ATV

Category: Lajme

  • ​Danezët kërkojnë Kaliforninë në shkëmbim të Groenlandës!

    ​Danezët kërkojnë Kaliforninë në shkëmbim të Groenlandës!

    Në përgjigje të planit të presidentit amerikan Donald Trump për të blerë GrOenlandën, një rajon autonom i Danimarkës, ka nisur një fushatë për ta bërë “Kaliforninë një territor danez”.

    Lidhur me këtë nga faqja web “Danimarkifikimi” (Denmarkification) ka bërë një deklaratë lidhur me fushatën.

    Në deklaratë thuhet se fushata synon blerjen e shtetit të Kalifornisë nga SHBA-ja dhe ta shndërrojë atë në territorin danez, në përgjigje të planit të Trumpit për të blerë Groenlandën.

    Më tej thuhet se “Republikani Trump nuk e pëlqen Kaliforninë që është një nga bastionet e demokratëve. Trump nuk mund të thuhet se është fansi më i madh i Kalifornisë. Jemi të sigurt që do të jeni të gatshëm ta jepni këtë vend për një çmim të arsyeshëm”, raporton AA.

    Deklarata thekson se Trump mund të bëjë çfarëdo që ai vendos dhe se qytetarët “nuk mund ta ndalojnë” atë.

    “Nëse Trump dëshiron të shesë Kaliforninë, ai mund ta shesë atë”, thuhet në deklaratë.

    Më tej deklarata iu referua çështjeve të diskutueshme në SHBA, duke pretenduar se sundimi i ligjit, kujdesi shëndetësor universal dhe politika e bazuar në fakte mund të mbizotërojnë në Kaliforni.

    Deklarata rendit arsyet e zgjedhjes së Kalifornisë; si klima e saj e ngrohtë dhe me diell, dominimi teknologjik, prodhimi i avokados, liria dhe fakti që ajo ka Disneyland, një nga parqet argëtuese më të famshme në vend, dhe vuri në dukje se nëse shteti do të blihej, Disneyland do të riemërohej me emrin e autorit danez Hans Christian Andersenland.

    “Ne madje do të japim furnizim të përjetshëm të pastave daneze për të ëmbëlsuar marrëveshjen”, thuhet në deklaratën, e cila deri më tani është nënshkruar nga rreth 200 mijë njerëz.

    Groenlanda, një nga dy rajonet autonome së bashku me Ishujt Faroe nën Mbretërinë e Danimarkës, ndodhet 2 900 kilometra larg Danimarkës.

  • Kosova mbajti zgjedhje të qeta, Misioni i KiE kritikon Qeverinë për gjuhën negative kundër mediave

    Kosova mbajti zgjedhje të qeta, Misioni i KiE kritikon Qeverinë për gjuhën negative kundër mediave

    Shefja e Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve, Nathalie Loiseau, ka vlerësuar zhvillimin e zgjedhjeve, duke theksuar se dita e zgjedhjeve nw Kosovw ishte e qetë dhe se “votuesit kishin mundësi të votonin në kushte të mira”. Ajo shtoi se këto janë sinjale pozitive që tregojnë përkushtimin e qytetarëve ndaj demokracisë.

    Në një konferencë për media, Loiseau ka thënë po ashtu se deklaratat e emisarit të Administratës Trump për Misione të Posaçme, Richard Grenell, ku kritikoi kryeministrin aktual Albin Kurtin, ‘mund të përshkruhet si me diçka me ton jo shumë diplomatik’.

    Derisa ka shprehur shqetësimin e saj për gjuhen negative nga partia aktuale në pushtet, LVV kundër mediave dhe gjyqësorit. Loiseau nënvizoi se duhet të ketë transparencë të plotë për ato që nuk po shkojnë si duhet, derisa ka folur për vështirësitë gjatë fazës së numërimit.

