ATV

Category: Lajme

  • ​Arrestohen dy persona dhe konfiskohen armë e municion në Leposaviq

    ​Arrestohen dy persona dhe konfiskohen armë e municion në Leposaviq

    Policia e Kosovës njoftoi se ka arrestuar dy persona si dhe ka konfiskuar armë e municion në komunën e Leposaviqit në veri të vendit, raporton KosovaPress.

    Një rast kanosje është raportuar të dielën më 9 mars në Stacionin Policor në Leposaviq.

    Sipas Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur në fshatin Vuçë ku një person është ankuar se është kanosur nga i dyshuari G.K 54 vjeç.

    Pas kësaj, policia ka ndërmarrë veprime e nevojshme dhe gjatë kontrollit në shtëpinë e tij dhe të vëllait të tij R.K 52 vjeç, ka gjetur dhe sekuestruar armë dhe fishekë, shkruan KosovaPress.

    “Një pushkë me tytë të gjatë [karabinë], 126 fishekë të kalibrit 11.53 mm, 229 fishekë të kalibrit 7.62 mm, një bajonetë (thikë pushke) me gjatësi 37 cm, Një thikë me gjatësi 23 cm”.

    Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, të dyshuarit janë arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor ku i dyshuari G.K në prezencën e avokatit ka ushtruar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ai është ndaluar për 48 orë.

    Ndërkaq, i dyshuari R.K. është liruar në procedurë të rregullt, përcjellë KosovaPress.

    Rasti është iniciuar si “Kanosje” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

    Ky rast, sipas autoriteteve, mbetet nën hetime të mëtejme në Stacionin Policor Leposaviq.

  • Zelensky në Arabinë Saduite një ditë para bisedimeve SHBA-Ukrainë

    Zelensky në Arabinë Saduite një ditë para bisedimeve SHBA-Ukrainë

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, më 10 mars do të vizitojë Riadin ku do të takohet me Princin e Kurorës, Mohammed bin Salman, udhëheqësin de facto të Arabisë Saudite.

    Vizita e Zelenskyt zhvillohet një ditë para bisedimeve mes delegacioneve të Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara në Xheda të Arabisë Saudite, bisedime që kanë për synim t’i japin fund luftës trevjeçare të Rusisë në Urainë.

    SHBA-ja, mbështetësja kryesore ushtarake e Kievit, po synon që t’i japë fund shpejt konfliktit, duke mbajtur bisedime të drejtpërdrejta me Moskës, teksa Uashingtoni ka pezulluar ndihmën ushtarake dhe ndarjen e informacioneve të inteligjencës me Ukrainën.

    Bisedimet SHBA-Ukrainë më 11 mars do të jenë bisedimet e para formale që nga përplasja në Zyrën Ovale mes Zelenskyt, presidentit amerikan, Donald Trump, dhe nënpresidentit JD Vance më 28 shkurt. Pas përplasjes publike, presidentit ukrainas iu kërkua që të largohej nga Shtëpia e Bardhë.

    Zelensky ka thënë se nuk do të jetë pjesë e bisedimeve SHBA-Ukrainë në Xheda. Delegacioni ukrainas do të përfshijë ministrin e Jashtëm, Andrii Sybiha, shefin e stafit të Zelenskyt, Andriy Yermak, dhe ministrin e Mbrojtjes, Rustem Umerov.

    Ata do të takohen me delegacionin amerikan që pritet të përfshijë të dërguarin e Trumpit për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, dhe këshilltarin për siguri kombëtare, Mike Waltz. Rubio u nis për në Arabinë Saudite mbrëmjen e 9 marsit.

    “Ne jemi plotësisht të përkushtuar për një dialog konstruktiv dhe shpresojmë të diskutojmë dhe të pajtohemi për vendimet dhe hapat e nevojshëm”, shkroi Zelensky më 9 mars në X. “Propozimet realiste janë në tavolinë. Çelësi është të veprojmë shpejt dhe në mënyrë efektive”.

    Kievi me gjasë do të propozojë një plan të paqes të hartuar nga Zelensky që përfshin një marrëveshje ajrore dhe detare si hap të parë.

    Zelensky po përballet me presion të madh nga Uashingtoni që shpejt të pajtohet për një marrëveshje armëpushimi me Rusinë, pavarësisht se SHBA-ja nuk është zotuar për garanci të sigurisë. Por, deri më tani Moska nuk ka shfaqur interes për ndaljen e armiqësive.

    Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj fqinjit të saj dhe ditëve të fundit është raportuar se ka bërë përparim në fushëbetejë.

    Më 9 mars, Trump sugjeroi se Ukraina mund të mos jetë në gjendje t’i mbijetojë luftës kundër Rusisë, edhe me mbështetjen e SHBA-së.

    Në një intervistë për Fox News, Trump mbrojti vendimin e tij për të reduktuar mbështetjen për Ukrainën duke thënë: “Epo, ata gjithsesi mund të mos e mbijetojnë [luftën]”.

    Trump po ashtu ka përsëritur pretendimin e tij se Zelensky nuk është “mirënjohës” për mbështetjen e SHBA-së, por e ka përshkruar presidentin ukrainas si njeri “të mençur” dhe “të fortë”.

  • I postoi fotografi ish të dashurës me mbishkrimin se ofron shërbime seksuale, Prokuroria kërkon paraburgim

    I postoi fotografi ish të dashurës me mbishkrimin se ofron shërbime seksuale, Prokuroria kërkon paraburgim

    Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj K.S. nga Peja që dyshohet për veprën penale “Ngacmimi”.

    Ai dyshohet se i ka vënë dy GPS në veturën personale të ish të dashurës.

    Sipas Prokurorisë ai ka hapur një profil në Instagram në emër të saj dhe ka postuar fotografi të saj duke i vënë mbishkrime denigruese dhe duke shkruar se ajo ofron shërbime seksuale pa pagesë e duke ia lënë edhe numrin e telefonit dhe adresën e banimit.

    “Sipas Prokurorisë ekziston dyshimi i bazuar se gjatë vitit 2025, në komunën e Shtimes, i pandehuri me dashje dhe në vazhdimësi është përfshirë në sjellje të vëmendjes së padëshirueshme, duke e vënë nën vëzhgim me qëllim të ngacmimit të dëmtuarën V.Z., me të cilën ka qenë në lidhje dashurie, në atë mënyrë që në veturën e saj personale ka vendosur dy GPS për përcjellje të vendndodhjes dhe i ka hapur llogari në rrjetin social “Instagram”, në emër të dëmtuarës, duke postuar fotografi të ndryshme, me mbishkrime denigruese, dhe duke paraqitur se e njëjta ofron shërbime seksuale me pagesë, duke ia paraqitur edhe numrin e telefonit, dhe adresën e banimit, e që si rrjedhojë e këtyre veprimeve të dëmtuarën e ka vë nën shqetësim të madh emocional, me të cilën ka kryer veprën penale “Ngacmimi” nga neni 182 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së. I pandehuri K.S.,që nga data 08 Mars 2025, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për veprën penale të lartëcekur.”

  • Rama: Sot e filluam një nga projektet më të mëdha në Prishtinë

    Rama: Sot e filluam një nga projektet më të mëdha në Prishtinë

    Mbi 18 milionë euro do t’i kushtojë Prishtinës ndërtimi i sheshit “Xhorxh Bush”, punimet për të cilin nisën të hënën.

    Punimet për ndërtimin e sheshit “Xhorxh Bush” në Prishtinë, të cilat parashihen të zgjasin një vit do të përfshijnë hapësirën prej katedrales “Nëna Terezë” deri te sheshi “Zahir Pajaziti”.

    Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, tha se ky projekt është ndër më të mëdha në Prishtinë.

    “Sot po e fillojmë ndër projektet më të mëdha në kryeqytet, transformimi i sheshit ‘Xhorxh Bush’ dhe pjesa te Biblioteka Kombëtare.

    “Punimet do të bëhen në tri faza për arsye që mos t’i bllokojmë zonat dhe njerëzit për të punuar. Numri i ditëve të punës parashihet të jetë 240 ditë pune, projekti është 18 milionë euro”, u shpreh Rama.

    Punimet për ndërtimin e sheshit “Xhorxh Bush” në Prishtinë, të cilat parashihen të zgjasin një vit do të përfshijnë hapësirën prej katedrales “Nëna Terezë” deri te sheshi “Zahir Pajaziti”.

