ATV

Category: Lajme

  • LDK nderon ish-kryetarin e Istogut, Haki Rugova në trevjetorin e vdekjes

    LDK nderon ish-kryetarin e Istogut, Haki Rugova në trevjetorin e vdekjes

    Kryetari i komunës së Istogut, Ilir Ferati, njëherësh anëtar i kryesisë së LDK-së, bashkë me struktura të degës dhe familjarë, sot bënë homazhe në nderim të jetës dhe veprës së ish-kryetarit të komunës së Istogut dhe nënkryetarit të LDK-së, Haki Rugova, në 3-vjetorin e vdekjes së tij.

    E Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes një postimi në Facebook, thotë se sot kujtohet një personalitet dhe veprimtar i dalluar i saj, duke shtuar se Rugova ishte shembull i përkushtimit dhe kontributit të jashtëzakonshëm në shtetndërtimin e Kosovës.

    “Angazhimi i tij ishte i pandalshëm në proceset e vështira të Kosovës. Ai për më shumë se tre dekada qëndroi i palëkundur në veprimtarinë e tij atdhetare e politike. Prandaj si i tillë, mbetet dhe kujtohet gjithmonë si model i njeriut të urtë e punëtor, i afërt dhe bashkëpunues. Lavdi jetës dhe veprës së Haki Rugovës. I përjetshëm kujtimi për të!”, thuhet tutje.

  • Reagon Lista Serbe: Me krenari themi që e kem mbështetjen e Vuçiqit, ndërsa Rashiqi e ka Kurtin

    Reagon Lista Serbe: Me krenari themi që e kem mbështetjen e Vuçiqit, ndërsa Rashiqi e ka Kurtin

    Lista Serbe ka reaguar pas konferencës për shtyp të Kryeministrit të Kosovës në dorëheqje, Albin Kurtit, i cili tha se Serbia ka ndërhyrë në zgjedhjet duke i ndihmuar Listës Serbe.

    Këta të fundit thanë se “me krenari themi që kemi mbështetjen e Aleksandar Vuçiqit…ndërsa Nenad Rashiqi, Albin Kurtin”.

    Lista Serbe, mes tjerash, pretendon se mandati që ka fituar Nenad Rashiq në Kuvendin e Kosovës është fituar me vota të shqiptarëve.

  • Zjarri në Deçan është nën kontroll, njofton Agjencia e Menaxhimit Emergjent

    Zjarri në Deçan është nën kontroll, njofton Agjencia e Menaxhimit Emergjent

    Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka bërë të ditur të dielën se është vërejtur një shtim i zjarreve në nivel vendi.

    Në njoftim thuhet se një nga zjarret më të mëdha aktualisht është regjistruar në Komunën e Deçanit, në vendin e quajtur “Çeli”, ku është përfshirë një sipërfaqe me gështenja dhe shkurre.

    Sipas agjencisë, zjarri është nën kontroll.

    “Pas pranimit të njoftimit, janë mobilizuar forcat e NJPZSH-Deçan dhe NJPZSH-Junik, pjesëtarë nga Agjencia Pyjore si dhe vullnetarë. Ekipet po punojnë intensivisht për shuarjen dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të zjarrit, aktualisht, zjarri është nën kontroll”, thuhet në njoftim.

    Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka apeluar për kujdes të shtuar nga të gjithë qytetarët, veçanërisht gjatë stinës së thatë, duke shmangur ndezjen e zjarreve në natyrë dhe duke raportuar menjëherë çdo rast të dyshimtë në numrin emergjent 112.

  • Kurti akuzon Serbinë për ndërhyrje në zgjedhjet në Kosovë

    Kurti akuzon Serbinë për ndërhyrje në zgjedhjet në Kosovë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbia ka ndërhyrë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Ai ka përmendur 7 instanca shtetërore serbe përgjegjëse për këtë ndërhyrje, raporton Ekonomia Online.