    “Në përgjithësi dita e zgjedhjeve ishte e qete dhe votuesit kishin mundësi të votonin me kushte të mira. Këto janë sinjale që qytetarët janë të përkushtuar ndaj demokracisë…Numërimi akoma nuk ka filluar në qendrat komunale të numërimit…Fazat kritike të procesit zgjedhor ende mbeten për t’u zhvilluar, përderisa vëzhguesit tanë kanë vlerësuar votimin në përgjithësi si pozitiv, vështirësi në zbatimin e procedurave janë bërë të dukshme gjatë fazës së numërimit. Ne kemi vëzhguar që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pasur sfida sa i përket punësimit, trajnimit dhe prokurimit. Kjo mund të ketë shkaktuar vonesa të konsiderueshme të cilat tani janë të pamohueshme. Duhet të ketë transparencë të plotë për ato gjëra nuk po shkojnë si duhet dhe pse. Zgjedhjet, përfshirë edhe në ditën e zgjedhjeve kanë qenë të qeta pa ndonjë incident të dukshëm. Fushata ishte mjaft konkurruese, megjithatë polarizimi dhe ndarja e thellë ishte evidente në retoriken e ashpër të fushatës. Ka pluralitet në listën e vendvotimeve, përfshirë edhe nga komunitet jo shumicë të cilat dua t’i theksoi, por edhe resurse me qasjen në media qojnë në mungesën e një terreni të barabartë”, deklaroi Loiseau.

    Para gazetarëve, derisa foli për procesin zgjedhor, ajo ka thënë se gjatë bashkëbisedimit disa raportuan për presion nga anëtarët e Listës Serbe mbi votuesit, duke shtuar se kishte ndërhyrje të vazhdueshme dhe të përsëritur nga Serbia.

    Derisa shqetësuese ka thënë për mediat se mbetët gjuha negative nga partia në pushtet.

    “Numri i partive të serbëve të Kosovës mund të shihet si diçka pozitive, por prioriteti i mirëfilltë politik është ende larg. Grupet zgjedhore duhet të mbesin të pavarura nga ndikimet politike, megjithatë, ne kemi parë raste të politizimit të komisionit qendror të zgjedhjeve gjatë procesit zgjedhor. Kemi vërejture një shqetësim, bllokimin e KPM-së i cili ja pamundësoj atij të marrë ndonjë vendim gjatë fushatës. Në anën tjetër paneli zgjedhor për ankesa dhe parashtresa, PZAP është përballur me një vëllim të madh të rasteve dhe demonstroi aftësinë e tij për të marrë vendime të shpejta. Ne kemi vërejtur me brengosje gjuhen negative nga partia në pushtet kundër medias dhe gjyqësorit. Bojkotimi i mediumeve specifike dhe debateve po ashtu ka kontribuuar në uljen e mundësive për votuesit që të bëjnë zgjedhje të mira dhe të informuara. Megjithatë, transmetuesit kanë dhënë kohë të barabartë për të gjitha partitë, por kjo nuk është shfrytëzuar nga të gjithë. Fushata në komunat kosovare me shumicë serbe ishte më e përmbajtur krahasuar me komunat tjera. Shumë bashkëbiseduese raportuan për presion nga anëtarët e Listës Serbe mbi votuesit dhe kishte ndërhyrje të vazhdueshme dhe të përsëritur nga Serbia”, ka shtuar ajo.

    Ndërsa, Loiseau ka përmendur edhe deklaratat e emisarit special të SHBA-ve, Richard Grenell, sipas saj, “të njëjtat mund të përshkruhen si me diçka me ton jo shumë diplomatik”.

    “Po ashtu kemi qenë dëshmitar të ndërhyrjeve nga emisari special i SHBA-ve, Richard Grenell në mediat sociale ku kritikoi kryeministrin Kurti, kjo mund të përshkruhet si me diçka me ton jo shumë diplomatik. Sa i përket pjesëmarrjes së grave, legjislacioni i Kosovës duhet të harmonizohet më tej. Kuota aktuale është respektuar, por nuk ka quar në përmirësim të dukshëm të numrit të grave, kandidate për më tej. Votimi jashtë Kosovës pati përmirësime, por votimi në ambasada u përdor për herë të parë. Ne do të vazhdojmë vëzhgimin tonë deri ën fund të tërë procesit zgjedhor”, nënvizoi Loiseau.

