ATV

Category: Lajme

  • Kjo është lista e përditësuar me votat e kandidatëve për deputetë të PDK-së

    Kjo është lista e përditësuar me votat e kandidatëve për deputetë të PDK-së

    Në 19 qendra komunale po vazhdon numri i votave të kandidatëve për deputetë.

    KosovaPress ka siguruar listën me rezultatet e votave të grumbulluara për kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës. Kandidati për kryeministër nga kjo parti, Bedri Hamza ka grumbulluar mbi 122 mijë vota, ndërkaq kreu i PDK-së, Memli Krasniqi me mbi 69 mijë vota.

    Kandidati i tretë i cili renditet me numër më të madh të votave është Uran Ismaili me mbi 29 mijë vota. Ndërkaq, Vlora Çitaku ka grumbulluar mbi 28 mijë vota sipas listës së fundit të përditësuar me rezultatet.

    Kandidatja për deputete, Sala Jashari nga Prekazi ka grumbulluar mbi 27 mijë vota. Kandidati i gjashtë i cili ka marrë më së shumti vota nga kjo parti është Enver Hoxhaj me mbi 22 mijë vota.

    Katër kandidatë tjerë të PDK-së me më së shumti vota janë: Përparim Gruda, Ganimete Musliu, Rrahman Rama, Mergim Lushtaku.

    Lista e përditësuar me votat e grumbulluara të kandidatëve për deputetë vijon me: Artan Behramin, Ferat Shalën, Nait Hasanin, Elmi Reçicën, Fadil Demakun, Altin Krasniqin e Xhevahir Gecin.

    Mbi 15 mijë vota të qytetarëve ka marrë Blerta Deliu Kodra, e mbi 14 mijë sosh Abelard Tahiri.

  • Varshavë, Bislimi flet për sulmet e vazhdueshme hibride me të cilat është përballur Kosova

    Varshavë, Bislimi flet për sulmet e vazhdueshme hibride me të cilat është përballur Kosova

    Me ftesë nga ministri për Bashkimin Evropian të Polonisë, Adam Szapka, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, mori pjesë në takimin informal ministerial të organizuar nga Presidenca e Polonisë e Këshillit të BE-së, ku temë diskutimi ishte “Kërcënimet hibride ndaj procesit të zgjerimit dhe kundërpërgjigja potenciale ndaj tyre”.

    Prezent në këtë takim ishin ministra për çështje evropiane nga rajoni dhe Evropa, përfshirë shtetet anëtare dhe ato kandidate për anëtarësim, krahas edhe Komisioneres së Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos.

    Në hyrje të ngjarjes, ministri Adam Szłapka, shprehu se procesi i zgjerimi të BE-së është prioritet edhe për presidencën aktuale të Polonisë dhe është e rëndësishme ndarja e eksperiencave dhe përballje e përbashkët në ballafaqimin me kërcënimet hibride, gjersa komisionerja Marta Kos theksoi investimet dhe përkrahjen e BE-së në këtë drejtim dhe mbështetjen ndaj procesit të zgjerimit përkundër këtij kërcënimi.

    “Në adresimin e tij, Bislimi theksoi sulmet e vazhdueshme hibride me të cilat edhe Kosova është përballur dhe arsyet pse vendi ynë është target i sulmeve të huaja e ndërhyrjeve nga jashtë. Ai foli edhe mbi sulmet e vazhdueshme ndaj shtetit tonë dhe sigurisë kombëtare, i fundit ai në infrastrukturë kritike, në kanalin e Ibër-Lepencit nëntorin e vitit të kaluar”, citohet Bislimi në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

    Në njoftim thuhet po ashtu se zëvendëskryeministri përmendi dhe sulmet në faqen e internetit të KQZ-së në zgjedhjet e fundit në vendin tonë, por edhe shpërndarjet e dezinformatave dhe lajmeve të rreme, veçanërisht përgjatë fushatës së zhvilluar, një rast prej tyre lajmi i rremë mbi rritjen e çmimit të energjisë për 35% vetëm pak ditë para mbajtjes së zgjedhjeve.

    Zëvendëskryeministri shprehu nevojën për sa më shumë unitet në Evropë dhe qasje të përbashkët në përballjen me sfidat që vijnë nga kërcënimet e sulmet hibride.

