ATV

Category: Lajme

  • VV ankohet për pasaktësi në rezultatet e zgjedhjeve: 716 vota të regjistruara gabimisht

    VV ankohet për pasaktësi në rezultatet e zgjedhjeve: 716 vota të regjistruara gabimisht

    Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar një ankesë lidhur me pasaktësitë e vërejtura në rezultatet preliminare të zgjedhjeve.

    Sipas zëvendësministrit të Ekonomisë dhe anëtarit të VV-së, Getoar Mjeku, 716 vota të kësaj partie janë regjistruar gabimisht në favor të subjektit politik Partia Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar.

    Këto gabime janë evidentuar në disa vendvotime, përfshirë shkolla në Deçan, Gjilan, Istog, Prishtinë, Prizren dhe Zubin Potok.

    Në disa raste, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka asnjë votë të regjistruar, ndërsa Partia Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar ka marrë dhjetëra vota në vend të tyre.

  • Përplasje në qendrën komunale të numërimit në Prishtinë, intervenon policia

    Përplasje në qendrën komunale të numërimit në Prishtinë, intervenon policia

    Një situatë e tensionuar është krijuar në Qendrën Komunale të Numërimit në Prishtinë, ku ka ndodhur një përplasje mes vëzhguesve të partive politike.

    ATV ka siguruar një video ekskluzive, e cila është transmetuar në Edicionin Qendror të lajmeve, ku shihen momente kaotike nga salla “1 Tetori”, si dhe ndërhyrja e Policisë së Kosovës për të qetësuar situatën.

    Sipas gazetarit të ATV-së, Armand Hoti, përplasja ndodhi në tavolinën e numërimit numër gjashtë dhe përfshiu disa persona të pranishëm në proces.

    “Para vetëm pak minutash, këtu në sallë, ndodhi një përleshje mes vëzhguesve të partive politike. Arritëm ta kapim këtë moment në kamera, ku u desh edhe ndërhyrja e Policisë së Kosovës”, raportoi Hoti nga vendngjarja.

    Ai shtoi se disa nga të përfshirët në incident u shoqëruan nga policia dhe u larguan nga qendra e numërimit.

    “Incidenti nuk zgjati shumë dhe nuk pati ushtrim të madh dhune, por disa nga vëzhguesit tentuan të kapeshin me njëri-tjetrin për një çështje ende të paqartë”, shtoi gazetari i ATV-së.

    Ndërkohë, numërimi i votave për kandidatët për deputetë të Kuvendit të Kosovës ka nisur me vonesa dhe probleme teknike, duke shkaktuar pakënaqësi mes pjesëmarrësve në proces. Sistemi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) ka pasur ndërprerje, duke bllokuar numërimin në disa tavolina, gjë që ka shkaktuar tensione mes vëzhguesve dhe përfaqësuesve të partive politike.

    Organizata Demokracia në Veprim, e cila monitoron proceset zgjedhore, ka reaguar ndaj situatës, duke theksuar se problemet me numërimin mund të dëmtojnë besueshmërinë e zgjedhjeve.

    “Çdo vonesë dhe problem në numërimin e votave dëmton transparencën dhe ndikon në perceptimin publik për ndershmërinë e zgjedhjeve,” thuhet në reagimin e organizatës.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë thirrje për qetësi dhe për vazhdimin e procesit të numërimit në mënyrë të rregullt. Ndërkohë, policia ka mbetur në gatishmëri për të parandaluar incidente të tjera, ndërsa hetimet mbi përplasjen e ndodhur në tavolinën numër gjashtë po vazhdojnë. /atvlive.tv

    Momentin e përplasjes në sallën “1 Tetori” e gjeni në videon më poshtë:

  • Numërimi i votave të kandidatëve për deputetë po vazhdon më probleme të shumta në Prishtinë

    Numërimi i votave të kandidatëve për deputetë po vazhdon më probleme të shumta në Prishtinë

    Procesi i numërimit të votave për kandidatët për deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës ka nisur sot, por po përballet me probleme serioze. Gazetari i ATV-së, Armand Hoti, i cili po ndjek nga afër zhvillimet në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, raportoi se sistemi i numërimit është bllokuar në disa tavolina, duke shkaktuar vonesa të mëdha.

