ATV

Category: Lajme

  • Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s mbërrin në Sarajevë

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s mbërrin në Sarajevë

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, në Presidencën e Bosnjë dhe Hercegovinës, Sarajevë, 10 mars 2025.

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, në Presidencën e Bosnjë dhe Hercegovinës, Sarajevë, 10 mars 2025.

    Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Veriatlantike, Mark Rutte, mbërriti të hënën, për një vizitë zyrtare në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku do të takohet me drejtuesit më të lartë politikë, në një moment kur autoritetet e Republikës Sërpska, duke kërcënuar me shkëputje, kanë tentuar të ndalojnë funksionimin e institucioneve shtetërore të drejtësisë dhe policisë në territorin e këtij entiteti.

    Aktualisht, po zhvillohet takimi me anëtarët e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës – Zhelka Cvijanoviq, Denis Beqiroviq dhe Zhelko Komshiq, pas të cilit është planifikuar një konferencë për media.

    Pas këtij takimi, Rutte do të zhvillojë një takim me kryetaren e Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës, Borjana Krishto.

    Pasdite pritet që Rutte t’u drejtohet studentëve të Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit të Sarajevës.

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ka mbërritur në Bosnjë dhe Hercegovinë pas miratimit të ligjeve antikushtetuese në entitetin Republika Sërpska të Bosnje dhe Hercegovinës.

    Më herët, Kuvendi i RS-së ka miratuar një ligj për ndalimin e veprimtarisë së Agjencisë Shtetërore për Hetime dhe Mbrojtje (SIPA) të BeH-së, Gjykatës dhe Prokurorisë së Bosnjë dhe Hercegovinës, si dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial, i cili është përgjegjës për emërimin e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve në vend.

    Gjykata Kushtetuese e Bosnjë dhe Hercegovinës ka marrë një masë të përkohshme dhe ka pezulluar zbatimin e ligjit të miratuar nga Kuvendi Popullor i RS-së më 27 shkurt, një ditë pasi presidenti i RS-së, Millorad Dodik, u dënua nga Gjykata e Bosnjë dhe Hercegovinës me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalim të ushtrimit të funksionit. Ky është dënim i shkallës së parë, ndaj të cilit Dodik ka mundësi të ankohet.

    Ai u shpall fajtor për mosrespektimin e vendimeve të përfaqësuesit të Lartë, Christian Schmidt, dhe për nënshkrimin e dekretit për shpalljen e ligjeve që Schmidt i kishte anuluar më herët, me të cilat ishte synuar pengimi i zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe përfaqësuesit të Lartë në territorin e RS-së.

    NATO-ja ka përsëritur disa herë se kjo organizatë ushtarako-politike mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe se nuk do të lejojë një vakum sigurie apo rrezikim të paqes së fituar me vështirësi.

    Forcat e Bashkimit Evropian (EUFOR) në Bosnje dhe Hercegovinë njoftuan më 7 mars se do të rrisin përkohësisht numrin e trupave të tyre si një masë parandaluese, pas rritjes së tensioneve në vend. /REL

  • ​KQZ vendos të rinumërohen 50 vendvotime

    ​KQZ vendos të rinumërohen 50 vendvotime

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, vendosi të hënën që në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve të rinumërohen votat për subjektet politike të 50 vendvotimeve, 15 prej të cilave i takojnë komunave të ndryshme, ndërkaq 35 të tjera vetëm të komunës së Vushtrrisë.

    Ky vendim erdhi pasi që në 15 vendvotime është hasur mospërputhje e numërimit të nënshkrimeve në Listën e Votuesve dhe numrin e fletëvotimeve brenda në kuti të votimit.

    Ndërkaq, për 35 vendvotime të tjera që i takojnë vetëm komunës së Vushtrrisë, KQZ-ja mori vendim pasi që “vërehet diferenca e votave të kandidatëve”.

  • Kurti nuk flet për konsultimet për formimin e qeverisë së re

    Kurti nuk flet për konsultimet për formimin e qeverisë së re

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, sërish ka refuzuar të flas për konsultimet për formimin e qeverisë së re, raporton KP.

    Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, e cila në koalicion me Guxo dhe Alternativa ka dalë e para në zgjedhjet e 9 shkurtit, përsëriti qëndrimin e tij se po presin certifikimin e rezultateve fillimisht, e më pastaj diskutimet për formimin e qeverisë së re.

    Lidhur me këtë, Kurti u pyet të hënën pasi mori pjesë në aktivitetin e Agjencisë për Barazi Gjinore, në shënim të 8 marsit – Ditës Ndërkombëtarë të Gruas.

    Sipas rezultateve preliminare të publikuara në platformën elektronike të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka dalë e para, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës, pastaj Lidhja Demokratike të Kosovës, dhe e katërta sipas votave, është radhitur koalicioni AAK-Nisma.

  • Intervistohet i dyshuari për zhdukjen e studentes në Punta Cana

    Intervistohet i dyshuari për zhdukjen e studentes në Punta Cana

    Autoritetet në Republikën Dominikane po intervistojnë një person që besohet të ketë qenë në Punta Cana me një studente nga Universiteti i Pittsburgh-it, Sudiksha Konanki, para se ajo të zhdukej, raporton CNN.

    Konanki, një 20-vjeçare nga SHBA, u pa për herë të fundit në kamerat e sigurisë me shtatë persona të tjerë duke hyrë në plazh, në Hotelin “Riu Republica” pas orës 4:15 të enjten.

    Ajo kishte arritur në Republikën Dominikane të hënën. Pas mëngjesit të së premtes, autoritetet u njoftuan për zhdukjen e saj, përcjellë KosovaPress.

    Në kamerat e sigurisë u pa se në orën 5:55, gjashtë persona dolën nga plazhi, ndërsa Konanki besohet të ketë mbetur pas me një tjetër person. Pas disa orësh, video tregon atë person duke lënë plazhin në orën 9:55, pa shenja të Konankit.

    Për të zbuluar më shumë, autoritetet po intervistojnë të rinjtë dhe po hetojnë për mundësinë e ndonjë krimi, përfshirë rrëmbim ose trafikim. Konanki kishte shkuar në Punta Cana për pushime, pranë fillimit të studimeve për mjekësi, përcjellë KosovaPress.

    Familja e saj është e shqetësuar dhe kërkon që hetimet të zgjerohen dhe të shqyrtohen mundësi të tjera.

    Ambasada e SHBA-së ka lëshuar një paralajmërim për sigurinë për vizitorët në Republikën Dominikane.

  • ​Të paktën 410 protesta në Serbi për një javë

    ​Të paktën 410 protesta në Serbi për një javë

    Të paktën 410 protesta janë mbajtur në të gjithë Serbinë në shtatë ditët e fundit, njoftoi të dielën Qendra për Kërkim, Transparencë dhe Përgjegjësi.

    Kjo është të paktën 63 protesta më shumë se javën e kaluar, njoftoi llogaria zyrtare e organizatës në Twitter X. Gjatë periudhës së lartpërmendur, protesta janë mbajtur në të paktën 196 vendbanime, thuhet në njoftim, raporton Kossev.

    Protestat kanë vazhduar edhe sot në disa vende.

    Studentët e Suboticës vazhduan shëtitjen e tyre nga Baçka Topola në Beograd, ku duhet të mbërrinin deri më 15 mars, përcjell KosovaPress.

    Marshojnë edhe studentë nga Nishi. Rruga më e gjatë deri më tani është e ndarë në gjashtë ditë. Rreth 500 studentë të Nishit filluan një maratonë në këmbë drejt Beogradit këtë mëngjes nga Manastiri i Manasisë, afër Despotovacit.

    Gjashtë autobusë dhe makina të shumta sollën studentë nga Universiteti i Nishit në Manastirin e Manasisë herët këtë mëngjes.

    Sot para Bashkisë së Nishit është organizuar një protestë e titulluar “Të pafat 13”, me të cilën studentët kanë dashur të kujtojnë skandalet e pushtetarëve aktualë në 13 vitet e fundit.

