ATV

Category: Lajme

  • Mbi 17 mijë familje marrin ndihmë sociale, ja cilat komuna kanë numrin më të madh të rasteve

    Mbi 17 mijë familje marrin ndihmë sociale, ja cilat komuna kanë numrin më të madh të rasteve

    Numri i familjeve të cilët kanë përfituar nga skema e ndihmes sociale në janar të këtij viti është

    Mbi 17 mijë familje vazhdojnë të jenë përfitues nga skema e ndihmes sociale. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) në janar të këtij viti janë gjithsej 17 mijë e 940 familje, të cilat vazhdojnë të marrin ndihmë sociale.

    E numrin më të madh të familjeve me asistencë sociale, vazhdojnë ta kenë komuna e Mitrovicës dhe ajo e Vushtrrisë.

    Sipas të Dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) në janar të këtij viti në Mitrovicë janë gjithsej 1 mijë 759 familje, të cilat marrin ndihmë sociale. E menjeherë pas Mitrovicës vjen Vushtrria me 1080 raste.

    Edhe Gjakova vazhdon të jetë në mesin e komunave me numrin më të madh të rasteve sociale. Në janar të këtij viti në Gjakovë janë gjithsej 969 raste. Ndërsa në Lipjan janë 919 familje përfituese të ndihmës sociale.

    Pas Lipjanit me numër të rasteve sociale rënditet Peja me 881 raste, pastaj Prishtina me 868 raste të familjeve që marrin ndihmë sociale.

    Pas Prishtinës me numër më të madh të rasteve vazhdon të jetë Klina me 710 raste, Gllogovci 667 raste, Fushë-Kosova me 662 raste, Skenderaj 617 raste dhe Prizreni me 610 raste.

  • “Kam gjetur parregullsi në këtë gjykatë”: Ismet Tara dëshmitari i radhës në Hagë

    “Kam gjetur parregullsi në këtë gjykatë”: Ismet Tara dëshmitari i radhës në Hagë

    Komandanti Ismet Tara është dëshmitari i radhës në Gjykatën Speciale të Hagës.

    Ai është betuar në emër të drejtësisë dhe zotit se do ta thotë të vërtetën.

    Tara ka thënë se ka gjetur parregullsi në Gjykatë.

    “Betohem në emër të drejtësisë së zotit tim, dhe ligjeve tuaja, nëse ekzistojnë. Kam gjete parregullësi në këtë gjykatë, pastaj të flas”, tha ai.

  • Merz sinjalizon “pavarësi” nga SHBA-ja dhe shpreh shqetësim për NATO-n

    Merz sinjalizon “pavarësi” nga SHBA-ja dhe shpreh shqetësim për NATO-n

    Kancelari i pritshëm i Gjermanisë, Friedrich Merz, tha se do të kërkojë “pavarësi” të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara dhe shprehu dyshime për të ardhmen e NATO-s.

    “Për mua, prioritet absolut do të jetë forcimi i Evropës sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që, hap pas hapi, të mund ta arrijmë pavarësinë nga SHBA-ja” në çështje të mbrojtjes, tha Merz të dielën vonë, pasi aleanca e tij CDU/CSU doli e para në zgjedhjet parlamentare të Gjermanisë.

    Ai tha se nuk ka “fare iluzione për atë që po vjen nga Amerika”.

    “Pas deklaratave të [presidentit amerikan] Donald Trump javën e kaluar, është e qartë se amerikanët janë kryesisht indiferentë ndaj fatit të Evropës”, tha Merz.

    “Jam shumë kurioz të shoh se si do të shkojmë drejt samitit të NATO-s në fund të qershorit – nëse do të flasim ende për NATO-n në formën e saj aktuale, ose nëse do të na duhet të krijojmë një kapacitet të pavarur mbrojtës në Evropë shumë më shpejt”, shtoi ai.

    Trump i tronditi aleatët tradicionalë të Amerikës në Evropë me gatishmërinë e tij për të rifilluar marrëdhëniet diplomatike me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe për të negociuar fundin e luftës në Ukrainë.

    Kjo shkaktoi shqetësime se Evropa apo edhe vetë Kievi do të mund të mënjanohen nga ky proces.

    Trump, gjithashtu, është ankuar se vendet evropiane nuk paguajnë mjaftueshëm për mbrojtjen e tyre dhe shpesh ka vënë në pikëpyetje qëndrueshmërinë afatgjate të vetë NATO-s.

    Në komentet e tij paszgjedhore, Merz tha: “Ndërhyrjet nga Uashingtoni nuk ishin më pak dramatike dhe drastike sesa ndërhyrjet që kemi parë nga Moska”.

    Ai iu referua kështu deklaratave të aleatit të Trumpit, Elon Musk, përpara zgjedhjeve, në favor të partisë së ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD).

