ATV

Category: Lajme

  • ​Protesta e 15 marsit, studentët ecin për në Beograd

    ​Protesta e 15 marsit, studentët ecin për në Beograd

    Studentë nga disa pjesë të Serbisë po shkojnë në këmbë drejt Beogradit për protestën e paralajmëruar për 15 mars.

    Studentët, kryesisht nga Nishi, natën e kaluan në Svilajnac dhe sot do të ecin deri në Smederevska Palanka, e cila, siç thonë ata, është pjesa më e vështirë për ta. Studentët që udhëtonin nga Subotica, pasi kishin kaluar natën në Srbobran, vazhduan udhëtimin për në Novi Sad, raporton N1.

    Dhe sot, studentët nga Serbia perëndimore – nga Çaçaku, Kraljeva dhe Uzhice -gjithashtu janë nisur drejt Beogradit. Ata do të ecin përgjatë autostradës së Ibarit për pesë ditë. Të martën, siç është paralajmëruar, për në protestë në Beograd do të nisen edhe studentët e Universitetit të Kragujevacit.

  • ​Numri i vdekjeve nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës ka arritur në 48 mijë e 467

    ​Numri i vdekjeve nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës ka arritur në 48 mijë e 467

    Trupat e nëntë palestinezëve, pesë prej të cilëve u nxorën nga rrënojat në 24 orët e fundit në Rripin e Gazës, ku u arrit një armëpushim pas sulmeve të vazhdueshme të Izraelit që nga 7 tetori 2023, u transferuan në spitale, transmeton Anadolu.

    Ministria e Shëndetësisë e Palestinës në Gaza publikoi informacionin e fundit për të vrarët dhe të plagosurit si rezultat i sulmeve të ushtrisë izraelite pas marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve të arritur midis Izraelit dhe Hamasit më 19 janar, përcjell KP.

    Në 24 orët e fundit në spital kanë mbërritur 9 trupa të pajetë dhe 16 të plagosur. Mësohet se 5 prej atyre që u vranë janë nxjerrë nga rrënojat ndërsa 4 prej tyre janë vrarë në sulmet e kryera ditën e fundit.

    Numri i palestinezëve që u vranë në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023, ka arritur në 48.467 ndërsa numri i të plagosurve është rritur në 111.913.

    Pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve të arritur me Hamasin, Izraeli vazhdon të shkelë shpesh armëpushimin në Gaza.

  • ​Të paktën 16 të vdekur nga përmbytjet në Argjentinë

    ​Të paktën 16 të vdekur nga përmbytjet në Argjentinë

    Të paktën 16 persona kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve të shkaktuara nga shirat e dendur në Argjentinë, transmeton Anadolu.

    Zyrtarët në Argjentinë njoftuan se është rritur numri i viktimave në qytetin portual Bahia Blanca të goditur nga përmbytjet, transmeton KP.

    “Ka 16 vdekje të konfirmuara, por ka të ngjarë të ketë më shumë”, tha kryetari i Bashkisë së Bahia Blancas, Federico Susbielles në X.

    Në Bahia Blanca ku u përmbytën shtëpi dhe biznese, u raportua se ende nuk ka energji elektrike dhe se po pritet tërheqja e ujërave ndërsa përpjekjet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë pandërprerë.

    Ministrja e Sigurisë, Patricia Bullrich dhe ministri i Mbrojtjes Luis Petri inspektuan Bahia Blancan e goditur nga përmbytjet.

    Sipas mediave lokale, numri i të evakuuarve në qytetin e Bahia Blancas ka kaluar mbi 900.

  • ​Krstiq: Lista Serbe u kërcënua nga Beogradi, dërgoi njerëz për të mbrojtur Vuçiqin

    ​Krstiq: Lista Serbe u kërcënua nga Beogradi, dërgoi njerëz për të mbrojtur Vuçiqin

    Lista Serbe javën e kaluar dërgoi rreth 100 djem nga Kosova në Serbi, në mbështetje të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, dhe këtë e bëri nën kërcënimin se në të kudnërtën do të hiqej nga buxheti i Serbisë, thotë gazetari serb Branislav Krstiq.

