ATV

Category: Lajme

  • Zjarri në Bjeshkët e Deçanit, Ramosaj: Nuk rrezikohet jeta e njerëzve, mund të ketë ndodhur nga pakujdesia

    Zjarri në Bjeshkët e Deçanit, Ramosaj: Nuk rrezikohet jeta e njerëzve, mund të ketë ndodhur nga pakujdesia

    Zona e Kullës së Qelisë në Bjeshkët e Deçanit është përfshirë nga zjarri që nga dita e djeshme.

    Në lidhje me këtë, kreu i Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka njoftuar se që nga mëngjesi një numër i madh i njerëzve kanë dalë në terren për të shuar zjarrin.

    “Sot është aktivizuar një ekip i madh i njerëzve dhe i vullnetarëve, zjarrfikësve dhe punëtorëve të parkut, dhe po besoj që jemi në rrugë të duhur për të shuar zjarrin, i cili na ka shqetësuar që nga dita e djeshme, sidomos në orët e mbrëmjes, sepse edhe frynte një erë që e ndihmonte më shumë zjarrit. Ndërsa sot dita është më e qetë, nuk ka erë.” – ka thënë Ramosaj në një lidhje direkte për RTK.

    Ai gjithashtu ka njoftuar se kanë kapacitete të mjaftueshme dhe se afër zjarrit nuk ka vendbanime dhe as biznese.

    “Po, kemi kapacitete të mjaftueshme. E mira e gjithë kësaj është se nuk ka vendbanime afër këtij zjarri, nuk ka ndonjë biznes, as shtëpi, dhe nuk rrezikohet jeta e njerëzve. Mirëpo, është një brez i gështenjëve dhe i ahishtës që është e dhimshme me u djegur në këtë kohë. Po besoj që gjatë ditës do të lokalizohet ky zjarr, edhe pse është e vështirë, por do të mundohemi që pjesën më vitale të këtij pylli ta hekim nga rreziku.” – ka thënë Ramosaj.

    I pyetur për rrethanat që kanë shkaktuar zjarrin, Ramosaj ka supozuar se mund të jetë pakujdesi e njeriut.

    “Shkaktari, po supozojmë, është faktori njeri, mund të jetë ndonjë pakujdesi e njeriut dhe kaq.” – ka thënë ai.

  • A u cenua identiteti i agjenteve nga Osmani? – Presidenca e Kosovës sqaron publikimin e fotografisë me gratë e AKI-së

    A u cenua identiteti i agjenteve nga Osmani? – Presidenca e Kosovës sqaron publikimin e fotografisë me gratë e AKI-së

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani zgjodhi ta uronte 8 marsin – Ditën e Gruas në një mënyrë të veçantë.

    Ajo zgjodhi që urimin ta bënte me gratë që punojnë në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, me të cilat publikoi edhe një fotografi ku i quajti “heroinat e fshehta”.

    Një veprim i tillë i presidentes Osmani nxiti reagime të shumta, duke thënë se ajo i ka vënë në rrezik agjentet, të cilat ndonëse në fotografi shihen të kthyera me shpinë.

    Ish-inspektori i përgjithshëm i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), Burim Ramadani, e quajti të paprecedent këtë veprim të presidentes Osmani.

    Ai tha se ekspozimi i punonjësve të AKI-së përbënë shkelje serioze ligjore.

    “E paprecedent, si asnjëherë më parë! Ekspozimi i punonjësve të AKI (qoftë pjesë të caktuara identifikuese) përbën shkelje serioze ligjore! Rrëzimi i investimit shumëvjeçar në mos-ekspozim të stafit rrezikon sigurinë e punonjëseve dhe sigurinë kombëtare! Kur kjo vjen nga kreu i shtetit, po flasim për një shkelje mëse serioze”, ka shkruar Ramadani.

    E nga Presidenca e Kosovës i kanë thënë Telegrafit se publikimi i fotografisë me gratë e inteligjencës u bë me vlerësimin e AKI-së dhe u realizua nga ky institucion.

    Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Vjosa Osmani, theksoi se në këtë foto nuk cenohet asnjë standard i sigurisë.

