ATV

Category: LAJME

  • Helikopteri rus hyn në hapësirën ajrore të Polonisë, qëndron 42 sekonda – aktivizohen avionët luftarakë

    Helikopteri rus hyn në hapësirën ajrore të Polonisë, qëndron 42 sekonda – aktivizohen avionët luftarakë

    Një helikopter ushtarak rus i tipit Mi-8 ka hyrë për pak çaste në hapësirën ajrore të Polonisë, pasi ka kaluar nga enklava ruse e Kaliningradit, njoftoi të mërkurën Komanda Operative e ushtrisë polake.

    Sipas autoriteteve polake, helikopteri ka qëndruar 42 sekonda brenda hapësirës ajrore të Polonisë, duke depërtuar deri në rreth 300 metra në territorin ajror të vendit.

    Pas incidentit, Polonia ka aktivizuar aeroplanët luftarakë, ndërsa forcat dhe mjetet e mbrojtjes ajrore në tokë janë vendosur në gatishmëri.

    Komanda Operative e Ushtrisë Polake ka deklaruar se, bazuar në vlerësimin e saj, natyra e incidentit tregon se Rusia po teston sërish gatishmërinë e mbrojtjes ajrore polake.

    Polonia, si anëtare e NATO-s, ka rritur nivelin e gatishmërisë ndaj incidenteve të mundshme në hapësirën e saj ajrore që lidhen me luftën e Rusisë në Ukrainë.

    Incidenti ndodh në një periudhë kur vendet e krahut lindor të NATO-s po monitorojnë nga afër lëvizjet ajrore pranë kufijve të tyre.

  • Gjini takon ambasadorin britanik, diskutojnë për vendimin në Hagë dhe situatën politike

    Gjini takon ambasadorin britanik, diskutojnë për vendimin në Hagë dhe situatën politike

    Kreu i Aleancës, Ardian Gjini, ka takuar ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me të cilin ka diskutuar për situatën politike pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, si dhe zhvillimet kushtetuese e politike në Kosovë.

    Gjini ka bërë të ditur se gjatë takimit e ka njoftuar ambasadorin britanik se Aleanca mbetet konsistente në mbrojtjen e interesit shtetëror dhe demokracisë.

    Ai ka shprehur gjithashtu mirënjohje për rolin dhe angazhimin e ambasadorit Hargreaves, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës.

    “E njoftova se Aleanca mban konsistencën e saj në mbrojtje të interesit shtetëror dhe demokracisë.Ambasadorin Hargreaves e falënderova për rolin e tij aktiv dhe mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës.”, thuhet tutje në njoftim.

  • Deputeti i Aleancës: U dështoi loja pushtetarëve

    Deputeti i Aleancës: U dështoi loja pushtetarëve

    Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit, duke thënë se vendimi i saj rrëzoi veprimet e ndërmarra nga Vetëvendosja gjatë periudhës nga 8 gushti deri më 13 shtator.

    Ramadani ka theksuar se Kushtetuta nuk mund të trajtohet si dokument këshillues, ndërsa afatet kushtetuese, sipas tij, duhet të respektohen.

    Ai ka thënë se Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se Kuvendi është konstituuar pas skadimit të afatit 30-ditor dhe se ka përcaktuar edhe pasojat kushtetuese të këtij tejkalimi.

    Portimi i plotë:

    U dështoi loja pushtetarëve!

    Le ta mësojnë këta pushtetarët: Kushtetuta nuk është cope letre këshilluese dhe afatet kushtetuese nuk janë dekor.

    Gjykata Kushtetuese konstatoi qartë se Kuvendi është konstituuar pas skadimit të afatit 30 ditësh. Madje, edhe përcaktoi pasojat kushtetuese të këtij tejkalimi.

    Deri më 6 tetor ose zgjedhet Presidenti ose shkohet në zgjedhje.

    Një dështim total i lojës së pushtetarëve!

