ATV

Category: Lajme

  • Ushtarët hungarezë të KFOR-it stërviten për kontrollin e turmave dhe trazirave

    Ushtarët hungarezë të KFOR-it stërviten për kontrollin e turmave dhe trazirave

    Ushtarët hungarezë nga Batalioni i Rezervë Taktik i KFOR-it kryen një stërvitje për Kontrollin e Turmave dhe Trazirave për të ruajtur gatishmërinë e tyre të lartë operacionale.

    Një fazë aktiviteti u zhvillua në koordinim të ngushtë me Detashmentin e Mbështetjes së Lëvizshmërisë.

    “Pika vendimtare e stërvitjes ishte menaxhimi i mjeteve ndezëse. Trajnimi synon të përgatiten për t’u përballur me kërcënimin e zjarrit me vetëdije dhe sukses, duke mbajtur vetëkontroll dhe aftësi të plotë”, tha KFOR.

    KFOR-i përsëriti se vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

    KFOR-i thotë se punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.

  • Miratohet nisma për marrëveshje bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes me ShBA-të

    Miratohet nisma për marrëveshje bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes me ShBA-të

    Qeveria e Kosovës ka miratuar nismën për lidhje të Marrëveshjes Kornizë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, raporton EO.

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në mbledhjen e Qeverisë, ka thënë se Kosova do të përfaqësohet nga Ministria e Mbrojtjes dhe SHBA-ja nga Departamenti i Mbrojtjes.

    “Një hap i tillë i bashkëpunimit është ndërmarrë në përputhje me qëllimet e integrimit më të gjerë euroatlantik, cenimit të kërcënimeve për sigurinë, rritjen e ndërveprueshmërisë gjithmonë duke u mbështetur në partneritetin e fortë ekzistues në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë”, ka thënë Maqedonci, teksa deklaroi se qëllimi i kësaj marrëveshjeje është që të dyja palët të angazhohen në avancimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes.

  • Kurti: Prej sot shtetasit e Kosovës në Gjermani nuk do të regjistrohen më si shtetas të Serbisë

    Kurti: Prej sot shtetasit e Kosovës në Gjermani nuk do të regjistrohen më si shtetas të Serbisë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nga sot e tutje, shtetasit e Kosovës në Gjermani nuk do të regjistrohen më si shtetas të Serbisë, raporton EO.

    “Shumë prej jush padrejtësisht jeni detyruar të regjistroheni si shtetas të Serbisë në dokumentacionin gjerman, gjë që nga sot nuk do të përsëritet më. Dua të shpreh mirënjohjen për MPJD-në për punën e palodhur për të mundësuar këtë ndryshim të rëndësishëm e aq të nevojshëm. Falë angazhimit të tyre me kancelarinë gjermane dhe ministrinë përkatëse, tani është miratuar një udhëzim që mundëson të gjithë qytetarëve të Kosovës të regjistrohen vetëm si shtetas të Republikës së Kosovës dhe ky vendim ka hyrë në fuqi në të gjitha landet e Gjermanisë”, u shpreh Kurti.

  • Kryesipuni rus zhvillon bisedë telefonike me drejtorin e CIA-s

    Kryesipuni rus zhvillon bisedë telefonike me drejtorin e CIA-s

    Kreu i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR) Sergei Naryshkin ka zhvilluar një bisedë telefonike me drejtorin e CIA-s, John Ratcliffe, raportojnë agjencitë ruse të lajmeve.

    Ata diskutuan “bashkëpunimin midis shërbimeve speciale në fushat me interes të ndërsjellë dhe zgjidhjen e situatave të krizës”, thotë agjencia zyrtare e lajmeve e Kremlinit, RIA Novosti.

    “Është arritur një marrëveshje për të mbajtur kontakte të rregullta me qëllim të ndihmës për stabilitetin dhe sigurinë ndërkombëtare, si dhe uljen e konfrontimit në marrëdhëniet midis Moskës dhe Uashingtonit”, shtuan ata, transmeton Telegrafi.

    Ndryshe në takimin e mbajtur në Arabinë Saudite, pala amerikane ka propozuar një armëpushim 30 ditor, propozim ky me të cilin është pajtuar edhe pala ukrainase.

    Tani mbetet të shihet nëse ky propozim do të respektohet edhe nga ana e Moskës, e cila akoma nuk është deklaruar. /Telegrafi/

  • BE-ja bën thirrje për uljen e tensioneve para protestës së 15 marsit në Beograd

    BE-ja bën thirrje për uljen e tensioneve para protestës së 15 marsit në Beograd

    Bashkimi Evropian i tha Serbisë se vlerat themelore janë në thelb të “projektit tonë të përbashkët evropian” dhe duhet të respektohen, teksa bëri thirrje për uljen e tensioneve.

    Ky reagim i Brukselit vjen pas paralajmërimeve për një tubim të madh në Beograd, që planifikohet të mbahet më 15 mars, në të cilin autoritetet serbe parashohin që të ketë “dhunë të madhe”, teksa presidenti i shtetit ka paralajmëruar arrestime.