    Zgjedhjet parlamentare në Kosovë u mbajtën të dielën, më 9 shkurt. /kp

  • Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për dy të pandehur

    Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për dy të pandehur

    Prokuroria Speciale e Kosovës, pas zhvillimeve të hetimeve, ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, ndaj dy të pandehurve.

    Sipas Prokurorisë i pandehuri M.M, akuzohet se me veprimet e tij ka kryer veprën penale: “Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike”.

    “Ndërkaq, i pandehuri S. N. akuzohet se me veprimet e tij ka kryer veprën penale: “Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike”, neni 268, paragrafi 1, lidhur me nenin 31, dhe lidhur me nenin 275, paragrafi 1, pika 1.9, Kodi Penal i Republikës së Kosovës, Nr. 06/L-074, Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1, Kodi Penal i Republikës së Kosovës, Nr. 06/L-074”, thuhet në njoftim.

    Në fund thuhet se kjo çështje penale tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme.

  • Kështu pritet të shpërndahen ulëset në Kuvend, por a mund të ketë ngërç politik?

    Kështu pritet të shpërndahen ulëset në Kuvend, por a mund të ketë ngërç politik?

    Në bazë të rezultateve preliminare të Komisionit Qendror Zgjedhor për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje pritet t’i ketë 47 deputetë në Kuvendin e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës 25, Lidhja Demokratike 20, koalicioni AAK-Nisma me tetë deputetë, si dhe komunitetet jo shumicë 20 deputetë.

    Megjithatë, me numërimin e rreth 100 mijë votave nga diaspora dhe atyre me kusht, partia e Albin Kurtit, në koalicion me Guxo dhe Alternativa, konsiderohet se mund t’i fitojë edhe dy deri në tre deputetë më shumë – varësisht prej përqindjes së fitimit të votave nga diaspora.

    Pavarësisht kësaj, nga analistët politikë konsiderohet se LVV-ja do ta ketë të vështirë të formojë e vetme qeverinë. Sipas tyre, një koalicion mes LVV-së dhe partive të tjera shqiptare është vështirë i mundshëm. Rrjedhimisht, mund të ketë një ngërç në formimin e qeverisë së ardhshme.

    KQZ ka numëruar 99.17 qind për qind të votave nga 2,512 qendra votimi nga gjithsej 2.533, sipas të cilave vazhdon të prijë Lëvizja Vetëvendosje me 40.83 për qind ose 339 mijë 350 vota.

    PDK-ja renditet e dyta me 22.15 për qind ose 184 mijë e 40 vota, LDK-ja e treta me 17.59 për qind ose 146 mijë 241 vota, ndërkaq, AAK-NISMA-Konservatorët-Intelektualët-Ideal renditet subjekti i katërt me 7.47 për qind ose 62 mijë e 66 vota.

    Hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli tregon për KosovaPress – në bazë të këtyre rezultateve – sa deputetë mund të marrin partitë politike në Kuvendin e Kosovës.

    Ai jep edhe skenarin se si Lëvizja Vetëvendosje mund t’i fitojë 51 deputetë dhe me ndihmën e komuniteteve jo serbe në Kuvend ta formojë qeverinë.

