ATV

Category: Lajme

  • ​Musk dhe Rubio grinden me ministrin polak për Starlink në Ukrainë

    ​Musk dhe Rubio grinden me ministrin polak për Starlink në Ukrainë

    Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe miliarderi i teknologjisë Elon Musk kanë pasur një shkëmbim të diskutueshëm me ministrin e Jashtëm polak Radoslaw Sikorski, në një seri postimesh X të dielën mbi përdorimin e sistemit satelitor të Musk Starlink në Ukrainë.

    Në një përgjigje ndaj një postimi nga Musk që përmendte fikjen e sistemit, Sikorski la të kuptohej se çdo kërcënim për mbylljen e Starlink do të rezultonte në një kërkim për furnizues të tjerë, raporton BBC.

    Rubio hodhi poshtë me shpejtësi pretendimet se Musk do të mbyllte sistemin dhe i kërkoi Sikorskit të ishte mirënjohës.

    Treshja shkoi përpara dhe me radhë në një shkëmbim postimesh në X që përfundoi me Musk duke e quajtur Sikorskin “njeri i vogël”, përcjell KosovaPress.

    Sistemi i Starlink është pjesë e misionit të SpaceX për të ofruar internet me shpejtësi të lartë në zona të largëta dhe të pashërbyera – si zonat e luftës – në mbarë botën.

    Shkëmbimi i së dielës filloi kur Musk postoi se Starlink ishte “shtylla kurrizore e ushtrisë ukrainase”.

    “E gjithë linja e tyre e frontit do të shembet nëse e fiket”, ka shkruar ai.

    Sikorski më pas iu përgjigj postimit të Musk, duke thënë se Polonia po paguante për shërbimin.

    “Starlinks për Ukrainën paguhen nga Ministria Polake e Dixhitalizimit me koston prej rreth 50 milionë dollarë në vit,” shkroi Sikorski. “Etika e kërcënimit të viktimës së agresionit veçmas, nëse SpaceX provon të jetë një ofrues jo i besueshëm, ne do të detyrohemi të kërkojmë furnizues të tjerë.”

    Postimi i Sikorskit bëri që Rubio të tingëllonte, duke shkruar se ministri i jashtëm polak “thjesht po i krijonte gjërat”.

    “Askush nuk ka bërë asnjë kërcënim për shkëputjen e Ukrainës nga Starlink”, shkroi Rubio.

    “Dhe thuaj faleminderit sepse pa Starlink Ukraina do ta kishte humbur këtë luftë shumë kohë më parë dhe rusët do të ishin në kufirin me Poloninë tani”, shtoi ai.

    Musk më vonë iu përgjigj postimit të Sikorskit duke e quajtur atë një “burrë të vogël”.

    “Hesht, njeri i vogël. Ti paguan një pjesë të vogël të kostos. Dhe nuk ka asnjë zëvendësim për Starlink”, shkroi Musk.

    Terminalet Starlink janë kyçe për operacionet e ushtrisë së Ukrainës dhe janë përdorur që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt 2022.

    Ka dhjetëra mijëra terminale në vend, duke përfshirë deri në 500 të blera nga Departamenti i Mbrojtjes i SHBA në qershor 2023.

  • ​LVV me akuza: PZAP ndërron afatet që t’i ikë vendimit për rivotimin me postë

    ​LVV me akuza: PZAP ndërron afatet që t’i ikë vendimit për rivotimin me postë

    Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj vendimit të Panelit Zgjedhor për ankesa dhe parashtresa pas refuzimit të ankesës.

    Vetëvendosje përmes një komunikate për media ka akuzuar PZAP-në për shmangie nga përgjegjësia për mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor.

    “Administrimi i numërimit të fletëvotimeve në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve ka shpalosur skemë manipulimi të votimit përmes postës nga subjekti LDK. Vëzhguesit tanë gjatë numërimit të votave të dërguara me postë kanë grumbulluar fakte e prova me dëshmi për shkeljet e manipulimin e fletëvotimeve për llogari të LDK-së”, thuhet në komunikatë.

    Tutje LVV thotë se në përputhje me Ligjin për Zgjedhje dhe rregullat e KQZ-së ka parashtruar ankesë në PZAP brenda afatit ligjor, me kërkesën për anulimin e fletëvotimeve të dërguara përmes postës dhe të urdhërojë KQZ-në që të organizojë procesin e rivotimit përmes postës.