    Kurti, në një konferencë për media të dielën me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka deklaruar se shteti serb është përpjekur t’i dëmtojë subjektet rivale serbe, sidomos partinë e Nenad Rashiqit, i cili aktualisht mban postin e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Republikën e Kosovës.

    “Serbia orvatet që vendin tonë jo vetëm ta mbaj peng në zhvillimin e brendshëm politik por edhe në avancimin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Në zgjedhjet e fundit, format e ndërhyrjes kanë ndryshuar për shkak të përmirësimit të dukshëm të gjendjes së sigurisë në katër komunat veriore si rezultat i sundimit të rendit dhe ligjit, të luftimit të suksesshëm të grupeve kriminale dhe terroriste, si dhe mbylljes së strukturave ilegale. Ndikimi i dikurshëm brutal e fizik, përfshirë këtu edhe rrahjet e vrasjet, nuk ka qenë i mundur më. Si zëvendësim janë rritur format tjera të kërcënimeve hibride, kryesisht joshja dhe kushtëzimi financiar, shantazhet e frikësimet por edhe sulmet kibernetike”, ka thënë Kurti.

    Shefi i ekzekutivit ka thënë se Serbia është munduar edhe t’i frikësojë votuesit në Kosovë, teksa ndikimi është dalluar edhe te komunitetet e tjera jo-shumicë.

    “Aparati shtetëror i Serbisë ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme t’i dëmtojë subjektet rivale serbe, veçanërisht Partinë për Liri, Drejtësi e Mbijetesë të Nenad Rashiqit dhe Demokracia serbe të Aleksandër Arsenijeviq por edhe votuesit e komuniteteve tjera, kryesisht rom e ashkali. Përfaqësues të caktuar nga të gjitha subjektet tjera politike, janë tërhequr nga gara pas kërcënimeve që kanë marrë. Këto raste janë shënuar edhe në katër komunat veriore, edhe në gjashtë komunat tjera me shumicë serbe”, u shpreh Kurti.

  • Ushtarët letonezë patrullojnë në veri “për të garantuar lirinë e lëvizjes dhe sigurinë e përgjithshme”

    Ushtarët letonezë patrullojnë në veri “për të garantuar lirinë e lëvizjes dhe sigurinë e përgjithshme”

    Ushtarët letonezë në Komandën Rajonale të Lindjes kanë kryer një patrullim rutinor në Veri të Kosovë “për të garantuar lirinë e lëvizjes dhe sigurinë e përgjithshme”.

    Më tutje thuhet se këto janë pjesë e “misionit të përditshëm të KFOR-it për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”.

    “KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.”

  • Kurti: Synojmë që në mandatin e ardhshëm me mua si kryeministër, pakicat t’i kemi në kabinetin qeveritar

    Kurti: Synojmë që në mandatin e ardhshëm me mua si kryeministër, pakicat t’i kemi në kabinetin qeveritar

    Kryeministri Albin Kurti sot gjatë konferencës për media është pyetur nga gazetarët nëse do të bashkëpunojë me ministrin aktual Nenad Rashiq dhe pakicat tjera joserbe për formimin e qeverisë.

    Ai u përgjigj pozitivisht.

    “Ne bashkëpunojmë edhe me pakicat e tjera dhe synojmë që në mandatin tonë të ardhshëm qeveritar me mua si kryeministër, t’i kemi edhe ata në mazhorancën tonë e në kabinetin qeveritar”, tha ai.

    Kurti e lavdëroi Rashiqin duke e quajtur “ministër shembull” dhe tha se ai ka punuar shumë për qytetarët serbë të Kosovës.

    “Ne bashkëpunojmë me pakicat në Kosovë, me të gjitha ato që duan të kontribuojnë, të përfitojnë, të integrohen. Pa dyshim që ministri Rashiq është ministër shembull i qeverisë sonë por edhe është ministri që ka kontribuar për komunitetin serb më shumë sesa cilido ministër tjetër në këtë pozitë para tij”, tha ai.

