ATV

Category: Lajme

  • Shefat ushtarakë evropianë bisedojnë për një forcë paqeruajtëse në Ukrainë

    Shefat ushtarakë evropianë bisedojnë për një forcë paqeruajtëse në Ukrainë

    Shefat ushtarakë të 30 vendeve evropiane dhe anëtare të NATO-s po takohen në Paris për të diskutuar një plan për një mision të mundshëm paqeruajtës në Ukrainë, pas një armëpushimi që do të mund të negociohej me Rusinë.

    Takimi me dyer të mbyllura, që zhvillohet nga 11 deri më 13 mars, vjen në një kohë kur zyrtarët amerikanë u takuan në Arabinë Saudite, me synimin që t’i japin fund luftës trevjeçare të Rusisë kundër Ukrainës.

    Pas takimit, dy delegacionet dolën me një deklaratë të përbashkët ku u njoftua se Ukraina është e gatshme të pranojë propozimin amerikan për një armëpushim 30-ditor. Pala amerikane ka thënë se tani i ka mbetur Rusisë që të pranojë këtë propozim.

    Takimi në Paris mbledh së shefat e shtabeve të ushtrime të të gjitha 30 anëtarëve evropianë të NATO-s, si dhe zyrtarë ukrainas. Por, mungon një pjesëmarrës i rëndësishëm: Shtetet e Bashkuara.

    Zyrtarë evropianë, të cilët folën në kushte anonimiteti, i thanë Radios Evropa e Lirë (REL) se zyrtarët amerikanë nuk ishin ftuar. Ata thanë se Evropa duhet të tregojë se mund të marrë përgjegjësinë për sigurinë e kontinentit dhe të Ukrainës pasi të përfundojë lufta.

    Ministri francez i Mbrojtjes, Sebastien Lecornu, sugjeroi se takimi në Paris do të përqendrohet te mënyra se si Evropa mund të mbrojë krahun lindor të NATO-s “në rast se kontributet e disa vendeve – ose një vendi – do të uleshin në të ardhmen”.

    Komentet e tij, të bëra më 11 mars në fillim të takimit, ishin një referencë ndaj qëndrimit të presidentit amerikan, Donald Trump, i cili ka shfaqur një qasje më miqësore ndaj Moskës dhe ka sugjeruar që Evropa, e cila për dekada ka qenë nën ombrellën e sigurisë amerikane, duhet të mbrohet vetë.

    Franca dhe Britania po punojnë për të krijuar një “koalicion të shteteve të gatshme” të përbërë nga vende evropiane që do të garantonin paqen në Ukrainë pas një marrëveshjeje me Rusinë.

    Takimi i shefave ushtarakë në Paris synon të shikojë se çfarë mund të kontribuojnë aleatët e tjerë në një forcë paqeruajtëse evropiane në Ukrainë, në kuptimin e trupave në terren dhe pajisjeve ushtarake.

    Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, u tha liderëve evropianë gjatë një samiti të posaçëm në Bruksel, më 6 mars, se për të ruajtur një armëpushim të mundshëm në Ukrainë do të nevojiteshin midis 500.000 dhe 800.000 ushtarë, thanë disa zyrtarë evropianë për REL-in.

    Pjesa më e madhe e kësaj force do të përbëhej nga ushtarë ukrainas, por sipas ekspertëve, ata do të duhej të mbështeteshin nga trupa të shtetet evropiane të NATO-s.

    Kush është i gatshëm që të kontribuojë?

    Parisi dhe Londra kanë treguar se janë të gatshëm që të dërgojnë trupa. Gjermania ka të ngjarë që t’iu bashkohet, ndërsa Italia dhe Polonia duket se janë më hezituese.

    Shumë vende evropiane po përballen me sfida si ushtarake, ashtu edhe politike.

    Ministrat e Mbrojtjes të Francës, Britanisë, Italisë dhe Polonisë pritet të takohen në Paris më 12 mars për të diskutuar rreth një force paqeruajtëse evropiane.

    Edhe teksa shefat ushtarakë evropianë po hartojnë plane, dislokimi i forcave do të duhej të miratohej nga parlamentet e vendeve përkatëse. Dhe, kjo nuk është e sigurt.

    Përveç politikave të brendshme evropiane, ekzistojnë edhe dy pengesa të mëdha për çdo forcë të mundshme evropiane në Ukrainë – një pengesë ruse dhe një amerikane.

