ATV

Category: Lajme

  • Bojkotimi i marketeve në Kosovë vazhdon edhe në fundjavë

    Bojkotimi i marketeve në Kosovë vazhdon edhe në fundjavë

    Të hënën edhe në Kosovë ka filluar fushata për bojkotimin e marketeve të mëdha për shkak të çmimeve të larta, bojkot ky i cili do të vazhdojë edhe në fundjavë më 15-16 shkurt.

    Sipas organizatorit, Xhevat Kastrati ky bojkot vjen si pasojë e rritjes së çmimeve.

    “Rritja enorme e çmimeve viteve të fundit, mashtrimet me çmime të ndryshme për produkte të caktume si dhe iniciativat tjera të rajonit”, tha Kastrati

    Sipas Kastratit gjatë 10 shkurtit në Kosovë rreth 10 mijë qytetarë i janë bashkuar kësaj fushate.

    Më këtë fushatë kërkohet që të ulen çmimet e ushqimeve bazike e disa kërkesa të tjera.

    “Ne kërkojmë: Ulje afatgjate të çmimeve nga marketet, investigim nga mediat dhe organet kompetente për mashtrimet me çmime, rregullim ligjor për çmime përmes aplikimit të ligjit për çmimet tavan, transparencë më të lartë për qytetarët në lidhje me lëvzizjen e çmimeve”, tha ai.

    Mbështetje për këtë fushatë ka dhënë edhe Selatin Kaçaniku, drejtor i Shoqatës “Konsumatori”.

    “Është iciativë e duhur, e qëlluar, e provokuar me çmime spekulative për 25 vite me rradhë”, tha Kaçaniku për rtv21.

    Sipas Kaçanikut ky bojkot mund të sjell rezultat.

    “Ligjet, standardet…edhe dinjiteti i qytetarit konsumator taksapagues – edhe pa parti e institucione, pa Qeveri, pa Kuvend, pa ministri e institucione, agjenci, mekanizma…po vie në shprehje. Po e jep rezulatin e parë: Populli, sovrani, publiku, qytetari konsumator taksapagues…jep detyra, ndërsa Kuvendi, Qeveria…të gjithë të tjerët duhet të jenë në shërbim të tyre e jo në shërbim të vetvetes dhe të intereseve të ngushta”, tha ai.

    Në ndërkohë, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), inflacioni mesatar për vitin 2024 ka qenë 1.6%, në vitin 2023 ka qenë 4.9%, ndërsa në vitin 2022 ishte 11.6%.

    Paga mesatare në Kosovë për vitin 2023, sipas ASK-së, ka qenë 506 euro neto. Në sektorin publik paga mesatare është 630 euro neto, ndërsa në sektorin privat 459 euro. Të dhëna për vitin 2024 nuk ka ende.

    Qeveria në tetor të vitit 2022 kishte miratuar Ligjin për Çmimet Tavan në Produktet Bazë, por opozita e kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Kjo Gjykatë në nëntor të vitit 2023 e kishte shpallur të pavlefshëm.

    Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, deficiti tregtar në dhjetor të vitit 2024 ka qenë 17.5%. Sipas ASK-së, eksporti në dhjetor ka qenë 69 milionë euro, ndërsa importi 631.1 milionë euro.

  • Erion Veliaj nesër del para gjykatës

    Erion Veliaj nesër del para gjykatës

    Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj do të dalë nesër para Gjykatës së Posaçme Anti-Korrupsion.

    Seanca gjyqësore ndaj Veliajt do të mbahet në ora 08:30.

    Ai u arrestua dje me kërkesë të SPAK-ut, ndërsa gjykata vendosi masën e ndalimit arrest me burg.

    “Duke patur parasysh interesin që ka në media dhe në publik procedimi penal nr. 27, i vitit 2024, rregjistruar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në ngarkim të personave nën hetim Erjon Veliaj, etj…, ju njoftojmë se seanca e marrjes në pyetje për personat nën hetim Erjon Veliaj, Ajola Xoxa, Elman Abule, Gentjan Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi dhe Shkëlqim Fusha për të verifikuar kushtet dhe kriteret e caktimit të masës dhe nevojat e sigurimit është caktuar me datë 12.02.2025, ora 08:30”, thuhet në njoftim

  • QKUK: Gjatë vitit 2024, mbi 4 mijë e 500 pacientë operuan sytë

    QKUK: Gjatë vitit 2024, mbi 4 mijë e 500 pacientë operuan sytë

    Mbi 4 mijë e 500 pacientë janë operuar në Klinikën e Syve, të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), gjatë vitit 2024.

