ATV

Category: Lajme

  • Vazhdon edhe sot numërimi i votave për deputetë

    Vazhdon edhe sot numërimi i votave për deputetë

    Ende po vazhdon numërimi i votave për zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 9 shkurt, raporton Ekonomia Online.

    Votat e kandidatëve për deputetë janë numëruar në rreth 80 për qind të vendvotimeve.

    Zyrtarë të Komisionit Qendror Zgjedhor nuk kanë dhënë një datë të saktë se kur mund të përfundojë ky proces, por besojnë se do të përmbyllet brenda pak ditësh.

    Ndërkohë, merret vesh se numri i zarfeve të votave me kusht është 12 mijë e 801, të cilat gjithashtu do t’i nënshtrohen verifikimit, ndërkaq numri i votave të personave me nevoja të veçanta është 2 mijë e 597.

  • Thaçi mungon edhe në konferencën për ecurinë e çështjes, ZPS-ja thotë se s’do thërrasin dëshmitarë pas 4 prillit

    Thaçi mungon edhe në konferencën për ecurinë e çështjes, ZPS-ja thotë se s’do thërrasin dëshmitarë pas 4 prillit

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) njoftoi se pas 4 prillit 2025 nuk do të thërrasë asnjë dëshmitar në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Kjo u bë e ditur të mërkurën nga prokurori Matt Halling në konferencën për ecurinë e çështjes në këtë rast, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “4 prill është data e fundit e parashikuar. Nuk do thërrasim asnjë dëshmitar pas kësaj date. Brenda 15 prillit do të dorëzojmë mocionet e fundit me shkrim, provat jogojore. Kjo është data që planifikojmë. Nuk do kemi dëshmitarë tjerë pas datës 4 prill”, tha Halling.

    Ndërsa, prokurori James Pace njoftoi se për javën tjetër i kanë dy dëshmitarë për të dëshmuar dhe ata janë W4745 dhe W2766.

    Ai tha se për muajin mars e kanë një dëshmitar që do ta thërrasin. Kurse, shtoi se do të japin përditësime për dëshmitarët të tjerë që janë planifikuar për mars sapo të kenë përditësimet ata vetë.

    “I vetmi dëshmitar i konfirmuar për bllokun e marsit është dëshmitari 04403”, tha ai, duke shtuar se planifikojnë të thërrasin edhe dëshmitarë të tjerë por që nuk i kanë konfirmuar ende për shkak të problemeve me sigurimin e tyre, bashkëpunimin me shtetet e treta, e tjera.

    Një kërkesë sipas Rregullës 153 që parasheh pranimin e dëshmive të dëshmitarëve me shkrim, prokurori tha se do ta dorëzojnë brenda kësaj jave ku përfshihen katër dëshmitarë, dy prej të cilëve i ka kundërshtuar mbrojtja.

    Pace tha se kanë mbetur vetëm 20 dëshmitarë që disa prej tyre do të kërkohet që të trajtohen sipas Rregullës 153, 155 etj.

    Tre të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit përmes video-lidhjes, ndërsa Thaçi nuk është i pranishëm fare ashtu si edhe dje për arsye shëndetësore.

    Fillimisht, Rexhep Selimi u kyç në seancë duke njoftuar se ka probleme me përkthimin në gjuhën shqipe.

    “Më falni që po ndërhyj, por nuk kemi përkthim shqip”, tha Selimi.

    Si rrjedhojë kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III i tha se do ta zgjidhin këtë çështje, gjë e cila edhe ndodhi.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • Gjykata konfirmon se ka pranuar kërkesën nga Prokuroria Speciale që ta urdhërojë Kurtin të paraqitet për intervesitim

    Gjykata konfirmon se ka pranuar kërkesën nga Prokuroria Speciale që ta urdhërojë Kurtin të paraqitet për intervesitim

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka dorëzuar në Gjykatën Themelore kërkesën që kryeministri Albin Kurti, të paraqitet në PSRK për të dhënë dëshminë në cilësinë e dëshmitarit lidhur me rastin e rezervave shtetërore.

    Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila pohoi se janë në shqyrtim të kërkesës.

    “Konfirmojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka pranuar kërkesën në fjalë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e njëjta është duke u shqyrtuar nga gjykata”, konfirmoi Gashi.

    Kryeministri Kurti është ftuar si dëshmitar nga Prokuroria që të japë versionin e tij lidhur me rastin e rezervave shtetërore për të cilin të dyshuar janë afaristi Ridvan Muharremi dhe zyrtarët e Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara.

    Prokuroria kishte ftuar tri herë me radhë kryeministrin Albin Kurti për intevstim, por i njëjti nuk është përgjigjur thirrjeve të prokurorisë.

    Kurti kishte deklaruar se prokurorët duhet të shkojnë dhe ta intervistojnë atë në zyrën e kryeministrit, duke deklaruar se këtë praktikë e kanë bërë edhe më herët prokurorët.

  • Dy të mitur arrestohen për therje me thikë në Obiliq

    Dy të mitur arrestohen për therje me thikë në Obiliq

    Në Obiliq janë arrestuar dy të mitur, pasi dyshohet se kanë therur me thikë një të mitur tjetër.

    Viktima është dërguar në QKUK për tretman mjekësor.

    Me vendim të prokurorit, njëri nga të dyshuarit është dërguar në mbajtje, ndërsa tjetri është liruar në procedurë të rregullt, njoftojnë nga policia.

  • Policia shqiptoi 1926 gjoba trafiku për 24 orë

    Policia shqiptoi 1926 gjoba trafiku për 24 orë

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se brenda 24 orëve të kaluara ka shqiptuar 1926 gjoba në trafik, raporton Ekonomia Online.

    Sipas raportit të policisë, gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar disa aksidente në trafikun rrugor, 26 aksidente kanë qenë me lëndime dhe 52 me dëme materiale.

    Gjatë kësaj periudhe, policia njofton se janë arrestuar 11 persona, ndërkaq 8 të tjerë janë dërguar në mbajtje.

  • BE vendos paketën e 16-të të sanksioneve ndaj Rusisë

    BE vendos paketën e 16-të të sanksioneve ndaj Rusisë

    Vendet e Bashkimit Evropian vendosin paketën e 16-të të sanksioneve kundër Rusisë, disa ditë para përvjetorit të tretë të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska, njoftoi presidenca polake.

    Paketa e re e masave ndëshkuese u ra dakord nga ambasadorët e BE dhe do të miratohet zyrtarisht kur ministrat e Jashtëm të takohen të hënën, në përvjetorin e tretë të pushtimit.

    Masat e reja ndëshkuese synojnë kapitenët dhe pronarët e anijeve të të ashtuquajturës flotë në hije të anijeve ruse me pronësi të paqartë, disa prej të cilave as nuk janë të siguruara.

    Këto anije përdoren për të anashkaluar kufirin perëndimor të çmimit për eksportet e naftës ruse në vendet e treta ose për të transportuar grurë të vjedhur nga Ukraina.

    Ekzistojnë gjithashtu shqetësime se anijet po përdoren për të sabotuar kabllot e telekomunikacionit në Balltik dhe Detin e Veriut.

  • Vdes në QKUK personi që u gjet pa vetëdije në vendin e punës

    Vdes në QKUK personi që u gjet pa vetëdije në vendin e punës

    Një person raportohet se ishte gjetur pa vetëdije në vendin e punës në Graçanicë, kurse vdiq pasi u dërgua në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

    Në raportin 24 orësh të Policisë, thuhet se rasti ka ndodhur të martën rreth orës 20:38 dhe është iniciuar si “Hetim i vdekjes”.

    “Raportohet se në vendin e punës është gjetur pa vetëdije viktima mashkull kosovar, i cili është dërguar në QKUK, ku më vonë ka vdekur. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në njoftim.

