ATV

Category: Lajme

  • Pas vizitës në BeH e Kosovë, Rutte sot takohet me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë

    Pas vizitës në BeH e Kosovë, Rutte sot takohet me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë

    Mark Rutte shkon sot në Shtëpinë e Bardhë për një nga takimet më të rëndësishme midis një sekretari të përgjithshëm të NATO-s dhe drejtuesit të tij kryesor që nga themelimi i aleancës ushtarake.

    Ky takim vjen pasi Donald Trump ka kërcënuar të ndalojë mbrojtjen e aleatëve të NATO-s nëse nuk rrisin shpenzimet e mbrojtjes, të aneksojë Grenlandën nga aleati i NATO-s, Danimarka dhe të tërhiqet krejtësisht nga aleanca 32-anëtare. SHBA-ja është deri tani kontribuuesi më i madh i NATO-s përsa i përket shpenzimeve dhe aftësive të mbrojtjes.

    Rutte do të ulet në tavolinë me Trump në një kohë kur zyrtarët evropianë prej javësh kanë shkëmbyer me nervozizëm zërat për një mundësinë që SHBA të tërheqë trupat amerikane nga kontinenti, ndërprerjen e stërvitjeve të përbashkëta me aleatët ose një reduktim drastik të angazhimeve të SHBA-së për sigurinë.

    Shefi i NATO-s të hënën dhe të martën qëndroi fillimisht në Bosnjë e Hercegovinë, e më pas vizitoi edhe Kosovën, ku pati takime të ndara me presidenten e vendit, Vjosa Osmani si dhe kryeministrin e vendit, Albin Kurti.

    Takimet u cilësuan si rikonfirmim i angazhimit të Kosovës për siguri në rajon dhe më gjerë.

    Takimi i sotëm i Trumpit me Rutten u konfirmua para dy ditësh nga Shtëpia e Bardhë.

    Trump do të mirëpresë gjithashtu kryeministrin irlandez Micheal Martin në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën, thanë ata.

  • Moti sot me shi dhe erëra të forta

    Moti sot me shi dhe erëra të forta

    Reshje shiu përfshijnë vendin orëve të hershme të mëngjesit ditën e enjtë, derisa gjatë ditës do të fryjë erë më e fuqishme jugperëndimore me hove deri në 20m/s (70km/h) apo edhe më shumë në pjesë të Dukagjinit, deri në 90km/h, raporton Ekonomia Online.

    Të premtën do të ketë më shumë intervale me diell, e të shtunën sërish vransirat fillojnë të shtohen, derisa të dielen paraqiten reshje shiu, që mund të jenë më të vazhdueshme në pjesë të vendit.

    Temperaturat shënojnë rritje deri në 20C e 22C ditën e premtë dhe shtune, e të dielen zbresin në 15C e 17C. Minimalet mbesin të larta, e luhaten ndërmjet 5C e 9C, njofton Mendimi për Motin.

  • ​Çmimet në “qiell”, ankohen qytetarët për shtrenjtimin e perimeve

    ​Çmimet në “qiell”, ankohen qytetarët për shtrenjtimin e perimeve

    Ngritja e çmimeve të produkteve ushqimore në Kosovë, përkatësisht atyre të perimeve, është ajo çka po i shqetëson qytetarët e vendit. Perimet gjatë këtyre ditëve kanë arritur çmime rekorde në Kosovë. Aktualisht çmimi për një kilogram spec arrin rreth 5 euro, raporton KosovaPress.

    Këto çmime, sipas qytetarëve të Kosovës, janë një të larta, prandaj sipas tyre, kërkohet të ndërhyjnë institucionet shtetërore, sa më parë ndaj tregtarëve për rregullimin e çmimeve. Ndërsa, nga shoqata “Konsumatori”, kjo rritje është quajtur si një inflacion global.

    Qytetari, Azem Hasani, ka thënë për KosovaPress se këto çmime u dyfishuan në kohën e muajit Ramazanit. Me dy qese në duar, Hasani u shpreh se duhet të marrë pak gjëra në treg, pasi që sipas tij, me 100 euro pension nuk po ia arrin të furnizohet mjaftueshëm me produkte ushqimore.

