha ai, duke shtuar se sistemi i qeverisjes së Listës Serbe “mësa duket i përshtatet popullit”.

    “Ne e kuptojmë që nuk doni të besoni në realitet, por asnjë votë nuk do t’u japë imunitet atyre që ju vodhën”, tha Nisma Qytetare Drejtësia Popullore.

    Partia e Serbëve të Kosovës tha se serbët në Kosovë i pranuan si të drejta veprimet e Listës Serbe dhe ia dhanë besimin asaj.

    Kjo parti e uroi atë për “fitoren e qartë, zgjedhjet e lira dhe të ndershme”.

    “U urojmë serbëve që Lista Serbe t’i sundojë edhe për 100 vjet”, tha kjo parti.

    Që nga themelimi i saj në vitin 2013, Lista Serbe ka fituar mbi 90 për qind të votave të komunitetit serb në të gjitha zgjedhjet në të cilat ka marrë pjesë, por Misioni Monitorues i BE-së ka vënë në dukje “monopolin dhe presionet” nga zyrtarët e saj.

    Në dy vjetët e fundit, kjo parti ka ndjekur një “politikë bojkotimi”, në përputhje me vendimin e saj për t’u tërhequr nga institucionet e Kosovës në veri.

    Nuk është ende e qartë nëse, në periudhën e ardhshme, ajo do të marrë pjesë aktive në institucionet e Kosovës, apo do të vazhdojë me bojkotim. /REL

  • Numërohen mbi 97 përqind e votave, ky është rezultati aktual i partive

    Numërohen mbi 97 përqind e votave, ky është rezultati aktual i partive

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përditësuar rezultatet preliminare nga numërimi i 97 përqind të votave.

    Sipas këtij përditësimi, Lëvizja Vetëvendosje është e para me 41. 08 përqind të votave, PDK e dyta me 22. 21 përqind, LDK e treta me 17. 75 përqind dhe AAK me 7. 47 përqind.

    Në këto rezultate nuk përfshihen votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat e mërgatës.

    Rreth 40.59 për qind e mbi 1.9 milion votuesve me të drejtë vote në Kosovë votuan në zgjedhjet e 9 shkurtit. Paraprakisht, për këto zgjedhje kanë votuar edhe diaspora, përmes postës, por edhe fizikisht në disa përfaqësi diplomatike të Kosovës në botë.