  • Rozeta Hajdari, Gazmir Raci, Enver Dugolli e Ardian Gola as në 50 më të votuarit në Vetëvendosje

    Rozeta Hajdari, Gazmir Raci, Enver Dugolli e Ardian Gola as në 50 më të votuarit në Vetëvendosje

    Janë publikuar edhe listat e kandidatëve të Vetëvendosjes për deputetë, dhe votat që ata kanë marrë në zgjedhjet e 9 shkurtit.

    Megjithatë, përderisa Edona Llalloshi, Mefail Bajqinovci e Agim Bahitir kanë siguruar numër të madh votash, dikush tjetër në VV ka pësuar dështim spektakolar.

    Është ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, e cila nuk figuron as në 50 më të votuarit në VV.

    Në atë listë nuk shihet as analisti Gazmir Raci, i zëshëm në mbrojtjen e kuazave të partisë në pushtet.

    Me votat aktuale, në Kuvend nuk do të jetë as Enver Dugolli, i zëshëm me akuza ndaj opozitës e mediave.

    Kurse, në 50-shen e më të votuarve të VV-së nuk është as profesori Ardian Gola.

    Albin Kurti është më i votuari me 222 mijë vota. Pas tij vjen Glauk Konjufca me 170 mijë vota. Faton Peci ka marrë vota si i treti me 84 mijë sosh.

    Pas Pecit, vjen Hekuran Murati me 80 mijë, Albulena Haxhiu me 76 mijë, Xhelal Sveçla me 72 mijë e Donika Gërvalla me 68 mijë.

    Ulëse ka siguruar edhe Avni Dehari që është votuar 58 mijë herë, si dhe Mimoza Kusari-Lila që ka marrë mbi 50 mijë vota.

    Në mesin e emrave të tjerë që kanë marrë shumë vota janë edhe Arben Vitia, Ejup Maqedonci, Shqipe Mehmeti-Selimi, Saranda Bogujevci.

    Këngëtarja Edona Llalloshi ka marrë mbi 26 mijë vota, Mefail Bajqinovci 24 mijë të tjera.

    Kuvendit pritet t’i shtohet edhe zëri i fuqishëm i Agim Bahtirit që është votuar nga 12 mijë qytetarë.

    Në anën tjetër, ulëse pritet të sigurojë edhe Bylbyl Sokoli pasi ka marrë mbi 12 mijë vota.

  • Beteja për Kancelar: Olaf Scholz ka besim te vetja

    Beteja për Kancelar: Olaf Scholz ka besim te vetja

    Olaf Scholz rikandidon për SPD-në në zgjedhjet 2025, pavarësisht rezultateteve të dobëta në sondazhe.

    Ishte shtatori i vitit 2024 kur socialdemokrati, Olaf Scholz, u pyet në një intervistë për gazetën berlineze “Tagesspiegel” se çfarë shpresonte të shkruhej për të në librat e historisë. Përgjigjja e shkurtër dhe e thatë e 66-vjeçarit: “Mendoj se duhet të kemi kujdes nga politikanët që e mendojnë këtë para ose gjatë mandatit të tyre.”

    Ndoshta, tani ai po reflekton disi më shumë. Koalicioni i tij qeverisës, i përbërë nga SPD, të Gjelbrit dhe FDP-ja, u shpërbërë para kohe. Nëse SPD-ja i humb zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 23 shkurt 2025 dhe CDU-ja merr përgjegjësinë mbi kancelarinë, atëherë Scholz do të bëhet kancelari socialdemokrat me mandatin më të shkurtër në historinë e Republikës Federale të Gjermanisë.

    Olaf Scholz mbetet optimist

    Por Olaf Scholz është i vendosur për fitore – me të njëjtën këmbëngulje që kishte edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021. Atëherë, ashtu si tani, në sondazhe SPD-japërkrahej vetëm nga 15% e elektoratit, (me luhatje të vogla në sondazhe, shën. red.) dhe Scholzin e tallnin për optimizmin e tij stoik. Por disa gabime të CDU-së i dhanë avantazh dhe socialdemokratët dolën fitues me 25.7% të votave.

