ATV

Category: Lajme

  • ​Kosova dhe masat e BE-së: Një ngërç me pasoja të zgjatura

    ​Kosova dhe masat e BE-së: Një ngërç me pasoja të zgjatura

    Masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian nuk e kanë detyruar Qeverinë e Kosovës të ndryshojë kursin e saj, por kanë pasur ndikim në mirëqenien e qytetarëve. Pa një konsensus të qartë brenda BE-së se kur mund të hiqen, pasiguria vazhdon të formësojë situatën.

    Njëzet muaj pas ngrirjes së fondeve për Kosovën dhe pezullimit të vizitave të nivelit të lartë, Bashkimi Evropian vazhdon të refuzojë heqjen e këtyre masave, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të Prishtinës, por edhe të Parlamentit Evropian.

    Në një përgjigje dhënë Radios Evropa e Lirë, një zëdhënës i bllokut tha se “masat e përkohshme të BE-së janë të kthyeshme dhe Këshilli tashmë ka vendosur kushte për heqjen graduale të tyre, të cilat lidhen me marrjen e hapave nga Kosova për uljen e tensioneve në veri”.

    Klisman Kadiu, nga Zyra e zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës, Besnik Bislimi, nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse Qeveria e vendit ka ndonjë sinjal se kur do të hiqen masat e BE-së. Ngjashëm, nuk u përgjigj as sa llogaritet të jenë humbjet nga to.

    BE-ja e ndëshkoi Kosovën në qershor të vitit 2023, për shkak të, siç vlerësoi, rolit të kryeministrit Albin Kurti në nxitjen e tensioneve etnike në veri të vendit – zonë e banuar me shumicë serbe.

    Në disa raste, ai i cilësoi si të padrejta masat e BE-së, duke thënë se nuk mund të bëjë kompromise me sundimin e ligjit dhe kushtetutshmërinë e vendit.

    BE-ja nuk bëri të ditur se cilat projekte konkretisht janë prekur nga pezullimi i fondeve për Kosovën. Por, burime të Radios Evropa e Lirë morën vesh se ato variojnë nga kultura deri tek infrastruktura dhe se vlera e tyre arrin deri në 100 milionë euro.

    Fisnik Osmani, kryeshef ekzekutiv i Ngrohtores së Qytetit të Prishtinës “Termokos”, konfirmon se një projekt i ndërmarrjes për dyfishimin e kapaciteteve të ngrohjes në kryeqytet, është pezulluar, për shkak të ngrirjes së një granti prej 17.6 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian.

    Këto mjete, thotë ai, ishin pjesë e programit IPA, që u ofron asistencë financiare dhe teknike vendeve që synojnë BE-në, por që në rastin e Kosovës është bllokuar.

    “Sanksionet e BE-së e kanë dëmtuar në masë të madhe zhvillimin ekonomik të Kosovës. Në këtë rast, fatkeqësisht, është dëmtuar edhe Ngrohtorja e Qytetit, e rrjedhimisht edhe qyteti i Prishtinës dhe qytetarët e tij”, thotë Osmani për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

  • Shefi i EULEX-it: Prehu në paqe, Baca Bajram! Ne do ta mbajmë gjallë trashëgiminë tënde!

    Shefi i EULEX-it: Prehu në paqe, Baca Bajram! Ne do ta mbajmë gjallë trashëgiminë tënde!

    Shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e Drejtorit të Qendrës Burimore për Personat e Zhdukur, Bajram Qerkinit.

    Barbano tha se ata do ta mbajnë të gjallë trashëgiminë e Qerkinit udke mbështetur institucionet përkatëse për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

    “Prehu në paqe – Baca Bajram. Jemi thellësisht të pikëlluar për ndarjen nga jeta të Drejtorit të Qendrës Burimore për Personat e Zhdukur, Bajram Qerkini”, ka shkruar Barbano në Facebook.

    “Përmes punës së tij të palodhur, ai luftoi për të vërtetën, duke kërkuar llogari nga të gjitha institucionet dhe duke u dhënë zë familjeve të gjithë personave të zhdukur, pavarësisht nga rrethanat e zhdukjes së tyre, përkatësisë së tyre etnike, fetare apo kombëtare apo çfarëdo karakteristike tjetër”.

    “Ne do ta mbajmë të gjallë trashëgiminë e Bajramit duke e mbështetur Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe institucionet e tjera përkatëse në përpjekjet për ta zbardhur fatin e personave të zhdukur”.

  • Tensione në Hagë, komandanti Ismet Tara: Ose shfaqne dokumentin, ose nuk jap asnjë përgjigje

    Tensione në Hagë, komandanti Ismet Tara: Ose shfaqne dokumentin, ose nuk jap asnjë përgjigje

    Me tensione po përcillet seanca në Hagë ku po dëshmon komandanti Ismet Tara.