  • Prishtina cakton lokacionin për shtatoren e Adem Jasharit

    Prishtina cakton lokacionin për shtatoren e Adem Jasharit

    Kryetari i Prishtinës, ka thënë se kanë caktuar lokacionin për vendosjen e monumentit të Adem Jasharit në kryeqytet, teksa për këtë vend është marrë edhe pëlqimi edhe nga vetë familja Jashari.

    Rama ka thënë se monumenti i Adem Jasharit do të vendoset mbi nënkalimin në rrugën “Agim Ramadani”, ndërsa konkursi do të jetë ndërkombëtar.

    “Tash kemi një lajm të mrekullueshëm që vetëm se jemi marrë vend me familjen Jashari për pozicionimin e shtatores së Adem Jasharit. E dini se e kemi projektin e madh të nënkalimit në rrugën ‘Agim Ramadani’ derisa pjesa e sipërme do ta bëjmë sheshin ‘Nënë Terezë’ me pjesën e vjetër të Kryeqytetit, pra e gjithë ajo do të jetë për këmbësorë dhe për të gjithë vizitorë. Është një pozicionim i mrekullueshëm, pra mund të ndërlidhet me gjithë qytetin dhe kjo do të jetë pika e pozicionimit të shtatores së Adem Jasharit”, ka thënë Rama.

    Rama ka thënë se në bashkëpunim me familjen Jashari, kanë rihapur konkursin për shtatoren e heroit kombëtar, Adem Jashari, i cili do të jetë ndërkombëtar.

    “Do të jetë madhështore, do të jetë një konkurs ndërkombëtarë tash, siç e dini që ne e kemi pasur një konkurs ndërkombëtar paraprak, mirëpo në diskutim me familjen kemi vendosur që ta rishpallim (konkursin) me një lokacion që tashmë veçse jemi pajtuar me familjen Jashari”, u shpreh Rama.

  • Për 8 Mars, tri gra u rrahën nga burrat e tyre

    Për 8 Mars, tri gra u rrahën nga burrat e tyre

    Pikërisht në Ditën e Gruas, 8 Marsin, tri raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës.

    Tri gra, dy në Gjakovë dhe një në Pejë, u rrahën ditën e djeshme nga burrat e tyre.

    Që të tre janë dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

    Njoftimi:

    DHUNË NË FAMILJE

    . Pejë / 08.03.2025 – 15:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij duke tentuar ta godas me një mjet të mprehtë-thikë. Pas intervistimit të të dyshuarit dhe viktimës, me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    · Gjakovë / 08.03.2025 – 13:15. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij viktimën femër shqiptare shtetase e huaj. Nuk raportohet për të lënduar ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    · Gjakovë / 08.03.2025 – 17:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti kishte ushtruar dhunë ndaj viktimës (gruas së tij) shtetase e huaj. Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • Rruga e re Shëngjin-Velipojë drejt përfundimit, Edi Rama publikon pamjet

    Rruga e re Shëngjin-Velipojë drejt përfundimit, Edi Rama publikon pamjet

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ndarë pamjet e rrugës së re Shëngjin-Velipojë, e cila po shkon drejt përfundimit.

    Ai ka publikuar një video në Facebook, duke shkruar:

    “Mirëmëngjesi dhe pamjet e rrugës së re Shëngjin-Velipojë, e cila po shkon drejt përfundimit, duke ofruar një tjetër spektakël të bukurive shqiptare në vazhdën e zbulimit të Shqipërisë Turistike, ju uroj të diel të qetë”.

  • Gjermani: Për çfarë kanë rënë dakord CDU/CSU dhe SPD?

    Gjermani: Për çfarë kanë rënë dakord CDU/CSU dhe SPD?

    Ç’mund të ndryshojë me një qeveri të koalicionit CDU/CSU dhe SPD? Dokumenti i hartuar nga partitë gjatë bisedimeve paraprake jep një orientim për temat e migracionit, financave, punës, sociale si dhe ekonominë.