    “Publikimi i fotos së Presidentes me gratë e inteligjencës ka pasur për qëllim të vlerësojë punën dhe përkushtimin e tyre në shërbim të sigurisë kombëtare. Në këtë foto, identiteti i tyre nuk ekspozohet dhe nuk cenohet asnjë standard i sigurisë. Për më tepër, kjo foto është bërë dhe dërguar nga AKI-ja dhe pas vlerësimit të tyre se nuk përbën ekspozim të identitetit”, tha Kupina.

    Tutje Kupina shtoi se praktika të tilla ka pasur edhe më herët në Kosovë dhe në shtete të tjera, derisa tha se është për keqardhje që po bëhet fushatë me komente fyese e të padrejta ndaj këtyre grave.

    “Presidenca vazhdon të mbetet e përkushtuar ndaj ruajtjes së standardeve më të larta të konfidencialitetit dhe profesionalizmit. Është për të ardhur keq që pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, në vend që të vlerësohet roli dhe kontributi i grave në një fushë sfiduese si inteligjenca, po bëhet fushatë me komente fyese dhe të padrejta ndaj tyre. Gratë që shërbejnë me përkushtim në sigurinë kombëtare meritojnë respekt dhe mbështetje, jo paragjykime”, theksoi ai.

    Kupina përmes disa fotografive ka treguar edhe disa shembuj të tillë që kanë ndodhur në të kalurën. /Telegrafi/

  • SHBA-ja kërcënon Iranin me përgjigje të mundshme ushtarake

    SHBA-ja kërcënon Iranin me përgjigje të mundshme ushtarake

    Shtëpia e Bardhë e paralajmëroi përsëri Teheranit të dielën se do të përballet me përgjigje ushtarake, nëse nuk pranon arritjen e një marrëveshjeje për programin e saj bërthamor.

    Një ditë më herët, lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, e hodhi poshtë kërkesën e Shteteve të Bashkuara për bisedime.

    “Ne shpresojmë se regjimi i Iranit i zgjedh interesat e veta më të mira dhe popullin e vet në vend të terrorit”, tha zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Brian Hughes, në një komunikatë të dielën, duke i përsëritur deklaratat e presidentit Donald Trump, që tha se “nëse detyrohemi të futemi ushtarakisht, do të jetë e tmerrshme”.

    Në një intervistë me Fox Business, Trump tha: “Ka dy mënyra për të trajtuar Iranin: ushtarakisht, ose duke bërë një marrëveshje” për ta parandaluar Teheranin nga sigurimi i armëve bërthamore.

    “Ua kam shkruar një letër atyre, ku thashë, ‘shpresoj që do të negocioni sepse, nëse duhet të veprojmë ushtarakisht, do të jetë e tmerrshme’”, tha Trump.

    “Po të isha në vendin e tyre, do të bisedoja për një marrëveshje. Nuk jam i sigurt se të gjithë pajtohen me mua, por ne mund ta arrijmë një marrëveshje që do të ishte po aq e mirë sa një fitore ushtarake”, shtoi ai.

    “Por, koha po afron. Diçka do të ndodhë në një mënyrë ose tjetrën”, theksoi ai.

    Pjesë nga intervista u transmetuan më 7 mars, por intervista e plotë do të shfaqet më 9 mars, tha Fox.

    Ndërkohë, Ali Khamenei tha më 8 mars gjatë një fjalimi para një grupi zyrtarësh iranianë – pa përmendur drejtpërdrejt Trumpin apo Shtetet e Bashkuara – se “bisedimet e tyre nuk synojnë zgjidhjen e problemeve”.

    “Ato bëhen për… ‘le të flasim për të imponuar atë që duam mbi palën tjetër që është ulur përballë nesh’”, tha Khamenei.

    “Këmbëngulja e disa qeverive ngacmuese për bisedime nuk ka qëllim zgjidhjen e çështjeve… Bisedimet për ta janë një rrugë për të paraqitur kërkesa të reja; nuk kanë të bëjnë vetëm me çështjen bërthamore të Iranit… Irani nuk do t’i përmbushë pritshmëritë e tyre”, u citua të ketë thënë Khamenei nga mediat shtetërore.

    Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, tha më 8 mars se Teherani ende nuk ka pranuar ndonjë letër nga Trumpi.

    “Kemi dëgjuar për të [letrën e Trumpit], por nuk kemi marrë asgjë”, tha Araghchi në televizionin shtetëror.

    Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë thënë prej kohësh se nuk do ta lejojnë kurrë Teheranin të fusë në dorë armë bërthamore, ndërsa Irani vazhdon ta pasurojë uraniumin në nivele pranë atyre të përdorura për prodhimin e armëve bërthamore.