    Përmes një statusi në Facebook, Krstiq e ka përshkruar gjithë atë që ndodhi si “horror në Mitrovicë”. Derisa ka shtuar se presioni dhe kërcënimet vazhdojnë, shkruan KP.

    “Horror në Mitrovicë

    Nën kërcënimin se do të hiqej nga buxheti i Serbisë, Lista Serbe mobilizoi rreth 100 djem javën e kaluar dhe i dërgoi në Beograd për të mbrojtur regjimin e bandit të Vuçiqit kundër protestave masive të studentëve.

    Më vjen sinqerisht keq për ata të rinj të shantazhuar dhe prindërit e tyre!

    Më e keqja, mobilizimi, presionet dhe kërcënimet vazhdojnë…”, ka shkruar ai, transmeton KosovaPress.

    Javën që shkoi është raportuar se Vuçiq përmes Listës Serbe ka organizuar serbët nga Kosova, për t’u vendosur në çadra para presidencës në Beograd, si kundërpërgjigje ndaj protestave së studentëve.

    Protestat në Serbi kanë hyrë në muajin e pestë. Shembja e një pjesë të çatisë në një stacion të trenit në Novi Sad, që la të vdekur 15 persona, çoi Serbinë në protesta passive. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka akuzuar shërbimet e jashtme se qëndrojnë prapa protestave, ndërsa dorëheqje deri tash kanë dhënë kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq dhe kryetari i Novi Sadit Milan Gjuriq.

  • ​Rreth 300 raste të zjarreve në tri ditët e fundit

    ​Rreth 300 raste të zjarreve në tri ditët e fundit

    Drejtori ekzekutiv i Agjencisë së Menaxhimit Emergjent të MPB-së, Genc Metaj deklaroi se gjendja aktuale lidhur me zjarret paraqet rrezik serioz.

    Në konferencë për media të hënën, ai tha se ditëve të fundit është vërejtur shtim i rasteve të zjarreve.

    Në tri ditët e fundit, ai shtoi se janë evidentuar mbi 290 rasteve të zjarreve, të cilat ai i quajti enorme.

    “Kjo gjendje paraqet rrezik serioz për qytetarët dhe sigurinë publike. Ditëve të fundit është vërejtur një shtim i rasteve të zjarreve. Nga statistikat qe i kemi marrë, vetëm javën e parë të marsit janë 57 raste”, u shpreh ai.

    Këto raste, Metaj shtoi se vejnë në rrezik operacionalitetin e ekipeve.

    “Shkaqet kryesisht dyshohet të jenë dora e njeriut. Nga sot do te fillojmë me patrullimet e rregullta të zjarrfikësve në gjitha komunat”, theksoi ai.

  • ​Konjufca thotë se qeverinë synojnë ta formojnë me partitë jo-serbe

    ​Konjufca thotë se qeverinë synojnë ta formojnë me partitë jo-serbe

    Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se po synojnë të formojë qeverinë me mbështetjen e përfaqësuesve të pakicave jo-serbe.

    “Siç e keni parë, qeveria ‘Kurti 2’ është formuar në bashkëpunim me pakicat jo-serbe. Ky është qëllimi ynë sepse ka ndikuar pozitivisht në Kosovë, duke mos lejuar që Lista Serbe, e cila vepron nën ndikimin e Beogradit, të ketë pushtet vendimtar si në qeveritë e kaluara”, tha Konjufca, për median e Italisë OBCT-së.

    Media italiane ka shkruar se ndryshe nga katër vjet më parë, asnjë parti nuk ka marrë shumicën absolute, duke e bërë më të vështirë formimin e qeverisë.

