ATV

Category: Lajme

  • Agim Bahtiri, Edona Llalloshi, Bylbyl Sokoli: Këta janë kandidatët që morën më së shumti vota në Vetëvendosje

    Agim Bahtiri, Edona Llalloshi, Bylbyl Sokoli: Këta janë kandidatët që morën më së shumti vota në Vetëvendosje

    Me votat e numëruara deri tash, kanë dal listat e kandidatëve të partive politike që potencialisht kanë siguruar ulëse në Kuvend.

    Pas partive të tjera, një listë ka dalur edhe për partinë në pushtet.

    Albin Kurti është më i votuari me 222 mijë vota. Pas tij vjen Glauk Konjufca me 170 mijë vota. Faton Peci ka marrë vota si i treti me 84 mijë sosh.

    Pas Pecit, vjen Hekuran Murati me 80 mijë, Albulena Haxhiu me 76 mijë, Xhelal Sveçla me 72 mijë e Donika Gërvalla me 68 mijë.

    Ulëse ka siguruar edhe Avni Dehari që është votuar 58 mijë herë, si dhe Mimoza Kusari-Lila që ka marrë mbi 50 mijë vota.

    Në mesin e emrave të tjerë që kanë marrë shumë vota janë edhe Arben Vitia, Ejup Maqedonci, Shqipe Mehmeti-Selimi, Saranda Bogujevci.

    Këngëtarja Edona Llalloshi ka marrë mbi 26 mijë vota, Mefail Bajqinovci 24 mijë të tjera.

    Kuvendit pritet t’i shtohet edhe zëri i fuqishëm i Agim Bahtirit që është votuar nga 12 mijë qytetarë.

    Në anën tjetër, ulëse pritet të sigurojë edhe Bylbyl Sokoli pasi ka marrë mbi 12 mijë vota.

  • Qeveria maqedonase kufizon marzhën e fitimit për 102 grupe produktesh

    Qeveria maqedonase kufizon marzhën e fitimit për 102 grupe produktesh

    Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar vendimin për kufizimin e marzhës së fitimit për 102 grupe produktesh që përfshijnë mbi 1.000 artikuj ushqimorë dhe joushqimorë, me synimin për të ulur çmimet dhe për të “mbrojtur qytetarët” nga rritjet e çmimeve.

    Sipas vendimit, për tetë produkte bazë, përfshirë bukën, miellin, vajin, vezët, marzha nuk duhet të kalojë mbi 5%. Për 55 produkte të tjera, si mishi dhe produktet e konservuara, kufiri është 10%, ndërsa për 39 produkte të tjera si fruta, perime dhe artikuj higjienikë, marzha lejohet deri në 15%.

    Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës, Marjan Risteski, deklaroi se tregtarët do të jenë të detyruar të mbajnë në raftet e tyre të paktën 70 për qind të këtyre produkteve.

    “Pritjet tona janë që me këto dy vendime çmimet e produkteve bazë ushqimore të ulen mesatarisht për rreth 10 për qind, me përjashtim të tetë produkteve bazë ushqimore – qumësht, bukë, miell tipi 400 dhe 500, vezë, vaj për gatim, kos dhe dhallë, për të cilat pritet të mbeten në të njëjtin nivel, pra të mos rriten ose të kenë një ulje minimale”, tha Risteski në konferencën për shtyp, më 18 shkurt.

    Vendimi, i cili pritet të hyjë në fuqi të mërkurën dhe të zbatohet deri më 30 prill, vjen pas dy bojkotimeve të blerjeve nga qytetarët në shenjë pakënaqësie për çmimet e larta të ushqimeve.

    Ndërkohë, Oda Ekonomike e Tregtarëve me shumicë dhe pakicë ka paralajmëruar se masat mund të rrezikojnë mbylljen e marketeve, pasi sipas tyre, harxhimet bazë të tregtarëve lëvizin nga 12 deri në 15 për qind. Ata, paraprakisht propozuan që kufizimi të zbatohet për 200 produkte, në vend të 1000 produkteve të përcaktuara nga Qeveria.