    “Kjo ka të bëjë po ashtu me lirinë e tubimit si e drejtë themelore”, u tha në përgjigjen dërguar për Radion Evropa e Lirë nga zyra për informim e BE-së.

    Po ashtu, BE-ja tha se pjesëmarrja e qytetarëve luaj rol kyç në zhvillimin e një shoqërie të shëndetshme dhe demokratike, duke përfshirë edhe promovimin e transparencës dhe përgjegjësisë.

    Ditëve të fundit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar disa herë se “opozita do të organizojë një dhunë të madhe më 15 mars” dhe se “të gjithë ata që do të marrin pjesë në të do të arrestohen”.

    “BE-ja vazhdimisht bën thirrje për uljen të tensioneve, duke krijuar kushte për një dialog përfshirës që përfshin të gjitha palët e interesuara, përfshirë aktorët politikë, institucionet dhe anëtarët e shoqërisë civile, për t’u marrë me reformat e nevojshme për të ardhmen e Serbisë në BE”, thuhet në përgjigjen nga Brukseli.

    Zyrtarët e BE-së konfirmuan se po ndjekin me kujdes situatën e brendshme politike në Serbi dhe mobilizimin e madh të studentëve dhe grupeve të tjera.

    Kur u pyetën për deklaratat e Vuçiqit, që thotë se Perëndimi qëndron pas “revolucionit shumëngjyrësh”, ashtu siç ai e quan mobilizimin e studentëve dhe qytetarëve në Serbi, zyrtarët e BE-së theksuan se “dezinformatat dhe retorika politike, përfshirë ato kundër BE-së dhe shteteve anëtare nuk kanë vend në rrugën drejt integrimit në BE”.

    Studentët e Serbisë kanë ftuar për një tubim, që e kanë cilësuar si “mbledhjen më masive ndonjëherë”, në kryeqytetin e Serbisë më 15 mars.

    Në Beograd janë nisur tashmë me këmbë studentë nga rajone të ndryshme të Serbisë, të cilët do të kalojnë dhjetëra kilometra për të marrë pjesë në tubimin në Beograd.

    Studentët në Serbi tash e katër muaj po organizojnë tubime në disa qytete të mëdha në Serbi, duke kërkuar përgjegjësi për vdekjen e 15 personave në Novi Sad, pas shembjes të një strehe betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor 2024.

    Studentët, përmes bllokadave dhe protestave, po kërkojnë publikimin e të gjithë dokumentacionit lidhur me rikonstruksionin e Stacionit Hekurudhor të Novi Sadit, për të përcaktuar përgjegjësinë për aksidentin, ndjekjen penale të sulmuesve të pjesëmarrësve në protestat e deritanishme, si dhe pezullimin e procedurave ndaj të arrestuarve në demonstrata.

    Autoritetet serbe pretendojnë se kanë plotësuar të gjitha kërkesat e studentëve, ndërkohë që një grup ekspertësh i formuar nga Senati i Universitetit të Beogradit ka mohuar këtë pretendim në raportin e tij.

  • Në Ditën Kombëtare të Irlandës, Kurti riafirmon angazhimin për forcimin e miqësisë dhe bashkëpunimit

    Në Ditën Kombëtare të Irlandës, Kurti riafirmon angazhimin për forcimin e miqësisë dhe bashkëpunimit

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë mbrëmë në festën e shënimit të Ditës Kombëtare të Irlandës, të organizuar nga Ambasada e Irlandës në Kosovë.

    Në fjalën e tij të rastit, kryeministri shprehu krahas urimit për Ditën Kombëtare të Irlandës edhe atë për Ditën e Shën Patrikut, duke i cilësuar të dyja festat si një ditë që mishëron trashëgiminë e pasur, qëndrueshmërinë historike dhe shpirtin global të popullit irlandez.

    Sipas njoftimit për media thuhet se Kurti rikujtoi vizitën në Irlandë gjatë vitit të kaluar, duke theksuar lidhjen e thellë midis vendeve tona të ndërtuar mbi miqësinë e vërtetë, vlerat e përbashkëta dhe solidaritetin e palëkundur.

    “Mbështetja e palëkundur e Irlandës për Kosovën, nga avancimi i shkëmbimeve arsimore dhe kulturore deri te forcimi i lidhjeve tona diplomatike, ka qenë i paçmueshëm. Avokimi i Irlandës për Kosovën në organizatat ndërkombëtare qëndron si një testament për partneritetin tonë të qëndrueshëm”, tha Kurti.

    Tutje në njoftim thuhet se kryeministri veçoi dhe potencialin e bashkëpunimit e iniciativat për diasporën, gjersa shprehu dhe urimet për qeverinë e re në Irlandë dhe kryeministrin e ri të vendit, Micheál Martin.

    “Në përfundim kryeministri çmoi vlerat që na bashkojnë, unitetin, qëndrueshmërinë dhe shpresën, dhe riafirmoi angazhimin për të forcuar miqësinë mes dy popujve tanë, duke siguruar bashkëpunim edhe më të madh, sukses të ndërsjellë dhe arritje të përbashkëta në vitet në vijim”, thuhet në njoftim.

