ATV

Category: Lajme

  • Guvernatorja e Australisë uron Osmanin për 17-vjetorin e pavarësisë së Kosovës

    Guvernatorja e Australisë uron Osmanin për 17-vjetorin e pavarësisë së Kosovës

    Me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një mesazh urimi nga Guvernatorja e Përgjithshme e Commonëealth-it të Australisë, Sam Mostyn AC.

    Zyra e Presidencës në Kosovë njofton se në urimin e saj, Guvernatorja Mostyn i përcolli Presidentes Osmani dhe popullit të Kosovës urimet e përzemërta në emër të Qeverisë dhe popullit australian, duke nënvizuar rëndësinë e vazhdimit të marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit në mes dy vendeve.

    “Më lejoni të shpreh besimin tim se marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve tona do të vazhdojnë të lulëzojnë edhe në vitin e ardhshëm”, thuhet në urimin e Guvernatores Mostyn.

  • ​Orban mikpret Dodikun, Kamberi: BE dhe NATO të ndërmarrin masa

    ​Orban mikpret Dodikun, Kamberi: BE dhe NATO të ndërmarrin masa

    Analistja Kaltrina Kalmberi në platformën X, ka shkruar se pozita e kryeministrit të Hungarisë, Orban Viktor, ka qenë gjithmonë të destabilizojë Ballkanin.

    Ajo ka akuzuar Orban për mbështetjen e tij të vazhdueshme për ndikimin rus në Ballkan dhe bashkëpunimin me çetnikët, duke thënë se “është e rëndësishme që Bashkimi Evropian dhe NATO të marrin një qëndrim të fortë dhe të ju ndalojnë”.

    “Do të ishte një hap i nevojshëm për të mbrojtur integritetin dhe sigurinë e rajonit”, shtoi Kamberi.

    Ky reagim erdhi pasi kryeministri hungarez mikpriti presidentin e Republikës Serbe, Milorad Dodik.

    “Qëndrimi i Hungarisë ka qenë gjithmonë i njëjtë: na nevojitet stabilitet në Ballkan. Pikërisht këtë ka sjellë presidenti Dodik gjatë viteve të fundit: një Republikë të Serbisë të qëndrueshme dhe të begatshme. Nuk ka nevojë të ndëshkohet për këtë”, shkroi Viktor në X.

  • Konsulli i përgjithshëm i Kosovës në New York organizon pritje për 17-vjetorin e pavarësisë së Kosovës

    Konsulli i përgjithshëm i Kosovës në New York organizon pritje për 17-vjetorin e pavarësisë së Kosovës

    Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në New York, Blerim Reka ka organizuar një pritje festive me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

    Në një postim në Facebook, Reka njoftoi se në këtë ngjarje morën pjesë rreth 200 mysafirë, përfshirë 50 ambasadorë dhe diplomatë të shteteve anëtare të OKB-së, si dhe përfaqësues të shteteve që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

    Gjithashtu, ishin të pranishëm edhe zyrtarë të lartë amerikanë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare. Në këtë ngjarje, fjalën e mori edhe John Kelly, nga Misioni i Përhershëm i SHBA-ve në OKB, i cili theksoi rëndësinë e ditës së Pavarësisë së Kosovës dhe e cilësoi si një moment për të nderuar arritjet e kaluar dhe për të shikuar drejt një të ardhmeje të ndritur për dy shtetet.

    Ai uroi Kosovës për këtë përvjetor dhe theksoi lidhjet e forta mes popujve të dy vendeve. Në postimin e tij, Reka gjithashtu theksoi arritjet e Kosovës në ndërtimin e shtetit pas luftës çlirimtare dhe vlerësoi ndihmën e paçmuar të SHBA-ve dhe NATO-s për çlirimin e Kosovës.

  • ‘E-Kosova’ tashmë edhe si aplikacion në iOS dhe Android

    ‘E-Kosova’ tashmë edhe si aplikacion në iOS dhe Android

    Platforma shtetërore ku shërbimet publike ofrohen në mënyrë elektronike, ‘e-kosova’, tashmë është zhvilluar edhe si aplikacion mobil.

    Ajo është zhvilluar për sistemet operative iOS dhe Android.

    Kështu ka bërë të ditur kryeministri Albin Kurti.

    “Certifikatat e gjendjes civile, certifikatat e pronës dhe kopjet e planit, obligimet e tatimit në pronë e gjobat në trafik, vazhdimi i regjistrimit të veturës, certifikata për historinë penale, aplikimet për shtesa, benefite, grante e subvencione, pagesat elektronike, e së fundmi edhe raporti kreditor – të gjitha këto shërbime dhe shumë të tjera tani janë në dispozicion online në e-Kosova, më lehtë se kurrë më parë!”, ka shkruar Kurti në Facebook.