    “Përbërja e Kuvendit do të jetë e tillë që Lëvizja Vetëvendosje pritet t’i kenë 47 deputetë, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 25 deputetë, Lidhjes Demokratike të Kosovës me 20 deputetë, si dhe koalicioni i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës me Nismën dhe disa parti të tjera pritet t’i kenë tetë deputetë. Megjithatë, fakti që kemi rreth 100 mijë vota ende në kalkulim, përfshirë 80 deri 90 mijë vota të cilat janë duke ardhur nga jashtë vendit dhe të paktën 20 mijë vota nga votimi me kusht, rezultati mund të kenë ndryshime por duhet theksuar se do të jenë margjinale. Votat e diasporës në versionin më pozitiv për ndonjë parti, në këtë rast për LVV-në që ka trend më të mirë sesa brenda vendit mund të jetë dy deri të tre deputetë maksimalisht. Madje tre deputetë apo katër për t’i bërë 51 mandate i bie që duhet të fitojë gati 90 apo 100 për qind të votave të diasporës. Kjo është më e pamundur. Në skenarin më realist kur LVV-ja do t’i marrë 60 apo 70 për qind të votave, siç ka bërë rëndom, atëherë numri i mandateve të LVV-së mund të arrijë deri 49. Por kjo nuk është e sigurt, në varësi sesi do të performojnë PDK-ja dhe LDK-ja. Pra LVV-ja në këto zgjedhje do të ketë një rezultat që varion 47-49 deputetë maksimalisht”, thekson Cakolli.

    Në anën tjetër, analistja politike, Magbule Shkodra thotë për KosovaPress se fjalori i ashpër i Kurtit në fushatë kundër PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, tregon se ai nuk dëshiron koalicion me asnjërën parti.

    Sipas saj, rënia në vota e LVV-së dhe mossigurimi i numrave të nevojshëm në Kuvend, mund të sjell vendin në një situatë të paqartë dhe krizë politike.

    “Ndonëse Lëvizja Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve me atë çka kam parë nga paraqitjet e zotëri Kurtit dhe veçanërisht në atë në orën 00:00 të natës në ditën e zgjedhjeve, duket se ai nuk dëshiron të bashkëpunojë me opozitën dhe i ka mbyllur derën opozitës dhe dëshiron të qëndrojë i vetëm. Kosova se ka luksin që të shkojë në ndonjë ngërç politik, ku do të mbesim të bllokuar dhe pa qeveri, ndërsa në anën tjetër jemi në një momentum të rëndësishëm. Nëse shohim një fotografi më të gjerë politike se çka po ndodh në botë, ne nuk e kemi luksin që të jemi pa qeveri dhe persona përgjegjës që i prijnë shtetit të Kosovës”, deklaron Shkodra.

    Mirëpo, profesori i shkencave politike, Dritëro Arifi thotë për KosovaPress se rezultati i zgjedhjeve të 9 shkurtit është i qartë dhe se krizë politike mund të ketë vetëm nëse partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje e dëshiron një gjë të tillë.

    Sipas tij, LVV-ja e ka primatin për të formuar qeverinë dhe se numrat i ka në Kuvend që bashkë me pakicat, përfshirë Listën Serbe të themelojë qeverinë.

    “Është shumë thjeshtë dhe qartë. Kemi Kushtetutën, janë disa rregulla, ku partia e parë e ka primatin për të udhëhequr lojën dhe numrat janë aty. LVV-ja i ka numrat për ta bërë qeverinë me pakicat dhe Listën Serbe. LVV-ja duhet të bëjë qeverinë dhe duhet të krijohet një standard dhe kur janë numrat aty është edhe më e lehtë. Krizë ka vetëm nëse ne dëshirojmë të shohim krizë. Numrat janë aty, LVV-ja është partia e parë dhe ajo mund të bëjë qeverinë me pakicat, përfshirë Listën Serbe”, thekson Arifi.

    Në bazë të rezultateve të deritanishme nuk është mohuar mundësia që partitë opozitare, PDK, LDK, AAK së bashku me komunitetet jo shumicë, të formojnë qeverinë, dhe Lëvizja Vetëvendosje – përkundër fitores në zgjedhje – të mbetet në opozitë.

    Gatishmërinë për një gjë të tillë e kanë shprehur në PDK dhe AAK, ndërkaq në LDK kanë thënë se do të dalin me një qëndrim pas diskutimeve me struktura./kp

  • Nuk ka nis ende numërimi i votave për deputetë në Prishtinë e Obiliq

    Nuk ka nis ende numërimi i votave për deputetë në Prishtinë e Obiliq

    Në Qendrën e Numërimit në Obiliq ende nuk ka filluar procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë dhe ri konfirmimi për subjekte politike, ani pse ishte planifikuar të nis në orën 16:00.