  • ​Osmani: Familja Jashari është themeli mbi të cilën u ngrit liria e Kosovës

    ​Osmani: Familja Jashari është themeli mbi të cilën u ngrit liria e Kosovës

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani për nderë të shtatëmbëdhjetë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës ka ndarë të martën dekorata presidenciale, për personalitete të shquara vendore dhe ndërkombëtare që kanë kontribuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një ceremoni të veçantë i ndau titullin hero i Kosovës, Shaban Jasharit, kryefamiljarit të familjes legjendari Jashari nga Prekazi, si dhe dekoratën “Urdhri i Lirisë” për familjen Jashari.

    Osmani ndau urdhrin hero dhe heroin e Kosovës edhe për Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin, derisa tha se lufta nuk ka qenë vetëm e burrave por grave.

    “E tillë është familja Jashari e cila është themeli mbi të cilën u ngrit liria e Kosovës. Një moment i gjallë i sakrificës dhe heroizmit të pashoq. Historinë e njerëzimit rrallë herë ka ndodhur që një familje e tërë të flijohet për idealin e shenjt të lirisë duke u bërë simbol i qëndresës dhe dinjitetit kombëtar, si dhe motiv për mijëra ushtarë të UÇK-së. Nga plumbi i parë e deri te qëndresa heroike e marsit 1998 Jasharët nuk u thyen asnjëherë dhe nuk u zmbrapsen asnjëherë. Ata përqafuan pavdekësinë….Sot titullin hero do t’ia ndajmë Shaban Jasharit. Atij që inspiroi familjen e tij, kryefamiljarit të familjes Jashari dhe kryefamiljarit të të gjithë familjes së madhe të quajtur Kosovë. Deri më sot familja Jashari si emblemë e lirisë dhe simbol i sakrificës sublime nuk ishte dekoruar në tërësi për heroizimin, sakrificën dhe qëndresën e saj të pashembullt. Prandaj kam nderin që në emër të popullit të Kosovës do të dekoroj familjen Jashari në tërësi….Lufta nuk ishte vetëm e burrave ajo ishte betejë e përbashkët ku gratë si Xhevë Llavdrovci, Yllka Domi, Lumnije Rakaj, Jehona Rakaj, Emsale Franku, Mukadeze Muhaxheri dhe shumë gra të tjera sakrifikuan po aq sa edhe burrat, prandaj edhe sot po marrin vendin që i takon në histori duke iu ndarë urdhrin heroinë e Kosovës”, tha ai.

    Dekoratën në emër të familjes Jashari e pranoi Besarta Jashari, vajza e Hamzë Jasharit, e cila ishte dëshmitare e sulmit të forcave serbe mbi familjen e saj më 5, 6 dhe 7 mars 1998.

    Ajo fillimisht ndau një thënie të Adem Jasharit, axhës së saj dhe heroit të vendit, derisa bëri thirrje që shqiptarët mos të pranojnë kurrë përçarjen.

    “Jam e nderuar që sot jam në mesin tuaj, për nder të 17 vetorit të Pavarësisë, festën e madhe për gjithë shqiptarët. Duke qenë se prezenca ime lidhet me atë që përfaqësoj, më lejoni ta lidhë këtë fjalim me një thënie të axhës Adem: ‘Ndoshta edhe fitohet liria me laps, por neve në Kosovë na mungojnë varrezat e dëshmorëve’. Këtë ia kishte thënë profesorëve të Akademisë Ushtarake në Shqipëri në vitin 1991, pas vizitës që ia kishte bërë kompleksit të dëshmorëve dhe monumentit ‘Nëna Shqipëri’ në Tiranë. Kjo thënie i jep kuptim dhe dedikim si komb për çlirimin e Kosovës…Po e përfundoj këtë fjalim me thënien e axhës Rifat, që shumë shpesh e thotë: Kur kombi shqiptar është i bashkuar, neve na flladitet zemra. Andaj sot, në festën e 17-vjetorit të pavarësisë së Kosovës dhe në prag të 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së më lejoni të ju përshëndes të gjithë shqiptarëve kudo që jeni dhe t’ua përcjell kërkesën time personale: Mos pranoni kurrë përçarje, jemi një! Zoti e bekoftë Kosovën dhe Shqipërinë! Zoti e bekoftë kombin tonë!”, tha ajo.

    Pjesë e kësaj ceremoni ishte edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili tha se Kosova e pavarur është një realitet që s’ka kthim prapa.

