ATV

Category: Lajme

  • ​Dyshohet për kultivim të narkotikëve, ekstradohet nga Shqipëria në Kosovë

    ​Dyshohet për kultivim të narkotikëve, ekstradohet nga Shqipëria në Kosovë

    Një person i dyshuar për kultivim të narkotikëve është ekstraduar nga Shqipëria në Kosovë, njoftoi Policia e Kosovës.

    Personi i cili dyshohet për “Kultivim të bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” për një rast në Klinë, paraprakisht ishte arrestuar nga autoritetet shqiptare, raporton KP.

    Bëhet fjalë për një shtetas të Shqipërisë në një rast të datës 27 shtator të vitit të kaluar.

    I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

  • ​Duerte kalon natën e parë në burg, moment kyç për Gjykatën Ndërkombëtare Penale

    ​Duerte kalon natën e parë në burg, moment kyç për Gjykatën Ndërkombëtare Penale

    Jashtë qendrës së paraburgimit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, ku ish-presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte u dërgua të mërkurën, mbështetësit e tij u mblodhën, duke valëvitur flamuj kombëtarë dhe duke kërkuar lirimin e tij, teksa ai u dërgua me shpejtësi përmes dyerve të hekurit, raporton BBC, përcjellë KosovaPress.

    Pak para se të zbriste në Holandë, 79-vjeçari mbrojti pa asnjë pendesë “luftën e tij kundër drogës”, për të cilën Gjykata Ndërkombëtare Penale thotë se ka “arsye të bazuar” për ta akuzuar për vrasje si krim kundër njerëzimit.

    Shitës droge të nivelit të ulët, përdorues dhe të tjerë u vranë gjatë kohës që ai ishte kryetar komune dhe, më vonë, president.

    Bilanci zyrtar është 6.000 të vrarë, megjithatë aktivistët besojnë se shifra e vërtetë është më e madhe.

    Rodrigo Duterte tha se ai goditi tregtarët e drogës për të shpëtuar vendin nga krimet e rrugës.

    Megjithatë, grupet e të drejtave të njeriut pretendojnë se kjo fushatë ishte e mbushur me dhunë nga policia, duke shënjestruar të rinj nga shtresat e varfra urbane, transmeton KosovaPress.

    Rodrigo Duterte është ish-kreu i parë i një shteti aziatik që akuzohet nga Gjykata Ndërkombëtare Penale dhe i pari i dyshuar që dërgohet në Hagë pas tre vitesh.

    Mbërritja e tij ndodh në një moment kyç për Gjykatën Ndërkombëtare Penale.

    Rastet e tij kanë kthyer diskutimet mbi rolin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale në lidhje me sovranitetin kombëtar, një shqetësim i ngritur shpesh nga shtetet jo-anëtare, si Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Kina.

    Mbërritja e Dutertes është një fitore e nevojshme për gjykatën, e cila pas lëshimit të dy urdhërarresteve për presidentin rus Vladimir Putin dhe kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ka treguar se mund të sjellë para drejtësisë ata që akuzohen për krime të rënda.

    Rodrigo Duterte do të kalojë 80-vjetorin e tij në qendrën e paraburgimit, një ish-kompleks burgimi nazist që ofron kushte të mira.

    Ai pritet të paraqitet në gjykatë së shpejti, ku do të konfirmojë identitetin, zgjedhjen e gjuhës dhe akuzat ndaj tij, përcjellë KP.

    Nëse akuzat konfirmohen, mund të kalojnë muaj para gjykimit, dhe vite, deri në një vendim përfundimtar.

  • ​Putin bën vizitë befasuese në Kursk, ndërsa Trump thotë se paqja është “tashmë në dorën e Rusisë”

    ​Putin bën vizitë befasuese në Kursk, ndërsa Trump thotë se paqja është “tashmë në dorën e Rusisë”

    Presidenti rus Vladimir Putin bëri një vizitë befasuese në rajonin e Kurskut të pushtuar nga Rusia të mërkurën, ndërsa Kremlini po shqyrton një propozim amerikan për një armëpushim 30-ditor, ndërkohë që forcat ruse po afrohen me shpejtësi në Ukrainë.