    Në njoftimin e bërë nga QKUK thuhet se ky numër është rritur për 500, krahasuar me vitin paraprak.

    “Rritja e numrit të operacioneve dhe performancës është bërë falë investimeve që janë bërë nga Ministria e Shëndetësisë dhe ShSKUK, qoftë në investimet në infrastrukturë, poashtu edhe në resurse humane dhe pajisje mjekësore”, thuhet në njoftim.

    Tutje, theksohet se në këtë klinikë janë kryer edhe mbi 45 mijë vizita ambulantore specialistike dhe sub-specialistike në profile të ndryshme oftalmologjike.

    “Duhet theksuar se në këtë klinikë është rritur edhe gama dhe llojet e operacioneve, përfshirë edhe ato më të komplikuara, që ka mundësuar që referimet për trajtim jashtë vendit të ulen dukshëm”, vijon njoftimi.

  • Prokuroria në Prizren kërkon paraburgim për Fikrim Damkën dhe nipin e tij

    Prokuroria në Prizren kërkon paraburgim për Fikrim Damkën dhe nipin e tij

    Prokuroria Themelore e Prizrenit ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të kryetarit të KDTP-së, Fikrim Damka dhe nipit të tij, F.D., të cilët dyshohen për kryerjen e veprave penale të sulmit dhe kanosjes.

    Sipas kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Petrit Kryeziu, kjo kërkesë është paraqitur në seancën për caktimin e masës së sigurisë, që është mbajtur në Gjykatën Themelore të Prizrenit.

    Ndërkohë gjatë ditës pritet vendimi i Gjykatës Themelore të Prizrenit lidhur me caktimin e masës së sigurisë.

    Ndryshe, një ditë më parë kryeprokurori në Prizren, Petrit Kryeziu ka bërë të ditur se tre persona dyshohen për rastin e sulmit dhe kanosjes ndaj anëtarëve të YTHP-së në Prizren, ndërkohë që për dy prej tyre është nxjerrë vendimi për ndalimin 48 orësh.

    Në këtë rast të ndaluarit janë Fikrim Damka, kryetar i KDTP-së dhe ministër i MZhR-së dhe nipi i tij, F.D.

    Kryeziu ka theksuar se rasti dyshohet se ka ndodhur të dielën me 9 shkurt.

    “Në ditën e zgjedhjeve kemi pasur një rast ku rreth orës 18:30 janë paraqitur dy ankues, në cilësinë e viktimave, një grua dhe një burrë, duke pretenduar se janë viktima të një sulmi dhe të një kanosjeje për jetë”, ka thënë Kryeziu.

    Sipas tij pas kësaj informate bashkë me hetuesit policorë janë ndërmarrë veprime në vendin e ngjarjes dhe janë siguruar prova personale dhe materiale. /Telegrafi/

  • Ngjarje e rëndë në Shkup: Vritet me armë zjarri 35-vjeçari shqiptar

    Ngjarje e rëndë në Shkup: Vritet me armë zjarri 35-vjeçari shqiptar

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë në Çair të Shkupit, ku një person ka mbetur i vrarë pas një përleshjeje me armë zjarri, ndërsa dy të tjerë kanë mbetur të plagosur. Mediat në Maqedoni kanë raportuar se viktimë e këtij rasti është shqiptari Hebib Bunjaku, shkruan Gazeta Sinjali.

    Sipas informacioneve nga MPB e Maqedonisë, 35-vjeçari Hebib Bunjaku ishte dërguar në spital pasi kishte marrë lëndime nga arma e zjarrit, ku edhe ka ndërruar jetë pasi nuk ka arritur t’iu mbijetojë plagëve të marra nga arma e zjarrit.

    “Më 11.02.2025 në orën 00.06 në SPB Shkup, nga spitali i qytetit ‘Shën Naumi i Ohrit” është denoncuar se tek ata, me lëndime nga arma e zjarrit janë sjell H.B (35) dhe A.D. (35) që të dy nga Shkupi, dhe se më vonë H.B ka humbur jetën, ndërsa mbi A.D. është kryer intervenim dhe është ndaluar për mjekim. Pas masave të marra është konfirmuar se ata më herët kanë marrë pjesë në një përleshje të armatosur në rajonin e Çairit.