    Edhe studentët nga Loznica në këmbë për në Beograd. Sipas planit, studentët do të largohen nga Loznica të hënën në orën 13:00 dhe do të arrijnë në Beograd të premten pasdite.

    Sot në Topolë është paralajmëruar bllokadë një orëshe e rrugës Beograd-Kragujevc, si një protestë përgatitore dhe ftuese përpara një proteste të madhe në Beograd më 15 mars.

    Në pikën e karburantit përballë stacionit kryesor të autobusëve është duke u bërë bllokadë një orëshe e rrugës kryesore të quajtur “Të pompojmë në pompë”, ku thirrja është bërë nga të rinjtë e Topolës. Bllokada e rrugës filloi në orën 18:30 dhe fillimisht u mbajt një heshtje 15-minutëshe për të vrarët nga shembja e tendës në Novi Sad. Ajo pjesë e protestës quhej “Heshtje”. Pasoi “zhurma”, duke i dhënë fund protestës.

    Mbështetja e diasporës serbe vazhdon edhe sot nga Bostoni.

    Olivera Miladinoviq, bashkëpunëtore në Shkollën Mjekësore të Harvardit, iu drejtua të pranishmëve dhe i falënderoi për këmbënguljen e tyre në mbështetjen e studentëve.

    “Kjo është fundjava e shtatë që ne jemi këtu së bashku me të njëjtin synim, për të nderuar viktimat e Novi Sadit me heshtje dhe për të pompuar me zë të lartë për të mbështetur të ardhmen e vendit tonë, studentët tanë”, kishte thënë Olivera Miladinoviq në Boston.

    Tamara Jokiq, profesoreshë në Berkeley, ka edhe një mesazh për studentët nga Bostoni.

    “Na e keni rikthyer besimin në dashuri, drejtësi, solidaritet dhe më e pakta që mund të bëjmë për ju është që një herë në javë të ndërgjegjësojmë botën për luftën tuaj, e cila është një luftë edhe për ne”, u tha Tamara Jokiq studentëve në Serbi.

    Ajo thotë se të gjithë ata në diasporë e kanë zemrën në Serbi, me familjet, miqtë dhe bashkatdhetarët e tyre.

    “Kjo është arsyeja pse ne po lidhemi së bashku në diasporë për t’i treguar botës se si rinia dhe energjia e drejtë kanë ecur në rrugët e Serbisë për shumë muaj, të gjitha në luftë për drejtësi, të vërtetë dhe një të nesërme më të mirë. Nëse pompimi do të ishte i lehtë, të gjithë do të pomponin”, thotë Tamara Jokiq nga Bostoni.

  • ​Trump thotë se ekonomia e SHBA-së është në “tranzicion”

    ​Trump thotë se ekonomia e SHBA-së është në “tranzicion”

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, refuzoi të thoshte nëse ekonomia amerikane po përballet me rritje çmimesh pas ndryshimeve të administratës së tij në kërcënimet për tarifa ndaj disa prej partnerëve më të ngushtë tregtarë.

    Sekretari i Tregtisë, Howard Lutnick, siguroi se nuk do të ketë tkurrje të ekonomisë, ndërkohë që pranoi se disa produkte mund të shtrenjtohen, raporton BBC, përcjellë KP.

    Kjo vjen pas një jave të pasigurt për tregjet financiare të SHBA-së, pasi investitorët u përballën me pasiguri për politikat tregtare të administratës Trump.

    Një tarifë e re prej 25% u vendos për importet nga Meksika dhe Kanadaja, ndërkohë që Kina vuri tarifa të reja për disa produkte bujqësore amerikane.

    Donald Trump ka akuzuar Kinën, Meksikën dhe Kanadanë, sipas tij që nuk po bëjnë mjaftueshëm për të ndaluar fluksin e drogës dhe emigrantëve të paligjshëm në SHBA.

    Tarifat kanë shkaktuar rënien e bursës në Wall Street dhe ka shqetësime për rritjen e çmimeve dhe ndikimin në rritjen ekonomike të SHBA-së.