    Teherani ka këmbëngulur se programi i tij është vetëm për qëllime paqësore.

    Gjatë mandatit të tij të parë, Trumpi i tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 mes Iranit dhe fuqive botërore dhe rivendosi sanksionet që ishin hequr sipas kushteve të saj.

    Trump argumentoi se kushtet e asaj marrëveshje nuk ishin mjaftueshëm të forta për të parandaluar Iranin nga sigurimi i armëve bërthamore dhe e akuzoi gjithashtu Teheranin për nxitjen e dhunës ekstremiste në rajon – akuza që Irani i ka mohuar pavarësisht provave të shumta.

    Muajin e kaluar, Khamenei deklaroi se ishte kundër bisedimeve të drejtpërdrejta me Trumpin, duke argumentuar se ai nuk është i besueshëm pasi braktisi marrëveshjen e vitit 2015.

    Pas kthimit në Shtëpinë e Bardhë në janar, Trump e riktheu fushatën e “presionit maksimal” – që ishte gur themeli i politikës së tij ndaj Iranit gjatë mandatit të parë – me qëllimin për t’i ulur eksportet e naftës së Iranit në “zero.”

    Ekspertët thonë se Shtetet e Bashkuara më gjasë nuk do të jenë në gjendje të ndalojnë plotësisht shitjet e naftës nga Irani, por do të mund t’i kufizojnë ato në mënyrë të konsiderueshme./REL

  • Gashi kërkon rinumërim në qendrat komunale, thotë se ka pasur manipulim edhe me votat me postë

    Gashi kërkon rinumërim në qendrat komunale, thotë se ka pasur manipulim edhe me votat me postë

    Ish shefi i Grupit Parlamnetar të LDK-së, Arben Gashi, i cili duket se nuk ka arritur të sigurojë votat për të marrë ulëse në Kuvendin e Kosovës, ka dalë me reagim, ku ka hedhur akuza se procesi i numërimit në Qendrat e Numërimit Komunal ka dështuar.

    Gashi tha se KQZ duhet të vendosë për rinumërimin e të gjitha votave.

    “Siç po duket, procesi i numërimit në Qendrat e Numërimit Komunal ka dështuar. Ky dështim ka dëmtuar gjithashtu rëndë besimin në vërtetësinë e rezultatit zgjedhor. Për hir të ruajtjes së besimit në procesin demokratik, KQZ duhet të vendosë për rinumërimin e të gjitha votave në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve në Prishtinë.” – ka thënë Gashi.

    Ai tutje është shprehur se në këto zgjedhje ka pasur manipulim masiv me votat e diasporës, dhe sipas tij, manipulimi më i madh ka ndodhur brenda partive politike.

    “Një fenomen tjetër i vërejtur në këto zgjedhje është manipulimi masiv me votën e diasporës. Këto vota, siç po shihet, janë manipuluar sidomos brenda partive politike. Demokracia, ndër të tjera, është edhe besim në institucionet e zgjedhura. Vendi ka nevojë për institucione përfaqësuese dhe të besueshme.” – ka përfunduar Gashi.

  • Shpërthen sërish dhuna në Siri, mbi 1 mijë të vdekur në dy ditët e fundit ndërsa forcat e sigurisë përplasen me besnikët e Assadit

    Shpërthen sërish dhuna në Siri, mbi 1 mijë të vdekur në dy ditët e fundit ndërsa forcat e sigurisë përplasen me besnikët e Assadit

    Më shumë se 1 mijë persona janë vrarë, pas dy ditësh përplasjes me forcave siriane të sigurisë dhe besnikëve të presidentit të rrëzuar Bashar al-Assad.

    Numri i të vdekurve në dy ditët e fundit nga këto përplasje mes forcave siriane të sigurisë dhe të “besueshmëve” të Assadit, ka shkuar në më shumë se 1 mijë, duke e bërë kështu ditën më vdekjeprurëse pas më shumë se një dekade, transmeton Telegrafi.

    Observatorit sirian për të Drejtat e Njeriut me seli në Britani të Madhe ka njoftuar se të paktën 750 civilë janë vrarë – kryesisht nga një distancë e afërt, ku 125 pjesëtarë të forcave siriane të sigurisë si dhe 150 militantët të lidhur me grupe të armatosura që kanë lidhje me Assadin, janë vrarë gjithashtu.