    “Kosova e pavarur është një realitet që nuk kthehet pas. Është një realitet që është fituar me gjak dhe sakrificë. Liria e Kosovës nuk është vetëm liri për qytetarët e saj, ajo është një garanci për paqen dhe stabilitetin në rajon. Historia ka treguar se shqiptarët nuk ka qenë asnjëherë agresor, por dashuria jonë për paqe nuk i bën shqiptarët të dobët dhe pafuqishëm. Shqiptarët gjithmonë kanë mbrojtur lirinë dhe vlerat euro-atlantike. E ardhmja jonë është e përbashkët. S’ka Shqipëri të fuqishme pa Kosovën e fortë. S’ka Kosovë të sigurt pa një Shqipëri të qëndrueshme dhe zhvilluar. Ne ecim bashkë drejt Evropës sepse jemi evropian”, theksoi ai.

    Krahas këtyre, presidentja Osmani ndau dekorata presidenciale edhe për personalitete nga Shqipëria dhe ndërkombëtarë që kanë kontribuar për lirinë, pavarësinë dhe fuqizimin e Kosovës./KP/

  • ​Rubio: Vetëm Trump mund t’i jep fund luftës në Ukrainë

    ​Rubio: Vetëm Trump mund t’i jep fund luftës në Ukrainë

    Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio ka folur për mediat pas përfundimit të bisedimeve me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov në Arabinë Saudite, duke përshkruar synimet kryesore për negociatat e ardhshme midis SHBA-së dhe Rusisë.

    Rubio tha se qëllimi i negociatave të ardhshme është të sigurojnë një paqe në Ukrainë që është “e drejtë, e qëndrueshme, e qëndrueshme dhe e pranueshme për të gjitha palët e përfshira”. Ai shtoi se bisedimet e ardhshme do të përcaktojnë se si mund të duket një marrëveshje e tillë.

    Ai gjithashtu theksoi se disa sanksione kundër Rusisë mund të hiqen si pjesë e një marrëveshjeje paqeje, por paralajmëroi se “të gjitha palët do të duhet të bëjnë lëshime të caktuara”, pa specifikuar saktësisht se cilat ishin ato lëshime.

    Ai hodhi poshtë kritikat për mungesën e përfaqësuesve ukrainas në negociata, duke thënë se “në mënyrë që konflikti të përfundojë, të gjithë duhet të jenë në rregull me këtë marrëveshje, ajo duhet të jetë e pranueshme për ta”.

    “I vetmi lider në botë që mund ta bëjë këtë të ndodhë është presidenti Trump,” tha Rubio. Megjithatë, ai shtoi se kanë ende shumë punë për të bërë përpara se të arrijnë rezultate, duke theksuar se qëllimi i takimit të sotëm ishte “vendosja e komunikimit të parë” pas një periudhe të gjatë heshtjeje mes Uashingtonit dhe Moskës.

    Ai ishte “i bindur se Rusia është e gatshme të angazhohet seriozisht në procesin e përfundimit të luftës”.

  • ​Fox News zbulon detajet e planit Rusi-SHBA

    ​Fox News zbulon detajet e planit Rusi-SHBA

    Pas negociatave në Arabinë Saudite, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara kanë propozuar një plan me tre faza për paqen në Ukrainë, i cili përfshin, ndër të tjera, mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, raportoi gazetarja e Fox News, Jacqui Heinrich.

    “Propozimi i paqes me tri faza mes SHBA-së dhe Rusisë do të çojë në zgjedhje të reja në Ukrainë”, ka shkruar Heinrich në rrjetin social X, duke cituar burime në qarqet diplomatike.

    “Burime të shumta diplomatike të huaja i thanë Fox se SHBA dhe Rusia e konsiderojnë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në Ukrainë një kusht kyç për suksesin e procesit të zgjidhjes së konfliktit. Ky informacion me siguri do të shkaktojë polemika, duke qenë se Rusia nuk po zhvillon zgjedhje reale, ndërsa ukrainasit kundërshtojnë mundësinë e instalimit të një presidenti pro-rus, kukull”, shkroi ajo.

    Siç thuhet, një burim amerikan i njohur me negociatat e zbuti këtë pretendim, duke thënë se “çështja e zgjedhjeve po diskutohet vetëm në mënyrë informale” dhe se “mund të bëhet pjesë e negociatave të ardhshme, por jo sot”.

    Ukraina kundërshton pretendimin se popullariteti i Zelensky është shumë i ulët për të fituar rizgjedhjen, edhe pa ndërhyrjen ruse, duke përmendur si provë vendimin e tij për të mos nënshkruar asgjë në Munih.

    Sipas Heinrich, disa burime të huaja diplomatike kanë paraqitur interpretimin e palës ukrainase.