    Pavarësisht se fitoi zgjedhjet, LVV nuk arriti objektivin e saj prej 500,000 votash, të nevojshme për të qeverisur vetëm.

    Bazuar në rezultatet aktuale, LVV ka 48 vende në parlament. Partia kishte shpresuar të arrinte 50 vende falë votave të diasporës, por mbështetja e lartë fillestare e parë në misionet diplomatike jashtë vendit u zvogëlua gjatë numërimit të votave postare.

    Pakicat jo-serbe kanë 10 vende të rezervuara në parlamentin e Kosovës. Me mbështetjen e tyre, LVV mund të arrijë në 58 vende. Për më tepër, LVV po llogarit në votën e Nenad Rashiqit, ministër për Kthim dhe Komunitete në qeverinë e kaluar Kurti, i cili bashkëpunon me institucionet e Kosovës.

    Rashiq hyri në parlament pasi Lista Serbe nuk arriti të fitonte të 10 vendet që tradicionalisht u ndaheshin serbëve, duke siguruar vetëm nëntë.

    Megjithatë, për të arritur shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh që nevojiten për të formuar një qeveri, LVV-së i duhen edhe dy të tjerë. Konjufca, mendon se nuk ka gjasa për bashkëpunim me partitë opozitare, përcjell KosovaPress.

    “Nëse është e nevojshme, ne do të takohemi si lider dhe do të vendosim për hapat e ardhshëm, por deri më tani partitë opozitare kanë marrë qëndrim pengues. Sulmet ndaj LVV-së kanë qenë shumë agresive dhe mendoj se këto zgjedhje ishin mjaft të padrejta, me shumë akuza të padrejta dhe goditje të ulëta. Kjo ka lënë gjurmë”, ka shtuar Konjufca.

  • Situata e sigurisë në Ballkan është seriozisht e lëkundur, thotë Vuçiq

    Situata e sigurisë në Ballkan është seriozisht e lëkundur, thotë Vuçiq

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se situata e sigurisë në Ballkan është “seriozisht e lëkundur” dhe se Serbia “përpiqet të ruajë paqen dhe stabilitetin, si dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve të saj”.

    Më 10 mars, Vuçiq mori pjesë në një mbledhje të Qeverisë, në të cilën, siç tha ai, u diskutua për situatën aktuale të sigurisë në vend dhe rajon, veçanërisht për “sfidat e sigurisë në Kosovë dhe në Bosnjë e Hercegovinë”.

    “Diskutuam edhe për të gjitha aspektet e protestës së paralajmëruar më 15 mars”, shkroi Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram pas mbledhjes së Qeverisë.

    Më herët, presidenti serb kishte deklaruar se në protestën dhe bllokadën e paralajmëruar nga studentët për 15 mars në Beograd, ai pret që “opozita të organizojë dhunë të madhe”.

    Pa dhënë detaje dhe prova për këto pretendime, Vuçiq tha se “të gjithë ata që do të marrin pjesë në këtë, do të arrestohen”.

    Tubimet masive të organizuara deri më tani nga studentët në disa qytete të mëdha në Serbi, duke kërkuar përgjegjësi për vdekjen e 15 personave nga shembja e strehës së Stacionit Hekurudhor në Novi Sad, kanë qenë paqësore dhe nuk janë shënuar incidente.

    Vuçiq tha se tema e mbledhjes së Qeverisë ishte edhe ndikimi i bllokadave në Serbi mbi gjendjen e ekonomisë.

    “U ndalëm edhe te gjendja e ekonomisë në dritën e protestave aktuale, si dhe dëmi që kanë shkaktuar këto ngjarje, i cili reflektohet në uljen e investimeve dhe sfida të tjera për ekonominë”, theksoi Vuçiq.

    Ai shtoi se është arritur një pajtim për marrjen e masave urgjente “për t’i zbutur pasojat dhe për t’’ mbështetur sektorët ekonomikë të prekur nga këto rrethana”.

