ATV

Category: Lajme

  • ​Ambasadori Rhode thotë se Serbia ndërhyri në zgjedhjet parlamentare në Kosovë

    ​Ambasadori Rhode thotë se Serbia ndërhyri në zgjedhjet parlamentare në Kosovë

    Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rhode, ka përmendur se Serbia ka ndërhy në zgjedhjet në Kosovë.

    Rohde ka cituar kryevëzhguesen e Bashkimit Evropian për zgjedhjet në Kosovë, Nathalie Loiseau.

    “Këto sulme dhe fushata shtrihen përtej kufirit serb. Siç ka theksuar shefja e Misionit të Vëzhgimit në Kosovë, Nathalie Loiseau, Serbia ndërhyri në zgjedhjet në Kosovë duke kërkuar vota për Listën Serbe. Në të njëjtën kohë, Serbia në mënyrë të pabazë akuzon Kosovën për mbështetjen e protestave në Serbi, pa asnjë provë”, ka shkruar Rohde në rrjetin social Bluesky.

    Ndryshe në Kosovë zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt derisa ende nuk ka përfunduar procesi i numërimit të votave.

  • Erdogan takohet me Zelenskin

    Erdogan takohet me Zelenskin

    Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, është takuar me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky.

    Erdogan e priti homologun Zelensky në hyrje të Kompleksit Presidencial, në Ankara, raporton Anadolu.

    Më pas të dy liderët u fotografuan pranë flamujve të Turqisë dhe Ukrainës.

    Në takimin të mbyllur për media, morën pjesë gjithashtu kryediplomati turk, Hakan Fidan, ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Yashar Gyler, kreu i Drejtorisë së Komunikimeve pranë Presidencës së Turqisë, Fahrettin Altun dhe kryekëshilltari i presidentit për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Akif Çagatay Kiliç.

    Pas takimit dypalësh midis Erdogan dhe Zelensky, palët do të kalojnë në darkën e punës midis delegacioneve, si dhe në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjeve dhe konferencën e përbashkët për media.

  • Përfundon takimi SHBA-Rusi në Riad, Moska e konsideron konstruktiv

    Përfundon takimi SHBA-Rusi në Riad, Moska e konsideron konstruktiv

    Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) ka bërë të ditur se takimi i delegacionit amerikan me atë rus në Riad të Arabisë Saudite, ka përfunduar pas mbi katër orësh.
    Një zëdhënës i DASH-it ka thënë se palët janë pajtuar për të vazhduar bashkëpunimin në çështje të interesit të përbashkët gjeopolitik, për mundësi ekonomike dhe mundësi për investime, që dalin nga dhënia fund e luftës së Moskës në Ukrainë.

    Yuri Ushakov, këshilltari për politikë të jashtme i presidentit rus, Vladimir Putin, ka thënë të martën se takimi ka qenë i sukseshëm.

    Ushakov ka thënë se palët janë pajtuar për kushtet e një takimi mes Putinit dhe presidentit amerikan, Donald Trump.

    Ai ka thënë se një takim mes dy liderëve nuk ka mundësi të zhvillohet javën tjetër, dhe se nuk ekziston një datë konkrete për takimin.

    Sipas tij, dy palët do t’i formojnë ekipet e tyre negociatore për të pasur kontakt në kohën e duhur.

    Pala amerikane – që përbëhej nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, Këshilltari për Siguri Kombëtare, Mike Waltz dhe i dërguari i posaçëm amerikan për Lindje të Mesme, Steve Wikoff – ka thënë paraprakisht se takimi i sotëm nuk ka të bëjë me nisje të negociatave, mirëpo për të parë nëse Rusia është “serioze” në dhënien fund të luftës në Ukrainë.

    Pala ruse – e përbërë nga ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe Yury Ushakov, këshilltar për politikë të jashtme i presidentit rus, Vladimir Putin – ka thënë se prioritet do të ketë normalizimi i marrëdhënieve me SHBA-në.
    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky nuk është ftuar për të marrë pjesë në bisedime dhe ka thënë se Kievi nuk do të njohë asnjë marrëveshje të arritur për Ukrainën, kur Ukraina të mos jetë prezente në tavolinën e negociatave.

    Zelensky aktualisht është në një vizitë në Lindje të Mesme, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite dhe Turqinë.