    Deri më tani, Kremlini e ka refuzuar në mënyrë kategorike praninë e ndonjë personeli ushtarak evropian në Ukrainë. Edhe nëse Moska do të pranonte, shumë vende evropiane kanë sinjalizuar se do të dërgonin trupa vetëm nëse do të kishte një “garanci nga SHBA-ja”.

    Se çfarë do të përfshinte saktësisht një garanci e tillë është ende çështje për negocim. Por, zyrtarë evropianë i kanë thënë REL-it se SHBA-ja është e domosdoshme për mbrojtjen ajrore, inteligjencën dhe transportin.

    “Evropa e vetme nuk mund të kryejë operacione ushtarake në shkallë të gjerë pa ndihmën amerikane”, tha një ambasador evropian për REL-in, i cili foli në kushte anonimiteti.

  • Moti sot: I vranët dhe me riga shiu

    Moti sot: I vranët dhe me riga shiu

    Sot po parashihet të mbajë mot kryesisht me vransira, por me më pak gjasa për të reshura.

    Aty këtu mund të shfaqen kushte për riga lokale shiu, më shumë në perëndim të vendit përreth viseve malore. Frynë erëra mesatare nga jugu e jugperëndimi 4-10m/s. Temperaturat mbesin ende të larta, minimalet zbresin vetëm në 7C e 9C, e maksimalet shkojnë deri në 18C e 20C.

    Reshje shiu përfshinë vendin orëve të hershme të mëngjesit ditën e enjte, derisa gjatë ditës do të fryjë erë më e fuqishme jugperëndimore me hove deri në 20m/s (70km/h) apo edhe më shumë në pjesë të Dukagjinit, deri në 90km/h. Të premten do të ketë më shumë intervale me diell, e të shtunën sërish vranësirat fillojnë të shtohen, derisa të dielën paraqiten reshje shiu, që mund të jenë më të vazhdueshme në pjesë të vendit. Temperaturat shënojnë rritje deri në 20C e 22C ditën e premte dhe shtune, e të dielën zbresin në 15C e 17C. Minimalet mbesin të larta, e luhaten ndërmjet 5C e 9C, njofton Mendimi për Motin.

  • Demi: Këta tre muaj e fundit nuk dallojnë nga katër vitet e kaluara të qeverisjes

    Demi: Këta tre muaj e fundit nuk dallojnë nga katër vitet e kaluara të qeverisjes

    Hulumtuesi i Atlas Institute, Agron Demi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se tre muajt e fundit të qeverisjes së Vetëvendosjes janë pasqyrim i katër viteve të kaluara, duke mos sjellë rezultate konkrete, sidomos në investimet infrastrukturore.

    Sipas tij, përkundër shpenzimeve të mëdha për investime kapitale, nuk ka pasur përmirësime reale në projekte të infrastrukturës.

    “Është e vërtetë që buxheti për investime kapitale është shpenzuar me qindra miliona, por ka shkuar sidomos në shpronësime. Edhe nëse e shikon statistikat e transportit që i publikon çdo vit Agjencia e Statistikave të Kosovës, nga viti 2021 deri në vitin 2024 nuk ka asnjë metër më shumë të raportuar rrugë të asfaltuara apo rrugë me zhavorr”, tha Demi.

    Ai tha se kjo situatë është një nga arsyet kryesore pse partia në pushtet ka humbur përkrahje në zgjedhjet e fundit.

    “Ky është një dështim dhe po mendoj se është një prej arsyeve përse Vetëvendosje ka humbur një përqindje të madhe në krahasim me zgjedhjet e kaluara”, vlerësoi Demi.

    Deklaratën e plotë të Agron Demit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Gashi: Politika e Trump synon zgjidhjen e çështjes Kosovë-Serbi për të ulur kostot ushtarake

    Gashi: Politika e Trump synon zgjidhjen e çështjes Kosovë-Serbi për të ulur kostot ushtarake

    Ish-nënkryetari i Kuvendit, Ibrahim Gashi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se administrata e Trump synon ta zgjidhë çështjen Kosovë-Serbi për të reduktuar koston e mbajtjes së ushtarëve amerikanë jashtë SHBA-ve.

    Sipas tij, diplomacia amerikane do të angazhohet më fuqishëm për një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, pasi konflikti i pazgjidhur vazhdon të krijojë sfida për interesat strategjike të SHBA-ve në Ballkan.