    “Ne jemi nën një presion aq të madh nga të dyja palët, saqë prioriteti im absolut tani është krijimi i unitetit në Evropë”, tha Merz.

    Në një nga zgjedhjet më të rëndësishme të Gjermanisë në epokën e pas Luftës së Dytë Botërore, aleanca e tij, CDU/CSU, doli e para me 28.5 për qind të votave, por jo të mjaftueshme për të formuar e vetme qeverinë.

    AfD-ja doli e dyta, por Merz e ka përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me të. /REL

  • ​Tri vjet nga agresioni ushtarak i Rusisë në Ukrainë

    ​Tri vjet nga agresioni ushtarak i Rusisë në Ukrainë

    Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës më 24 shkurt 2022 dhe presidenti rus Vladimir Putin priste të pushtonte të gjithë vendin brenda pak ditësh, por ajo që ndodhi në vend të kësaj ishin tri vjet luftime intensive falë qëndresës së armatosur ukrainase me ndihma që vinin nga aleatët perëndimorë.

    Agresioni ushtarak rus ndaj Ukrainës u dënua menjëherë nga SHBA e Evropa duke vendosur sanksione ndaj Moskës. Kosova ka dënuar agresionin ushtarak rus, duke iu bashkëngjitur aleatëve të saj perëndimorë në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, por një gjë të tillë nuk ka bërë edhe Serbia fqinje.

    Kosova ka strehuar nga prilli 2022 disa gazetarë nga Ukraina si pjesë e programit “Gazetarët në Rezidencë-Kosovë”, iniciuar nga Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias (ECPMF), në kuadër të programit mbështetës Voices of Ukraine, që mbështetet financiarisht nga Qeveria e Kosovës dhe iniciativa Hannah Arendt e Qeverisë gjermane.

    Në fillim të luftës në shkurt 2022, Ukraina mbajti trupat ruse larg kryeqytetit Kiev, dhe më vonë siguroi fitore në pjesë të rajoneve verilindore Kharkiv dhe Khersoni jugor. Por ajo gjithashtu pësoi humbje të mëdha në zonat lindore rreth Donetsk dhe Bakhmut.

    Për tri vjet luftë miliona ukrainas janë larguar nga shtëpitë e tyre, qoftë në pjesë të tjera të Ukrainës apo në vende të tjera.

    Pak më shumë se 6.3 milionë refugjatë ukrainas jetojnë në Evropë, duke përfshirë rreth 1.2 milion në Gjermani, gati 1 milion në Poloni dhe 390 mijë në Çeki, sipas të dhënave deri në fund të vitit 2024 nga agjencia e OKB-së për refugjatët.

    Në Rusi jetonin 1.2 milion refugjatë ukrainas, sipas vlerësimit të fundit të OKB-së që nga qershori 2024.

    Më shumë se 40 mijë civilë janë vrarë ose plagosur në Ukrainë gjatë konfliktit, me shumë prej vdekjeve të shkaktuara nga armët shpërthyese, sipas Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Të paktën gjysma e të vrarëve 6.203 ishin burra të rritur dhe 669 ishin fëmijë.

    SHBA ka qenë kontribuuesi më i madh i vetëm i financimit për Ukrainën që nga fillimi i luftës, me rreth 95 miliardë dollarë ndihmë ushtarake, humanitare dhe financiare.

    Donald Trump ishte kritik në lidhje me fondet e SHBA-së që dërgoheshin në Ukrainë gjatë fushatës së tij të vitit 2024, dhe pas marrjes së postit në janar 2025 presidenti amerikan po bën presion për t’i dhënë fund të shpejtë luftës duke mbajtur takime negociuese me Rusinë në Riad pa Ukrainën e Evropën.

    Kohët e fundit, Trump ka sugjeruar marrjen e një qasjeje transaksionale ndaj ndihmës, duke thënë se SHBA-të duhet të kenë qasje në mineralet e rralla të tokës në këmbim, gjë që Zelensky e ka refuzuar duke thënë se çdo marrëveshje për një gjë të tillë duhet të përfshijë garanci të qarta sigurie nga Shtetet e Bashkuara. /KP/

  • ​Lufta në Ukrainë, sot mbahet aktiviteti “Tri vjet luftë dhe kërkimi për paqe vazhdon”

    ​Lufta në Ukrainë, sot mbahet aktiviteti “Tri vjet luftë dhe kërkimi për paqe vazhdon”

    Në trevjetorin e agresionit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës, sot në Prishtinë do të mbahet një ceremoni rasti, me pjesëmarrjen e ambasadave të Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë dhe Zyrës së BE-së në Kosovë.