  • A do ta pranojë Putini armëpushimin 30-ditor? Agjencia “Reuters” flet me disa burime ruse

    A do ta pranojë Putini armëpushimin 30-ditor? Agjencia “Reuters” flet me disa burime ruse

    Disa burime ruse të mërkurën reaguan me kujdes ndaj një propozimi të Shteteve të Bashkuara për 30 ditë armëpushim, i cili është mbështetur nga Ukraina, duke thënë se çfarëdo marrëveshje për t’i dhënë fund luftës do të duhej t’i merrte parasysh avancimet e forcave ruse dhe do të duhej t’i adresonte shqetësimet e Moskës.

    Shtetet e Bashkuara u pajtuan të martën që t’i rifillonin ndihmat ushtarake dhe ndarjen e të dhënave të inteligjencës me Ukrainën, pasi Kievi tha se është i gatshëm për ta mbështetur propozimin për armëpushim, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

    Një burim i lartë rus i tha kësaj agjencie se presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, do t’i vinte vështirë që të pajtohej me idenë për armëpushim pa i diskutuar kushtet dhe pa marrë njëfarë garancie.

    “Është vështirë për Putinin që të pajtohet me këtë (propozim) në formën e tij të tanishme” – tha burimi rus, i cili foli në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së situatës. “Putini ka një pozitë të fuqishme, sepse Rusia është duke avancuar” – shtoi ai.

    Burimi tha se pa garanci krahas një armëpushimi, pozicioni i Rusisë do të mund të bëhej shpejt më i dobët dhe se Rusia pastaj do të mund të fajësohej nga Perëndimi se po dështon t’i japë fund luftës, shkruan Nacionale.

    Një burim tjetër rus tha se, nga perspektiva e Moskës, propozimi për armëpushim duket si kurth, sepse Putinit do t’i vinte vështirë ta ndalte luftën pa disa garanci ose zotime konkrete.

    Një burim i tretë rus tha se tabloja e gjerë është se Shtetet e Bashkuara janë pajtuar për t’i rifilluar ndihmat ushtarake dhe ndarjen e të dhënave të inteligjencës me Ukrainën dhe e kanë zbukuruar këtë veprim me një propozim për armëpushim.

    Në dhjetor, Putini kishte thënë: “Ne s’kemi nevojë për armëpushim, kemi nevojë për një paqe afatgjate të siguruar me garanci për Federatën Ruse dhe qytetarët e saj. Është pyetje e vështirë se si të sigurohen këto garanci”.

  • Adoleshenti godet me thikë 45-vjeçarin në Tropojë

    Adoleshenti godet me thikë 45-vjeçarin në Tropojë

    Një 45-vjeçar ka mbetur i plagosur me thikë në Tropojë. Sipas policisë, autori është një 18-vjeçar, i cili pas ngjarjes është vetëdorëzuar.

    “Rreth orës 08:40, shtetasi F. S., 18 vjeç, dyshohet se ka goditur me mjet prerës shtetasin A. M., rreth 45 vjeç, i cili është dërguar për mjekim në spitalin e Gjakovës”, njofton policia.

    Shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontrolle për kapjen e autorit, i cili nga pamundësia për t’u larguar, është vetëdorëzuar.

    Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të rastit.

  • Në QNR përfundon rinumërimi i 50 vendvotimeve me vendim të KQZ-së, në mesditë fillon rinumërimi i fletëvotimeve të pavlefshme nga votimi me postë

    Në QNR përfundon rinumërimi i 50 vendvotimeve me vendim të KQZ-së, në mesditë fillon rinumërimi i fletëvotimeve të pavlefshme nga votimi me postë

    Të martën në mesnatë, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka përfunduar rinumërimi i fletëvotimeve nga 50 vendvotime të rregullta, sipas vendimit të KQZ-së.

    Ky proces u zhvillua në prezencë të vëzhguesve të akredituar.

    KQZ njofton se gjatë ditës së sotme, në orën 12:00, në QNR do të fillojë rinumërimi i 1,631 fletëvotimeve të pavlefshme nga votimi me postë, të cilat gjenden në 177 kuti të votimit, sipas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

    Edhe për këtë proces, KQZ ka njoftuar vëzhguesit e akredituar.

  • Akreditohet atasheu ushtarak i Kosovës në Turqi

    Akreditohet atasheu ushtarak i Kosovës në Turqi

    Nënkolonel Meriman Suka, ka pranuar kredencialet si Atashe Ushtarak me të drejta të plota i Republikës së Kosovës në Turqi.

    Kështu ka njoftuar ministria e Mbrojtjes duke thënë se kjo ngjarje shënon një moment të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve dypalëshe në fushën e mbrojtjes.

    “Shteti i Kosovës do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me Turqinë, ndërsa eksploron projekte të reja ushtarake për të ardhmen”, thuhet në njoftim.