    “I kanë dyfishuar çmimet për Ramazan, çka ka qenë dy euro e kanë bërë katër euro, çka ka këtu me kilogram, një euro është shtrenjtuar tepër, kjo është “katastrofë” e madhe. Si mos me pas ligj, inspeksion as kurrgjë, sallamadi… Më duhet me marrë diçka pak edhe me shkua, me çka me e marrë, me 100 euro pension”, ka thënë Hasani.

    Ndërsa, Rrahim Plakiqi, është shprehur se ata që nuk kanë përkrahje nga bashkatdhetarët, janë në gjendje të rëndë ekonomike, shkak i çmimeve të ngritura.

    Sipas Plakiqit, as protestat nuk mund t’i ulin këto çmime. Ai kërkon nga shteti që t’i mbështes qytetarët në mënyrë që t’ua lehtësoj qytetarëve përballimin e çmimeve të larat në treg dhe nëpër dyqane.

    “Kushtet tona që jetojmë në Kosovë, veçmas për ne pensionistët, kemi pensione të ulëta, çmimet janë jashtëzakonisht të larta. Krejt përkrahja vjen prej bashkatdhetarëve, por ata që nuk kanë ndihma nga bashkatdhetarët edhe janë në gjendje shumë të rëndë, çdo çmim është ngritur. Sa i përket pemëve dhe perimeve, edhe në këtë muaj të shenjtë mos vet shumë shtrenjtë. Edhe me dalë me protestua çka me protestua, shteti duhet me u marrë me subvencionime me të gjitha ato që ia lehtësojnë qytetarëve në përgjithësi se përndryshe është e papërballueshme”, është shprehur Plakiqi.

    E Vesel Veseli, ka kërkuar nga organet kompetente të vizitojnë marketet dhe tregjet për siç theksoi ai, “me i ndëshkuar tregtarët që vendosin çmime të paarsyeshme”.

    “Çmimet kanë shkuar në qiell. Këta pronarët tonë si po kanë fytyrë me i ngritë ato çmime deri në qiell? Kuptohet se dalin me përfitua diçka, por një çmim të arsyeshëm, e jo një kilogram domate me më kushtua 2 euro e 50 centë ose një kilogram spec deri në 5-6 euro, kjo nuk është e arsyeshme. A mendojnë ata për buxhetin e familjeve tona? Kisha kërkuar që organet kompetente, inspeksioni të shkoj kudo edhe në mini-markete, treg të shohin se i kanë bërë çmimet e paarsyeshme me i dhënë dënimet meritore”, ka theksuar Veseli.

    Qytetari tjetër, Xhafer Lilaj, ka shtuar se ai ia del të furnizohet me produkte esenciale vetëm “me ndihmat” e fëmijëve të tij, përndryshe ai ngushëllon ata që përfitojnë vetëm prej pensioneve, “shumë vështirë e kanë”, sipas tij.

    “Shikoni në Maqedoni, katër mijë artikuj i kanë bllokuar mos me i shtrenjtua, e këtu ende nuk ka filluar, vetëm po shtrenjtohen se me u lirua hiç… 7:05 Ia dalë se kam ndihmat edhe të fëmijëve, por mjerë ata të tjerë që përfitojnë vetëm prej pensioneve, shumë vështirë e kanë”, ka shtuar Lilaj.

    E kryetari i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, e quan si një inflacion global, duke thënë se arsyeja kryesore e inflacionit është se Kosova nuk ka monedhën e saj.