    “Njoftimi i sotëm nga ana e PZAP-së se ankesa jonë për anulimin e fletëvotimeve të dërguara me postë dhe rivotimin përmes postës është e paafatshme, është pozicion arbitrar dhe i pashpjegueshëm i PZAP. Vendimi në fjalë nuk respekton njoftimin zyrtar të KQZ për momentin e përfundimit të të gjitha numërimeve në QNR dhe kështu bie ndesh me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, rregullat e KQZ-së, si dhe me praktikat e deritanishme të parashtrimit e shqyrtimit të ankesave për cënim të procesit zgjedhor” thuhet në komunikatë.

    tutje sipas LVV-së justifikimi i PZAP-së se kinse ankesa është e pasafatshme, është qartazi tendencë për t’i ikur përgjegjësisë institucionale e ligjore për të mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor.

    “Shkeljet e shumta e manipulimi flagrant i procesit të votimit përmes postës nga ana e LDK-së nuk mund të anashkalohet. Vota dhe vullneti i lirë i votuesve duhet dhe do të mbrohet. Integriteti i procesit zgjedhor duhet të garantohet përmes anulimit të fletëvotimeve të dërguara përmes postës dhe organizimit të procesit të rivotimit. Ndërsa, të gjithë ata që kanë ideuar, organizuar e zbatuar këtë krim zgjedhor duhet të nxirren para drejtësisë”, thuhet tutje.

    Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se do të ushtrojë ankesë në afatin e paracaktuar pas shpalljes së rezultateve.

    PZAP ka refuzuar ankesën e LVV-së për anulimin e votimit me postë dhe ka vendosur të rinumërohen 1631 fletëvotime.

  • ​Rutte sot në Bosnjë dhe Hercegovinë, nesër në Kosovë

    ​Rutte sot në Bosnjë dhe Hercegovinë, nesër në Kosovë

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, do të vizitojë sot Bosnjë dhe Hercegovinë.

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, do të takohet me zyrtarë të nivelit të lartë nga Bosnja dhe Hercegovina, duke përfshirë kryesuesin dhe anëtarët e Presidencës, Kryetarin e Këshillit të Ministrave, Ministrin e Punëve të Jashtme, Ministrin e Mbrojtjes dhe Ministrin në detyrë të Sigurisë.

    Sipas njoftimit, Rutte do të vizitojë gjithashtu selinë e NATO-s në Sarajevë (NHQSa) në Kampin Butmir, ku do të takohet me Komandantin e NHQSa-së, Përfaqësuesin e Lartë për Bosnje dhe Hercegovinën dhe përfaqësues nga Bashkimi Evropian, raporton KosovaPress.

    Rutte të angazhohet gjithashtu me studentët në Universitetin e Sarajevës.

    “Në orën 13:00 deklarata të përbashkëta për shtyp të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s me përfaqësuesit e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës. Në orën 14:45, fjala e ndjekur nga shkëmbimi i mendimeve të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s me studentë në Universitetin e Sarajevës. Deklaratat e përbashkëta për shtyp dhe angazhimi në Universitetin e Sarajevës do të transmetohen drejtpërdrejt në faqen e NATO-s. Deklarata e përbashkët për shtyp do të jetë gjithashtu e disponueshme në EBU News Exchange”, thuhet në njoftim.

    Kjo vizitë vjen pas tensioneve në këtë shtet, ku presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, mbrëmjen e 5 marsit ka nënshkruar dekretet për shpalljen e ligjeve jokushtetuese, të miratuara në Kuvendin e këtij entiteti të Bosnjë e Hercegovinës, me të cilat ndalohet veprimtaria e Gjykatës dhe Prokurorisë së Bosnjë e Hercegovinës, Agjencisë Shtetërore për Hetime dhe Mbrojtje (SIPA) dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Bosnjës (VSTS). Ky dekret ka ngjallur reagime të shumta ndërkombëtare.

    Përndryshe, pas Bosnje dhe Hercegovinës, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, zëvendësja e tij, Radmila Shekerinska, së bashku me ambasadorët e Këshillit të Atlantikut të Veriut do të vizitojnë Kosovën më 11 mars.

    Gjatë kësaj vizite, Rutte do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenten Vjosa Osmani. Me këtë të fundit do të mbajë edhe një konferencë të përbashkët për media.