    Po ashtu edhe në Qendrën e Numërimit në Prishtinë ende nuk ka nis ky proces i paralajmëruar nga KQZ.

    Sa i për ketë asaj të Obliqit, numërimi pritet të bëhet së sallën e sportit në Gjimnazin “17 shkurti”, derisa të pranishëm janë vëzhgues të Bashkimit Evropian, pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe kryesues e anëtarë të kësaj qendre nga disa subjekte politike.

    Aktualisht po verifikohen kryesuesit dhe anëtarët subjekteve politike.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve fillimisht kishte planifikuar që ky numërim të niste sot në Qendrat Komunale të Numërimit në gjithë vendin, por kjo nuk ndodhi.

    Ky numërim po nis sot vetëm për katër komunat e Kosovës, saktësisht në Prishtinë, Lipjan, Obiliq e Partesh.

  • ​Begaj në Mal të Zi, takime me përfaqësues të shqiptarëve në qeveri dhe parlament

    ​Begaj në Mal të Zi, takime me përfaqësues të shqiptarëve në qeveri dhe parlament

    Gjatë vizitës zyrtare në Mal të Zi, Presidenti i Republikës Bajram Begaj zhvilloi takime me përfaqësues të shqiptarëve në qeveri dhe parlament.

    Kreu i Shtetit diskutoi me ta për forcimin politik të faktorit shqiptar në Malin e Zi dhe zhvillimin ekonomik të komunave ku jetojnë shqitarët etnikë.

    “Kënaqësi e veçantë të takohesha me zëvendëskryeministrin e Malit të Zi, Nik Gjeloshaj,

    aktualisht përfaqësuesi më i lartë shqiptar në qeveri. Diskutuam për zhvillimet pozitive në forcimin e bashkëpunimit midis dy vendeve dhe shprehëm besimin se në fushën ekonomike dhe të ndërlidhjes infrastrukturore ka mundësi akoma të pashfrytëzuara që presin të konkretizohen në të ardhmen”, shkroi Presidenti Begaj në rrjetet sociale pas takimin me Gjeloshaj.

    Po ashtu Presidenti Begaj zhvilloi në Ambasadën e Shqipërisë në Podgoricë, takime me përfaqësuesit e shqiptarëve në Parlamentin e Malit të Zi.

    “Në ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Podgoricë, me një takim vëllazëror grup-deputetësh shqiptarë në Parlamentin e Malit të Zi. Diskutuam për faktorizimin politik të shqiptarëve në Malin e Zi dhe prioritetet e zhvillimit ekonomik nëpërmjet projekteve ndërkufitare të zonave ku banojnë shqiptarët etnikë”, shkroi Presidenti Begaj.

    Presidenti i Republikës informoi edhe mbi takimin me nënkryetarin e Parlamentit Nikoll Camaj.

    “Kënaqësi të takoja nënkryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, politikanin shqiptar me një eksperiencë të vyer, Nikoll Camaj. Ndamë bashkë mendimet mbi forcimin politik dhe ekonomik të shqiptarëve etnikë që jetojnë këtu, urë solide lidhëse mes dy popujve”, tha Begaj.

  • Trump nga Ukraina kërkon toka me minerale të rralla në vlerë prej 500 miliardë dollarë

    Trump nga Ukraina kërkon toka me minerale të rralla në vlerë prej 500 miliardë dollarë

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump i kërkoi Ukrainës toka me minerale të rralla në vlerë prej 500 miliardë dollarë në këmbim të ndihmës që i japin Ukrainës.

    Ai tha se Ukrainës i kanë dhënë “qindra miliardë” dollarë. “Atyre u thashë se dua elemente të rralla me vlerë prej 500 miliardë dollarë. Edhe ata e pranuan këtë. Të paktën tashmë nuk ndihemi më budallenj. Përndryshe do të dukemi si budallenj. Unë u thashë atyre: ‘Duhet të marrim diçka. Ne nuk mund të vazhdojmë t’i paguajmë këto para’”, tha Trump, përcjell AA.