    “Besoj që për Amerikën është e domosdoshme një përfshirje më e madhe diplomatike për arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi. Konflikti i ngrirë dhe lufta hibride e vështirësojnë situatën dhe mbajtja e trupave amerikane këtu ka kosto. Politika e Trumpit synon t’u japë zgjidhje problemeve për të reduktuar këtë kosto”, tha Gashi.

    Deklaratën e plotë të Ibrahim Gashit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Berisha: Punë e madhe që djali i Trump e ka vizituar Serbinë

    Berisha: Punë e madhe që djali i Trump e ka vizituar Serbinë

    Ish-deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se vizita e djalit të ish-presidentit Donald Trump në Serbi nuk ka asnjë ndikim në politikën shtetërore të SHBA-ve.

    Sipas tij, politika amerikane bazohet në vendime institucionale dhe nuk ndikohet nga vizitat individuale të personave jashtë administratës zyrtare.

    “Politika shtetërore amerikane dhe politikat e individëve, pasi lirohen nga detyra ose kur janë biznesmenë, nuk lidhen me njëra-tjetrën. Absolutisht, politika e djalit të Trumpit nuk ka lidhje me politikën e presidentit amerikan, sepse çdo vendim kalon nëpër tre filtra institucionalë: shtetëror, kongres, senat dhe Gjykatë Supreme. Këto janë vizita qejfi dhe nuk e di pse po u jepet një konotacion i madh”, tha Berisha.

    Deklaratën e plotë të Hisen Berishës në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Berisha: Kosova duhet të jetë pjesë e sistemit evropian të mbrojtjes

    Berisha: Kosova duhet të jetë pjesë e sistemit evropian të mbrojtjes

    Ish-deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Kosova duhet të synojë integrimin në sistemin evropian të mbrojtjes, duke pasur parasysh ndryshimet në politikën e sigurisë në Evropë.

    Sipas tij, reformat e nisura nga ish-presidenti Trump dhe rritja e buxhetit për industrinë e mbrojtjes në Evropë krijojnë mundësi për përfshirjen e Kosovës në këtë sistem.

    “Evropa duhet të mendojë ta plotësojë boshllëkun e krijuar nëse SHBA-të reduktojnë mbështetjen ushtarake. Kosova duhet të shohë ku t’i integrojë kapacitetet e saj në këtë sistem mbrojtës. Duhet të jemi pjesë e tij në nivel evropian, pasi NATO ka qenë forca kryesore që ka mbuluar Evropën për çështje të mbrojtjes dhe sigurisë”, tha Berisha.

    Deklaratën e plotë të Hisen Berishës në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Berisha: Roli i FSK-së është humanitar, ashtu si ndërhyrja e NATO-s në Kosovë

    Berisha: Roli i FSK-së është humanitar, ashtu si ndërhyrja e NATO-s në Kosovë

    Ish-deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se roli i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) është humanitar dhe i ngjashëm me ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.

    “Ata që nuk e njohin rrugëtimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës mund ta keqinterpretojnë këtë term, por logjika është e thjeshtë: të luftosh në një vend për të mbështetur paqen, për të mundësuar lirinë dhe për të shpëtuar nga gjenocidi apo represioni. Ndërhyrja në Kosovë a nuk ka qenë ekskluzivisht për çështje humanitare?”, tha Berisha.

    Deklaratën e plotë të Hisen Berishës në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Gashi: NATO e ka parasysh se Serbia është destabilizuese e Ballkanit

    Gashi: NATO e ka parasysh se Serbia është destabilizuese e Ballkanit

    Ish-nënkryetari i Kuvendit, Ibrahim Gashi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se NATO-ja e ka të qartë se Serbia ka qenë destabilizuese e Ballkanit për më shumë se një shekull.

    Sipas tij, politika ekspanzioniste e Serbisë ka shkaktuar konflikte të përgjakshme, duke detyruar NATO-n të ndërhyjë në Bosnje dhe Kosovë.

    “NATO-ja e ka për arsyesh që destabilizuesi i Ballkanit ka qenë Serbia me pretendimet e saj ekspanzioniste ndaj tokave jo serbe. Slogani i Milosheviqit ‘aty ku është një serb është Serbi’ e çoi në luftëra të përgjakshme gjatë viteve të ’90-ta, gjë që detyroi NATO-n të ndërhynte në Bosnje dhe më pas drejtpërdrejt në Kosovë për ta ndalur politikën hegjemoniste të Serbisë”, tha Gashi.