    Në njoftimin e përbashkët nga ambasadat e këtyre vendeve dhe Zyrës së BE-së në Prishtinë, bëhet e ditur se ceremonia “Tri vjet luftë dhe kërkimi për paqe vazhdon” do të mbahet në Amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, duke filluar nga ora 18:00.

    Pikërisht para tri vjetësh Rusia nisi një pushtim të shkallës së gjerë në Ukrainë, e cila nxiti dënimin nga bota demokratike, përfshirë edhe Kosovën, duke vendosur edhe një sërë sanksionesh ndaj Moskës zyrtare.

  • ​Ndahet nga jeta Bajram Qerkini nga shoqata e të pagjeturve

    ​Ndahet nga jeta Bajram Qerkini nga shoqata e të pagjeturve

    Është ndarë nga jeta para disa orësh kryetari i Shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Qerkini.

    Qerkini vdiq pas një sëmundje që e mbajti shtrirë që disa muaj. Kështu është bërë me dije nga familja e tij.

    Varrimi i tij do të bëhet ditën e martë, më 25 shkurt 2025, në orën 12:00, në varrezat e qytetit në Shipol të Mitrovicës.

    Për rreth 25 vite Qerkini është përpjekur për të ditur fatin e djalit të tij dhe të personave të tjerë të pagjetur nga lufta në Kosovë.

  • ​Sot është ditëlindja e heroit Fahri Fazliu

    ​Sot është ditëlindja e heroit Fahri Fazliu

    Heroi i Kosovës Fahri Fazliu sot më 24 shkurt do t’i mbushte 62 vjet.

    Fahri Fazliu i takon plejadës së luftëtarëve që luftën e bënë me pendë e pushkë.

    Ai ra në luftë të pabarabartë me forcat serbe, më 2 nëntor 1989, në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë. Aty së bashku me Afrim Zhitinë qëndruan heroikisht duke sinjalizuar se liria pa gjak nuk vjen. Ranë si trimat duke kënduar.

    Duke e përkujtuar heroin e Kosovës, shokët e idealit dhe familja Fazliu, kanë shkruar se Fahriu ishte një uraganit i bashkimit të kombit, që mbi të gjitha kishte interesin e përgjithshëm, por edhe uragan që kurrë nuk u nënshtrua përpara vështirësive të kohës.

    Fahri Fazliu ishte lindur më 24 shkurt 1963 në Llaushë të Podujevës.

  • ​Punimet në rrugën Kijevë-Dollc, sot do të bëhet minimi i tetë shkëmbor

    ​Punimet në rrugën Kijevë-Dollc, sot do të bëhet minimi i tetë shkëmbor

    Sot pasdite do të ketë ndërprerje të qarkullimit të automjeteve në trafik nga udhëkryqi i Gjakovës në Klinë e deri tek udhëkryqi i rrugës për në Gjurgjevik.

    Kjo pasi në trasenë e zgjerimit të rrugës nacionale N9, segmenti Kijevë-Dollc LOT-3, do të realizohet minimi numër tetë i masave shkëmbore për zgjerimin e rrugës.

    Ndërprerja e trafikut do të bëhet në intervalin nga ora 15:00 deri në pastrimin dhe hapjen e rrugës, njofton Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI).

  • ​Rama ndan foto nga vizita e Presidentit të Emirateve të Bashkuara: Vendosëm piketa të reja bashkëpunimi

    ​Rama ndan foto nga vizita e Presidentit të Emirateve të Bashkuara: Vendosëm piketa të reja bashkëpunimi

    Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama mikpriti një ditë më parë në Tiranë, Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe Mohamed bin Zayed Al Nahyan, i cili vizitoi për herë të parë Shqipërinë si President i EBA, në krye të një delegacioni të nivelit të lartë.

    Rama ka publikuar në rrjetet sociale momente nga ceremoni mirëseardhjes në Pallatin e Brigadave, nga takimi kokë më kokë si dhe nga marrëveshjet e nënshkruara mes dy vendeve.

    Kryeministri e cilëson një vizitë historike, ardhjen për herë të parë në Shqipëri të Presidentit të Emirateve të Bashkuara, Sheikh Mohamed Bin Zayed Al Nayan.

    Ai thekson se gjatë këtij takimi vendosën piketa të reja bashkëpunimi në një rrugë miqësie vëllazërore.

    Në praninë e Kryeministrit Rama dhe Presidentit të EBA Mohamed bin Zayed Al Nahyan, u shkëmbyen marrëveshjet e nënshkruara të bashkëpunimit mes palëve, shkruan ATSH.

    Në një ceremoni të posaçme u shkëmbye marrëveshja Kuadër për Veprim mes Masdar, TAQA, KESH dhe OST mes Zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, si dhe kryetarit të MASDAR, Sulltan Al Jaber.