    Kremlini: Putin do të bisedojë me Zelenskyn, ‘nëse është e nevojshme’
    Teksa vazhdonin bisedimet, Kremlini ka thënë se presidenti Putin është i përgatitur për të biseduar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, “nëse është e nevojshme”.

    “Vetë Putin ka thënë se është i gatshëm të negociojë me Zelenskyn, nëse është e nevojshme”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov para gazetarëve.

    “Megjithatë, duhet diskutuar bazën ligjore të marrëveshjeve, duke marrë parasysh që legjitimiteti i Zelenskyt mund të vihet në pikëpyetje”, ka thënë ai.

    Zelensky është zgjedhur president më 2019 për një mandat pesëvjeçar.

    Sipas ligjit, atij është dashur t’i skadojë mandati në maj të vitit 2024, mirëpo zyrtarët ukrainas kanë thënë se vazhdimi i luftës dhe shpallja e gjendjes së luftës e bëjnë të pamundshme mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

    Ligji i Ukrainës për gjendjen e luftës ndalon mbajtjen e zgjedhjeve lokale, parlamentare dhe presidenciale.
    Peskov ka thënë se Rusia nuk është kundër anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian, për aq kohë sa nuk përbën kërcënim për sigurinë.

    “Kjo është e drejtë sovrane e secilit shtet. Po flasim për integrim dhe procese ekonomike, dhe në këtë pikë, natyrisht, askush nuk mund të diktojë diçka për një shtet tjetër. Nuk do ta bëjmë këtë”.

    “Por, qëndrimi ynë në çështjet e sigurisë, aleancat ushtarake, është krejt tjetër. Ajo është temë tjetër dhe të gjithë e dinë këtë”.
    Takimi i 18 shkurtit në Riad është zhvilluar pas intensifikimit të përpjekjeve të Uashingtonit për t’i dhënë fund luftës gati trevjeçare në Ukrainë, ndonëse taktikat kanë tronditur qarqet diplomatike në Kiev dhe Evropë, meqë ka paqartësi për llojin e marrëveshjes që mund të arrihet në të ardhmen, me qëllim të dhënies fund të luftës.

    “Ky mëtohet të jetë hapi i parë në procesin e gjatë të negociatave, mirëpo gjërat po lëvizin shpejt”, ka thënë Nigel Gould-Davies, ish-diplomat britanik që aktualisht është hulumtues i lartë në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

    “Ekziston një rrjedhshmëri që do të vazhdojë të avancohet në këto kohë paqartësish”.
    Bisedimet mes dy vendeve janë të parat të nivelit të lartë në vjetët e fundit, dhe kishin për synim hapjen e rrugës për një samit mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe presidentit rus, Vladimir Putin.

    Në delegacionin amerikan nuk është përfshirë gjenerali i pensionuar, Keith Kellogg, i dërguar i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për të negociuar një zgjidhje për luftën.

    Zelensky ka thënë se Kellogg do të arrijë në Kiev më 20 shkurt për “bisedime të gjata për garanci të sigurisë”.

    Ndërkohë që liderët evropianë janë takuar në Paris në një samit urgjent për Ukrainën dhe çështje të mbrojtjes, Lavrov ka thënë se nuk sheh arsye që evropianët të përfshihen në diskutime.

    “Asgjë e madhe nuk do të arrihet derisa të mos jenë Trumpi dhe Putini në dhomën e njëjtë”, ka thënë Andrew D’Anieri, hulumtues i lartë për Këshillin Atlantik, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

    “Kjo do të thotë se ka ende kohë dhe shumë mundësi që evropianët dhe ukrainasit të formësojnë idetë e administratës Trump”.
    Përgjatë fushatës zgjedhore, Trump është zotuar për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë shumë shpejt, ndërsa tani administrata e tij synon të përmbushë këtë zotim në 100 ditët e para prej marrjes së detyrës.

    Bisedimet në Arabinë Saudite zhvillohen pas një morie deklaratash që janë bërë prej tij dhe zyrtarëve amerikanë në ditët e fundit, lidhur me luftën në Ukrainë.

    Në udhëtimin e tij të parë zyrtar në Evropë, prej marrjes së pozitës, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka thënë më 12 shkurt në Bruksel se Uashingtoni nuk e mbështet anëtarësimin e Ukrainës në NATO, në kuadër të marrëveshjes për paqe, dhe është joreale që Kievi t’iu rikthehet kufijve që ka pasur më 2014, para se Rusia të pushtonte Gadishullin e Krimesë dhe lindjen e Ukrainës.

