ATV

Category: Lajme

  • Çitaku e quan të turpshëm dhe të papranueshëm aktgjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Çitaku e quan të turpshëm dhe të papranueshëm aktgjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, e ka cilësuar “të turpshëm” dhe “të papranueshëm” aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë, me të cilin ish-presidenti Hashim Thaçi u dënua me 17 muaj burgim në rastin për pengim të drejtësisë.

    Në një reagim në Facebook, Çitaku shprehu zhgënjim dhe shqetësim për vendimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, duke vënë në pikëpyetje administrimin e drejtësisë nga kjo gjykatë.

    “Kontestimet procedurale, proceset e njëpasnjëshme dhe zvarritjet shumëvjeçare i kanë thelluar pikëpyetjet tona serioze për administrimin e drejtësisë të kësaj gjykate”, shkroi ajo.

    Çitaku paralajmëroi veprime politike, juridike dhe diplomatike në përgjigje të vendimit.

    “Padrejtësisë do t’i përgjigjemi ashtu siç e meriton: me qëndresë, mobilizim dhe përkushtim të palëkundur shtetëror e mbarëkombëtar”, tha ajo, duke përsëritur mbështetjen për ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

  • Hamza pas dënimit të Thaçit: Mund ta dënojnë, por kurrë s’mund t’ia marrin vendin e kryeprotagonistit në historinë tonë

    Hamza pas dënimit të Thaçit: Mund ta dënojnë, por kurrë s’mund t’ia marrin vendin e kryeprotagonistit në historinë tonë

    Ish-kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka reaguar pas aktgjykimit dënues ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, për pengim të drejtësisë.

    “Hashim Thaçit mund t’ia mohojnë lirinë. Mund edhe ta dënojnë. Por kurrë nuk do të mund t’ia marrin vendin si kryeprotagonist i historisë së Kosovës”, shkroi Hamza.

    Hamza thotë se rolin e tij në “momentet vendimtare që përcaktuan fatin e popullit dhe të shtetit tonë” nuk mund ta zhbëjë askush.

    “President, shpresojmë që Gjykata e Apelit t’u japë fund këtyre padrejtësive!”.

  • OVL-UÇK pas aktgjykimit ndaj Thaçit dhe të tjerëve: Gjykata Speciale është politike, adresa e saj është në Serbi dhe Rusi

    OVL-UÇK pas aktgjykimit ndaj Thaçit dhe të tjerëve: Gjykata Speciale është politike, adresa e saj është në Serbi dhe Rusi

    Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e kanë cilësuar të papranueshëm procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve, duke e konsideruar Gjykatën Speciale si politike dhe të njëanshme, raporton Ekonomia Online.

    Në emër të OVL-UÇK-së, pas shpalljes së aktgjykimit ndaj Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Hajredin Kuçit dhe Fadil Fazliut, nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së Xhavit Jashari, tha se ky proces, sipas tij, ka dëshmuar se në asnjë moment nuk është bërë drejtësi.

    Ai deklaroi se vendimi ndaj Thaçit është i papranueshëm dhe se, sipas tij, Gjykata Speciale ka pasur për qëllim goditjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    “Dënimi i Thaçit, është i papranueshëm për ne, siç ka qenë i gjithë procesi i papranueshëm për organizatat e dala nga lufta, me kundërshtimet që nga krijimi, dhe gjithë këtë proces që e kemi përcjellë, vetëm në fakt është argumentuar që kjo gjykatë në asnjë rrethanë, në asnjë moment dhe në asnjë vendim nuk ka ndodhur drejtësi. E argumentoj edhe sot që është gjykatë politike, dhe marr të drejtën të them që adresa e kësaj gjykate është në Serbi dhe Rusi. I shtojmë edhe një fakt: meqenëse Hashim Thacci mori një dënim të padrejtë, si ka mundësi pikërisht kjo seancë të thirret më 17 nëntor, kur mirret parasysh që më 17 nëntor të vitit 1994 është emërtuar ushtria çlirimtare e Kosovës, nga Lëvizja Popullore e Kosovës, dhe ky është edhe një argument shtesë që i vetmi qëllim i kësaj gjykate ka qenë është edhe mbetur për të goditur ushtrinë çlirimtare të Kosovës”, tha ai.