    Nga Lidhja Socialdemokrate (LSDM) në opozitë, më herët gjatë ditës propozuan heqjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për ushqimin. Deputetja kësaj partie, Jovanka Trençeska, tha se vetëm në këtë mënyrë do t’u ndihmohet qytetarëve, të cilët, siç tha, mezi ia dalin dhe po përballen me kushte gjithnjë e më të vështira për jetesë.

    “Energjia elektrike do të bëhet 13% më e lirë, qytetarët do të mund të kursejnë rreth 400 denarë në një faturë prej 3,000 denarësh… Mbi 250 kategori produktesh ushqimore do të bëhen 5% më të lira. Kjo sjell një kursim të drejtpërdrejtë prej 2.000 denarësh në muaj ose 24.000 denarësh në vit”, tha Trençeska.

    Megjithatë, Qeveria maqedonase tani beson se këto masa do të “mbrojnë qytetarët” nga rritjet e çmimeve, dhe për të krijuar një ekuilibër më të drejtë në treg. Autoritetet kanë paralajmëruar edhe gjoba deri në 20.000 euro për ata që nuk respektojnë kufizimet.

    Ky vendim u bazua në raportin gjashtëmujor të Inspektoratit Shtetëror të Tregut, sipas të cilit u konstatua se tregtarët me pakicë kishin më shumë se 20 për qind marzhë për produktet bazë ushqimore dhe mbi 30 për qind marzhë për produktet e higjienës personale, ndërsa te importuesit dhe distributorët u regjistruan marzha më të larta deri në 50 për qind. Sipas raportit, importuesit dhe distributorët shënonin fitime edhe më të larta, me marzha deri në 50%./rel

  • Mbahet konferenca për ecurinë e çështjes në rastin e ish-krerëve të UÇK-së

    Mbahet konferenca për ecurinë e çështjes në rastin e ish-krerëve të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë pritet që të mbahet nesër konferencë për ecurinë e çështjes në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Seanca pritet të fillojë nga ora 09:00 me 45 minuta vonesa në transmetim ashtu siç ndodhë zakonisht.

    Ndryshe, dje në Hagë ka përfunduar dëshminë dëshmitari i 122-të në këtë proces gjyqësor i cili ishte dëshmitari i fundit për këtë javë.

  • Trump pretendon se Ukraina e filloi luftën me Rusinë

    Trump pretendon se Ukraina e filloi luftën me Rusinë

    Donald Trump iu përgjigj ukrainasve që mund të jenë të zhgënjyer nga fakti që zyrtarët e vendit të tyre nuk u ftuan në bisedimet për paqen.

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenksy ka deklaruar se nuk do të pranojë asnjë marrëveshje nëse në tryezë nuk është ai dhe përfaqësuesit e shteteve evropiane, raporton cnn.

    “Mendoj se kam fuqinë për ta përfunduar këtë luftë dhe mendoj se po shkon mirë. Por sot dëgjova: ‘Oh, mirë, ne nuk u ftuam.’ Po, ju keni qenë aty për tre vjet. Duhej ta kishit përfunduar pas tre vitesh. Nuk duhej ta kishit nisur kurrë. Mund të kishit arritur një marrëveshje”, pretendoi gabimisht Trump në lidhje me Ukrainën.

    Lideri amerikan tha se ai mund të kishte “arritur një marrëveshje” për Ukrainën nëse do të ishte president i SHBA-së kur shpërtheu lufta në vitin 2022.

    “Unë mund të kisha arritur një marrëveshje për Ukrainën që do t’u jepte atyre pothuajse të gjithë territorin”, tha 78-vjeçari.

    “Çdo gjë, pothuajse të gjithë territorin. Dhe askush nuk do të ishte vrarë dhe asnjë qytet nuk do të ishte shkatërruar”, përfundoi ai.