    Hegseth ka thënë po ashtu se trupat ushtarake evropiane duhet të jenë forca kryesore për të garantuar sigurinë pas përfundimit të luftës në Ukrainë, dhe që trupat ushtarake amerikane nuk do të përfshihen.
    Ditën e njëjtë, Putin dhe Trump kanë zhvilluar bisedë telefonike, të cilën presidenti amerikan e ka përshkruar si sinjal për dhënie fund të izolimit diplomatik të Rusisë, meqë dy liderët është thënë të kenë diskutuar për “bashkëpunim ekonomik” dhe Trump ka bërë thirrje për kthimin e Moskës në grupin e shtatë shteteve më të industrializuara në botë (G7).

    Rusia është përjashtuar nga ky grup pasi e ka aneksuar Krimenë më 2014.
    Fillimisht Putini pati synuar kapjen e Kievit dhe instalimin e një qeverie të afërt me Moskën.

    Meqë ky plan i ka dështuar, Kremlini ka qenë i ashpër tentimet për të pushtuar sa më shumë territor ukrainas që mundet dhe për t’ia dobësuar Ukrainës kapacitetet ushtarake.

    Përgjatë thirrjes telefonike, Putin i ka thënë Trumpit se dëshiron t’i zgjidhë “arsyet e konfliktit”, duke dhënë sinjale se Rusia ka hequr dorë prej idesë që t’ia pamundësojë Ukrainës idetë e integrimit me Perëndimin.

    “Nëse do të isha unë Putini, unë do të përpiqesha të shfrytëzoja gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të kuptuar nëse mund t’iu afrohem sa më shumë pozicioneve të mia maksimale, që i kam pasur qysh prej nisjes së luftës”, ka thënë John Hardie, ekspert për Rusinë në Fondacionin për Mbrojtje të Demokracive, institut me seli në Uashington, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

    Gould-Davies, ish-diplomat britanik, ka thënë se Kremlini mund të shtyjë përpara kërkesa të ngjashme me ato të vitit 2021, para se të niste luftën në shkallë të plotë.

    Atëbotë, Lavrovi pati kërkuar në bisedimet me palën amerikane që Ukrainës t’i pamundësohet anëtarësimi në NATO, si dhe zhvendosjen e armëve dhe ushtarëve në pozicionet që kanë qenë më 1997, para zgjerimit të aleancës ushtarake në lindje.

    “Putini ka qenë i qartë që nuk është i interesuar në armëpushim, ai dëshiron vetëm dhënie fund të luftës”, ka thënë Gould-Davies.

    “Kjo do të thotë një lloj zgjidhjeje për gjërat themelore dhe krijimin e një rendi të ri rajonal që mund të jetë më i favorshëm për Rusinë”.

  • Viti 2025 nis me rritje çmimesh në Kosovë, inflacioni në janar 1.5%

    Viti 2025 nis me rritje çmimesh në Kosovë, inflacioni në janar 1.5%

    Viti 2025 ka filluar me lajme jo të mira për qytetarët e Kosovës. Inflacioni në janar është rritur mesatarisht me 1.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

    Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, inflacioni mujor i matur ishte 0,7 për qind, ndërsa norma vjetore e inflacionit arriti në 1,5 për qind krahasuar me janarin e vitit 2024 krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

    Rritja e çmimeve është ndikuar kryesisht nga disa kategori kryesore të konsumit, shkruan Revista Monitor.

    Në krahasim me dhjetorin 2024, çmimet janë rritur më së shumti te perimet, energjia elektrike, duhani, karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal, kafeja, çaji dhe kakao, si dhe produktet e tjera ushqimore si mishi dhe pemët.

    Në krahasim me janarin e vitit të kaluar, çmimet janë rritur ndjeshëm për disa kategori të mallrave dhe shërbimeve.

    Ndër produktet dhe shërbimet me rritjen më të lartë të çmimeve janë kafeja, çaji dhe kakao, vajrat dhe yndyrnat, si dhe shërbimet për transportin personal.

    Po ashtu, çmime më të larta janë regjistruar për pijet joalkoolike, gazetat dhe materialet për zyra, shërbimet financiare, mishi dhe produktet e qumështit.