    Për shkak lëndimeve nga arma e zjarri në kompleksin e klinikave ‘Nënë Tereza’ në Shkup është sjellë edhe N.D. nga Shkupi. Po ashtu, pas masave të marra, ndërsa nën dyshimin se kanë marrë pjesë në përleshjen, zyrtarë policorë nga SPB në Shkup rreth orës 01.40 në spital e kanë arrestuar B.B. (39) nga Shkupi, në rajonin e Çairit e kanë arrestuar N.D (22) nga Shkupi, ndërsa pak më vonë janë gjetur dhe arrestuar edhe R.R (41) dhe K.T (28) që të dy nga Shkupi”, shkruhet në njoftimin e MPB-së.

    Mes tjerash, nga MPB kanë thënë se deri tek konflikti me armë zjarri dyshohet se ka ardhur pas një mosmarrveshjeje në komunikacion.

    Në lidhje me këtë rast, deri më tani janë arrestuar katër persona të dyshuar.

    “Po ashtu, pasi janë marrë masa dhe për shkak të dyshimit se kanë marrë pjesë në përleshjen e armatosur, zyrtarët policorë nga SPB-Shkup rreth orës 01:40 në spital kanë privuar nga liria B.B.(39) nga Shkupi, në rajonin e Çairit kanë privuar nga liria N.D. (22) nga Shkupi, ndërsa më pas janë gjetur dhe janë privuar nga liria R.R. (41) dhe K.T. (28), të dy nga Shkupi”, kanë thënë nga MPB.

  • Zogaj kërkon zbatim të sistemit audio dhe video nga gjykatat: Po dalim joseriozë përballë partnerëve ndërkombëtarë

    Zogaj kërkon zbatim të sistemit audio dhe video nga gjykatat: Po dalim joseriozë përballë partnerëve ndërkombëtarë

    Kryesuesi Albert Zogaj tha se po hezitohet në përdorimin e sistemit audio dhe video për proceset gjyqësore nga ana e gjykatave. Kjo gjë, sipas tij po bën që të dalin joseriozë para ndërkombëtarëve.

    “Duhet m’i mbajtë përgjegjës, këtu e fus edhe sistemin audio, ku kosto është mbi 5 milionë dollarë, e knej kemi hezitim në përdorim e tyre nga gjykatat, po dalim joseriozë te partnerët ndërkombëtarë”, tha Zogaj.

    Këtë deklarim, ai e bëri në mbledhjen e 342-të të KGJK-së të martën, gjatë raportimit të drejtorit të Sekretariatit të KGJK-së, Shkelzen Maliqi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Zogaj tha se në sistemin gjyqësor po vijon të mbizotërojë kryerja e punëve në mënyrë urgjente dhe se kjo kulturë duhet të largohet nga sistemi gjyqësor duke kërkuar planifikim të aktiviteteve, i cili garanton cilësi të proceseve.

    Kryesuesi përmendi edhe çështjet e sigurisë nëpër gjykata, duke ofruar mbështetjen e Këshillit për adresim të problemeve që mund të ketë pjesa e sigurimit të gjykatave.

    Ndërkaq, lidhur me cilësinë e të dhënave, Zogaj tha se tash e tutje nuk do të jetë më temë në Këshill dhe se një çështje e tillë i bartet Sekretariatit pasi që ka strukturën e nevojshme për trajtimin e çështjeve dhe vendosjen para përgjegjësisë të stafit në rast të gabimit në cilësinë e të dhënave.

    Po ashtu, Zogaj kërkoi që Sekretariati të fillojë përgatitjtet për Gjykatën Administrative dhe përmbushje të të gjitha rekomandimeve që rrjedhin nga Auditori i Brendshëm dhe ai i Jashtëm.

    Ndërkaq, drejtori Maliqi tha se nga ana e Sekretariatit nuk ka munguar dhe nuk do të mungojë vullneti për adresimin e çështjeve dhe përmbushjen e obligimeve.

    Lidhur me çështjet e Sekretariatit, foli edhe anëtari i Këshillit, Vilard Bytyqi, i cili tha se duhet të eliminohet përmendja e të njëjtave problematika që po e përcjellin Këshillin vit pas viti.

    Ndërkaq anëtari tjetër, Artan Abazi kërkoi të dijë se a janë përmbushur të gjitha objektivat e Sekretariatit dhe a ka pasur pengesa gjatë realizimit të objektivave. Me këtë rast, Maliqi tha se nuk ka pengesa dhe se objektivat janë tejkaluar.

    Tutje, mbledhja vazhdoi me raportimin nga ushtruesi i detyrës së Njësisë për Inspektim Gjyqësor, Dul Gjocaj, i cili tha se si Njësi kanë nevojë për staf mbështetës dhe se janë të angazhuar nëpër tema të ndryshe për inspektim.