    Të premten, presidenti Donald Trump nënshkroi urdhra ekzekutiv që vonojnë për gati një muaj tarifat për të gjitha produktet nga Meksika dhe Kanadaja që mbulohen nga traktati i tregtisë së lirë USMCA, një kthim i rëndësishëm i planit ekonomik të nënshkrimit të administratës që ka tronditur tregjet, bizneset dhe konsumatorët.

    Urdhrat ekzekutiv pasojnë një diskutim që Trump zhvilloi me presidenten meksikane, Claudia Sheinbaum dhe negociatat midis zyrtarëve kanadezë dhe të administratës Trump.

  • ​Kurti: Mbështetja ndaj grave, fokus i qeverisë

    ​Kurti: Mbështetja ndaj grave, fokus i qeverisë

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha të hënën se mbështetja ndaj grave dhe adresimi i pabarazisë gjinore ka qenë fokus i Qeverisë së Kosovës, raporton KP.

    Në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, ku u prezantua rrjeti i grave në pozita vendimmarrëse në administratë publike dhe institucione te pavarura, Albin Kurti tha se prej vitit 2021 – kur e kanë marrë drejtimin e qeverisë, “51 për qind e pozitave vendimmarrëse në ndërmarrje publiken janë gra”.

    Albin Kurti theksoi nevojën edhe të forcimit sindikal të grave.

    Pjesë e këtij organizimi ishte edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, i cili tha se është bërë progres për avancimin e pozitës së gruas në Kosovë, mirëpo sipas tij, ende ka shumë punë për të bërë.

  • ​Agjenda e Rutte në Kosovë, policia njofton për riorientim të trafikut

    ​Agjenda e Rutte në Kosovë, policia njofton për riorientim të trafikut

    Policia e Kosovës ka bërë me dije se më datën 10 dhe 11 mars 2025, në Republikën e Kosovës, do të qëndrojë për vizitë delegacion i lartë i NATO-s i kryesuar nga sekretari Gjeneral i saj, Mark Rutte.

    Policia e Kosovës, ka njoftuar se gjatë kësaj vizite, do të kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe kohës së qëndrimit të delegacionit në Republikën e Kosovës.

    “Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës së vizitës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojë eskorta) dhe në afërsi të objekteve shtetërore, ku do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në njoftim.

  • ​Shërbimet e reja në Gastroenterologji, pacientët s’kanë nevojë për referim jashtë vendit

    ​Shërbimet e reja në Gastroenterologji, pacientët s’kanë nevojë për referim jashtë vendit

    Me ofrimin e shërbimeve të reja si video kapsula endoskopia dhe ultrasonografia endoskopike (EUS) në Klinikën e Gastroenterologjisë me Hepatologji, pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pacientët mund të diagnostikohen dhe trajtohen për sëmundjet e zorrëve të holla dhe pankreasit, pa pasur nevojë t’i drejtohen spitaleve në vendet fqinje.

    Drejtoresha e Klinikës së Gastroenterologjisë me Hepatologji në QKUK, Fitore Komoni,thotë se në mungesë të aparaturave për kryerjen e këtyre dy shërbimeve, deri në vitin e kaluar, pacientët referoheshin për në institucionet shëndetësore të shteteve të tjera, shkruanKosovaPress.

    “Kemi arritur që të aktivizojmë dy shërbime të reja siç është video kapsula endoskopia dhe ultrasonografia endoskopike EUS-i. Video kapsula është një metodë e ekzaminimit kryesisht që përdoret për zorrët e holla, e cila diagnostikon dhe mundëson trajtimin e pacientëve me indikacione të tilla. Ndërsa, ultrasonografia endoskopike EUS-i është një metodë e cila e mundëson diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve të pankreasit, metodë kjo e cila deri më tani nuk është realizuar në Kosovë, ashtu që kemi filluar që në vitin 2024. Kjo nuk bëhet në spitale private, meqenëse është një metodë shumë më specifike nuk është realizuar, është për herë të parë tek ne. Në të kaluarën, për shkak të mungesës së aparaturës për ekzaminim të zorrëve të holla, ka qenë e nevojshme që pacientët të referohen në vendet e tjera”, thotë Komoni.

