ATV

Category: Lajme

  • ​Malishiq: Një grup që ka marrë pjesë në organizimin e Banjskës ka mbërritur në Beograd

    ​Malishiq: Një grup që ka marrë pjesë në organizimin e Banjskës ka mbërritur në Beograd

    Vesna Malishiq, kryeredaktore e Radarit tha se gazetarët e së përjavshmes kishin marrë informacione se një grup njerëzish nga Kosova kishin marrë pjesë në organizatën e Beogradit në Banjskë.

    Ajo tha se Vuçiq po përpiqet të krijojë mundësinë e konfliktit para protestave të 15 marsit, për të vendosur gjendjen e jashtëzakonshme ose për të pasur një arsyetim për ndërhyrjen e policisë, tha ajo për N1.

    “Vetë ardhja e tyre dhe ajo që simbolizojnë është ogurzi. Ata janë një skuadër vdekjeje. Ata janë përgjegjës për vrasjen e katër personave në autostradën e Ibrit, vrasjen e Vuk Draškoviqit, vrasjen e Ivan Stambolic, kryeministrit Gjingjiq, për të mos përmendur të gjitha gjërat e tjera që bënë në Bosnje. Dhe tani në park, në pjesën që ruan policia brenda zonës së mbrojtur rreth Presidencës, efektivisht si një mur i gjallë për Presidentin, shfaqet një njësi e tillë me reputacion të tillë dhe është skandali i skandaleve. Ky është një mesazh tmerrësisht i keq i dërguar nga ata që lejuan këta njerëz që paraqiten si pasardhës të JSO-së të shfaqen mes këtyre fëmijëve që gjoja duan të mësojnë”, tha kryeredaktorja e Radar, përcjell KosovaPress.

    Malishiq shpjegon se asnjë nga ato që kanë ndodhur ditët e fundit, duke përfshirë paraqitjen e JSO-së, nuk është e rastësishme.

    “As data, as ata fëmijë, as gardhi rreth parkut, as trashëgimtarët e JSO-së nuk janë të rastësishme… Është e gjitha pjesë e planit të qeverisë dhe mesazhit që dëshiron të dërgojë në prag të përvjetorit të vrasjes së Zoran Gjinxhiqit. Epo, shikoni çfarë ndodhi me trashëgiminë e tij, gjithçka u copëtua, madje edhe monumenti i tij, të cilin e hodhën në një bodrum me pretekstin e rindërtimit të një pjese të qytetit dhe na lanë përgjithmonë, sa ishin atje, pa atë pikë referimi. Presidenti i Serbisë në fillim të mandatit të tij ka dashur të stoliset me metaforat e Zoran Gjingjiqit dhe në një farë mënyre të paraqitet si pasardhës i tij. Sot ai është në fakt krejt e kundërta. “Dhe ajo zonë e rrethuar në Parkun e Pionerit është një shenjë simbolike e një shkëputjeje me gjithçka që përfaqësonte dhe përfaqësonte Xhinxhiq – një shtet modern, demokratik me institucione të forta, të orientuara drejt Evropës dhe me një vizion të qartë se çfarë është shteti dhe për çfarë synon ai”, tha bashkëbiseduesi i N1.

  • Patrullim rutinor në kufirin me Serbinë, ushtria amerikane kryen lëshim ajror të trupave në veri

    Patrullim rutinor në kufirin me Serbinë, ushtria amerikane kryen lëshim ajror të trupave në veri

    Një grup ushtarësh të aviacionit amerikan, të caktuar në Komandën Rajonale në Lindje të misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO-ja, kanë realizuar një operacion të lëshimit ajror të trupave të këmbësorisë amerikane në veri të Kosovës.

    Ky veprim u krye në mbështetje të një patrullimi rutinë, duke përforcuar prezencën dhe gatishmërinë operacionale të forcave ndërkombëtare në rajon.