    Krejt çka kanë bërë nga 8 gushti e deri më 13 shtator, Gjykata ua hodhi poshtë!

  • Kushtetuesja vendos për ankesat e PDK-së: Konstituimi i Kuvendit ishte me vonesë, formimi i Qeverisë s’është antikushtetues

    Kushtetuesja vendos për ankesat e PDK-së: Konstituimi i Kuvendit ishte me vonesë, formimi i Qeverisë s’është antikushtetues

    Gjykata Kushtetuese ka dhënë verdiktin për kërkesat e PDK-së lidhur me konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë.

    Kushtetuesja ka konstatuar se konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë janë në përputhje me Kushtetutën. Po ashtu, Gjykata ka përcaktuar se afati për zgjedhjen e presidentit është deri më 6 tetor.

    Gjykata ka konstatuar se Kuvendi i Kosovës është konstituuar pas kalimit të afatit kushtetues prej 30 ditësh, por ka thënë se kalimi i 30-ditëshit për konstituim ka për pasojë fillimin e rrjedhjes së afateve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit, kur posti i presidentit është vakant dhe për zgjedhjen e Qeverisë.

    “Të konstatojë që Kuvendi i Republikës së Kosovës është konstituuar pas kalimit të afatit tridhjetë (30) ditor, të përcaktuar në paragrafin 1 të nenit 66 [zgjedhja dhe mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Të konstatojë që kalimi i afatit tridhjetë (30) ditor për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të përcaktuar në paragrafin 1 të nenit 66 [zgjedhja dhe mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ka për pasojë fillimin e rrjedhjes së afateve kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, kur posti i presidentit është vakant dhe për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës sipas neneve 86 [zgjedhja e Presidentit], 95 [zgjedhja e Qeverisë] dhe nënparagrafëve 1 dhe 3, paragrafit 1 të nenit 82 [shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

    Gjykata ka kërkuar gjithashtu që deputetët të zgjedhin sa më shpejt nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar.

    “iv. të konstatojë që deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës duhet që sa më parë të zgjedhin nënkryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar, në pajtim me paragrafin 3 të nenit 67 [zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;”

    Sa i përket qeverisë së zgjedhur më 13 shtator, gjykata ka konstatuar se vendimi për zgjedhjen e saj nuk është në kundërshtim me nenin 95 të kushtetutës.

    “v. të konstatojë që vendimi [nr. 11-v-007] i 13 shtatorit 2026 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës nuk është në kundërshtim me nenin 95 [zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;”

    Në vendim përcaktohet edhe afati për zgjedhjen e presidentit. Sipas gjykatës, afati 60-ditor ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026.

    “vi. të konstatojë që afati gjashtëdhjetë (60) ditor për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, sipas nënparagrafit 3, paragrafit 1 të nenit 82 [shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026;”

    Gjykata ka refuzuar kërkesën për masë të përkohshme dhe ka urdhëruar komunikimin e aktgjykimit me palët dhe publikimin e tij në gazetën zyrtare.

    Në fund, gjykata ka përcaktuar se aktgjykimi hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij nga Gjykata Kushtetuese.

    “x. të konstatojë që ky aktgjykim hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij nga gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës.”/Telegrafi/

  • 6 tetori, afati i fundit për zgjedhjen e Presidentit

    6 tetori, afati i fundit për zgjedhjen e Presidentit

    Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026.

    Ky afat përcaktohet në bazë të nënparagrafit 3 të paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

    Sipas njoftimit të Gjykatës Kushtetuese, afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit ka nisur të rrjedhë më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor 2026.

    “TË KONSTATOJË që afati gjashtëdhjetë (60) ditor për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, sipas nënparagrafit 3, paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

  • Kosova dhe ShBA-ja forcojnë partneritetin në mbrojtje, synohet avancimi i kapaciteteve të FSK-së

    Kosova dhe ShBA-ja forcojnë partneritetin në mbrojtje, synohet avancimi i kapaciteteve të FSK-së

    Punëtoria vjetore M2M në Kosovë ritheksoi partneritetin e fuqishëm ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fushën e mbrojtjes, si dhe rolin e rëndësishëm të Gardës Kombëtare të Ajovës.