    CDU/CSU dhe SPD po hedhin hapin tjetër drejt një qeverie të përbashkët. Bisedimet paraprake kanë përfunduart, e së shpejti forumet partiake mund të japin sinjali e gjelbër për bisedimet e koalicionit, gjatë të cilave temat do të diskutohen në detaje. Në një dokument prej 11 faqesh ndërkohë janë përcaktuar disa detaje.

    Taksa për energjinë: Për të lehtësuar sipërmarrjet dhe ekonomitë shtëpiake taksa për energjinë do të ulet në vlerë minimale. Kjo do të lehtësojë me një kuotë prej të paktën pesë cent për kilovat/orë. Unioni konservator (CDU/CSU) dhe socialdemokratët (SPD) duan të përgjysmojnë tarifën për rrjetin e transmetimit, një komponente kjo e çmimit të energjisë.

    Reforma tatimore: Shtresa e mesme, sipas dokumentit të bisedimeve paraprake, duhet të çlirohet nga barra e tatimeve. Eshtë planifikuar të reformohet sistemi i tatimit mbi të ardhurat. Po ashtu do të rritet kuota e parashikuar të lehtësohet prej tatimit për kostot e udhëtimit që kanë njerëzit, të cilëve u duhet të udhëtojnë në distanca të gjata nga shtëpia për në vendin e punës.

    Automjetet elektrike: Për të fuqizuar sërish kërkesën në rënie për automjetet me elektrik, unioni dhe SPD parashikojnë sërih një „stimul për blerjet”. Më 2023 ky stimul u ndërpre nga koalicioni qeverisës për shkak të vështirësive buxhetore, paas kësaj pati rënie të ndjeshme të kërkesës për këto automjete.

    Gastronomia: Tatimi mbi xhiron e të ardhurave për ushqimet në sektorin e gastronomisë do të ulet afatgjatë deri në shtatë përqind. Tatimi mbi vlerën e shtuar në gastronomi është ulur qysh në kohën e pandemisë së koronavisurit nga 19 në shtatë përqind, por kjo ishte vetëm si një masë e përkohshme.

    Bujqësia: Vendimi i koalicionit të mëparshëm për të ndërprerë subvencionimin e naftës për sektorin e bujqësisë do të anulohet.

    Çështje të punës dhe sociale

    Paga minimale: Zhvillimi i pagës minimale duhet të kontribuojë për fuqizimin e fuqisë blerëse si dhe për një kërkesë të qendrueshme në tregun e brendshëm në Gjermani. Në vitin 2026, sipas dokumentit nga bisedimet paraprake të koalicionit, duhet të jetë e mundur arritja e një page minimale me 15 euro për orë pune.

    Pensionet: Kush dëshiron të vazhdojë vullnetarisht pasi ka mbushur moshën e pensionit, mund të punojë me të ardhura deri në 2.000 euro në muaj plus pensionit pa tatim. Të ashtuquajturit pension i mëmësisë do të zgjerohen. Edhe për fëmijët e lindur përpara vitit 1992 do të llogariten tre vite nga d vite e gjysmë që llogariteshin deri tani si vite kujdesi për fëmijën në vitet e pensionit.

    Ndihma sociale (Bürgergeld): Sistemi i ndihmës sociale (Bürgergeld) do të rikonceptohet. “Ne do ta rikonceptojmë sistemin e deritanishëm të Bürgergeld, drejt një sigurimi bazë për ata që janë në kërkim të një vendi pune”, tha kryetari i CDU-së Friedrich Merz. “Për njerëzit, që mund të punojnë dhe në mënyrë të përsëritur refuzojnë një vend pune të ofruar, do të merret si masë pezullimi i ndihmës sociale.”

    Kujdestaria: Në sfondin e rritjes së kostove në miliarda unioni konservator dhe socialdemokratët duan të hapin rrugën për “një reformë të madhe në sistemin e përkujdesjes”.