    “Në tavolinën e numërimit numër katër, sistemi është bllokuar totalisht dhe asnjë votë nuk është numëruar që nga ora 16:40,” ka bërë të ditur gazetari Hoti në një lidhje të drejtpërdrejtë në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV.

    Sipas tij, probleme të ngjashme janë shfaqur edhe në tavolina të tjera, ku vëzhguesit e partive politike kanë konfirmuar se procesi i numërimit ka hasur në vështirësi teknike për shkak të rënies së sistemit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

    Ky proces është karakterizuar nga vonesa të shumta. Fillimisht, KQZ-ja kishte njoftuar se numërimi do të niste në orën 08:00, por më pas u shty për në 16:00 dhe përfundimisht filloi në 16:40.

    Në lidhje me këto vonesa, Demokracia në Veprim, organizatë që monitoron zgjedhjet, ka shprehur shqetësimin se zvarritjet mund të ndikojnë në besueshmërinë e procesit zgjedhor.

    “Vonesa në numërimin e votave për kandidatët për deputetë do të ndikojë në perceptimin e qytetarëve për integritetin e këtij procesi,” është thënë në një reagim nga kjo organizatë.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media, ka njoftuar se pas përfundimit të numërimit të votave të rregullta, do të vazhdojë procesi për votat me kusht, votat nga diaspora dhe ato të personave me nevoja të veçanta.

    “Pasi të përfundojnë këto procedura, do të fillojë edhe numërimi i votave të tjera, përfshirë ato nga diaspora,” ka deklaruar Elezi.

    Një nga risitë në këtë proces zgjedhor është përdorimi i kamerave për të monitoruar numërimin, duke shfaqur votat e numëruara në ekrane si një masë për transparencë. Për herë të parë, numërimi po zhvillohet në qendrat komunale të numërimit, një ndryshim që synon rritjen e efikasitetit të procesit./atvlive.tv

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Kurti i drejtohet BE-së me një letër: Serbia po shtyp shqiptarët e Luginës së Preshevës

    Kurti i drejtohet BE-së me një letër: Serbia po shtyp shqiptarët e Luginës së Preshevës

    Kryeministri aktual i vendit, Albin Kurti, sot i ka dërguar një letër përfaqësueses së Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë të Komisionit Evropian, Kaja Kallas, duke denoncuar diskriminimin sistematik që Serbia po u bën shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

    Kurti, në letrën e tij thekson se shqiptarët e Luginës përballen me shtypje të vazhdueshme nga regjimi serb, përmes politikave që cenojnë të drejtat e tyre politike, administrative, ekonomike, kulturore dhe identitare.

    “Përmes një letre drejtuar Përfaqësueses së Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë njëherësh Zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, e kam informuar dhe kam denoncuar shtypjen e vazhdueshme të regjimit serb e Beogradit zyrtar ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Shkelja e të drejtave të njeriut është e llojit politik, administrativ, ekonomik, kulturor e identitar, duke rrezikuar sigurinë dhe ekzistencën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Gjersa në Kosovë komuniteti serb gëzon të drejta e liri, e një shtet që po i integron në sferat shoqërore, shqiptarët e Luginës së Preshevës përballen çdo ditë me diskriminim sistematik, pasivizim të adresave e spastrim etnik administrativ”, thuhet në letër dërguar përfaqësueses së Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë të Komisionit Evropian, Kaja Kallas.

    Më tej në këtë letër, Kurti ka thënë se mbi 10 për qind e qytetarëve shqiptarë janë fshirë nga listat e votuesve e nuk mund të ushtrojnë të drejtën themelore të votës. 30 deri në 70 për qind është niveli i papunësisë në zonat e banuara me shqiptarë, shumë herë më e lartë se mesatarja e vendit prej 12 për qind.

    “Mbi 10 për qind e qytetarëve shqiptarë janë fshirë nga listat e votuesve e nuk mund të ushtrojnë të drejtën themelore të votës. 30 deri në 70 për qind është niveli i papunësisë në zonat e banuara me shqiptarë, shumë herë më e lartë se mesatarja e vendit prej 12 për qind. Spitali rajonal në Vranjë nga mbi 1000 punëtorë i ka veç dy shqiptarë e në Medvegjë nga rreth 2000 punonjës komunalë veç 12 janë shqiptarë”, thuhet më tej në letër.