    Në një intervistë për KosovaPress, Komoni potencon se ndër vite është rritur numri i kryerjes së endoskopive.

    Sipas saj, gjatë vitit 2024 janë kryer rreth 2 mijë gastroskopi dhe mbi 1 mijë e 300 kolonoskopi.

    Pavarësisht kësaj, Komoni thotë se kjo klinikë ka synim që në vitin 2025 të furnizohet me aparatura të tjera.

    “Gastroskopi janë bërë gjithsej diku rreth 2.100, ndërsa kolonoskopi 1.300, gjë që krahasuar me vitet e më hershme kemi një rritje të dukshme. Prej vitit 2023 në vitin 2024 kemi diku rreth 10 për qind rritje. Gjatë vitit 2025 varësisht sipas planit të veprimit do të arrijmë që së pari ta bëjmë zgjerimin e infrastrukturës, e po ashtu edhe renovimet si dhe furnizmin me aparatura të tjera të nevojshme për klinikën. Në Klinikën e Gastroenterologjisë, për shkak të numrit të madh të shërbimeve të cilat ofrohen dhe po ashtu edhe hospitalizimit të pacientëve, numri i mjekëve specialist është i mjaftueshëm. E po ashtu edhe numri i stafit infermieror është adekuat, i përgjigjet shërbimeve të cilat i ofrojmë”, potencon Komoni.

    Komoni, thotë se në Klinikën e Gastroenterologjisë jepet terapia biologjike, e cila sipas saj ka një kosto të lartë, shkruan KosovaPress.

    “Sa i përket barnave esenciale dhe materialit shpenzues, mund të themi që gjatë tërë vitit 2024 tek ne jepet një terapi biologjike shumë e shtrenjtë, e cila po ashtu edhe në vendet jashtë Kosovës ka një kosto të lartë. Gjatë tërë vitit kemi qenë të furnizuar me ampula të infliximabit, po ashtu adalimumab dhe vedolizumab të cilat kanë hyrë në listë esenciale”, tregon Komoni.

    Ndër të tjera, Komoni tregon se është reduktuar lista e pritjes për kryerjen e endoskopive.

    Ultrasonografi abdominale, gastroskopi me biopsi, gastroskopia urgjente, intervenimet endoskopike duke filluar nga polipektomia dhe insertimi i balonit gastrik janë disa nga shërbimet që kryhen në Klinikën e Gastroenterologjisë me Hepatologji.

  • ​SHBA: Ukraina është gati të ec para në kërkesën për armëpushim

    ​SHBA: Ukraina është gati të ec para në kërkesën për armëpushim

    Administrata Trump e SHBA-së beson se Ukraina është e “gatshme të përparojë” në procesin e armëpushimit me Rusinë, sipas një zyrtari të lartë të Departamentit të Shtetit.

    Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio dhe Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Mike Waltz, do të takohen në Arabinë Saudite me përfaqësuesit ukrainas për të diskutuar mundësinë e një marrëveshjeje paqeje.

    Presidenti Trump ka rritur presionin ndaj homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, për të pranuar një armëpushim të shpejtë me Moskën, pa një garanci të menjëhershme sigurie nga SHBA, raporton BBC.

    Ndërkohë, Zelensky ndodhet gjithashtu në Arabinë Saudite për një takim me Princin e Kurorës, Mohammed bin Salman. Ukraina ka ofruar qasje në rezervat e saj të mineraleve të rralla në këmbim të garancive të sigurisë nga SHBA, përcjell KosovaPress.

    Ndërprerja e ndihmës ushtarake dhe inteligjencës nga SHBA ndaj Ukrainës ka krijuar tensione mes dy vendeve, por Trump ka lënë të kuptohet se mund të rishqyrtojë këtë vendim.

    Nga ana tjetër, ushtria ukrainase raportoi se ka rrëzuar 130 dronë rusë, ndërsa sulmet ajrore ruse gjatë fundjavës vranë të paktën 25 persona në Donetsk.