  • Në Zvicër ka mungesë të vezëve

    Në Zvicër ka mungesë të vezëve

    Në supermarkete, raftet e vezëve janë shumë të zhveshura në vende. Migros madje flet për mungesë të vezëve zvicerane me rreze të lirë. Daniel Würgler, një mbarështues nga Fribourg dhe president i shoqatës së prodhuesve të vezëve GalloSuisse, dha disa shpjegime në Forum.

    “Ne kemi një kërkesë sezonale për vezë në Zvicër, para Krishtlindjeve dhe para Pashkëve. Pra është diçka që ne e dimë”: kështu e shpjegon Daniel Würgler, president i GalloSuisse mungesën e vezëve në raftet e supermarketeve zvicerane.

    Të dielën në Forum, fermeri i Fribourg-ut pranon se këtë vit “situata është pak më e theksuar, sepse kërkesa është rritur më shumë se zakonisht”.

    Shpjegimi i parë i Daniel Würgler është se veza është e njohur. “Veza ka pak kohë që është rehabilituar. Është në modë. Është e lehtë për t’u gatuar. Ajo ka një vend të rëndësishëm si një ushqim i shëndetshëm që kontribuon në një dietë të ekuilibruar.”

    Shpjegimi i dytë, kostoja më e lartë e jetesës inkurajon konsumatorët të hanë më pak mish dhe më shumë vezë. “Vezët janë një proteinë e lirë. Kur blini vezë, mund t’i gjeni në rafte për një copë nga 30 cent deri në 1.30 franga. Dy vezë janë të barabarta me një biftek. Llogaritja është e lehtë, sidomos tani.”

    I pyetur nëse ka vend për manovrim mes prodhuesve të vezëve, Daniel Würgler thekson se pulat nuk mund të bëjnë mrekulli. “Ne punojmë me qeniet e gjalla. Ne duhet të vlerësojmë kërkesën një vit e gjysmë përpara. Kështu që ne nuk mund t’i përgjigjemi tendencave ose paqëndrueshmërisë së kërkesës siç e njohim aktualisht.”

    Për mbarështuesin, paqëndrueshmëria e tregut të brendshëm zviceran duhet të kompensohet nga importet. “Nëse vezët për konsum përfaqësojnë mesatarisht rreth 25% të importeve në vitet e kaluara, këtë vit do të jetë pak më shumë, do të jemi më shumë në 28 apo 30%. Nuk ka mungesë sepse mund të kompensojmë me importe”.

    Krahas importit, ai shpjegon se rritja e prodhimit vendas është shumë komplekse. “Është e shtrenjtë, kërkon shumë punë për të ndërtuar një kotec pulash, shumë kohë, si dhe një leje ndërtimi. Procesi zgjat dy deri në tre vjet nëse gjithçka shkon mirë. Dhe ndonjëherë duhet të presësh pesë deri në dhjetë vjet për të marrë lejen e ndërtimit.”

    Rritja e prodhimit vendas komplikohet edhe më shumë nga fakti se fermat familjare që ekzistojnë në Zvicër po përballen me sfidën e një pasardhësie që është ende në pritje të ardhjes. Dhe kjo vazhdimësi nuk do të ishte gati të punonte 365 ditë në vit, shtatë ditë në javë dhe të ishte aty 24 orë në ditë për kafshët, sipas Daniel Würgler.

  • Istog, qytetari gris gjobën dhe sulmon policin

    Istog, qytetari gris gjobën dhe sulmon policin

    Një person është arrestuar në Istog pasi dyshohet se pasi i është shqiptuar gjobë, në shenjë revolte e ka grisur gjobën dhe e ka sulmuar policin.

    Ai është liruar në procedurë të rregullt.

    “SULM NDAJ PERSONIT ZYRTAR- Istog 09.03.2025-18:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti pas shqiptimit të gjobës për kundërvajtje, në shenje revolte ka grisur gjobën dhe ka sulmuar zyrtarin policor. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.”, thuhet në njoftim.

  • Trumpi thotë se gati është hequr ndalimi i ndarjes së inteligjencës me Ukrainën

    Trumpi thotë se gati është hequr ndalimi i ndarjes së inteligjencës me Ukrainën

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të dielën se vendi i tij “gati” i ka dhënë fund pezullimit të ndarjes së të dhënave të inteligjencës me Ukrainën dhe se ai pret rezultate të mira nga bisedimet me zyrtarët ukrainas në Arabinë Saudite.