    Kafja, çaji dhe kakao 14.6%. Vajrat dhe yndyrnat 8.3%. Shërbime të tjera në lidhje me pajisjet personale të transportit 7.6%. Uji mineral, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet 6.1%. Gazetat, librat dhe materialet për zyra 5.4%. Shërbimet financiare 5.2%. Qelqurinat, takëmet dhe mjetet e kuzhinës 5.1%.Mishi 4.6%. Mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake 4.0%. Pijet alkoolike 3.9%. Qumështi, djathi dhe vezët 3.0%. Veshje 2.9%. Duhani 2.9% Perimet 2.5% Kujdesi personal 2.5%. Buka dhe drithërat 2.1% Shërbimet hoteliere 2.1%.

    Që nga viti 2021, inflacioni në Kosovë ka ndjekur një trajektore rritëse eksponenciale, duke arritur kulmin me një normë vjetore prej 11.58% në vitin 2022.

    Në vitin 2024, 44 për qind e familjeve raportuan se blejnë më pak produkte ndërsa shpenzojnë më shumë, sipas një ankete të publikuar nga UNDP në shkurt 2024.

    Ndërsa çmimet e produkteve kërcënonin mirëqenien e familjeve me të ardhura të ulëta, qeveria Kurti u akuzua për indiferencë ndaj krizës.

    Nga ana tjetër, pretendimet e përsëritura të Kurtit se Kosova zbatoi pakon më të madhe mbështetëse në rajon në raport me BPV-në pati efekte minimale në zbutjen e krizës, sipas raporteve ndërkombëtare.

    Vlerësimi i Bankës Botërore për vitin 2022 pikturoi një pamje të zymtë të skemave të asistencës sociale të Kosovës, duke i përshkruar ato si “të ngurta” dhe kryesisht joefektive në adresimin e krizës.

    “Pavarësisht niveleve të larta të shpenzimeve për mbrojtjen sociale, skema e ndihmës sociale është e ngurtë dhe mund të ofrojë vetëm mbrojtje të kufizuar.”

     

  • Osmani ndan urdhrin “Heroina të Kosovës” edhe për vajzat dhe gratë që luftuan në radhët e UÇK-së

    Osmani ndan urdhrin “Heroina të Kosovës” edhe për vajzat dhe gratë që luftuan në radhët e UÇK-së

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pas ndarjes së titullit “Hero i Kosovës” Shaban Jasharit, kryefamiljarit të familjes Jashari, ka ndarë Urdhrin “Heroina të Kosovës” edhe për vajzat dhe gratë që luftuan në radhët e UÇK-së.

    Dy bashkëluftëtarët dhe bashkëshortët, Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin, kanë marrë këtë titull po ashtu nga Osmani, në ceremoninë e shënimit të përvjetorit të Pavarësisë.

    “Me të njëjtin frymëzim, bazuar në vendimet paraprake, sot i dorëzojmë Urdhrat Hero i Kosovës edhe për  Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin, dy bashkëluftëtarë dhe bashkëshortë që ranë ashtu siç jetuan – bashkë, me armët në duar dhe me idealin e lirisë së ngulitur në shpirt”, tha Osmani.

    Presidentja tha se shumë gra të tjera që sakrifikuan po marrin vendin që u takon në histori duke ju ndarë Urdhrin Heroina të Kosovës, ato që sipas saj nuk kishin marrë më parë këtë nderim nga shteti.

    “Lufta nuk ishte vetëm e burrave; ajo ishte një betejë e përbashkët ku gratë si Xhevë Lladrovci, Yllka Domi, Lumnie Raka, Jehona Raka, Emsale Frangu, Mukadeze Lika-Muhaxheri e shumë gra të tjera dhanë po aq, sakrifikuan po aq, ndaj sot, më në fund, po marrin vendin që u takon në histori duke ju ndarë Urdhrin Heroina të Kosovës, atyre për të cilat kjo nuk kishte ndodhur më parë”, tha Osmani.

    Ajo theksoi se emrat e tyre do të mbeten përgjithmonë të skalitur në historinë tonë kombëtare

    “Vajza dhe gra, qëndrestare e luftëtare, që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, duke dëshmuar se çlirimi i këtij vendi nuk ishte vetëm një betejë burrash, por një përpjekje e përbashkët ku gratë ishin në vijën e parë të luftës. Emrat e tyre do të mbeten përgjithmonë të skalitur në historinë tonë kombëtare”, tha presidentja.

  • Pse u rrëzua aeroplani në Toronto dhe si mbijetuan të gjithë?