    “Ne nuk kemi monedhën tonë, me të cilën do ta balanconim inflacionin. Jemi shtet i ri ende pa përvoje, ende nuk i kemi konsoliduar të gjitha që i duhen një shteti… Ata që i kemi zgjedhur ne për të udhëhequr shtetin duhet të dinë se jo të dy duart duhet të manë në xhepat tanë, ata një dorë duhet ta kenë të lirë që të bëjmë një buxhet të vet qëndrueshëm në mënyrë që mos të vije vetëm nga konsumatori…Kjo ngritja e buxhetit nuk e përcjellë ngritjen e inflacionit, është më i ulët se inflacioni, ne nuk jemi të zot si qytetarët konsumatorë taksapagues t’ia bëjmë askujt me gisht, qeverisë e asnjë legjislature qeveritare se ne duam kështu”, ka thënë Kaçaniku.

    Gjatë këtyre ditëve, rritja e çmimeve, u vërejt edhe tek produktet tjera të perimeve.

    KosovaPress, ka kërkuar përgjigje edhe nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë lidhur me inspektimin e tregjeve për çmimet, por nuk kanë kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij artikulli./kp

  • Zubin Potok: Gjendet pa shenja jete një 57-vjeçar, dyshohet se ka bërë vetëvrasje

    Zubin Potok: Gjendet pa shenja jete një 57-vjeçar, dyshohet se ka bërë vetëvrasje

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në fshatin Bërnjak të Zubin Potokut, ku një person është gjetur pa shenja jete në pushimoren e tij, ndërsa pranë tij është gjetur edhe një revole. Sipas hetimeve filestare nga Policia, viktima dyshohet se ka kryer vetëvrasje, raporton Gazeta Sinjali.

    Sipas informacioneve të para, viktima është një burrë 57-vjeçar.

    Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.

    Në lidhje me rastin është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit, me urdhër të të cilit rasti është iniciuar si “Vdekje e dyshimtë”.

    Ndërkaq, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.

    Lajmi është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.

  • ​Lufta për mbijetesën e vështirë e palestinezëve të zhvendosur në Gaza

    ​Lufta për mbijetesën e vështirë e palestinezëve të zhvendosur në Gaza

    Shumë palestinezë, shtëpitë e të cilëve u shkatërruan në sulmet e Izraelit në Gaza, po luftojnë për të mbijetuar në kushte të vështira në tenda të improvizuara, raporton Anadolu.

    Palestinezët kanë vështirësi të plotësojnë nevojat e tyre bazë, për shkak se Izraeli ka mbyllur kufijtë për Gazën dhe ka penguar hyrjen e ndihmave humanitare, përcjell KosovaPress.

    Në këtë jetë të vështirë, fëmijët që jetojnë në një kamp tendë në Khan Younis mbështesin familjet e tyre duke larë rroba dhe duke u kujdesur për vëllezërit dhe motrat e tyre.

    Me ujin që palestinezët arrijnë të sigurojnë për nevojat e tyre të përditshme, gratë palestineze kryejnë punët e tyre të përditshme.

    Zyrtarja e Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) në Gaza, Rosalia Poulin tha se mungesa e ujit në Gaza ka arritur nivele kritike dhe se vetëm një në 10 persona në Rripin e Gazës ka qasje në ujë të pastër dhe të pijshëm, ndërsa 90 për qind e popullsisë përpiqen të gjejnë ujë të pastër për të mbijetuar.

    Agjencitë e OKB-së thonë se 1.8 milion njerëz në rajon, më shumë se gjysma e të cilëve janë fëmijë, kanë nevojë urgjente për ujë të pastër dhe ndihmë shëndetësore.

    Si pasojë e sulmeve dhe bllokadës izraelite, në Rripin e Gazës përjetohet krizë ushqimore, mungesë e ujit dhe energjisë elektrike.

    Numri i palestinezëve që kanë humbur jetën në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023, ka arritur në 48.503 ndërsa numri i të plagosurve në 111.927.

  • Presidentja Osmani takon ambasadorin irlandez, diskutojnë për masat e BE-së ndaj Kosovës

    Presidentja Osmani takon ambasadorin irlandez, diskutojnë për masat e BE-së ndaj Kosovës

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka pritur në takim Ambasadorin e Irlandës në Kosovë, Ragnar Almqvist, me të cilin kanë diskutuar për marrëdhënien midis dy shteteve dhe thellimin e bashkëpunimit.