    Lidhur me punën e Njësisë, Bytyqi tha se Njësia duhet të largohet nga disa role teknike dhe duhet të futet në thelbin e çështjes që kanë për trajtim sipas legjislacionit.

    Ndërkaq, anëtari tjetër i Këshillit, Fahret Vellija tha se duhet të punojnë që të kenë një databazë të të dhënave për çështje të ndryshe, si ato familjare, për korrupsion, duke kërkuar që të lehtësohet filtrimi i të dhënave kur ato nevojiten.

    Po ashtu, u paraqit edhe implementimi i aktiviteteve të Planit të Punës së KGJK-së për vitin 2024 nga drejtori i zyrës ligjore, Astrit Hoti, si dhe u themelua Komisioni për vlerësimin e performancës së ushtruesit të detyrës së kryetarit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Bekim Veliqi.

    Komisioni do të ketë këtë përbërje: Teuta Ibrahimi- kryesuese, Ahmet Imami dhe Artan Abazi- anëtarë, si dhe Vilard Bytyqi dhe Besnik Bislimaj- anëtarë rezervë.

    Në fund, Këshilli bëri ndryshimin e vendimit KGJK.nr.29/2025 të datës 24 janar 2025, në lidhje me përbërjen e Komisionit vlerësues për konkursin “Gjyqtar mbikëqyrës në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës”, duke e vendosur Arjeta Sadikun anëtare të komisionit.

    Ndërkaq, u tërhoq nga rendi i ditës shqyrtimi i raportit mbi pozitat e shpallura për administratorë të gjykatës, si dhe me dyer të mbyllura vijoi mbledhja për themelim të një paneli hetimor për një rast disiplinor.

  • Selimi: Deri në pranverë të ‘98-ës s’kishte nivele komanduese në mes Shtabit të Përgjithshëm dhe zonave të UÇK-së

    Selimi: Deri në pranverë të ‘98-ës s’kishte nivele komanduese në mes Shtabit të Përgjithshëm dhe zonave të UÇK-së

    Dëshmitari Sylejman Selimi pohoi se deri në pranverë të vitit 1998 nuk kishte nivele komanduese në mes Shtabit të Përgjithshëm dhe zonave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

    Këtë pohim, dëshmitari e bëri gjatë pyetjeve të mbrojtjes së Hashim Thaçit, përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Mishetiq fillimisht e pyeti dëshmitarin se çfarë ishte Grupi i Prekazit, ku ishte i përfshirë edhe vetë Sylejman Selimi.

    Ai tha se ky grup kryesohej nga Komandanti Legjendar, Adem Jashari, Hamëz Jashari dhe disa shokë të tjerë.

    “Sami Lushtaku, Sahit Jashari, Fadil Kodra, Nuredin Lushtaku, Zenun Kodra”, tha Selimi, kur u pyet se kush tjetër përveç tij bënte pjesë në këtë grup.

    Dëshmitari u pyet gjithashtu se a është e vërtetë që ka thënë se më ’97-ën ka dëgjuar për një Shtab të Përgjithshëm.

    “Gjithmonë kam dëgjuar për Shtabin e Përgjithshëm dhe anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm, por nuk i kam njohur dhe nuk e di se ku e kanë pasur selinë”, u përgjigj dëshmitari Sylejman Selimi.

    Selimi tha se publikisht si pjesëtar i UÇK-së ka dalë më 30 janar të 1997-ës, ndërsa kyçja e tij në këtë strukturë ka qenë më herët.

    Dëshmitari u përgjigj me “e saktë” kur u pyet se a është e vertetë që nga ’97-ta deri në mars të ’98-ës ka pasur vetëm një autoritet mbi të, e që ai ka qenë Adem Jashari.

    “Adem Jashari ka qenë gjithmonë prijësi dhe komandanti kryesor i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Sylejman Selimi.

    Përgjigja e tij nuk u dëgjua kur u pyet se a ka pasur ndonjë njohuri për ndonjë kontakt të drejtpërdrejtë të dëshmitarit me ndonjërin prej personave në Shtabin e Përgjithshëm.

    “Ka mundësi që jam taku me disa persona por nuk e kam ditë asnjëherë se çfarë pozicioni kanë edhe nuk e kam ditë. Më vonë e kam ditë që kanë qenë pjesëtarë ose anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm”, u përgjigj Selimi kur u pyet për kontaktet e tij me anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm.

    Sipas Mishetiq, në një deklaratë dëshmitari kishte thënë se në këtë kohë nuk kishte ndonjë strukturë të mirëfilltë të UÇK-së dhe as nuk kishte zona e as grupe.