    Jashari ka kritikuar edhe institucionet e Kosovës dhe bashkësinë ndërkombëtare, duke kërkuar reagim ndaj vendimeve të Gjykatës Speciale dhe kundërshtuar çdo kompromis që, sipas tij, cenon vlerat e luftës së UÇK-së.

    “Ku është bashkësia evropiane? Ku është Këshilli i Evropës, Parlamenti Evropian? Ku janë ato shtete që e financojnë këtë gjykatë të njëanshme, të padrejtë dhe me plot gojë e thënë raciste? Gjithë kjo që ka ndodhur dhe po ndodh për ne është e papranueshme, nga kjo gjykatë, qysh e kemi thënë që nga krijimi e deri më sot, që ne nuk i njohim gjykatat e tilla. Dhe tani dua të bëj edhe një pyetje: ku janë institucionet e Republikës së Kosovës? Dhe nga këtu ju bëjmë edhe një herë thirrje që këto institucione mos guxojnë të bëjnë kompromise dhe pazare me vlerën më kulmore me luftën e ushtrisë çlirimtare të Kosovës, sepse ushtria çlirimtare e Kosovës është vlerë mbi institucione, është vlerë që e ka sjellë lirinë e Kosovës, andaj këto institucione kanë obligim që, kur preket në këtë luftë, duhet të reagojnë, duhet të mbrojnë”, tha ai.

    Ai u është drejtuar edhe atyre që, sipas tij, kanë bërë pazare me ligjin, duke thënë se UÇK-ja nuk përfaqëson një individ, grup apo parti politike, por është vlerë e përbashkët e qytetarëve të Kosovës.

    “Edhe një çështje tjetër dua të them që ata që kanë bërë pazare, ata që kanë luajtur me ligjin, dhe me kërkesën tonë që ka qenë e vetmja kërkesë që të nxirret një nen në këtë ligj mendoj se edhe jeta e tyre politike do të përfundojë me turp. Ushtria çlirimtare e Kosovës nuk është individ, nuk është e grupeve, nuk është e një partie ose tjetrës. Ushtria çlirimtare e Kosovës është vlerë e secilit që sot e gëzon lirinë. Ju bëjmë thirrje institucioneve, ju bëjmë thirrje faktorit të drejtësisë ndërkombëtare që mos të rrijë në duarkryq”, tha ai.

  • Hajredin Kuçi dënohet me një muaj burgim me kusht

    Hajredin Kuçi dënohet me një muaj burgim me kusht

    Gjykata Speciale në Hagë e ka dënuar Hajredin Kuçin me një muaj burgim me kusht.

    Dënimi nuk do të ekzekutohet nëse Kuçi nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale gjatë periudhës njëvjeçare të provës.

  • Hashim Thaçi dënohet me 17 muaj burgim për pengim të drejtësisë

    Hashim Thaçi dënohet me 17 muaj burgim për pengim të drejtësisë

    Gjykata Speciale në Hagë e ka shpallur fajtor Hashim Thaçin për disa pika të aktakuzës në rastin për pengim të drejtësisë.

    Gjyqtari Christopher Gosnell shqiptoi ndaj tij një dënim të njësuar prej 17 muajsh burgim.

    Gjykatësi Gosnell ka deklaruar se të akuzuarit, me përjashtim të Hajredin Kuçit, akuzohen për vepra penale që lidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë dhe rendit publik, përfshirë tentativën dhe kryerjen e veprave në bashkëkryerje.

    “Pretendohet se Hashim Thaçi kishte organizuar tri grupe, në të cilat përfshiheshin Fadil Fazliu, Bashkim Smakaj dhe Isni Kilaj. Këto grupe dyshohet se ishin organizuar gjatë vizitave të ndryshme në Hagë, gjatë vitit 2023, me qëllim të pengimit të punës së Prokurorisë dhe ndikimit te dëshmitarët që pritej të dëshmonin në procesin gjyqësor”, tha ai para vendimit.

    Ndryshe, Thaçi ishte njëri nga pesë të akuzuarit në këtë proces, së bashku me Bashkim Smakajn, Isni Kilajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin.