    Kështu deklaron Ministria e Mbrojtjes, në njoftimin e saj për organizimin e punëtorisë.

    Gjatë punëtorisë u diskutuan prioritetet e përbashkëta dhe hapat konkretë për avancimin e kapaciteteve dhe bashkëveprimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës me partnerët.Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, theksoi se do të fokusohen për të shndërruar planet e përbashkëta në veprime konkrete.

    “Së bashku, po ndërtojmë një Forcë më të aftë, profesionale, moderne dhe të ndërveprueshme me partnerët tanë. Fokusi ynë mbetet i qartë: t’i shndërrojmë planet e përbashkëta në veprime konkrete dhe ta avancojmë partneritetin tonë në një nivel të ri”, u shpreh ministri.

  • UNICEF në Kosovë nënshkruan partneritete me gjashtë komuna për përmirësimin e jetës së fëmijëve

    UNICEF në Kosovë nënshkruan partneritete me gjashtë komuna për përmirësimin e jetës së fëmijëve

    UNICEF në Kosovë ka nënshkruar Memorandume Mirëkuptimi me gjashtë komuna të Kosovës, me synim përmirësimin e shërbimeve dhe mirëqenies së fëmijëve, adoleshentëve dhe të rinjve.

    Marrëveshjet janë nënshkruar me komunat e Prishtinës, Fushë Kosovës, Graçanicës, Obiliqit, Prizrenit dhe Mitrovicës së Jugut.

    Sipas UNICEF-it, këto partneritete janë pjesë e zbatimit të Programit të UNICEF Kosovo 2026–2030 dhe synojnë që zotimet e përbashkëta të përkthehen në veprime konkrete në nivel lokal.

    Përmes bashkëpunimit me komunat, UNICEF-i synon të kontribuojë në ofrimin e shërbimeve sociale cilësore dhe gjithëpërfshirëse për fëmijët, me fokus të veçantë te grupet më të cenueshme.

    “Për fëmijët, cilësia e shërbimeve lokale mund të përcaktojë nëse një politikë shndërrohet në një mundësi reale në jetën e tyre. Përmes këtyre partneriteteve, duam të punojmë krah për krah me komunat, duke përdorur më mirë të dhënat, duke investuar në mënyrë më efektive në fëmijët dhe duke forcuar shërbimet nga të cilat fëmijët dhe familjet varen çdo ditë,” tha Veronika Vashchenko, Shefe e UNICEF-it në Kosovë.

    UNICEF-i vlerëson se komunat kanë rol të rëndësishëm në ofrimin e shërbimeve që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e fëmijëve, pasi një pjesë e madhe e tyre planifikohen, financohen dhe ofrohen në nivel lokal.

    Në kuadër të partneriteteve, UNICEF-i dhe komunat do të bashkëpunojnë në planifikimin dhe buxhetimin e bazuar në nevojat e fëmijëve, përmirësimin e përdorimit të të dhënave dhe dëshmive, rritjen e koordinimit ndërmjet sektorëve dhe shtimin e investimeve në fëmijë.

    Bashkëpunimi parasheh edhe rritjen e pjesëmarrjes së fëmijëve, adoleshentëve dhe të rinjve në proceset vendimmarrëse në nivel lokal.

    Partneritetet do të përqendrohen gjithashtu në përmirësimin e qasjes së barabartë në shërbime cilësore në fusha si kujdesi shëndetësor parësor dhe imunizimi, edukimi në fëmijërinë e hershme, arsimi dhe zhvillimi i aftësive.