    Me bllokadat dhe protestat prej disa muajsh në Serbi, studentët dhe qytetarët që i mbështesin ata, po kërkojnë publikimin e të gjithë dokumentacionit mbi rindërtimin e Stacionit Hekurudhor të Novi Sadit, për të përcaktuar përgjegjësinë për tragjedinë, ndjekjen penale të sulmuesve ndaj pjesëmarrësve të protestave të deritashme, si dhe ndërprerjen e procedimeve kundër të arrestuarve në demonstrata.

    Qeveria pretendon se i ka përmbushur të gjitha kërkesat e studentëve, ndërsa një grup ekspertësh i formuar nga Senati i Universitetit të Beogradit, në një raport, e ka mohuar këtë. /REL

  • Aksident në rrugën Prishtinë – Fushë Kosovë, afër FSK-së

    Aksident në rrugën Prishtinë – Fushë Kosovë, afër FSK-së

    Një aksident trafiku ka ndodhur sot në rrugën Prishtinë – Fushë Kosovë, pranë kazermës së FSK-së.

    Në pamjet e siguruara nga ATV, shihet një veturë e tipit Škoda me ngjyrë të bardhë, e cila ka pësuar dëmtime të mëdha në pjesën e përparme.

    Nuk dihet ende nëse ka persona të lënduar, ndërsa dëmet materiale janë të dukshme edhe në pmjet e më poshtme.

  • Qindra fluturime të anuluara si pasojë e grevës në Gjermani

    Qindra fluturime të anuluara si pasojë e grevës në Gjermani

    Qindra fluturime janë anuluar në Gjermani për shkak se punonjësit e aeroporteve po zhvillojnë një grevë kombëtare për pagat, duke shkaktuar një ndërprerje të madhe për udhëtarët, raporton BBC.

    Greva, e udhëhequr nga sindikata Verdi, nisi papritur të dielën në Aeroportin e Hamburgut dhe u përhap në të gjithë Gjermaninë.

    Udhëtarët në Frankfurt, Mynih, Berlin dhe aeroporte të tjera janë paralajmëruar të mos udhëtojnë, pasi operacionet janë të rënduara.

    Verdi kërkon një rritje prej 8 për qind të pagave ose së paku 350 euro më shumë në muaj, si dhe përmirësime në kushtet e punës. Punëdhënësit i kanë refuzuar kërkesat si të papërballueshme.

    Greva pritet të vazhdojë edhe këtë javë në disa qytete të tjera.

  • Rusia urdhëron dy persona të lidhur me ambasadën britanike të largohen nga vendi

    Rusia urdhëron dy persona të lidhur me ambasadën britanike të largohen nga vendi

    Dy persona të lidhur me ambasadën britanike në Moskë janë urdhëruar nga autoritetet ruse që të largohen nga vendi, nën akuzat për “punë inteligjence dhe dëmtuese”.

    Sipas shërbimit të sigurisë ruse, ata kishin deklaruar “informacione të rreme për veten kur hynë në vend dhe ishin zbuluar si kërcënim për sigurinë kombëtare të Rusisë”.

    Bëhet fjalë për një sekretar të dytë të ambasadës britanike dhe bashkëshortin e një diplomati tjetër britanik, raporton the Guardian.

    Rusia u ka dhënë dy javë kohë për t’u larguar. Ministria e Jashtme britanike e cilësoi këtë veprim me “akuza të pabaza dhe të dëmshme”, përcjellë KosovaPress.

    Ky veprim i fundit është një tjetër hakmarrje diplomatike pas dëbimit të një diplomati rus nga Britania muajin e kaluar. Rusia kishte akuzuar atë diplomat britanik për spiunazh dhe të dhëna të rreme.

    Tensionet mes dy shteteve janë rritur që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Vladimir Putin më 2022, ku një numri të politikanëve dhe gazetarëve britanikë iu është ndaluar hyrja në Rusi.