    Sipas një deklarate të lëshuar nga KFOR-i, ky operacion është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të siguruar një ambient të qëndrueshëm dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

    Lëshimi ajror u zhvillua si pjesë e trajnimeve dhe operacioneve të planifikuara të forcave të NATO-s, të cilat synojnë të rrisin ndërveprimin mes trupave dhe të demonstrojnë aftësinë për reagim të shpejtë në çdo situatë të mundshme sigurie.

  • Hashim Thaçi arrin në Kosovë për ta vizituar babanë e sëmurë

    Hashim Thaçi arrin në Kosovë për ta vizituar babanë e sëmurë

    Pas tri kërkesave të refuzuara, Gjykata Speciale ia ka aprovuar kërkesën Hashim Thaçit për të ardhur në Kosovë.

    Kjo pasi babai i tij është në gjendje të rënduar shëndetësore.

    Gazeta Nacionale ka mësuar se Thaçi e ka vizituar babanë në klinikën Interne në QKUK.

    Ai është shoqëruar nga forca të shumta të sigurisë.

    Në refuzimet e mëhershme, Specialja vlerësonte se gjendja e babait të Thaçit nuk është aq e rëndë.

    Më 14 shkurt 2025, Hashim Thaçi e bëri kërkesën e katërt në Gjykatën Speciale për ta vizituar babanë në gjendje të rënduar shëndetësore.

    Aty ish-presidentin Thaçi kishte treguar gatishmëri për të respektuar të gjitha procedurat që kërkohen.

    “Z. Thaçi thekson se gjendja shëndetësore e babait të tij “tash është përkeqësuar më tej, [REDAKTUAR]. z. Thaçi thekson se ai është diagnostikuar me [REDAKTUAR] dhe se mjeku i tij trajtues ka konstatuar se [REDAKTUAR]”, thuhet në dokumentin e Gjykatës Speciale.

    “Z. Thaçi pohon se ai [REDAKTUAR] dhe për ngushëllim [REDAKTUAR]. 9 Z. Thaçi kërkon që vizita të bëhet në prani të [REDAKTUAR]”, thuhet më tutje.

    Thaçi ka shprehur gatishmëri për t’i respektuar të gjitha masat e Gjykatës Speciale, vetëm që ta realizojë vizitën.

    “Z. Thaçi pohon se nuk ka kundërshtim që t’i nënshtrohet masave të njëjta logjistike dhe kushteve të sigurisë që i ishin vendosur kur ai më parë ishte liruar përkohësisht në bazë të vendimeve të nxjerra nga Trupi Gjykues II (‘Trupi’), 11 dhe thekson se [REDAKTUAR]”, thuhet në dokument.

  • Ndotja e ajrit, Kosova kryeson listën e vendeve evropiane me më shumë vdekje të parakohshme

    Ndotja e ajrit, Kosova kryeson listën e vendeve evropiane me më shumë vdekje të parakohshme

    Kosova kryeson listën e vendeve evropiane me më shumë vdekje të parakohshme për shkak të ndotjes së ajrit.

    Kështu thuhet në një publikim të organizatës ‘Atlas Institute”, e cila ka paraqitur një grafikë në të cilën Kosova renditet e para në numrin e vdekjeve për shkak të cilësisë së ajrit, nga disa shtete që janë paraqitur aty.

    Referuar njoftimit të Institutit Atlas ndotja e ajrit vjen nga trafiku, industria dhe djegia e karburanteve.

    “Ndotja e ajrit po na i shkurton jetën”, thuhet në publikimin e këtij instituti.

  • ​Mësuesi që vrau Miladin Popoviçin para 80 viteve

    ​Mësuesi që vrau Miladin Popoviçin para 80 viteve

    Tri ditë pas shpalljes së gjendjes ushtarake në Kosovë, mësuesi nga Gjakova, Haki Taha nga Gjakova më 13 mars 1945 në Prishtinë, ka vrarë Miladin Popoviçin, atëherë sekretar i Komitetit Krahinor të Partisë Komuniste të Jugosllavisë për Kosovë e Rrafshin e Dukagjinit dhe njeriu numër një i pushtetit politik në Kosovë.