    Ky proces gjyqësor është i ndarë nga gjykimi për krime lufte ndaj ish-presidentit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së. /Telegrafi/

  • Gjyqtari: Nuk u provua tentativa e Thaçit dhe Kilajt për pengim të drejtësisë

    Gjyqtari: Nuk u provua tentativa e Thaçit dhe Kilajt për pengim të drejtësisë

    Gjyqtari Christopher Gosnell tha se gjatë vizitës së Isni Kilajt në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, më 6 tetor 2023, Hashim Thaçi i dha atij udhëzime lidhur me dëshminë që duhej të jepte dëshmitari i identifikuar si Dëshmitari 4.

    Megjithatë, sipas gjyqtarit, provat nuk tregojnë se Kilaj ndërmori ndonjë hap për ta kontaktuar këtë dëshmitar. Po ashtu, nuk u gjetën prova se vizitori tjetër, Kryeziu, kishte ndërhyrë.

    “Në këto rrethana, nuk jam bindur se janë përmbushur kriteret”, tha Gosnell, duke mos konstatuar tentativë të Thaçit dhe Kilajt për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre.

    Por, gjyqtari konstatoi se Thaçi u kishte zbuluar Kilajt dhe Kryeziut informacione konfidenciale për gjashtë dëshmitarë.

  • Gjyqtari Gosnelll: Pretendohet se Thaçi organizoi tri grupe me Fazliun, Smakajn dhe Kilajn gjatë vizitave të tyre në Hagë

    Gjyqtari Gosnelll: Pretendohet se Thaçi organizoi tri grupe me Fazliun, Smakajn dhe Kilajn gjatë vizitave të tyre në Hagë

    Ka filluar seanca gjyqësorë për shpalljen e akgjykimit në rastin e ish-presidentit Hashim Thaçi, për pengim të dyshuar të drejtësisë, raporton Ekonomia Online.

    Përveç Thaçit, në këtë rast akuzohen edhe ish-shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, dhe veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fadil Fazliu.

    Gjykatësi Christopher Gosnell ka nisur leximin e përmbledhjes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit dhe katër të bashkakuzuarve të tij në rastin për pengim të drejtësisë në Gjykatën Speciale në Hagë.

    Ai deklaroi se, sipas aktakuzës, Hashim Thaçi organizoi tri grupe, ku përfshiheshin Fadil Fazliu, Bashkim Smakaj dhe Isni Kilaj, gjatë vizitave të tyre në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.

    Ai tha se gjykata ka pranuar 241 prova materiale të paraqitura nga Prokuroria.

    Në mesin e provave janë edhe audioincizimet e bisedave mes Thaçit dhe të bashkakuzuarve gjatë vizitave në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.

    Sipas gjykatësit, regjistrimi i këtyre bisedave ishte autorizuar nga gjykata.

    “Thaçi akuzohet se ishte drejtues ose organizator i secilit grup, me qëllim ndërhyrjen në dëshmitë e dëshmitarëve.Sipas aktakuzës, ai u zbuloi vizitorëve informacione konfidenciale lidhur me dëshmitarët.Akuzohen për tentativë për pengim me anë të veprimit të përbashkët të një grupi të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare. Pretendohet se pengimi u tentua të kryhet në mosbindje në urdhrat e gjyqtarëve në çështjen 6 që i ndalonin të akuzuarit në atë çështje gjyqësore që të kontaktonin dëshmitarët e prokurorisë. Më konkretisht pretendohet se Thaçi organizoi tri grupe me z.Fazliun. Smakaj dhe Kilaj gjatë vizitave të ndryshme të tyre tek ai në objektin e paraburgimit në Hagë, në korrik, shtator , tetor 2023. Secili grup duhet t’i përcillte udhëzimin një dëshmitari të prokurorisë për të përgatitur këta dëshmitarë për të vlerësuar dëshminë e tyre”,deklaroi gjykatësi.

    Ai tha se duke qenë se personat që ishin shënjestër e pengimit përfshirë gjykatës e prokurorë, paraqitet forma e rëndë e veprës penale dhe Thaçi akuzohet si drejtues apo organizatorë i secilit grup.

    “Thaçi pretendohet gjithashtu se u zbuloi vizitorëve të tij informacion konfidencial në lidhje me dëshmitarët duke shkelur fshehtësinë e procedurës. Disa nga informacionet që u nxorën kishin të bënin me dëshmitarin e mbrojtur, dëshmitarin 4 që Thaçi akuzohet sipas nenit 392-2. Për nxjerrjen e informacioneve dhe tendenca e komunikimit tërthorazi Thaçi akuzohet edhe për mosbindje ndaj Gjykatës, ka shtuar ai.