    Pse u rrëzua aeroplani në Toronto dhe si mbijetuan të gjithë?

    Nuk është raportuar asnjë vdekje pasi një aeroplan që u ul në Toronto nga SHBA-ja rrëshqiti përgjatë pistës dhe u përmbys, me flakë të dukshme për një kohë të shkurtër.

    Nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi incidentin, me analistët që sugjerojnë se moti mund të ketë luajtur një rol, ose se avioni goditi diçka.

    Një hetim është duke u zhvilluar.

    Çfarë ndodhi kur avioni u rrëzua?

    Incidenti ndodhi pak para orës 15:00 me orën lokale të së hënës

    Ai përfshinte një aeroplan model CRJ-900, që funksiononte si fluturim i Delta Air Lines DL4819.

    Avioni mbërriti në Toronto nga qyteti amerikan i Minneapolisit dhe mbante 76 pasagjerë dhe katër anëtarë të ekuipazhit, raporton BBC.

    Ndërsa u ul, avioni duket se ka goditur pistën, ka rrëshqitur për një farë distance dhe më pas është kthyer përmbys, vëzhgoi Dan Ronan, një gazetar dhe pilot i licencuar nga Administrata Federale e Aviacionit të SHBA (FAA), i cili foli për BBC Neës.

    Pamjet e marra nga TMZ treguan se një pjesë e avionit shpërtheu në flakë ndërsa ndodhi ulja. Zjarrfikësit nxituan për t’i shuar këto.

    Pasagjeri Pete Carlson i tha transmetuesit CBC se ishte “një ngjarje shumë e fortë”, duke kujtuar tingujt e “betonit dhe metalit” në momentin e përplasjes.

    Ai dhe të tjerët në bord u pezulluan me kokë poshtë në vendet e tyre dhe iu desh të lëshoheshin në tavanin e kabinës përpara se të largoheshin nga avioni i përmbysur.

    Të 80 personat në bord mbijetuan. Ishin 18 të lënduar, prej të cilëve vetëm një numër i vogël mendohet të jetë rëndë.

    Delta ka premtuar të japë më shumë përditësime.

  • ​Zgjedhjet, heqja e masave të BE-së ndaj Kosovës diskutohen në takimin Kurti-Orav

    ​Zgjedhjet, heqja e masave të BE-së ndaj Kosovës diskutohen në takimin Kurti-Orav

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim shefin e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav.

    Sipas njoftimit të lëshuar nga zyra e kryeministrit thuhet se ambasadori Orav e vlerësoi pozitivisht procesin zgjedhor të 9 shkurtit.

    “Gjatë takimit, ambasadori Orav vlerësoi pozitivisht procesin zgjedhor të 9 shkurtit, duke e cilësuar atë si të rregullt dhe pa incidente dhe theksoi se pozitivisht është vlerësuar edhe nga Brukseli. Ambasadori Orav e uroi kryeministrin për fitoren dhe rezultatin në këto zgjedhje. Bashkë, diskutuan për hapat e mëtejmë drejt konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

    Në takimin Kurti-Orav u diskutua edhe për domosdoshmërinë e heqjes së masave ndaj Kosovës nga Bashkimi Evropian dhe nevojën për shqyrtim sa më të shpejtë të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE.

    Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë Aivo Orav, ka vizituar tri subjektet politike Partinë Demokratike të Kosovës, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, ku temë kryesore e takimeve ishte procesi zgjedhor në Kosovë.

    Subjektet politike treguan se respektojnë vullnetin e qytetarëve të shprehur përmes votës.

  • ​Begaj në KFOR, interesohet për situatën në veri

    ​Begaj në KFOR, interesohet për situatën në veri

    Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, zhvilloi një vizitë në komandën e KFOR-it në Prishtinë, ku u takua me komandantin e këtij misioni, Gjeneral Major Enrico Barduanin, dhe efektivët shqiptarë që shërbejnë aty.

    Me komandantin e KFOR-it, Begaj diskutoi mbi sfidat e sigurisë me të cilat përballet Kosova në kontekstin e zhvillimeve, sidomos në veri të vendit dhe në të gjithë rajonin.