  • “SHBA dhe Rusia të angazhuara për të gjetur një zgjidhje”, Lavrov zbulon diskutimin me Rubion: Zgjerimi i NATO-s, kërcënim për Moskën

    “SHBA dhe Rusia të angazhuara për të gjetur një zgjidhje”, Lavrov zbulon diskutimin me Rubion: Zgjerimi i NATO-s, kërcënim për Moskën

    Ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov ka folur për mediat pas takimit me delegacionin amerikan në Arabinë Saudite.

    Duke reflektuar mbi bisedimet, ai thotë se ato ishin të dobishme, duke shtuar se të dyja palët treguan “angazhim për të gjetur zgjidhje”.

    Zyrtarët amerikanë dhe rusë ranë dakord të formojnë një proces për zgjidhjen e luftës në Ukrainë, tha Lavrov, duke shtuar se “ne gjithashtu ramë dakord të krijojmë kushte për të rivendosur plotësisht bashkëpunimin tonë”.

    Duke iu kthyer më konkretisht situatës rreth NATO-s, Lavrov tha se zyrtarët rusë i shpjeguan delegacionit amerikan se zgjerimi i aleancës është një “kërcënim i drejtpërdrejtë për Rusinë”.

    “Ne i kemi thënë SHBA-së se vendosja e trupave të NATO-s në Ukrainë, edhe nën flamuj të tjerë, është e papranueshme për Rusinë,” shtoi ai.

  • Ushtarët amerikanë patrullojnë në veri të Kosovës

    Ushtarët amerikanë patrullojnë në veri të Kosovës

    KFOR ka njoftuar se sot ushtarët amerikanë kanë kryer patrullime rutinë përgjatë vijës kufitare në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

    “Ushtarët amerikanë të caktuar në Komandën Rajonale në Lindje të misionit KFOR të udhëhequr nga NATO kryen një patrullë rutinë në veri të Kosovës përgjatë vijës kufitare administrative. Këto përpjekje janë pjesë e misionit të përditshëm të KFOR-it për të garantuar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

    Këto përpjekje, siç shkruan KFOR, janë pjesë e misionit të përditshëm për të garantuar një ambient të qetë dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

  • Iu vazhdohet paraburgimi Thaçit dhe Veselit

    Iu vazhdohet paraburgimi Thaçit dhe Veselit

    Nëpërmjet dy vendimeve të ndara, kryetari i trupit gjykues Charles Smith III, më 13 shkurt 2025 ka konstatuar se për dy të pandehurit është arritur në përfundim se nuk ka mjaftueshëm informacione që justifikojnë gjetjet se ata mund të ikin nga drejtësia, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Por, sipas panelit të gjyqtarëve, Thaçi dhe Veseli mund të pengojnë zhvillimin e procedurave të DhSK-së apo të kryejnë krime të tjera ndaj dëshmitarëve, apo edhe atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së.

    ZPS-ja kishte parashtruar se mbajtja e Veselit dhe i Thaçit në paraburgim mbetet proporcional dhe i arsyeshëm, duke marrë parasysh edhe përparimin e procedurave.

    “Në dritën e rrethanave të diskutura më sipër, dhe fakti që rreziqet e pengimit të procedurave dhe kryerjes së krimeve të tjera vazhdojnë të ekzistojnë – asnjëra nga të cilat nuk mund të minohen mjaftueshëm me masat alternative të arsyeshme – Paneli gjen se ndalimi i z. Thaçi për një periudhë të mëtejshme dymujore është i nevojshëm dhe i arsyeshëm në rrethana të veçanta të këtij rasti”, thuhet në vendimin për Thaçin e ngjashëm edhe për Veselin.

    Si rrjedhojë, ZPS-ja u urdhërua që parashtrimet e saj lidhur me shqyrtimin e ardhshëm të kësaj mase ndaj dy të akuzuarve ta bëjë deri më 20 mars 2025 dhe përgjigjet në këtë parashtrim të bëhen sipas afateve të parashikuara me Rregullore.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • ​Hoti: Presim nga Kallas ta ketë në prioritet çështjen e personave të pagjetur

    ​Hoti: Presim nga Kallas ta ketë në prioritet çështjen e personave të pagjetur

    Kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti thotë se qëllimi i letrës dërguar përfaqësueses së Lartë për Punët e Jashtme të BE-së, Kaja Kallas është presioni pozitiv që çështja e personave të zhdukur të merret më me prioritet nga Bashkimi Evropian. Kjo letër po konsiderohet si informacione për kryediplomaten evropiane për problemet aktuale për çështjen e të pagjeturve.