    Shefi i NATO-s do të takohet edhe me udhëheqësit e misionit paqeruajtës të aleancës ushtarake perëndimore në Kosovë, KFOR, si dhe me ata të Misionit për Sundim të Ligjit të Bashkimit Evropian (EULEX) dhe përfaqësues të Misionit të Kombeve të Bashkuara (UNMIK).

    Kjo do të jetë vizita e parë e Ruttes në Kosovë që kur ai mori drejtimin e NATO-s tetorin e vitit të kaluar. Po ashtu kjo vizitë do të realizohet, disa ditë pasi ai deklaroi se stabiliteti në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë dhe Serbi është në interesin e të gjithëve në aleancën ushtarake perëndimore dhe se ai nuk sheh arsye të besojë se mund të ketë ndonjë ndryshim dramatik sa i përket përkushtimit amerikan në NATO.

  • ​18 vjet nga mbarimi i bisedimeve për statusin e Kosovës

    ​18 vjet nga mbarimi i bisedimeve për statusin e Kosovës

    Në Vjenë të Austrisë, më 10 mars 2007, mbaruan bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës mes shqiptarëve dhe serbëve pa marrëveshje.

    Të pranishëm ishin krerët e Kosovës Fatmir Sejdiu, Agim Çeku, Kolë Berisha dhe të tjerë, si dhe të dërguarit e Serbisë Boris Tadic, Vojislav Kostunica dhe të tjerë, si dhe i dërguari i OKB-së për statusin, Martti Ahtisaari, raporton KosovaPress.

    Ahtisaari shprehu keqardhje që nuk është arritur asnjë marrëveshje. Ai gjithashtu njoftoi se dokumenti përfundimtar për statusin e Kosovës do t’i dërgohej Këshillit të Sigurimit të OKB-së në fund të këtij muaji.

    Albert Rohan, bashkëpunëtor i Martti Ahtisaarit, i dorëzon OKB-së propozimin e Ahtisaarit për statusin e Kosovës, më 15 mars 2007. Plani direkt propozon pavarësi për Kosovën.

  • ​15 vjet nga tërmeti në Istog

    ​15 vjet nga tërmeti në Istog

    Para 15 vjetësh, në Kosovë ka ndodhur një tërmet prej 5.2 shkallësh që për epiqendër pati jugperëndimin e Istogut. Më 10 mars 2010, territori i Kosovës u godit nga një tërmet që la pas vetëm dëme materiale.

    Një orë pasi ndodhi tërmeti, me një komunikatë zyrtare, Rrjeti Sizmologjik i Kosovës kishte njoftuar se në orën 14:38 minuta, sipas kohës lokale, sizmografët e Rrjetit Sizmologjik të Kosovës detektuan një tërmet me epiqendër 6 kilometra në juglindje të Istogut. Magnituda e tërmetit ishte M=5.2 shkallë të Rihterit, ndërsa intensiteti në epiqendër ishte VII ballë sipas MCS-64, me thellësinë 5.2 km, raporton KosovaPress.

    Tërmetin e kanë ndier banorët e rrethit të gjerë të Pejës, Istogut dhe tërë territori i Kosovës. Kjo lëkundje shkaktoi panik në mesin e dukagjinasve, ndërsa punëtorët e shumë institucioneve kishin lëshuar objektet.

    Por ky tërmet nuk mbeti i kufizuar vetëm në Kosovë; dridhja u ndje edhe në rajon, deri në kryeqytetin e Bullgarisë.

  • ​Moti gjatë kësaj jave

    ​Moti gjatë kësaj jave

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se gjatë kësaj jave parashihet të jetë një mot i ndryshueshëm, ndërsa temperaturat do të mbeten pothuajse të njëjta me ato të javës që lamë pas.

    Sipas institutit, gjatë ditëve të mërkurë dhe të enjte pritet të ketë reshje të lehta shiu në disa zona, raporton KosovaPress.

    “Kushtet biometeorologjike do të jenë të favorshme, duke mos paraqitur ndikime të theksuara për shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve. Po ashtu, kushtet agrometeorologjike do të jenë të përshtatshme për zhvillimin e kulturave bujqësore. Reshjet e parashikuara do të jenë të mirëseardhura për bujqësinë, duke ndihmuar në rritjen e lagështisë së tokës. Kjo periudhë është e përshtatshme për fermerët që të shpërndajnë plehun artificial në parcelat e tyre, sidomos për kulturat e grurit dhe ato pranverore”, thuhet në njoftim.