    Scholz është përballur me shumë situata të vështira dhe kritike në karrierën e tij politike, por si kancelar ka pasur më shumë sfida njëkohësisht se çdo kancelar tjetër para tij. Vetëm tre muaj pas marrjes së detyrës, Rusia pushtoi Ukrainën.

    Që atëherë, pyetja ka qenë si mund ta mbështesë Gjermania Ukrainën ushtarakisht pa u përfshirë drejtpërdrejt në luftë. Scholz e ka trajtuar këtë çështje me kujdes, por shpesh është akuzuar për hezitim. Ai vetë e quan këtë qasje “maturi”. Lufta ka sjellë pasoja: krizë energjetike, inflacion, rënie ekonomike, konflikte për politikën e azilit në BE dhe rritjen e paprecedentë të ekstremit të djathtë.

    Një qeveri e përçarë nga grindjet

    Koalicioni tripartiak i qendrës së majtë mes SPD-së, të Gjelbërve dhe FDP-së ishte një aleancë plot kontradikta. I formuar nga domosdoshmëria për të siguruar një shumicë parlamentare, ky bashkim mes dy partive të majta dhe një partie ekonomike liberale nuk mundi të funksiononte gjatë. Konfliktet e vazhdueshme e bënë këtë qeveri më të papëlqyerën në historinë e Republikës Federale.

    Por Scholz nuk u ndikua nga kjo. Ai nuk e la veten të shqetësohej nga humbja e besimit të publikut dhe nuk reagoi ndaj popullaritetit të tij të ulët. Motoja e tij: të dëgjojë sondazhet, por të mos komentojë mbi to dhe të mos ndryshojë politikën në varësi të tyre. Ai gjithmonë përsëriste: gjithçka është e mundur.

    Socialdemokrat qysh në rini

    Për Scholz, posti i kancelarit federal është kulmimi i një karriere politike që ka nisur dekada më parë. Ai u bë aktiv në rininë socialdemokrate (Juso), ku mbështeste ide socialiste radikale dhe kritike ndaj kapitalizmit. Pasi u anëtarësua në SPD si student në vitin 1975, ai punoi për shumë vite si avokat i specializuar në të drejtën e punës në Hamburg, duke mësuar nga afër mekanizmat e ekonomisë dhe biznesit privat. Kjo eksperiencë e formësoi qasjen e tij pragmatike në politikë.

    Rrugëtimin në administratën publike e nisi si senator për punët e brendshme në Hamburg, për të vijuar më pas si ministër federal i Punës në koalicionin e parë të madh nën kancelaren kristiandemokrate, Angela Merkel, dhe më pas si kryebashkiak i qytet-shtetit të Hamburgut. Në vitin 2018, u kthye në Berlin si ministër i Financave dhe zëvendëskancelar në qeverinë e kancelares Merkel.

    Fjalime nga “Scholzomati”

    Një nga nofkat që e ka ndjekur Scholzin gjatë gjithë karrierës së tij është “Scholzomat”, një kombinim i fjalëve “Scholz” dhe “automat”. Kjo fjalë u krijua nga gazeta e përjavshme “Die Zeit”, gjatë kohës që ai ishte sekretar i përgjithshëm i SPD-së (2002-2004), për të përshkruar mënyrën e tij të komunikimit: teknik, burokratik dhe i ftohtë, si një makinë që përsërit të njëjtat mesazhe politike.

    Ky imazh prej burokrati të mërzitshëm dhe pa karizëm e ndoqi për vite. Vetë Scholz e konsideron veten një pragmatist të përqendruar te puna, i cili flet aq sa është e nevojshme.