    Siç thuhet në njoftimin e lëshuar nga Presidenca, Osmani ka falënderuar Irlandën për mbështetjen e Kosovës, në proceset integruese evropiane.

    Ndër temat të cilat janë diskutuar në këtë takim ishte edhe nevoja për heqjen e masave të padrejta, të vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës.

    “Presidentja dhe Ambasadori Almqvist kanë biseduar edhe për avancimin e Kosovës në rrugën e integrimit evropian dhe rëndësinë e mbështetjes nga partnerët ndërkombëtarë në këtë proces”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

  • Asambleja e Republikës Sërpska diskuton për kushtetutën e re që e përcakton atë si shtet

    Asambleja e Republikës Sërpska diskuton për kushtetutën e re që e përcakton atë si shtet

    Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska (RS) e ka filluar njërën nga dy seancat e posaçme, ku po diskutohet për miratimin e një kushtetute të re, e cila do ta përkufizonte si shtet entitetin serb të Bosnje e Hercegovinës.

    Menjëherë pas përfundimit të seancës së parë, do të nisë seanca tjetër, ku Asambleja pritet të diskutojë për një draft-kushtetutë të RS-së dhe përmes saj, ajo pritet ta përcaktojë këtë entitet si shtet të popullit serb në Bosnje, t’ia japë të drejtën e vetëvendosjes, ta formojë ushtrinë dhe ta zhbëjë Këshillin e Popujve, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    Kjo është një lëvizje tjetër secesioniste nga autoritetet e RS-së, pasi javën e kaluar Asambleja miratoi ligje që ndalojnë punën e institucioneve shtetërore të drejtësisë së Bosnjës në territorin e këtij entiteti.

    Edhe pse Gjykata Kushtetuese e Bosnjës pezulloi zbatimin e ligjeve, RS-ja ka ngulur këmbë se ligjet do të zbatohen.

    Sistemi i qeverisjes në Bosnje e Hercegovinë – vend me rreth 3.1 milionë banorë – është ndër më të ndërlikuarit në botë.

    Që nga Marrëveshja e Dejtonit për paqe, e cila u nënshkrua në vitin 1995 dhe i dha fund luftës në Bosnje, vendi përbëhet nga Federata Boshnjako-Kroate dhe Republika Sërpska e dominuar nga serbët etnikë, nën një qeveri të dobët qendrore.

    Derisa Republika Sërpska mund të miratojë ligje për çështje të brendshme, ligjet dhe institucionet në nivel shtetëror mbeten mbi të gjitha, sipas kushtetutës.

    Duke shpjeguar arsyet për miratimin e një kushtetute të re, ministri i Drejtësisë në RS, Millosh Buklloviq, tha se qëllimi është që të “përmirësohet rendi kushtetues dhe të harmonizohet kushtetuta me sovranitetin e Republikës Sërpska”.

    “Miratimi i kushtetutës së re fillimisht është i nevojshëm që të ofrojë siguri ligjore, efikasitet të institucioneve dhe ruajtjen e kompetencave kushtetuese të RS-së, në përputhje me pozicionin e saj të përcaktuar nga Marrëveshja e Paqes e Dejtonit dhe Gjykata Kushtetuese e Bosnje e Hercegovinës”, tha Buklloviq.

    Ai shtoi se kushtetua aktuale e RS-së është miratuar në “rrethana specifike” dhe gjatë dekadave të fundit ka pësuar shumë ndryshime, “shumë nga të cilat ishin të imponuara, kundër vullnetit të institucioneve dhe qytetarëve të RS-së”.

    “Ndryshime të tilla kanë shkelur rendin kushtetues dhe kanë dobësuar sovranitetin institucional”, tha Bukelloviq.

    Deputeti dhe lideri i Listës së Drejtësisë dhe Rendit në opozitë, Nebojsha Vukanoviq, u bëri thirrje deputetëve që të mos marrin vendime për kushtetutën e re, pasi kjo është një “lëvizje shumë e rrezikshme” që synon mbrojtjen e Millorad Dodik.