  • Përditësohen sërish të dhënat në uebfaqen e KQZ’së: Këto janë përqindjet e partive

    Përditësohen sërish të dhënat në uebfaqen e KQZ’së: Këto janë përqindjet e partive

    KQZ ka përditësuar sërish të dhënat për rezultatet preliminare pas procesimit të 99.53 për qind të vendvotimeve.

    VV: 40.89 për qind,

    PDK: 22.05 për qind,

    LDK: 17.62 për qind,

    AAK- Nisma: 7.46 për qind.

  • DnV: Numërimi i votave për kandidatë duhej të fillonte dje, vonesat janë të papranueshme dhe dëmtojnë besimin në procesin zgjedhor

    DnV: Numërimi i votave për kandidatë duhej të fillonte dje, vonesat janë të papranueshme dhe dëmtojnë besimin në procesin zgjedhor

    Demokracia në Veprim ka thënë se vonesat në numërimin e votave të kandidatëve janë të papranueshme dhe sipas tyre kështu dëmtohet besimi në procesin zgjedhor.

    DnV shton se procesi i numërimit të votave për kandidatë do duhej të fillonte dje.

    “Sipas legjislacionit në fuqi, në vendvotimet e rregullta, fillimisht numërohen vetëm votat për subjektet politike, ndërsa verifikimi i tyre dhe numërimi i votave për kandidatët e subjekteve politike duhet të nisë ditën pas zgjedhjeve. Procesi i numërimit të votave për kandidatët duhej të kishte filluar dje, të hënën në orën 08:00 të mëngjesit në 38 Qendrat Komunale të Numërimit (QKN). Megjithatë, për shkak të atyre që KQZ-ja i konsideron “probleme teknike dhe administrative”, ky proces ende nuk ka nisur deri në këtë moment. Vetëm sot, KQZ ka njoftuar se procesi do të fillojë në orën 16:00, por vetëm në katër komuna. Ky veprim është një improvizim që krijon përshtypjen se situata është nën kontroll, kur në fakt realiteti është ndryshe.”

    DnV ka kërkuar nga KQZ të ndajë informacione për ecurinë e procesit të numërimit dhe pranimit të fletëvotimeve nga jashtë përmes postës.

    “Demokracia në Veprim i bën thirrje KQZ-së që pa vonesa dhe në mënyrë transparente të ndajë informacione për ecurinë e procesit të numërimit në QKN  dhe pranimin e fletëvotimeve nga jashtë përmes postës. Gjithashtu, kërkojmë që KQZ-ja të angazhohet më intensivisht me të gjitha kapacitetet e saj, në mënyrë që të mos tejkalohen afatet ligjore dhe të mos krijohen vonesa që mund të ndikojnë në certifikimin e rezultateve. Duke mos i ndarë informatat me kohë dhe në mënyrë transparente, KQZ do të mund të dëmtojnë besimin e qytetarëve në rezultatet e zgjedhjeve, gjë që është e papranueshme, sidomos pas një dite të zgjedhjeve demokratike.”

  • SHBA dhe Britania e Madhe s’e nënshkruajnë deklaratën në samitin për AI

    SHBA dhe Britania e Madhe s’e nënshkruajnë deklaratën në samitin për AI

    Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe kanë refuzuar të nënshkruajnë deklaratën e samitit të AI në Paris për inteligjencën artificiale “gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme”, një goditje për shpresat për një qasje të bashkërenduar për zhvillimin dhe rregullimin e teknologjisë.

    Të dy vendet nuk shpjeguan arsyet e tyre për të mos vënë emrat e tyre në një dokument të mbështetur nga 60 nënshkrues të martën, duke përfshirë Kinën, Indinë, Japoninë, Australinë dhe Kanadanë, shkruan The Guardian.

    Konfirmimi i mospërfilljes erdhi menjëherë pasi zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, doli në skenën në Grand Palais për të kritikuar “rregullimin e tepruar” të teknologjisë të Evropës dhe paralajmëroi kundër bashkëpunimit me Kinën në një fjalim goditës.

  • Rama: Veliaj do qëndrojë në detyrë, ndalimi i tij në shkelje të standardeve demokratike

    Rama: Veliaj do qëndrojë në detyrë, ndalimi i tij në shkelje të standardeve demokratike

    Kryeministri Edi Rama e konsideron arrestimin e kryetarit të bashkisë Tiranë nga SPAK në shkelje të standardeve demokratike.