    Monitoruesit kanë theksuar se energjia elektrike dhe uji i pijshëm është ndërprerë në masë të madhe, rreth brigjeve perëndimore të qytetit të Latakias.

    Përplasjet shpërthyen të enjten që shënoi një eskalim të madh dhe një sfidë e madhe për qeverinë e re në Damask – tre muaj pasi arritën të largojnë nga pushteti Assadin.

    Ndryshe Assad ishte rrëzuar nga pushteti pasi Hayat Tahrir al-Sham (HTS) organizoi një ofensivë befasuese në fillim të dhjetorit – duke rrëzuar qeverinë dhe duke i dhënë kështu fund 24 viteve torturë – dhe më shumë se pesë dekada të familjes së Assadit që është në pushtet.

  • Gjendet pa shenja jete një grua në Kamenicë

    Gjendet pa shenja jete një grua në Kamenicë

    Policia e Kosovës ka njoftuar se një grua është gjetur pa shenja jete në Kamenicë.

    Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në IML.

    “HETIM I VDEKJES- Kamenicë / 08.03.2025 – NN. Raportohet se është gjetur trupi i pa jetë i viktimës femër kosovare. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse, ku ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.”

  • Dy vjet nga marrëveshja e Brukselit, zbatimi i saj s’duket në horizont

    Dy vjet nga marrëveshja e Brukselit, zbatimi i saj s’duket në horizont

    Zbatimi i Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë nuk duket në horizont edhe dy vjet pas dakordimit të saj. Megjithatë, ky dokument nga njohësit e këtij procesi konsiderohet se mbetet i detyrueshëm për të dyja palët dhe bazë për negociatat e mëtejme për normalizimin e marrëdhënieve dhe rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

    Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, në shkurt të vitit 2023 kanë arritur marrëveshjen bazë në Bruksel, ndërkaq pas një muaji, më 18 mars janë pajtuar për aneksin e zbatimit të saj në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

    Kur po bëhen dy vjet nga aneksi i Ohrit, Serbia, rishtas shkeli këtë ujdi me rastin e heqjes nga rendi i ditës për të qenë mysafire speciale në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të KiE-së. Një gjë e tillë u dënua edhe nga Bashkimi Evropian.

    Megjithatë, në Bashkimin Evropian e as Qeverinë e Kosovës nuk kthyen përgjigje për KosovaPress se pse nuk është zbatuar marrëveshja dhe si do të ecet tutje për këtë ujdi.

    Ish ambasadori i Kosovës në Gjermani, Skender Xhakaliu, thotë për KosovaPress se marrëveshja e Brukselit nuk ka gjetur zbatim deri tani, mirëpo ajo është e obligueshme për palët.
    Ai shton se në bazë të emrave të rinj në Bruksel pret iniciativa konkrete nga ndërmjetësuesit në dialog.

    Bashkimi Evropian këtë vit ka emëruar Peter Sorensen si përfaqësues të ri special për dialogun Kosovë-Serbi, i cili pason Miroslav Lajçakun.

    Sorensen do të punojë nën ombrellën e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Kaja Kallas.

    Pavarësisht moszbatimit të deritanishëm të marrëveshjes së Brukselit, sipas politologut, Artan Muhaxhiri, kërkesat ndaj palëve nga Bashkimi Evropian do të jenë të njëjta.

    Ai thotë se unioni evropian pas formimit të qeverisë se re në Kosovë do të insistojë për zbatim të marrëveshjes.
    Sipas tij, çdo avancim i Kosovës në arenën ndërkombëtare do të kushtëzohet nga respektimi i marrëveshjeve dhe suksesi në dialog.

    Kosova gjatë kësaj jave nuk mundi të jetë mysafire speciale në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, pasi kërkesa e saj u hoq nga rendi i ditës.

    Kosova dështoi të anëtarësohet në Këshill të Evropës vitin e kaluar, pasi nuk përmbushi kërkesën e aleatëve për dërgimin e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të hartuar nga Bashkimi Evropian në Gjykatë Kushtetuese.

    Kosova vazhdimisht ka akuzuar Serbinë se po shkel marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit, duke penguar Kosovën në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

    Madje, sipas institucioneve kosovare, Serbia praktikisht është tërhequr nga kjo ujdi në dhjetor të vitit 2023, kur i ka dërguar letër Brukselit zyrtar se ka vija të kuqe kur është fjala për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve me Kosovën.