    Putin, i veshur me uniformë ushtarake, i tha trupave se synimi i Moskës është “të çlirojë plotësisht” Kurskun sa më shpejtë të jetë e mundur, raporton BBC.

    Vizita e tij duket të ketë pasur si qëllim ngritjen e moralit të forcave ruse, teksa ato po avancojnë për të eliminuar mbeturinat e forcave ukrainase. Po atë ditë, Ukraina pranoi një armëpushim 30-ditor të mbështetur nga SHBA që mbulon të gjithë frontin.

    Avancimi i shpejtë rus në Kursk ka kërcënuar njëkohësisht mundësinë e përdorimit të rajonit si mjet negociatash nga Ukraina. Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se tashmë është radha e Rusisë të vendosë për armëpushimin, ndërkohë që zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Putin po studion me kujdes propozimin, përcjell KosovaPress.

    Në Kursk, Putin u takua me gjeneralin e tij të lartë, Valery Gerasimov, dhe i kërkoi forcave ruse të dëbojnë mbeturinat e forcave ukrainase, duke sugjeruar mundësinë e krijimit të një “zone neutrale” në kufirin me Ukrainën.

    Ukraina kishte nisur një inkursion në Kursk në gusht, por ka pasur vështirësi për të mbajtur territoret e kapura, ndërsa Rusia ka rimarrë mbi 86% të tyre. Ukraina po përpiqet të mbajë qëndresë, por ka tërhequr disa nga forcat e saj për të ruajtur jetët e ushtarëve.

  • ​Një vajzë në Prishtinë dhe një grua në Leposaviq raportohet se janë zhdukur

    ​Një vajzë në Prishtinë dhe një grua në Leposaviq raportohet se janë zhdukur

    Një grua në Leposaviq dhe një vajzë në Prishtinë janë raportuar të zhdukura, njoftoi të enjten Policia e Kosovës në raportin 24 orësh, transmeton KP.

    Policia e Kosovës bëri të ditur se të dielën më 9 mars, një person në komunën e Leposaviqit, ka raportuar se bashkëshortja e tij është larguar dhe nuk dihet për vendndodhjen e saj.

    Ndërkaq, lidhur me rastin në Prishtinë, Policia tha se mesditën e datës 9 mars, një grua ka raportuar se nuk di asgjë për vendndodhjen e vajzës së saj që ishte larguar nga shtëpia.

    Të dy rastet, sipas Policisë, tashmë janë nën hetime.

  • ​Policia shpërndan dënime në autobusët grevistë të linjës Prishtinë-Podujevë

    ​Policia shpërndan dënime në autobusët grevistë të linjës Prishtinë-Podujevë

    Policia e Kosovës, përmes një aksioni i ka gjobitur autobusët e linjës Prishtinë-Podujevë të cilët nga dita e djeshme janë parkuar para Komunës së Prishtinës në shenjë proteste, raporton KosovaPress.

    Linjat e autobusëve Podujevë-Prishtinë kanë hyrë dje në grevë, duke lënë pa transport qindra udhëtarë që përdorin këto linja çdo ditë.

    Shkak për grevën është vendimi i Komunës së Prishtinës për ndalimin e hyrjes së autobusëve në vendin ku zakonisht stacionohen autobusët nga Podujeva.

    Përfaqësuesit e kompanive të linjës së autobusëve nga Podujeva e kanë cilësuar këtë vendim si të padrejtë dhe kanë akuzuar komunën e Prishtinës për hakmarrje.

  • ​Arrestohen katër persona në Pejë

    ​Arrestohen katër persona në Pejë

    Policia e Kosovës njoftoi se ka arrestuar të mërkurën katër persona në Pejë të cilët dyshohet të kenë kryer veprat penale vrasje në tentativë, lëndim i lehtë trupor si dhe pjesëmarrje në rrahje.