    “Putin vlerëson se probabiliteti për të zgjedhur një president kukull është mjaft i lartë dhe është i bindur se çdo kandidat tjetër përveç presidentit aktual të Ukrainës do të jetë më fleksibël dhe i gatshëm për të negociuar dhe për të bërë lëshime. Nga ana tjetër, Trump është i gatshëm të pranojë çdo rezultat zgjedhor, duke përfshirë mundësinë e zgjedhjes së një lideri pro-rus, kukull.”

    Kujtojmë, Rusia e ka quajtur vazhdimisht presidentin Volodymyr Zelensky jo legjitim, pasi zgjedhjet në Ukrainë u anuluan në mars 2024 për shkak të agresionit ushtarak rus. Më herët, mediat amerikane, duke cituar burime të paidentifikuara, raportuan se një takim midis Vladimir Putin dhe Donald Trump mund të zhvillohet në Arabinë Saudite në fillim të javës së ardhshme, por pala ruse e mohoi këtë informacion.

  • ​Vjen reagimi i parë i Zelensky: Po flasin për Ukrainën pa Ukrainën

    ​Vjen reagimi i parë i Zelensky: Po flasin për Ukrainën pa Ukrainën

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kritikoi një takim midis të dërguarve të SHBA-së dhe Rusisë në Riad, duke e quajtur atë “bisedime për Ukrainën pa Ukrainën”.

    Zelensky foli në një konferencë për shtyp në kryeqytetin turk Ankara, ku u takua me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan.

    “Sot diskutuam në detaje proceset globale që mund të çojnë në përfundimin e kësaj lufte”, tha Zelensky, duke shtuar se ata morën parasysh opsione të ndryshme.

    Ai theksoi se “është e rëndësishme që çdo bisedë për përfundimin e luftës të mos zhvillohet pas shpinës së palëve të përfshira drejtpërdrejt në të”.

    Për paqen e qëndrueshme, tha ai, “është e rëndësishme të mos bëni asnjë gabim”.

    “Të gjitha palët duhet të jenë në tryezën e bisedimeve – Amerika, Evropa dhe Ukraina”, përfundoi Zelensky.

    Kujtojmë, asnjë zyrtar ukrainas nuk ishte i ftuar në negociatat SHBA-Rusi në Arabinë Saudite.

  • Gjermania: Ushtarët tanë nuk do të dërgohen në këtë fazë të nxehtë të luftës

    Gjermania: Ushtarët tanë nuk do të dërgohen në këtë fazë të nxehtë të luftës

    Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock ka mbështetur kancelarin Olaf Scholz, i cili refuzoi dërgimin e ushtarëve gjermanë si pjesë e një force paqeruajtëse në Ukrainë.

    “Ushtarët nuk do të dërgohen në këtë fazë të nxehtë të luftës,” tha Annalena Baerbock në një intervistë për ZDF.

    Ajo ngjashëm me kancelarin Scholz pak ditë më parë, e karakterizoi diskutimin për dërgimin e ushtarëve si pjesë e një force paqeruajtëse në Ukrainë si “shumë të parakohshme”.

    “Është një diskutim tipik gjerman, duke folur për hapin e 48-të përpara se të hidhet i pari,” tha Baerbock.

    Por në të njëjtën kohë, ajo theksoi se sigurimi i një armëpushimi në Ukrainë është kryesisht detyrë e evropianëve.

    “Sigurimi i paqes është një detyrë evropiane. Vendimet nuk mund të merren pas shpinës së evropianëve,” tha Baerbock, duke aluduar në bisedimet e vazhdueshme midis Rusisë dhe SHBA-së për të ardhmen e Ukrainës.

    Ministrja e Jashtme gjerman reagoi për fillimin e negociatave në Arabinë Saudite pa përfaqësues nga Ukraina dhe vendet evropiane dhe tha se Gjermania nuk e pranon këtë qasje.

    “Evropa duhet të mbrojë me vetëdije dhe qartë interesat e saj. Ne nuk duhet të bëjmë një gabim të madh tani dhe t’i bëjmë një nder presidentit rus Putin duke u dhënë këtyre bisedimeve më shumë rëndësi se sa kanë,” përfundoi Baerbock.

  • ​Izraeli: Negociatat për fazën e dytë të marrëveshjes me Hamasin do të fillojnë këtë javë

    ​Izraeli: Negociatat për fazën e dytë të marrëveshjes me Hamasin do të fillojnë këtë javë

    Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar tha se negociatat për fazën e dytë të marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të pengjeve në Gaza do të fillojë këtë javë.