  • Mikrobiologjia Klinike në QKUK pranoi rreth 40 mijë mostra brenda një viti

    Mikrobiologjia Klinike në QKUK pranoi rreth 40 mijë mostra brenda një viti

    Ndonëse ende nuk janë bërë 4 vjet nga formimi i Shërbimit të Mikrobiologjisë Klinike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, numri i mostrave të pranuara që iu janë nënshtruar analizave mikrobiologjike në vitin 2024 arrin në 40 mijë, apo afro 30 mijë më shumë se në vitin 2021. Derisa prioritet për Mikrobiogjinë Klinike është fuqizimi i Diagnostikës Molekulare, për të avancuar shërbimet në dobi të klinikave dhe pacientëve.

    Mikrobiologjia Klinike pranon çdo ditë mostra nga pacientët e hospitalizuar në të gjitha klinikat e QKUK-së.

    Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës në Shërbimin e Mikrobiologjisë Klinike në QKUK, Greta Lila Azizi në një intervistë për KosovaPress thotë se që nga themelimi i kësaj njësie, vit pas viti që nga 2021-ta, është rritur dukshëm numri i mostrave të pranuara për analizë.

    “Gjatë vitit 2021 numri i mostrave ka qenë më i ulët, ishte pandemia. Ka qenë një numër më i reduktuar i mostrave. Por, ndër vite numri i mostrave që janë pranuar këtu është rritur. Përgjatë vitit 2021 kanë qenë diku rreth 11 mijë mostra. Pastaj, kjo kronologjikisht ka shkuar duke u rritur vit për vit. Dhe tash së fundi në vitin 2024 kemi arritur deri në 40 mijë mostra që janë pranuar në Shërbimin e Mikrobiologjisë Klinike, në laborator”, tha Lila Azizi.

    Ajo potencon se punën si shërbim i ri në QKUK e nisën me tre mikrobiologë dhe teknikë laborantë, porse me zgjerimin e gamës së shërbimeve ndër vite, është më se dyfishuar numri i stafit.
    Specialistja e mikrobiologjisë, Greta Lila Azizi thotë se në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, pritet të fuqizohet edhe Diagnostika Molekulare. Sipas saj ky shërbim do reduktojë dukshëm kohën e raportimit të rezultateve të analizave nga mostrat e marra, përcjell KosovaPress.

    Për KosovaPress, mikrobiologia Greta Lila Azizi tregon se në shërbimin e Mikrobiologjisë Klinike në QKUK kryhet një gamë e gjerë e analizave mikrobiologjike.

    Ajo shtoi se ekziston një laramani e madhe e mostrave që i nënshtrohen analizave mikrobiologjike.

    Shërbimi i Mikrobiologjisë Klinike në QKUK është formuar me datë 18 mars 2021, pasi që ministri i Shëndetësisë, kishte miratuar popozim Vendimin për ndryshimet në Statutin e QKUK-së, pas pranimit të kërkesës nga Bordi Drejtues i ShSKUK-së, me datë 8 shkurt 2021.

  • Një person i vdekur si pasojë e zjarrit në Prapashticë

    Një person i vdekur si pasojë e zjarrit në Prapashticë

    Të shtunën në fshatin Prapashticë të Komunës së Prishtinës, si pasojë e një zjarri dyshohet se në një fushë një person ka humbur ndjenjat dhe pas ekzaminimit nga ekipet mjekësore është konstatuar që viktima është pa shenja jete, raporton KP.

    Kështu ka njoftuar policia në raportin 24 orësh duke thënë se me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i dorëzohet mjekësisë ligjore për obduksion.

  • Kurti dhe Rashiq mbajnë konferencë për media, s’dihet arsyeja

    Kurti dhe Rashiq mbajnë konferencë për media, s’dihet arsyeja

    Kryeministri Kurti dhe ministri Rashiq do të mbajë sot konferencë për media nga ora 11:00.

    Arsyeja nuk është bërë e ditur.

    “Agjenda e Kryeministrit të Republikës së Kosovës e datës 09.03.2025. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq mban konferencë për media. VENDI: Ndërtesa e Qeverisë. KOHA: 11:00”, thuhet në njoftim.