    Dëshmitari pohoi se kjo është një përshkrim i saktë i UÇK-së deri në fillim të ’98-ës.

    Veç kësaj, ai pohoi se është e saktë të thuhet që ai së bashku me 10-15 ushtarë ishin vendosur nga Adem Jashari që ta mbronin një fshat të vetëm të Drenicës, e që ishte Açareva, konkretisht vendlindja e dëshmitarit.

    Pas kësaj, Mishetiq tha se dëshmitari ka deklaruar se deri në pranverë të ’98-ës nuk kishte nivele komanduese në mes Shtabit të Përgjithshëm dhe zonave.

    “E saktë është”, tha dëshmitari.

    Selimi pohoi se si zonë fshatarët janë mobilizuar që të mbrojnë fshatrat, duke u formuar në grupe të ndryshme dhe se vetë e kanë zgjedhur komandantin e zonës.

    “Në Zonën e Drenicës ka pas edhe disa grupe apo shokë të tjerë që kanë pasur edhe ata disa ushtarë të vet dhe i gjithë këtyre grupeve dhe individëve është ardhë deri tek një propozim për komandant Drenice. Në atë kohë janë quajtë pika ose edhe me shifra të ndryshme si Shkoza, ku kam qenë unë e kështu me radhë. Është e saktë”, tha dëshmitari.

    Ndryshe, Mishetiq njoftoi se sa i takon kohës, pyetjet e tij do të përfundojnë më shpejtë se sa që e kishte planifikuar.

  • Rënia e ueb-faqes së KQZ-së në ditën e zgjedhjeve, Prokuroria nis hetimet

    Rënia e ueb-faqes së KQZ-së në ditën e zgjedhjeve, Prokuroria nis hetimet

    Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmarrë veprime hetimore lidhur me çdo abuzim apo keqpërdorim të votave, pas rënies së ueb faqes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në ditën e zgjedhjeve.

    Kështu bëri të ditur kryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi.

    Zyra për Komunikim Publik e Prokurorisë Themelore në Prishtinë konfirmoi mëngjesin e së martë se tashmë po trajtohet çështja në fjalë.

    “Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar që Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente, të ndërmarrë veprime apo masa hetimore për secilin abuzim apo keqpërdorim të votave pas rënies së ueb-faqes së KQZ-së”, tha Gashi.

    Ndryshe, në mbrëmjen e 9 shkurtit, në ditën e zgjedhjeve janë hasur probleme në faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. /Telegrafi/

  • ​Ngrihet aktakuzë për kontrabandim me migrantë në Prizren

    ​Ngrihet aktakuzë për kontrabandim me migrantë në Prizren

    Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Q.K., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Kontrabandimi me migrantë”.

    Sipas aktakuzës, me datë 10 dhjetor 2024, në ora 22:25 në fshatin Vërmicë të Komunës së Prizrenit saktësisht në daljen nga autostrada ‘’Ibrahim Rugova’’ për në fshatin Vërmicë, i pandehuri merret me kontrabandim të migrantëve, në atë mënyrë që, derisa ishte duke e drejtuar automjetin e tij, ndalohet nga ana e Policisë Kufitare.

    I pandehuri sipas aktakuzës kishte qenë duke i bartur katër emigrantë (shtetas të Bangladeshit), për të cilët ishte pajtuar që për një shumë parash në vlerë prej 150 euro t’i dërgojë deri në Gjilan edhe pse sipas aktakuzës kishte qenë në dijeni se të njëjtit ishin futur ilegalisht në territorin e Kosovës.

    “Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit”, thuhet në njoftim.

  • Ndahet nga jeta gazetari dhe pronari i agjencisë së lajmeve “Ekonomia Online”, Faton Osmani

    Ndahet nga jeta gazetari dhe pronari i agjencisë së lajmeve “Ekonomia Online”, Faton Osmani

    Pronari i Agjencisë së Lajmeve Ekonomia Online, Faton Osmani, është ndarë nga jeta sot, në moshën 49-vjeçare.

    Lajmin e ka bërë të ditur EO përmes një njoftimi.

    “Faton Osmani do të mbahet mend për përkushtimin e tij ndaj gazetarisë së pavarur dhe për rolin e tij në zhvillimin e medias në vend.

    Para se të themelonte Agjencinë e Lajmeve “Ekonomia Online”, Osmani ka punuar në disa media vendore dhe ndërkombëtare të shkruara, si dhe televizione ku me punën e tij ka lënë gjurmë në zhvillimin e një gazetarie profesionale.

    Ngushëllimet tona më të sinqerta familjes, miqve dhe kolegëve të tij në këtë moment të vështirë.“