    E Hënë, 10. Mars 2025

    Moti do të jetë me diell dhe pjeserisht i vranët.Temperaturat minimale do të lëvizin nga -3C deri në -1°C, ndërsa ato maksimale nga 16°C deri në 21°C. Do të fryjë erë nga juglindja me shpejtësi 1-4 m/s.

    E Martë, 11. Mars 2025

    Parashikohet mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale do të zbresin nga 0°C deri në 4°C, ndërsa maksimalet nga 15°C deri në 20°C. Era do të jetë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i jugperendimit.

    E Mërkurë, 12. Mars 2025

    Do të mbajë mot i vranët dhe me kushte per riga shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 2 °C deri në 6°C, ndërsa maksimalet nga 14°C deri në 17°C. Do të fryjë erë e lehtë nga jugperendimi me shpejtësi 1-5m/s.

    E Enjte, 13. Mars 2025

    Moti parashikohet i vranët dhe me intervale me diell . Vende-vende p.arashihen kushte për riga shiu.Temperaturat minimale do të lëvizin nga 3°C deri në 6°C, ndërsa ato maksimale nga 15°C deri në 20°C. Era do të fryjë nga jugperendimi me shpejtësi 1-4 m/s.

    E Premte, 14. Mars 2025

    Moti do të jetë me diell dhe vranesira të pjesëshme. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 4°C deri në 7C, ndërsa maksimalet nga -17°C deri në 21°C. Era do të fryjë e lehtë nga jugperendimi me shpejtësi 1-3 m/s.

  • ATK për dy muaj i mbledh mbi 184 milionë euro

    ATK për dy muaj i mbledh mbi 184 milionë euro

    Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se në periudhën dy mujore janar-shkurt kanë arritur t’i mbledhin 184.3 milionë euro.

    Në njoftimin e ATK-së thuhet se krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar janë 7.2 për qind më shumë, apo 12.3 milionë euro.

    “Viti i kaluar ishte një vit i jashtëzakonshëm për ATK-në, në aspektin e realizimit të objektivave, por edhe i vlerësimeve nga institucionet ndërkombëtare. Në vitin 2024 janë mbledhur të hyra rekorde, duke tejkaluar parashikimet dhe duke konfirmuar angazhimin e menaxhmentit dhe stafit të ATK-së për një sistem tatimor efikas, të drejtë dhe transparent”, thuhet në njoftim.

    “ATK në muajt në vijim sigurisht që do të vazhdoj me intensifikimin e angazhimit për të lehtësuar përmbushjen vullnetare të tatimeve, për të rritur mbikëqyrjen dhe për të përmirësuar mekanizmat e institucionit. Do të vazhdohet gjithashtu me implementimin e projekteve dhe reformave të reja, që synojnë rritjen e disiplinës tatimore dhe përmirësimin e ambientit të të bërit biznes”, theksohet në komunikatën për media të ATK-së.

  • Vendimi i PZAP për të refuzuar anulimin e rezultateve dhe përsëritjen e votimit me postë: LVV s’bëri asnjë ankesë brenda afatit

    Vendimi i PZAP për të refuzuar anulimin e rezultateve dhe përsëritjen e votimit me postë: LVV s’bëri asnjë ankesë brenda afatit

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e ka hudhur poshtë kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje që të anulohen rezultatet e votimit me postë dhe të urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që ta përsërisë votimin.

    PZAP tha në vendimin e publikuar se ka gjetur se ankesa e LVV-së “është e pasafatshme”.

    “Pretendimet e parashtruesit të ankesës se në vazhdimësi gjatë këtij procesi në Qendrën e Numërimit të Rezultateve në Prishtinë, kanë identifikuar parregullsi lidhur me procesin e regjistrimit dhe votimit përmes postës janë të pasafatshme”, thuhet në vendimin e PZAP.

    Paneli thotë se LVV ka mundur t’i paraqes parregullsitë në afatin 48 orësh, siç përcaktohet me ligj.