    Arrestimi ka ardhur pas një rrahje që raportohet të ketë ndodhur në rrugën “Konferenca e Bujanit” të mërkurën pak para mesnate.

    “Deri te rrahja dyshohet se ka ardhur derisa tre tё dyshuarit e kanё sulmuar tё dyshuarin e katёrt dhe viktimёn, me ç’rast i dyshuari i katёrt duke pёrdorur mjetin e mprehtë [thikё], ka therur me thikё dy nga tё dyshuarit tё cilёve iu ka shkaktuar lёndime trupore”, bëri të ditur Policia e Kosovës, transmeton KP.

    Të dyshuarit më pas janë dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë për tretman mjekësor.

    Sipas njoftimit, pas intervistimit nga hetuesit, me vendim tё prokurorit tё shtetit, tre nga tё dyshuarit janё dёrguar nё mbajtje pёr 48 orё, ndёrsa njёri nga të dyshuarit ёshtё liruar nё procedurё të rregullt.

  • ​Ancelotti: Jemi në garë sepse ky është zakoni i këtij klubi

    ​Ancelotti: Jemi në garë sepse ky është zakoni i këtij klubi

    Tifozët dhe lojtarët e Real Madridit festuan fitoren e tyre të vështirë kundër Atletico Madrid të mërkurën për të fituar një vend në çerekfinale në Ligën e Kampionëve, por trajneri Carlo Ancelotti ishte më i lehtësuar sesa i entuziazmuar nga ajo që ai tha se ishte një paraqitje jo shumë e mirë.

    Reali siguroi fitoren 4-2 në penallti pasi rezultati ishte 2-2 në total, teksa kampionët në fuqi po kërkojnë titullin e 16 në këtë garë, shkruan KosovaPress.

    Ancelotti ishte i zhgënjyer që Reali pësoi gol brenda minutës së parë që barazoi rezultatin e përgjithshëm pasi Reali kishte siguruar një avantazh 2-1 në ndeshjen e parë në shtëpi javën e kaluar.

    Ai u bëri thirrje lojtarëve të tij që të jenë më të mprehtë ndërsa përgatiten të përballen me Arsenalin për një vend në gjysmëfinale.

    “Jam përpjekur t’u shpjegoj lojtarëve të mi se prioriteti nuk ishte ta bënim lojën më të komplikuar se sa ishte tashmë ,” tha Ancelotti në një konferencë për shtyp, përcjellë KosovaPress.

    “Ne e bëmë më të vështirë duke humbur topa të panevojshëm që na gjenin vazhdimisht jashtë pozicionit. Nëse shënonin 2-0, atëherë loja mund të dilte jashtë kontrollit. Ne luajtëm më mirë ndërsa ndeshja ecte, patëm mundësitë tona, por duhet të përmirësohemi në fokus dhe përqendrim ”, tha ai.

    “Ne gjithmonë duhet të kërkojmë përmirësim. Ndeshja ishte e barabartë dhe një gabim mund të ishte i kushtueshëm. Ne donim ta përfundonim ndeshjen para penalltive, sigurisht, por ja ku jemi, ende duke luftuar dhe në garë, siç është zakon në këtë klub”, tha në fund trajneri italian.

  • ​Banorët e Napolit kaluan natën jashtë për shkak të tërmetit

    ​Banorët e Napolit kaluan natën jashtë për shkak të tërmetit

    Shumë njerëz në qytetin italian të Napolit dhe rreth tij kaluan natën në rrugë dhe në makinat e tyre pasi një tërmet goditi ndërtesat dhe solli shembjen e mbeturinave.

    Sizmologët italianë thanë se tërmeti me magnitudë 4.4 goditi në orën 01:25 sipas kohës lokale të enjten në një thellësi të cekët prej tre kilometrash. Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së e ka matur atë si një tërmet 4.2, me thellësi 10 km.