    Qasja në territorin serb për hapjen e 11 varrezave masive, hapja e arkivave të strukturave ushtarake e policore serbe, janë dy nga kërkesat që përmes kësaj letre i janë adresuar kryediplomates të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas.

    “Janë mbi 11 varreza masive dhe kur them kështu nuk them se po dyshoj, por them se Serbia e ka pranuar vetë që ekzistojnë në Serbi dhe ne po kërkojmë informata dhe hapjen e këtyre varrezave masive… Qasja në territor të Serbisë përmes Bashkimit Evropian, në këtë rast bëhet më urgjente dhe më e lehtë …të përgjigjet Serbia për krimet që i ka bërë përmes Bashkimit Evropian nuk ka të bëjë më vetëm me mua, por përmes drejtësisë dhe më në fund të vihet drejtësia për këto familje të personave të zhdukur…. Për me ia shtua pikave të rëndësishme të kësaj letre që veç i thash është edhe një pikë tjetër që nuk ka qenë shumë e theksuar në të kaluarën që ne jemi të interesuar për arkivat e klasifikuara të ushtrisë serbe, sepse ka bërë krime në Kosovë me urdhra, të Policisë, por duhet me theksua se në Kosovë nuk kanë bërë krime vetëm ushtria, kanë bërë krime edhe qytetarët lokal serb të urdhëruar nga regjimi i atëhershëm i Millosheviqit”, u shpreh Hoti.

    Kryesuesi i këtij komisioni qeveritar tha se kjo letër është në vazhdën e përpjekjeve të Kosovës për t’i bërë presion pozitiv Bashkimit Evropian që çështja e personave të pagjetur të merret më me prioritet.

    Sipas tij, zgjidhja kryesore është kushtëzimi i Serbisë dhe jo presioni.

    “Fuqia e Kosovës është që të bëjë një lloj presioni pozitiv ndaj miqve tanë ndërkombëtarë, në këtë rast ndaj BE-së që ata ta marrin këtë çështje me prioritet dhe unë mendoj se në këto tri vitet e fundit pavarësisht se ne i kemi me forcat tona edhe deklaratën edhe komisionin e përbashkët nuk është se ka qenë me prioritet çështja e të zhdukurve, përndryshe mendoj se do të kishim rezultat. Shpresoj prej zonjës Kallas që të ndryshon qasjen në këtë raport…Po të kishte prioritet më të madh çështja e personave të zhdukur në BE, unë mendoj se Bashkimi Evropian nuk do të lejonte mbi katër vite tash prej Deklaratës dhe Komisionit të zgjaste ose të bie pre e lojës së Serbisë që ka vazhduar me ra pre tash e katër vite…10’49Letra e djeshme thotë që zonja Kallas apo BE duhet të përdorin strategji tjetër ndaj Serbisë, nuk mjafton më kjo strategji e butë që Serbia me bashkëpunua…11’21Kërkesa ime e parë do të jetë kushtëzimi jo më presioni edhe pse këtë e kam bërë edhe tek zotëri Lajçak në të kaluarën ne po duam t’ia shpjegojmë BE dhe Kallas që kjo metodë nuk po funksion”, theksoi ai.

    Hoti ka renditur dy arsye se pse zgjodhën ditën e pavarësisë së Kosovës për t’ia përcjell këtë letër kryediplomates evropiane, Kaja Kallas.

    “Është vazhdimësi e kërkesave tona ndaj BE për të dhënë një presion më të madh apo kushtëzim e kam thënë ndaj Serbisë në raport me çështjen e personave të zhdukurve, sepse presioni që aktualisht po i bëhet ose s’po i bëhet fare Serbisë nuk do të ketë fare rezultate…me informua meqenëse në Bashkimin Evropian ka ndryshuar gjërat nuk është as Borell as Lajçak, është zonja Kallas me informua Kallas për problemet aktuale që ne i kemi në raport me Serbinë për çështjen e personave të zhdukur…Ka qenë një lloj treguesi apo një lloj sinjali për këto familje që e para të ndihen krenar sepse i kanë disa institucione të Kosovës që po kujdesen dhe do të kujdesen në vazhdimësi në çfarëdo date dhe dite të jetë dhe e dyta të jenë të lehtësuar sepse çka do që varet prej neve ne nuk do të ndalemi”, theksoi ai.

    Nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur presin qëpërfaqësuesja e Lartë për Punët e Jashtme të BE-së, Kaja Kallas brenda dy apo tri javës të ftoj takimin e radhës të Komisionit të Përbashkët të Kosovës dhe të Serbisë për të pagjeturit.