    “Dhe ju doni të ndryshoni të gjithë kushtetutën në ditëlindjen e liderit tonë (Dodikut). Do të lini pasoja katastrofike. A ka njeri që mund t’i thotë atij në fytyrë se po gaboni? Ju na urreni për të vërtetën”, tha Vukanoviq.

    Para nisjes së seancës plenare, përfaqësuesi i Lartë i bashkësisë ndërkombëtare, Christian Schmidt, u bëri thirrje deputetëve që ta “parandalojnë sulmin ndaj rendit kushtetues të Bosnje e Hercegovinës”.

    Drafti për kushtetutën e re të RS-së paraqet shkelje të marrëveshjes për paqe dhe asaj të Bërçkos, dhe i vë të dyja në rrezik, shkroi Schmidt në X.

    Në po të njëjtën seancë, deputetët do të diskutojnë edhe për krijimin e një gjykate të posaçme dhe të një zyreje prokuroriale për “mbrojtjen e rendit kushtetues”.

    Seanca udhëhiqet nga Nenad Stevandiq, kryetar i Asamblesë Kombëtare të RS-së, ndaj të cilit Prokuroria e Bosnjës ka lëshuar një urdhër për ndalim në mënyrë që të merret në pyetje.

    Urdhër i tillë është lëshuar edhe ndaj presidentit të RS-së, Millorad Dodik, dhe kryeministrit të këtij entiteti, Radovan Vishkoviq.

    Seanca e Asamblesë Parlamentare të RS-së vjen pas një sërë vendimesh që entiteti serb i Bosnjës i mori në ditët e fundit, pasi presidenti i saj Millorad Dodik u dënua më 26 shkurt nga Gjykata e Bosnjës me një vit burgim dhe iu ndalua ushtrimi i detyrës së presidentit për gjashtë vjet.

    Asambleja Parlamentare e Republikës Sërpska miratoi ligje më 27 shkurt të cilat ndalojnë punën e Gjykatës, Prokurorisë, Agjencisë Shtetërore të Hetimeve (SIPA) si dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor e Prokurorial të Bosnjës në territorin e këtij entiteti.

    Dodik i dekretoi këto ligje më 5 mars.

    Por, dy ditë më vonë, Gjykata Kushtetuese e Bosnje e Hercegovinës i shpalli jokushtetuese këto ligje, duke i pezulluar përkohësisht, ndërsa pritet t’i ndalojë ato përfundimisht pas një shqyrtimi të plotë.

    Sekretari amerikan i Shtetit Rubio tha më 8 mars se veprimet e Dodikut përbëjnë kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin e Bosnje e Hercegovinës, si dhe i minojnë institucionet shtetërore të saj. /REL

  • Përplasi për vdekje me skaf 7-vjeçaren, Gjykata e Apelit e lë në fuqi dënimin me 18 vjet burg për policin

    Përplasi për vdekje me skaf 7-vjeçaren, Gjykata e Apelit e lë në fuqi dënimin me 18 vjet burg për policin

    Gjykata e Apelit në Shqipëri e ka lënë në fuqi dënimin me 18 vite burg për policin Arjan Tase, i cili përplasi për vdekje me skaf 7-vjeçaren Jonada Avdiaj në plazhin e Potamit, gushtin e vitit 2022.

    Tase kishte apeluar dënimin e gjykatës së shkallës së parë në Vlorë që e kishte dënuar me 18 vite burg, por Apeli e la në fuqi.

    Ish-zyrtari i Policisë së Shtetit u gjykua për vrasje me dashje në mënyrë indirekte, teksa me skafin e tij doli në breg për të sjellë familjen e tij dhe i mori jetën të miturës.

    Si ndodhi ngjarja tragjike

    Tragjedia u shkaktua nga polici Arjan Tase, i cili po lundronte në mes të pushuesve teksa po laheshin dhe për shkak të një manovre të gabuar i mori jetën të miturës. Tase ka qenë ish-shef i Policisë në Himarë, ndërsa kur ndodhi ngjarja ai mbante postin e shefit të Policimit në Elbasan.