    “Presidenti i Republikës i shprehu Gjeneral Major Barduanit mirënjohje për kontributin dhe, gjithashtu, i përcolli falënderimet për vendin e tij, Italinë, e cila ka numrin më të madh të trupave në Kosovë. Kreu i Shtetit theksoi domosdoshmërinë e pranisë së KFOR-it për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë, ndërsa vlerësoi rolin kyç që ky mision ka luajtur deri tani jo vetëm për Kosovën, por edhe për stabilitetin në Ballkan. Presidenti Begaj i shprehu komandantit të KFOR-it, Gjeneral Majorit Enrico Barduani, mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë ndaj NATO-s dhe misionit të KFOR-it, të cilin e cilësoi si “histori suksesi”, si edhe gatishmërinë e Shqipërisë për të rritur numrin e trupave nëse do të jetë e nevojshme. Shqipëria ka në shërbim të KFOR-it numrin më të madh të efektivëve që marrin pjesë në misionet ndërkombëtare jashtë vendit. Gjatë takimit me ushtarakët shqiptarë, Presidenti i Republikës, në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, vlerësoi angazhimin dhe përkushtimin e tyre për një shërbim të cilin e çmon me rendësi të madhe kombëtare pasi, siç u shpreh, krahas kontributit në NATO, për paqen dhe sigurinë, pjesëmarrja e tyre në KFOR i shërben paqes, sigurisë dhe mirëqenies së Kosovës, e cila është prioriteti ynë”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Shqipërisë.

    Presidenti Begaj vlerësoi se përmirësimet ligjore dëshmojnë për vëmendjen dhe mbështetjen në rritje të institucioneve ndaj Forcave të Armatosura.

    “Ju përfaqësoni pjesën më të mirë të shtetit shqiptar, sepse na bëni krenar me veprimtarinë, angazhimin, ndjenjën e përgjegjësisë, kontributin tuaj”, – vlerësoi Presidenti Begaj në këtë takim ku shoqërohej nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Lejtënant Arben Kingji, dhe Ambasadori i Shqipërisë në Republikën e Kosovës, z. Petrit Malaj.

  • ​Osmani ndan dekorata presidenciale për nder të 17-vjetorit të pavarësisë

    ​Osmani ndan dekorata presidenciale për nder të 17-vjetorit të pavarësisë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka ndarë titullin hero i Kosovës, Shaban Jasharit.

    Osmani, në një ceremoni të veçantë për nder të shtatëmbëdhjetë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, thekoi se familja Jashari është themeli i lirisë së Kosovës.

    Krahas kësaj, Osmani ndau urdhrin hero dhe heroin e Kosovës edhe për Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin.

    E para e vendit tha se shteti i Kosovës njeh sakrificën e të gjithëve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

    Osmani për nder të 17 vjetorit të pavarësisë, ndau dekorata presidenciale, për personalitete të shquara vendore dhe ndërkombëtare që kanë kontribuar për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

    Në këtë ceremoni morri pjesë edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili ka thënë se Kosova e pavarur është një realitet që s’kthehet asnjë herë më prapa.

    Ai tha se ndihma e Shqipërisë ndaj Kosovës është ndihmë për shqiptarinë.

    “Ne duhet të qëndrojmë bashkë krah për krah në çdo sferë”, tha ai.

  • ​Ambasada amerikane mbështetë rrugëtimin e Kosovës drejt një të ardhmeje sovrane

    ​Ambasada amerikane mbështetë rrugëtimin e Kosovës drejt një të ardhmeje sovrane

    Ambasada amerikane në Kosovë ka mbështetur me krenari rrugëtimin e Kosovës drejt një të ardhmeje sovrane, demokratike, multietnike dhe prosperuese.

    Kështu thuhet në njoftimin e ambasadës, duke shtuar se e ngarkuara me Punë në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati iu bashkua liderëve kosovarë për të shënuar 17 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

    “E ngarkuara me Punë në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati iu bashkua liderëve kosovarë për të shënuar 17 vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Ambasada amerikane ka mbështetur me krenari rrugëtimin e Kosovës drejt një të ardhmeje sovrane, demokratike, multietnike dhe prosperuese”, thuhet në njoftim.

    Ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës bashkë me pjesëtarët e Policisë së Kosovës me rastin e 17 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës kanë parakaluar në sheshet e Prishtinës.

    Qytetarë të shumët ishin mbledhur për të parë nga afër parakalimin e ushtarëve dhe policëve të Kosovës, derisa nën patronatin e presidentes dhe kryeministrit ishin organizuar aktivitete të shumta.