    Në deklaratën e tij më 3 shkurt, Trump pohoi se ndihmat ushtarake dhe të tjera që i dhanë Ukrainës kishin arritur shuma të mëdha dhe se ata donin të merrnin elemente të rralla nga ai vend në këmbim.

  • ATV shpall konkurs për Agjent Marketingu

    ATV shpall konkurs për Agjent Marketingu

    ATV shpall konkurs për pozitën e Agjentit të Marketingut, duke ofruar një mundësi të shkëlqyer për të gjithë ata që duan të jenë pjesë e një ekipi dinamik dhe inovativ.

    Nëse keni aftësi të shkëlqyera komunikuese, përvojë në shitje dhe dëshirë për të zhvilluar karrierën tuaj në një mjedis sfidues dhe motivues, aplikoni tani!

    Për të aplikuar, dërgoni dokumentet e nevojshme në adresën elektronike: [email protected], me subjektin “Aplikim për Agjent Marketingu”.

    Detyrat dhe përgjegjësitë:

    Të hulumtojë tregun dhe të gjejë klientë të rinj
    Të vizitojë klientët dhe të bëjë prezantimin e ofertave /shërbimeve të ATV
    Të përgatisë raporte për aktivitetin e punës dhe t’ i raportojë shefit të marketingut

    Shkathtësitë që kërkohen dhe kriteret që duhen plotësuar:

    Të ketë mbaruar studimet universitare
    Të jetë komunikativ dhe të ketë vetiniciativë
    Të ketë përvoje pune në shitje
    Të jetë fleksibil dhe i përgatitur për t’u përshtatur në çdo situatë
    Të posedojë patentë shoferi

    Dokumentet e nevojshme për aplikim:

    CV-në së bashku me foto
    Dëshmi mbi përvojën e punës në fushën përkatëse;
    Certifikatat e trajnimeve eventuale;

    Aplikimi bëhet përmes e-mailit – [email protected]
    Aplikacionet mund t’i dërgoni deri me datën 17 shkurt 2025.

    konkurs per agjent marketingu ne atv

  • Transparency International: Kosova shënoi përparim të lehtë në luftimin e korrupsionit

    Transparency International: Kosova shënoi përparim të lehtë në luftimin e korrupsionit

    Kosova ka shënuar përparim në lehtë në luftimin e korrupsionit më 2024, sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit, të përpiluar nga organizata ndërkombëtare, Transparency International.

    Këtë vit, Kosova është vlerësuar me 44 pikë, për dallim nga 41 pikë sa kishte më 2023.

    Indeksi radhit çdo vit 180 shtete dhe territore të botës në bazë të nivelit të perceptuar të korrupsionit në sektorin publik. Ai përdor një metodologji pikësh, sipas së cilës zero tregon për një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100 për një vend të pastër nga kjo dukuri.

    Kosova është renditur në mesin e shtatë shteteve që në pesë vjetët e fundit kanë përmirësuar shifrat e tyre në raportin e kësaj organizate.

    Sipas raportit të publikuar më 11 shkurt, shumica e vendeve të Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore dështojnë që të ndëshkojnë korrupsionin e nivelit të lartë, apo edhe të ruajnë integritetin gjyqësor, pasi degët tjera të Qeverisë dhe grupet e interesit shtrijnë ndikimin e tyre.

    Këto rajone vazhdojnë të kenë mesataren më të ulët në vendet që mbulon Indeksi – 35 nga 100 – për luftim të korrupsionit.

    Sa u përket vendeve të rajonit, edhe Shqipëria ka shënuar rritje, me 42 pikë nga 37 sa ka pasur në vitin paraprak, ndonëse Qeveria shqiptare është përmendur si shembull kur injorohet interesi publik dhe shfrytëzohen legjislacione speciale për të shmangur kontrollin në investime me shuma të mëdha.