    “Pretendimet e parashtruesit të ankesës se në listën e votuesve jashtë vendit janë të regjistruar persona me e-mail adresa që janë përdorur më shumë se katër (4) herë, dhe persona që janë regjistruar me të njëjtin numër telefoni që është përdorur në shumë se 4 herë, si dhe pretendimet ku dyshohet për të dhëna për numrin (unik) të aplikimit që është i përsëritur shumë herë, megjithëse i njëjti mund të jepet veç një herë, Paneli gjeti se pretendimet e paraqitura për këtë çështje janë të parashtruara pas afatit ligjor për ankimim, pasi që pala ankuese këto parregullsi ka mundur ti paraqes në momentin kur ka kuptuar per shkeljet e tilla ashtu siç parashihet me nenin 10 dhe 98 të LZP-së, ndërsa KQZ me datë 04.01.2025, me vendimin numër 01/19-2025, ka certifikuar Listën e Përfundimtare të Votuesve për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës 2025, që janë mbajtur me datë 9 shkurt 2025, pra gjatë gjithë kësaj periudhe kohore pala ankuese nuk ka paraqitur ndonjë ankesë per parregullsitë e pretenduara rreth listës së votuesve me post të cilët kanë aplikuar për tu regjistruar, e rrjedhimisht ka lëshuar afatin ligjor prej 48 orëve për të kontestuar vendimin e KQZ-së për certifikimin e listës përfundimtare të votuesve të datës 04.01.2025, në PZAP”, thuhet në vendim.

    Edhe pretendimet për parregullsitë e evidentuara “mbi mënyrën e plotësimit të fletëvotimeve, numrat e kandidatëve të shënjuar në mënyrë të përqendruar, formën e fletëvotimeve, formën e shënjimit të fletëvotimeve e të cilat më shumë i ngjasojnë votimit kolektiv, të personave të tjerë në emër të votuesve se sa votimit individual”, PZAP thotë se janë bërë pas afatit ankimor.

    “Ndërsa pretendimet e parashtruesit të ankesës se në Qendrën e Numërimit të Rezultateve në Prishtinë, kanë identifikuar parregullsi lidhur me votimin përmes postës respektivisht parregullsitë e evidentuara mbi mënyrën e plotësimit të fletëvotimeve, numrat e kandidatëve të shënjuar në mënyrë të përqendruar, formën e fletëvotimeve, formën e shënjimit të fletëvotimeve e të cilat më shumë i ngjasojnë votimit kolektiv, të personave të tjerë në emër të votuesve se sa votimit individual, për Panelin këto pretendime janë te paraqitura pas afatit te paraparë ligjor për tu ankimuar”.

    Në këtë rast, PZAP thekson se “nga shqyrtimi i shkresave të lëndës, konstatohet se ankesa është e parashtruar pas afatit ligjor për paraqitjen e saj”.

    “Në njoftimin e KQZ-së i publikuar në web faqen e saj ndër të tjera thuhet se “…Prishtinë, 04 mars 2025, 16:00 – Në Qendrën e Numrimit dhe Rezultateve është përmbyllur numërimi i fletëvotimeve nga votimi me postë jashtë Kosovës, i cili kishte filluar me 28 shkurt…” ndërsa pala ankuese gjegjësisht subjekti politik LVV ankesën e ka dorëzuar në PZAP me datën 07 mars 2025 në ora 20:20 minuta që do të thotë se ankesa për këto pretendime është dorëzuar pas afatit të paraparë ligjor prej 48 orëve bazuar në nenin 105 paragrafi 1 i LZP-së, në të cilin nen në mënyrë decidive thuhet se: “Ankesat lidhur me administrimin e numërimit në QKN dhe QNR dorëzohen me shkrim pranë PZAP-së brenda dyzet e tetë (48) orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar“”, thuhet në vendim.

    “Paneli gjeti se e njëjta është ushtruar pas afatit ligjor, dhe nga arsyet e theksuara më lartë e në kuptim të nenit 105 paragraf 1 i LZP-së, dhe nenit 9 paragrafi 5 nën paragrafi 5.16 të Rregullës 01/2024, për Procedurat e Parashtrimit dhe Vendosjes së Ankesave, paneli vendosi si në dispozitiv të këtij vendimi”, thotë PZAP në fund të arsyetimit të vendimit.

    Kundër këtij vendimi, LVV mund të ankohet brenda 48 orësh në Gjykatën Supreme, e cila është instanca e fundit që vendos.

    LVV u ankua në PZAP për “manipulim të fletëvotimeve” në votimin me postë.

    Kryeministri Albin Kurti, kryetar i këtij subjekti politik, u pyet sot në një konferencë për media se a do të ankohen në Gjykatën Supreme në rast se PZAP do ta hudhte poshtë ankesën e tyre.