    Hakiu shkollën fillore e nisi në vendlindje dhe e mbylli në shkollën fillore “Kosova” në Krumë të Hasit në Shqipëri. Gjimnazin e ulët e kreu në Shkodër e Shkollën Normale në Elbasan, në vitin 1939, kur edhe u emërua mësues në Shinavlash të Shqipërisë.

    Në vitin 1941, me grupin e parë të mësuesve që erdhën në Kosovë, erdhi në vendlindje edhe Haki Taha, ku, bashkë me shokët e vet, Hysni Zajmin, Fadil Hoxhën, Xheladin Hanën, Zeki Shehun, Muharrem Gazinë etj., gjatë verës, organizoi kurset e gjuhës për të rinjtë shqiptarë të shkolluar më parë nëpër shkollat në gjuhën serbe, raporton KosovaPress.

    Aty edhe ngjalli ndër të rinjtë ndjenjat patriotike dhe frymën e atdhedashurisë. Ndonëse antifashist për nga bindja, gjatë tërë kohës së luftës, nuk iu bashkua Lëvizjes Nacionalçlirimtare për arsye se ishte “nacionalist i madh”, si tha në rastin që përmendëm Fadil Hoxha, dhe – për shkak të mosbesimit ndaj bashkëpunimit me serbët e malazeztë. Por, as nuk u hodh në luftë të drejtpërdrejtë kundër kësaj Lëvizjeje. Kështu, gjatë tërë kohës së luftës mbeti vetëm mësues, pa hyrë në shërbim të askujt.

    Mirëpo, si mësues ishte shumë i dashur nga nxënësit dhe shumë i nderuar nga populli. Në vitin 1942, kur Kosovën e vizitoi kryeministri i atëhershëm i shtetit shqiptar, Mustafa Kruja, Haki Taha ishte njëri nga ata që i organizoi të rinjtë e Gjakovës që, me flamur kombëtar, pa shenjat fashiste të “liktorit”, t’i dilnin përpara dhe të kërkonin nga ai që në Gjakovë të hapej Shkolla Normale e jo ajo tregtare, si kishte vendosur qeveria e tij.

    Fjalën me këtë kërkesë të të rinjve gjakovarë, të drejtuar kryeministrit Mustafa Kruja, që e mbajti Vehap Shita, atëherë nxënës i Gjimnazit të Prishtinës, e kishte iniciuar dhe mundësuar pikërisht Haki Taha, atëherë mësues në Gjakovë.

    E pas kësaj vizite të kryeministrit Mustafa Kruja, pranë Institutit Tregtar në Gjakovë, u hap edhe dega e Shkollës Normale me drejtor Zekeria Rexhën, kurse dega e tregtisë pranë këtij Instituti thuaja se u shua fare.

    Mirëpo, Haki Taha, edhe atëherë shëndetlig, së shpejti u sëmurë rëndë dhe mbeti i shtrirë në shtrat pothuaj deri në ditët kur mori rrugën për në Prishtinë, ku edhe e gjeti vdekja në mars të vitit 1945.

  • ​Pesë vjet që nga përhapja e COVID-19: Si e përjetoi Kosova pandeminë

    ​Pesë vjet që nga përhapja e COVID-19: Si e përjetoi Kosova pandeminë

    Kanë kaluar pesë vjet që kur bota u përball me pandeminë e COVID-19, e cila ndryshoi rrënjësisht jetën e miliarda njerëzve dhe sfidoi sistemet shëndetësore në çdo cep të globit. Virusi, i cili u shfaq në fund të vitit 2019 në Wuhan të Kinës, u përhap me shpejtësi, duke shkaktuar një krizë shëndetësore. Në mars të vitit 2020, Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli COVID-19 si pandemi, duke detyruar shumicën e vendeve të vendosnin masa të rrepta kufizuese.