    Kur u pyet nëse do ta shqyrtonte pezullimin e vendimit për ndërprerjen e ndarjes së të dhënave të inteligjencës me Kievin, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha: “Ne gati e kemi bërë, gati e kemi bërë”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

    Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), John Ratcliffe, tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara e kishin ndërprerë ndarjen e të dhënave të inteligjencës me Ukrainën, duke ia shtuar presionin presidentit Volodymyr Zelensky për të bashkëpunuar me Trumpin për organizimin e bisedimeve të paqes me Rusinë.

    Zyrtarë amerikanë do të takohen të martën me një delegacion ukrainas në Arabinë Saudite pjesërisht për të përcaktuar nëse Ukraina është e gatshme për të bërë koncesione konkrete ndaj Rusisë për t’i dhënë fund luftës. Pjesë e diskutimeve pritet të jetë edhe marrëveshja për mineralet e rralla të Ukrainës.

    Presidenti amerikan shprehu optimizëm për këto bisedime. “Ne do të bëjmë shumë progres, besoj, këtë javë” – tha ai.

    Trumpi dhe Zelensky pritej ta nënshkruanin marrëveshjen për mineralet para se vizita e Zelenskyt në Shtëpinë e Bardhë të shndërrohej në përplasje mes dy udhëheqësve. Pas përplasjes, pakti për mineralet nuk u nënshkrua, përcjell gazeta “Nacionale”.

    Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha të dielën se mendon që Ukraina do ta nënshkruajë marrëveshjen për mineralet, në të cilën Kievi dëshiron që të përfshihet e një garanci sigurie nga ShBA-ja.

    “Ata do ta nënshkruajnë marrëveshjen për mineralet, por unë dua që ata ta dëshirojnë paqen… Ata nuk e kanë shfaqur këtë në nivelin që do të duhej” – tha Trumpi.

    Presidenti amerikan tha, gjithashtu, se administrata e tij ishte duke shqyrtuar një varg gjërash në lidhje me taksat ndaj Rusisë dhe se zyrtarët e administratës nuk janë të shqetësuar për ushtrimet ushtarake në të cilat përfshihen Rusia, Kina e Irani./Nacionale

  • Sekretari Rubio shkon në Arabinë Saudite, për bisedime me zyrtarët ukrainas

    Sekretari Rubio shkon në Arabinë Saudite, për bisedime me zyrtarët ukrainas

    Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, mbërrin në Xhedah të Arabisë Saudite, të hënën për bisedimet SHBA-Ukrainë, ndërsa Presidenti Donald Trump po bën përpjekje për të ndërmjetësuar një fund të shpejtë të luftës Rusi-Ukrainë.

    Në Xhedah, zoti Rubio do të takohet gjithashtu me princin saudit të kurorës Mohammed bin Salman Al Saud për të diskutuar mbi rrugët mënyrat për të avancuar interesat e përbashkëta në rajon dhe për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe, tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce.

    Sipas Departamentit të Shtetit, Sekretari Rubio “nënvizoi vendosmërinë e Presidentit Trump për t’i dhënë fund luftës sa më shpejt të jetë e mundur dhe theksoi se të gjitha palët duhet të ndërmarrin hapa për të siguruar një paqe të qëndrueshme” në një telefonatë të premten me ministrin e Jashtëm ukrainas Andrii Sybiha.

    Të hënën, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy do të vizitojë Arabinë Saudite për një takim me Princin e Kurorës, Mohammed bin Salman.

    Më pas, një delegacion diplomatik dhe ushtarak ukrainas i kryesuar nga shefi i shtabit të zotit Zelenskyy, Andriy Yermak, do të qëndrojë në Arabinë Saudite për bisedime me zyrtarët amerikanë.

    Ekipi ukrainas do të përfshijë gjithashtu kryediplomatin Sybiha, Ministrin e Mbrojtjes Rustem Umerov dhe komandantin ushtarak Pavlo Palisa.

    Në delegacionin amerikan që shkon në Xhedah për bisedime me zyrtarët ukrainas, përveç zotit Rubio do të jenë edhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Mike Waltz dhe i dërguari i posaçëm i Presidentit Trump, Steve Witkoff.