    Gjithashtu, u shkëmbye Letër Angazhimi për Projektin Albania Smart City ndërmjet “Presight AI Ltd” dhe Ministrisë së Brendshme e Republikës së Shqipërisë, mes ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha dhe Kryetarit të “Presight AI Ltd”, Sulltan Al Jaber.

  • ​“Nuk besojmë në premtime”, studentët në Serbi kërkojnë nga autoritetet që të ndjekin penalisht Jokiqin dhe sulmuesit

    ​“Nuk besojmë në premtime”, studentët në Serbi kërkojnë nga autoritetet që të ndjekin penalisht Jokiqin dhe sulmuesit

    Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq njoftoi se janë dakorduar ndryshimet në Ligjin për Arsimin e Lartë me universitetet, si dhe paralajmëroi paga më të larta për profesorët dhe tarifa më të ulëta të shkollimit për studentët, duke thënë se kjo do të përmbushë kërkesën e katërt të studentëve. Kujtojmë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq më shumë se dy muaj më parë kishte pretendoi se të gjitha kërkesat e studentëve ishin plotësuar në atë kohë.

    Pothuajse në çdo dalje mediatike, Vuçiq mundohet të bindë studentët se kërkesat e tyre janë plotësuar.

    “Sa i përket studentëve, jam shumë i kënaqur me faktin që i kemi plotësuar të gjitha kërkesat…Ata kërkuan që të përmbushen katër gjëra, të katër gjërat u plotësuan”, tha Vuçiq në dhjetor të vitit të kaluar.

    Zyrtarët shtetërorë pranojnë me ngurrim se ajo për të cilën presidenti po i bindte në mes të dhjetorit nuk është plotësisht e vërtetë. Ftesa për bisedime me studentët, shkruan N1.

    “Jam i sigurt se shumë lehtë mund të konstatojmë se janë plotësuar edhe tri kërkesat e mëparshme apo tri kërkesat e tjera, ose nëse ka ndonjë paqartësi mund të sqarojmë dhe të përcaktojmë në bisedime se çfarë mungon apo çfarë nuk mund të bëhet sepse thjesht nuk ekziston fizikisht dhe juridikisht”, tha kryeministri në largim Millosh Vuçeviq.

    Studentja Sofia Avramescu thotë se kërkesat e studentëve janë të qarta dhe të sakta, prandaj mendojnë se nuk ka nevojë për bisedë dhe dialog.

    Ndryshimet në ligj do të ulin përgjysmë tarifat e shkollimit të studentëve, ndërsa pagat e mësuesve do të rriten për 16 për qind.

    “Apel dhe kërkesë për t’u rikthyer në mësime pas plotësimit të kësaj kërkese të katërt.. Tri kërkesat e para, natyrisht, janë ende duke u punuar nga autoritetet kompetente, por ato kanë të bëjnë me gjyqësorin”, tha Bërnabiq.

    Studentja Sofia Avramescu thotë se nuk mund të besojnë asnjë fjalë.

    “Vetëm nëse shohim rezultatet e veprimeve të tyre, do ta dimë se këto kërkesa janë përmbushur”.

    “Nuk do t’i besojmë fjalëve dhe premtimeve të tilla…”, tha ajo.

    Qeveria kishte premtuar tashmë se sulmuesit e studentëve të FDU-së do të ndëshkoheshin. Prokuroria megjithatë hodhi poshtë kallëzimin penal ndaj njërit prej tyre. Aleksandar Jokiq së fundmi është gjendur pranë vetë presidentit.

    Studentja e Fakultetit të Arteve thotë se dalja e Jokiqit në shoqërinë e presidentit në Pozharevc ditë më parë, është simbol se kërkesat nuk janë plotësuar dhe sa herë thonë se kanë gënjyer.

    “Plotësoni kërkesat e studentëve dhe procedoni penalisht atë njeri dhe të gjithë sulmuesit e tjerë, lista ekziston”, tha studentja.

    Fakti që lista e kërkesave të studentëve ekziston, dhe që qeveria e interpreton ashtu siç e sheh të arsyeshme, është një tjetër tregues për ish-rektorin e Universitetit të Beogradit, Branko Kovaçeviq, se as akademikët dhe as profesorët e tyre nuk kanë besim në institucione.

    “Si mund të shëroheni kur njeriu që sulmoi studentët qëndron pas shpinës së presidentit”.

    “Kjo do të thotë se ai është anëtar i partisë…Këta janë ushtarë të partisë, nuk e kanë bërë vetë”, beson ish-rektori Branko Kovaçeviq.

    Në Serbi tash e tre muaj po mbahen protestat e studentëve të cilët kërkojnë përgjegjësi për shembjen e çatisë së Stacionit Hekurudhor të Novi Sadit, ku si pasojë humbën jetën 15 persona.