    Ndryshe, zyrtarët amerikanë dhe rusë kanë diskutuar sot në Riad të Arabisë Saudite, pa praninë e Ukrainës.

  • Mot i ftohtë edhe sot, minimalja -8 gradë

    Mot i ftohtë edhe sot, minimalja -8 gradë

    Edhe sot vazhdon moti i ftohtë. Vransirat po pritet të shpërndahen deri në mesditë, e më pas të ketë më shumë intervale me diell.

    Frynë erë e ftohtë, mesatare nga veriu e verilindja, 5-10m/s. Temperaturat minimale zbresin deri në -8C e -5C, e ato maksimale luhaten ndërmjet 0C e 3C, njofton Mendimi për Motin.

    Ngrica mjaft të ashpra po priten ditëve të ardhshme, me minimale që zbresin deri në -8C e -10C.

    Do të mbretëroj mot kryesisht me kthjellime e diell nga dita e enjtë. Përgjatë fundjave mund të ketë vransira kalimtare, por nuk paraqiten kushte për të reshura. Maksimalet gradualisht në rritje, deri në fundjavë arrinë vlera prej 6C e 8C.

  • Hoxhaj: Kurti duhet ta bëjë qeverinë, nëse dështon, e marrim ne PDK-ja

    Hoxhaj: Kurti duhet ta bëjë qeverinë, nëse dështon, e marrim ne PDK-ja

    Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Albin Kurti, si fitues i zgjedhjeve, duhet të bëjë çdo përpjekje për të formuar qeverinë, por nëse dështon, këtë është e gatshme ta bëjë PDK-ja si partia e dytë.

    Ai tha se Kushtetuta e Kosovës e përcakton qartë procesin e formimit të qeverisë dhe se në rast të dështimit të Kurtit, PDK-ja është e gatshme të marrë përgjegjësinë.

    “Zoti Kurti, si fitues i zgjedhjeve, duhet të bëjë çdo gjë për ta formuar qeverinë. Ai ka marrë atë numër të deputetëve që i ka dhe duhet të marrë të drejtën nga presidentja Osmani për të filluar formimin e institucioneve të ardhshme. Por Kosova nuk e ka luksin të humbë kohë”, tha Hoxhaj.

    Hoxhaj tha se PDK nuk do ta pengojë Kurtin të formojë qeverinë, por nëse ai dështon, atëherë do të ndërmarrin hapat e nevojshëm qe krijimin e qeverisë ta bëjë PDK-ja.

    “Ne nuk duam të krijojmë përshtypjen se po i marrim fitoren, ai duhet ta krijojë qeverinë e Kosovës. Por nëse ai dështon të gjejë partnerë dhe numrat e nevojshëm, atëherë i takon presidentes të mandatojë zotin Hamza, i cili do të bëjë përpjekje me partitë e tjera për të formuar qeverinë e ardhshme”, deklaroi Hoxhaj.

    Intervistën e plotë me Enver Hoxhajn në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Hoxhaj tregon kur e kuptuan se më 17 shkurt do të shpallej Pavarësia e Kosovës

    Hoxhaj tregon kur e kuptuan se më 17 shkurt do të shpallej Pavarësia e Kosovës

    Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se faza vendimtare për pavarësinë e Kosovës filloi në vitin 2005, ndërsa vetëm disa ditë para 17 shkurtit 2008, morën konfirmimin për shpalljen e saj.

    Hoxhaj tha se përpjekjet për liri kishin nisur shumë më herët, por faza përfundimtare u vendos nga proceset politike ndërkombëtare.

    “Në tetor të 2005-ës, u paraqitën për herë të parë dhjetë parime të Grupit të Kontaktit, të cilat përcaktuan se zgjidhja e statusit të Kosovës duhet të merrte në konsideratë vullnetin e qytetarëve dhe se Kosova nuk kishte të drejtë të bashkohej me një shtet tjetër në rajon”, tha Hoxhaj.