    “Sa i përket çështjeve të procesit zgjedhor – se zgjedhjet nuk janë kryer edhe pse votimet kanë mbaruar – derisa nuk bëhet certifikimi i rezultateve, unë besoj që organet tona të Lëvizjes Vetëvendosje do t’i marrin qëndrimet e vendimet e duhura. Ajo është një pjesë tjetër me të cilën nuk po arrij që të merrem mbase sa do të duhej, por edhe nuk është vendi këtu që të flas”, tha ai.

    LVV-ja mori mbi 30 mijë vota nga ato me postë, apo 51.57%, rezultat ky dukshëm më i ulët sesa ai që e kishte marrë në zgjedhjet e vitit 2021 nga votat nga jashtë.

    LDK-ja ka marrë 30.55% të votave me postë, PDK-ja 9.48% dhe koalicioni i AAK-së, Nismës dhe të tjerëve 3.23%.

  • Kosova asnjë, Serbia me pesë kontrata lobimi në Uashington

    Kosova asnjë, Serbia me pesë kontrata lobimi në Uashington

    Kosova, aktualisht, nuk ka asnjë lobues të kontraktuar në SHBA. Derisa Serbia vazhdon të forcojë prezencën e saj në Uashington përmes pesë kontratave të lobimit, Kosova mbetet pa një mekanizëm të tillë ndikimi. Marrëveshjet e mëparshme të lobimit skaduan pikërisht pak para ndryshimeve në administratën amerikane me ardhjen në pushtet të Donald Trumpit, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    Si rrallëherë në historinë e pasluftës, Kosova nuk ka asnjë kontratë lobimi aktive në SHBA. Që nga viti 1992 Kosova ka përdorur lobimin për të përforcuar pozicionin e vendit në Uashington. Kjo ka ndihmuar në shpalljen e pavarësisë, mbështetjen ushtarake dhe partneritetet strategike. Sot asnjë kontratë nuk figuron në regjistrin e lobuesve në SHBA. MPJD kishte dy kontrata lobimi deri vitin e kaluar, por tani ato kanë skaduar.

    Për dallim nga kontratat e së kaluarës me kompani të njohura lobimi, këtë herë MPJD kishte angazhuar dy shqiptarë që shumicën e shpenzimeve i kishin deklaruar për dreka e darka punë dhe udhëtime.

    Në të njëjtën kohë, institucionet e Serbisë kanë pesë kontrata aktive lobimi në SHBA, për të cilat paguajnë kompani amerikane mbi 250 mijë dollarë në muaj.

    Republika Srpska i ka lidhur të gjashtë kontratat e lobimi nga Bosnjë e Hercegovina, ndërsa institucionet e Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut nuk kanë asnjë lobues të kontraktuar.

    Pak pasi Kosova mbeti pa asnjë kontratë lobimi në SHBA, atje u ndërrua administrata, me ardhjen në pushtet të presidentit republikan, Donald Trump.

    Komunikimi i vetëm zyrtar i tij drejt Kosovës deri më tani ka qenë një letër urimi për përvjetorin e pavarësisë së Kosovës. Ajo letër pasoi disa kritika që i dërguari i Trumpit për misione të veçanta, Richard Grenell, i bëri ndaj Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti, kur tha se SHBA’së i duhet partnerë të besueshëm në Ballkan, ndërsa ajo e Kurtit nuk është e tillë.

    Ai gjithashtu tha se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve nuk kanë qenë kurrë në pikë më ë ulët.

  • Gjendet një grua nga komuna e Ferizajt e cila u shpall zhdukur

    Gjendet një grua nga komuna e Ferizajt e cila u shpall zhdukur

    Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim, ka njoftuar se H.I , është gjetur pas kërkimeve të bëra në disa zona.

    Sipas këtij njoftimi, gruaja nga komuna e Ferizajt tani është e sigurt.

    “Pas angazhimit të SHKKSH-së dhe mbështetjes së komunitetit, ajo u lokalizua dhe tani ndodhet nën kujdesin e duhur”, thuhet në njoftim.

    Falënderojmë të gjithë ata që ndihmuan në kërkime, shpërndanë informacionin dhe ofruan mbështetje në këtë proces. Solidariteti dhe bashkëpunimi juaj ishin vendimtarë për një përfundim të suksesshëm.

    “Ju lutemi, qëndroni të informuar dhe të kujdesshëm. Në raste emergjente, mos hezitoni të kontaktoni ekipet tona të shpëtimit”, thuhet ndër të tjera në njoftim.