    Kryesuesi i këtij Komisioni, Andin Hoti shprehet pesimist për qasjen e Serbisë për vazhdimësinë e këtyre takimeve.

    “Nuk kemi ndonjë informacion për shkak se zonja Kallas është ajo që duhet tash me ftua takimin e radhës sepse Bashkimi Evropian është kryesues i këtij Komisioni të Përbashkët. Unë po besoj që brenda 2-3 javësh zonja Kallas e fton këtë takim, por unë nuk di se si do të jetë qasja e Serbisë, sepse ju e dini që më 15 janar ajo ka orkestruar mos pjesëmarrje në takim dhe ka refuzuar takimin dhe pastaj disa ditë më vonë na kanë njoftuar që po i ndërprenë edhe takimet e nëngrupeve profesionale që kanë qenë duke u takuar dhe duke punuar edhe ato i ka ndërprerë. Dhe një qasje tillë e Serbisë nuk tregon që ajo do me vazhdua me bashkëpunua me Komisionin e Përbashkët, por tregon të kundërtën se ajo po tenton me i ik përgjegjësisë, po tenton me iu ik kërkesave tona për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur”, shprehet Hoti.

    Më 15 janar të këtij viti ishte planifikuar një takimi i Komisionit të përbashkët të Kosovës dhe të Serbisë për të pagjeturit, mirëpo ai ka dështuar për shkak të refuzimit të Serbisë për të marrë pjesë, si shenjë proteste pas një aksioni të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve të Serbisë.

    Edhe 26 vite pas përfundimit të luftës ende nuk dihet për fatin e mbi 1 mijë e 600 personave.

  • Gashi: Lufta e UÇK-së ishte e drejtë, drejtuesit e saj duhet të lirohen nga Gjykata Speciale

    Gashi: Lufta e UÇK-së ishte e drejtë, drejtuesit e saj duhet të lirohen nga Gjykata Speciale

    Kryetari i Parlamentit, Afrim Gashi në një intervistë për 360 Gradë ka komentuar edhe deklaratën e Riçard Grenellit në lidhje me lirimin sa më të shpejtë të ish drejtuesit të UÇK-së, Hashim Thaçi.

    Gashi pajtohet me Grenellin në këtë pikë, duke theksuar se lufta e UÇK-së ishte e drejtë.

    “Ne, nuk kemi asnjë sponzor politik, por kur jemi të Gjykata Speciale që po mbahet për udhëheqësit e UÇK-së, mendoj se ajo në tërësi është e pabazë. U nis për diçka dhe vazhdoi krejtësisht diçka tjetër. Edhe në dëshmitë edhe në procedurën shihet se nuk ka dëshmi rreth asaj. Unë mendoj se ajo luftë ishte e pastër. Ishte e drejtë! Dhe mendoj se ata duhet që të lirohen. Atje nuk ka përgjegjësi komanduese sipas meje. Nëse dikush me të vërtetë ka bërë ndonjë krim duhet që të përgjigjet, ndonjë person, cili do qoftë ai individ. Kur jemi të ajo luftë, mendoj se Grenelli është në të drejtë dhe unë pajtohem me të“, theksoi midis tjerash kryeparlamentari Gashi.

  • ​Bolivi, autobusi bie në hendekun e thellë 800 metra

    ​Bolivi, autobusi bie në hendekun e thellë 800 metra

    Më shumë se 30 persona kanë vdekur në një aksident autobusi në një rrugë malore në Bolivi, ka njoftuar policia.

    Shoferi ka të ngjarë të humbasë kontrollin e automjetit, duke bërë që autobusi të bjerë 800 metra në një luginë në qarkun jugperëndimor Yocalla.

    Katërmbëdhjetë persona u lënduan, duke përfshirë katër fëmijë, tha një zyrtar i spitalit lokal në një deklaratë video.

    Aksidenti ka ndodhur në rrugën midis qyteteve Potosí dhe Oruro. Stacioni televiziv lokal Unitel raportoi se disa nga të lënduarit ishin në gjendje kritike.

    Ky është aksidenti trafiku më vdekjeprurës në Bolivi këtë vit. Aksidentet e rënda janë të zakonshme në rrugët e rrezikshme të Bolivisë, veçanërisht në zonat malore. Muajin e kaluar, 19 persona vdiqën kur një autobus tjetër doli nga rruga pranë Potosit. Sipas të dhënave të qeverisë boliviane, mesatarisht 1.400 njerëz vdesin në aksidente trafiku çdo vit në vendin me rreth 12 milionë banorë.