    Ai ka kërkuar që të shfaqet një dokument, në të kundërtën nuk do të ofrojë asnjë dëshmi në gjykatë.

    Tara ka theksuar se mund të merren çfarëdo masa ndaj tij.

    “Në atë dokument jam përshkruar si tradhtar i kombit, i UÇK-së, dhe popullatës së larguar nga Kosova, unë nuk do të jap asnjë njohuri pa u pastruar komandant Hoxha. Prej këtij momenti nuk flet asgjë. Seanca do të mbyllet, unë asnjë përgjigje nuk do të jap”, tha ai.

  • Përpjekjet e Vuçiqit për të përmirësuar vlerësimin e tij kanë arritur në fund

    Përpjekjet e Vuçiqit për të përmirësuar vlerësimin e tij kanë arritur në fund

    Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka publikuar një tjetër video të çuditshme në një përpjekje të dëshpëruar për të përmirësuar vlerësimin e tij në vend. Në të, Vuçiq shihet duke iu përgjigjur pyetjeve të ministrit të Financave Sinisha Mali.

    I pyetur se me cilin personazh historik do të donte të darkonte, Vuçiq u përgjigj se ishte ” Raul Kastro , herën e dytë dhe Nikola Jokiq , herën e parë”.

    Më pas Mali e pyeti Vuçiqin se me kë do të dëshironte të ndërronte vendin për një orë. Vuçiq u përgjigj: “Me ty. Përgjegjësia shoqërore ndaj njerëzve të tjerë këtu nuk ekziston, ju bëni gjithçka shkëlqyeshëm, por ndjeshmëria dhe afërsia me njerëzit e tjerë – vetëm një kënaqësi, për një orë.’

    Më pas, djali i vogël e pyeti se çfarë dëshirë personale dhe biznesi do të kishte nëse do të arrinte të kapte një peshk të artë.

    Përgjigja ishte: ‘Që fëmijët e mi të jenë të gjallë, të shëndetshëm dhe më të suksesshëm se babai i tyre.’ “Dhe që unë mbetem i kujtuar në histori si dikush që e ndryshoi Serbinë dukshëm dhe për mirë”, tha Vuçiq.

    Ka pasur shumë komente negative në video, me disa duke përdorur shprehjen ‘Ai ka mbaruar!’, e cila të kujton rënien e Sllobodan Millosheviçit nga pushteti në vitin 2000.

  • Trump e quan fitoren e konservatorëve “një ditë e madhe për Gjermaninë”

    Trump e quan fitoren e konservatorëve “një ditë e madhe për Gjermaninë”

    Presidenti amerikan Donald Trump e quajti fitoren e aleancës së madhe konservatore të Gjermanisë “një ditë e madhe për Gjermaninë dhe për Shtetet e Bashkuara”.

    “Ashtu si SHBA-të, populli i Gjermanisë u lodh nga agjenda e paarsyeshme, veçanërisht për energjinë dhe emigracionin, që ka mbizotëruar për kaq shumë vite”, tha Trump në një postim në platformën e tij “Truth Social”.

    Aleanca konservatore CDU/CSU fitoi rreth 28.5 për qind të votave të dielën, ndërsa Alternativa e ekstremit të djathtë për Gjermaninë (AfD) – e përqafuar fuqishëm nga aleati i ngushtë i Trump, Elon Musk – fitoi 20 për qind.

    Në anën tjetër, kancelari aktual gjerman Olaf Scholz ka pranuar humbjen e partisë së tij në këto zgjedhje – duke u zotuar se do të punojnë fuqishëm për zgjedhjet e ardhshme.

    “Mendoj se mund të jemi krenarë për faktin që kemi punuar së bashku kaq ngushtë në kohë të vështira. Uroj që rezultati të kishte qenë më i mirë, por ne mund të luftojmë për rezultate më të mira zgjedhore në të ardhmen dhe do të njohim përgjegjësinë për vendin tonë dhe do të vazhdojmë të punojmë në përputhje me rrethanat”, tha Scholz.

  • Administrata Trump i shkarkon 1 mijë e 600 punëtorë të USAID’it në SHBA

    Administrata Trump i shkarkon 1 mijë e 600 punëtorë të USAID’it në SHBA

    Administrata e presidentit amerikan, Donald Tramp, ka bërë të ditur se do të vendosë në pushim administrativ të paguar të gjithë punonjësit e Agjencisë së SHBA-së për zhvillim ndërkombëtar (USAID), përveç drejtorëve dhe personelit kyç në mbarë botën dhe se mbyll 1.600 vende pune në agjencinë në SHBA.

    USAID-i njoftoi të dielën një minutë para mesnatës sipas orës lokale se i gjithë stafi i agjencisë, përveç punonjësve thelbësorë, ishte vendosur në pushim administrativ.