    Ai tha se NATO ka nxjerrë mësime nga ndërhyrjet e saj të mëparshme dhe po rrit nivelin e angazhimit për sigurinë në Evropë.

    “NATO-ja mori leksione nga ky impenjim i vazhdueshëm dhe tani, me ndryshimet në gjeopolitikën botërore, po rrit aktivitetet dhe angazhimin e saj për çështjet e sigurisë në kontinent”, tha Gashi.

    Deklaratën e plotë të Ibrahim Gashit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Rama lavdëron inteligjencën artificiale për integrimin në BE

    ​Rama lavdëron inteligjencën artificiale për integrimin në BE

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama solli sot në vëmendje përfitimet që do të ketë Shqipëria nga aplikimi i inteligjencës artificiale në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian.

    Kryeministri ishte i pranishëm në aktivitetin e javës Franko-Shqiptare për Inteligjencën Artificiale, Green AI, ku theksoi se Shqipëria ka ecur shumë para në procesin e integrimit evropian dhe synon të bëhet anëtare brenda kësaj dekade.

    “Kemi një plan shumë ambicioz me Komisionin Evropian për përmbylljen e negociatave brenda vitit 2027, është një dritare e jashtëzakonshme mundësie për të cilën duhet të bëjmë gjithçka mundemi për të mos e humbur. Duke përdorur intelegjencën artificiale po e bëjmë këtë punë me një shpejtësi krejt tjetër sepseVetëm për të transpozuar korpusin ligjor të BE-së, sikur edhe mekanikisht, në korpusin kombëtar legjislativ do të kërkonte një ushtri përkthyesish, hartuesish dhe ligjshkruesish dhe shumë njerëz të tjerë ”, tha kryeministri.

    Kryeministri kujtoi se për Kroacinë, që në fakt pati një rekord mbresëlënës për të qenë anëtare në BE u deshën 7 vjet.

    “Ne duam ta bëjmë më shpejt. Po krijojmë modelin që jo vetë transpozon në kohë reale por na jep pajtueshmërinë me legjislacionin tonë. Po ashtu është e aftë që t’u japë atyre njerëzve që duhet të përgatisin gjithçka për qeverinë dhe parlamentin aftësinë të shohin ngjashmëritë apo mospërputhjet mes asaj çfarë kemi këtu dhe asaj që vjen nga BE”, tha Rama.

    Kryeministri theksoi se ky është modeli që po zbatohet në Ministrinë e Drejtësisë ku po gërmohet në pirgjet masive të ligjeve për të identifikuar të gjitha mbivendosjet.

    “Nuk është fortë e rrallë që diçka që ti meriton ta marrësh nga një ligj nuk e merr dot se një ligj tjetër thotë jo. Kjo është një punë e jashtëzakonshme që po bëhet përmes inteligjencës artificiale”, tha Rama.

  • Osmani: Prania e NATO-s në Kosovë, barrierë kundër përpjekjeve për cenim të paqes dhe stabilitetit

    Osmani: Prania e NATO-s në Kosovë, barrierë kundër përpjekjeve për cenim të paqes dhe stabilitetit

    “Prania e trupave të NATO-s në Kosovë nuk është vetëm një garanci për sigurinë tonë por është edhe një barrierë kundër çdo lloj përpjekje për cenimin e paqes dhe stabilitetit për të cilin të gjithë së bashku kemi punuar e sakrifikuar shumë gjatë”, tha presidentja e vendit, Vjosa Osmani të martën në konferencë për media me shefin e NATO-s, Mark Rutte.

    Pas takimit me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Osmani tha se Beogradi po tenton të destabilizojë Kosovën dhe gjithë rajonin.

    Ajo shtoi se është me rëndësi që të shtohet prania dhe pajisjet për mbrojtjen e kufirit.

    “Para më shumë se 25 vitesh, shumica prej nesh që na takuat sot kemi qenë të rinj ose fëmijë të cilët dolëm t’i presim ushtarët e NATO-s. Përgjatë këtyre 25 viteve së bashku me juve e kemi shndërruar Kosovën në një vend me demokraci. NATO është themeluar mbi vlerat, prandaj edhe synimi për anëtarësim është një domosdoshmëri. Është me rëndësi që ky rajon të mos ketë vakume të sigurisë”, tha ajo.