    Ajo përmendet për arritjen e marrëveshjeve për investime, në vlerë të miliarda dollarëve, që mund të rrezikojnë shkatërrimin e shtratit të lumit Vjosa.

    Ky shtet, megjithatë, është lavdëruar për punën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për, siç është thënë, kthimin e besimit të njerëzve në drejtësi, pas ngritjes së padive për ish-ministra, pjesëtarë të parlamentit dhe zyrtarë tjerë.

    “SPAK vazhdon të hetojë ish-presidentin, ish-kryeministrin dhe zyrtarë tjerë publikë të nivelit të lartë”, është thënë në raport, si referencë për ish-presidentin Ilir Meta, ish-kryeministrin Sali Berisha dhe ish-zëvëndëskryeministrin Arben Ahmetaj.

    Nga vendet tjera të rajonit, Maqedonia e Veriut ka shënuar rënie, duke u vlerësuar me 40 pikë, dy më pak se vitin 2023, Serbia ka shënuar po ashtu rënie, me 35 pikë, një më pak se vitin paraprak, Bosnje-Hercegovina është vlerësuar me 33 pikë, dy më pak se më 2023, ndërsa Mali i Zi është vlerësuar njëjtë sikurse vitin paraprak, me 46 pikë, raporton REL.

    Në krye të listës së këtij Indeksi janë si rëndom, Danimarka, Finlanda dhe Singapori, ndërsa në fund, si vende me probleme të thella në luftim të korrupsionit, janë Sudani i Jugut, Somalia, Venezuela dhe Siria.

  • Loiseau: Deklaratat e Grenellit ishin ndërhyrje në zgjedhjet në Kosovë

    Loiseau: Deklaratat e Grenellit ishin ndërhyrje në zgjedhjet në Kosovë

    Shefja e Misionit të Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në Kosovë, Nathalie Loiseau, ka kritikuar ndërhyrjen e Richard Grenell disa ditë para zgjedhjeve, duke e quajtur atë jodiplomatike dhe të papranueshme, raporton Ekonomia Online.

    Loiseau vuri në dukje gjithashtu gjuhën negative të partisë në pushtet ndaj medias, ndërsa theksoi se transmetuesit kishin ofruar kohë të barabartë për të gjitha partitë.

    Ajo vlerësoi ditën e zgjedhjeve si të qetë, por nënvizoi se fazat kritike të procesit, si numërimi i votave, ende kërkojnë transparencë të plotë.

    “Kemi vërejtur me brengosje gjuhën negative nga partia në pushtet ndaj medias. Transmetuesit kanë dhënë kohë të barabartë për të gjitha partitë. Transmetuesi publik ka mundur të kontribuojë më shumë me komunitetet. Fushata në komunat me shumicë serbe ishte më e përmbajtur se në komuna tjera. Kemi pasur ndërhyrje nga Grenelli që kritikoi kryeministrin Kurti, kjo mund të vlerësohet si diçka jodiplomatike”, ka thënë ajo, në një konferencë për media ku ka folur për procesin zgjedhor të 9 shkurtit.

    Tutje, Loiseau vlerësoi ditën e zgjedhjeve si të qetë, por nënvizoi se fazat kritike të procesit, si numërimi i votave, ende kërkojnë transparencë të plotë.

    “Dua të përgëzoj votuesit që morën pjesë në këto zgjedhje historike pas një mandati të plotë. Këto janë zgjedhjet e para pas ndryshimeve të ligjit në të cilin ka pasur rekomandime të BE-së. Në përgjithësi dita e zgjedhjeve ishte e qetë. Fazat kritike të procesit zgjedhor ende mbeten për tu përfunduar. Vështirësitë janë bërë të dukshme gjatë fazës së numërimit. KQZ-ja ka pasur sfida gjatë punësimit, trajnimit dhe prokurimit. Duhet të ketë transparencë të plotë për ato gjëra që nuk po shkojnë si duhet dhe pse”, ka thënë ajo.