    Kosova konfirmoi rastin e saj të parë me COVID-19 më 13 mars 2020, dhe menjëherë autoritetet vendosën masa të ashpra për të frenuar përhapjen e virusit. Kufizimet në lëvizje, mbyllja e shkollave, ndalimi i grumbullimeve dhe ndërprerja e aktiviteteve ekonomike krijuan një situatë të panjohur për qytetarët. Sistemi shëndetësor, i cili tashmë përballej me sfida të shumta, u gjend nën një presion të madh për të trajtuar pacientët e infektuar dhe për të siguruar pajisjet mjekësore të nevojshme, raporton KosovaPress.

    Gjatë pandemisë, Kosova ka regjistruar mbi 270 mijë raste të konfirmuara me COVID-19 dhe më shumë se 3,200 viktima. Numri real i të infektuarve dhe viktimave mund të jetë edhe më i lartë, duke marrë parasysh kapacitetet e kufizuara të testimit dhe rastet e paidentifikuara.

    Një nga sfidat më të mëdha gjatë pandemisë ishte procesi i vaksinimit. Kosova filloi fushatën e vaksinimit në mars të vitit 2021, fillimisht me furnizime të kufizuara, duke u mbështetur në donacione dhe mekanizmat ndërkombëtarë si COVAX. Megjithatë, edhe pasi vaksinat u bënë të disponueshme, një pjesë e madhe e popullsisë hezitoi t’i merrte ato, duke ndikuar në ritmin e imunizimit. Dezinformimi, teoritë konspirative dhe mungesa e besimit te institucionet shëndetësore bënë që shumë qytetarë të refuzonin vaksinën, duke vonuar krijimin e një imuniteti kolektiv. Deri në vitin 2023, vetëm rreth 60% e popullsisë kishte marrë të paktën një dozë të vaksinës, një përqindje më e ulët krahasuar me shumë vende evropiane, përcjell KosovaPress.

    Sot, pesë vjet pas fillimit të pandemisë, COVID-19 nuk është më një kërcënim i menjëhershëm, por pasojat e tij vazhdojnë të ndihen në shëndetin publik, ekonominë dhe jetën e përditshme. Pandemia e COVID-19 mbetet një mësim i rëndësishëm për institucionet dhe shoqërinë në përgjithësi, duke treguar nevojën për investime më të mëdha në shëndetësi dhe për një përgatitje më të mirë për emergjenca të ngjashme në të ardhmen.

  • U nda nga burri, Gjykata e Kosovës ia ndaloi nënës që t’i shoh fëmijët, Eni Çobani tregon emrat e atyre që e morën vendimin

    U nda nga burri, Gjykata e Kosovës ia ndaloi nënës që t’i shoh fëmijët, Eni Çobani tregon emrat e atyre që e morën vendimin

    Të dielën më 9 mars në emisionin “Shihemi në Gjyq” drejtuar nga Eni Çobani, u trajtua rasti i një çifti (gruaja nga Kukësi dhe burri nga Skenderaji) që jetonin bashkë për 17 vite dhe kanë 4 fëmijë, ani pse nuk kanë qenë të kurorëzuar.

    Bashkëjetesa e tyre përfundoi, gruaja u largua me dhunë nga banesa (nga familjarët e bashkëjetuesit të saj) dhe Gjykata në Kosovë, ia lejoi nënës që t’i shoh fëmijët 1 herë në muaj dhe vetëm 1 orë e gjysmë në ditë.

    Në emisionin “Libero” në ATV, u lexua një pjesë e vendimit që e solli avokatja Eni Çobani në studio, dhe ndër tjerash (në atë vendim) thuhet: “…Mënyra e kontaktimit të prindit (nënës) me fëmijët të bëhet 1 herë në muaj, të premten e parë të muajit, prej orës 14:00 deri në orën 15:30…”

    Ndërkohë për sa u takon emrave që e morën këtë vendim (e nënshkruan dokumentin) janë zyrtari Blerim Kuliqi dhe drejtori Halim Gecaj.