    Sipas lajmit të “The Times of Israel”, ministri Saar tha se kanë kërkuar që Gaza të jetë një zonë plotësisht e çmilitarizuar, transmeton Anadolu.

    “Dje mbajtëm një takim të kabinetit të sigurisë. Vendosëm të fillojmë negociatat e fazës së dytë këtë javë”, deklaroi ministri i Jashtëm izraelit.

    Duke informuar se shtetet arabe kanë zhvilluar një alternativë kundër planit të presidentit amerikan Donald Trump për të zhvendosur me forcë palestinezët në Gaza dhe për ta vënë rajonin nën kontrollin e SHBA-së, Saar tha se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e ka parë këtë plan me vlerë për t’u shqyrtuar.

    Saar thekson se nuk do të mbështesin një plan për të transferuar kontrollin e Gazës nga Hamasi tek Autoriteti Palestinez.

    – Kabineti izraelit i Sigurisë u mblodh dje

    Sipas marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të pengjeve ndërmjet Hamasit dhe Izraelit në Gaza, faza e dytë e negociatave duhej të fillonte 16 ditë pas hyrjes në fuqi të fazës së parë (3 shkurt).

    Në një deklaratë nga zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu i cili akuzohet për sabotim të fazës së dytë të negociatave, u njoftua se kabineti do të mblidhet për të diskutuar fazën e dytë të marrëveshjes së armëpushimit.

    Gjithashtu u raportua se ekipi negociator do të shkonte në Egjipt për të diskutuar mbi “zbatimin e fazës së parë” të marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të pengjeve në Gaza dhe se ekipit do t’i jepej autoriteti për të negociuar fazën e dytë në varësi të rezultateve të mbledhjes së kabinetit.

    Mediat izraelite pretenduan se në mbledhjen e djeshme të Kabinetit të Sigurisë nuk u mor asnjë vendim në lidhje me fazën e dytë të negociatave për marrëveshjen e armëpushimit dhe shkëmbimit të pengjeve në Gaza.

  • ​Rubio: BE duhet të bashkohet në negociata për Ukrainën

    ​Rubio: BE duhet të bashkohet në negociata për Ukrainën

    Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio tha se sanksionet kundër Rusisë janë të lidhura drejtpërdrejt me luftën në Ukrainë dhe se “të gjitha palët” duhet të bëjnë disa lëshime për t’i dhënë fund konfliktit.

    “Ne nuk do të paracaktojmë se cilat do të jenë ato lëshime dhe sigurisht që nuk do t’i negociojmë sot ose në një konferencë shtypi,” u tha Rubio gazetarëve.

    Ai shtoi se sanksionet nuk janë vetëm një çështje e SHBA-së dhe se Bashkimi Evropian do të duhet të përfshihet në negociata, pasi gjithashtu ka vendosur sanksione ndaj Moskës.

    “Qëllimi është t’i jepet fund këtij konflikti në një mënyrë që të jetë e drejtë, e qëndrueshme, e qëndrueshme dhe e pranueshme për të gjitha palët e përfshira,” tha Rubio.

    “Si do të duket kjo? Kjo është pikërisht ajo që do të diskutohet në negociatat e ardhshme.”

  • Misioni i SHBA’së në NATO: Përpjekja e ushtarëve tanë për një mjedis të sigurt në Kosovë vazhdon

    Misioni i SHBA’së në NATO: Përpjekja e ushtarëve tanë për një mjedis të sigurt në Kosovë vazhdon

    Misioni i SHBA-së në NATO i ka kushtuar një shkrim përvjetorit të pavarësisë së Kosovës në faqen e tyre zytare në platformën “X”.

    Në këtë postim misioni amerikan në Aleancën Veri-Atlantike shkruar se kjo javë shënon 17 vjetorin e deklarimit të pavarësisë së Kosovës, një testament për qëndrueshmërinë dhe përkushtimin e popullit të Kosovës.

    Në shkrim thuhet se puna e forcave amerikane dhe ushtrive tjera aleate për një Kosovë të sigurt vazhdon.

    “ Ne gjithashtu shprehim mirënjohjen tonë të përzemërt për ushtarët e SHBA dhe forcat aleate për punën e tyre të paçmuar përmes misionit të KFOR-it, një operacion për mbështetjen e paqes i nisur në vitin 1999. Përpjekjet e tyre vazhdojnë për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, thuhë në postim.