    Zoti Witkoff u ka thënë gazetarëve se “ideja është të arrihet një kornizë për një marrëveshje paqeje si edhe për një armëpushim fillestar.”

    Bisedimet SHBA-Ukrainë do të zhvillohen tre javë pasi zyrtarë të lartë amerikanë mbajtën bisedime me zyrtarë rusë në Riad.

    Ukraina tha se është “plotësisht e përkushtuar” ndaj dialogut konstruktiv me SHBA-në dhe shpreson të “diskutojë dhe të bjerë dakord mbi vendimet dhe hapat e nevojshëm”.

    “Ukraina ka dashur paqen që në sekondën e parë të kësaj lufte. Propozimet realiste janë në tryezë. Çelësi është të lëvizim shpejt dhe me efektivitet,” tha zoti Zelenskiy në rrjetin e mediave sociale X të shtunën.

    Pas vizitës së tij në Arabinë Saudite, zoti Rubio do të udhëtojë për në Charlevoix të Kanadasë, për takimin e ministrave të jashtëm të Grupit të Shtatëshes (G7) nga 12 deri më 14 mars.

    Në një deklaratë të përbashkët pas bisedimeve në Mynih gjatë Konferencës së Sigurisë në shkurt, ministrat e jashtëm të G7-ës theksuan angazhimin e tyre për të ndihmuar në “arritjen e një paqeje të qëndrueshme” dhe “riafirmuan nevojën për të zhvilluar garanci të fuqishme të sigurisë” për Ukrainën.

    “Çdo sanksion i ri pas shkurtit duhet të lidhet me faktin nëse Federata Ruse hyn në përpjekje reale dhe me mirëbesim për t’i dhënë një fund të qëndrueshëm luftës kundër Ukrainës”, shtohet në deklaratën e përbashkët.VOA

  • KQZ mban mbledhjen e radhës

    KQZ mban mbledhjen e radhës

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhje sot nga ora 11:00.

    Në rend dite është shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimit nga QNR.

  • ​Kryeministri i ardhshëm i Kanadasë Mark Carney zotohet të fitojë luftën tregtare me Trump

    ​Kryeministri i ardhshëm i Kanadasë Mark Carney zotohet të fitojë luftën tregtare me Trump

    Mark Carney ka fituar garën për të pasuar Justin Trudeau si kryeministër i Kanadasë, duke u zotuar se do të fitojë luftën tregtare kundër Presidentit të SHBA Donald Trump ndërsa ai merr drejtimin e vendit në një kohë paqëndrueshmërie të thellë.

    Ish-guvernatori i bankës qendrore kanadeze dhe Bankës së Anglisë mundi tre rivalë në garën për udhëheqje të Partisë Liberale në një rrëshqitje të madhe.

    Në pjesën më të madhe të fjalimit të tij të fitores, Carney, 59 vjeç, sulmoi Trumpin, i cili ka vendosur tarifa ndaj Kanadasë dhe tha se dëshiron ta bëjë vendin shtetin e 51-të të SHBA-së. “Amerikanët nuk duhet të bëjnë asnjë gabim”, tha ai. “Në tregti, si në hokej, Kanadaja do të fitojë”, shkruan BBC.

    Carney pritet të betohet si kryeministër në ditët në vijim dhe do të udhëheqë liberalët në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme, të cilat pritet të thirren në javët e ardhshme.

    Carney, tani i emëruar për kryeministër, nuk ka shërbyer kurrë në postin e zgjedhur.

    Gara e lidershipit liberal filloi në janar pasi Trudeau dha dorëheqjen pas gati një dekade në detyrë. Ai ishte përballur me presion të brendshëm për t’u dorëzuar për shkak të mospopullaritetit të thellë me votuesit, të cilët ishin të frustruar nga një krizë strehimi dhe kostoja në rritje e jetesës, përcjell KosovaPress.

    Carney fitoi në votimin e parë të dielën në mbrëmje, duke marrë 85.9% të votave për të mundur rivalin e tij më të afërt, ish-ministren e financave Chrystia Freeland.

    Brohoritjet e forta shpërthyen ndërsa rezultatet iu njoftuan një turme prej rreth 1600 besimtarësh të partisë në Otava, kryeqyteti i Kanadasë.

    Partia tha se më shumë se 150,000 njerëz kishin votuar në garë.