    Furnizimi me energji elektrike në disa pjesë të Napolit u ndërpre.

    Në qytetin e afërt të Pozuolit, pranë epiqendrës së tërmetit, një person i plagosur u nxor nga të mbeturat e një shtëpie që ishte pjesërisht shembur.

    Napoli ndodhet në Fushat Flegreane, një basen vullkanik që e bën këtë zonë në jug të Italisë të prirur për tërmete.

    Tërmeti i së enjtes u ndje në disa zona të rajonit të Kampanias, raportuan mediat italiane.

    Tërmeti u pasua nga të paktën dy pasgoditje më të dobëta.

    Njerëzit janë parë duke lënë shtëpitë e tyre dhe duke u grumbulluar në rrugët e Napolit, duke pasur frikë nga më shumë tërmete.

    Më vonë dolën fotografi që tregojnë një shtëpi të dëmtuar dhe një makinë me xhamin e thyer, shkruan BBC, përcjellë KosovaPress.

    Një qendër koordinimi shpëtimi është ngritur për të vlerësuar dëmet.

    Shkollat në Pozuoli dhe dy lagje të tjera të afërta do të jenë të mbyllura të enjten që të mund të bëhen kontrollime për stabilitetin e ndërtesave, raportoi gazeta Corriere Della Sera.

  • ​Media franceze “EnVols”: Vizitoni Parkun magjik Kombëtar të Dajtit në Shqipëri

    ​Media franceze “EnVols”: Vizitoni Parkun magjik Kombëtar të Dajtit në Shqipëri

    Jo shumë larg nga Tirana, ndodhet mali i Dajtit, i cili premton një arratisje të paharrueshme në natyrën shqiptare, shkruan Estelle Brana në një artikull të botuar në revistën franceze “EnVols”.

    Mes pamjeve mahnitëse, ndalesave kulturore dhe ecjeve soditëse, ky park kombëtar është ideal per adhuruesit e aventurave dhe turistët që kërkojnë paqe dhe qetësi, raporton ATSH.

    Mali i Dajtit, një masiv gëlqeror i zhytur në historinë shqiptare, zbulon kontrastet e tij natyrore 26 kilometra larg Tiranës.

    Parku i gjelbër me pamje nga kryeqyteti, ofron eksplorimin mes qiellit dhe tokës, përcjell KosovaPress.

    Ballkoni i Tiranës

    E quajnë “Ballkoni i Tiranës” për shkak të lartësisë prej 1 613 metrash, ku duket sikur shtrihet e gjithë Shqipëria, kryeqyteti si një model i animuar, fushat si një mozaik i gjallë dhe, në një ditë të kthjellët, deti Adriatik që shkëlqen në horizont.

    ”Dajti Ekspres” ju çon nëpër pyje dhe lugina për 15 minuta. Ky teleferik i gjatë lidh periferinë e Tiranës me stacionin e sipërm.

    Alpinistët me përvojë mund të vazhdojnë deri në majën kryesore, mali i Dajtit ose në majën e Tujanit, këndvështrime ku Shqipëria zbulon natyrën e saj të vërtetë.

    Një vend i shenjtë dhe biodiversiteti

    Një park kombëtar që nga viti 1996, Dajti është shtëpia e më shumë se 1 000 llojeve bimore me një sipërfaqe prej 29 384 hektarësh, duke përfshirë disa endemike.

    Ahu, lisi dhe pisha e zezë mbizotërojnë në këtë peizazh ku derrat e egër, dhelprat dhe ndonjëherë ujqërit bredhin nën hije.

    Ornitologët kanë regjistruar 180 lloje zogjsh atje, duke përfshirë shqiponjën e artë që fluturon mbi relievet gëlqerorë 65-milionë vjeçarë.

    Aktivitetet sportive përfshijnë: ecje, kalërim dhe hedhje me parashutë në zonën rreth pishave shekullore.