    Në një reagim për rrjetin e gazetarëve BIRN, kryeministri Edi Rama i ka dalë në mbrojtje kryebashkiakut të Tiranës, duke deklaruar se Erion Veliaj do të qëndrojë në detyrë.

    Rama e cilëson ndalimin e tij në shkelje të standardeve demokratike dhe se dosja hetimore ngjan me një roman voluminoz mbi gërmimet e kryera në jetën e tij dhe të bashkëshortes së tij. Rama tha se në dosjen e Veliajt nuk ka një çështje konkrete korrupsionit.

    “Jo vetëm kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk do të shkarkohet nga detyra, por nga ndalimi i tij ka lindur për ne detyra që të vazhdojmë të jemi garantë të palëkundur të drejtësisë, duke nxitur sa më shumë transparencë për të dalë tek e vërteta. Pra, në thelb jemi përballë një rasti që krijon dyshimin e arsyeshëm të një hetimi jashtë shinave kushtetuese dhe një ndalimi në shkelje të standardeve demokratike”, ka deklaruar Rama për BIRN.

    “Qëndrimi pesëvjeçar i Partisë Socialiste dhe i kryeministrit për të mos bërë asnjë koment në asnjë rast specifik ka ndryshuar me heqjen e djeshme nga puna të kryetarit të bashkisë së kryeqytetit, për ta mbyllur pa gjyq në një qeli dhe duke kyçur në shtëpi edhe bashkëshorten, nënë e një djali gjashtëvjeçar”./topchannel

  • Dëshmia e Selimit në Hagë, pyetet për nivelet komanduese

    Dëshmia e Selimit në Hagë, pyetet për nivelet komanduese

    Në Dhomat e Specializuara në Hagë po vazhdon të dëgjohet dëshmia e ish-komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi.

    Në ditën e dytë të dëshmisë së tij në Speciale, Selimi tha se në pranverën e vitit 1998 nuk ka pasur nivele komanduese në mes të ushtarëve në teren dhe Shtabit të Përgjithshëm.

    Lidhur me këtë, Selimi është përgjigjur në pyetjet e avokatit të ish-presidentit Hashim Thaçi, Luka Mishetiq.

    Pjesë nga seanca:

    Mishetiq: Keni deklaruar, në deklaratën tuaj, se në atë kohë nuk kishte nivele komanduese, flasim për pranverën 1998, nuk ka pasur nivele komanduese mes ushtarëve në teren dhe Shtabit të Përgjithshëm, saktë?

    Selimi: Po është e saktë.

    Mishetiq: A mund të themi se në atë kohë, struktura e UÇK-së në atë kohë ishte thjeshtë disa njerëz bashkëfshatarë që mblidheshin dhe përpiqeshin të krijonin një strukturë?

    Selimi: Po.

    Mishetiq: Pra, ky grup personash, mes të cilëve edhe ju, i bënit vet propozimet se kush do të jetë përgjegjës për çfarë detyre dhe kush do të jetë komandant i zonës, saktë?

    Selimi: Ka pasur në zonën e Drenicës disa grupe ose disa shokë të tjerë të cilët kanë pasur edhe ata ushtarët e vet, dhe prej gjithë këtyre grupeve ne kemi ardhur deri te një propozim për komandant të Drenicës. Është e saktë.

    Selimi e ka nisur dëshminë të hënën, si dëshmitar me kodin 04290 dhe atij i është dhënë garanci se nuk do të ndiqet penalisht për dëshminë e tij.

    Procesi gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit ka nisur në prill të vitit 2023 ndërkaq, ata po qëndrojnë në qendrën e paraburgimit prej nëntorit të vitit 2020.

    Ndaj tyre rëndojnë akuza për krime të pretenduara të luftës.

    Ish-krerët e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

  • Nis procesi i numërimit të votave për deputetë vetëm në katër komuna

    Nis procesi i numërimit të votave për deputetë vetëm në katër komuna

    Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, thekson se sot pasdite ka nisur numërimi i votave për kandidatët për deputetë në qendra komunale të numërimit në Prishtinë, Lipjan, Obiliq dhe Partesh. Ndërsa për komunat tjera të Kosovës, ai ka theksuar se po bëhen tw gjitha përgatitjet dhe numërimi pritet të nisë nga dita e nesërme (e mërkurë).