  • Gjykatësi: Thaçi i dha Fazliut mesazhe për dëshmitarin Rrustem Mustafa

    Gjykatësi: Thaçi i dha Fazliut mesazhe për dëshmitarin Rrustem Mustafa

    Gjykatësi Christopher Gosnell tha se Hashim Thaçi dhe Fadil Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre, lidhur me një vizitë të Fazliut në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, më 2 korrik 2023.

    Sipas gjykatësit, gjatë takimit, Thaçi dhe Fazliu diskutuan gjerësisht për dëshminë që pritej të jepte Rrustem Mustafa.

    Thaçi e përshkroi Mustafën si dëshmitar vendimtar dhe i dha Fazliut disa mesazhe për t’ia përcjellë, përfshirë: “Shkurt thuaji, shkurt”, “Mos filozofo” dhe “Thuaj kam besim në ty shumë”.

    Thaçi akuzohet gjithashtu për zbulim të informacioneve konfidenciale, ndërsa Fazliu për ndihmë në kryerjen e veprës së mosbindjes ndaj gjykatës.

  • Aktgjykimi ndaj Thaçit, Deliu: Drejtësi sot, drejtësi deri në fund!

    Aktgjykimi ndaj Thaçit, Deliu: Drejtësi sot, drejtësi deri në fund!

    Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka reaguar në ditën kur në Gjykatën Speciale në Hagë pritet të shpallet aktgjykimi i dytë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe katër të bashkëakuzuarve të tjerë.

    Përmes një postimi në Facebook, Deliu ka ndarë një mesazh të shkurtër, duke kërkuar drejtësi.

    “Drejtësi sot. Drejtësi deri në fund!”, ka shkruar ajo.

  • Bajrami kritikon Qeverinë për energjinë: Asnjë kontratë afatgjatë, dështim në remonte dhe asnjë investim në sektor

    Bajrami kritikon Qeverinë për energjinë: Asnjë kontratë afatgjatë, dështim në remonte dhe asnjë investim në sektor

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka ngritur sërish çështjen e investimeve në sektorin e energjisë, duke pyetur se sa kapacitete të reja gjeneruese janë ndërtuar në Kosovë që nga viti 2021, raporton Ekonomia Online.

    Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka rikujtuar një shkrim të publikuar më 8 dhjetor 2022, në të cilin kishte kritikuar Qeverinë për vazhdimin e masave emergjente për furnizim me energji elektrike.

    “Çka ka ndryshu në sektorin e energjisë prej vitit 2021, sa kapacitete gjeneruese janë ndërtu gjatë kësaj kohe?”, ka shkruar Bajrami.

    Ajo ka rikujtuar se më 8 dhjetor 2022, Kuvendi i Kosovës kishte votuar për herë të gjashtë masat emergjente për furnizim me energji elektrike, me propozim të Qeverisë.

    “Qeveria asnjëherë nuk ka raportuar në Kuvend se për çka i shërbejnë këto masa”, kishte shkruar Bajrami, duke ngritur pyetje nëse ato po përdoreshin për blerjen e energjisë elektrike, kontraktimin e kompanive për investime dhe remonte në KEK, apo për legjitimimin e reduktimeve.

    Në shkrimin e saj deputetja kishte renditur edhe atë që e konsideronte mungesë të rezultateve në sektorin e energjisë.

    “Asnjë kontratë afatgjatë në energji. Dështim në remonte dhe kontrata shumëfish më të shtrenjta. Strategjia e energjisë nuk është askund. Asnjë investim në sektorin e energjisë”, kishte theksuar ajo.

    Bajrami ka rikujtuar se ndërkohë është miratuar Strategjia e Energjisë, por sipas saj, problemi vazhdon të jetë zbatimi i saj.

    “Sot, ka Strategji të Energjisë, por s’ka zbatim të saj”, ka shkruar ajo.

    Deputetja e LDK-së ka theksuar se masat emergjente është dashur të orientoheshin drejt ndërtimit të kapaciteteve të reja gjeneruese.

    “Jemi vonë, por nëse kurrë nuk fillojmë kriza do të vazhdojë të thellohet”, kishte përfunduar Bajrami shkrimin e saj të publikuar më 8 dhjetor 2022.