    Agjencia gjithashtu “fillon të zbatojë një proces reduktimi të forcës” që prek rreth 1.600 punonjës të USAID-it në SHBA, thuhet në komunikatë. Një njoftim i mëhershëm dërguar stafit tha se rreth 2.000 punonjës në agjencinë në SHBA do të pushoheshin nga puna.

    Dy ish-zyrtarë të lartë të USAID-it vlerësuan se shumica e rreth 4,600 stafit të USAID-it, shërbimi civil dhe personeli diplomatik i SHBA-së, do të vendon në pushim administrativ.

  • Osmani uron CDU/CSU për fitoren në Gjermani: Mezi pres të thellojmë lidhjet tona

    Osmani uron CDU/CSU për fitoren në Gjermani: Mezi pres të thellojmë lidhjet tona

    Presidentja Vjosa Osmani ka uruar udhëheqësin e CDU-së, Friedrich Merz dhe atë të CSU-së, Markus Soeder, për fitoren në zgjedhjet federale të 23 shkurtit, në Gjermani.

    Osmani përmes një postimi në platformës X ka shkruar se Kosova dhe Gjermania kanë marrëdhënie të shkëlqyera dhe do të vazhdojnë t’i thellojnë ato edhe më shumë.

    “Urime Unionit Demokristian (CDU), Unionit Kristian Social (CSU) dhe liderëve të tyre Friedrich Merz dhe Markus Soeder për fitoren e tyre në zgjedhjet federale të Gjermanisë.

    Vendet tona ndajnë një histori të gjatë marrëdhëniesh të shkëlqyera dhe mezi pres të thellojmë lidhjet tona të ngushta në vitet në vijim”, ka shkruar Osmani.

  • Ushtarët e FSK-së trajnohen nga forcat turke për përdorim të granatahedhësit automatik

    Ushtarët e FSK-së trajnohen nga forcat turke për përdorim të granatahedhësit automatik

    Forca e sigurisë së Kosovës (FSK) ka njoftuar se në kuadër të bashkëpunimit me Forcat e Armatosura Turke, me qëllim të ngritjes së kapaciteteve luftarake të FSK-së, është realizuar trajnimi nga ekipet turke në përdorimin sa më efikas të armës granatahedhës automatik MK-19.

    Sipas njoftimit ky trajnim ka për qëllim përmirësimin e aftësive operative të ushtarëve dhe rritjen e gatishmërisë luftarake për përballimin e sfidave të ndryshme në misionet e ardhshme.

    “Pjesëmarrësit në trajnim kanë kaluar një proces intensiv, ku janë njohur me karakteristikat teknike, përdorimin në terren, procedurat e sigurisë dhe rolin e saj në fushë betejë”, thuhet në njoftim.

  • Shpërthim në konsullatën ruse në Francë

    Shpërthim në konsullatën ruse në Francë

    Një shpërthim ka ndodhur në konsullatën ruse në Francë, sipas asaj që raportojnë mediat.

    Incidenti ndodhi brenda ndërtesës në qytetin jugor të Marsejës, tha të hënën konsulli i përgjithshëm i Rusisë në Marsejë, Stanislav Oranskiy, sipas gazetës ruse të lajmeve RBC.

    Zyrtarët francezë të shërbimit zjarrfikës konfirmuan se ekuipazhet ishin në vendngjarje, shkruan Sky News.

    Sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS, Ministria e Jashtme ruse tha se incidenti kishte shenjat e një “sulmi terrorist” dhe kërkoi një hetim të plotë nga autoritetet franceze.

    Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Maria Zakharova tha: “Ne kërkojmë nga Franca masa shteruese dhe të menjëhershme për të hetuar, si dhe hapa për të forcuar sigurinë e misioneve të huaja ruse.”

    Incidenti në qytetin jugor francez vjen në përvjetorin e tretë të luftës në Ukrainë.

  • Policia shpërndan video me apel për vetëdijesim ndaj bullizmit kibernetik

    Policia shpërndan video me apel për vetëdijesim ndaj bullizmit kibernetik

    Policia e Kosovës ka bërë apel për vetëdijesim ndaj bullizmit kibernetik, si dhe kujdes gjatë përdorimit të internetit, raporton EO.

    “Kujdes në internet! Kliko mençur, mbroje të ardhmen! Mos u bë pjesë e bullizmit online! Fjalët dhe veprimet në internet kanë ndikim të vërtetë.Mos shpërndani dhe mos përkrahni përmbajtje që lëndojnë të tjerët”, thuhet në një postim të bërë në Facebook nga ana e Policisë.

    Policia kërkon që të ruhet privatësia. “Ruani privatësinë tuaj dhe mos ndani të dhëna personale me persona të panjohur. Raportoni çdo formë të bullizmit tek autoritetet ose shkolla juaj. Në rast nevoje, kontaktoni Policinë e Kosovës në numrin 192.Respekto, mbro dhe qëndro i sigurt në internet! “, theksohet mes tjerash në thirrjen e policisë.