    Familja Avdia, me origjinë nga Tropoja, kishte ardhur për pushime në atdheun e tyre, pasi prej vitesh jetonin në Angli. Tragjedia solli reagimin e gjithë opinion publik, ku disa ditë me radhë u zhvilluan edhe protesta.

    Kjo tragjedi solli edhe reagimin e policisë, e cila bllokoi të gjitha mjetet lundruese në të gjithë vijën bregdetare, ndërsa edhe këtë vit kontrollet dhe ndëshkimet për drejtuesit e mjeteve lundruese që shkelin rregullat janë shtuar dhe ka një kontroll të imtësishëm nga policia.

    Më 11 korrik, Prokuroria e Vlorës mbylli hetimet dhe mori zyrtarisht të pandehur ish efektivin dhe 8 policë të tjerë.

    Sipas Prokurorisë, Tase nuk ka respektuar zonën e kufizuar për pushuesit, e cila nuk duhet të kalohet nga mjetet lundruese dhe ka bërë manovër të gabuar gjatë drejtimit të skafit, duke përplasur për vdekje 7-vjeçaren.

  • Begaj merr pjesë në Forumin Global “Baku 2025”

    Begaj merr pjesë në Forumin Global “Baku 2025”

    Presidenti i Republikës Bajram Begaj u nis sot për në Baku të Azerbajxhanit, ku do të marrë pjesë në Forumin e 12-të Global.

    Kreu i Shtetit do të ketë një fjalim të posaçëm në forum, i cili këtë vit trajton çështjen: “Rishikimi i Rendit Botëror: Shndërrimi i sfidave në mundësi”.

    Në axhendën e presidentit Begaj janë parashikuar edhe takime të veçanta me liderët pjesëmarrës në forum.

    Drejtues shtetesh dhe qeverish, liderë politikë dhe aktivistë me ndikim botëror mblidhen çdo vit në Forumin Global Baku, ku diskutojnë dhe adresojnë zgjidhjen e sfidave më urgjente të kohës.

  • Rubio rrit presionin ndaj Putinit për të pranuar armëpushimin – zbulon lëshimet territoriale të diskutuara me Ukrainën

    Rubio rrit presionin ndaj Putinit për të pranuar armëpushimin – zbulon lëshimet territoriale të diskutuara me Ukrainën

    Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio është duke folur nga aeroporti Shannon, për planin e propozuar të armëpushimit 30-ditor që ai njoftoi mbrëmë.

    Marco Rubio po jep disa detaje të tjera në lidhje me bisedimet mes zyrtarëve amerikanë dhe ukrainas në Arabinë Saudite, duke zbuluar se janë diskutuar koncesionet territoriale sipas çdo marrëveshjeje paqeje, transmeton Telegrafi.

    Ai theksoi se SHBA-ja shpreson të ketë një përgjigje pozitive për armëpushimin nga Rusia, duke shtuar se do t’i kërkonte Vladimir Putinit t’i jepte fund armiqësive “kështu që njerëzit të ndalojnë së vdekuri dhe që plumbat të pushojnë së fluturuari”.

    “Nëse [Rusia] thotë jo, do të na tregojë shumë për qëllimet e tyre dhe çfarë mendësie kanë”, shtoi ai.

    “Nuk ka zgjidhje ushtarake për këtë konflikt,” theksoi Rubio, por shtoi se Ukraina ka nevojë për një “parandalues ​​të mjaftueshëm kundër sulmeve të ardhshme”.

    Rubio thotë se nuk do ta karakterizonte një marrëveshje të propozuar minerale midis Ukrainës dhe SHBA-së, si një garanci sigurie.

    SHBA do të ketë kontakte me Rusinë sot, por nuk e di ende se cili është reagimi i Moskës ndaj armëpushimit të propozuar, thotë Rubio.

    Sipas Sekretarit amerikan të Shtetit, sanksionet evropiane kundër Rusisë do të jenë në tryezë në çdo marrëveshje armëpushimi.