    Natyra në buzë të parkut

    Përtej masivit kryesor shtrihet një territor me shumë pamje. Në veri, Kanioni i Brarit të tërheq me muret e tij marramendëse të shtrira – një lidhje mes epokave – një urë osmane e gërryer ndër shekuj.

    Jo shumë larg, Shpella e Pëllumbasit mahnit me galeritë e saj gëlqerore, një vend i shenjtë nëntokësor ku paraardhësit gjetën strehim më shumë se 10 000 vjet më parë.

    Shtegu rrethor i Shpellës së Zezë përshkon rrugën drejt një formacioni gjeologjik që daton në epokën e Jurasikut, dëshmi e mëtejshme e pasurisë nëntokësore shqiptare.

    Në verë, kur dielli shkëlqen me rrezet e tij të zjarrta, ujërat bruz të Kanionit të Erzenit ofrojnë freski për notarët e guximshëm, ndërsa Ujëvara e Shëngjergjit, e arritshme pas një shëtitjeje të shkurtër, magjeps me ujërat e pastra kristal në një amfiteatër gjelbërimi.

    Këto strehë natyrore, ende të paprekura nga turizmi masiv, ruajnë gjurmën e një natyre që, në këto lugina të thella, vazhdon të diktojë ligjin e saj.

    Mes tavolinave dhe traditave

    Mali i Dajtit ruan në mënyrë të çmuar identitetin shqiptar. Në restorantet malore si “Ballkoni Dajtit” – pjatat tradicionale si tava e kosit, turshitë dhe trileçja – tregojnë historinë e kuzhinës së vendit, shoqëruar me një panoramë që të lë pa frymë.

    Në fundjavë, shëtitjet, një traditë vendase e një pikniku të gjatë, i jep jetë maleve.

    Familje dhe grupe miqsh mblidhen aty nga Tirana për barbekju.

    Në fshatrat përreth, larg qarqeve turistike, koha kalon ndryshe. Aty do të ndesheni me një mikpritje thuajse të shenjtë që e shndërron të huajin në mik.

    Gjurmët e historisë

    Nga rrënojat ilire të shekullit VI para erës sonë e deri te instalimet ushtarake tashmë të braktisura komuniste, Dajti mban gjurmët më të hershme të epokave.

    Gjatë periudhës komuniste (1944-1991), mali strehonte bunkerë dhe poste vëzhgimi strategjike, tashmë ato janë të populluara, por ende të dukshme për syrin e vëmendshëm.

    Dajti shërbeu edhe si strehë për luftëtarët e rezistencës gjatë pushtimit osman dhe më pas gjatë Luftës së Dytë Botërore, siç dëshmohet nga gurët përkujtimor të shpërndarë përgjatë shpateve të pyllëzuara.

    Këta gurë të rraskapitur pëshpërisin historinë e një Shqipërie elastike, një udhëkryq mes Lindjes dhe Perëndimit, që ka kaluar nëpër epoka pa humbur kurrë shpirtin, si ky mal që, i patrazuar, vazhdon të vëzhgojë Tiranën.

  • Arrestohet në Prizren një 28-vjeçar për fajde, dyshohet për kamata mujore mbi 100 mijë euro

    Arrestohet në Prizren një 28-vjeçar për fajde, dyshohet për kamata mujore mbi 100 mijë euro

    Policia e Kosovës ka njoftuar për arrestimin e një të dyshuari 28 vjeçar për “Fajde” në Prizren.

    Sipas policisë, i dyshuari ka ngarkuar viktimën me kamata mujore të cilat kalojnë shumën mbi 100 mijë euro.

    Policia bën të ditur se gjatë operacionit policor është kontrolluar banesa e të dyshuarit në Prizren dhe janë sekuestruar prova që ndërlidhen me veprën penale.

    “Pas arrestimit, i dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe me aktvendim nga Prokuroria Themelore në Prizren, i caktohet masa e ndalimit për 48 orë”, ka thënë Policia.