    Në lidhje me këtë vendim, avokatja Eni Çobani tha se përbën vepër penale dhe këta njerëz duhet të denoncohen, meqë ajo përmendi edhe faktin që fëmijët nuk jetojnë as me babain, sepse ai tashmë është i martuar me një grua tjetër dhe fëmijët jetojnë me gjyshërit (nga babai).

    “…Unë do të jem përfaqësuesja ligjore e zonjës, në të gjithë fazat e gjykimit që do të bëhen në Gjykatën e shkallës së parë (Mitrovicë). Më 13.01.2025 ka filluar gjykimi i kujdestarisë se nuk kemi zgjidhje martesore, kemi vetëm kujdestari për fëmijët… Kjo është e pafalshme, kjo është vepër penale, këta njerëz (që morën vendimin) duhet denoncuar…”, potencoi Çobani.

    Gjithashtu, ajo tha se ky rast është një kauzë për të cilën i është betuar vetes dhe shqiptarëve.

    “…Nuk mundemi që njerëzit t’i lëmë në këtë formë, t’i nxjerrim në rrugë e t’ju themi ‘nuk ke asgjë në atë banesë’ dhe mbi të gjitha t’i heqim edhe fëmijët.”

    Vlen të theksohet se Eni Çobani është avokate dhe juriste. Ajo ka qenë Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Drejtësisë (në Shqipëri), e gjithashtu edhe Këshilltare e Kryetarit të Gjykatës së Lartë!

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Eni Çobanit, klikoni linkun e mëposhtëm:

  • Rrëzohet lisi nga era e fortë, dëmtohen disa vetura

    Rrëzohet lisi nga era e fortë, dëmtohen disa vetura

    Në lagjen Dardania të Prishtinës, përkatësisht në rrugën “Ilaz Kodra”, disa vetura janë dëmtuar si pasojë e rrëzimit të një lisi nga erërat e forta, raporton EO.

    Të enjten, janë parë punëtorë të Hortikulturës të cilët kanë larguar rrëzimin e lisit.

  • Paralajmërohen erëra të fuqishme, Komuna e Prishtinës: Shmangni qëndrimin pranë objekteve të larta dhe pemëve

    Paralajmërohen erëra të fuqishme, Komuna e Prishtinës: Shmangni qëndrimin pranë objekteve të larta dhe pemëve

    Sipas parashikimeve të motit, sot në Prishtinë priten erëra të fuqishme deri në 32 km/h. Komuna e Prishtinës kërkoi nga qytetarët që të kenë kujdes.

    “Për sigurinë tuaj, ju lutemi: Të shmangni qëndrimin pranë objekteve të larta, pemëve dhe strukturave të paqëndrueshme. Të siguroheni që dritaret dhe dyert e shtëpive apo bizneseve tuaja janë mirë të mbyllura. Të bëni kujdes gjatë qarkullimit”, thuhet në njoftimin e komunës së Prishtinës.

  • 26 vjet nga masakra në tregun e Mitrovicës

    26 vjet nga masakra në tregun e Mitrovicës

    Janë mbushur 26 vjet nga masakra që ndodhi në tregun e Mitrovicës, ku pati viktima dhe qindra të plagosur, raporton Ekonomia Online.

    Në këtë ditë, më 13 mars të 1999-s, forcat serbe sulmuan me minahedhës kurse tregu ishte përplot me njerëz, ndërsa si pasojë mbetën të vdekur gjashtë qytetarë, në mesin e të cilëve kishte fëmijë dhe gra, ndërsa u plagosën edhe 128 të tjerë.

    Përfaqësues të institucioneve komunale dhe asociacioneve të tjera në Mitrovicë, familjarë të viktimave e martirëve, si dhe qytetarë tjerë, çdo vit mblidhen në vendin e ngjarjes në nderim të viktimave të masakrës së tregut në Mitrovicës..

    Pasojat shëndetësore e psikologjike të këtij sulmi të ushtrisë dhe policisë serbe i vuajnë edhe sot shumë prej atyre që ishin atë ditë në treg.