    Në fokus do të jenë edhe angazhimi i të rinjve dhe mundësitë për punësim, si dhe shërbimet për mbrojtjen e fëmijëve dhe mbrojtjen sociale, përfshirë parandalimin dhe reagimin ndaj dhunës ndaj fëmijëve. /Telegrafi/

     

  • Përfshihet nga zjarri një objekt afarist në Kijevë të Malishevës, nuk ka persona të lënduar

    Përfshihet nga zjarri një objekt afarist në Kijevë të Malishevës, nuk ka persona të lënduar

    Një objekt afarist është përfshirë nga zjarri sot rreth orës 12:00 në fshatin Kijevë të Malishevës.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi.

    Sipas saj, njësitet përkatëse policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa janë njoftuar edhe ekipet e zjarrfikësve, të cilat janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme për lokalizimin e zjarrit.

    “Rreth orës 12:00, kemi pranuar informatën se një objekt afarist është përfshirë nga zjarri në fshatin Kijevë, Komuna e Malishevës. Njësitet përkatëse policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa janë njoftuar edhe ekipet e zjarrfikësve, të cilat janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme për lokalizimin e zjarrit. Deri më tani, nuk është raportuar për persona të lënduar si pasojë e zjarrit”, ka thënë ajo. /Telegrafi/

  • Kryeministri Rama komandon drejtuesin e ri të SHISH pas shkarkimit të Vlora Hysenit

    Kryeministri Rama komandon drejtuesin e ri të SHISH pas shkarkimit të Vlora Hysenit

    Kryeministri Edi Rama ka firmosur urdhrin për delegimin e përkohshëm të kompetencave administrative të drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit te drejtori i Departamentit Operativ, Elvis Lila pas shkarkimit të Vlora Hysenit ditën e martë.

    Sipas urdhrit, të siguruar nga Top Channel, delegimi hyn në fuqi menjëherë dhe do të zgjasë deri në emërimin e drejtorit të ri të SHISH.

    Vendimi është marrë në zbatim të Kushtetutës dhe legjislacionit në fuqi për administratën dhe Shërbimin Informativ të Shtetit.

    Ky urdhër ka hyrë në fuqi dhe është botuar në Fletoren Zyrtare.

  • Kallas kërkon kalim të lirë të anijeve në Hormuz pas takimit me ministrin e Jashtëm të Iranit

    Kallas kërkon kalim të lirë të anijeve në Hormuz pas takimit me ministrin e Jashtëm të Iranit

    Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, i ka kërkuar Iranit që pas përfundimit të luftës të garantojë kalim të lirë dhe të papenguar të anijeve në Ngushticën e Hormuzit.

    Kallas u takua në Nju Jork me ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku diskutuan rrugët diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit mes SHBA-së dhe Iranit dhe për të rikthyer plotësisht lundrimin në Hormuz.

    Pas takimit, Kallas tha se anijet nuk duhet të paguajnë tarifa për të kaluar nëpër ngushticë pasi konflikti të përfundojë. Ajo theksoi se para luftës nuk ekzistonin tarifa të tilla dhe se lundrimi duhet të jetë “i lirë dhe i papenguar”, jo vetëm në Hormuz, por edhe në ngushticën Bab al-Mandab, në jug të Detit të Kuq.

    Kallas tha gjithashtu se me Araghchin diskutoi situatën e brendshme në Iran, duke shprehur shqetësim për rritjen e ndjeshme të ekzekutimeve dhe dënimeve me vdekje.

    Takimi u zhvillua në një moment kur negociatorët amerikanë dhe iranianë po zhvillonin bisedime indirekte në Nju Jork. Në krahun amerikan morën pjesë Steve Witkoff dhe Jared Kushner, ndërsa delegacioni iranian drejtohej nga Araghchi. Witkoff tha se palët kishin përfunduar me sukses një raund diskutimesh dhe se një tjetër pritet së shpejti, shkruan Abcnews.al.

    Në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme, presidenti amerikan Donald Trump tha se përballet me një “vendim të madh” lidhur me mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje me Iranin, ndërsa dallimet mes dy palëve mbeten të mëdha.