    Në një konferencë për media, Elezi ka nënvizuar se brenda pak ditësh pritet të përmbyllet ky proces. Ndërsa, ka shtuar se për herë të parë, numërimi i votave për kandidatët për deputetë po bëhen në qendrat komunale të numërimit, dhe se secila komunë ka një qendër të tillë. Po ashtu ka shtuar se çdo gjë do të jetë transparente.

    “Sot KQZ po fillon me procesin e numërimit të votave të kandidatëve për deputetë të cilët janë pjesë nga votimet në vendvotimet e rregullta të zhvilluara me datë 9 shkurt 2025 në 2 mijë 533 vendvotime në të gjithë Kosovën. Në qendrat komunale të numërimit përveç procesit të numërimit të votave të kandidatëve për deputetë do të bëhet verifikimi i votave të subjekteve politike nga formularët të cilët janë plotësuar në vendvotime pas numërimit të votave për subjektet politike. Ky verifikim është paraparë me aktet nënligjore që janë miratuar nga KQZ qysh para shpalljes së datës së zgjedhjeve, dhe sigurisht se kjo do të heq të gjitha dilemat që janë krijuar gjatë problemeve në publikimin e rezultateve preliminare për subjektet politike. Fillimisht procesi i numërimit është planifikuar të fillojë në qendrat komunale të numërimit, në komunat, Prishtinë, Obiliq, Lipjan dhe Partesh. Ndërkaq lidhur me numërimin e votave me kusht, të personave me nevoja të veçanta, dhe atyre jashtë Kosovës do të bëhet në një fazë të mëvonshme në qendrën e numërimit dhe të rezultateve, pasi të përfundojnë numërimet në qendrat komunale të numërimit. Për numrin e votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta, së shpejti do të kemi të dhënat për gjitha komunat veç e veç”, tha Elezi.

    Para gazetarëve, Elezi ka folur edhe për votat nga diaspora, i cili tha se sipas të dhënave preliminare numri i votave në përfaqësitë diplomatike është 15 mijë e 352. Derisa shtoi sejanë pranuar 68 mijë e 712 pako me fletëvotime nga diaspora.

    “Sipas të dhënave preliminare numri i votave në përfaqësitë diplomatike është 15 mijë e 352 nga 20 mijë e 324. Lidhur me pjesën tjetër përmes postes, janë pranuar 68 mijë e 712 pako me fletëvotime…Është vështirë të parashikohet se sa do të zgjasë numërimi i një vendvotimi, kjo varet nga disa faktor, nga pjesëmarrja e votueseve në një vendvotim, me numër më të madh marrin më shumë kohë për t’u numëruar në krahasim me ato që kanë pjesëmarrje më të ulët….Do të vëzhgohet nga vëzhguesit e subjekteve politike, nga mediat e akredituara dhe vëzhguesit e organizatave joqeveritare. Besojmë se brenda pak ditë do arrijmë të përmbyllim këtë proces”, ka shtuar Elezi.

    Ai ka thënë se nga dita e nesërme pritet të fillojë në komuna tjera procesi i numërimit të votave për kandidatët për deputetë në qendra komunale.

    “Natyrisht se meqenëse është një ndërmarrje jashtëzakonisht komplekse sidomos edhe sa i përket aspekteve të organizimit të transparencës natyrisht se është dashur edhe pak kohë. Por, që nuk është ndonjë vonesë e madhe fillimi i numërimit të kutive të votimit, të fletëvotimeve, të votave të kandidatëve për deputetë. Edhe në komunat tjera pritet të fillojë gjatë ditës së nesërme”, përfundon Eelzi.

    Mbrëmjen e 9 shkurtit pas mbylljes së qendrave të votimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve filloi me publikimin e të dhënave mbi rezultatet preliminare, mirëpo më pas filloi të ketë probleme teknik dhe kishte rënë i gjithë sistemi, duke u pamundësuar edhe qasja në platformën e KQZ-së. Lidhur me këtë problem të KQZ-së, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjatë ditës së djeshme, pasi ka pranuar informacion rreth mos-funksionimit të platformës së KQZ-së, ka kërkuar nga ky institucion marrjen e informatave të nevojshme për të vërtetuar nëse ka elemente kryerjes së ndonjë vepre penale apo jo. Më 9 shkurt qytetarët e Kosovës votuan për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre për katër vitet e ardhshme. Ky proces zgjedhor është konsideruar demokratik dhe i qetë.