    SPD-ja nuk e donte si kryetar

    Vetëm vonë ai e kuptoi, se politika kërkon edhe aftësi për të komunikuar dhe për të ndërtuar një imazh personal. Gjatë garës për kreun e SPD-së në vitin 2019, ai tentoi ta ndryshonte këtë imazh: u tregua më emocional, më i afrueshëm dhe më i buzëqeshur. Por, sërish, nuk e fitoi besimin e partisë. SPD-ja kërkonte një lider më të majtë dhe zgjodhi një dyshe tjetër në krye.

    Nga humbës në kandidat për kancelar

    Edhe këtë humbje Scholz e përballoi me gjakftohtësi. Ai vijoi punën si ministër i Financave dhe nuk ndërhyri në udhëheqjen e re të partisë, duke pritur momentin e tij. Në fund, SPD-ja e emëroi si kandidat për kancelar, duke e ditur se asnjë prej drejtuesve të saj nuk kishte eksperiencën e nevojshme për të sfiduar CDU-në.

    Gjatë pandemisë COVID-19, Scholz u tregua i shpejtë në sigurimin e kredive dhe ndihmave financiare, duke u bërë një figurë kyçe në krizë.Ai përdorte fraza të shkurtra dhe të qarta si “Wumms” dhe “Doppel-Wumms”, që nënkupton aksione me goditje të përqendruara, ose dyfish të përqendruara, duke i siguruar atij një imazh të një lideri që vepron shpejt.

    Kancelari fjalëpak

    Edhe si kancelar, Scholz vazhdoi të ishte i rezervuar dhe i heshtur, duke mos kuptuar se komunikimi është një pjesë thelbësore e këtij posti. Heshtja e tij në momente kyçe dhe mungesa e qartësisë në fjalimet e tij bënë që popullariteti i tij të bjerë.

    Në SPD, disa menduan se partia do të kishte më shumë shanse nëse kandidati për kancelar do të bëhej ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius. Ai është politikani më i pëlqyer në sondazhe. Por në nëntor 2024, Pistorius deklaroi hapur se mbështet Scholzin, duke u dhënë fund spekulimeve.

    A do ta ndihmojë kjo Scholzin të sigurojë një mandat të dytë? Kjo mbetet për t’u parë në zgjedhjet e 23 shkurtit 2025.DW

  • Agim Bahtiri, Edona Llalloshi, Bylbyl Sokoli: Këta janë kandidatët që morën më së shumti vota në Vetëvendosje

    Agim Bahtiri, Edona Llalloshi, Bylbyl Sokoli: Këta janë kandidatët që morën më së shumti vota në Vetëvendosje

    Me votat e numëruara deri tash, kanë dal listat e kandidatëve të partive politike që potencialisht kanë siguruar ulëse në Kuvend.

    Pas partive të tjera, një listë ka dalur edhe për partinë në pushtet.

    Albin Kurti është më i votuari me 222 mijë vota. Pas tij vjen Glauk Konjufca me 170 mijë vota. Faton Peci ka marrë vota si i treti me 84 mijë sosh.

    Pas Pecit, vjen Hekuran Murati me 80 mijë, Albulena Haxhiu me 76 mijë, Xhelal Sveçla me 72 mijë e Donika Gërvalla me 68 mijë.

    Ulëse ka siguruar edhe Avni Dehari që është votuar 58 mijë herë, si dhe Mimoza Kusari-Lila që ka marrë mbi 50 mijë vota.

    Në mesin e emrave të tjerë që kanë marrë shumë vota janë edhe Arben Vitia, Ejup Maqedonci, Shqipe Mehmeti-Selimi, Saranda Bogujevci.

    Këngëtarja Edona Llalloshi ka marrë mbi 26 mijë vota, Mefail Bajqinovci 24 mijë të tjera.

    Kuvendit pritet t’i shtohet edhe zëri i fuqishëm i Agim Bahtirit që është votuar nga 12 mijë qytetarë.

    Në anën tjetër, ulëse pritet të sigurojë edhe Bylbyl Sokoli pasi ka marrë mbi 12 mijë vota.