    Ai zbuloi se vetëm pak ditë para 17 shkurtit 2008, u konfirmua data e shpalljes së pavarësisë.

    “Në javën e dytë të shkurtit 2008, katër ose pesë ditë para, ne morëm vesh që të dielën, më 17 shkurt, do të shpallej pavarësia”, deklaroi Hoxhaj.

    Intervistën e plotë me Enver Hoxhajn në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Hoxhaj: Dihet kush ishte figura kyçe e shpalljes së pavarësisë së Kosovës

    Hoxhaj: Dihet kush ishte figura kyçe e shpalljes së pavarësisë së Kosovës

    Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se nuk ka asnjë dyshim se kush ishte figura kyçe në shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.

    Ai tha se kjo ngjarje mbetet më e rëndësishmja në historinë e Kosovës dhe se interpretimet e ndryshme nuk mund ta ndryshojnë këtë fakt.

    “Mendoj se ka disa të vërteta të cilat i kanë qëndruar kohës më 17 shkurt 2008, i qëndrojnë edhe sot dhe do t’i qëndrojnë përjetë. Nuk ka një ngjarje më domethënëse se 17 shkurti. Dihet kush ka qenë figura qendrore, dihet kush cilin rol e ka pasur”, tha Hoxhaj.

    Ai shprehu habinë e tij se si disa ish-bashkëpunëtorë po ngrenë dilema për rolin e figurave kyçe në shpalljen e pavarësisë.

    “Jam habitur, me thënë të drejtën, se si disa bashkëkohanikë tanë kanë hapur dilema se kush e shpalli dhe kush nuk e shpalli pavarësinë”, u shpreh Hoxhaj.

    Intervistën e plotë me Enver Hoxhajn në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Përditësimi i fundit nga KQZ-ja: Numërohen 78% e vendvotimeve

    Përditësimi i fundit nga KQZ-ja: Numërohen 78% e vendvotimeve

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se deri më sot (18 shkurt) janë numëruar rreth 78% të vendvotimeve për votat e kandidatëve lidhur me zgjedhjet parlamentare.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se deri më tani ka përfunduar numërimi i votave të kandidatëve në 1 mijë e 970 vendvotime nga 2533 sa janë gjithsej.

    Sipas Elezit, deri në numërimin përfundimtar duhet të pritet edhe për numërimin e votave me kusht, të diasporës, si dhe votave të personave me nevoja të veçanta.

    “Deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare KQZ-ja duhet të numërojë votat për deputet, të bëj numërim e votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votat nga diaspora.

    Lidhur me numërimin dhe verifikimin e subjekteve nga formularët deri më 18 shkurt në ora 16:00 janë numëruar rreth 78% të vendvotimeve apo rreth 1 mijë e 970 nga 2533 sosh, ndërkaq lidhur me aspektet e tjera të procesit zgjedhor ju njoftojmë se është duke vazhduar verifikimi i votave përmes postës”, ka thënë Elezi.

  • Zëdhënësi i KQZ-së tregon se cilat procese duhet të kryhen para shpalljes së rezultateve përfundimtare

    Zëdhënësi i KQZ-së tregon se cilat procese duhet të kryhen para shpalljes së rezultateve përfundimtare

    Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka thënë se po vazhdon puna për shpalljen e rezultateve përfundimtare për subjekte dhe kandidatë për deputetë.

    Në një konferencë për media, Elezi ka treguar se cilat punë duhet të kryhen para se të shpallen rezultatet përfundimtare.

    “Deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare KQZ duhet të numërojë votat e kandidatëve për deputetë dhe të bëjë verifikimin e votave të subjekteve politike nga formularët që janë plotësuar në vendvotime, të bëjë numërimin e votave me kusht, personave me nevoja të veçanta, votat nga votimi jashtë Kosovës dhe pasi të vendoset për ankesat eventuale nga PZAP, Gjykata Supreme dhe pas përfundimit të të gjitha procedurave në qendrën e numërimit dhe rezultateve”, tha ai.