    Koha e punës: Duhet të krijohet mundësia për një kohë maksimale pune javore në vend të kohës maksimale ditore të punës. “Në këtë mënyrë orët shtesë do të paguhen me një suplement përtej të arudhurave sipas kontratës për një punë me nornë të plotë. Të ardhurat nga orët shtesë të punës do të jenë të çliruara nga tatimi.”

    Migracioni

    E drejta e shtetësisë: E drejta e shtetësisë e reformuar nga koalicioni i mëparshëm qeverisës do të vazhdojë të mbetet në fuqi. Afatet e shkurtuara të pritjes për marrjen e shtetësinë dhe shtetësia e dyfishtë për ata që janë jo shtetas të BE-së do të mbeten gjithashtu në fuqi.

    Kthimet në kufi: Në kufijtë e Gjermanisë në të ardhmen mund të kthehen pa u lejuar të hyjnën ëvend edhe njerëzit, që paraqesin kërkesë për azil – por kjo vetëm në marrëveshje me vendet fqinjë. Kthimet në kufi janë parimisht të mundshme vetëm, aty ka kontrolle kufitare. Këto kontrolle faktikisht i ka udhëzuar ministrja e Brendshme Nancy Faeser (SPD)në mënyrë suksesive për të gjithë kufijtë e vendit – kush dëshiron të paraqesë kërkesë për azil normalisht lejohet të hyjë në vend.

    Bashkimi familjar: Bashkimi i pjestarëve të familjes për ata që kanë nevojë për mbrojtje do të pezullohet përkohësisht, por për këtë nuk përmend ndonjë afat. Gjithashtu do të ketë një të ashtuquajtur ofensivë kthimi: Gjatë dëbimeve nuk do të ketë më mbrojtje të detyrueshme ligjore, policia federale do të lejohet të udhëzojë ndalimin për dëbim- Po ashtu do të zgjerohet lista me vendet e klasifikuara të sigurta të origjinës.

    Të tjera plane

    Frena e qirave: Frena e qirave do të zgjatet edhe për dy vjet. Për stabilizimin e tregut të strehimit ndërtimi i banesave do të zgjerohet si një komponente thelbësore për garantimin e mjediseve të banimit.

    Qarkullimi urban: Vazhdimi i afatit përtej këtij viti i biletës së preferuar, Deutschlandticket, për autobusë dhe trena rajonalë do të shtrohet gjithashtu për diskutim në tryezën e bisedimeve të koalicionit.

    Ligji elektoral: Do të shqyrtohet sërish një reformim i ligjit elektoral të sapon dryshuar për zgjedhjet e 23 shkurtit. Ka pasur kritika, që disa kandidatë për mandatet direkte, edhe pse kanë fituar në zonat e tyre elektorale, nuk kanë mundur të marrin një mandat parlamentar.

    Mbrojtja e klimës: Për mbrojtjen e klimës thuhet: “Ne duam të krijojmë produkte neutrale ndaj klimës p.sh. përmes kuotave për çelik neutral ndaj klimës ose për kuotën e gazit ekologjik. (…) Ne u përmbahemi objektivave gjermane dhe europiane për klimën. (…) Ne punojmë me vendosmëri, që t’i realizojmë objektivat për klimën.

    Financimi

    Një fond i posaçëm: CDU dhe SPD duan të krijojnë një fond të posaçëm për financimin e ripërtëritjes së infrastrukturës së federatës, landeve dhe komunave, që arrin një volum prej 500 miliard eurosh dhe me një afat dhjetë vjeçar. Ky fond i posaçëm duhet të shërbejë për investime në infrastrukturë. Këtu përfshihen kryesisht investimet për mbrojtjen civile dhe të popullsisë, qarkullimit rrugor, spitaletz, investimet për infrastrukturën energjetike, në arsim, kudjestari dhe infrastrukturën shkencore, në kërkimet shkencore, zhvillim dhe digjitalizim. /DW/